• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM-Epopeja e UÇK, manifestime në jubileun e 20 vjetorit

March 6, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Epopeja e UÇK-së e zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare, në Kosovë, në diasporë dhe anembanë botës, kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët/1 Nderim Haradinaj -Kryeministri Haradinaj: Forca e Sigurisë së Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, së shpejti do të merr besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s/1 Thaci Prekaz

 -Kryeparlamentari Veseli: Vitet po kalojnë, por kujtimi për 5 marsin e vitit 1998 mbetet monument i përjetshëm në zemrat e mbarë kombit tone/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 5 Mars 2018/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  në homazhet në Kompleksin Memorial në Prekaz, tha se sot shënojmë dy dekada të rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes së tij.“Sot jemi këtu për nderime institucionale shtetërore për të vazhduar në manifestime tjera nderimin për rënien heroike, por në të njëjtën kohë edhe përkushtimin për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit tonë të pavarur e sovran, një shtet modern, i orientimit euroatlantik, i bazuar dhe i ndërtuar mbi vlerat e luftës çlirimtare, të asaj lufte ku bënte pjesë pothuaj një popullatë e tërë”, u shpreh presidenti i Kosovës.

“Prandaj, sot në këtë 20 vjetor të rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari  duhet të ndihet krenar çdo qytetar për kontributin e vet, duhet të ndihet krenar për rrugëtimin që kemi pasur po edhe duhet të ndihet me besim të plotë e optimizëm për të ardhmen e sigurt të shtetit tonë”, theksoi prsideni Thaçi në Prekaz.

 Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot në një seancë të veçantë, me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashri dhe Familjes Jashari.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçantë, në nderim të njërës prej sakrificave më të mëdha të popullit tonë për liri e pavarësi: sakrificës së Familjes Jashari nga Prekazi dhe Kryeheroit të Kosovës – Komandantit Legjendar Adem Jashari.

“Vitet po kalojnë, por kujtimi për 5 marsin e vitit 1998 mbetet monument i përjetshëm në zemrat e mbarë kombit tonë. Mbetet dhembja dhe krenaria jonë njëkohësisht. Atë ditë në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat”, u shpreh ai.

Kryeparlamentari Veseli tha se, sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit.

 “Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve: Asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.

 Kryeparlamentari Veseli tha se ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz nxorën para gjithë botës të vërtetën e madhe të Kosovës.


Në seancën e veçantë të Kuvendit, ku të pranishëm ishin përfaqësues institucionalë, kori diplomatik i akredituar në Kosovë, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, familjarë të dëshmorëve si dhe personalitete tjera të jetës politike e akademike në vend, fjalë rasti mbajti edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai vlerësoi lart sakrificën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të Familjes Jashari për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se Familja Jashari përshpejtoi kohën, përmbysi shekujt, ndërroi epokat dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit, si rast unik i flijimit për liri e dinjitet.

 

“Brezat e rinj të shqiptarëve dhe miqtë e Kosovës na porosisin që ta ndërtojmë paqen për të gjithë, sepse ajo është më e vështirë se lufta, pra ta ndërtojmë një Kosovë të denjë për të gjithë qytetarët, të tillë çfarë e ëndërruan dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, pa dhunë e shtypje, pa padrejtësi e nëpërkëmbje. Ne, kemi ecur njëzet vjet në liri dhe të arriturat janë të dukshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai ftoi të gjithë shqiptarët, gratë dhe burrat, partitë politike dhe liderët e tyre si dhe komunitetet me të cilët bashkëjetohet, për unitet institucional dhe kohezion shoqëror, për t’i mbrojtur idealet e lirisë, për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes.

Në vijim të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së” sot  në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00 u mbajt ceremoni ushtarake e FSK-së e përcjellë me programin kulturor dhe artistik.

Nga Familja heroike e Prekazit, Rifat Jashari tha se sot nderojmë të gjithë ata që luftuan e ranë për lirinë, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar edhe për të sotmen dhe të ardhmen e kombit e atdheut.

Presidenti Thaçi: Epopeja e UÇK-së zgjoi kudo krenarinë shqiptare

 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila sivjet përkon edhe më 10 vjetorin e shpalljes të Pavarësisë së Kosovës.

 

Presidenti Thaçi ka thënë se këta dy përvjetorë jubilarë janë ngjarje epokale, historike dhe me peshë të veçantë për Kosovën dhe qytetarët tanë.

 

“Para dy dekadave Kosova sublimoi tërë historinë e përpjekjeve shekullore për liri dhe pavarësi, duke iu kundërvënë aparatit administrativ, policor dhe ushtarak të Beogradit, të drejtuar nga regjimi i Millosheviqit. Kjo kundërvënie u bë përmes rezistencës së armatosur, luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila doli nga gjiri i qytetarëve tanë. Qëndresa e komandantit Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tij u shndërrua në masivizim dhe zgjerim të jashtëzakonshëm të radhëve të  UÇK-së”, u shpreh presidenti Thaçi.

 

Ai tha se Epopeja e UÇK-së e zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare, në Kosovë, në diasporë dhe anembanë botës, kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.

 

“Rezistenca e UÇK-së dhe ajo gjithë qytetare bëri që bota demokratike, në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të BE-së ta vë në përdorim fuqinë më të madhe ushtarake të Aleancës Veriatlantike, NATO-n. Kosova përfundimisht u bë një vend i lirë për të gjithë qytetarët e saj”, theksoi ai.

 

Kreu i shtetit shtoi se sa herë gjendet para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës e sheh momentin e ndritur të Kosovës, ku bashkohet më së miri historia, e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë.

 

“Rreshtimet tuaja të gjithëve na bëjnë krenarë, na japin forcë, siguri dhe më shumë dashuri për atdheun tonë. Ju jeni në themelet e identitetit tonë si shtet i pavarur, që prej kohës së transformimit deri në strukturimin e sotëm. Prandaj, si President i Kosovës, shpreh respektin tim më të madh për gjithë punën tuaj nën uniformën e FSK-së. Këtë uniformë, përmes pjesëtarëve tuaj, po e bëni të respektuar kudo në botë, në akademitë prestigjioze, qoftë me aktivitete grupore, qoftë me të arritura individuale. Duke marrë parasysh përgatitjen tuaj, bashkëpunimin e suksesshëm dhe përkrahjen që keni nga KFOR-i dhe NATO-ja, ju faktikisht po dëshmoni pjekurinë dhe aftësinë për të ushtruar misionin tuaj themelor, atë të Forcave të Armatosura të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “niveli i përgatitjes në shumë dimensione është më i mirë se ai i forcave të armatosura të rajonit”.

 

Edhe pse sot është një ditë festive ku përkujtohet krenaria dhe sakrifica për liri dhe pavarësi, presidenti Thaçi theksoi se nuk mund të mos e themi se marshin e ecjes përpara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në transformim profesional nuk arriti ta përcillte politika jonë.

 

“Jam i bindur që ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura, pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon”, shtoi presidenti Thaçi

 

I pari i vendit theksoi se dëshiron që Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshimin e Kushtetutës, duke bashkuar në një vend, në Kuvendin e Kosovës, vullnetin politik të të gjitha entiteteve dhe të gjitha komuniteteve të Kosovës.

 

Ai theksoi se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë vlerë e përbashkët e të gjithëve, një vlerë që shpreh karakterin shumetnik të shtetit dhe shoqërisë sonë.

 

 

Kryeministri Haradinaj: FSK së shpejti ushtri e Kosovës dhe anëtare e NATO-s

 

 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përkujtim të 20 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Familjes Jashari.

 

Në këtë ceremoni, që u mbajt në kuadër të manifestimit gjithpëpopullor “Epopeja e UÇK-së”, nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjarë të dëshmorëve dhe të rënëve për liri, si dhe personalitete tjera dhe qytetarë të shumtë.

 

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila me shumë mund e sakrifica po krijon një imazh ri të Kosovës, me mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, së shpejti do të merr besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.

 

 

Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj: 

 

Të nderuar ushtarë e oficerë,

Gjeneral Rama, ministër Berisha,

I nderuar president i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Familjarë të dëshmorëve, martirëve, kategori të lirisë,

E nderuar dhe e respektuar Familje emblemë e shqiptarëve, Familja Jashari

I dashur baca Rifat.

 

 

Sot, kur para nesh parakalon Forca e Kosovës, në fytyrat e tyre shëmbëllejnë ushtarët e lirisë.

Fytyra e ushtarit është e përjetshme dhe na ngjanë gjithmonë në fytyrat e heronjve tanë që jetën ia dedikuan atdheut.

 

Kjo tokë ka njohur ushtar e ushtri të rrepta e guximtare, që nga radhët e dardanëve e deri te Ushtria e Çlirimtare e Kosovës, ushtria e komandantit legjendar Adem Jashari.

 

Ju, që po krijoni një imazh të ri të Kosovës me shumë mund e shumë sakrifica me mbështetjen e aleatëve tanë strategjik, së shpejti do të merrni edhe besimin kushtetues si Ushtri e Kosovës dhe si anëtare e NATO-s.

Ushtri që në zemër dhe në shpirt mban flakën e lirisë të ndezur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e që është e gatshme sot të njohë dhe të mbrojë diversitetin kulturor e etnik të vendit tonë, lirinë e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë, shqiptarëve dhe të gjitha komuniteteve.

Ju, në rrethana paqeje do të shërbeni kudo që e kërkon Aleanca Veri-Atlantike aty ku do të jetë edhe qëllimi Ynë!

Pra, ushtarë e oficerë, Forca e Sigurisë së Kosovës, të gjithë ju prezentë, sot ne mund të kthehemi të nderojmë dhe kujtojmë me respekt të rënët për liri, të kujtojmë me respekt Epopenë e UÇK-së dhe rënien heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të betohemi në drejtimin tonë për një liri të përjetshme.

 

Lavdi të rënëve për liri.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Epopeja e UÇK

Epopeja e UÇK, homazhe dhe akademi përkujtimore

March 6, 2017 by dgreca

1 Perulet Thaci-Thaçi: Rrugët e Prekazit janë rrugët e lavdisë dhe heronjtë do të jetojnë përjetësisht në zemrat tona/2 UCK Mustafa

-Mustafa: Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari/1UCK Veseli-Veseli: Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës/

PRISHTINË, 6 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot po bëhen homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në komunat e vendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe  ditën e djeshme, ndësa sot bënë edhe drejtues të tjerë institucionalë e politikë.

“Në nderim të sakrificës madhore të familjes Jashari, sot bëra homazhe te varrezat e tyre në Prekaz.Rrugët e Prekazit janë rrugët e lavdisë dhe heronjtë do të jetojnë përjetësisht në zemrat tona”, është shprehur Thaçi.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në kuadër të manifestimit për shënimin e 19 vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
I shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi dhe ministrat e kabinetit qeveritar, kryeministri Mustafa ka përkujtuar trimërinë dhe sakrificën më të madhe që një familje shqiptare ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi së bashku me kabinetin qeveritar për të bërë nderime tek heronjtë e familjes Jashari. Ne të gjithë vlerësojmë se vepra heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari, e Shaban dhe Hamëz Jasharit, e familjes Jashari, janë vepra të cilat kapërcejnë kornizat e historive të flijimit të tillë për liri të vendit dhe për mbrojtje të pragut të shtëpisë. Është vepër, që meriton respekt të veçantë te të gjithë ne dhe para së cilës ne përkulemi të gjithë”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 19-vjetorin e sakrificës së Familjes Jashari, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz.

Kryeparlamentari Veseli tha se edhe pas gati dy dekadave nga kjo sakrificë, plagët ende mbesin të freskëta, po aq sa edhe dhimbja, por edhe forca e krenaria.

“Kosova jonë, për të cilën këta heronj sakrifikuan, është duke ecur përpara, si shtet i pavarur dhe sovran. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, së bashku me familjen e tij dhe të gjithë heronjtë e tjerë, janë garancia më e madhe e shtetit të Kosovës, por edhe frymëzimi për rrugën e saj të zhvillimit e të përparimit”, theksoi kryeparlamentari Veseli. Ai tha se institucionet e Kosovës ende kanë shumë për të bërë, por shtoi se me besimin në gjakun e derdhur, Kosova do të bëhet shembull i zhvillimit.Në mbrëmjen e sotme, ora 18:00, në Prishtinë,  do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Kosova, me manifestime të organizuara nga qeveria, të nisura dje me paradë ushtarake të FSK-së në Prishtinë, e që vazhdojnë edhe nesër,  gjatë tre ditëve, në 5, 6 dhe 7 mars, kujton e nderon Epopenë e UÇK-së, heroizmin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz, para 19 viteve.Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë./b.j/

Filed Under: Reportazh Tagged With: Akademi Perkujtimore, Epopeja e UÇK, homazhe dhe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT