• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERVEHEJA

February 14, 2013 by dgreca

Erveheja  midis   dy shekujve…/

Nga Rasim Bebo/ Chikago/                                         

Muhamet Çami zë vendin e merituar në pikënisësit nga klasikja bejtexhinj në poezinë e Rilindjes Kombëtare.  Muhamet Kuçuku Çami lindi në Konispol më 9 korrik 1784-1844, kryen studimet në Kajro të Egjyptit për 11 vjet dhe kthehet imam në Konispol. Vepra e tij kryesore janë: Erveheja, Jusufi dhe Zelihaja, Mevludi, historia e Ibrahim Pashës në vitin 1826 e tj. Përfaqësuesit e fillesës më të dëgjuar në të gjithë jugun e Shqipërisë ishin Muhamet Çami, Nesim Përmeti, Sulejman Ramazani nga Berati, apo Hasan Zyko Kamberi. Prej Muhamet Çamit na ka mbetur e mirënjohura “Erveheja”, e përpunuar nga Jani Vreto. Kjo vepër u shtyp në Bukuresht më 1888.

Vargjet kanë një vlerë historike, sepse na japin një botëkuptim të jetës që zhvillohej në Çamëri. Erveheja është një novele dramatike e vjershëruar dhe e qepur me 221 strofa! Përmbajtja e saj është krejtësisht morale, por episodet janë shumë ngjethëse dhe mallëngjyese. Sundon një fantazi çuditërisht e gjallë dhe ky brumë po të binte në penën e një shkrimtari të vërtetë kishte për të dalë një kryevepër romantike  e atij shekulli.

Në përpilimin e kësaj vepre, Muhamet Çami ka patur virtytin më të shënjtë të racës iliro-shqiptare: nderin dhe besnikërin e gruas!  Burri endet vite me radhë në dhera të huaj për të kërkuar bukën e familjes së vet. Kurbeti, te shpirti i popullit tonë ka hapur plagë të pambyllura. Ne kemi gra besnike që presin me dhjetëra vite të kthehet burri i mërguar. Toskëria e mban në gji këtë plagë të rëndë shoqërore.

Erveheja është protagonistja kryesore e kësaj poezie. Pastaj vjen i shoqi, një burrë besnik; i kunati, një bishë në formë njeriu; Bujari, një fisnik e njeri shpirtmirë; ndërsa shërbëtori i Bujarit ka cilësitë e kunatit-kafshë; Varavana një katil mosmirënjohës; kapedani: shtazë e vërtetë e epsheve të veta dhe mbreti: një burrë i matur dhe i urtë! Përmbi këta, Erveheja, gjatë tërë veprës, qëndron si një shënjtore, është besnike e burrit, vullnet fortë, guximtare, mirëbërëse, zëmërgjërë, fisnike dhe me hirin e bukurisë së pashoqe. Martirizimet më të tmerrshme nuk e përkulën dot që t’u dorëzohet epsheve shtazarake të shpirtligjëve, dhe besnikëria e mbajtur kundrejt burrit të saj del si granit.

Bukuria e Ervehesë është porsi hëna që ndrit në një natë të kthjellët, është shumë e matur dhe shumë fisnike e i është dorëzuar të shoqit me mish e me shpirt.  Për nevoja të ndryshme një ditë i shoqi morri rrugën e kurbetit. Para se të largohej shtëpinë dhe gruan ia la amanet të vëllait, i cili u betua se do të kujdesej si të ishte ai vetë. Me të shoqen u ndanë me lot në sy e me pikëllim në zëmër.

I vëllai e “mbajti” fjalën. Sa ktheu shpinën kurbetliu, i pabesi, që u hoq aq besnik, i vajti pranë femrës së bukur dhe trupargjend dhe si i çmëndur i ra ndër këmbë, duke u lutur që t i dorëzohej atij  që vuante aq shumë për hiret e saj. Erveheja u trondit rëndë, e kundërshtoi me tërbim kunatin e pandershëm. Po një memistofel iu gjet edhe kësaj bishe, qe ta mësonte se si mund ta shtinte në lak. Ervehenë e bukur,  i paudhi e këshillon kunatin që t’i kërcënohet femrës me vrasje. Po që se nuk do i  bindej as me këtë mënyrë atëhere duhej ta vriste medoemos, se fjala e turpit do të merrte dhenë me njëherë.

Të nesërmen, bisha u shfrye, e paditi të kunatën si nje të përdalme që ia mori në përkëmbë nderin e të vellait. Dolën dhe dëshmitarë të rremë e të blerë, të cilët pohuan për ato që padiste i koruptuari.

Gjyqi  vendosi sipas kanunit të vendit: Ervehenë e çuan në një kodër dhe aty e mbuluan të gjallë me gurë.

I tërë populli e bënte sehir kur po përpëlitej gruaja e “pandershme”.

U ngrys! Kodra mbeti e shkretë nën klithmat dhe të lebetiturat e gruas besnike! Ku ishte gati në të vdekur qëlloi që aty pari kaloi një Bujar. Kuptoi që ishte dikush nën gurët. E nxorri nga gurët dhe e çoi në shtëpi të vet, i shëroi plagët.  Por bukuria e magjishme e mikes goditi dhe Bujarin! Propozon martesen që të shkonin të lumtur. Por, as këtë herë femra besnike nuk u bind. Bujari iu lut që të mos nxirrte fjalën dhe i thotë me adhurim të madh.

Falmu e lutu për djalë / Ti që paske kaq besë / Perëndia të më falë.

Po, Ervehesë ia prishi qetësinë nje demon tjetër i vërtetë me fytyr njeriu dhe, ky ishte shërbëtori i Bujarit që e dashuron marrëzisht Ervehenë. I binte në gjunjë dhe i bënte të gjitha theroritë, vetëm që ajo, të shkonte një herë e t’i buzëqeshte pakëz.

“Erveheja kur e dëgjoi / I tha: shporru, hiqu mejet! / Se tënzotit nuk ia dëftoj. / Pa të dalë buka gojet.

Edhe shërbëtori shkumëzoi! Vendosi ta zhdukte  gruan, qoftë edhe me të pabesë, të bukurën e pa përkulur n’epshet e tij. Një masakër ç’njerëzore mendoi të cilën e vuri në veprim.

Ngrihet në mesnatë dhe, me thikë ther të birin e Bujarit. Thikën e përgjakur, pa e parë kush, e fshehu nën shtratin e Ervehesë.

Të nesërmen, prindërit fatkeqe, gjëjnë djalin e therur në djep! Vaje e klithma, pikëllimi dhe zia  mbështolli familjen e lumtur. Mblidhen të gjithë rreth fëmijës së vdekur! Të gjithë pyesin njeri-tjetrin se, kush e kishte bërë atë krim!?

“Shërbëtori me të shpejtë / thirri, klithi: Të kërkojmë. / Të ligën ta zbulojmë.”

Me të uluritur si nga dhimbja e vërtetë, u hodh sa andej këndej, kërkoi nëpër çdo vrimë të shtëpisë dhe, pastaj nën shtratin e Ervehesë zbuloi thikën me gjak.

“Vrap u kthye me një herë / Me rrëmbim drejt Ervehesë / U bë gati për ta prerë / Dhe tha: Mori bushtër e pabesë”.

Bujari, ia ndaloi dorën shërbëtorit dhe iu shfry Ervehesë, që pati zëmër aq të ligë sa t’i nxirrte shpirtin atij që e shpëtoi nga vdekja e tmerrshme.

Gruaja e shumë vuajtur me lotë në sy i tha se, kurrë nuk kishte menduar t’i bënte keq shpëtimtarit të saj. Vetëm Zoti i vërtetë do të jetë ai që do ta zbulojë këtë krim çnjerëzor.

Bujari dhe e shoqia e besuan, por nuk donin më ta mbanin pranë tyre. I falën 400 flori dhe e nxorrën në rrugë të madhe.

U end anës së detit pa ditur se për ku drejtohej.

Sa pa hyrë në një qytet, sheh njerëzit të mbledhur në një vend. U afrohet!  Në litar do të varnin një njeri sepse kishte vjedhur 400 florinj nga arka e qytetit.

Gruaja shpirt mirë nuk u mendua shumë; ua pagoi katërqind florinjtë, shpëtoi të pa njohurin nga litari dhe iku sikur s’kishte bërë gjë. I shpëtuari e ndoqi pas.

Ajo. “Ndë një vapë, ndë një diellë. / Kryet mbështetur mbi dorë. / Psherëtiu e vështron qiellë. / Sa fatkeqe dhe e gjorë”.

Njeriu i pa njohur i vajti pranë dhe e falenderoi për shpëtimin që i bëri por i propozon martesën.

“Ik’ ashtu dashtë Perëndia. / tha , ç’qe kjo fjalë e pështirë. / Kam burrë, nuk si tinë. / Por të urtë dhe të mirë.”

I shpëtuari bëhet bishë! Përbuzja e Ervehesë e vrau keq! Shkon nga limani dhe thëriti marinarët për t’u shitur një skllave të bukur dhe të mrekullueshme. Kapedani, po sa e pa u magjepës nga sytë e saja dhe i numuroi njëmijë flori kafshës me fytyrë njeriu dhe e mori me vete fatkeqen.

I tha tregtari skllaves:  “ Qenke femërë. / Që sado të kesh dhënë. / Kaq më hyri në zëmërë. / Të gjitha t’i keshë dhënë.”

Erveheja u gjend ngushte, por nuk e zgjati: hidhet brenda në detë për ta gëlltitur valët e shkumbëzuara! Kapidani i ra pas me not dhe e shpëtoi! Me të pa hir, e mori në anije dhe morrën detin e thellë.

Pranë një limani tjetër u krekos kapidani për ta gëzuar skllaven e bukur dhe për të përmbushur epshet e tij shtazarake! Edhe marinarët e tjerë po i vinin rrotul të leksitur!

Erveheja e pa përkulur, të gjithëve u kundërshtoi me të gjithë forcën e saj, pastaj edhe furtuna e detit i erdhi në ndihmë. Stuhija përplasi vaporin në një shkëmb dhe i mbyti të gjithë marinarët me kapidanin e tyre. Femra zëmër fortë shpëtoi për mrekulli! Dallgët e nxorrën pranë një qyteti të bukur, ku pallatet e mbretit hijeshonin me madheshti mbi kodrinat.

E veshur si burrë shkon fill e te mbreti! Ai e priti me fisnikëri të madhe dhe i dhuroi një tokë ku të kalonte jetën e lumtur. Aty jetoi vite me radhë!

Femra e shtyrë si burrë u suall aq bukur sa që fitoi dashurinë dhe simpathinë e familjes mbretërore dhe të mbarë qytetit.  Zoti i fali edhe një dhuratë! Erveheja burrë, u bë një njeri me nam për shërimin e të verbërve. Ishin me mijëra ata që fituan dritën e syve me ilaçet e saja!

Vite më vonë mbreti u mplak u sëmur rëndë, ndonjë trashëgimtarë për fronin e tij nuk kishte! Ftoi të gjithë parinë dhe të zgjidhnin për mbret një tjetër, atë që e donin ata vetë! Zgjodhën për mbret burrin e panjohur që kishte bërë kaq e kaq të mira! Ishte Erveheja e aratisur që për t’u fshehur ishte maskuar si burrë! Me mbretërimin e saj tërë të mirat i erdhën mbretërisë; me ligje dhe pasuri të reja.

Për habin e saj të madhe një ditë sheh të vinin në pallatin mbretëror i shoqi me të kunatin, Bujari me shërbëtorin dhe Varana i shpëtuar nga litari! Të tre kriminelët hiqeshin zvarë sylidhur, se ishin verbuar. Në sallën e madhe mbretërore u priten të huajt dhe u ftuan të vinin edhe paria e qytetit.  Ervehesë – burrë i vinte t’i hidhej në qafë të shoqit, t’i hapte zëmrën e plagosur dhe ta gëzonte. Por u përmbajt. Të verbërve u tha se magjia e saj nuk zinte, nëqoftëse, secili nuk bënte rrëfimet e mëkateve të tij!

“Unë jam i martuarë, / dhe pata të tillë grua, / t’urtë , të bukur, të qëruarë. / sa gjithë bota, për mua! / Ervehe ja thoshin’ emrin, / shpirti im ndë shpirt t’asaj / tash që e humba atë mjerane, / gjall’ e pa shpirt me quaj!”

Ai ende nuk u besonte fjalëve të botës, që e kishin paditur të shoqen kaq ç’njerёzisht.

Mandej filloi rrëfimin i kunati, i kallzoi të gjitha të këqiat që ia punoi Ervehesë; pastaj me radhë të gjithë treguan krimet e tyre, që i kishin bërë një gruaje të bukur, fisnike dhe zëmërgjërë.

Meqënëse thanë të vërtetën, Erveheja ua shëroi sytë të tre të verbuarve. Pastaj vështroi të shoqin dhe lotët rrëke i vanë, u hodh në krahët e tij dhe e përqafoi: “Erveheja jam unë!” – i tha.          Të gjithëve u dha dhurata të çmuara, të shoqin e vuri në krye të vendit dhe vetë u vesh grua ashtu siç ishte njëherë e lumtur.

Në vetvete vepërza është një kallzim i thjeshtë, po kuptimin e ka të madh, e ndonëse mund të jetë një frymëzim oriental, në zhvillimin e ngjarjeve, për ne do të qëndrojë kurdoherë si vlerë historike letrare, si monumenti i parë letraro – laikë, ndaj dhe do të ruajë kurdoherë, me të, edhe thelbin e virtytit kombëtar, nderin dhe besnikërinë e gruas shqiptare.

Ky material është grumbulluar: nga shënimet e avokat Hajri Zejno nga Konispoli, nga libri i Albert Kotinit,  “Tre gurët e zez në Prevezë”, bot. 2000, f. 591-597 dhe nga interneti Muhamet Çami – Kuçuku. 15 janar 2013.

Addison Çikago,  shkurt 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: Erveheja, Muhamet Cami, rasim bebo

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT