• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në gjurmët e miniaturave artistike të shkrimtarit të talentuar Idajet Jahaj

May 28, 2014 by dgreca

Prof.dr. Eshref Ymeri/
Para pak ditësh më ra në dorë një vepër artistike e shkrimtarit vlonjat Idajet Jahaj që ma dërgoi me kushëririn tim Arshi Ymeri, një veprimtar i njohur ky i Shoqatës “Mesapliku”. Vepra titullohet: “Loti i diellit dhe hënëzat e limonit”. Është një përmbledhje me grimca lirizmi të artë, me 22 miniatura artistike në 67 faqe gjithë-gjithë.
Këtë shkrimtarë e kam bashkëpatriot. Të dy jemi nga Smokthina, nga fshati Mesaplik. Që në moshë të re, pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, ai filloi punë në shkollën 8-vjeçare të fshatit të tij të lindjes. Që asokohe, ai i hyri me shumë zell punës për hapjen e një muzeu të fshatit në mjediset e shkollës. Më pati lënë përshtypje të jashtëzakonshme puna e tij këmbëngulëse për pasurimin e muzeut me të dhëna interesante nga jeta e figurave historike të fshatit tonë.
Me kalimin e viteve, në personin e Idajetit erdhi e u kristalizua figura e një krijuesi të aftë në fushën e gazetarisë, të publicistikës, të memorialistikës historike dhe të letërsisë artistike. Prandaj sot, kur ai po i afrohet moshës së pensionit, në inventarin e krijimtarisë së tij në këto fusha, figurojnë 35 libra të botuar, 13 nga të cilat i përkasin artit poetik dhe prozës artistike.
Libri në fjalë është një perlë e vërtetë në botën e letrave shqipe. Ai të rrëmben me miniaturat tërheqëse që autori i ka qëndisur aq mjeshtërisht, saqë të befasojnë me larminë e figuracionit artistik.
Miniatura është një gjini mjaft interesante e letërsisë artistike. Ka mendime të ndryshme rreth vlerësimeve që i bëhen asaj në lëmin e kritikës letrare. Dikush mendon se ajo është një poezi në prozë, dikush tjetër thotë se në këtë rast kemi të bëjmë me një tregimth të shkurtër apo thjesht me një formë të gjinisë letrare të përmasave tejet të rrëgjuara. Kësisoj miniatura përfaqëson një largim nga kornizat tradicionale të gjinive letrare.
Me këto miniatura, shkrimtari Idajet Jahaj ecën në gjurmët e shkrimtarëve të shquar të traditës sonë letrare, si Migjeni dhe Nonda Bulka, duke e pasuruar edhe më tej këtë traditë me larminë e figuracionit artistik.
Miniaturat e këtij shkrimtari të talentuar dhe të heshtur deri në thjeshtësi të admirueshme, bien në sy për pasurinë e mjeteve artistike, në të cilat krahasimi i lë vendin metaforës, metonimia zëvendëson sinekdokën., pas epitetit vjen personifikimi etj.
Fjala, në miniaturat artistike të shkrimtarit Idajet jahaj, përfaqëson në vetvete një botë origjinale. Fjala artistike në këto miniatura është pasqyrë e raportit të autorit me realitetin, e perceptimit të veçantë të botës që e rrethon. Në tekstet e tij artistike, saktësia e rrëfimit përcillet përmes larmive metaforike, të vërtetat jetësore përfaqësojnë zbulime artistike. Mënyra e rrëfimtarisë së autorit në këto miniatura, më sjell në kujtesë një dyvargësh të shkëlqyer të poetit të shquar gjerman Henrik Hajne (1797-1856):

Në një fjalë të vetmve do të doja
Ta shkrija brengën dhe trishtimin.

Arti i fjalës në këto miniatura është shprehje e individualitetit të autorit. Përmes metaforave, autori na përcjell thurimën letrare, e cila krijon figura që lexuesin e ngrejnë peshë, figura këto që ndikojnë mbi të me një forcë emocionale të jashtëzakonshme. Fjalët autori i pasuron me ngarkesa kuptimore mjaft domethënëse, duke i stërpikur ato me magjinë e ngjyrimeve stilistikore.
Figuracioni në miniaturat e këtij autori, vjen e shpërfaq gjallërinë, qartësinë, natyrën bukurimore të pasqyrimit artistik, që janë tipar i përhershëm i çdolloj arti, që janë forma të njohjes së realitetit nga pozitat e një ideali estetik.
