Nga Enzo Moavero Milanesi/E përktheu për Diellin Eugjen Merlika/
N’Evropë flatron hija e të ashtuquajturit Brexit : Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Evropian, si vazhdim i referendumit të 23 qershorit ? Rrahja e mendimeve është e zjarrtë, e rrënuar nga vrasja e djeshme dhe e shoqëruar nga një kundërmim të dhënash dhe pikëpamjesh mbi dobitë dhe dëmet e Remain (qëndrimi në BE), apo të Leave (dalja nga BE). Duke lënë mënjanë tragjedinë e çmëndur dhe propagandën, analizat nuk janë të thjeshta. Për të kuptuar më mirë, duke gjetur qartësinë, mendoj se duhet të nisemi nga dy elementë. I pari është Traktati Be, që i lejon një Vendi të dalë njëanshmërisht nga Bashkimi. Pra është një ngjarje e mundëshme, aspak e krahasueshme me ndarjen nga një Shtet. Kush don të gjejë raste të mëparëshme apo ngjajshmëri, do të kujtojë se në 1985, doli Groenlanda, që kishte hyrë m Danimarkën, me mbretërinë e së cilës është e lidhur ; Norvegjia dy herë (më 1972 dhe më 1994), ka vendosur me referendum të qëndrojë jashtë, edhe se qeveria e saj kish firmosur për të hyrë. Elementi i dytë ka të bëjë me pozitën e veçantë të Mbretërisë së Bashkuar në BE : nuk bën pjesë në bashkimin monetar (pra as në euro, as në rregullat e tij) ; ruan kontrollin mbi njerëzit e ardhur nga Vendet e Bashkimit (pra nuk është në sistemin Schengen) ; ka një zbritje shumë të madhe (British rebate) mbi ndihmesën që çdo Shtet i Bashkësisë derdh në bilancin e Be, në përputhje me prodhimin e brëndshëm bruto ; është e përjashtuar nga zbatimi i plotë i Kartës së të drejtave themelore të BE ; përfiton nga përjashtime të ndryshme që lidhen me politikat e përbashkëta në fushat e drejtësisë dhe punëve të brëndëshme.
Shkurt është një pozitë e veçantë, e fituar nëpërmjet bisedimesh të vazhdueshme, të kujdesëshme, shpesh të ndera në selitë evropiane dhe të ligjësuara nga dispozita juridike, të quajtura me një farë cipe gjuhësore “opt – out”. Ndërmjet 28 Vendeve të Bashkimit, nuk është i vetmi që i ka fituar, por të tjerët kanë shumë më pak. Madje pikërisht rasti britanik vërteton se Evropa e “shumë shpejtësive” (pra e niveleve të ndryshme të integrimit) është prej dhjetëvjeçarësh. Veç asaj, nuk duhet të harrojmë se, për të lehtësuar zgjedhjen e qëndrimit në Be, qeveria Cameron ka arritur në shkurtin e shkuar, njohjen e natyrës jo detyruese të synimit solemn për të ndërtuar “një Bashkim gjithënjë e më të ngushtë”. Me të njëjtin rast, janë bashkërenduar variante të mëtejshme të rregullave themelore që lejojnë, për shembull, kundërshtimin e ligjeve të reja të Be, n’emër të “ndihmësisë” në dobi të Shteteve dhe shkallëzimin e përfitimeve të mirëqënies nga ana e punonjësve t’ardhur nga Vendet e tjera të Bashkimit. Po të shihet mirë, pra Mbretëria e Bashkuar bashkohet plotësisht, në thelb, me pjesën më të vjetër të sistemit BE : tregu i përbashkët i brëndshëm evropian (me politikat që e shoqërojnë si ajo bujqësore, e mjedisit, krahinore), bashkimi doganor dhe politika tregtare e përbashkët kundrejt pjesës tjetër të botës. Jep ndihmesën gjithashtu edhe në bilancin e Be, edhe se paguan më pak në sajë të zbritjes së posaçme, dhe merr pjesë në politikën e jashtëme dhe të sigurisë së përbashkët. Në këtë fushën e fundit e në të tjera, në të cilat Bashkimi vendos njëzëri, e mat me shumë llogari miratimin e saj, mbi bazën e interesave të saj, jo rrallë duke ndaluar vendimet, siç bën p.sh. në fushat fiskale e sociale.
I vërejtur nga ky këndvështrim Brexit zvogëlohet, mbasi Mbretëria e Bashkuar është jashtë nga shumë fusha veprimi të rëndësishme të Bashkësisë dhe gjithashtu ka kundërshtuar gjithmonë formulat më përbashkuese. Duke parë caqet në të cilët vërtitet, mund të thuhet se nëse do të votonte për Leave, por pastaj do t’i bashkohej “Hapësirës ekonomike evropiane”(Hee), efektet ekonomike do t’ishin shumë më pak të forta nga sa është prirja për t’i bërë frikësuese. Traktati Hee i 1992-shit bashkon BE me Vendet e Efta-s (Shoqata evropiane e shkëmbimit të lirë, e themeluar më 1960) : ligjëson qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve e punonjësve ; pranon më shumë se 80% të legjislacionit të plotë të BE ; por nuk ka kapituj të rëndësishëm të harxhimeve dhe as një politikë tregtare të përbashkët. Kjo e fundit mund të përbëjë ndryshimin, por Mbretëria e Bashkuar mund të firmosë sërishmi të gjitha marrëveshjet, në të cilat është e zotuar tani nëpërmjet Be. Për ekonominë, mundësia Hee do të ishte pozitive, si për britanikët ashtu edhe për ata që mbeten në Bashkim. Në krahasim me “shumë shpejtësitë” pak të dukëshme n’Evropën e sotme, blaton në mënyrë të tejdukëshme, një nivel integrimi më të vogël por të rëndësishëm. Pikërisht kjo zgjidhje e mundëshme na bën të kuptojmë se nyja e vërtetë e Brexit është politike dhe emotive ; fatkeqësisht, siç e pamë dje, dramatikisht emotive, aq sa të shtyjë për të vrarë. Është në Mbretërinë e Bashkuar, ku, veç zgjedhjes historike e ideale është në veprim një luftë e ashpër për pushtet, me ndërlikime identitare dhe mbi tërësinë kombëtare, nëse Skocia do të dëshironte të qëndronte në BE. Është për Bashkimin evropian që pret me ankth referendumin, si një provim që mund t’a kalojë apo t’a mbesë në klasë dhe mendon mjetet për të ndaluar një efekt domino. Është për ata drejtues të Vendeve evropiane që, mbasi kanë hedhur mbi çati detyrat e bashkëpunimit të ndershëm, u pëlqen të kritikojnë Be, t’i japin faje që rëndojnë mbi ta, të shtrembërojnë rregullat, duke ndihmuar shëmbjen e tyre. Është për ëndrrën europeiste, të ligështuar nga sirenat kombëtariste që shumë këshillojnë t’a përkufizojnë si një hipotezë të një Evrope më të vogël, por e gjitha për t’u përcaktuar, në thelb, në antarët, në sendërtueshmërinë faktike. Çështja është politike e ka të bëjë me ne, sepse referendumi Brexit, cilido qoftë përfundimi, do të kërkojë nisma rinuese të menjëhershme : urojmë që të jenë pragmatike dhe largpamëse.
“Corriere della Sera”, 17 qershor 2016