(Ese kushtuar të përndjekurit dhe analistit Eugjen P. Merlika)/
Nga Thanas L. GJIKA/
Eugjen Merlika, midis të përvuajturve të diktaturës komuniste është një shembull i qëndresës burrërore ndaj përvuajtjeve të saj, kurse midis analistëve të pas vitit 1991 është një shembull i mprehtësisë që zbuloi dhe luftoi tranzicionin mashtrues.
Jeta e tij deri më 1990 është e ndryshme prej të përvuajturve të tjerë. Ai shkoi në internim që foshnjë 2 vjeç dhe në vitin 1991, kur ishte 47 vjeç u aktivizua me penë për demokratizimin e jetës e të politikës shqiptare me një mprehtësi të veçantë. Pa pasur arsimin e lartë si shumica e atyre që u aktivizuan në median e kësaj kohe, ai luftoi si forcë e pavarrur për ecurinë e Shqipërisë drejt demokracisë së vërtetë. Ky intelektual e kishte marrë formimin e tij në kushte shumë të ndryshme dhe shumë të vështira në krahasim me të tjerët. Ai është bashkëmoshatar i diktaturës shqiptare, deri në vitin 1991, jetoi nëpër kampet e dëbim-internimit dhe provoi burgjet e Spaçit e të Zejmenit. Ai mundi të kryente me disa ndërprerje shkollën 7-vjeçare e atë të mesme, duke lexuar e shkruar detyrat shkollore mbi krevat dhe mbi gjunjët e tij pranë një llampe me vajguri, pa pasur kurrë një tavolinë shkrimi, një abazhur, radio, makinë shkrimi, kompiuter, televizor, etj. Formimin e tij ai e mori me punën këmbëngulëse autodidakte përmes leximeve dhe dëgjimit me vëmendje të bisedave të gjyshes, nënës, babait, xhaxhait dhe të të dënuarve të tjerë, klerikë e profesorë. Bisedat me të tillë njerëz i vlejtën atij më shumë se leksionet që patëm marrë ne në universitete.
Deri në qershor 1991, kur i kishte kaluar të 47-at, atij nuk i ishte lejuar të shkruante ndonjë artikull, analizë, kujtime nga jeta, etj. Mirëpo kapitullimi i diktaturës i dha Eugjenit të drejtën e të qenit qytetar i lirë, të cilën ai po e shfrytëzon me përkushtim të lartë qytetar. Në situatën e re ai përveç punës për të mbijetuar iu përvesh punës intelektuale për të kontribuar në emancipimin e shoqërisë shqiptare me gojë dhe me shkrim. Shkrimet e viteve 1991-2004, të botuara në organe të ndryshme, ai i mbodhi në librin e parë Elegji për brezin tim SEJKO, 2005, 285 f.; kurse shkrimet e hartuara më vonë dhe disa të zgjedhura prej vëllimit të parë i botoi në librin e dytë Përsiatje… OMSCA-1 2011, 388 f. Këto dy përmbledhje bashkë me shkrimet që ai vijon të hartojë e botojë deri sot, të cilat do t’i botojë së shpejti në një përmbledhje të re, janë vepra me vlera të shumanshme ku bie në sy lirizmi në rrëfime e përshkrime ngjarjesh dhe analiza e thellë në shkrime problemore. Aty lexuesi njihet nga afër me jetën dhe punën e rëndë të të dënuarve në kampet e dëbim-internimit, ku orari i ditës së punës fillonte në tre të mëngjezit me apelin e stërzgjatur dhe mbaronte në gjashtë të mbrëmjes, gjithnjë në prani të policëve të armatosur.
Në fillim kampet e dëbimit u konceptuan nga partia shtet si kampe të shfarrosjes së armikut të klasës, prandaj sot kur të dënuarit, që kanë mbetur gjallë, kërkojnë shpërblim për vitet e vuajtjes në kampin e Tepelenës për vitet 1949-54, u thuhet se nuk ka dokumenta për ekzistencën e atij kampi…
Si të ishte penë e një shkrimtari të stërvitur, pena e Eugjenit jep përshkrime emocionuese për punën dhe jetën e mundimshme plot fyerje të të dënuarve në kampet e internimit dhe në ato të punës së detyruar, ku nënat i linin fëmijët të lidhur në djepe tërë ditën dhe kur ktheheshin në mbrëmje, disa i gjenin të vdekur. Skena që të kujtojnë tregimin e Migjenit Bukuria që vret. Fëmijët që i shpëtonin vdekjes rriteshin si qënie pa ëndërra, pa të ardhme, sa që shumë prej tyre nuk dinin, a duhej t’i falenderonin prindërit që i patën sjellë në jetë, apo t’i qortonin për faktin se i kishin sjellë në një jetë aq të mundimshme.
Ushqimi për gjithë ditën ishte shumë i pakët: bukë misri me gramaturë që nuk të ngopte, një tas me çaj e pak sheqer për mëngjez, një tas me supë bollguri plot krimba për drekë dhe pak gjizë e çaj për darkë. Për të plotësuar disi ushqimin njerëzit detyroheshin të mblidhnin në pyll lende lisi e barëra të ngrënshme. Në përbërjen e gjakut të popullit shqiptar deri më 1991 mungonin shumë vitamina e proteina, por këtyre njerëzve përveç mungesës akoma më të theksuar të vitaminave e proteinave në gjak, u mungonin edhe lëngjet në trup. Ata dalloheshin prej së largu për dobësinë fizike, prej së cilës disa vijojnë të vuajnë ende sot, si viktima të asaj jete.
Të dënuarit u mësuan me mungesat dhe kushtet e rënda të jetës, por, tregon autori, më torturues ishte presioni psikologjik për t’i mbajtur ata nën presionin se do t’i arrestonin e burgosnin, jeta nën frikën e spiunllëkut prej bashkëvuajtësve a bashkëfshatarëve. Ai përmend arrestimin, gjyqin dhe burgun që pësoi ai si pasojë e spiunimit të një bashkëvuajtësi, më tej tregon për mbledhjet e detyruara të fshatarëve, ku i nxirrnin para sallës dhe duke i pështyrë, i demaskonin me shpifje si armiq që donin të përmbysnin pushtetin e popullit, që donin të sabotonin prodhimin, etj, etj. Të tilla poshtërsira i ndërpriste më në fund i deleguari i partisë, i cili për të treguar “zemërgjerësinë” e partisë, thoshte se nëna parti i falte, por ata duhej të punonin kokulur. Të tilla shfaqje poshtëruese skenoheshin me qëllime djallëzore: nga njëra anë ato trembnin fshatarët për të jetuar si pula të lagura; nga ana tjetër fyenin kundërshtarët politikë të rregjimit.
Mirëpo drejtuesit e diktaturës së proletariatit, shton Eugjeni, nuk kuptonin se sa miopë po tregoheshin me këtë politikë poshtërimi. Ata po shkatërronin tiparet e karakterit të shqiptarit, tipare si mikpritja, mbrojtja e të dobtit, ruajtja e fjalës së dhënë, besimi tek Zoti, etj, etj. Duhej të vinte shëmbja e diktaturës që të zbuloheshin dëmet e mëdha që i pati shkaktuar sistemi diktatorial karakterit të popullit shqiptar:
Shqiptari, që nuk e kishte braktisur kurrë me dëshirën e vet atdheun, por kishte praktikuar vetëm kurbetin sezonal ose atë disavjeçar, tani mori nga sytë këmbët, u shpërngul me kuç e me maç dhe u turr drejt botës së lirë si qeni i lëshuar nga zinxhiri.
Shumë shqiptarë, si ata që mbetën në atdhe dhe ata që u shpërngulën përvehtësuan si zanat vjedhjen, për të kapërcyer gjendjen shumë të varfër në të cilën ishin katandisur gjatë shpronësimeve të pafund të diktaturës. Shumë të tjerë filluan të merren me ushtrimin e blerje-shitjes së drogës, të prostitucionit, të kalimit klandestin të njerëzve, pa menduar për dëmin që u shkaktonin viktimave.
Analizat që u bën autori shumë ngjarjeve të mbas 1991-it dëshmojnë për pjekurinë e tij, për shpirtin human, për superioritetin që ka njeriu i edukuar me besimin tek Zoti, me idenë se një ditë do të japë llogari për gjithçka bën e thotë.
Eugjen Merlika jeton me shqetësimet dhe problemet e brendshme dhe të jashtme të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, në Shqipëri, Kosovë e gjetkë. Atë e bën të vuajë çdo lajm i keq për popullin e tij dhe e gëzon çdo lajm i mirë. Po aq i ndjeshëm është ky autor edhe për problemet madhore të njerëzimit. Ai vuan dhe e dënon terrorizmin e terroristët që shkatërruan kullat binjake më 11 shtatorit 2001 e shkaktuan masakra të tjera më vonë, deri në ditët tona.
Analizat e thella të fenomeneve shqiptare, përshkrimet plot dhimbsuri për njerëzit, hymnet që u thurr ai dy gjyshërve të tij dhe nënës së vet, përvujtneshës së madhe Helena, pa kërkuar hakmarrje e shpagim, por vetëm duke kërkuar drejtësi e ndreqje të karakterit të shqiptarit, janë dëshmi e superioritetit të formimit mendor e moral të tij. Tematika e trajtuar prej këtij analisti është shumë e gjerë. Leximi i veprave të tij të mbush mendjen se një njeri i përvuajtur si Eugjen Merlika ka kaluar një shkollë të lartë të persosjes shpirtërore, se ai është shenjtëruar gjatë atij kalvari dhe mund të mësohet shumë prej shkrimeve të tij dhe bisedave me të.
Kurajua civile është një tipar dallues i këtij autori. Ai i drejtohet me letër presidentit Mojsiu për padrejtësinë e shpërblimit të pabarabartë për vitet e dënimit të Fatos Nanos dhe të dënuarve të diktaturës. Ai demaskon z-njën Nexhmie Hoxha për intervistën që i dha gazetarit italian A. Purgatori në gazetën Corriere della Sera ku me paturpësi ajo theksonte se në kohën e saj nuk kishte skafistë. Merlika i përgjigjet se ajo nuk duhet të harrojë se në kohën e saj pasuria e popullit u shkri për ndërtimin e 600.000 bunkerëve, për rrethimin e vendit me tela me gjemba, për të paguar brenda e jashtë vendit puthadorët që propagandonin se Shqipëria ishte një eldorado, etj, etj.
E vërteta e tranzicionit shqiptar
Kulmin e vet aspekti analitik dhe kurrajoja qytetare e autorit Merlika e arrin në artikullin e gjatë Mashtrimi i Madh, botuar në të dy përmbledhjet e para. Ky shkrim është kryevepra analitike e tij, ku ai sulmon guximshëm mashtrimin që na qorrollepsi gjatë viteve të quajtura tranzicion. Autori padit me të madhe dhe ia çjerr maskën projektuesit të Katovicës shqiptare, Ramiz Alisë, i cili në vitin 1989 parashtroi para plenumit të KQ të PPSh projektin e tij për kapërcimin e Shqipërisë nga sistemi njëpartiak diktatorial në sistemin shumëpartiak, nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut. Me citate konkrete autori tregon se Ramiz Alia pranoi humbjen dhe sugjeroi tërheqjen, por thuri e vuri për zbatim një plan mashtrues për zbatimin e një loje politike djallëzore duke futur njerëzit e ish-diktaturës në të gjitha partitë politike dhe shoqatat me qëllim që Shqipërinë e nesërme ta gëzonin, si po e gëzojnë, bijtë e nomenklaturës komuniste me besnikët e saj.
Ky shkrim zbulon faktin se dhe partitë opozitare e kanë pasur të kufizuar ecurinë e tyre drej së djathtës. Zbulon shkakun pse prona nuk ka shkuar ende tek i zoti, pse sot dekorohen me medalje të larta ish sigurimsa e shërbëtorë të diktaturës së djeshme, pse nuk emërohen në poste drejtuese të përndjekurit politikë, pse nuk u dënua krimi komunist, pse nukshpërblehen për vitet e burgut të dënuarit e kohës së diktaturës si u shperblye Fatos Nanoja për vitet e burgut që bëri në vitet e tranzicionit në kushte komode dhe pa kryer punë të detyruar, pse nuk gjejnë punë në atdhe të rinjtë shqiptarë që kualifikohen jashtë shtetit, pse nuk u krijua kuadri ligjor për thithjen e kapitaleve të huaja, pse nuk funksion shteti i së drejtës, pse nuk u krijuan modelet e institucioneve të pavarur, etj, etj.
Shkrime të Eugjenit janë botuar në gazeta të shumta si Bota Shqiptare, Illyria, Dielli, Bota Sot, Java Gazeta 55, Tema, Shekulli, Gazeta Shqiptare (shtojca Milosao), Shkodra, Pishtari, Shqiptari i Italisë, Metropol, Mapo, Standart, etj.
Për të dhënë shembullin e vet si politikan i veprimit, ai shkoi në atdhe ku nga dhjetori 1995 deri në qershor 1996 u përpoq për krijimin e një force alternative politike ndaj dyshes zotëruese PD – PS që përfaqësonin keq ose nuk e përfaqësonin fare pjesën e shoqërisë së përndjekur. Përpjekjet e bëra nëpërmjet projekit E Djathta e Bashkuar, nuk dhanë rezultate, sepse përfaqësuesit e së djathtës së vërtetë ishin lënë pa përkrahje, pa asnjë pushtet dhe nuk u jepej hapësirë jetike prej asnjë partie politike, por edhe për faktin se ata u instrumentalizuan nga pushteti e nuk arritën të kuptonin se duhej të ishin të bashkuar edhe në luftën politike për demokracinë shqiptare, ashtu si kishin qenë në burgjet dhe kampet e interrnimit gjatë diktaturës. Për fat të keq në median shqiptare është konsoliduar mendimi se Partia Demokratike dhe Partia Republikane e përfaqësojnë të djathtën dhe luftojnë për idealet e saj, kur në fakt ato nuk u japin poste drejtuese bijve të së djathtës dhe ndjekin një politikë të djathtë të kufizuar. Mjafton të kujtohet mbrojtja që i bëhet edhe sot ligjit 7501, pa mbajtur parasysh pronësinë e vjetër.
Autori në disa shkrime sqaron se shoqëria shqiptare e humbi rastin historik për të ecur si duhej mbas shkërmoqjes së diktaturës, sepse idealistët e vërtetë nuk mundën ta kapnin skenën politike. Me kurajë ai shton se brezi i tij, pra dhe i yni, pavarësisht nga bindjet politike duhet të pranojë me ndershmëri se i përket një brezi të humbur, i cili duhet të tërhiqet nga skena politike sepse roli i këtij brezi mbaroi, Në skenë duhet të vijë brezi i ri, i cili nuk duhet të përsërisë gabimet tona, të luftojë me tiraninë dhe mashtrimin edhe sikur t’i duhet sakrifica supreme.
Sot mbas 16 vjetësh nga hartimi i shkrimit “Dy shpirtrat – bisedë e përfytyruar me Atdheun tim, ku autori e quante si të vetmen shpresë të ringjalljes së Shqipërisë ndërrimin e brezave, besojmë se nuk është i bindur se shpresa e tij u sendërtua. Çështja mendojmë se nuk qëndron thjesht në ndërrimin e brezave, por në ndërrimin e pushtetarëve të korruptuar me njerëz të ndershëm dhe që nuk kanë lidhje me ish pushtetarët komunistë, pavarësisht se cilit brez i përkasin.
Eugjen Merlika është aktivizuar dhe si kritik letrar. Ai ka nxjerrë përmes analizave kritike me profesionalizëm vlerat e shumë veprave si memuaret e At Zef Pëllumbit, veprave publicistike të Don Lazër Shantojës, romaneve të Makensen Bungos, Visar Zhitit, Pëllumb Kullës, Lekë Tasit, Agim Hamitit, librit të Aldo Maria Terrusit, Fatbardha Mulleti Saraçit, Alfred Lelës, e veçanerisht me shumë dashuri e vlerësim të lartë për veprën e djaloshit filozof, të ndjerit Atjon Visar Zhiti. Tani vonë ai ka përgatitur për botim librin me poezi Fluturës, të së ndjerës Elena Mirakaj Luli, e cila frymezimin e saj e derdhi në letër duke e lënë si trashëgim të vlerave të saj. Në këtë drejtim bën përshtypje fakti që ky studjues, me pak perjashtime, trajton në shkrimet e tij kritike, jo emrat e njohur të letërsisë zyrtare shqiptare të 70 viteve të fundit, por ata të letërsise së lënë në hije. Kam pershtypjen se autori tërthoraz do të thotë se duhet bërë ende shumë për të ndriçuar plotësisht vlerat letrare e artistike të shoqërisë shqiptare.
Mirënjohja ndaj gjyshes dhe nënës
Në jetën e tij fëminore plot vuajtje nëpër kampe rrethuar me tela me gjëmba e policë të armatosur Eugjeni kishte dy engjëj mbrojtës. Gjyshen nga babai, një burneshë krutane dhe nënën Elena një shenjtore që e mbronte me lutjet e saj drejtuar Zotit. Të dyja këto figura zenë vend në disa shkrime mbushur me mirënjohje pa kufi për bëmat e tyre në mbrojtjen dhe edukimin e kësaj foshnje të papërkrahje e të kërcënuar herë pas hare prej tytës e kondakut të pushkës së policit të pamëshirshëm dhe burgut të mëvonshëm. Mbas vdekjes së nënës Elena, djali i saj i vetëm, tashmë baba e burrë i pjekur, mediton për jetën e sakrificat e saj të pafund. Ajo ishte bijë e një atdhetari shqiptar martuar me një italiane, por që e vogël, kjo vajzë hibride mbeti jetime, pa baba dhe mbasi mbaroi shkollën e lartë për letersi ne Universitetin e Napolit, u martua me djalin e madh të Mustafa Merlika Krujës, me ing. Petrit Merlikën dhe me të erdhi t’i shërbente atdheut të babait e të burrit, por mbasi u bë nënë i filloi kalvari i mundimeve. Iu dha rasti të zgjidhte: të kthehej në Itali ku të jetonte e lirë e të vijonte karierën shkencore pranë nënës e vëllait; ose të qëndronte në Shqipëri për t’u kujdesur për burrin e burgosur, djalin e mitur dhe vjehrrën plakë. Dhe ajo vendosi t’i binte pash më pash ferrit shqiptar.
Ti zgjodhe ferrin, sqaron Eugjeni, sepse parimet me të cilat u rrite dhe u formove si njeri, e quanin atë udhën e nderit, të besnikërisë ndaj burrit e ndaj fjalës së dhënë. Brishtësia e zemrës nuk ta lejonte braktisjen e krijesës sate. E rritur jetime, pa përkëdhelitë e babait, mbetur nuse e re pa përkëdhelitë e burrit, nuk mund ta përfytyroje tët bir jetim rrugëve, pa dashurinë e nënës, pa përkëdhelitë e tua. Nuk ishin në natyrën tënde braktisja, shmangia nga përgjegjësitë…
Dhe ia numëron vuajtjet e kalvarit nëpër kampe pune e vende internimi, me foshnjën në krah e vjerrën e moshuar, herë me burrin pranë e herë me burrin në burg, ku ra dhe djali, derisa përfundoi nata e errët plot makthe e vuajtje, ajo jetë ku pjesëtarët e familjes ishin skllevër që pillnin skllevër. Familja me shumë mundime e përpjekje mundi të vendosej në Itali, ku u kurua mbesa e vogel edhe u sistemuan nëpër punëra e shkolla të gjithë. Aty filloi një jetë e re, natyrisht plot luftë, por pa nënvlerësime dhe pa përbuzje. Të edukuar prej kësaj nëne virtutmadhe, pjesëtarët e kësaj familjeje i janë mirënjohës edukatës humane dhe kristiane që ajo u dha për të qenë sejcili i ndershëm dhe gjithmonë në paqe me ndërgjegjen e vet.
Egjeni është dhe një bashkëshort e prind shembullor. Si në Shqipëri dhe në Itali atij nuk iu nda lopata prej dore. Kallot e ashpra ia ndjen edhe sot kur ia shtrëngon duart. Ai nuk u dekurajua kurrë, me guxim e përkushtim mundi t’i rriste tre fëmijët me nder dhe t’i edukonte si duhej, derisa përfunduan një nga shkollat e larta më me emër në Itali, Universitetin Bocconi të Milanos, shkollë private me pagesë. Dy vajzat, Edira dhe Elena, u diplomuan për Ekonomi biznes, ndërsa djali, Besandri, për Ekonomi të Administratave publike dhe Institucioneve Ndërkombëtare. Sot punojnë të tre : Edira në fushën e modës, tek Valentino, Ralph Lauren dhe Agnona, Elena në Genworth, Siguracion Bankar, ndërsa Besandri në Komisionin evropian. Shpenzimet e jetesës dhe të shkollimit të fëmijëve Eugjeni me bashkëshorten Teuta i mbulonin duke punuar nga dy e tre punë që zgjatnin prej orës tre të mëngjezit deri në tetë të mbrëmjes.
Eugjeni dhe Teuta do të realizojnë dhe dëshirën e fundit të prindërve të tyre, Elenës dhe Petritit, të cilët u ndanë nga jeta në vitet 2002 dhe 2003 duke lënë amanet që varrimi i tyre në qytetin Latina pranë Romës të jetë i përkohshëm dhe së shpejti ata të varrosen në varrin e madh të familjes MERLIKA në Krujën Historike, ku do të mblidhen gjithë bijtë e nuset bashkë me eshtrat e Mustafa Merlika Krujës.
Mirënjohja ndaj gjyshërve
Eugjen Merlika vuajti internimeve dhe burgjeve për shkak se ishte nipi i Mustafa Merlika Krujës (1887 – 1958), të cilin nuk e kishte njohur sepse u nda prej tij kur ishte disa muajsh. Dëshira për të njohur të vërtetën se kush ishte ky gjysh i mbuluar me një mal akuzash, i dënuar me pushkatim në mungesë nga “gjyqi i popullit” në vitin 1945, e shtyu Eugjenin mbas vitit 1995, të shpenzonte kohë dhe energji për t’u njohur me jetën dhe bëmat e këtij gjyshi.
Mbas vitit 1991, shumë gjyshër shqiptarë, që kishin qenë pushtetarë komunistë dhe sigurimsa, të cilët gjatë kryerjes së detyrës kishin lyer duart me gjak, filluan të çvleftësohen, të mos duhen si më parë prej bijve e nipërve për shkak të bëmave të tyre në shërbim të diktatorit dhe diktaturës. Ata duke mos bërë asgjë tjetër vërveç shërbimeve si shëbëtorë të verbër ndaj diktatorit e diktaturës nuk lanë vepra për të cilat mund të kujtohen me respekt në të ardhmen. Kurse gjyshi i Eugjen Merlikës, ish-kryeministër i Shqipërisë nën pushtimin fashist italian për 13 muaj, i dënuar si bashkëpunëtor i fashizmit italian, njëherazi kishte qenë dhe një personalitet i historisë sonë kombëtare, studjues, shkrimtar, publicist e politikan, veprat e të cilit kanë pasur dhe kanë shumë vlera atdhetare. Eugjeni bashkë me specialistë, duke shfrytëzuar mundësitë e reja, filloi t’i mblidhte, interpretonte dhe botonte veprat e gjyshit të vet. Kështu ai nxori në dritë vlera të hedhura në harresë, vlera që janë të lidhura me fatin e atdheut, ku Mustafa Merlika ka luajtur rolin e vet pozitiv që nga viti 1908, gjatë vitit historik 1912 si pjesëmarrës në lëvizjen e armatosur antiosmane në Shqipërirë e Mesme gjatë vitit 1912, nënshkrues i aktit të Shpalljes së Pavarësisë, dhe pas këtij viti, si nëpunës i Qeverisë së Vlorës, i asaj të Durrësit (1918-1919), pjesëtar në delegacionin e qeverisë së Durrsit në Konferencën e Paqes në Paris për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar, prefekt i Shkodres në Qeverinë Noli. Emigrant politik pas dhjetorit 1924. Me kthimin në Shqipëri ai u emërua një nga katër senatorët shqiptarë në Senatin italian, më vonë Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Kryetar i komisionit për rivendikimin e dëmeve të shkaktuar nga pushtimet greke e jugosllave mbi popullsitë shqiptare të bashkuara me Shtetin shqiptar në 1941. Kryeministër i Shqipërisë nga 4 dhjetori 1941 – 12 janar 1943. Më 1 shtator 1944 u largua nga Shqipëria për arsye familjare, për të qenë pranë djalit të vogël që vdiq në Vjenë në moshën 19 vjeçare, nuk mori pjesë në asnjë formacion politik të Mërgatës shqiptare, por bashkëpunoi me ish-kundërshtarin e tij politik, Mbretin Zogu i I në Egjypt, dhe së fundi vdiq në emigracion, në Niagara Fall N. Y. më 1958. Eugjeni ka shkruar dhe disa artikuj ku vë në dukje vlerat e gjyshit të vet, Mustafa Merlika, botoi disa vepra të shkruara prej këtij, si kujtime, letërkëmbime dhe përmbledhjen Mustafa Kruja në historinë shqiptare (1908-1941) OMSCA-1 2012, me shkrime, kopje dokumentesh, foto të ndryshme, shoqëruar dhe me studimin Nacionalizmi, Shqipëria Etnike dhe Lufta Nacional – Çlirimtare, ku Eugjeni shtjellon idetë e veta mbi këto nocione e probleme.
Ky studjues, lidhur me qëndrimin që mbajtën forcat politike e shqiptarët si individë ndaj pushtimit fashist jep që në krye këtë përkufizim të pakundërshtueshëm: Asnjë shqiptar i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu nuk ka pasur mundësi ta shmangë (f. 480). Një nga këta ishte dhe Mustafa Merlika Kruja. Mirëpo, kur qeveria italiane, mbas humbjes së Luftës Italo-Greke, duke parë se autoriteti i saj në popullin shqiptar ra për tokë, u detyrua të ndërronte qeverinë shqiptare. Ajo shkarkoi qeverinë e Shfqet Vërlacit dhe i kërkoi Mustafa Merlikës të krijonte një qeveri të re, me që ky ishte një veprimtar i njohur për ndjenjat e tij atdhetare. Mustafa Merlika i vuri disa kushte qeverisë italiane për të marrë përsipër krjimin e qeverisë së tij:
1. Rikthimi në fuqi i vendimeve të Asamblesë Kushtetuese të 12 prillit 1939, që do të thonte kthim tek e vetmja lidhje kushtetuese me Italinë që përbëhej nga bashkimi personal i dy kurorave.
2. Formimi i menjëhershëm i një force milicije shqiptare, deri në 20 bataljone prej 500 vetësh, nën urdhërat direkte të Ministrit të Brendshëm.
3. Kthimi i menjëhershëm i flamurit kombëtar shqiptar në formën e tij origjinale.
Qevetia italiane ia pranoi me fjalë kushtet Mustafa Merlikës, por realizoi vetëm kërkesën e tretë, të tjerat mbetën vetëm premtime. Ai zgjodhi në qeverinë e tij njerëz atdhetarë të njohur për shqiptarizmin e tyre, të cilët ashtu si ai, pranuan të vinin nderin e tyre në rrezik për të shpëtuar ç’ mund të shpëtohej, për të bërë sa të ishte e mundur më shumë në të mirë të Shqipërisë së pushtuar. Me elementë atdhetarë e të ndershëm Mustafa Merlika e forcoi ekonominë dhe financat e vendit, shtriu arsimin shqip në gjithë territoret e shtetit të bashkuar shqiptar, i dha hov zhvillimit të shkencave albanologjike me anën e Institutit të Studimeve Shqiptare, shpëtoi hebrenjtë nga thonjtë e gestapos gjermane, duke i sjellë nga Kosova në Shqipëri të pajisur me pasaporta si shqiptarë muhamedanë, etj. Gjatë qeverisjes së tij, ky kryeministër në luftën kundër Partisë Komuniste nuk arriti atje ku duhej, për shkak të mospasjes në dispozicion të forcave të mjaftueshme, për shkak se qeverisi vetëm 13 muaj dhe se ai dhe kolegët e tij i nënvlerësuan forcat komuniste si të rinj e të papjekur. Kur i ndërhynin miqtë e tij për ndonjë komunist të kapur nga milicia, ai e lironte duke i besuar premtimit se komunisti do të pendohej. Kështu ai dha urdhër për lirimin e komunistit Gaqo Qeleshi, etj, dhe për ndërrimin e dënimit të komunistes Selfixhe Ciu (Broja) nga dënim shëmbullor në transferim në një fshat internimi e më tej e fali, etj.
Nipi Eugjen mendon se bashkëpunimi me pushtuesin në interes të shqiptarëve, n’atë periudhë tepër të vështirë, meriton një analizë shumë më të thellë e më të paanëshme, se sa ajo që ka bërë historiografia komuniste deri sot, e njëkohësisht kërkon që kjo figurë të vlerësohet në kompleks, ashtu si ka qenë në historinë tonë kombëtare me vlera dhe të meta përzierë, por duke theksuar se nuk u pri kurrë nga interesi vetiak por ai i Atdheut. Sot, kur është bërë e qartë dhe është pranuar se Partia Komuniste Shqiptare, i solli popullit tonë më shumë prapësira se mirësira, figurat politike antikomuniste si Mustafa Merlika duhen parë nën një dritë të re. Për këto vlera shkruan dhe z. Ilir Konomi në parathënien që paraprin vëllimin e ri me shkrime të Mustafa Merlikës “Gjysëm shekulli me pendë në dorë” OMSCA-12015, 684 f. Në vlerësimin e tij ky studjues thekson me të drejtë:
Deri atë ditë të mbrame ai nuk rreshti së shkruari, shkëmbeu letra të panumërta me miqtë dhe solli prova të tjera se komunizmi nuk mund të ishte e ardhmja e Shqipërisë, as e ardhmja e botës, por thjesht një sistem që nuk funksionon.
Me përkushtim Eugjeni shkroi dhe për gjyshin tjetër, gazetarin Sotir Gjika, babain e nënës së tij. Për këtë gazetar atdhetar, i cili bashkëpunoi për vite me radhë në gazetat italiane dhe shqiptare nga viti 1911, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj, studjuesit shqiptarë gjatë diktaturës dhe mbas saj kanë heshtur. Eugjeni është i pari që tërheq vëmendjen ndaj shkrimeve të tij me përmbajtje atdhetare në vitet e vështira të shtetit shqiptar. Madje tani ai është duke përgatitur një vëllim të bollshëm me shkrime të Sotir Gjikës që ka mundur të grumbullojë në shtypin shqiptar dhe italian e së bashku me to edhe letërkembimet me shumë veprimtarë të jetës politike e kulturore shqiptare të çerekut të parë të shekullit të shkuar si Luigj Gurakuqi, Asdreni, Cajupi, Terenc Toçi, Jani Vruho etj.
* * *
Gjithë këto vlera të shkrimeve të këtij autori, si dhe shumë të tjera që nuk kemi mundësi t’i shtjellojmë këtu, tregojnë se Eugjen Merlika midis intelektualëve të sotëm shqiptarë zotëron një nivel të lartë atdhetarizmi, intelekti dhe karakteri. Për njerëz të tillë ka nevojë shoqëria jonë për të kryer procesin e domosdoshëm të shkëputjes tërësore nga komunizmi dhe mendësia e tij që ende vijon të frenojë ecjen përpara të shoqërisë shqiptare. Për vlerat e mëdha që kanë shkrimet e këtij autori, Ministria e Arsimit duhet të krijojë një përmbledhje me shkrimet më të mira të tij dhe ta ribotojë me fondet e veta në mijra kopje pët ta shpërndajë anë e kend atdheut, si dhe në Kosovë, Maqedoni e kudo ku jetojnë shqiptarët. Një përmbledhje e tillë do të ndihmojë për formimin e rinisë me norma morale, politike e shoqërore të shëndosha, për të shërbyer nesër si militantë shoqërorë e politikë të përgatitur në nivelin e kohës.
Një personaliteti të tillë si Eugjen Merlika, atdheu ia ka borxh urdhërin Nderi i Kombit.