Me stilistikën e vet krijuese, shkrimtari Idajet Jahaj, figuracionin e ligjërimit e trajton si një tipar të veçantë të rrëfimtarisë artistike, tipar ky që vjen e përfton shprehjen më të plotë në gjuhën e miniaturave të tij të magjishme. Prandaj, në kontekstin artistik, fjala e autorit në këto miniatura bëhet pjesë e pandashme e sistemit të mjeteve figurative dhe kryen domosdoshmërisht një funksion estetik.
Në ditët tona, miniatura është një gjini letrare mjaft e qëlluar. Prandaj edhe shkrimtari Idajet Jahaj, duke pasur parasysh ritmet e përshpejtuara të jetës bashkëkohore, kohën e racionuar për leximin e librave, morinë e reklamave me subjekte të shkurtra, del para lexuesve me këtë buqetë miniaturash që të emocionojnë jo vetëm me rrëfimtarinë fjalëkursyer, por edhe me natyrën e tyre poetike që herë-herë shoqërohet edhe me kadencën karakteristike të vargëzimit.

Tiranë, 28 maj 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ESHREF YMERAJ, Idajet Jahaj, shkrimtari i talentuar

Shpifja, kjo armë e njerëzve pa karakter

April 29, 2014 by dgreca

Për shpifësin nuk gjendet ilaç që ta shërojë-Aristofan/
Shkruan: ESHREF YMERAJ/
Më datën 22 prill 2014, në gazetën internetike “Fjala e Lirë” të moderatorit të nderuar Prof. Fatmir Terziu, unë botova, si reagim, artikullin me titull “Mirënjohje e thellë për zonjën e nderuar Nimfa Hakani”. Ndaj artikullit tim, një ditë më vonë, më 23 prill, ka reaguar zoti P. Gjerazi, i cili deklaron se është historian. Në reagimin e vet ai më akuzon se unë i paskam bërë një interpretim të shtrembëruar analizës së shkëlqyer të zonjës Hakani në artikullin e saj me titull “““Kozmopolitizmi” dhe “Europianizmi” shqiptar shfaqet në mënyrë të shëmtuar”, të botuar në“Fjala e Lirë” më 21 prill 2014. Dhe, për të “argumentuar” akuzën e vet, rrëshqet në batakun e një shpifësi të rëndomtë që s’e ka për gjë ta shesë të bardhën për të zezë.
I mllefosur kundër meje, ashtu siç dinin të mllefoseshin dikur vetëm komunistët shqiptarë enverhoxhistë përballë kundërshtarëve të tyre politikë, zoti P. Gjerazi, që nuk e ka burrërinë të prezantohet me emër të plotë, por vetëm me iniciale, shpif kundër meje në mënyrën më të çuditshme, duke deklaruar se unë paskam qenë komunist, ndërkohë që unë s’kam qenë kurrë i tillë. Por meqenëse unë kam qenë shef iRedaksisë së Përkthimeve të veprave të Enver Hoxhës në ish-Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, sipas këtij historiani, unë “duhet të kem qenë” komunist!
Në artikull unë shprehja pikëpamjen time se me ftesën që Televizioni Klan i kishte bërë këngëtarit shovinist serbZdravko Çoliç, nuk kishte bërë gjë tjetër, vetëm se kishte vazhduar traditën e antinacionalizmit shqiptar, themelet e të cilit i hodhën Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë më 8 nëntor 1941. Si historian që qenka, zoti P. Gjerazi, ma do mendja, duhet ta ketë lexuar librin e dr. Vasfi Baritut, me titull “Enver Hoxha në optikë të re”(Shtëpia Botuese UEGEN, Tiranë, 2013), një libër ky me të dhëna befasuese, tërësisht rojtinore (arkivore), përmes të cilave zbulohet lakuriq figura e Enver Hoxhës, i cili, në marrdhëniet me Beogradin, del para opinionit publik shqiptar si një udhëheqës pa kurrfarë morali kombëtar.
Nën parullën e antinacionalizmit enverian që mbollën në truallin tonë amtar Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, komunistët shqiptarë i lejuan shovinistët serbomëdhenj të kryenin masakrën e rëndë të Tivarit. Nën këtë parullë antikombëtare, edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë në vitin 1948, të gjithë kosovarët që arratiseshin nga tirania serbe për në atdheun amë, Enver Hoxha ose i kalbte në burg, ose ia kthente Titos në kufi për t’i pushkatuar apo për t’i varrosur për së gjalli nëpër burgjet apo kampet e përqendrimit të Jugosllavisë. Miqësia e nëndheshme e Beogradit me Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij, jo vetëm që ka lulëzuar për një gjysmë shekulli, çka u konkretizua me kthimin mbrapsht të poetit Havzi Nela dhe dorëzimin e tij autoriteteve shqiptare në fundin e viteve ’80, për të përfunduar në litar me urdhër të kriminelit Ramiz Alia, por ajo vazhdoi të bëhej edhe më e përndezur edhe pas shembjes zyrtare të sistemit komunist. Pikërisht ftesa që Televizioni Klan i bëri Zdravko Çoliçit është refleksion i asaj tradite miqësore mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit dhe manifestim iantinacionalizmit shqiptar që zë fill pikërisht më 8 nëntor 1941, në dëm të interesave jetësore dhe kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Por zotit P. Gjerazi nuk i intereson të shtrojë pyetjen se si është e mundur që Televizioni Klan nuk fton këngëtarë nga Kroacia, nga Sllovenia apo nga Bullgaria, por fton të tillë pikërisht nga Serbia? Kësaj pyetjeje i ka dhënë një përgjigje shteruese analisti Gani Mehmetaj në artikullin e tij me titull “Bashkëkombasit e mi të vonuar”, të botuar në faqen e internetit më 21 prill 2014. Ftesa i qe dërguar pikërisht këngëtarit shovinist serb, sepse pas kësaj ftese fshihej prapavija politike: hedhja në mëri e shqiptarëve të Kosovës kundë shqiptarëve të Shqipërisë Londineze, pra, mbjellja dhe selitja e farës së përçarjes në radhët e kombit shqiptar. Për pasojë, jo pa një domethënie të thellë, tre këngëtarët kosovarë e braktisën festivalin e këngës të Televizionit Klan. Prandaj edhe serbët, siç thotë analisti Gani Mehmetaj, deklarojnë se shqiptarët e Shqipërisë janë të mirë, kurse shqiptarët e Kosovës janë të këqinj. Kjo mëri apo përçarje mes shqiptarësh ka qenë tradicionalisht dhe vazhdon të jetë në themelin e strategjisë afatgjatë të shovinizmit serbomadh që ka pasur dhe vazhdon tëketë si qëllim hedhjen e shqiptarëve kundër njëri-tjetrit.
Një historiani nuk i lejohet të deklarojë se Shqipëria paska qenë shtet satelit i fuqive nazifashiste. Me këtë deklaratë naive historiani P. Gjerazi i shkon pas midesë shovinizmit grekokaragjoz, i cili vazhdon të mbajë në fuqi ende ligjin e luftës, duke e konsideruar Shqipërinë shtet agresor, meqenëse nga territorii saj Italia fashiste sulmoi Greqinë në vjeshtën e vitit 1940. Të jesh shtet satelit, do të thotë të gëzosh të gjitha atributet e një klike në fuqi që ndjek në mënyrë të verbër dhe pa parime politikën e një shteti tjetër më të madh e më të fuqishëm. Por Shqipëria nuk ishte asokohe vend satelit se ishte e pushtuar, pra ishte shndërruar në një vend kolonial i Italisë fashiste, nuk kishte politikë të jashtme. Shqipëria u bë vend satelit i Jugosllavisëpas nëntorit të vitit 1944 deri në vitin 1948. Paskëtaj, ashtu si edhe të gjitha vendet e Evropës Lindore, Shqipëria, deri në vitin 1961, u kthye në shtet satelit të Bashkimit Sovjetik.
Është i padiskutueshëm roli i komunistëve shqiptarë në organizimin e popullit kundër nazifashizmit. Sepse në vetëdijen e popullit tonë, që prej 7 prillit të vitit 1939, filloi të ziente urretja kundërfashizmit. Prandaj shqiptarët nuk mund të bëheshin kurrsesi aleat të tij. Por nuk duhet mohuar edhe roli i madh i forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit në luftë kundër nazifashizmit. Por Enver Hoxha, nën ndikimin e emisarëve të Beogradit, i vuri kazmën Marrëveshjes së Mukjes dhe Luftën Antifashiste, pas gushtit të vitit 1943, e degjeneroi në luftë vllavrasëse, civile, pikërisht në përputhje me platformën antishqiptare të shovinizmit serbomadh,duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve që sakrifikuan jetën për të hequr qafe zgjedhën nazifashiste.
Antikomunizmin tim historiani P. Gjerazi e vlerëson si më të thekshën se antikomunizmin e senatorit amerikanJoseph McCarthy (1908-1957) në vitin 1950.Interesante! Pa dashje, zoti P. Gjerazi zbulon admirimin e vet për komunizmin. Se domosdo që nuk do t’i ishin ngulitur kaq thellë në kujtesë qëndrimet antikomuniste të senatorit në fjalë.
Historiani P. Gjerazi kërkon t’ia ngrejë lart aksionet Enver Hoxhës kur deklaron se kur erdhi dita, Partia Komuniste e Shqipërisë ia përplasi në fytyrë pabesinë antishqiptare Josif Broz Titos. S’është aspak e vërtetë. Enver Hoxha u bë “trim” kundër Titos vetëm pas letrës së 28 marsit të vitit 1948 që i erdhi nga Stalini. Deri asokohe Enver Hoxha ishte një kukull e pështirë në duart e shovinizmit serbomadh dhe Shqipërinë kërkonte ta shndërronte në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Pak më poshtë do të jap ca fakte konkrete edhe për qëndrimin poshtërues që Enver Hoxha ka mbajtur ndaj popullit shqiptar në marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Në pjesën e parë të komentit të vet, zoti P. Gjerazi e ngre lart figurën e Enver Hoxhës, kurse në pjesën e fundit ngrihet kundër tij. Kot që mundohet t’i heq vetes një sapun mbi gunë, për t’u mbushur mendjen lexuesve se gjoja është antienverist. Nuk është nevoja të përdoren marifete të tilla. Njeriu duhet të ketë burrërinë t’ideklarojë haptas bindjet e veta politike kur e bie rasti. S’ka ndonjë gjë të keqe të jesh enverist, komunist. Sot jemi në demokraci dhe për bindjet e gjithsecilit, qoftë ky individ i pavarur apo formacion politik, gjykon populli ditën e zgjedhjeve në kutitë e votimit.
Komentin e vet zoti P. Gjerazi e mbyll me deklaratën e mëposhtme:
“Por degjenerimi moral i një televizioni privat nuk mund t’i faturohet Enver Hoxhës, por sundimtarëve të Shqipërisë, nga viti 1990 e deri më sot, të cilët i kanë ulur biznesmenët serbë këmbëkryq në ekonominë, politikën dhe në artin e Shqipërisë”.
Interesante! Po pse zoti P. Gjerazi nuk interesohet të dijë se cila është arsyeja që pas vitit 1990 Serbisë i janë bërë gjithë këto lëshime prej politikanëve shqiptarë dhe konkretisht edhe nga një televizion privat? Zoti P. Gjerazi duhej të ishte objektiv dhe t’i përgjigjej kësaj pyetjeje burrërisht, duke u thelluar në gjenezën e saj. Megjithatë, përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep në një mënyrë sa bindëse, aq edhe shteruese analisti Gani Mehmetaj:
“Ata nuk e duan Çoliqin, Bregoviçin e viçët e tjerë, vetëm sepse janë serbë, ata i duan sepse ua kujtojnë kohën e egër të izolimit total, kohën kur të vetmin model e kishin televizionin jugosllav dhe ndonjë këngëtar serb. Ata as që donin të mendonin se ka parajsë tjetër pos Jugosllavisë e kryeqytet pos Beogradit! Kompleksin e inferioritetit ndaj serbit e pati edhe diktatori Enver Hoxha. Këtë qëndrim prej skllavi të robëruar në mendje ua barti edhe një pjese të shtetasve të vet, madje edhe atyre që e urrenin diktatorin”[Citohet sipas: Gani Mehmetaj. “Bashkëkombasit e mi të vonuar”. Marrë nga faqja e internetit “ina” (Iliria News Agency)”. 21 prill 2014].
E, pra, dëshira për të ftuar këngëtarë shovinistë serbë në Tiranë, si Çoliçi e Bregoviçi, të cilit zoti Rama, si ish-Kryetar i Bashkisë së Tiranës, i dorëzoi edhe çelësin e kryeqytetit, apo lëshimet e tjera që i janë bërë Serbisë, nuk kanë lindur mbi një truall shterp dhe aspak pas vitit 1990. Ato e kanë zanafillën pikërisht te kompleksi i inferioritetit dhe te fryma prej skllavi që Enver Hoxha manifestonte në marrëdhëniet me Beogradin, duke i mëkuar popullit ndjenja antinacionaliste që prej 8 nëntorit të vitit 1941, ndjenja këto, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta mbajnë të karfosur klasën politike shqiptare të Shqipërisë Londineze.
Nga sa parashtrova më lart, dëshiroj të theksoj se zonja Nimfa Hakani mua më falënderonte për botimin e reagimit tim ndaj artikullit të saj. Nuk e kuptoj zellin e zotit P. Gjerazi që, për të më sulmuar mua me shpifje, kërkon të bëhet më katolik se papa apo që pula s’ka e ia bën “ish!”
Me sa duket, zoti P. Gjerazi duhet ta ketë një arsye që më sulmon me shpifje që janë armë e njerëzve pa karakter. Ndoshta diku “e ka vrarë samari” keq, por nuk ka burrërinë ta pohojë ballazi, por vetëstruket brenda vetes, pa pasur guximin ta shkruajë të plotë as emrin e vet. Është e habitshme që në kushtet e demokracisë burri i botës ende nuk ka arritur të çlirohet nga autocensura.
Dyshoj se pikërisht ky P. Gjerazi duhet të ketë qenë ai që më pati sulmuar me shpifje edhe në fund të muajit dhjetor 2013, në rubrikën komente, pas botimit të artikullit tim me titull “Eqerem Canaj, një poet-shkrimtar me një individualitet të befasishëm”, në faqen internetike të gazetës “Fjala e Lirë”, 27 dhjetor 2013. Në atë koment ky njeri i autocensuruar nuk qe prezantuar as me emër, as me mbiemër, por vetëm me adresën elektronikegjerazi@yahoo.com. Prandaj unë ia ktheve përgjigjen në një artikull me titull “Në gjurmët e një heroi të satirës së M.E. Saltikov-Shçedrinit”, të botuar po në gazetën “Fjala e Lirë”, më 29 dhjetor 2013.
Ky skllav i autocensurës le të vazhdojë të shpifë kundër meje, se edhe unë do ta vazhdojë ta demaskoj si një njeri të pakarakter që s’e ka burrërinë të dalë në sheshin e mejdanit, por rri e struket vrimave si puna e cironkës së satirës së M.E. Saltikov-Shçedrinit.
Më poshtë po radhis ca fakte, sa për kujtesë, që zoti P. Gjerazi t’i ketë parasysh se cila ka qenë figura e Enver Hoxhës, sidomos në përpjekjet e tij të ethshme për ta përfshirë Shqipërinë nën juridiksionin e Jugosllavisë, si Republikë e Shtatë.
Së pari: Miladin Popoviçi, pasi mori në dorë Rezolutën e Konferencës së Mukjes, e zhubraviti, e bëri shuk dhe ia përplasi në fytyrë Enver Hoxhës. Dhe Enver Hoxha, si një servil i pështirë i emisarit jugosllav, për turpin e tij dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë, nuk mundi të reagonte siç i takonte një njeriu me dinjitet kombëtar. Përkundrazi, ai heshti tamam si ndonjë qen i rrahur para agait të tij serbomadh. Këtë fakt të turpshëm për biografinë e Enver Hoxhës, e ka zbuluar në Arkivin e Shtetit Prof.dr. Muharrem Dezhgiu. Por le të lexojmë një informacion më të hollësishëm për këtë ngjarje poshtëruese në historinë e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe në jetëshkrimin e udhëheqësit të saj, kukullës së Beogradit Enver Hoxha,që tërhiqej zvarrë para shovinistit Miladin Popoviç:
“Xhelal Staravecka,i pranishëm në momentinkur erdhi letra e Ymer Dishnicës për Marrëveshjen e Mukjes, ka sjellë si dëshmi atmosferën që krijoi ky lajm:
“Gjendeshim me shokët e KQ, në mes të të cilëve ishte dhe Miladini,kur arrin korrieri dhe solli Proklamatën e Marrëveshjes së Mukjes. Hapëm Proklamatën dhe e lexuam.Të gjithëve na u ndezën fytyrat nga gëzimi për arsye se u mbërrit bashkimi. Mandej, gjysmë shqip e gjysmë serbisht (përr arsye se unë nuk di serbishten e Miladini nuk di shqip) disi i shpjegova çka ishte shkruar në Proklamatë. Fytyra e Miladinit menjëherë u ndryshua dhe tha:
“Ky bashkim (i Kosovës me Shqipërinë) nuk mund të pranohet. Ne gjithnjë e më tepër forcohemi dhe do të fillojmë me u ra me shpata e jo bashkime me qej(qenër).E mandej ajo Shqipëria etnike! Nanën e saj!”.
Fytyrat tona menjëherë u errën dhe u detyruam me thanë:
Po,po! Do të shohin këta nacionalistë për disa ditë, derisa ne të organizohemi edhe më mirë…dhe do u themi:
Qe Shqipëria juaj Etnike! Sigurisht, shprehja jonë në fytyrë duhet të ndryshojë gjithmonë sipas shprehjes së fytyrës së Miladinit” [V.Dedijer, Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare (1939-1948),Beograd,1949, f.112. Citohet sipas: Prof.dr. Muharrem Dezhgiu.“Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943). Shtëpia Botuese “Mësonjëtorja”. Tiranë, 2005, f. 316].
Së dyti: Në Plenumin e Beratit të muajit nëntor të vitit 1944, emisari jugosllav, Velimir Stojniç, deklaroi:
“Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë, sepse imperializmi do ta gëlltiste; …e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë” (Stefanaq Pollo, Arben Puto. “The History of Albania from its origins to the present day”. Routledge & Kegan Paul Ltd. 1981, f. 245. Citohet sipas: Mërgim Korça. “Kush e shkruan historinë”. Gazeta “Metropol”. 17-18 korrik 2012).
Së treti: Prof.as.dr. Elmas Leci, drejtor i Institutit të Studimit të Problemeve të Sigurimit dhe të Mbrojtjes në Tiranë, në shkrimin e tij “A e shiti Enver Hoxha Kosovën”, shkruan:
“Në shtëpinë e tij, në verën e vitit 1999, Fadil Hoxhës i bëra pyetjen: “A kishte kontaktuar dhe a ia kishte bërë ndonjëherë prezent Enver Hoxhës çështjen e rëndë të Kosovës?”. Fadil Hoxha m’u përgjigj: Po, kam shkuar te Enver Hoxha në Tiranë në dhjetor të vitit 1945, inkonjito, pa lejen e Titos, së bashku me Zekeria Rexhën, dhe i kam shtruar si gjendjen e rëndë nën Serbi ku ndodhen kosovarët, ashtu edhe se ç’duhet të bënim. Kjo ishte bisedë shqiptarësh, e mendoj, për shqiptarët. Biseda e zhvilluar në kabinetin e Enverit, në vend që të bëhej preokupim i qeverisë shqiptare, kishte mbërritur, para kthimit tim, te Titoja”.
Kështu e mbylli deklarimin e tij ish-udhëheqësi kryesor i Kosovës dhe në një periudhë kohe edhe President i Jugosllavisë, Fadil Hoxha” (Citohet sipas: Xhafer Leci: “Fadil Hoxha nuk e meriton ngritjen e një përmendoreje”. Marrë nga “Tribuna Shqiptare”. 05 mars 2014).
Së katërti: Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 15 dhjetor të vitit 1947, ka deklaruar shprehimisht:
“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin “e nderuar”. Gazeta “Metropol”. 14 korrik 2012).
Me këtë porosi të prerë që jepte tradhtari Enver Hoxha për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ai çonte në vend urdhrin e Beogradit, të këtij armiku shekullor të kombit shqiptar, për gllabërimin sa më të shpejt të vendit tonë nga ana e shovinizmit serbomadh, urdhër ky, të cilin Velimir Stojniçi ia përcolli tre vjet më parë Partisë Komuniste të Shqipërisë në Plenumin e 2-të të Beratit që u përmend më lart. Kjo kërkesë e ngutshme për bashkimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me Jugosllavinë, dëshmon për natyrën prej frikacaku dhe prej njeriu të pakarakter të Enver Hoxhës, i cili nuk kishte kurrfarë besimi në forcën krijuese dhe në shpirtin e paepur të popullit shqiptar, i cili mund të bëjë me të vërtetë mrekullira kur udhëhiqet nga politikanë me vetëdije të lartë kombëtare. Si një njeri pa shtyllë kurrizore, Enver Hoxha kërkonte t’ia vishte edhe popullit shqiptar tiparet e tij prej langoi të Beogradit.
Së pesti: Pas kthimit nga vizita në Bullgari në dhjetor të vitit 1947, në mitingun e organizuar në Sheshin “Skënderbej”, Enver Hoxha iu drejtua të pranishmëve me thirrjen:
“…Të rrojë bashkimi dhe vëllazërimi me popujt e mareshalit Tito” (Gazeta “Bashkimi”, 20 dhjetor 1947. Cithet sipas: Dr. Vasfi Baruti. “28 nëntori i tretë”. Botim i Qendrës së Pavarur Sociologjike “Eureka”. Tiranë 2006, f. 32).
Së gjashti: Pas takimit që nacionalisti i shquar kosovar Halim Spahia pati me Titon pas luftës, i cili e refuzoi kërkesën e tij për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai vendosi të vinte në Shqipëri.
“Në të kthyer nga Beogradi në Gjakovë e Prizren, ku kishte takime sekrete me anëtarët e KQ të LNDSH dhe patriotë të njohur, udhëtoi për në Tiranë për t’u takuar me Enver Hoxhën (me të cilin njihej mirë qysh më herët). Në këtë takim me Enver Hoxhën, në prezencën edhe të sllavomaqedonit Koçi Xoxe, kërkoi përkrahjen e Enver Hoxhës për këtë çështje me rëndësi jetike për ardhmërinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, por pa dobi, pasi nuk gjeti mirëkuptim dhe as mbështetje të duhur”. (Citohet sipas: “Halim Spahia – Uikipedia”. Marrë nga faqja e internetit, 07 shtator 2010).
Siç dihet, ky nacionalist i shquar, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, arrestohet me urdhër të Enver Hoxhës dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave, të cilat e pushkatuan në vitin 1946, bashkë edhe me disa nacionalistë të tjerë.
Së shtati: Në një takim që përfaqësuesi i misionit amerikan në Tiranë Jakobs ka pasur me Enver Hoxhën më 16 tetor 1946, i ka thënë këtij të fundit se Shqipëria mund të shtrojë si çështje futjen në axhendën e Konferencës së Paqes në Paris të kërkesës pë rajonin e Kosovës. Madje ai e ka pyetur ballazi:
“A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?”.
Dhe Enver Hoxha, si tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës, dha këtë përgjigje:
“…ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia” (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 516).
Konferenca e Paqes e vitit 1946 në Paris, ishte një shans ideal që Shqipëria të kërkonte ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke pasur edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por Enver Hoxha, si tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës dhe vegël e verbër e Titos, nuk deshi ta shfrytëzonte këtë rast fatlum në të mirë të interesave tona kombëtare.
Së teti: Në takimin me Molotovin, ministrin e jashtëm të BRSS, takim ky që u zhvillua në Varshavë më 24 qershor 1948, Enver Hoxha deklaroi:
“Letra e KQ PKP(b) e shpëtoi Shqipërinë nga një rrezik i madh. Shqipëria dhe Partia Komuniste e Shqipërisë u ndodhën në një rrezik të madh si rezultat i veprimeve të drejtuesve të Jugosllavisë” (Citohet sipas: “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Botimet TOENA. Tiranë 2006, f. 174).
Para gjashtë muajsh, Enver Hoxha kërkonte ta bashkonte Shqipërinë me çifligun jugosllav të agait Tito. Gjashtë muaj më pas, ai braktisi çakallin jugosllav, për të përfunduar në strofkën e ujkut rus.
Së nënti: Në letrën që Enver Hoxha i dërgonte Stalinit në vitin 1949 për Kosovën, deklaronte:
“Shqiptarët e Kosovës duhet ta mësojnë mirë se armiku i tyre i pamëshirshëm… është imperializmi amerikan…” (po aty, f. 257).
Me këtë deklaratë, Enver Hoxha, si një servil i regjur, binte në bark para agait të Kremlinit, duke mohuar në mënyrën më të paturpshme kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht të Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, të cilën ujqit evropianë kërkonin ta copëtonin përfundimisht, duke e fshirë një herë e mirë nga harta e Evropës, për interesat e shovinizmit serbogrek. Ky kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u manifestua në mënyrën më të shkëlqyer edhe në mbrojtje të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 1999.

Sarandë, 29 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: ESHREF YMERAJ, Shpifja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT