• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETËR E HAPUR PËR MIKUN TIM ANTI-VAX

October 18, 2021 by s p

ERION DASHO

Më lër ta nis këtë letër duke thënë se i kuptoj shqetësimet e tua. Në murin tënd në facebook të shkruajnë me dhjetëra, për të mos thënë qindra, miq virtualë puna e përditshme e të cilëve sot është bërë anatemimi i vaksinës. Në inbox-in tënd vijnë video nga shkencëtarë dhe aktivistë që denoncojnë me patos “eksperimentet” që janë duke u bërë me vaksinat e “rrezikshme”, “konspiracionin global” që përgatitej prej shekujsh, por i mungonte vetën një koronavirus për t’u shpalosur, etj. etj. Në ekranin tënd del herë pas here një personazh (shpesh i nderuar si jurist, si ambientalist apo si fallxhor) që flet me zjarr për viruset, vaksinat, ADN-në, antitrupat dhe limfocititet. Flet me aq kompetencë, sa edhe mjeku më i zot i fushës përkatëse duket si amator para tij. Ajo që është më e keqja, në ekranin tënd del herë pas here edhe ndonjë mjek që i bashkohet këtij enturazhi dhe, kur këtë mjek e dënojnë shoqatat mjeksore, ngrihet një stuhi akoma më e madhe se establishmenti po hakmerret ndaj guximtarëve dhe kalorësve të së vërtetës. Të gjithë këta kanë një të përbashkët! Ata të mbushin mendjen ty të mos vaksinohesh! Të bindin se trupi yt i stërvitur, i ushqyer shëndetshëm, i përforcuar me disa vitamina “magjike”, mjafton për të të mbrojtur nga virusi! Sinqerisht, uroj të kenë të drejtë! Uroj që ti të jesh midis atyre 80% fatlumëve që e kalojnë COVID-in si një grip të zakonshëm. Apo midis atyre 15% më pak fatlumëve që sëmuren, por sidoqoftë nuk përfundojnë në një shtrat reanimator! POR! Mos harro se fati i keq mund të bëjë që ti të jesh tek ai 5%-i fatkeq… Atëherë pranë krevatit tënd nuk do të jetë: …miku i Facebook-ut që të dërgonte videon e përditshme anti-Vax. Ai/ajo ka dëgjuar para disa muajsh se nuk duhet patur kontakt me një person të infektuar. I dhimbet jeta e vet! …drejtuesi i protestës, ai juristi apo ambientalisti me të cilin dënonit së bashku konspiracionin botëror! Ai vazhdon në rrugën e vet. Dje protestonte kundër vaksinës, sot ka tjetër hall. …parashikuesi me pamje profetike që mbin ekraneve dhe parashikon të ardhmen transhumane apo apokaliptike! …ai mjeku amerikan, kanadez apo italian që ka vite që ka humbur licensën si sharlatan dhe mundohet të fitojë në Facebook apo YouTube ato që nuk fiton dot më si mjek! …as ai mjeku ose mjekja shqiptare që fliste në ekran me entuziazëm! Ata nuk janë infeksionistë dhe vazhdojnë të merren me pacientët e vet! Jo! Ti je në një dhomë spitali, i rrethuar nga mjekë dhe infermierë që po bëjnë të pamundurën për të të shpëtuar! Që të japin medikamente, administrojnë injeksione, të lidhin pas aparaturave për të të matur temperaturën, rrahjet e zemrës, oksigjenimin, etj. Që të kanë vendosur një maskë e cila të mban akoma në jetë sepse të jep oksigjenin që nuk ta japin dot mushkëritë e tua. Rreth teje vdesin çdo ditë 5, 6 apo më shumë fatkeqë të tjerë dhe ti nuk e di nëse do të kthehesh dot apo jo pranë familjes dhe miqve. Tani ndoshta e kupton se sikur të ishe vaksinuar, rreziku për të qenë në atë shtrat do të ishte rreth 10 herë më i ulët dhe se do të kishe dhjetë herë më shumë shans të ishe duke pirë një birë me shokët se sa të luftoje për jetën në spital! Dimri po vjen dhe bashkë me të edhe virozat. Askush nuk mund ta parashikojë se si do të sillet COVID-i, por ajo që mund të parashikojmë është: Nëse vaksinohesh sot mundësia për të vdekur nga COVID-i në gjashtë muajt e ardhshëm është jashtëzakonisht e ulët. Mos e humb këtë shans! Vaksinohu!

Filed Under: Sociale Tagged With: Erion Dasho

KONCENSIONET, IKJA E MJEKËVE DHE KORRUPSIONI, SI U ZHYT NË KOLAPS MJEKËSIA SHQIPTARE

October 30, 2020 by dgreca

Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, Gjermani.

Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, Gjermani rrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, mjeku Dasho analizon mjekësinë shqiptare se si përfundoi në kolaps prej korrupsionit e keqmenaxhimit, koncensioni i laboratoreve që solli një nga mangësitë më të mëdha të Shqipërisë atë të numrit të ulët të testeve sepse nëqoftëse nuk testohet, nuk kuptohet dhe nuk ka efektivitet pjesa tjetër e përgjigjes ndaj Covidit. Me Doktor Erion Dashon bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

Ç’PO NDODH REALISHT NË SHQIPËRI, SHIFRAT NË RRITJE TË TË PREKURVE DHE FATALITET, GABIMI  NË STRATEGJINË E KOMITETIT TË EKSPERTËVE TEKNIKË

Shqipëria është duke përjetuar një rritje të theksuar të numrit të rasteve, mesatarja gjatë javës që kaloi ka qënë mbi 300( treqind) dhe një rritje jashtëzakonisht e madhe në krahasim me javët paraardhëse. Fatalitetet që raportohen janë ende të ulëta pavarësisht se qarkullojnë fjalë se ka shumë persona të cilët humbin jetën si pasojë e simptomave të ngjashme me Covidin, por për shkak se testi i tamponit i ka rezultuar negativ nuk raportohen si vdekje nga Covidi. Strategjia e Komitetit Të Ekspertëve Teknikë ka qënë e gabuar në faktin se nuk u drejtua nga një përafrim strategjik por ishte reaktive, ishte e përbërë nga masa shpesh herë të pakuptimta si për shembull masa e fundit që kërkon me detyrim mbajtjen e maskave në publik ndërkohë që lejohet organizimi i panaireve ku personat nuk ruajnë distancimin fizik, vallëzojnë, pijnë, konsumojnë ushqim në vende ku nuk kanë mundësi ti dezinfektojnë apo ti lajnë duart, pra ka masa kundërsense të cilat realisht nuk bëjnë sens. Përgjigjia duhet të ishte orientuar nga parimi: testoj, gjurmoj, trajtoj, një parim tashmë i gjithëpranuar dhe natyrisht duhet të ishte bazuar edhe tek një partneritet me publikun, ku publiku të kuptonte  dhe  ti shpjegoheshin masat e qeverisë dhe ti kërkohej që  nga ana e tij publiku të zbatonte masat të tipit distancim fizik, higjenë personale dhe mbajtje e maskës aty ku është provuar që ka efektivitet dhe dobi.

KAPACITETET E SHQIPËRISË PËR MË TEJ NË LUFTËN NDAJ COVID 19, MASAT DHE PROPAGANDA

Shqipëria ka kapacitete sepse në fund të fundit Covidi është një sëmundje infektive, një sëmundje e cila nuk kërkon teknologji të lartë dhe masa të shtrenjta për tu luftuar dhe mbi të gjitha edhe Shqipëria ka një sistem shëndetësor, ka një rrjet spitalesh që fillojnë nga spitalet rajonale e terciare, ka një rrjet qendrash shëndetësore dhe ambulancash që mbulon krejt vendin dhe i ka të gjitha mundësitë  që nëqoftëse do të aktivizojë të gjitha këto burime, të luftojë siç duhet epideminë e Covidit. Por masat që janë marrë, e sqarova edhe më lart, janë masa të cilat nuk janë të orientuara strategjikisht, janë masa te cilat nuk bazohen në evidenca shkencore dhe masa të cilat shpeshherë janë kundërsens. Në këto kushte është e vështirë të luftohet Covidi. Për sa i takon propagandës, kjo është pjesa më e keqe, pjesa që mua më lë shijen më të keqe sepse Administrata, Qeveria, Komiteti i Eksperteve dhe Spitalet asnjëherë gjatë pandemisë nuk kanë pranuar gabimet e bëra por gjithmonë flasin për suksese dhe pikërisht kjo është ajo pjesa më e vështirë për tu gëlltitur sepse edhe vende që kanë patur përgjigje shumë më të sakta të bazuara mbi shkencë dhe mbi burime kanë pranuar herë pas here gabimet që kanë bërë, ndërsa sipas atyre që drejtojnë Shtetin dhe Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri, ne kemi patur vetëm suksese. Dikur në muajin Prill na u tha se Shqipëria ishte duke punuar 10 herë  më mirë se Gjermania dhe 50 herë më mirë se Italia, tani mbyllen sytë përpara faktit se Shqipëria është vendi i fundit në Europë përsa i takon numrit të testeve, mbyllën sytë përpara faktit që shqiptarët po trajtohen në shtëpi, dhe duke paguar nga xhepi i tyre trajtime shumë të shtrenjta dhe mbyllën sytë para faktit që Shqipëria ka një vdekshmëri shumë të lartë në spitale dhe sidomos në Repartet e Reanimacionit. Të gjitha këto tregojnë që është një propagandë e cila nuk bazohet në atë që është realiteti i përditshëm shqiptar.

IKJA E MJEKËVË NGA SHQIPËRIA, FUTJA E SISTEMIT SHËNDETËSOR NË KOLAPS

Mjekësia nuk bëhet vetëm me mjek por mjekët janë burim i domosdoshëm për të ofruar shërbim shëndetësor. Pra pa mjekë është e pamundur dhe sot Shqipëria ka numrin më të vogël të mjekëve për banorë në Rajonin Europian, dhe vendi që qëndron i parafundit në klasifikim është Taxhikistani. Pra kuptohet se në çfarë gjendje është katandisur sistemi shëndetësor shqiptar. Një mijë mjek janë larguar nga Shqipëria vetëm gjatë 20 viteve të fundit. Për të krijuar një mjek nevojiten përveç 12 viteve të shkollës parauniversitare edhe 10 vite shkollim në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Specializim, dhe të pakten një 10 vjeçar që mjeku i sapo specializuar të krijojë përvojen e duhur për të ofruar kujdes shëndetësor të pavarur. Pra ne kemi krijuar një boshllëk i cili kërkon 10 vite që të mbushet nëqoftëse ne fillojmë sot të punojmë në mënyren e duhur.

SI E KANË SHKATËRRUAR KONCENSIONET MJEKËSINË SHQIPTARE 

 Koncensionet e kanë dëmtuar në rrënjë mjekësinë shqiptare, ku koncensioni  i laboratoreve ka paralizuar praktikisht rrjetin e laboratorëve dhe Shqipëria sot nuk mund të testojë sepse të gjitha kapacitetet laboratorike janë dhënë me koncension privat. Koncensioni i Check Upit e ka kthyer mjekun e familjes nga një profesionist në një argat të kompanisë që bën Check Up. Koncensione të tjera që herë pas here kanë dal në vëmendjen e publikut edhe kur janë të sakta nga ana teknike dhe bëjnë sens, vijnë me një faturë shumë më të lartë sesa duhet të ishin dhe kjo ka bërë që ta privojnë sistemin shëndetësor nga ato fonde që po të ishin investuar me mençuri dhe sipas prioriteteve do të kishim patur rezultate shumë pozitive, por kanë përfunduar në xhepat e koncensionareve.

KONCENSIONI I LABORATORËVE DHE NDIHMA E MUNGUAR NË LUFTËN NDAJ COVID 19  

 Koncensioni i laboratorëve ka luajtur një rol negativ sepse pikërisht në kulmin e epidemisë së Covidit, një konsorciumi privat që ka fituar të drejten për të menaxhuar sistemin e  laboratorëve publikë për një periudhë shumëvjeçare ju transferuan këto asete, dhe ka patur deri paradokse ku Ministria e Shëndetësisë ngriti një laborator të ri në QSUT i cili pasi operoi për disa ditë, u mbyll nga koncensionari. Këto kanë qënë fjalë, duhen vërtetuar nëqoftëse kanë qënë të vërteta ose jo, por nëse kanë qënë të vërteta bëhet fjalë për një situatë skandaloze sepse ai laborator do të kishte ndikuar jashtëzakonisht për të përmirësuar një nga mangësitë më të mëdha që ne kemi, atë të numrit të ulët të testeve. Nëqoftëse nuk testohet, nuk kuptohet dhe nuk ka efektivitet pjesa tjetër e përgjigjes ndaj Covidit.

MESAZHI JUAJ SENSIBILIZUES E PATRIOTIK PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËS NË USA

Të gjithë shqiptarët janë borxhlinjë dhe mirënjohës komunitetit të shqiptarëve  në Amerikë për atë që kanë bërë dhe luftën që kanë bërë për të mbrojtur kauzën tonë patriotike dhe besoj që mjekët në Amerikë do të vazhdojnë të luajë rol duke ofruar lidership, ekspertizë dhe mbështetje siç ka ndodhur gjate muajve të pandemisë. Mjekët shqiptarë e kanë ndjerë mbështetjen e kolegëve që punojnë në Amerikë dhe uroj që kjo të institucionalizohet dhe të mos jetë një marrëdhënie që përfundon gjatë  pandemisë sepse Covidi do të largohet për pak muaj kur të dalë vaksina dhe të mbarojë periudha e emergjencës, por problemet e mëdha që ka sistemi shëndetësor në Shqipëri do kërkojnë gjithmonë mbështetje nga koleget tanë që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Erion Dasho, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT