
“Detyra e vërtetë e historisë është të paraqesë ngjarjet, së bashku me idetë, e t’i lerë vërejtjet përkatëse dhe përfundimet lirisë dhe së drejtës së gjykimit të secilit”- FRANCIS BACON (1560 – 1626), filozof, letrar e burrë Shteti anglez/
Shkruan: Eugjen Merlika/ DIELLI/
Ditët e fundit të nëndorit qenë dramatike, pjesërisht tragjike, për shqiptarët, në një betejë të pabarabartë me një tërmet të fuqishëm që shkaktoi viktima njerëzore e dëme të mëdha në banesat e qytetarëve. Në këtë atmosferë të trishtuar, një lajm i papritur tërhoqi vëmëndjen e jetës kulturore: prof. Agron Tufa, kryetar i Institutit për studimet e krimeve dhe të pasojave të komunizmit, dha dorëheqjen nga detyra e, së bashku me familjen, u largua nga Shqipëria për të kërkuar strehim politik në Zvicër. Kishte tridhjetë vite që nga akti i largimit të shkrimtarit më të njohur të gjysmë shekullit të fundit, Ismail Kadaresë, në prag të tjetërsimit të sistemit, që Shqipëria nuk ballafaqohej me një dukuri të tillë, e cila nuk duhej të përbënte ndonjë lajm, mbasi në këto vite qindra mijra nënshtetas të saj e kishin braktisur në kërkim të një mënyre të re jetese në Vende të tjera, afër e larg saj.
E veçanta e dukurisë Tufa ka të bëjë me motivin shtytës të veprimit që është kushtëzuar, jo nga ndonjë prirje e shkrimtarit për të kërkuar një jetë më të këndëshme në Zvicrën e ëndërruar prej dhjetëvjeçarësh nga bashkatdhetarët e tij, por nga një domosdoshmëri për të siguruar jetën e tij dhe të familjes nga trysnitë, kërcënimet e rreziku që i kanosej. “Për shkak të pranisë së madhe në institucionet qëndrore të shtetit të ish oficerëve operativë të sigurimit të shtetit, un pra kalova në një konfrontim të hapur publik i cili pastaj, për fat të keq, mori natyrën e përqëndruar të një kryqëzate sulmesh kundër meje personalisht, duke u shoqëruar me shpifje, shantazhe, kërcënime, deri tek kërcënimet me vdekje. Këto lloj formash të presionit e frikësimit mbërritën deri në një moment kur u dendësuan dhe un ndjeva një rrezik për jetën time dhe të familjes, deri sa u bë e papërballueshme dhe e padurueshme pasi kisha bërë më parë përpjekje për të gjetur drejtësi në institucionet ligj-zbatuese, në gjyqet që pata hapur ndaj këtyre personave me të kaluar tërësisht të përzishëm në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Këto qenë arsyet përse ika.”
Kjo është tablloja shpjeguese e arsyeve që shtynë një qytetar të elitës shqiptare të braktisë atdheun, e shpjeguar në një intervistë të marrë nga Zëri i Amerikës prej publiçistit e studjuesit të mirënjohur Ilir Ikonomi. Është një tabllo e errët që vazhdon të shërbejë si sfond i jetës shqiptare, në të cilën lëvizin si fantazma të patrazuara hijet e së shkuarës diktatoriale, njerëzit e pjesës më besnike të regjimit, ata të ish Sigurimit të Shtetit. Në këtë kontekst, kundërshtia e hapur ndërmjet drejtuesit të një institucioni kulturor dhe disa përfaqësuesve të jetës politike, bëhet e mprehtë e gjen shkas të shpërthejë në lëmin e ndërpretimit të historisë të së shkuarës, veçanërisht asaj të luftës së Dytë botërore. Çuditërisht kjo periudhë vazhdon të mbetet tabu e paprekëshme, llogorja e fundit ku ngujohen politika dhe studimi historik, e kyçur si një vazo Pandore e mbyllur hermetikisht me bindje të parafabrikuara e të përjetëshme.
Pak kohë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, u paraqit për miratim një projekt-ligj, i firmosur nga dhjetë deputetë të P.S., që synonte të kufizonte rrezen e studimit të Institutit për krimet e komunizmit në periudhën 1945 – 1991. Ky projekt-ligj është ende në pritje të miratimit dhe ideatori i tij, Spartak Braho, vërsulet kundër kryeministrit, duke u shprehur kështu: “Rama ka pesë muaj që ka bllokuar Kuvendin për ndryshimin e ligjit të Institutit që kam propozuar un e disa deputetë të tjerë që e ndalon Institutin e Tufës të merret me periudhën e luftës 39-44. Kulmi!””
Inkuizitori bashkëkohor Spartak Braho i jep të drejtë vetes të vendosë se çfarë duhet të studjojë e të nxjerrë në dritë një institut që është ngritur e mbahet nga Shteti, për t’i zbuluar opinionit publik shqiptar historinë e atyre viteve të luftës, të bazuar në dokumenta të vërtetë. “Në relacionin që e shoqëron projekt-ligjin, socialistët argumentojnë se Partia komuniste është krijuar më 8 nëndor 1941 dhe në programin e saj nuk ka pasur elementë diktatorialë, ndaj harku kohor i L.A.N.Ç.-it nuk mund të jetë pjesë e studimit të ISK, sepse instalimi i diktaturës u bë pasi komunistët morën në dorë qeverisjen e Vendit.”
Arsyetimi foshnjarak në mbrojtjen e kësaj teze fut ujë në të gjitha anët. Nuk mban parasysh se si u themelua Partia nga të dërguarit e Komitetit qëndror të P.K.J., cila qe organigrama e saj që la jashtë drejtimit komunistët më të vjetër, fillimin e veprimeve luftarake në vjeshtën e 1942, kur Shqipëria ishte pushtuar që në prill 1939, lidhjen e këtyre veprimeve me sulmin e Gjermanisë hitleriane mbi B.S., zëvendësimin e frymës së bashkëpunimit mes të gjitha forcave antifashiste të Pezës e të Mukjes me mbizotërimin dhe njëanshmërinë e partisë komuniste, të futur nën sqetullat jugosllave, mospërfilljen e theksuar kundrejt problemit kombëtar të bashkimit të trojeve më 1941, që arriti deri në dorëzimin e Kosovës Jugosllavisë nëpërmjet ndërhyrjes së brigadave partizane shqiptare, frymën e terrorit në luftën civile për të dalë si të vetmit fitues e pushtetarë etj. Simbas tezës së sipërpërmendur kjo maqinë lufte, e përkrahur edhe nga misionet angleze dhe amerikane që, deri atëherë, “shtronte çështjen e çlirimit të Vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri”, sa hap e mbyll sytë, më 30 nëndor 1944, “mori në dorë qeverisjen e Vendit duke vendosur detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundështarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i kushtetutës, reforma ekonomike”, duke shfaqur në gjithë veprimtarinë e saj katërcipërisht tiparet e një diktature, ndër më gjakataret e Lindjes evropiane. Vetëm një logjikë e mangët, në të gjithë përbërësit e saj, mund t’a ndajë me thikë një periudhë historike me të gjitha bëmat e saj e të vendosë veton mbi studimin e një pjese të saj.
Prandaj çdo sulm ndaj studjuesve që nuk njëjtësohen me njëanshmërinë e historiografisë zyrtare komuniste e paskomuniste, aq më tepër siç është rasti i detyrës zyrtare që kishte shkrimtari Tufa, është një shkelje flagrante dhe e papranueshme e fjalës së lirë dhe e së drejtës së shqiptarëve për të mësuar historinë e vërtetë të gjyshërve të tyre. Nuk ka periudha “të blinduara” në asnjë lloj historie. Prandaj dhe aktet më të fshehta të praktikave qeveritare, kudo në botën demokratike, kanë një kohë të përcaktuar, me mbarimin e së cilës arkivat hapen, duke u bërë objekt studimi për këdo që i kushtohet kërkimit shkencor në dobi të njohjes publike. Çdo orvajtje për të ecur kudër këtij parimi të rëndësishëm të fushës studimore është i prirur për të dështuar me turp, pavarësisht ligjeve të veçanta që diktaturat, kudo në botë, mund të miratojnë me qëllime të caktuara.. Shqiptarët që e kanë kaluar gjysmën e shekullit e mbajnë mënd mirë dekretin shtetëror komunist për “mbrojtjen e monumenteve” më 1990. Si duket të përmalluarit e tij duan t’a shtrijnë atë në studimet historike ende sot, mbas tre dhjetëvjeçarëve.
Por ajo që duhet të jetë krejtësisht e dënueshme, jo vetëm nga vetëdija demokratike e kombit tonë, por edhe nga vëmëndja e detyrueshme e organeve shtetërore ligj-zbatuese, është fakti i përdorimit të metodave mafioze të fshehta e të hapura për të denigruar e frikësuar profesor Tufën, me qëllim që ai të mos kryejë detyrën e tij qytetare e zyrtare, botimin e dokumentave të veprimtarisë terroriste të komunistëve, gjatë luftës, kur ata janë të vërteta. Në të kundërt secili studjues mund të paditet për mashtrim e t’i nënshtrohet ligjit, krejt ndryshe nga praktika gjysëmshekullore e tjetërsimit dhe shtrembërimit të historisë që ka qënë një kostante e njohur e kohës së regjimit. Dijnë diçka n’atë drejtim mjeshtrat e retushimeve të fotografive në kohë të ndryshme, për të mos folur për futjen e armëve tek kisha e Fretërve në Shkodër e dhjetra e qindra episodesh të sajuara për të përndjekur gjithë atë pjesë të popullsisë që quhej kundështare e regjimit.
N’atë hulli të trashëguar, sot Spartak Braho shprehet: “Unë i pari, por edhe të tjerë, mendoj se do të bëjnë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do t’a denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore.”. Madje një ish ministër, Osman Murati, në postimin e tij në facebook e shton dozën duke shkruajtur: “Nëse bajga Tufa do të proçedohej për krimin e akuzës që i u ka bërë heronjve dhe dëshmorëve të luftës Nacional – Çlirimtare dhe gjykata do t’a dënonte me vdekje, un do të propozoja që të bëhesha autori që t’i jepja plumbin kokës.”. Ish ministri mjeran që, gjatë viteve tetëdhjetë, zbuloi ujin e ngrohtë duke i këshilluar shqiptarët të pinin kafe elbi, ashtu sikurse kryetari i tij, Alia, për të ngrënë bar, mbase nuk e di se në Evropën demokratike dënimi me vdekje ka dhjetëvjeçarë që është hequr. Besoj se fjalët e tyre, ashtu si dhe të tjerëve që bashkëndajnë mendimin me ta, nuk do të kenë asnjë vazhdim në dëm të shkrimtarit dhe familjes së tij, veçse në fantazitë e tyre të sëmura nga urrejtja, por vetë prania e tyre në shtypin e shkruar ose on-line, aq më keq në sallat e institucioneve, përfaqëson reliket e dëmshme të një mendësie të vjetër, të ushqyer me gjakun e vuajtjet e dhjetra mijra viktimave të pafajshme të sistemit të tyre.
Largimi i Agron Tufës, të cilit si bashkatdhetar i uroj mbarësi në jetën e re, është një ngjarje e trishtuar që errëson përfytyresën e Shqipërisë, që nuk mund e nuk duhet të jetë ajo e “despotizmave të rinj”, por e një Vendi me standarte të larta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të parimeve liberale të qytetërimit perëndimor. Heshtja e institucioneve, madje dhe e ambasadave të Vendeve perëndimore është një dukuri tejet shqetësuese, mbasi le përshtypjen se shkaqet që shkaktuan atë largim duhen quajtur rutinë e zakonshme e mund të kenë të drejtë qytetarie në këtë Shqipëri.
Dhjetor 2019