INTERVISTË ME STUDJUESIN ENVER MEMISHAJ/
NGA QAZIM SHEHU/
Zoti Memishaj, në punën tuaj ju numëroni sot 15 libra studimorë. Mund të na përmendni disa?/
Përgjigje:Në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavrësisë Kombëtare botova librin “Major Ahmet Lepenica… “, luftëtar i shquar i indipedencës kombëtare, promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes.
Po kështu me interest ë madh janë pritur veprat “Emblema e një epopeje”, studim për Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare që ideoi, organizoi dhe udhëhoqi Luften e Vlorës më 1920, që sipas të gjith historianëve rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.
Janë pritur mirë edhe veprat studimore “Pseudonime të përdorura gjatë Lëvizjes Antifashiste…”, “Parti Komuniste apo Parti terroriste” etj.
Këtë vit në 113 vjetorin e lindjes, botova veprën e pesëmbëdhjetë “Fejzo Lepenica…”, vlerësuar nga Prof. Dr. Kaliopi Naska.
Të gjitha veprat e mia janë vlerësuar nga autoritete të shquara të historisë, nga shtypi dhe nga publiku i gjerë.
-Keni shkruar kryesisht libra që synojnë zbulime historike, personalitete dhe ngjarje të pa përmendur më parë. Kjo vjen si një prirje, synim i punës tuaj apo mision për të plotësuar një zbrazëti historike?
PËRGJIGJE:Së pari unë kam studjuar, kam shkruar dhe kam botuar për ngjarje historike, tema, apo personazhe që nuk i kanë shkruar të tjerët, pra synoj të plotësoj zbarstësira të historisë sonë. Gjatë hulumtimeve të mia kam arritur përfundimin se sa më shumë të thellohesh në studimin e historisë tonë, aq më tepër e kupton për boshllëqet që ka, për harresa, për atdhetarë që vepra e tyre është mohuar, apo falsifikuar, për arsye që nuk kanë lidhje me historinë.
Le të marrim p.sh major Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën apo Fejzo Lepenicën, atdhetarë pa njollë, që jetën e tyre e shkrinë për Shqipërinë, por padrejtësisht emrat e tyre ishin mbuluar me pluhurin e harresës.
Ose le të marrim dy veprat e shkruara për historinë e administratës së Vlorës: Prefektët dhe kryetarët e Bashkisë, pra, në këto vepra, unë kam stduiuar dhe nxjerrë në dritë ata atdhetarë që i shërbyen Vlorës dhe lanë gjurmë në historinë e saj dhe më gjerë. Në këto dy vepra unë zbuloj atdhetarë të shquar si: Qazim Kokoshi i dënuar tre herë me vdekje për Shqipërinë, që vdiq në burgun e komunistëve vlonjatë, Nuredin bej Vlorën që shkriu jetën dhe pasurinë për Shqipërinë dhe vdiq i mohuar si “armik” populli në dhe të huaj.
Pra unë synoj dhe e quaj mision të provoj dhe evidentoj para lexuesit ngjarje historike dhe personazhe të historisë të panjohur nga publiku i gjerë, unë synoj veçanërisht të denoncoj krimin, dhunën dhe terrorin që ushtroi mbi këtë popull regjimi diktatorial komunist me artikuj historik dhe libra të botuar. Në këtë drejtim po përmend veprën “Nëpër greminat e përgjakura komuniste”, në të cilën kam përmbledhur artikuj historik të botuar në shtypin e ditës.
-Në punën tuaj të lodhshme dhe fisnike,çfarë mendoni që mbetet ende pa thënë, sepse historia e Shqipërisë ka kaluar në një kalvar mosnjohjesh nga regjimet dhe protagonistët e pushtimeve?
PËRGJIGJE:Një studiues, apo historian nuk mund të thotë asnjëherë që s`kam më se ç`farë të them. Historia shkruhet e rishkruhet mbi bazën e dokumentave të reja që dalin në dritë dhe që nuk njiheshin më parë. Puna e studjuesit të historisë së Shqipërisë është një minierë që s`ka fund. Unë kam shumë dosje në shtëpi të mbushura me shënime dhe dokumenta, që, sa ngrihem në mëngjes hedh sytë andej dhe e kuptoj se jeta ime nuk do më mjaftojë për t`i shndërruar të gjitha ato në libra.
Po punoj për evidentimin e krimit dhunës dhe terrorit që pushteti komunist ushtroi mbi popullin tonë, për Historinë e Ballit Kombëtar të Vlorës, për tema e ngjarje të tjera të pashkruara.
Nuk është shkruar akoma për masakrat komuniste gjatë luftës dhe pas sajë në kohë paqje: vrasjet masive, 26 partizanë të vrarë brenda një dite në Mavrovë, 24 të vrarë brenda një dite në Dukat, 21 të vrarë brenda një dite në Buzmadhe, 20 të vrarë brenda nje dite në Kurdari të Kukësit etj., etj.
Po punoj për ekzekutimet çnjerzore që bënin komunistët, për mohimin e varreve dhe masakrimin kufomave, për gjyqet komuniste që ishin komedira me fund tragjik, vepra çnjerzore që nuk i bëri asnjë pushtues në Shqipëri.
– Ju jeni nga Vlora dhe në librin tuaj Historia e Bashkis së Vlorës, spikatni disa figura të rëndësishme. Sidomos 4-5 prej tyre, për të cilët provova ndjesinë e një krenarie të re. Si mendoni a duhet bërë më shumë për ta.?
PËRGJIGJE:Ky libër plotëson një boshllëk në Historinë e Vlorës, për herë të parë është përshkruar historia e kësaj bashkie me peshë në historinë e vendit tonë dhe ata personalitete që e drejtuan bashkinë në kohë shumë të vështira. Për herë të parë përshkruhet vepra e shquar atdhetare, por e mohuar dhe e falsifikuar e disa personaliteteve me peshë edhe në historinë e Shqipërisë:
Qazim Kokoshit (1882-1947), 40 vjet aktivitet atdhetar, dënuar tre herë me vdekje për lirinë e popullit të tij, sekuestruar pasuria dhe djegur shtëpitë dy herë nga pushtuesit dhe që vdiq në burgun e komunistëve vlonjat.
Nuredin bej Vlorës, (1889 – 1964) nipi i Ismail Qemalit. Njeriu që shkriu pasurinë e tij për Atdheun e tij. Burra e patriot si Nuredin bej Vlora dhe të gjith ata që mbrojtën çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920, duhen nderuar e kujtuar me nderim, në festën kombëtare, çdo 28 nëntor.
Ali Asllani (1882-1966), jepen ndiçime të reja të aktivitetit tij atdhetar, persekucioni në diktaturën komuniste dhe vdekja e tij i mbuluar me harresë.
Kështu do të thoshim për Ibrahim Abdullahun, Abas Mezinin etj.
Dr. Bujar Leskaj, në vazhdën e shërbimeve të shquara që i ka sjellë vendlindjes së tij, Vlorës, në vitin 2008, i propozoi Këshillit të Bashkisë që në qendër të qytetit të Vlorës të ngrihen bustet e tetë kryetarëve të Bashkisë që i shërbyen Vlorës në kushte shumë të veshtira gjatë periudhën 1912-1939, por kjo kërkesë nuk u vlerësua dhe nuk u realizua.
Pra, për këta burra të shquar duhet bërë shumë më tepër për të treguar patriotizmin, qytetarinë dhe mirënjohejn tonë për shërbimet që ata i bënë vendit të tyre.
Të mos kemi drojë nga lavdia e këtyre patriotëve, ata nuk i kthehen historisë për të zënë vendin e dikujt, ata kanë në histori vendin e tyre të merituar.
Duke vlerësuar këta patriotë ne nderojmë veten, sepse ata s`kanë nevojë për ne, ne kemi nevojë të mësojmë prej veprës së tyre.
-Si një studiues me një përvojë të pasur si mendoni a ka fakte që kanë trazuar ose sëkëlldisur botën akademike të historianëve që janë mësuar me klishetë dhe standartizimin e fakteve të njohura duke kërkuar shenjtërimin e tyre.
PËRGJIGJE:Këto kontradita kanë qenë të vazhdueshme me intelektualë apo edhe me ata që mbajnë grada shkencore, të cilët nuk kanë mundur të shkëputen nga bota e zezë e djeshme, kanë mbetur skllevër.
Një polemikë të gjatë kam bërë me komunistët e ditëve tona, në mbrojtje të figurës së Hysni Lepenicës. Falsifikimi për veprën e këtij patrioti arrin deri atje sa kur botohet zyrtarisht libri për dëshmoret e atdheut nga Ministria e Mbrojtjes, nuk përfsihen në të Hysni Lepenica dhe 32 bij nënash shqiptare që ranë në luftë me fashizmin Italian, shpallur dëshmorë me vendim qeverie nr. 423 datë 23.9.1992.
Për falsifikimet dhe shpifjet e bëra prej vullnetarëve të Enverit, iu përgjegj Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës, autorë të tjerë në shtypin e përditshëm, si dhe nga autori i këtij shkrimi.(Shih për më shumë: Gazetën “55”, datë 2 deri 9 korrik 2003, si edhe shumë artikuj të tjerë në shtypin e ditës)
Ka pasur edhe nga ata që mbajnë mbi supe titullin profesor të cilët janë munduar, njësoj si dje, ta nxjerrin major Ahmet Lepenicën një person pa rëndësi në Luftën heroike të Vlorës më 1920, në një kohë që ai sipas dokumentave të shumta ishte Shef i Shtabit dhe Komandant i Përgjithshëm i asaj lufte. (Internet dhe gazeta “55 “, dt. 28. 8.2015)
Kundërshtime ka pasur edhe për figura të tjera, për ngjarje historike dhe Ballin Kombëtar. Së fundi iu përgjegja skllevërve të ditëve tonë me artikullin “ U japim përgjigje të vërtetave të mëdha” (Internet, Gazeta “ 55 “, dt. 21- 22.9. 2015)
Pra kundërshtime dhe polemika ka pasur, por të mohosh polemikat do të thotë të kthesh muret dhe telat me gjemba.
-Në librin e fundit për Fejzo Lepenicën vura re një pasuri të dendur inforimi dhe një korrektesë referimi.Sa kohë hulumtuese u kushton kjo?
PËRGJIGJE:Gjatë përurimit të veprës “Major Ahmet Lepenica…”, mbesa ime më pyeti: Dajo sa kohë të është dashur të shkruash këtë libër?
Bashkshortja ime iu përgjegj, shkurt: Tërë jetën!
Ishte e vërteta e pa diskutueshme. Një studjues tërë jetën e kalon me studime, me gjurmimin dhe mbledhjen e dokumenave e fakteve historike, studime, pune e shkrime të përsëritura e ripërsëritura në proçesin e kujtesës dhe së fundi gjejnë pasqyrimin në veprën historike.
Një studiues nuk ka gjera të prera me thikë. Mund të nisësh një vepër dhe të arrish të botosh një tjetër. Kështu më ka ndodhur edhe mua për librin e fundit “Fejzo Lepenica…”, kam punuar vazhdimisht deri sa arrita të gjej artikujt e tij të shpërndarë në shtypin e përditshëm si dhe dokumenta të tjera nga arkivi.
Letërsia shkruhet me fantazi, historia shkruhet mbi bazën e dokumentave, shtypit, foklorit, kujtimeve, ndryshe nuk është histori por përrallë. Vlera e një libri historik varet nga burimet dhe dokumentat qe studjuesi iu refereohet dhe bën gjykimet e konkluzionet e tij.
-Vihet re në veprat tuaja kokëfortësia e faktologjisë dhe interpretimi përmes koherencave kohore.Ju si mendoni sa dhe si duhet të jetë ekuilibri midis faktit dhe komentit dhe analizës.
PËRGJIGJE:Komenti, analiza dhe përfundimet që nxjerr studjuesi janë rezultat i burimeve dhe dokumetave historike, ato janë themeli dhe përfundimet e studiuesit janë muri i ngritur mbi to. Asnjë ngrehinë nuk mund të ngrihet pa themele, edhe në se ngrihet do të rrëzohet nga era e parë që do fryjë.
Jo vetëm mundohem t`u referohem burimeve të shumta, por përmend edhe ato dokumenta që e kundërshtojnë përfundimin që nxjerr unë, dokumentat jo vetëm i citoj por më të rëndësishmet i paraqes në libër edhe me fotokopjo, kjo e bën më të besueshëm arsyetimin tim por edhe më tërheqës dhe më të lehtë për lexuesin.
-Librat e tua dhe artikujt historik që botoni kanë një jehonë të mirë ndër njerëz dhe në shtyp.Sa dhe si keni njohje për vajtjen e tyre tek lexuesi dhe për efektin që kanë bërë në korigjimin e mendimit historik.
PËRGJIGJE:Ajo që unë dua të them që në fillim është se veprat e mia janë shitur dhe për vepra të botuara gjatë viteve 2000 – 2007, ka kërkesa për ribotim si për “Hysni Lepenica…”, “Pseudonime …”, “Nëpër greminat e përgjakura komuniste” etj.
Librat e mi janë vlerësuar prej personalitete të shquara të historisë:“Hysni Lepenica…”, vlerësuar prej Prof.dr.Hysni Myzyri, redaktor i Historisë së Shqipërisë, Prof.dr.Muharrem Dezhgiu, Instituti i Historisë dhe Prof. dr. Beqir Meta, akademik.
“Pseudonime të përdorura gjatë Lëvizjes Antifashiste 1939 – 1944”, me reçencë të Prof. Dr. Beqir Metës, akademik.
“Emblema e një epopeje”, Udhëheqësit e Luftës së Vlorës, 1920, recenca Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, Institutit të Historisë dhe Prof. dr. Uran Asllani.
“Major Ahmet Lepenica…”, me reçencë të Prof. dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh dhe Prof. dr. Uran Asllani, etj.
Po kështu për këto vepra ka shkruar shtypi përditshëm dhe ka pas emisione në televizor.
Ky fakt flet për atë se ato janë vlera të vërteta studimore e historike.
Ajo që është e rëndësishme dhe që më sjell kënaqësi dhe krenari për punën time në fushën e studimeve historike është fakti se temat dhe ngjarjet e trajtuara në studimet e mia kanë sjellë ndryshime të koncepteve, konkluzioneve, pra të asaj pjese të historisë që unë kam trajtuar në veprat e mia.
Kështu p.sh, pas botimit të veprës me dokumenta “Hysni Lepenica…”, ky personalitet është parë jo më si armik populli por si patriot i madh, gjë që ka sjellë edhe vlerësimin zyrtar dhe dekorimin me dekoratat më të larta deri te “Nder i Kombit”.
Në dy vepra “Emblema e një epopeje” dhe “Major Ahmet Lepenica…”, kam studiuar e trajtuar Luftën heroike të Vlorës 1920 dhe patriotët që e bënë atë luftë me atdhetarizëm dhe pasurin e tyre. Asnjëherë më parë Lufta e Vlorës nuk është trajtuar e plotë si në librat e mi. Kjo solli nje pamje dhe shikim të drejtë të kësaj epopeje se ajo luftë nuk u udhëhoq nga bujqit e çobanët siç thoshte Enver Hoxha, por nga autoritete të shquara të fushës ushtarake dhe politike.
Ky vështrim solli edhe vlerësimin zyrtar të dekorimit të Ahmet Lepenicës “Nder i Kombit” si dhe atdhetarëve të tjera që udhëhoqën atë luftë.
Po kështu në artikujt historik të botuar në shtypin e ditës për dhunën dhe terrorin komunist të ushtruar gjatë afro 50 vjetëve solli ndryshimin e mendimit dhe vlerësime të shumta për ata njerëz që u pushkatuan, vuajtën në burgje, apo në kampe internimi në kohë paqie.
Ajo që është më e rëndësishme ,vepra ime krahas të tejrëve kanë sjellë zgjimin e ndërgjegjes së popullit, por edhe të studiuesve të rinj që të bëjnë dritë me punën e tyre në errësirën që trashguam nga diktatura komuniste.
-Duke u njohur nga afër si lexues i librave të tua, si mendoni a ka libra sot që në emër të rishkrimit të historisë thonë edhe ndonjë të vërtetë për të vërtetat e historiografisë komuniste?
PËRGJIGJE:Në ditët e sotme kemi shkëndija që dalin nga një zjarr i shuar, janë ata që kanë mbetur skllevër të cilët nuk kanë vetdijen për të kuptuar krimin dhe diskriminimin.
Pra kemi një përballje me fenomenin e mashtrimit dhe falsifikimit të historisë, haptazi në kundërshtim me rezolutën e Këshilli i Europës nr.1481 e vitit 2006 „Për domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste“ dhe rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për dënimin e krimeve komuniste, nr.11, datë 30 tetor 2006, miratuar me vota unanime si dhe shumë ligje dhe vendime qeverie.
Nga ana tjetër ajo që ndriçon sot gjatë viteve në liri është brezi i ri i studiuesve, por edhe profesor të shquar si Paskal Milo, Bardhosh Gaçe, Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Marenglen Verli, Marenglen Kasmi etj., që kanë arritur të shqiptojnë e provojnë refuzimin e historisë së komunistëve me armiq e tradhtarë, me ballistë që ikin me bisht ndër shalë, dhe të nxjerrë në dritë ngjarje e personalitete të shquara, duke penalizuar historianët komunistë.
-Dhe,së fundi, a mendon se shkrimi i 15 librave historikë quhet një detyrë e kryer në mbushjen e një boshësie të thelluar nga krimi i fshehjes së të vërtetave…?
PËRGJIGJE:Planet dhe dosjet të mbushura me dokumenta historike, shënimet e mbajtura gjatë leximeve e hulumtimeve, janë kaq të shumta sa mendoj se a do të kem jetë t`i shkruaj e botoj të gjitha?
Asnjë studiues nuk mund të thotë se tani do të bëj pushim pas 15 apo 30 veprave të tij. Ligji është se sapo boton një vepër bënë gati tjetrën e kështu vazhdon kjo deri sa ke frymë, kështu shpresoj edhe unë. Studiuesi është i “dënuar” të mos bëjë pushim.
VEPRA TË ENVER MEMISHAJ – LEPENICA
- “Vetëvrasja. Barbarët zbresin në Vlorë”, Shtypshkronja MNS, Tiranë 1998, f. 225. Bashkautor: nga 255 faqe, 108 prej tyre janë shkruar pa emër, ose me pseudonime, nga Enver Memishaj
- “Hysni Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar”, Geer, Tiranë 2000 f. 416.
Vlerësuar prej Prof.dr.Hysni Myzyri, redaktor i Historisë së Shqipërisë, Prof. dr. Beqir Meta, akademik dhe Prof.dr.Muharrem Dezhgiu, Instituti i Historisë.
- “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist”, Vëllimi I, “Natyra 2001”, Tiranë 2004,
- 628, Autorë: Agim Musta, Visar Zhiti, Enver Memishaj, Tanush Mulleti.
- “Pseudonime të përdorura gjatë Lëvizjes Antifashiste 1939 – 1944”, Geer, Tiranë 2005,
- 250. Me reçencë të Prof. Dr. Beqir Metës, akademik.
- “Antologjia e plagëve nën terrorin komunist”, Vëllimi i II, Geer, Tiranë 2006, f.485. Autorë:Agim Musta, Enver Memishaj.
- “Nëpër greminat e përgjakura komuniste”, Artikuj historik “Mirgeeralb”, Tiranë 2007,
- 524.
- “Përballë klithmave të korbave”, Polemikë me komunistët, “Mirgeeralb”, Tiranë 2008,
- 315.
- “Kthimi i borxhit të madh”, Vështrime kritike dhe analiza për vepra historike, Geer, Tiranë 2009, f. 330.
- “Emblema e një epopeje”, Udhëheqësit e Luftës së Vlorës, 1920, Geer, Tiranë 2010, f. 420.
Me reçencë të Institutit të Historisë: Prof. dr. Muharrem Dezhgiu dhe Prof. dr. Uran Asllani.
“Fillimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë 1990 – 1991”, Shënime historike, Emal, Tiranë 2011, f. 216. Parathënia nga deputeti Roland Tafili.
“Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, Geer, Tiranë 2012, f. 486
Më reçencë të Prof. dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh dhe Prof. dr. Uran Asllani.
- “Prefektët ë Qarkut të Vlorës 1912 – 2012”, Triptik. Vlorë 2013, f. 226.
Konsulent: Prof. dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, Dr. Bujar Leskaj, Dr. Kastriot Dervishi. Reçenca Prof. dr. Alqi Naqellarit.
- “Parti komuniste apo Parti Terroriste?!”, Dokumenta të Ballit Kombëtar, Tiranë 2013,
- 576 Vlerësuar nga Prof. dr. Beqir Meta, Akademist, Prof. dr. Muharrem Dezhgiu, Instituti Historis.
- “Kryetarët e Bashkisë së Vlorës 1912 – 2012”, “Një histori e shkurtër e Vlorës”, Triptik,
Vlorë 2014, f.405. Konsulenca: Prof. dr. Alqi Naqellari, Dr. Kastriot Dervishi, Prof. Sherif
Delvina. Recenca: Dr. Bujar Leskaj
“Fejzo Lepenica, Jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”, Triptik, Vlorë 2015, f.254. Konsulenca Dr. Bujar Leskaj, Prof. Sherif Delvina. Recenca Prof. dr. Kaliopi Naska
* * *
Prof. dr. Alqi Naqellari e Novruz Shehu botuan: “Enveri i Lepenicës”, Me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Emal, Tiranë 2010, f. 450.
Libri përmbledh jetën, veprat, analiza dhe kritika për veprat, artikuj, bibliografia e veprave dhe artikujve, gjykime dhe vlerësime për personalitetin dhe veprën, album fotografik të Enver Memishaj – Lepenicës.