• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËRCËNIMET KINEZE TAIVANIT DHE EVROPA E PANDJESHME

October 31, 2021 by s p

Nga PAOLO MIELI/


Kujdes Evropë: Kina është pranë. Edhe më pranë se ishulli i Taivanit, sovraniteti i të cilit, shkoqur, është vënë në diskutim nga regjimi I Xi Jinping-ut. Nga fundi I gushtit, nga dita e nesërme e largimit të ushtarit të fundit amerikan nga Kabuli, Kina ka bërë të qartë se synon t’i ribashkojë “mëmëdheut” atë rrip toke që në shekullin e gjashtëmbëdhjetë portugezët e emëruan Formoza. Aty, n’atë ishull, u strehua kryetari I Gomindanit, Çang Kai – shi kur, më 1949, u mund dhe në Pekin ngadhënjeu “revolucioni komunist” i Maos. Atëherë Shtetet e Bashkuara nuk I munguan solidaritetin e tyre Çangut: Taivani (me pak milionë banorët e tij) u njoh nga diplomacitë perëndimore si përfaqësues i ligjshëm i një milliard kinezëve dhe zuri karrigen e Kinës në Kombet e Bashkuara deri më 1971. Regjimi i Çang Kai – shi-së në ishullin e vogël qe despotik, edhe se më pak se ai maoist dhe një nga meritat e presidentit amerikan Richard Nixon qe ai që hapi (me ndihmën e Henry Kissingerit) rrugën në fund të së cilës ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kinë do të linte Taipein për t’u shpërngulur në Pekin, e ndjekur (në ndonjë rast e paraprirë për pak) nga përfaqësitë diplomatike të gjithë Vëndeve të tjerë miq të Washingtonit. Çangu vdiq më 1975, një vit më parë se Mao. Biri i tij, Çang Çin-kuo “mbretëroi” edhe ai deri në vdekjen të ndodhur më 1988. Pastaj Republika e Taivanit u bë vërtetë e tillë, Kina vazhdoi të kërkojë zotërimin por deri pak kohë më parë ishte dukur se kënaqej me një bashkekzistencë paqësore. Qe Xi Jinping, i elektrizuar nga lehtësia me të cilën mbarë bota i lejoi të përkulte Hong Kongun, t’a ringrinte çështjen. Me rastin e njëqindvjetorit të themelimit (më 1921) të Partisë komuniste, i së cilës është sekretar, Xi Jinping-u ka ritheksuar se brënda ditës në të cilën do të bjerë qindvjetori i dytë (ai i lindjes, më 49, të Republikës popullore kineze) Taivani do t’i kthehet Kinës. Mbas tërheqjes së Biden-it nga Afganistani, Xi pastaj la të kuptohet se don t’i shpejtojë kohët: më 1 tetor 2049, kur të jetë përvjetori i marrjes së pushtetit komunist në Pekin bashkëngjitja e Taivanit duhet të jetë kryer e gjërësisht e tretur.Në javët e fundit dhjetra aeroplanë kinezë (jo më pak se 150) kanë filluar të shkelin hapësirën ajrore taivaneze. Për më tepër Kina është bërë kërcënuese në të gjithë tokat e vëna në diskutim në kufijtë e saj. Protestave të Hindisë i është përgjigjur në rrugë informale (një artikull në gazetën zyrtare të regjimit Global Times) duke pohuar se kundërveprimet e Nju Delhit nuk ishin “në një vijë me fuqinë e tij”. Mbrapa Xi jinping-u ka braktisur të gjithë kuvendet ndërkombëtare, përfshirë edhe takimet e nivelit të lartë në rrugë telematike: për shembull G20 mbi Afganistanin të thirrur nga Mario Draghi. Timonieri i ri kinez nuk do të shkojë as në javën e ardhëshme, në takimin e Glasgow-t, në Cop26, për klimën. Biden-i ka reaguar publikisht duke kujtuar katër herë, e fundit mbrëmë me tone gjithënjë e më të forta se Shtetet e Bashkuara janë zotuar për të mbrojtur autonominë e Taivanit, edhe me një ndërhyrje t’armatosur.Në këtë pikë Xi Jinping-u ka hedhur në lojë asin e tij: një film. Një film? Më shumë: një kolossal. Në sallat e Pekinit ka dalë (duke fituar dhe një sukses të mirë të publikut) “Beteja e liqenit Changjing” në të cilin risillet një episod i luftës së Koresë (1950 – 1953). Qe një përplasje e armatosur që zgjati gjashtëmbëdhjetë ditë, ndërmjet 27 nëndorit dhe 13 dhjetorit 1950. I vetmi në të cilin hynë në betejë të drejtpërdrejtë ushtarakët kinezë, të drejtuar nga gjenerali Song Shi-lun, që mbështesnin Korenë e Veriut dhe amerikanët që luftonin nën simbolet e OKB. Të parët, njëqindenjëzet mijë, fituan mbi një kontigjent prej tridhjetë mijë burrave. Kronikat perëndimore regjistruan atë ndeshje si “beteja e pellgut të Chosinit”, duke vënë në dukje se amerikanët edhe se të mundur, arritën t’a thyenin rrethimin e Song Shi-lu-nit duke i u shkaktuar kinezëve shumë më tepër të vdekur se sa ata të perëndimorëve. Në të gjitha rastet mesazhi i filmit qe i qartë: “Nëse ju amerkanë do të vendosni të ndihmoni me armë ishullin e Taivanit, do të përfundoni ashtu si shtatëdhjetenjë vite më parë n’ata brigje liqenore”.Por përtej propagandës dhe diskutimeve historiografike mbi luftën e Koresë, ajo që ka rëndësi është se në rajon shënohet një rritje agresiviteti, ndaj të cilit Evropa vështron e shkujdesur, sikur të bëhej fjalë për gjë gjë të largët. Do të vijë pastaj edhe dita kur, siç ndodhi për Afganistanin, Vëndet evropiane do të ankohen sepse nuk janë njoftuar, në mënyrë të përshtatëshme, mbi atë që po ndodhte ndërmjet detit lindor kinez dhe atij jugorit. Mbas befasisë do të hyjnë në garë në sportin e tyre të parapëlqyer, atë të të kandiduarit të kryeqyteteve të tyre për të shtruar “tryezën e paqes”.Këtë herë bëhet fjalë për mendime shumë dinake dhe jashtzakonisht pohenike. Gjithshka që është për t’u ditur mbi krizën e Taivanit, është para syve të të gjithëve, mjafton t’a shohësh. Nëse ka një kohë për të bërë diçka të dobishme për të shpëtuar paqen (së bashku me të drejtën e taivanezëve për të jetuar në liri), mirë, ky çast është tani.
“Corriere della Sera”, 28 tetor 2021 Perktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

SHBA – KINA: TAIVANI DHE RREZIQET E PASHIKUARA

October 30, 2021 by s p

Nga GIUSEPPE SARCINA/


Dalja e prerë e Joe Biden-it mbi Taivanin ka shkaktuar kundërveprimin e ashpër të Pekinit, por ka befasuar edhe politikën amerikane dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të enjten në mbrëmje presidenti mori pjesë në një takim me publikun, t’organizuar nga CNN në Baltimorë. Tema kryesore ishte veprimi ekonomik, në vështirësi në Kongres. Por mjaftoi pyetja e një studenti të Connecticut për të urdhëruar titujt e hapjeve të mediave amerikane. “President, çfarë do të bënit nëse Kina do të sulmonte Taivanin? A do të urdhëronit një veprim ushtarak?” Biden-i u përgjigj dy herë “po”, duke shpieguar: “Kemi marrë një zotim të shenjtë për të mbrojtur Taivanin”. Vjen e natyrshme pyetja nëse udhëheqësi amerikan e bëri këtë deklaratë qëllimisht apo, thjesht, qe një gabim, një rrëshqitje komunikimi. Anojmë më shumë në këtë hamëndjen e fundit, edhe sepse pikërisht dje më parë Shtëpia e Bardhë e më pas Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u nxituan t’i hiqnin nervin fjalëve të Biden-it: “Qëndrimi i ynë mbi Taivanin nuk është ndryshuar. Jemi për status quo”. Pastaj është brendia. Kjo Administratë e ka bërë marrëdhënien me Kinën një element përcaktues jo vetëm për politikën e jashtëme, por edhe për përcaktimin e vetë identitetit politik të brëndshëm, të vetë “misionit historik”. Amerika duhet të zbatojë reforma rrënjësore për të mbajtur hapin me kundërshtarin e madh aziatik. Në këtë kuadër futet “dosieri Taivan”, për dhjetëvjeçarë një vullkan i shuar në barazpeshat botërore: kushti ideal për të gjithë presidentët amerikanë, përfshirë edhe këtë të sotmin. Por Biden-i duhet të bëjë llogaritë me synimet e planet e Xi Jinping-ut. Presidenti kinez është i vendosur t’a risjellë Ishullin rebel nën zotërimin e Pekinit. Washingtoni është në siklet e ky siklet dalngadalë po shndërrohet në vështirësi politike. Në këto nëntë muaj Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit janë orvatur të bindin presidentin kinez për të hapur një bisedim të përgjithshëm, për të vërtetuar, qoftë edhe nëpërmjet mënjanimit të argumentave, se mbi çfarë temash mund të ketë një marrëveshje. Lista është e gjatë: ndryshimet klimatike, pandemia, cyber security, terrorizmi ndërkombëtar. Por shenjat janë kundërthënëse. Nga një anë (15 shtator) amerikanët lajmërojnë një marrëveshje edhe ushtarake me Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar (Aukus). Nga ana tjetër (22 shtator) Biden-i shfaqet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara e deklaron solemnisht se ”nuk don një luftë të ftohtë me Pekinin”. Në ditët e para të tetorit Xi Jinping-u dërgon 156 aeroplanë gjuajtës për të mbikqyrur hapësirën ajrore ngjitur me Taivanin. Dhe ja pardje, me daljen e Biden-it dhe fjalën në Kongres të Nicolas Burns-it, i emëruar ambasador në Pekin. Burns-i tha se duhet t’i jepet “mbulesë bërthamore Taivanit”, duke shtuar se Kina “është rreziku numër një” për Amerikën. Problemi i vërtetë është se qëndrimi tradicional i Shteteve të Bashkuara mbi dosierin Taivan – Kinë mbështetet mbi baza historike tashmë të tejkaluara. SHBA kanë njohur Republikën popullore kineze më 1979. Në të njëjtin vit lindi “doktrina e dykuptimësisë strategjike”, e ngulitur në një ligj që parashikon, veç të tjerave, furnizimet me armë e mbrojtjen e Ishullit. Strategjia e Xi jinping-ut ve në krizë këtë skemë, sepse, së fundi detyron Washingtonin të zgjedhë ndërmjet mbrojtjes së Taivanit dhe luftës pak a shumë “të ftohtë” me Kinën. Në Baltimorë presidenti amerikan qe i “prerë”. Por ekonomia, politika dhe udhëheqja ushtarake nuk janë të thukët. Taipei është sigurisht themelor për sistemin prodhues. Me koreanët e Samsungut është furnizuesi kryesor i gjysëmpërçuesve, thelbësorë për zbatimet elektronike të përdorura nga industritë kryesore të kompiuterëve e të automobilëve. Veç asaj Taivani është tregu i dhjetë për eksportimet e SHBA. Megjithatë është e pamendueshme për ndërmarrjet amerikane të heqin dorë nga gjithshka përfaqëson Kina, në terma tregu dhe shpërnguljeje të prodhimit. Lobet industrialë, pra mbrojnë gjëndjen e tanishme e sigurisht nuk kanë çmuar përgjigjen e Biden-it. Shumë të matur edhe gjeneralët e Pentagonit, qoftë duke ruajtur gadishmërinë në bazat e zonës, në Okinava e në Guam. Një shtysë e ndryshme vjen nga Kongresi, ku po rritet rryma që kërkon të thyejë dykuptimësinë, duke përfunduar një traktat të vërtetë ekonomik me Taivanin, duke përforcuar edhe praninë ushtarake. Gjithshka e përmbajtur në një projekt-ligj të paraqitur në 25 mars 2021 nga senatori republikan Marco Rubio, i vështruar me interes nga disa demokratë, si senatori Ed Markey. Ky rrjeshtim mëton të përfaqësojë shumicën e opinionit publik dhe përmend në vzhdimësi hulumtimin e kryer në gusht nga Chicago Council on Global Affairs që, për të parën herë, shënon se shumica e amerikanëve (52 %) është në dobi të një veprimi t’armatosur për të mbrojtur Taivanin. Por pëvoja na mëson të mos u besojmë zbulimeve të përcjella në të ftohtë. Humoret, kundërveprimet mund të ndryshojnë me shpejtësi kur lufta bëhet e vërtetë.
“Corriere della Sera”, 22 tetor 2021 Perktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

MOS I FLISNI PUTINIT PËR PASARDHJEN

October 28, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI/

Në një intervistë të kohëve të fundit Vladimir Putin u pyet se kush do të mund t’a pasonte e kur. Kreu I Kremlinit është përgjigjur prerë: “Kush flet për pasardhje rrënon Rusinë”. Fjalë që tregojnë një vetë-kult të personalitetit, të pa fshehur nga mënyrat e nga gjysmë-demokracia e mëtuar ruse. Sigurisht, në kohët e Stalinit e njëjta pyetje do t’I kishte kushtuar jetën pyetësit, por vija e kuqe e shënuar nga Putini, nëse nuk habit shumë në Moskën e sotme, vë para Perëndimit disa pyetje jo të pakta: ata që do të dëshironin të liroheshin nga Putini sa më parë çfarë urojnë për më tutje? 

A jemi të sigurtë se një Rusi pa Putinin do të ishte më pak agresive, më miqësore dhe kuvenduese, që Moska do të rimerrte atë rrugëtim drejt liberal-demokracisë që ideologët amerikanë besuan se kishin dalluar në kohët e Medvedevit? Dyshimet nuk janë vetëm perëndimore e për çdo llogari cari i ri i ka shpatullat të mbuluara. 

Në Presidencialet e vitit 2024 kandidatura e e tij nuk është ende zyrtare por është e sigurtë. Për mbrapa është miratuar një ligj që e lejon të qëndrojë në Kremlin deri më 2036, nëse e dëshiron. Dhe ai sigurisht e dëshiron, së paku deri sa miratimet zgjedhore do të jenë rreth 60 % si janë sot. Në një Vend që ka arsenalin e dytë bërthamor të botës, që ka të drejtën e vetos në OKB, që din se është përcaktues në terma gjeopolitikë, errësira përtej gardhit e vizatuar nga Putini nuk duket siguruese. Veçanërisht për atë që di se në Rusi zgjedhjet përgatiten me shtypjen e kundërshtimit e të mediave e që kombëtarizmi kundër- perëndimor ekziston gjithmonë.

Atëherë mbi kë mund të shpresojmë, çfarë do të pritet në rastin se nuk do t’arrihet në 2036? Ministri i Jashtëm Lavrov është shumë i vlerësuar. Por protagonisti i mundshëm i një mbas Putini të papritur do të ishte me gjasë Sergej Shoigu, sot ministër i Mbrojtjes. Sikur të kishte arsye Putini me atë përgjigje të panjerëzishme?

“Corriere della Sera”, 17 tetor 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

ME VOTIMET NË QYTETET U HAP NJË FAZË E NDRYSHME

October 25, 2021 by s p

Nga MASSIMO FRANCO/

Fitorja e qëndrës së majtë, veçanërisht e PD, është e pastër: në Romë e Torino, mbas Milanos, Napolit e Bolonjës të fituara në rradhën e parë. Po ashtu e tillë është edhe humbja e qëndrës së djathtë, që mban vetëm Triesten e fiton në Kalabri; dhe në brendësi të saj e përbërëses populiste si të Legës si të Vëllezërve t’Italisë. Por në gjithë brendësinë e sistemit politik zgjatet hija e një mosvotimi që sjell elemente paqartësie dhe alarmi për përfundimet. Dhe shtrin një vello të rëndë pasigurie mbi qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të aleancave dhe të ekipeve drejtues. Në fakt, mbas votës së djeshme hapet, nuk mbyllet një fazë e re. Do të fillojnë të shihen përvijimet duke filluar nga zgjedhja e presidentit të Republikës, në shkurt 2022. N’atë çast do të formësohen të tjera aleanca. Do të kuptohet nëse kryeministri Mario Draghi do të mundet të verë në siguri ndihmat evropiane, pa qënë i frenuar, o akoma më keq i bojkotuar nga hakmarrje apo shkurtore zgjedhore. Enriko Letta, sekretari i PD thotë se opinioni publik është më përpara se partitë. Ka kryer në kutitë e votimit një saldim që grindshmëria e së majtës dhe protagonizmi i kryebashkiakeve nuk ka arritur t’a prodhojë. Por pasojë e domosdoshme e këtij pohimi është nevoja për të përimtuar në thellësi arsyen se përse më shumë se gjysma, në disa raste madje dy votues në tre, kanë mbetur në shtëpi. Letta ka shtuar se suksesi i djeshëm i kushtohet bashkësisë së rrjeshtimit të tij. Ndoshta. Megjithatë, më shumë se e bashkuar qëndra e majtë është treguar e njësishme: meritë e padyshimtë, për t’u vërtetuar me kohë. Në mënyrë paradoksale, është ajo që nuk ka treguar qëndra e djathtë. Është paraqitur e bashkuar por jo e njësishme; madje, në mënyrë të maskuar grindavece dhe e ndarë. Kundërshtia për të drejtuar ndërmjet legistit Matteo Salvini e Xhorxhia Melonit të Vt’I, së fundi i ka dëmtuar që të dy; e është pasqyruar tek kandidatët, të mirë apo më pak të mirë që ishin: me Silvio Berluskonin në rolin e vëzhguesit të dyshimtë. Qarja për këtë dukuri për të përligjur humbjen bie erë vetëshkarkimi dhe alibie. Është përgjegjësi e partive që i kanë thirrur, fakti që nuk kanë arritur t’i sjellin votuesit në kutitë e votimeve. Prandaj, që sot hapet një çështje që ka të bëjë me çdo forcë politike. Por një gjë është të riorganizohen aleancat mbi bazën e miratimit fitues, e tjetër është të rifillosh ecjen nga një humbje që djeg më shumë nga mëtimi i të qënurit shumicë në Vend. Për PD në fakt çështja është si të gjejë edhe me aleatët atë “fushë të gjërë” të thirrur si një synim por ende për t’u sendërtuar; e lrijuar nga zgjedhësit por e katandisur në një karikaturë nga kujtesa e ndarjes së rencianëve dhe nga mekja e boshtit me L5Y të Xhuzeppe Contes. Megjithatë, përceptimi është se ndershmëria kundrejt qeverisë Draghi dhe evropeizmi e bëjnë partinë e Lettës një qëndër tërheqjeje edhe për aleatët: edhe se herë herë mbytëse. Kështu një grilizëm tashmë mbeturinor, mund të paraqesë, në sajë të afërsisë me PD, ndonjë kromozom evropeist. Ndërsa qëndra e djathtë ndodhet në një gjëndje të kundërt e më të ndërlikuar, pjesërisht e varur nga fakti që Lega e FI janë në qeveri, Vt’I në opozitë. Shumë nga vështirësia e Salvinit për të bërë një zgjedhje të qartë ndërmjet përkatësisë në koalicionin e Draghit dhe joshjes së skajshmërisë së Melonit. Por ende më shumë, hipoteka johenike përfaqësohet nga pa-aftësia për të kryer një rishikim të vendosjes së tyre evropiane. Qerrja e luftës dhe Vt’I mbeten të rrënjosur në një arqipelag populist, sa të ndryshëm aq dhe agresiv, të paracaktuar për veçim. Evroskeptiçizmi i zhurmshëm dhe i herëmbashershëm i tyre dobëson pozitat pro-BE të Berliskonit. Aq sa vjen vetvetiu pyetja nëse mungesa e kthesës evropiane varet nga një e metë vullneti, apo nga pamundësia e Salvinit e Melonit për të këmbyer lëkurën, vlerat dhe njëmendësinë. Mbetja e llogarisë është megjithatë negative. Luhatja ndërmjet qeverisë e opozitës, mosbesimet, kandidaturat e vona e të kompromiseve kanë bërë që e djathta të mbante në votimet e dyta zgjedhësit e herës së parë, pa mundur të kalojë rrethimin kulturor e të përqindjeve që e dënojnë me humbje. Më shumë se një koleksion gabimesh qemë të pranishëm në një rast vigan të hedhur poshtë. Qytete si Roma, Torino, Napoli ishin më shumë se të mundshëm për t’u fituar: deri n’atë pikë sa pesë vite më parë në dy prej tyre kishte fituar Lëvizja Pesë Yje. E thëna më e përhapur është se zgjedhjet politike pothuaj kurrë nuk shkelin mbi gjurmët e atyre vendore. Është e vështirë të mohohet. Megjithatë, në një stinë ndryshimesh të mëdha, qëndra e djathtë duket se zbulohet më pak e pajisur se sa e majta për të kuptuar se çfarë po ndodh. Nuk mjafton të vetëquhesh, madje edhe të jesh shumicë politike në Itali, nëse mbrapa nuk je në gjëndje të tregosh kah përgjegjësie e aftësi qeverisëse. Rreziku trasversal që spikat në sfond është kthimi i mosvotimit në zemërim; e të gënjyerit se mund të kalërohet në dobinë tënde. “Corriere della Sera”, 18 tetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

SHQETËSIMET E SHUMTA DHE RAKETAT E PAQES TË KIM JONG-UN-it

October 23, 2021 by s p

Nga GUIDO SANTEVECCHI

Ka shumë shqetësime Kim Jong-uni dhe kërkon t’I shkarkojë mbi vartësit e tij dhe mbi botën. Të djelën Marshalli ka thënë se Koreja e Veriut është përpara një “krize të paparë, gjëndja është e errët” dhe i urdhëroi vartësit e tij “të përmirësojnë kushtet e jetës së popullsisë”. Kimi rrjeshtoi probleme të ushqimit, të veshmbathjes e të banesave, duke i veshur përgjegjësinë burokracisë. Loja e vjetër e njohur e udhëheqësit më të lartë, që ka ndryshuar cerimonialin e forcës për përvjetorin e 76 të Partisë së Punonjësve: në vend të paradës në Phenian ka përuruar një ekspozitë të mbyllur të arsenalit luftarak. Janë vënë në dukje raketa të reja me shpejtësi më të madhe se zëri dhe për nënëdetëset.

Kim ka paditur “armiqësi” dhe “hipokrizi” nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe ka përsëritur se arsenali, nga i cili nuk do të shkëputet kurrë, shërben për “vetmbrojtje e paqë”.  Përfundimi: “jemi duke ndërtuar një fuqi ushtarake të pathyeshme” (çmimin e paguajnë koreano-veriorët e uritur).

Shqetësimi i dytë, për çastin, është që as këto shfaqje të fuqisë shkatërrimtare duket se nuk i interesojnë Washingtonit, të përqëndruar mbi përballimin me Kinën. Nuk kanë shërbyer për të tërhequr një vëmëndje të veçantë as hedhjet e shtatorit: një raketë e lëshuar nga një tren, një kruiz me rreze të gjatë dhe një predhë hipersonike (që fluturon me 6.200 km. në orë e që e kishin prodhuar vetëm amerikanët, rusët e kinezët). Mbas Trump-it dhe tre takimeve me Kimin, Shtëpia e Bardhë u kthye në “durimin strategjik” të hershëm, të përbërë nga veçimi ekonomik dhe politik, që nga Klintoni, Bushi dhe Obama, nuk kanë ndaluar përparimin e maqinës luftarake koreano veriore. Në plan është edhe një nëndetëse bërthamore dhe një raketë ndërkontinentale shumë predhëshe. Shpejt a vonë, problemet e shumta të Kimit do të dalin përsëri nën formë kërcënimi të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara dhe durimi strategjik duhet t’i lëshojë vendin një vije më krijuese.

“Corriere della Sera”, 12 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT