(Esse për librin e Prof. Dr. Beqir Metës “Tragjedia çame”) /
Ne Foto: Ballina e librit, që u sponsorizua nga federata “Vatra” /
NGA ENVER KUSHI/
Kur krimi ishte kryer dhe Çamëria e përgjakur dukej e zhbërë, një Komision Ndërkombëtar Hetimor, sapo shkeli tokën çame, pa dhe ndjeu gjëmën e madhe. Sipas dëshmive të botuara të një prej anëtarëve të Komisionit Hetimor, pranë Filatit, (me siguri në Vanër), grekët i çuan për të parë “varret e të masakruarve nga çamët”. E ndërsa shihnin varret dhe pak më tutje qytetin thuajse pa jetë të Filatit, njëri prej anëtarëve të Komisionit, befas u kërkoi shoqëruesve grekë atë që ata nuk e prisnin: të hapeshin varret për të parë “të masakruarit e pafajshëm nga çamët”. Siç duket ai e kuptoi se Komisioni ndodhej para një dëshmie të rremë, grackë alla greke, sepse plisat mbi varre ishin të freskët e të ashtuquajturit varre, ishin sajuar një ditë më parë ose ndoshta disa orë para se Komisioni të vinte atje. Kaq u desh, shkruan dëshmitari i kësaj ngjarjeje, që Komisioni të ndodhej përballë egërsisë, sharjeve, kërcënimeve edhe të një grupi të vogël njerëzish, që ndiqnin në distancë ngjarjen e që prisnin të dëshmonin “për krimet e çamëve” ndaj popullsisë greke. Kjo është ndodhia e rreth 63 viteve më parë, por e lashtë sa vetë njerëzimi: ata që kanë kryer krimin, gjithmonë janë përpjekur ta fshehin atë. E megjithatë të vërtetat e krimeve të mëdha, tragjedive njerëzore, në forma e mënyra nga më të ndryshmet, shpejt a vonë, janë marrë vesh. Episodi i lartpërmendur, me domethënien e tij, flet shumë. Unë mendoj se ai pazgjithshmërisht lidhet edhe me librin më të ri të Prof. Dr. Beqir Metës “Tragjedia çame”, i cili në 200 faqet e tij, me një densitet marramendës ngjarjesh, hap siparin e një teatri tragjik, nga më tragjikët në Gadishullin Ballkanik të dramave dhe kobeve: Tragjedinë e Çamërisë. Autori me këtë vepër zbulon mekanizmin e krimit, ndjek kronologjinë e ngjarjeve, që çuan në realizimin e ëndrrës së “Megali Idesë” për zhbërjen e Çamërisë. Profesor Meta nuk hap “varre të rremë” alibikë, siç kanë bërë e bëjnë historianët grekë, të paktën që nga viti 1844, kur nga kryeministri grek Jorgos Koleti, u paraqit programi politik me emrin “Megali Idea”, por zbulon para lexuesit, opinionit shqiptar e atij të huaj, të vërtetat e hidhura, dëshmitë e shumta të tragjedisë çame. Është e vërtetë që në këto 20 vitet e fundit, studiues me origjinë nga Çamëria, shumë prej të cilëve kanë qenë protagonistë të ngjarjeve si Ibrahim Hoxha, Hasan Minga, Petrit Demi, Hajredin Isufi, Prof.Selman Sheme, etj., apo të tjerë si Prof.Dr. Pëllumb Xhufi, Prof.Dr.Kaliopi Naska,Sherif Delvina, Laurant Bica e ndonjë tjetër, për mos lënë mënjanë 80 vite më parë punën kolosale të Mit’hat Frashërit, me veprat e tyre kanë kontribuar për të vërtetat e historisë dhe tragjedisë çame. Mendoj se një nga meritat e Prof.Dr.Metës, është depërtimi më në thellësi të tragjedisë e në ca skuta të fshehura nëpër arkiva, ku ruhet një dokumentacion i madh e që ndriçon çështjen çame, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historia e shkruar mbështetet në faktin dhe dokumentin konkret e bindës.Pa burime bindëse arkivore, ose më saktë pa ballafaqimin e disa prej tyre, vepra historike, mund të jetë çdo gjë, por e besueshme jo. Duket që puna voluminoze dhe nga më seriozet në historiografinë moderne shqiptare, në librat “Tensioni Greko-Shqiptar (1939-1949) dhe “Shqipëria dhe Greqia (1949-1990), janë prologu i këtij libri. Librit “Tragjedia Çame”, ia rrisin vlerën dhe besueshmërinë, mbështetja në dokumentacionin e pasur të Arkivave Kombëtare të SHBA, Arkivit të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Arkivit të Zyrës Historike të Shtabit Madhor të Ushtrisë Italiane.Gjithashtu autori i referohet edhe shumë dokumentave të botuara apo botimeve historiografike, veçmas atyre grekë, si Evangjelos Kofos, Krapsitis, Kondis, Muselimi, Jani Sharra, Nikos Zhangos etj. Jo vetëm kaq. Autori, skrupuloz i dokumentave, ndjek në përgjithësi një linjë lineare në librin e tij. Historia e Çamërisë jepet në mënyrë kronologjike, që nga thellësitë e shekujve deri në ditët tona, me disa nga momentet kulmore të saj.Ky trajtim linear, gërshetohet edhe me një parim tjetër: atë vertikal, thënë ndryshe, depërtim në thellësi të ngjarjeve dhe fakteve historike dhe deduksione të rëndësishme për to. Kjo ja shton vlerat këtij libri dhe dimensionin shkencor dhe logjik të tij. E dukshme është kjo në kapitullin “Çamëria gjatë Luftës II Botërore” e në të tjera që e pasojnë. Për Luftën e Dytë Botërore ka shumë botime.Edhe për Ballkanin gjatë saj ka shumë.Në historiografinë shiptare të periudhës komuniste për fat të keq, ngjarje, personalitete apo fakte të ndryshme janë politizuar ose deformuar, ndërsa për Çamërinë është heshtur. Mendoj se ngjarjet, lëvizjet dhe kontributi i forcave politike, marrëdhëniet mes tyre, kontributet e formacioneve partizane e nacionaliste, qëndrimi i aleatëve e Fuqive të Boshtit, në përgjithësi antifashizmi në Kosovë e veçmas në Çamëri, kërkojnë vëmendje më të madhe nga historiografia shqiptare.Nga ana tjetër, historiografia greke i ka shtrembëruar dhe vazhdon t’i shtrembërojë në mënyrë flagrante të vërtetat, duke hedhur baltë mbi popullsinë çame, duke e kriminalizuar atë dhe duke mohuar kontributin e njohur e të padiskutueshëm të saj në Luftën Antifashiste. Prof.Dr.Beqir Meta, besnik i parimeve të së vërtetës historike dhe mbështetur në një dokumentacion të pasur, me logjikën e fortë prej historiani modern, jep në këtë vepër deduksione të rëndësishme, bindëse dhe të argumentuara. Kapitulli “Çamëria gjatë Luftës II Botërore”, është për mendimin tim çelësi për të kuptuar epilogun e tragjedisë çame, prapaskenat, që u luajtën mbi një popullsi të pafajshme dhe faktorët, që çuan në genocidin e spastrimit etnik të Çamërisë. Ky është kontribut i padiskutueshëm i këtij libri dhe i Prof.Dr. Beqir Metës në historiografinë shqiptare e me gjerë. Mendoj, se rrallë më ka ndodhur të lexoj një vepër historike, ku densiteti i ngjarjeve të jetë aq marramendës, sa në librin “Tragjedia Çame”, veçanërisht në kapitullin “Çamëria gjatë Luftës II Botërore”. Në të, lexuesi i vemendshëm do të jetojë ditët dhe netët e ankthshme të Çamërisë. Aty lëvizin shtabet e Luftës dhe ushtritë e tyre si ato të EAM-it, Zervës, çetat e batalionet të partizanëve e të nacionalistëve çamë, shtabet e ushtrive italiane e gjermane, shtabet e aleatëve, përplasen ideologjitë, fryjnë erërat e acarta të nacionalistëve grekë, organizohen takime të fshehta, thuren plane ogurzeza, ka vrasje në pusira, jepen deklarata, që nga mbreti Zog e deri tek Mit’hat Frashëri, formohen këshillat dhe mobilizohen mbi 2000 çamë, apo befas jepet urdhëri i shtabit gjerman për çarmatosjen e popullsisë dhe nën bekimin e miratimin e shtabit anglez, nis masakra e 26 qershorit 1944, në Paramithi. Tashmë krimi është kryer. Çamëria e përgjakur lëngon në agoni, me një bilanc tragjik ulëritës, që autori i jep me shifra të sakta. Ndihet mes rreshtave të librit dhimbja e autorit, por edhe kumti që ai jep : “Spastrimi etnik i Çamërisë në përfundim të Luftës II Botërore ishte rrjedhim logjik i politikës antishqiptare të shtetit grek dhe i presionit të vazhdueshëm të tij ndaj etnisë shqiptare në Greqi, qysh nga koha e vendimit arbitrar të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të vitit 1913. Ai u realizua në rrethanat e favorshme, që u krijuan në përfundim të Luftës dhe u ndihmuan nga disa faktorë. Mes faktorëve, që Prof.Meta radhit janë: • Vazhdimësia e politikës nacionaliste dhe shoviniste greke. • Politika britanike, e cila e preokupuar seriozisht për ruajtjen e pozitave të saj në Greqi, u mbështet në forcat ultranacionaliste greke. • Qëndrimi i forcave gjermane, të cilat duke ndjekur interesat e tyre, në çastet e fundit, bënë çarmatimin e popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe u krijuan mundësi forcave rezerviste të kryenin pa pengesë spastrimin etnik të saj. • Rrethanat e turbullta të përfundimit të luftës dhe dobësitë e forcave politike shqiptare, të cilat nuk arritën të bashkoheshin midis tyre dhe të përpunonin një platformë të përbashkët për mbrojtjen e interesave kombëtare. Prof. Dr. Beqir Meta, me të njëjtën logjikë historike, shpalos në këtë libër gjendjen e refugjatëve çamë në Shqipëri, qëndrimin e shtetit grek ndaj çështjes çame dhe Fuqive të Mëdha ndaj saj. Këto e bëjnë edhe më të plotë dhe më të prekshme tragjedinë çame, po t’í shtosh kësaj edhe faktet e dokumentet për heshtjen vrastare të shtetit komunist shqiptar për 45 vite me radhë. Grekët e lashtë, me kolosët e tyre si Homeri e më pas tragjedianët Eskili, Euripidi, Sofokliu, me veprat e tyre do t’í jepnin botës disa mesazhe universale, ku mbi të gjitha, është ai i vrasjes së ndërgjegjes për krimet e kryera në Trojë. Libri i Prof.Dr. Beqir Metës “Tragjedia çame” jo me gjuhën e letërsisë, por me atë të historisë së vërtetë, troket fort në ndërgjegjen e grekëve të sotëm, të historianëve, intelektualëve, klasës politike të këtij vendi fqinj. Janë ata, që ose e kanë shtrembëruar ose vazhdojnë edhe sot të fyejnë mijëra viktima të pafajshme, duke i përbaltur ata dhe popullsinë krenare të Çamërisë. Populli grek ka nevojë të mësojë këto të vërteta të hidhura. Libri i Prof.Dr.Beqir Metës duhet përkthyer në gjuhën greke, që populli grek dhe rinia e këtij vendi të mos vazhdojë të shohë e t’ú besojë “varreve bosh” apo alibive të propagandës së historianëve nacionalistë.Sepse, siç shkruan shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare : “ÇAMËRIA NUK ËSHTË NJË FANTAZMË QË NGRIHET PËR TË ERRËSUAR MIQËSINË MIDIS GREKËVE DHE SHQIPTARËVE, PËRKUNDRAZI, KUR POPUJT LEHTËSOJNË NDËRGJEGJEN E TYRE NGA PESHAT E VJETRA, ATA AFROHEN MË SHUMË DHE E DUAN MË SHUMË NJERI- TJETRIN”. Libri “Tragjedia çame” flet shumë e të ve në mendime. Kur Evropa e bota 10 vite më parë, pa në ekranet e TV masakrën e Raçakut në Kosovë, mbajti e mekur frymën nga përmasat e tragjedisë kosovare. Plaga çame është ende e hapur dhe tragjedia e saj ulëritëse. Prof.Dr.Beqir Meta me këtë libër e sjell Çamërinë me plagë dhe tragjike, por edhe me shpresën për të zgjidhur sa më shpejt të ardhmen e saj evropiane.Botimi edhe në gjuhën angleze i këtij libri, do ta bëjë më të njohur tragjedinë e Çamërisë për studjuesit e huaj dhe opinionin jashtë Shqipërisë.