• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË TREGUN E URISË: HUMNERA E KABULIT

October 12, 2021 by s p

Nga LORENZO CREMONESI

Televizorë, komplete piatash, gotash, lugësh, pirunjsh e thikash, orendi të çdo lloji, kostume, male qilimash, stufa elektrike, freskuese, ngrohëse, biçikleta, motoçikleta, deri edhe djepe: afganët shesin nën çmim gjërat e tyre për të kërkuar të mbijetojnë. Duhet të vihet në tregjet qytetare për të kuptuar të keqen e shëmbjes ekonomike. Ai i Jadei Maiwan, në qendër të kryeqytetit, ka pushtuar rrugët, shitësit janë më të shumtë se blerësit. “Oferta e kalon kërkesën. Pashmangmërisht çmimet janë në rënie të lirë. Kush ka të holla mund të bëjë allishverishe t’arta. Mund të blesh çdo gjë me njëzet përqind më pak se çmimi në kohë të zakonëshme” thotë Zoaker Brahimi, një tregëtar 28 vjeç, që po blen nga një familje fqinjë kulltuqet dhe tavolinat e sallës me një vlerë prej 40.000 afganësh për rreth 5.000. “Kemi nevojë për të holla për të ngrënë. Nuk ka alternativë, veçse të shesim nën çmim” shpjegojnë ata. Zona është e mbuluar me komplete sallonesh. Por ka edhe shtretër prej druri të çmuar, komo, dollapë. “Prej dy muajsh jam pa rrogë. Jam martuar ka pak, për fat nuk kam fëmijë. Por duhet të mbaj edhe prindërit e moshuar. Shes atë që mundem me shpresë të mundem të iki sapo të më jepet mundësia”, tregon Nader Khan, një tridhjetëvjeçar i sapo diplomuar në mjekësi. Hedh në tokë një qilim të mbështjellë: vlera 16.000 afganë, por nuk nxjerr më shumë se 2.000. Asgjë nëse mendohet se, për të ngënë mirë në restorantet e qëndrës, duhen së paku 1.000 afganë për njeri.

Në tregun e vogël të Wazir Akhbabar Khan, një nga lagjet më të kamura, arsyetohet me dollarë, mallrat janë më të çmuara. Ka mobilje luksoze, kostume të çmuara: por muzika nuk ndryshon. “E kishin vlerësuar televizorin tim të ri për 350 dollarë, kam marrë 60. Shpresonja të nxirrnja së paku 280 për frigoriferin amerikan, m’u desh të kënaqem me 80”, thotë 32 vjeçari Sultan Ahmad. Xhaxhai i tij ka punuar për bazat ushtarake amerikane, ka vizën e hyrjes për në SHBA. Sultani don të niset me të. Janë të gjitha pamje të të njëjtit problem. Shet kush ka mbetur pa punë, ka llogarinë rrjedhëse në bankë të bllokuar e i duhen të holla. Krahas atyre shesin të gjithë ata që shpresojnë të nisen. Mbas një muaji e gjysmë të fitores ushtarake talebane, Afganistani jeton një nga krizat më të rënda të historisë së tij. Ekonomia është e paralizuar. Bankat nuk japin më shumë se 200 dollarë në javë për kreditorët e tyre. Pothuajse asnjë nuk paguan rrogat. Më shumë se 9 miliard dollarët e rezervave të Shtetit janë ngrirë në bankat amerikane, që detyrojnë embargon. Kombet e Bashkuara flasin për dramë të sapo filluar. Talebanët luten të mos mbyllen kanalet humanitare, i kërkojnë OKB-së të ndigjohen, ndërsa ndihma ekonomike është karta e vetme që bashkësia ndërkombëtare mund të përdorë për të shtrënguar në urtësi qeverinë e re të Kabulit. Ndërkaq World Food Program lajmëron se janë 14 milion njerëz (pothuaj gjysma e popullsisë) në “krizë ushqimore” dhe 2 milionë në rrezik jete. Të ikurit e brëndshëm janë rreth 600.000 mijë.

“Ju mediat perëndimore shqetësoheni për gratë, por duhet të dini se këtu për qytetarin e mesëm drama më e madhe është mbijetesa e përditëshme”, shpjegon një reporter vendor i Reuters. Por në vitet e fundit shumë punonjëse kishin mbetur mbështetja e vetme e familjes dhe tani urdhëri për të qëndruar në shtëpi shton problemin e varfërisë. “Çdo marrëveshje ndërkombëtare është e paralizuar që nga 15 gushti. Edhe institutet më të shëndosha të kreditit janë në rrezik falimentimi. Ne dhe 700.000 klientët tanë nuk dijmë se çfarë të bëjmë. Talebanët nuk japin asnjë njoftim”, dëshpërohet Ahmed Shah Siddiqi i Afghanistan International Bank.

E gjithë shtresa e mesme e lartë rrezikon të fshihet. Shitësit e Hares Plaza, pallati i “computer technology”, nuk shohin një klient nga gjysma e gushtit. Shumë duan të mërgojnë menjëherë. “Jetojmë në pasigurinë e përgjithëshme”, thotë tridhjetëvjeçari Aharon Raufi, pronar i Kabul Shop, që prej pesë vitesh shet kostume të prerjes perëndimore të importuar nga Turqia. “Për talebanët un jam një armik. Nuk do të më vrasin. Thjesht nuk do të më lejojnë më të shes mallin që kam në magazina. Pra do të shkoj në falimentim”.

“Corriere della Sera”, 1 tetor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

POR EVROPA NUK ËSHTË ZVICRA

October 11, 2021 by s p

Nga: ANGELO PANEBIANCO

“Corriere della Sera”, 4 tetor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika

Përfytyresa është e përsosur: një elefant që e beson veten të vogël dhe fshihet mbas një peme për t’i shpëtuar  një gjuetari. Është Evropa e sotme. Me këtë përfytyresë , mbyllet, në këtë të përditëshme (29 shtator) përimtimi i ndritur që Federico Fubini i ka kushtuar iluzionit evropian: iluzionit t’Evropës që të mund të kthehet në një lloj Zvicre e cila, duke shfaqur pa-anësi përballë kundërshtimeve që përshkojnë botën, mund të qëndrojë jashtë, e paprekur dhe e lumtur. Me që Gjermania është shtylla e vërtetë e Evropës, asgjë më shumë se fushata zgjedhore gjermane e sapo mbyllur, mund të shërbejë për të sqaruar cila është, përtej retorikës zyrtare, gjëndja shpirtërore e opinionit publik evropian. Tragjedia e Kabulit këtë verë, ka dhënë për një çast përshtypjen se evropianët do të kishin kupuar se çfarë po ndodh, ose që bota e lindur mbas luftës së Dytë botërore – e së bashku me të edhe strofkulla e qenit e rehatëshme në të cilën kemi jetuar për më shumë se shtatëdhjetë vite – është duke u kalbur. Që këtu shumë bisedat mbi mbrojtjen evropiane, mbi nevojën e një “autonomie strategjike” (nga amerikanët) e tjera. Kanë kaluar vetëm pak javë dhe Kabuli e mësimet e tij të hamendësuara duken pothuajse të arkivuara. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E kanë treguar shumë mirë përmbajtjet e fushatës zgjedhore gjermane, madje dhe deklaratat e fituesve dhe humbësve kur mbaruan zgjedhjet. Ashtu sikurse edhe fakti që n’Itali e në pjesën tjetër të Evropës klima politike u kthye me shpejtësi ajo e përherëshmja.

Në demokraci politikanët janë rimorchio e opinionit publik (kush guxon të thotë vërtetë gjëra jo popullore?) dhe opinioni publik evropian i këtyre kohëve duket se arsyeton kështu: ç’na duhet neve shemëria e fuqive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës? Ose për prirjen historike të Rusisë për të shkarkuar jashtë tensionet e brëndëshme dhe mungesën e popullaritetit t’atij që drejton në Kremlin, nëpërmjet politikave imperialiste dhe sulmeve t’armatosura? Ose për faktin që në zonën e Mesdheut fuqitë që zotërojnë janë tashmë ajo ruse dhe ajo turke? Ose për faktin që kinezët me mjete ekonomikë dhe rusët me armë bëhen gjithënjë e më ndikues n’Afrikë? Apo për faktin që skajshmëria islamike, mbas Kabulit, kthehet të kërcënojë të gjithë, përfshirë edhe neve? Ne jemi paqësorë e paqtues. Përse kjo duhet të na ndalojë që të përfshihemi në çdo gjë të keqe që ndodh në botë? Detyra jonë është të kemi marrëdhëniet më të mira me këdo që është i rëndësishëm, veçse të kujtohemi ndonjë herë edhe për “të drejtat njerëzore” (por jo kur bisedojmë çdo ditë me kinezët e rusët, nuk do t’ishte edukatë).

Për të treguar paqëndrueshmërinë e pozitës evropiane mjaftojnë tre vërejtje. Të kujtojmë, para së gjithash, diçka mbi Zvicrën. Është e vogël kurse Evropa nuk është e tillë. Jo vetëm ka qënë ndër shekuj e mbrojtur nga struktura e relievit të saj, ndërsa Evropa nuk është. Ka qënë për po aq shekuj nga fakti se njerëzit e lirë të Kantoneve të saj ishin të gatshëm t’i paguanin tribute të rënda gjaku kujtdo ushtrie që me shumë vështirësi do të kishte depërtuar mes maleve e luginave të tyre.

Vërejtja e dytë ka të bëjë me temat pak a shumë të reja që duken sot në rendet e ditës së Vëndeve evropiane: revolucioni i gjelbër, ai digjital, transformimet e punës të shtyra nga zbatimi i zgjuarsisë artificiale, etj. Kujtdo që beson se këto caqe janë të mbrojtura nga shemëria ndërmjet fuqive shpejt do t’i duhet të ndërrojë mendim. Do të ketë fitimtarë e të mundur, do të jetë ndonjëri që do të fitojë në pushtet politik dhe pasuri e dikush tjetër që do të humbasë. Edhe ashpër. Nëse është e vërtetë se mënyrat e vjetra nuk perëndojnë kurrë , nuk do të ketë vetëm luftëra, pushtime ushtarake dhe sulme terroriste. Mund të bëhemi edhe në mënyra të tjera mvartës, të gjindemi nën urdhërat e ndonjë tjetri (makar të një fuqie autoritare) që kontrollon teknologjitë tjelbësore e që është i gatshëm t’i bëjë lëshime atyre më të shtruarve, më të dëgjueshmëve.

Konsiderata e fundit ka të bëjë me natyrën e fuqive që hahen për kontrollin e botës. Edhe se hartuesit Manifestit të Ventotenes gabuan duke përfytyruar Shtetet kombëtare në fundin e tyre, ata e kuptuan se fatet e botës do të ktheheshin përsëri në duart e perandorive të mëdha, siç kanë qënë në mijëvjeçarë. Lufta e ftohtë, ose shemëria ndërmjet një “fuqie detare”, një republike imperiale (Shtetet e Bashkuara) dhe një perandorie kontinentale (Bashkimi sovjetik) – mbas një ndërprerjeje të shkurtër – i le sot vëndin luftërave të fuqive ndërmjet një shumësie perandorish. Me që ra fjala, edhe disa fuqi mesatare me dëshira zotëruese në rrethin rajonal, si Turqia dhe Irani, kanë një të shkuar traditash perandorake.

Është zakon në demokracitë të hedhin kryqin mbi politikanët, mbi pa-aftësitë e tyre. Nëse siguria evropiane është e kërcënuar duke humbur mbrojtja amerikane shumë nga besueshmëria e saj e hershme, nëse Evropa rrezikon të mbetet në mëshirën e fuqive autoritare, nëse kështu siç është sot, nuk ka asnjë mundësi të jetë në t’ardhmen  zonjë e fatit të saj, faji do t’ishte vetëm i politikanëve. Shumë e ngeshme. As Winston Churchill-i nuk do të kishte arritur të rregullonte gjë nëse opinioni publik britanik, mbas vite e vite shkujdesjeje, mos të kuptonte papritmas rëndërinë e rrezikut nazist.

“Corriere della Sera”, 4 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

AUTONOMIA STRATEGJIKE, NËSE EVROPA DO TË BËHET E RRITUR

October 4, 2021 by s p

Nga FRANCESCA BASSO

“Corriere della Sera”, 29 shtator 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

Autonomia strategjike. Është hyrja në moshën e pjekur të Bashkimit evropian, ka të bëjë me përmasën e tij gjeopolitike. Ai që i zgjoi Vëndet e BE qe Donald Trump që, si president i Shteteve të Bashkuara, me “America first” të tijin ka shtrënguar bashkimin të përsijasë se si duhet t’i mbrojë interesat e tij edhe pa çadrën amerikane: Kina, Rusia, Hindia, por edhe SHBA janë të gjithë shemër në fushën financiare, industriale dhe teknologjike.

Autonomi strategjike do të thotë për 27 Shtetet antare, që të ecin së bashku mbi terrene që deri tani nuk ka qënë e mundur të përshkohen, si ai i mbrojtjes së përbashkët. Në mënyrë paradoksale, qe pikërisht presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, që e shpejtoi me mënyrën se si drejtoi tërheqjen nga Afganistani dhe çështjen Aukus, marrëveshjen mbi sigurinë të nënëshkruar nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia në padijen nga Brukseli e në kurriz të Francës e të bastit të saj miliardar mbi nëndetëset.

Një aksident diplomatik që krijoi tension ndërmjet dy brigjeve të Atllantikut, në prag të Këshillit Tregëti e Teknollogji, të ideuar nga Washingtoni dhe Brukseli pikërisht për të përtërirë aleancën. Biseda telefonike e butë ndërmjet Biden-it dhe Macron-it e zhbllokoi gjëndjen (mbledhja ishte e ngrirë) e dje u mbajt takimi i parë në Pittsburgh. Mbi tryezë ishte bashkëpunimi në pesë zona strategjike në kah kundër kinez, edhe se në dokumentin përfundimtar Kina nuk u përmënd kurrë: kontroll mbi eksportin e materialeve të ndjeshme, mbikqyrje mbi investimet e jashtëme, zgjuarsia artificiale, zhvillimi i zinxhirit të furnizimit të gjysëmpërçuesve, sfida tregtare globale kundër praktikave të tregut.

Në përfundimet Franca kërkoi ndryshime, ndërmjet të cilëve autonominë e BE në gjysëmpërçuesit. Një ngulmim që i bezdisi Vëndet e tjera. Frika është se Parisi do të kërkojë t’a ndërpretojë autonominë strategjike evropiane në kah thjesht francez.   

“Corriere della Sera”, 29 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

NGA VOTA NË GJERMANI SHËNJA TË POLITIKËS SË MIRË

October 3, 2021 by s p

Nga ALDO CAZZULLO

“Corriere della Sera”, 27 shtator 2021 Përktheu: Eugjen Merlika


Ja PSD u kthye në partinë e parë gjermane, jo me një vijë të së majtës skajore, ala Jeremy Corbyn apo Jean – Luc Mélenchon – për të bërë të heshtin skajorët e shtëpisë sonë – por me një vijë qendërsore, duke bërë të tyren trashëgiminë e Angela Merkel-it; që në këta vite nuk ka drejtuar një Koalicion të Madh (në Gjermani tashmë dy partitë e mëdha vlejnë pothuajse sa gjysma e trupit zgjedhor), por një qendër të majtë, fortësisht të lidhur me qëndrën. Nuk ishte parashikuar, madje dukej e pamundur. Socialdemokratët dukej se ishin të paracaktuar të ndiqnin fatin e Pasokut grek, të zëvëndësuar nga populistët e Syrizës (të detyruar të pranonin këshilla më të buta: jashtë Varoufakis, po ashpërsisë së detyruar nga Berlini), ose atë të PS franceze, të nxjerrë jashtë loje nga një tjetër qëndërsor: Emmanuel Macron. Në të kundërt një parti që, megjithë historinë e saj të lavdishme dukej e vdekur, paraqitet sot në pragun e Kançelarisë; në sajë edhe të “kthimit në rend” të shënuar nga kriza mbas-Covid, me kthimin e rolit të Shtetit dhe rimarrjes së besueshmërisë të institucioneve evropiane. Mbas luftës së parë botërore, pararojat artistike – nga kubizmi tek abstraksionizmi – ndjenë një “thirrje për rregull”: artistët rifilluan të vizatonin figura, rigjetën format klasike, deri edhe vetë Kandinski ndjeu tërheqjen e racionalitetit gjeometrik. Në të njëjtën mënyrë, pandemia ka sjellë një thirrje të arsyes për një botë që dukej e magjepsur nga sirenat e populizmit e të sovranizmit. Në fillim fitorja e Brexit. Më pas ende më e befasishme ajo e Trump-it. Meteora e pabesueshme Bolsonaro. Ngjitja e Podemos dhe Vox në Spanjë. Qeveria verdh-jeshile n’Itali. Dukej se kryengritja kundër sistemit kishte fituar dhe ishte e paracaktuar të qeveriste një botë pa monedhë të përbashkët, kufij të hapur, institucione shumëkahëshe. Pastaj pandemia pështjelloi gjithshka. Trump-i i nisur për t’u rizgjedhur, gaboi në nënvleftësimin e saj dhe vuri në lojë Shtëpinë e Bardhë. Johnson-i, mbas gabimeve të para, shpëtoi dhe tani shton taksat për të financuar National Health Service, shërbimin shëndetësor kombëtar. No-Vax-i Bolsonaro han picën në rrugë sepse i përzënë nga restorantet e Manhattanit e rrezikon të mundet nga i ringjalluri Lula, i sapo dalë nga burgu. Në Spanjë Podemos është shëmbur, Vox është tkurrur e kthehen në alternativën ndërmjet socialistëve dhe popullorëve. N’Itali rishkombëtaristja Legë mbështet tani më evropianisten e qeverive. Në Francë shfryhet Marine Le Pen. E në Gjermani partia e Merkelit lëshon terren jo nga e djathta (Alternativa për Gjermaninë humbet vota e deputetë), por nga qëndra, ku fuqizohen nga një anë liberalët e nga tjetra të Gjelbërit dhe pikërisht socialdemokratët. I fundmi kançelar socialdemokrat, Gerhard Schröder, kishte si parullë të tij “Die Neue Mitte”, qëndra e re. Që nuk do të thoshte të bëhe të gjithë demokristianë e pra të moderuar, ndërmjetës, pothuajse të palëvizshëm. Do të thoshte se reformistët mund të jenë qëndrorë në rrjeshtimin politik të shoqërisë, duke mobilizuar energjitë e të rinjve, të grave, t’atyre që synojnë të fuqizojnë institucionet e jo t’i shkallmojnë, të ndërtojnë Evropën e jo t’a shkatërrojnë, të vënë në lëvizje ashensorin shoqëror pa ndëshkuar shtresat e mesme, të përtërijnë qeverisjen e jo t’a zëvendësojnë me atë që çirret më shumë e rreh më ashpër në rrjetet sociale. Në kohët e tij, Schröderi arriti të marrë më shumë se 21 milion e gjysmë vota, thuajse dhjetë milionë më shumë se sa mblodhi të djelën e shkuar Scholzi. Dypartishmëria është tejkaluar, kuadri copëzohet gjithënjë e më shumë, edhe se kultura politike gjermane vazhdon të çmojë qëndrueshmërinë. Sovranizmi nuk është mundur aspak; shpërthen në Lindjen evropiane, dhe në vetë ish Gjermaninë lindore, ku AFD (më shumë populiste se rishnaziste) është partia e parë. Por reformizmi liberal, si ai që sheh djathtas si ai që sheh majtas, vazhdon të qeverisë Vëndet kryesore të kontinentit dhe institucionet evropianë, bisedon me Amerikën e Biden-it, shpreson të krijojë një front të përbashkët me Rusinë e Putinit kundër vullnetit zotërues të Kinës. Mbas reformizmit është qëndrueshmëria e shtresës së mesme, që njëheri u quante borgjezi, që nuk është një fjalë e ndyrë, është emri i prodhuesve që çojnë përpara ekonominë e që mbajnë peshën e të varfërve të rremë e të të pasurve të vërtetë që nuk paguajnë taksat. Edhe borgjezia mund të tundohet nga zemërimi kundër-sistem dhe nga refuzimi i demokracisë përfaqësuese; por din t’a njohë politikën e mirë që sjell përfundime të mira.
“Corriere della Sera”, 27 shtator 2021 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika

11 SHTATORI: PLAGA E HAPUR DHE RRËNOJAT E NJË SOLIDARITETI TË HUMBUR

September 17, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

Amerika që sot kremton përvjetorin e njëzetë të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 është një Vënd i sfilitur, i drobitur nga lufta më e gjatë e historisë së saj: një betejë e zgjatur njëzet vite, e luftuar nga etër dhe nga shumë prej bijve të tyre. Por është edhe një Vënd i ndarë, i përshkuar nga një çarje e thellë. Figura tragjike e Rudy Giulianit është një simbol: kryebashkiaku i brohoritur nga të gjithë si një hero mbi rrënojat tymosëse të 11 shtatorit, “njeriu i vitit” i festuar në kopertinën e Time, i kthyer në një nxitës të sulmit mbi Kongresin të 6 janarit të shkuar, një rrezik për qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Pandemia, piskama e sotme, në vënd që t’i bashkonte SHBA si kundër Al Qaedës, ushqen përplasje: madje një klimë të luftës civile me shumë që ftojnë për kryengritje kundër detyrimit vaksinor të lajmëruar nga presidenti Biden. Kongresi, një shënjestër e mundëshme e aeroplanit të tretë të terroristëve të 2001, ai që ra në Pensilvani, mbështillet përsëri nga rrjeta e telit me gjëmba nga frika e sulmit. Jo nga xhihadistët por nga skajorë të së djathtës që do të manifestojnë në Washington të shtunën e ardhëshme.

“Po shkoj në Afganistan me qëllim që biri im një ditë të mos luftojë të njëjtën betejë”. Kur në 2002 kapterri Trevor deBoer i u përgjigj kështu atij që e pyeste se përse shkonte vullnetar, nuk mund të merrte me mënd se 17 vite më pas i biri Payton do të ndahej nga shërbimi ushtarak në të njëjtën bazë afgane ku filloi misioni i tij. Me një luftë që zgjati sa një brez njerëzish, raste si ai i familjes deBoer janë të panumurtë dhe vërtetojnë mirë “mundin e luftës”, dëshirën e shumë amerikanëve për t’u tërhequr nga bota, ndiesinë e fshehtë të zhgënjimit që kërcënon kremtimet e përvjetorit të njëzetë të sulmit terrorist të Al Qaedës.

Plaga e asaj dite të tmerrshme nuk është shëruar kurrë e ka shtyrë, pak a shumë me vetëdije, një popull që ka jetuar gjithmonë me mërgim në tokën e tij dhe me marrëdhënie të ngushta me të gjitha Vëndet, të mbyllet hap mbas hapi në logjikën e “kështjellës Amerikë”. Amerika bujare, e ardhur për të shpëtuar Evropën në dy luftëra botërore, ajo e planit Marshall, nuk është krejtësisht e shuar, por atëherë njerëzit e saj ndjenin se kishin bërë diçka për ata që, për shumë prej tyre, ishin Vëndet e zanafillës: ishte thirrja e rrënjëve dhe kishte ndjeshmëri, vlera e kultura të përbashkëta, të këmbyera nga mirënjohja e Kontinentit të Vjetër kundrejt Botës së Re.

Asgjë nga e gjitha kjo nuk është përsëritur në luftërat e Gjirit e t’Azisë Qëndrore: Vënde të largëta, fisnore, të pakuptueshme. Ashtu sikurse i pakuptueshëm për më të shumtit ishte sulmi i ftohtë kundër Kullave Binjake dhe Pentagonit, i organizuar nga njerëz që vinin nga një Vënd aleat, Arabia Saudite.

Por ata të një lufte të pafund nuk kanë qënë vetëm njëzet vite që kanë sfilitur Amerikën, duke i hequr asaj dëshirën për të luftuar, për të vazhduar të ndërpretojë rolin e xhandarit të botës, të rënë mbi shpatulla nga fundi i viteve Tetëdhjetë me shëmbjen e perandorisë sovjetike. Kanë qënë edhe vite dasirash gjithënjë në rritje, në të cilët Vëndi ka humbur atë pak kompaktësie që kishte fituar pikërisht nën goditjet e terrorizmit.

Ashpërsimi i dasive politike kishte filluar me sulmet tejet të forta të spikerit republikan të Kongresit, Newt Gingrich, kundrejt presidencës Bill Clinton, më pas me zgjedhjen e George Bush-it mbas një lufte kokë për kokë me Al Gorin. Por mësyemja e Al Qaedës, veç shtyrjes së gjysmës së botës të deklaronte “jemi të gjithë amerikanë” e kishte ribashkuar Vëndin. Sot, në një Amerikë që diskuton më shumë për vaksinat se për mënyrat e tërheqjes nga Afganistani, i vetmi që ze faqet e para. është ish (e ndoshta i ardhëshmi) president Donald Trump-i. Ai e bën në mënyrë të çuditëshme: nuk flet për tërheqjen, të kryer mbi bazën e marrëveshjeve që ai ka mbështetur, ka dashur fuqishëm e ka nënëshkruar, por për heqjen e përmendores së gjeneralit konfederal Robert Lee në Richmond të Virgjinisë: një çast nga lufta kulturore në vazhdim n’Amerikë, që mund të jetë e diskutueshme nga pikëpamja e ruajtjes së kujtesës historike. Por ish presidenti e shfrytëzon për të lëvduar një njeri që ka luftuar për të mbrojtur skllavërinë duke shtuar pastaj, me një nga daljet e tij sureale, se po të kishte jetuar në kohët tona, sigurisht Lee do t’a kishte fituar luftën n’Afganistan.

Sureale por të pëlqyeshme për ithtarët e tij. Amerika e sotme është edhe kjo: e trullosur nga dy dhjetëvjeçarë luftërash pa krye, që e kanë dobësuar politikisht, ekonomikisht e moralisht, por edhe e ndarë ndërmjet dëshirës për të përkujtuar të rënët e saj, duke provuar të vetëbindet se viktimat e 11 shtatorit dhe 6650 të vrarët amerikanë në Irak e Afganistan nuk janë flijuar kot dhe tharjes së simpatisë të prodhuar në mënyrë servile nga efekti-Trump, me bindjen e tij se kush vdes në betejë është  një humbës. Veteranë në revoltë kundër tij? Çfarë thua! Madje për të mbushur rradhët e milicive paraushtarake, kundërshtuesit më të gjallë të rregullshmërisë së zgjedhjes së Biden-it, janë pikërisht shumë veteranë të dy luftërave që, të zhgënjyer nga rikthimi në jetën civile, shpesh të papërshtatur ose të papunë, kanë kërkuar ikje në teoritë konspirative më fantastike e kanë gjetur strehë në populizmin e ashoër e luftarak të Trump-it. Njëzet vite më parë Amerika blindohej për t’u mbrojtur nga kërcënimi i të tjerë atentatesh xhihadiste. Sot ai rrezik nuk është harruar, por mbas sulmit të 6 janarit mbi Kongresin, shqetëson më shumë kryengritja e brëndëshme.

Hapësirën ndërmjet këtyre dy Amerikave do t’a shohim sot në qëndrimet e presidentëve dhe ish presidentëve amerikanë: ndërsa Barack Obama e Georg Bush, veç Biden-it do të marrin pjesë në përkujtimoret e të rënëve, Trumpi në Floridë do të dëfrehet duke bërë telekronistin e një ndeshjeje boksi, ndërmjet dy lavdive të vjetra, tashmë pesëdhjetëvjeçarë, të peshave më të rënda.

“Corriere della Sera”, 10 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 shtator, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT