Fluturimi-nëse fjala guxim do ta kishte një kulm, ky është kulmi i guximit!/
Nga Zaim Kuçi/
Thuhet shpesh se hapësira ajrore është e pafund dhe nuk ka pengesa. Në ajër nuk ka njerëz që të ngatërrojnë rrugën edhe pa trotuare, as semaforë e kufizues të tjerë, e, për rrjedhojë mund të lëvizësh si e nga të duash. Por realisht nuk është kështu, ajri ka barriera më të forta për t’u zbatuar, aty aplikohen ligjet më të ashpra, më moderne, më të rrezikshme; aty vlerësohet sekondi dhe minuti nuk ka vlerë. Aty rreziku është pasagjeri më i frekuentuar, i ulur fare pranë sediljes të fluturimit, të pranuar dhe miratuar nga vet ti, për më tepër t’i e bën rrezikun me shumë pasion – profesion të jetës.Të fluturuarit nuk është një fushë e gjërë e aplikueshme nga të gjithë. Ai kërkon të tjera sjellje, ndryshe kthehet në një rrezik për atë që e bën dhe për të tjerët që ndodhen në rrezen e veprimit të tij. Fluturimi është një mori sjelljesh të kujdesshme ku përqëndrimi dhe shpërndarja e vëmendjes janë së bashku. Ai është një enigmë dhe kapriçioz si i tillë ai nuk mund të jetë objekt njohje i të gjithëve, aq më keq të trajtohet dhe të sillet i zgjidhur nga të gjithë. Ai i përket specialistëve dhe vetëm atyre. Mbi këto të fshehta që të afron fluturimi, me/pa dashje ne gabojme duke nxituar. Aq më e papranueshme eshte kur kërkohen situata për përftime interesi apo politike. Ndaj shpesh në raste aksidenti kur nuk njihet “Fenomeni” shpesh sillet për të vlerësuar “Misteri”, kjo është e dëmshme për të shkuar tek ndodhia.
Specialistët e ajrit vlerësojnë se, çdo ngritje per Fluturim është fillimi i një beteje, që konsiderohet “Luftë” …ndaj kërkesat për një fluturues janë përtej çdo profesioni, qoftë ai në fushën ushtarake apo shkencore. Për pilotin dhe teknikun aftësia për të fluturuar dhe përballuar problemet që vijnë nga teknologjia moderne janë evidente. Asnjeherë nuk mund të themi se teknologjia e mjeteve për fluturim, edhe pse është zhvilluar me ritme të mëdha, mund të sigurojë garanci absolute të mjetit fluturues. Duhet të pranojmë se, së bashku me perfeksionin teknologjik lindin dhe fenomene që çballancojnë punën normale të pilotit në ajër duke sjell të papritura në mjetin ajror. Zotësia për të përballuar këtë teknologji varet nga një mori faktorësh, kështu nuk mendohet se rrisku në fluturim është “O” sidomos ne avionet luftarake. Teknologjia moderne kerkon sherbime speciale në tokë dhe perdorim në ajër perfekt, në të kundert ajo kthehet prag aksidenti.
Fluturimi kryhet në trusni gjithformash, ndaj është vlerësuar, “fluturim = ndreqje gabimesh”. Misioni për forcat ajrore është kryerja e fluturimeve në terrene të vështira dhe në lartësi të vogla, kjo është detyrë e kohës, piloti përgatitet për luftë. Ngritja nga toka dhe kthimi drejt saj, sado rutinë qoftë, mbetet një detyrë për ta konsideruar të vështirë. Avionin në fluturim konsiderojeni si një fëmijë i sapo lindur, thuhej shpesh nga instruktori P. Naze; kohë kur ne filluam të merrnim rrugët e qiellit. në të kundërt ai është aksident. Duke anashkaluar përgatitjen e fluturuesit, të cilat janë procedura strike, rrisku vleresohet dhe parashikohet në çdo element të fluturimit. Piloti përgatitet për ta parandaluar atë por avioni ndodhet i ekspozuar në ajër dhe nga fenomene të krijuara të natyrës si, turbullenca, pështjellime dhe ndryshime të vrullshme të rrymave ajrore. Të pranueshme dhe rrezik janë në fluturim dhe rënia në iluzion e pilotit, fobia dhe vetmia që të krijon hapësira ajrore. Kështu, fluturimi është një lojë ku përzihen të gjitha këto, një fushëbeteje në hapësirën e pafund qiellore; një dyel me lojtarë: rreziku dhe jeta! Në botën e fluturimit luftarak, në fluturime akrobatike, natën, në re, në lartësi të vogla dhe terrene të vështira ka patur shume aksidente të shkaktuar nga gjendja e pilotit, teknologjia dhe faktorë të tjerë, ai nuk u beson instrumentave të pilotimit, fenomen i pranuar si “pjesë “ e profesionit.
Vendimtare për të siguruar fluturimin është përgatitja e teknikës per fluturim. Mjeti fluturues, sa më i sofistikuar qoftë ai, po aq kapriçios bëhet për mirëmbajtje dhe shërbime. Mjeti fluturues kërkon një respektim dhe regjim të fort në furnizimin me karburant, vajra etj. Neglizhimi dhe abuzimi mbi to për afatet dhe parametrat limit të tyre, përbën aksident ajror. Avioni (reaktive/supersonik) aq sa i zhurmëshëm dhe përbindësh duket po dhe aq delikat është. Piloti sillet me kulturë dhe delikatesë me të; do të thoja si një pianist në kërkim të melodisë së tij, ai luan po aq lehtësisht me gishtat e tij në tastierën e kabinës së instrumentave, të zbukuruar me butona të kuq me nënshkrimin “rrezik”.
Rrisku i kryerjes së fluturimeve konsiderohet maksimal, ndaj normat ndërkombëtare të fluturimit kërkojnë trajtimin e fluturuesve duke u bazuar në standardin “ Dëmshmëri të Shëndetit”, « Risk i Menjehershem », Rrezik maksimal i pranuar. Ky standard aplikohet në vendet anëtare të Nato-s. Aksidentet ajrore në avionët e forcave të armatosura janë prezente gjatë stërvitjeve, qofshin dhe ata më moderne të kohës, të pilotuar nga pilotat « as » të botës. Informacioni si më lartë është shkolloresk (fluturimi në avionët luftarak) dhe nuk sjell diçka të re për ata që i sherbejnë mjetit fluturues por nisur nga interprentimet mediatike të gabuara e solla si një kujtesë për fluturuesit, por dhe për të treguar se sa gabojmë kur marrrim rolin e specialistit.
Fluturimi ka të papriturat e tij, aq sa shkenca moderne duket si e pafuqishme. Në gjadër, mars 1982 u vra në ngritje nga një pulë bardhë, me mig 21 piloti më i talentuar i regjimentit. Shume fikje motorrash ka ndodhur në botë nga ky fenomen. Në një aerodrom në Angli u rrëzuan disa avionë që detyruan anglezët që të mbyllnin aerodromin. Nuk mund të besohet që hunda e këtij avioni të kompanisë Turkish Airlines është deformuar nga një grup zogjësh, pa le si do të shkruante media jonë…
Atij i shtohet si fenomen dhe disiplina e pilotit në ajër. Adrenalina që të afron fluturimi shpesh ka sjellë aksident ajror, rastet nuk kanë munguar. Edhe njeriu “gjigand” i viteve 60-te i botes, Y. Gagarin, ka qene pilot ne avionin Mig-15. Edhe pse ai çuditi boten me fluturimin e tij jashte planetit toke, ai u kthye pas ketij misioni per te fluturuar me avionin reaktiv Mig 15. Do te ishte ky avion që i mori jetën atij qe kaloi tro/stratosferen mars 1968 në një fluturim rutine per forcat ajrore Ruse. Gjatë pilotimit avioni ra ne tyrjele vertikale dhe mori flake. Avioni u doq dhe piloti nuk mundi te shpetonte edhe pse pilotohej nga ai, kozmanauti qe perloti boten me suksesin e tij. Sjell si kuriozitet se për t’u diplomuar pilotë, studentët shqiptarë kanë bërë më shumë se 500 fluturime po në këtë tip avioni Mig 15 duke bërë akrobaci ajrore nga më të vështira por aksidente ajrore me marrje jete nuk kemi patur….
Historisë së aviacionit nuk i kanë munguar dhe raste krenarie të bujshme si kalimi ne harkun e monumentit «Arc de Triomphe» qe ndodhet ne Champs Elysées të Parisit me date 7 Gusht 1919. Ishte ora 7-30 kur piloti francez Charles Godefroy do të bënte aventurën më të papritur të kohës duke pilotuar avionin «Nieuport» në brendësi të monumentit. Kalimi i avionit ishte një shënjë pakënaqësie duke protestuar për mos marrjen pjesë te aviacionit në paradën e festës Kombëtare të Francës që u zhvillua më 14 Korrik 1919. Ky fluturim spektakolare i këtij piloti u fotografua dhe u filmua nga ata që e organizuan këtë fluturim, ose dhe nga ata që u ndodhen në këtë shesh, por fotot dhe vidio u ndaluan të shikohen për shumë vite. Ndodh dhe kështu, si ulja ne “sheshin e kuq” Moske, e shumë të tjera si kjo aventurë të sajuar a të stiruar. Ato bëhen pjesë të profesionit për një situate të sjelle…..enigmë!
Edhe terroristët kanë gjetur mjetin më efikas “fluturimin” si target sulmi për të terrorizuar botën, si show për të treguar forcën dhe për të mbjellë panik. Ata detyruan njerëzimin që para se te ngrihen në ajër të “falen” para portave të kontrollit si kujtesë, ne jemi pranë jush në fluturim. “Zoqtë e ajrit” goditën fortesën e sigurisë, Pentagonin dhe bënë të shkërmoqen kullat Binjake të mbrojtura nga flota ajrore më e fuqishme e botës. Ngjarje shkaktoi jo aq në ushtri, sesa në politikën e sigurisë të vendit dhe rajonale një «avion Piper» në Divjakë apo një «drone» në Beograd. Moria e problemeve që lindin nga “fluturimi” tregojnë se sa shumë liberal dhe i ndërlikuar është sistemi i rregullave të fluturimeve. Ndaj sjell informacionin tashmë i përforcuar në të gjitha rrethet e instituteve “think tank” se e ardhmja e zhvillimeve, qofshin këto krize (emergjence) apo luftarake, parashikon angazhimin rreth 80% me mjete fluturuese dhe vetëm 20 % me mjete tokësore e detare.
Përtej çfarë analizuam si të mundshme dhe ndodhi, të bujshme në fluturim, nevoja për mjetin fluturues për njerëzimin është madhore. Ashtu siç pranojmë që fluturimi është “atdheu“i çudirave, statistikisht fluturimi është “atdheu” i sigurisë. Propabiliteti i sigurisë në ajër (avionët pasagjerë) është disa herë më i madh se ai tokësore. Aksidentet ajrore kanë gjerësi të bujshme mediatike, ndaj, në dukje ato sjellin panik për fluturimin.
* Përsa i përket Helikopterit EC 145 është një nga më modern helikopter të kohës. Kompania eurocopter me kooperim shumë shtetesh si Franca, Gjermania, Anglia etj. ka prodhuar mjete fluturuese konkuruese, luftarak dhe civil të besueshme për pilotim. Testet në ajër kryhen nga instruktorët pilotë kolauditor të uzinës. Në rastin tone ka vijuar përgatitja e pilotave në territorin tonë po me instruktore francezë. Ajo qe duhet patur ne vemendje eshte fakti se ky helikopter modern kerkon mirembajtje dhe teknike pilotimi –perfekt, preçis. Ne i kemi kapacitetet për ta pilotuar dhe mirëmbajtur atë.
Duke mos marrë përsipër të analizojë se çfarë është thënë në lidhje me aksidentin, pasi asgjë nuk mund të thuhet kur nuk ka prova dhe fakte për të, do doja thjesht të komentoja debatin mbi aftësinë e pilotave, trajnimin e tyre për t’u përshtatur me teknikën e re dhe fluturimi në hapësirën ujore (liqen). Sipas meje, çdo pilot që çertifikohet si i tillë, lehtësisht ambientohet me tabelën e instrumentave. Piloti është një nxënës i përhershëm. Të ambjentohesh me kabinën e avionit dhe të fluturosh mbi liqen, këto janë elementë fillestare, pa vlerë diskutimi. Zbatimi rigoroz i instruksionit te fluturimit mbetet madhor. Pilotët nuk veçohen i mirë apo jo i mirë siç ndodh me profesionet e tjera, të gjithë ata që janë lidhur në sediljen e avionit me rrypat e parashutës ata janë të barabartë dhe të gjithë janë heronj në raste aksidentesh. Pilotët shqiptare kane fluturuar ne avione supersonik te pergatitur nga pilotët shqiptare me 10-20 ore fluturimi ne vit duke kryer detyra shume here me te veshtira se sa misione ne avionët civile dhe helikoptere. Nuk kemi patur fatin te trajnohemi as me instruktore amerikane, franceze dhe gjermane por me ata shqiptarë. Ne kemi instruktorë të mirë pilot, ata janë konkurues edhe me homologët e tyre.
Zgjidhje deri diku e sukseshme për botën aeronautike, në konfuzitetin që të sjell fluturimi, është kutia e zeze si një “spiune” për punën e motorrit, pozicionin e mjetit ajror ne ajer (komandat drejtuese per pilotim) dhe komunikiminn pilot-pilot dhe pilot- toke. Kamera vezhguese ne kabinen e helikopterit nuk mund të zëvendësojë kutine e zezë.
Për aksidentin në proçes vlerësimi, le të presim fjalën e ekspertizës, media dhe politika u nxituan. Në se do të ishin në bordin e helikopterit oficerë: nga nentoger deri në general këmbësor/marinar si dhe fizikantë, matematicienë apo inxhinierë, as njeri prej tyre nuk mund të jap informacionin e duhur se çfarë ka ndodhur realisht por një informacion rutinë. Ndaj shpesh thuhet : në aksidentet ajrore, edhe në shtetet me aviacion elitare ku pilotët kanë humbur jetën, ka vlerësime apo konkluzione edhe relative, “gabim njerëzor”. Shpresoj që ekspertiza të nxjerrë të vërtetën.
Në këtë përvjetor të aviacionit, përshëndes shokët e mi, ata të cilët morën rrugën drejt qiellit, të detyruar nga varfëria e asaj kohe, të kryenin detyrat po në atë standard me homologët e botës së “F-ve, dhe Mirage-ve” me 10-20 orë fluturimi në vit. Të huajt janë befasuar me përkushtimin e pilotave tanë duke i vlerësuar këto fluturime “fluturim- arkivol”. Ky është fluturimi… mall dhe respekt për ju të ajrit, për thinjat tuaja të arta.
Zaim Kuçi, Ish pilot /