• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(7)

October 14, 2020 by dgreca

-(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”-J. F. KENNEDY–

Shkruan:Eugjen MERLIKA-

Historia e shekullit të fundit, që nga krijimi i shtetit shqiptar të pavarur, na la si trshëgim një të keqe të madhe, copëtimin e trojeve tona e dorëzimin e tyre fqinjëve tanë tokësorë. Qe një vendim i pamoralshëm i Fuqive të Mëdha që vulosën një pushtim të tokave tona në pragun e shkërmoqjes së perandorisë Otomane. Ishte hera e dytë që ato Fuqi vendosnin për coptimin e trojeve shqiptare. Herën e parë vepruan në dobi të Rusisë, që kishte fituar luftën me Turqinë, e cila u detyrua të paguante tributin tokësor me krahinat tona veriore që i shkuan si dhuratë Malit të Zi. Ndërsa më 1878 – 1880 Berlini diplomatik e quajti pjesën më perëndimore të perandorisë Otomane, të banuar nga shqiptarët, si “një shprehje gjeografike”, për të cilën mund të merrej çfarëdo vendimi, më 1913 në Londër ambasadorët e Fuqive të tubimit të Berlinit bënë një hap përpara duke njohur shtetin e saposhpallur shqiptar, në kufijtë e rrudhura të tij, duke i besuar versioneve sllavo – greke të epërsisë fetare mbi popullin  e mbarështuar deri pak muaj më parë nga sulltani i Turqisë, armiku shekullor i Evropës së krishterë.

Vite më vonë një veprimtar i shpalljes së Pavarësisë, që mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të ministrave me Ismail Qemalin, në një letër që i shkruante një miku të tij, priftit historian At Paulin Margjokaj, pohonte se “E keqja më e madhe që i kishte bërë Turqia Shqipërisë ishte ndërrimi i besimit fetar një populli të vogël mes Evropës së krishterë”. Qe një argument i shfrytëzuar përtej të gjitha normave të moralit e të logjikës, për të propaganduar mohimin e të drejtës së shqiptarëve për një shtet të pavarur e të vetëqeverisur.

Problemi kombëtar, ai i ruajtjes së kufinjve të njohur në Konferencën e Londrës dhe në protokollin e Firences, qe edhe boshti i gjithë përpjekjeve të përfaqësuesve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Problemi ishte koklavitur keqas edhe si pasojë e një marrëveshjeje të nënëshkruar nga Fuqitë perëndimore në vitin 1915 me Italinë, në prag të hyrjes së kësaj të fundit në luftë, duke braktisur Aleancën Tripalëshe, të nënëshkruar që në vitet nëntëdhjetë të shekullit XIX. Kjo marrëveshje , e nënëshkruar më 26 prill 1915, që njihet me emërtimin Traktati i Londrës, paracaktonte një copëtim të ri të Shqipërisë ndërmjet fqinjëve të saj dhe Italisë e cila, për t’u futur në luftë përkrah Aleancës Katërpalëshe, mori si shpërblim premtimin për të marrë Vlorën dhe protektoratin mbi Shqipërinë e cunguar deri në asht. Mbas luftës këtij synimi i u shtua edhe pakti Titoni – Venizellos që ishte një tjetër projekt copëtimi të tokave shqiptare mes italianëve dhe grekëve i nënëshkruar më 29 korrik 1919, edhe se qeveria italiane kishte shprehur hapur, nëpërmjet komandantit të trupave të saj në Gjirokastër, gjeneralit Ferrero “bashkësinë dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë, nën mbrojtjen e Mbretërisë s’Italisë. Në sajë të këtij akti, shqiptarë, do të keni të lira institucionet, organet e rendit, gjykatat, shkollat, të gjitha të drejtuara nga qytetarë shqiptarë….” më 3 qershor 1917. Ishte një shëmbull tipik i shfaqjes së prirjeve të ndryshme në politikën italiane të luhatëshme të demokracisë parafashiste.

Zhvillimi i luftës solli ndryshime edhe në synimet e të huajve kundrejt çështjes shqiptare, që nuk ishte e vetmi problem në tryezën e Konferencës. Duhet përshëndetur ndihma morale e politike e presidentit amerikan Wilson që solli n’atë kuvend botëror idenë e mbrojtjes së të drejtave të popujve të vegjël. Kështu mbas shumë mëdyshjesh, zhgënjimesh e përpjekjesh të përfaqësuesve shqiptarë në Paris që, edhe n’atë rast nuk qenë në gjëndje të flisnin gjuhën e përbashkët në një përfaqësi të mirorganizuar e të njësuar, Shqipëria mundi të ruajë kufijtë e caktuar në Londër me kënaqësinë e madhe t’atyre që kishin luftuar me të gjitha mundësitë për t’i a arritur atij synimi.

Më vonë, me stabilizimin e shtetit shqiptar, mbas vitit 1925, problemi kombëtar përbënte një nga pikat kryesore të Traktatit italo – shqiptar të vitit 1926, në të cilin Italia zotohej që, në rast të krijimit të rrethanave të favorshme, të jepte ndihmesën e saj në ribashkimin e trojeve shqiptare, jashtë kufirit të tij, me shtetin amë. Ky premtim do të gjente zbatim në të tjera rrethana, ato të luftës së Dytë botërore, nën pushtimin italian që u krye më 7 prill 1939. Në prill 1941, si pasojë e mësymjes së ushtrive gjermane në Ballkan ranë Jugosllavia dhe Greqia. Një pjesë e mirë e tokave shqiptare që ishin në zotërim të Jugosllavisë u bashkuan me shtetin shqiptar në bazë të një dekreti mbretëror të 12 gushtit 1941. Ai sendërtoi ëndrrën tridhjetëvjeçare të bashkimit. Edhe se Shqipëria ishte nën pushtim, si pothuaj e gjithë Evropa, bashkimi i trojeve të saj  shkaktoi një ngazëllim të përgjithshëm në Kosovë, në Dibrën e madhe, në zonën e Liqejve e në Mal të Zi, natyrisht edhe në Shqipëri. Qeveria shqiptare veproi me shpejtësi në hapjen e shkollave shqipe në të gjithë këta troje, duke i dhënë një shtysë të fortë idesë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë, ide që ende sot mbetet e huaj për fqinjët tanë dhe, fatkeqësisht, edhe për diplomacinë ndërkombëtare.

Të gjitha forcat politike kombëtariste shqiptare, si ato që ishin në pushtet, si ato që luftonin pushtuesin, ishin shumë të kënaqura nga bashkimi. Bënin përjashtim vetëm komunistët të cilët, mbas disa muajsh, do të themelonin partinë e tyre nën drejtimin e të dërguarve të PKJ. Të tjerët e quanin si hapin e parë të madh në drejtim të shtetit të bashkuar shqiptar. Duhej punuar me një strategji të përbashkët kombëtare që, sido të vinin ngjarjet e fatet e luftës, cilido të ishte fituesi, ai bashkim të mos njhte kthim mbrapa, ato popullsi të mos riviheshin përsëri në zgjedhën sllave. Mjerisht nacionalizmi shqiptar, për mangësi të tij apo për hyrje në lojë të fuqive më të mëdha se mundësitë e tij, nuk e ruajti kompaktësinë e tij në fundin e luftës. Kjo, kryesisht, sepse komunistët, fituesit e luftës, të kushtëzuar nga drejtimi i tyre filosërb e filorus, nuk treguan asnjë farë interesimi për të ruajtur gjëndjen e krijuar në pranverën e vitit 1941.

Disa brigada partizane në muajt e fundit  të  vitit 1944 hynë në “tokat e lirueme”, ku kosovarët nën drejtimin e Lidhjes së dytë të Prizrenit e Komitetit të rinisë nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës, kishin rrëmbyer armët për të mbrojtur lirinë e fituar e nuk lejonin hyrjen e brigadave sërbe e bullgare në trojet e tyre. Demagogjia dhe mashtrimi i komunistëve shqiptarë i a dolën që një pjesë e forcave vullnetare të dorëzonin armët “vëllezërve” të tyre që vinin nga “toka amë”, ndërsa pjesa tjetër të çarmatosej me forcë e t’i dorëzohej brigadave jugosllave. Qëndresa heroike kosovare, e sulmuar nga të gjitha anët pa patur asnjë ndihmë, erdhi duke u shuar mbasi la në fushat e betejave qindra heronj të kombit. Emrat e tyre, të rënë në fushat e betejave të pabarabarta kundër ushtrive sërbe, bullgare e malazeze e tradhëtisë së komunistëve shqiptarë, janë skalitur me shkronja t’arta në kujtesën e Shqipërisë fisnike e të traditës. Masakra e gati katërmijë djemsh të parritur mirë në Tivar e rrugës për të shkuar atje dëshmon, me të gjithë fuqinë e së vërtetës historike, rolin mizor të brigadave partizane shqiptare në Kosovë. 

“Fatkeqësisht edhe sot ka historianë shqiptarë që, duke operuar me sllogane dhe duke injoruar faktet, nuk duan të kuptojnë realitetin e hidhur, politikën antishqiptare të PKJ-së, si dhe rolin antikombëtar të PKSh-së karshi çështjes kombëtare edhe në këto treva etnike shqiptare.” 

Kështu shprehet prof dot. Muhamet Shatri, një nga historianët më të njohur e më të ndershëm të botës akademike shqiptare. Kjo është e vërteta e hidhur edhe sot, mbas tre të katërtave të qindvjetorit që na ndajnë nga ato ngjarje sa heroike aq edhe të turpëshme në kujtesën tonë. Demokratura e vendosur në Shqipëri ende nuk shprehet për këto krime kundër kombit, por vazhdon të hymnizojë veprën e brigadave partizane në Kosovën shqiptare. Nga vera e vitit 1945 e deri në ditët e sotme problemi i ndarjes së shqiptarëve nga shteti i tyre mbeti gozhda e ngulur në zemrën e trurin e Shqipërisë. Shteti komunist mori me vete turpin e tradhëtisë kombëtare. Fjala “tradhëti” aq shumë e përdorur në të folmen e shqiptarëve vënd e pa vënd, në ngjarjet e fundit të luftës së Dytë botërore në trojet e tyre, gjen me të vërtetë kuptimin e saj të mirëfilltë, i barabartë ky me veprimin e zi të Hamza Kastriotit gati pesë shekuj më parë. Nëse në rastin e nipit të Skënderbeut, mund të ketë patur arsye vetiake që një zemër ambicioze dhe e paformuar mirë, e shtynë në humnerë, në rastin e komunistëve shqiptarë veprimi tradhëtar buronte nga ideologjia e mbrapshtë e shpirti prej skllavi të drejtuesve të tyre.

Kanë kaluar 75 vite nga ato ngjarje rrënqethëse e ajo klasë politike e la hijen e saj të zezë në gjithë politikën shqiptare, për të cilën fjala “komb” u hoq nga fjalori. 75 vite dhe përsëri ajo fjalë nuk hyn në vetëdijen e shqiptarëve, të ndarë në katër shtete, përfshirë edhe një thjesht shqiptar, në sajë të luftës së tij por edhe të marrëzive kriminale të një populli tjetër e drejtuesit të tij mizor i tejskajshëm. Them në katër shtete, edhe se në Kosovë dikush ka shpikur nga fantazia e tij “kombin kosovar” dhe e ka futur atë koncept në fjalor, për të vendosur rekorde kundër idesë së shqiptarizmit duke pohuar një absurditet historik. 75 vite në të cilët askush, me përjashtim të atdhetarëve të nëmur nga klasa politike zyrtare shqiptare, nuk mori kurrë guximin t’i thotë botës se ndarja e shqiptarëve nuk mund të jetë një çështje e mbyllur në katakombat e historisë, por një problem, i shtruar për zgjidhje në fushën e politikës ballkanike apo të diplomacisë ndërkombëtare. Fakti që këtë të vërtetë nuk ka guximin t’a shtrojë asnjë nga politikëbërësit e Shqipërisë apo të Kosovës së pavarur, me përjashtim deri diku të Albin Kurtit,  mbasi më duket e papërshtatëshme të merret si nismë nga shqiptarët në Maqedoni apo në Mal të Zi, tregon se kësaj klase politike mbas komuniste ende vazhdon t’i jehojë në vesh e në mëndje kushtrimi i të parëve e se kanë nevojë për doza të fuqishme shqiptarizmi në idetë e tyre.

Këto duhet t’i a japin shqiptarët e thjeshtë, kryesisht intelektualët atdhetarë, në të gjitha format e veprimtarisë së tyre, në shkrime, rrahje mendimesh politike, veprimtari artistike e kulturore, në takime ndërkombëtare, ku të parashtrohen me kompetencë shkencore arsyet e shumëllojëshme që mbështesin argumentin e domosdoshmërisë së mos varrosjes, së paku nga ana e jonë, të problemit tonë kombëtar. Fatkeqësisht shënjat në këtë drejtim nuk janë aspak ndjellamira. Jemi të ndërgjegjshëm se në politikën ndërkombëtare është krijuar një farë tabuje rreth këtij problemi, një mburojë e trashë akulli që e mban të ngrirë. Kjo shtresë akulli ka mbuluar edhe shoqërinë civile shqiptare në të gjitha trevat e Ballkanit, që nuk e ngrenë zërin fuqishëm asnjëherë në dobi të projektit të pasendërtuar të bashkimit kombëtar e nuk e detyrojnë në forma të ndryshme politikën të zotohet n’atë drejtim, sado vështirësish të dalin në rrugën tonë. Edhe në këtë drejtim demokratura ka ushtruar ndikimin e saj të mbrapshtë.

Kjo gjëndje e vështirë në të cilën jemi zhytur për paaftësinë tonë e për interesat e ngushtë të individëve, klaneve e partive, tashmë të përforcuara nga një përvojë e gjatë në pushtet, duhet përballuar me ndryshimet cilësore nëpërmjet votimeve, mbasi mbetet kjo e vetmja rrugë për t’u përshkuar në botën e sotme. Shpresojmë që deri në pranverën e ardhëshme do të lindin forca të reja politike, që mos të jenë kopja e keqe e atyre që janë tani, por të afta të sjellin risi politike, me programe të qarta e të mirëmenduara kombëtare e, mbi të gjitha, me njerëz me shtat moral, intelektual e profesional të lëvdueshëm, që të ndajnë politikën nga interesi i ngushtë vetiak, e t’i japin besimin e duhur masës së zgjedhësve që, tani për tani nuk shohin asnjë dritare të hapur nga të mund të hyjë ajri i pastër i politikës së ndershme e pse jo, edhe sado pak idealiste.

Do të jetë një sipërmarrje e vështirë dhe përvoja e këtyre tre dhjetëvjeçarëve, që filluan me idealet e studentëve të dhjetorit 1990, për Shqipërinë si Evropa, për shoqërinë e hapur, për shtetin e së Drejtës, për barazinë e të gjithë shqiptarëve në startin e nisjes, për ndreqjen e të gjitha padrejtësive e mizorive të sistemit komunist, e përfunduam në një shtet e shoqëri me të gjitha problemet e sipërpërmendura, nuk na frymëzon optimizëm. Megjithatë duhet të shpresojmë me bindjen se në këtë botë asgjë nuk është e përjetëshme, madje edhe një regjim politik e mendësia e tij mund të pësojnë ndryshimet e duhura. Rënia e komunizmit mbetet dukuria më shpresëndjellëse, pavarësisht ruajtjes së shumë fosileve të tij në jetën tonë. Është koha për t’i pastruar ato fosile dhe rastin do t’a kemi mbas disa muajsh nëpërmjet një kryqi mbi një listë njerëzish, kandidatë për të drejtuar, nëse do të dijmë të bëjmë zgjedhjen e duhur.    

Shtator 2020 FUND

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, NË DEMOKRATURË(7), NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(7)

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(6)

October 10, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”-J. F. KENNEDY-

Shkruan:EUGJEN MERLIKA-

Një tipar i theksuar i demokraturave në përgjithësi është këmbëngulja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet e në politikë, mundësisht deri sa të ndërrojnë jetë. Në këtë drejtim edhe shtetarët tanë nuk janë shumë të prirur të mos e respektojnë këtë rregull të pashkruar, por që është kthyer në një “ungjill” apo “kuran” të politikës.    Po të hedhim vështrimin në politikën botërore, do të vërejmë se Vëndet që nuk kanë një demokraci të hershme e të traditës, kanë një klasë politike të ngulur në kolltuqet e pushtetit prej dhjetëvjeçarësh, pavarësisht sistemit që praktikojnë.

            Ata mund të jenë mbretëri, si shumë Vënde të botës arabe (Jordania, Maroku, Arabia Saudite, Vendet e Gjirit persik), Nepali e ndonjë tjetër e për ta është i ligjshëm pushteti i trashëguar, por mund të jenë edhe republika të mbretërizuara, në të cilat pushteti është i përjetshëm në duart e atij që qeveris. Në këtë kategori hyjnë Vendet ish komuniste apo të tilla si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Venezuela, Nikaragua, Bjellorusia, ish republikat sovjetike të Azisë qëndrore, Zimbabve, Siria etj. Kësaj liste të paplotësuar i duhet shtuar edhe Turqia e Erdoganit apo Irani i ajatollaheve që vijnë nga histori të ndryshme por kanë edhe ngjajshmëri në disa drejtime.

            Në shumicën dërmuese të këtyre Vendeve, që përfaqësojnë rreth 40 % të popullsisë së globit, parimet bazë të demokracisë perëndimore janë shkelur e zëvendësuar nga urdhëra e urdhëresa të qeverive që zhvillojnë edhe zgjedhje “të lira”, të cilat i fitojnë gjithmonë ata me shumica “bullgare”, duke ruajtur për dhjetëvjeçarë me rradhë strukturat e tyre shtetërore të drejtuar nga të njëjtit njerëz. Lëvizjet demokratike n’ata shtete, herë herë organizohen dhe e ngrenë zërin e tyre, por ai bie në vesh të shurdhër, sepse demokratura njeh vetëm gjuhën e forcës dhe Lukashenko, Maduro, Asadi, Putin, Xi Jinpin e të ngjajshmit e tyre nuk ngurojnë t’a përdorin atë kundrejt bashkështetasve të tyre.

            Teoria e “eksportimit të demokracisë”, e vënë në provë nga Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bush në Irak, nuk gjeti përkrahje të gjërë tek të gjitha demokracitë evropiane e sprova e Irakut u quajt e gabuar, edhe se koalicioni ndërhyrës hoqi nga pushteti e nga jeta një satrap të patentuar si Sadam Hysejni e i dha mundësi popullit dhe klasës politike irakene të ndërtonin shtetin e tyre demokratik. Madje dhe ndërhyrja anglo – franceze në Libi në mbrojtje të kryengritësve kundër Gadafit, që shmangu një det gjaku të cilin po e përgatiste diktatori libian t’a kryente në Mizurata, vlerësohet si një gabim i madh nga vetë demokracitë, sepse solli “destabilizimin” e Vendit mbas vdekjes së tij. Një ndërhyrje e tillë kishte qënë ajo e NATO-s në Kosovë e në Sërbi në verën e vitit 1999 në mbrojtje të popullit të Kosovës, që kërcënohej me zhdukje fizike, si pasojë e genocidit serb, por që u dënua nga Rusia, Kina apo ndonjë Vend tjetër si Greqia e të tjera që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës. Ndërkaq më vonë Rusia ndërhyri ushtarakisht në Krime, në Gjeorgji, në Ukrainë, në Siri e Turqia në Siri e së fundi në Libi, por opinioni publik nuk u shqetësua shumë, nuk pati asnjë protestë para selive përfaqësuese të këtyre Vendeve. Kjo mënyrë të ndërpretuari të ngjarjeve që dënon ndërhyrjen e demokracive në ndonjë zonë të botës në mbrojtje të popujve të rrezikuar, por quan vendosje rendi e rregulli ndërhyrjen e demokraturave në të tjera, është një nga treguesit më të çiltër të çoroditjes mediatike e politike në kohën tonë.

            Mund të jetë e drejtë të vendosen marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik e tregtar me diktaturat e majta kudo në botë, me Kinën kryesisht, por nuk duhet të gjejë vënd në mendësinë demokratike mospërfillja kundrejt shfaqjeve të dhunës së qeverisë kineze mbi ujgurët, mbi Hong Kongun, apo të dallimeve mbi pakicat katolike. Ajo të çon në një parodi të parimeve e të demokracisë, që i nënështrohen lehtësisht interesave ekonomike apo hamëndjeve si të tilla. Ndërgjegja demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në botën e soçme është në krizë njimendësie, e detyruar të pajtohet në heshtje me shumë dukuri që bien ndesh me të, e pafuqishme të veprojë, veçse nëpërmjet fjalës së lirë ku është e mundur, në mbrojtje t’atyre parimeve, të cilëve i beson, por që i sheh të nëpërkëmbura në shumë anë të botës. Protestat e bjellorusëve, apo të venezuelanëve më parë, të ukrainasve apo të banorëve të Hong Kongut, trajtimi çnjerëzor që i bëhet myslimanëve në Birmani, meritojnë të gjithë mirëkuptimin e solidaritetin tonë, ashtu si edhe të gjithë ata intelektualë turq, viktima të shtypjes policore të regjimit mbas t’ashtuquajturit “grusht shteti” në Turqi. Si qytetarë të botës ndihemi në vështirësi me pafuqinë tonë…..

            Tek neve prirja për të kaluar gjithë jetën në politikë e ka kaluar edhe atë të regjimit komunist, ku politika ishte në plan të parë. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se në diktaturë kishte një mekanizëm rregullator me qëndër në trurin e Enver Hoxhës, që kujdesej për të vendosur kohë të përcaktuara për secilin politikan, madje edhe për secilin qytetar. Ajo ishte një kohë e çuditëshme e mbushur me ushtri hafijesh që, si marimangat endnin për çdo qytetar, “mik” apo “armik”, rrjetat e tyre të padive që dikush tjetër lart, shumë lart, vendoste kur t’i shkrepte mëndja e hazdisur, t’i vinte në zbatim, duke porositur arrestimin dhe dënimin e njerëzve. Çuditërisht për njerëzit më t’afërt, shokët e luftës të cilën “kryeheroi” e kishte parë vetëm me dylbi, të bashkëqeverisjes kriminale dhjetravjeçare, pasues të zellshëm, të cilët përgjëroheshin për të e për të cilët ai ishte kthyer në një Perëndi mbi tokë, dënimet ishin më të ashpra, shkonin deri në vdekje, me zbatime në vënde të panjohura, në orët e thella të netëve pa hënë….

            Të gjitha këto vërtetonin “drejtësinë” e udhëheqësit, që mendonte vetëm për popullin e drobitur nga skamja, por të cilit i kishte krijuar një parajsë, atë socialiste. Për ata që e “tradhëtonin” atë popull, qoftë edhe vetëm në haluçinacionet e tij, ai nuk kishte aspak mëshirë, u merrte më parë dinjitetin nëpërmjet “autokritikave” para partisë, e pastaj jetën, në varrezën e përbashkët të truallit shqiptar, me të njëjtën mungesë mëshire që kishte shfaqur për të tjerë “tradhëtarë”, duke filluar nga kunati i tij që ishte një nga shqiptarët më të mirë të kohës së tij. Dhe rapsodi popullor i këndonte:

“Enver Hoxha e mprehu shpatën

      Dhe njëherë o për situatën.

      Kjo asht shpata qi i rrin te koka           

                                                      Gjithë anmiqvet o që ka bota.”

            Sa më shumë vriste Enveri me urdhërat e tij, aq më shumë rapsodi brohoriste e çirrej:

“Enver Hoxha o tungjatë jeta

                                                         Sa kto male o sa kto shkrepa.

                                                         Emnin shqipes o lart i a ngrite                      

                                                         Gjithë këtë popull në dritë e qite.”

            Mbas vrasjeve duheshin zëvendësuar postet e tyre me njerëz të besimit: atëherë mblidheshin ata apo ato ku ishin e ku s’ishin, shoferë, kooperativistë, karrocierë, elektriçistë etj., e zinin vëndet e tyre në byronë politike e në qeveri, duke kënduar “Enver Hoxha or tungjatë jeta…..”      

Sa anakronike tingëllonin këto vargje kur shqiptarët u liruan nga zinxhirët e provuan të gjenin fatin në botën e madhe, larg e afër, e panë me sytë e tyre errësirën në të cilën kishin qënë të zhytur deri atëherë. Kjo ishte historia nga dolën drejtuesit e demokraturës që në dhjetorin 1990, një vit mbasi rumunët kishin dërguar në botën tjetër çiftin mizor të shtetit të tyre, u betuan e u stërbetuan se do të ndërtonin demokracinë perëndimore në Shqipëri. Një vit më parë prijësi i tyre u kishte dhënë të gjithë udhëzimet se si do të ujdisej Shqipëria “demokratike”. Ata do t’a ruanin si gjënë më të çmuar “ungjillin” e pas komunizmit, madje do të shkonin të këshilloheshin me autorin e tij sa herë që hasnin në vështirësi ose sa herë donin t’a falënderonin për misionin e tij “historik”. Ishte një mision që kish nisur herët duke miratuar vrasjet e mijëra bashkatdhetarëve  djem të Kosovës martire e kishte përfunduar me vrasje djemsh shqiptarë në kufi, që donin të largoheshin  nga ferri shqiptar, gjithmonë i gatshëm të jepte recetat e ecurisë së Shqipërisë mbas komuniste.

            Rruga e gjatë tridhjetëvjeçare në të cilën ata e drejtuan e solli Shqipërinë në ditët e sotme. Në dukje qe një rrugë e vështirë, me kundërshti të mëdha, me luftë për pushtet, me padi nga më të ndryshmet për njëri tjetrin nga klanet politikë, por në thelb ishte një ecje krah për krah, gjithënjë në mbrojtje të interesave të kastave, të pasurimit të tyre, të projektit të përbashkët të plakjes në pushtet, qoftë edhe duke ndërruar postet, për të ruajtur formën “demokratike” e për t’u hedhur hi syve “armiqve të revolucionit” e miqve të rinj evropianë e amerikanë. I sendërtuan plotësisht detyrat e shtëpisë: kastat u pasuruan, madje përtej çdo parashikimi, armiqtë u degdisën jashtë shtetit sepse nuk i duheshin më Shqipërisë, mbasi ajo nuk mund të përsëriste përvojën e kampeve të punës së detyruar për t’i shfrytëzuar si skllevër. Në pushtet nuk qëndruan më rangallat e vjetra të komunizmit, por u ngjitën bijtë e tyre, të shkolluar e me veshje perëndimore. Shumica e tyre vinin nga familjet e aradhës së Sigurimit të shtetit që, në heshtje e pa rënë në sy lëviznin fijet e administratave demokratike duke shfrytëzuar famëkeqet dosje të tyre.

            Në një evidencë në botuar në gazetën “Dielli”, organ i shoqatës “Vatra” në New York, gazetari Ilirian Blloshmi rendit 35 emra të nomenklaturës së lartë të administratës shqiptare aktuale,  duke shënuar përbri origjinën e tyre familiare. Na del një kuadër i tillë i kthyer në përqindje:

  1. Familjarë të ish udhëheqësve komunistë            5,6 %
  2. Ish funksionarë të komunizmit                              5,6 %
  3. Pasardhës të ish punonjësve të Sigurimit           40 %
  4. Pasardhës të ish funksionarëve të komunizmit 34 %  
  5. Ish oficerë Sigurimi                                                  15 %

Nëse këto përqindje, të nxjerra nga një mostër e vogël në numur por e bollshme në ofiqe e pozita shtetërore, do të shtriheshin në të gjithë spektrin politik, karakteri klasor i administratës së demokraturës nuk do të linte asnjë farë dyshimi mbi vazhdimësinë ramiziane që karakterizon gjithë kalesën e në veçanti vitet e fundit të cilët merr në shqyrtim hulumtimi. Fakti që pjesa dërmuese e kuadrove të larta të Vendit të vijnë  nga rrjedha e pjesës më besnike e më mizore të diktaturës, nga organet e ish Sigurimit të shtetit është një tregues tepër shqetësues për të sotmen por edhe për t’ardhmen e Shqipërisë. Kjo dukuri dëshmon se tjetërsimi i sistemit, pavarësisht nga ngjyrat e propagandës apo nga pohimet e drejtuesve të ndryshëm, përgjegjës në funksionet më të larta të shtetit që, çuditërisht  janë gjithmonë të njëjtat fytyra, ka qënë tërësisht një operacion fasade, një dramë e fëlliqur e luajtur mbi idealet e dhjetorit 1990 e mbi shpresat e një populli që i kishte paguar një tribut shumë të rëndë epokës para-ardhëse. Në vënd që të jepnin llogari para drejtësisë së demokracisë për të gjitha prapësitë e krimet e kryera në pothuaj gjysmë shekulli tiranie, ish Sigurimi i shtetit arriti të plotësojë nomenklaturat e shtetit shqiptar me bijtë e bijat e tij. Kjo fitore dyfishe e së shkuarës mbi t’ardhmen, e servirur me emrin e bujshëm të Rilindjes, i kalon edhe metodat e Enver Hoxhës përsa i përket përzgjedhjes së klasës drejtuese, të cilën ai e bazonte, së paku kështu thonte, më shumë në kuadrot e partisë që duhej të kontrollonin ata të Sigurimit.

            Shtator 2020                                           

VIJON

Filed Under: Opinion Tagged With: Demokrature 6, Eugjen Merlika

CORONAVIRUS, JA SI SHËMBET EKONOMIA BOTËRORE E KU KINA FITON

October 10, 2020 by dgreca

Nga Milena Gabanelli dhe Danilo Taino/ Përktheu Eugjen Merlika/Mbas pothuajse tetë muajsh pandemie numërohen dëmet: më shumë se një million të vdekur dhe një rënie ekonomike e përbotëshme. Në gusht World Economic Forum e vlerësonte ndërmjet 8 dhe 15 miliard dollarë, që në fund të vitit bëhen 17,3 simbas Australian National University. Një shifër e paracaktuar të rritet së paku deri sa të dalë vaksina. Shtimi I borxheve publike në Vëndet e përparuara qëndron në rreth 20 % të PPI, me një rritje po aq të rëndësishme në zhytjen në borxhe të qeverive. Ndërkaq në 37 Vendet e OSBE-s papunësia ka kaluar nga 5,3 % në 9,7 %. Në tremujorin e dytë tregëtia  globale ka rënë me 18,5 %.

Kina rritet me eksportin e materialeve shëndetësore

            Në Kinë gjërat shkojnë më mirë: në fund të vitit PPI do të shënojë 1,9 % më shumë. Para një viti e gjysmë një studim i Brookings Institution , vlerësonte se PPI i saktë ishte 12 % më i ulët se statistikat zyrtare, por të gjinden të dhëna më të besueshme është e pamundur. Eksportimet janë shtuar me 10,4 %, veçanërisht materiale shëndetësore dhe aparatura elektromjekësore, për të cilatbota ka dëshpërimisht nevojë. Me rënien e turizmit kinez  në botë në Kinë janë shtuar harxhet e brëndëshme: kinezët blejnë në shtëpinë e tyre  ato që më parë i blenin në Japoni dhe n’Evropë, veçanërisht sendet e lluksit. Grupi Kering (Gucci e YSL) ka shitur 40 % më shumë në tremujorin e dytë 2020. People Bank of China ka pakësuar rezervat që duhet të mbajnë bankat dhe ka futur në ekonomi 212 miliard dollarë. Papunësia është 5,6 %, por janë 8,7 milionë studentë të sapo dalë nga universitetet që duhet të gjejnë punë.

Një Vend më i veçuar

            Sigurisht Vendi është më i veçuar e quhet më pak i besueshëm. Bota po rishikon marrëdhëniet ekonomike e politike me fuqinë që bart përgjegjësi të mëdha në krizën e përbotëshme nga virusi, e që vazhdon t’a mohojë. Presidenti Xi dhe të gjithë organizmat e Shtetit, të brëndëshme e të jashtëme, prej muajsh pohojnë se sa i jashtzakonshëm e i suksesëshëm ka qënë mbarështimi i Pekinit në vatrën e madhe të infektimit në Wuhan, si dëshmi e epërsisë së shëmbullit të qëndërsuar dhe autoritar kinez në krahasim me atë të demokracive që ende sot e kanë të vështirë të kontrollojnë shtimin e virusit. Ndërsa Kina është praktikisht Covid – free (së paku zyrtarisht). Sigurisht nënvlerësimi i rrezikut nga Brazili, Shtetet e Bashkuara e disa Vende evropiane është për t’u kritikuar por, pa dyshim, një detyrim energjik dhe veprues i lockdown-it, i mundur n’ato kushte vetëm në një Vend me regjim diktatorial, është i papërshtatëshëm në Perëndim, ku është e pamundur të kontrollohet çdo veprim vetiak. Mbrapa këtij tregimi Pekini fsheh së paku dy të vërteta.

Mohimi i përgjegjësive

            E para është mungesa e tejpamjes mbi përhapjen e virusit në javët e para të pandemisë në Wuhan dhe mohimi i seriozitetit të gjëndjes, të përfaqësuar nga shtypja e paralajmërimeve të bëra publike nga doktor Li Wenliang: i ndaluar, i qortuar dhe i lënë mënjanë (më pas i vdekur nga shkaku i virusit). E dyta ka të bëjë me “tregjet e njoma” në të cilët shiten e ripen kafshë të gjalla. Këta tregje, të pranishëm në qytetet e mëdha kineze, të zmadhuara pa hesap në dy dhjetëvjeçarët e fundit, e tashmë të paditur për përhapjen e Sars 1 në 2002, duhej të ishin mbyllur. Në të vërtetë autoritetet nuk kanë ndërhyrë kurrë seriozisht. Pra a mund të mbetej kriza e kufizuar gjeografikisht në rajonin e Wuhanit, nëse autoritetet nuk do të ishin ngujuar në një qëndrim mohimi? Ndoshta po, por deri tani Pekini nuk ka pranuar t’i hapë dyert një hulumtimi ndërkombëtar të pavarur mbi origjinën e pandemisë, të kërkuar nga 194 Vende, madje edhe kërcënueshëm. Përgjegjësitë që Pekini vazhdon t’i mohojë me arrogancë kanë një efekt ekonomik e një efekt politik.

Shumëkombëshet: degë ndërmarrjesh të shpërngulura gjetiu

            Shumë ndërmarrje, që e kishin bërë Kinën qëndër të zinxhirëve të tyre të furnizimit e të prodhimit, janë duke rishikuar rrezikun e të besuarit të plotë në sistemin kinez dhe janë të prirur të shpërngulin pjesë të industrive të tyre gjetiu. Shumëkombëshmja taivaneze Foxconn, që prodhon smartfona për Apple në Kinë, është duke vlerësuar mundësinë e shpërnguljes së disa prodhimeve në Amerikën e Veriut. Apple, Samsung, Hasbro, Nintendo, GoPro, La – Z – Boy  i kanë çvendosur disa degë të ndërmarrjeve, më së shumti në Vietnam, në Taivan, në Meksikë. Nga ana tjetër tregu kinez është shumë i madh për të mbetur jashtë dore: Tesla, Bmw e Honeywell kanë njoftuar hapjen e impianteve të rinj në Kinë. Pasoja politike është që Pekini gjindet sot praktikisht “pa miq”, veçanërisht n’Azi. Ka “klientë” që i mban të lidhur me para e nëpërmjet huave të rrugës së Re të Mëndafshit: Pakistani, Myanmar, Kamboxha. Ka një lidhje të fuqishme me pak të besueshmen Rusi të Vladimir Putin-it. Por sa më pranë gjeografikisht të jetë një Vend ndaj gjigandit aziatik, aq më shumë shkëputet prej tij nga pikëpamja politike. Kundërveprimi i Xi-ut është ai i ashpërsimit të shtypjes së brëndëshme e agresivitetit të jashtëm me shtimin e tensionit në kufijtë me Hindinë dhe shtimin e militarizimit të Detit Kinez të Jugut, me “paralajmërimet” Taivanit dhe me një përdorim të paskrupulltë të diplomacisë.

Udha e Mëndafshit ngadalësohet

            Gjëndja në fakt është shqetësuese për Xi Jinping-un: gjithënjë e më shumë qeveri ngurojnë të lidhen mbas Pekinit nëpërmjet projektesh strukturore e huazimi. Simbas shoqërisë së analizave Refinitiv në 2.951 projekte të Belt & Road, deri tani 666 janë kryer, 2.207 janë duke u sendërtuar, 43 janë pezulluar, 29 janë shtyrë e 6 janë fshirë. Investimet kineze jashtë, të shtuara mbas zgjedhjes së Xi-ut në 2013 në krye të Shtetit e të Partisë komuniste, deri në 255 miliardë dollarë më 2017, kanë filluar të ulen dhe në tetor 2020 arrijnë në 28 miliardë. Italia është në një kundërprirje të shkëlqyer dhe po u jep grupeve kineze Weichai e Cosco një pjesë të mirë të portit të Tarantos. Rruga e Re e Mëndafshit,  projekti kyç i Xi-ut nëpërmjet të cilit Pekini ka ndërmënd të ndërtojë një rrjet infrastrukturash tokësore e detare që do të mbajnë të lidhur gjithë Eurazinë me qëndrën e Kinës, rrezikon të mbarojë në rërë. Sjelljet e Pekinit në përhapjen e pandemisë shkaktojnë ndruajtje edhe në Vendet që do të kishin nevojë për ndihmën kineze.

Kërkesa për dëmshpërblime

            Shumë qeveri (jo vetëm Trump-i) kanë ngritur mundësinë e të kërkuarit të dëmshpërblimeve, por nuk ka institucione ndërkombëtare në fushën shëndetësore, që të mund të ngrihennë rangun e gjykatës në fushën e pandemisë: nuk ka një Gjykatë si ajo e Hagës, nuk ka një trup gjykues të tipit Wto për mosmarrëveshjet tregëtare. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në të cilin Pekini ka të drejtën e vetos, nuk do të lëshojë asnjë dënim kundrejt Kinës. Në çdo rast Pekini ka një histori të mos pranimit të gjykimeve të lëshuara nga gjykata ndërkombëtare për mosmarrëveshjet mes Shteteve: në 2016 Gjykata e Hagës nxori një vendim në dobi të Filipineve në një kundërshti mbi ujrat territoriale, por Kina me qetësi nuk e njohu. Rastet që mund të hapen në gjykata kombëtare kanë më shumë rëndësi politike se sa penale.

Pika e mos kthimit

            Çështja e përgjegjësive për katastrofa shëndetësore e e rregullave të përbashkëta në luftën për ndryshimet klimaterike, urdhërojnë si një obiektiv të menjëhershëm krijimin e një institucioni në të cilin të mund të gjykohen praktikat ndërkombëtare, së paku për t’i shtrënguar Vendet të lëvizin me përgjegjësi në belegët që na presin për mbijetesën e gjithë planetit. Ndërkaq çmimi që Kina do të paguajë për krizën e Covid – 19 do të jetë politik dhe ekonomik, nëse shumëkombëshet do të pakësojnë veprimtarinë e tyre në Vend. Janë këto çmimet që ndruan më shumë Xi Jinpin. Nuk është më vetëm Washingtoni që merr distancë nga Pekini: edhe takimi i nivelit të lartë ndërmjet Xi-ut dhe drejtuesve të BE pak javë më parë, që fillimisht do t’i vinte vulën një lidhjeje të thellë, i gjeti evropianët gjithënjë e më të bindur për t’a quajtur Kinën “një rivale strategjike”, me interesa, obiektiva e metoda të ndryshme nga ato të BE. Pandemia ka shënuar një pikë mos kthimi: Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës gjinden përballë nevojës për të kryer një zerim të marrëdhënieve me Kinën. Tepër e vështirë. Por e pashmangëshme.

            “Corriere della Sera”, 4 tetor 2020      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika, Kina, Koronavirusi

KORONAVIRUS: JA PËRGJEGJËSIA E KINËS

October 7, 2020 by dgreca

KORONAVIRUS: JA PËRGJEGJËSIA E KINËS

Nga Milena Gabanelli dhe Luigi Offeddu- Përktheu Eugjen Merlika –

                Ndodhi edhe me pandeminë e Coronavirusit: Kina, antare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga 1945 me të drejtë vetoje, hesht ose mohon gjithmonë kur i kërkohet llogari për atë si i respekton të drejtat njerëzore, në këtë rast lirinë e informimit. Këtë herë heshtja e saj paguhet nga shumë Vende të tjera.

                South China Morning Post, e përditëshmja historike e Hong Kongut, sjell më shumë se njëherë njoftime nga burime qeverie: infektimi i parë i mikrobit të ri është regjistruar në Kinë më 17 nëndor 2019. Njoftimi ndaj OBSH-së duhej t’ishte i menjëhershëm, por autoritetet presin 31 dhjetorin para se t’i njoftojnë zyrës përkatëse të saj një  “polmonit të çuditshëm” të shfaqur në Wuhan në tregun e kafshëve të gjalla. “Wet market” ishin treguesit e para-ardhësit Sars – Cov 1 të vitit 2002. Por vetëm më 9 janar 2020  Pekini flet për një “koronavirus të ri” t’afërt me Sarsin e mëparshëm. Më 30 janar OBSH lëshon piskamën ndërkombëtare.    

                Ndërkaq biznesi dhe turizmi botëror shkojnë e vijnë nga Kina sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Vetëm në muajin e dhjetorit e vetëm me Evropën ka patur 5.523 fluturime (të dhënat e Eurokontrollit). Simbas burimeve të Enac – Enti kombëtar italian i aviacionit civil – më 13 janar, ndërsa përgatitet lockdown-i Wuhanit, Pekini firmos me Italinë (që nuk di asgjë) një përkujtesë marrëveshjeje për një shtesë deri në 164 fluturime javore për secilin, nga të cilët 108 me fillim të menjëhershëm. Më pas u ndaluan. Çmimi  i atij muaji e gjysmë heshtjeje është i pallogaritshëm. Kina mohon çdo përgjegjësi e kundërvepron ndaj humbjes së besueshmërisë me shtypjen e lirive në Hong Kong, me synimet e reja strategjike në Detin e Kinës Jugore, me grushtin gjithënjë e më të rëndë mbi pakicat etnike, mbi lirinë e brëndëshme të shprehjes, me akullin në marrëdhëniet me kishën katolike, me kërcënime arrogante ndaj shteteve sovrane.

Arrestimi i Jimmy Lai-t

U mbajt i fshehtë deri pak orë para botimit, natën e 30 qershorit: shtatëmijë fjalë, 66 nene. “Ligji i ri mbi sigurinë” ndëshkon me dënime deri në të përjetëshme hamëndje të krimeve si “ndarje, përmbysje apo veprimtari armiqësore, marrëveshje me Vënde të huaja  për të kërcënuar sigurinë kombëtare”. I përpunuar në Pekin, i dha fund një viti e gjysmë protestash në Hong Kong, sot krahinë administrative e veçantë, por që me paktin Pekin – Londër duhet të ruante disa liri qytetare themelore deri në 2047: “një Vënd i vetëm, dy sisteme”. Protestat kishin filluar sepse Kina mëtonte të dënonte në gjykatat e Pekinit të paditurit për krime të hamendësuara (edhe politikë) të kryera në Hong Kong. Mëtimi më pas u tërhoq, por ndërkaq “Pekini – shpjegon një burim – ka përfituar nga hutimi i Perëndimit, i shkaktuar nga pandemia, për të miratuar ligjin mbi sigurinë kombëtare”. Kështu, të shtyra një vit zgjedhjet e parashikuara për gjysmën e shtatorit (hulumtimet jepnin opozitën liberale në 60” të miratimeve), të ikur në mërgim drejtuesit kryesorë demokratikë, qindra arrestime vetëm në ditët e para, në pranga edhe botuesi liberal Jimmy Lai, me dy bijtë, zyrtarisht për “marrëveshje kunër bashkësisë së Shtetit kinez”. Dymbëdhjetë qytetarë të Hong Kongut janë arrestuar në javët e fundit sepse kërkuan të arrinin Taivanin me varkë. Londra i ka ofruar “një rrugë të re mërgimi” tre milionë qytetarëve banorë të Hong Kongut që në 1997 zgjodhën, në marrëveshje me Pekinin, që të ruanin pashaportën e tyre kineze. Përgjigja e Pekinit: “nuk i quaj të vlefshme ato pashaporta”.   

Nyja Taivan

Nga janari 2021 Taivani do të ketë një pashaportë të re. Në kapak fjala “Republika e Kinës” nuk lexohet më, në vëndin e saj “Taivan”. Një shenjë shqetësuese për Pekinin që ka qortuar gjithmonë: “nëse ata do të shpallin pavarësinë, ne do të ndërhyjmë ushtarakisht”. Sepse Taivani, në fakt i pavarur nga 1949, nuk është një Shtet i pavarur i së drejtës, nuk ulet  – nga mungesa e vullnetit të Pekinit – në organizatat ndërkombëtare. Për Kinën është një “tërësi kryengritëse”, të cilën e njohin diplomatikisht vetëm 14 shtete. Vetëm një shembull: Pekini ka ndaluar që OBSH të ftonte në mbledhjen e saj të nivelit të lartë Taivanin si shëmbull të mbarështimit të mirë shëndetësor. OBSH i është bindur. Nuk është vetëm çështje e krenarisë perandorake, por kryesisht gjeostrategjike, sepse  Deti i Kinës Jugore është në qendër të planeve të tij të shtrirjes: i mbushur me ishuj artificialë kinezë, është një minierë e nëndetëshme me 11 miliard fuçish nafte dhe 190 trilion metro kubësh të gazit natyror. Taivani është pajisur: të gjithë planet e tij ushtarake janë hartuar mbi një hamëndje mësymjeje tokujse të ardhur nga Kina, e cila nga ana e saj është e armatosur me teknologji t’aftë për të shkatërruar e vrarë pa ndërhyrjen njerëzore.

Ekzekutimet

Simbas Amnesty International Kina mban rekordin botëror të ekzekutimeve kapitale, të parashikuara për 46 krime të ndryshme, përfshirë edhe subversionin (pështjellimin). Ekzekutimet janë “mijra në vit”. Por Pekini thotë se nuk ka “statistika të ndara”, se numuri përfshin dënimet me burgim të përjetshëm dhe ata me pesë vjet. Në praktikë i quan sekret Shteti. Vetëm në 2014 OKB ka miratuar 20 porosi kundër dënimit me vdekje, të gjitha jo të detyrueshme, të rrëzuara nga Pekini si të “pazbatueshme e në kundërshtim me realitetin kinez”. Pa përgjigje edhe protestat e Këshillit të OKB për të drejtat njerëzore: madje në prill 2020, pikërisht n’atë Këshill prej të cilit ishte dorëhequr përfaqësuesi amerikan, Kina e rrëzuar nga “qortimet” periodike të Pallatit prej Xhami sa i përket temave të lirisë e drejtësisë, ka fituar një vënd të sajin deri në 2021. Ndoshta sepse, pohon “Qendra për një Siguri të Re Amerikane”, po mbush zbrazësirën e lënë nga Trump-i në organizatat ndërkombëtare dhe sepse sapo ka premtuar një dhurim OKB-së prej 2 miliard dollarësh në harkun e dy viteve.

Shtypja e pakicave etniko – fetare

                Tibeti është një krahinë autonome. 3,1 milion banorët e tij janë pothuaj të gjithë budistë, me gjuhën e tyre dhe njimendësinë kombëtare që arrin në vitin 127 p.K. Kanë kërkuar gjithmonë pavarësinë nga Pekini dhe kanë paguar një çmim: tempuj të shkatërruar e shtypje e përgjakëshme. Dalai Lama, çmim Nobel për Paqen, jeton në mërgim në Hindinë e Veriut, ka hequr dorë nga çfarëdo fuqie pushtetore dhe nga vija pavarësore. Por kërkon ende “mëshirë” dhe respektin e të drejtave njerëzore. Në krahinën autonome perëndimore të Hsingiangut jetojnë 23 milionë banorë, 47 % e të cilëve janë myslimanë ujgurë. Është e papranueshme për Pekinin kërkesa e tyre për liri fetare. Shtypjes së dhunëshme i tërnohet “riedukimi politik” ose “formimi ideologjik e qytetar” nëpërmjet punës së detyruar. Në një shtatorin e shkuar World Uyghur Congress, me rastin e vizitës në Berlin të ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, i kërkoi ndihmë qeverisë gjermane: nga 1 deri në tre milionë ujgurë janë të dënuar pa padi në kampet e “riedukimit”, ku ndodhin tortura dhe shterpëzime të dhunëshme. Gjermania ka protestuar shumë herë, edhe se në Hsingiang gjinden fabrika gjermane si Volkswagen (në Urumçi), Siemens, Basf. 4022 kampet e riedukimit janë shfuqizuar formalisht në 2013, por një dron anglez ka filmuar skena në një kamp të Hsingiangut ku mijëra njerëz prodhojnë lodra, veshje dhe mallra me çmim të ulët, më pas të shitura në Perëndim. Pekini e ka hequr qafe si një propagandë trumpiane, por nuk autorizon hyrjen e mbikqyrësve të OKB-së, të kërkuar nga 22 Shtete me një letër të Këshillit për të drejtat njerëzore. Në letër mungonte firma amerikane, e tërhequr tashmë para një viti. Ndërkaq ujgurët e mërguar n’Evropë, e tashmë qytetarë të Hollandës apo të Finlandës, kërcënohen nga agjentë kinezë: “Mendo për familjen tënde”. Në Mongolinë e jashtëme, e pavarur që nga 1921 dhe e banuar nga pasardhësit e Xhengis Khanit, nga ky vit mësimi nuk do të bëhet më në gjuhën vendore, por do të jetë e detyrueshme gjuha kineze.

Marrëdhëniet Kinë – Vatikan

                Sot në Kinë janë 10 milion katolikë, 101 ipeshkvij, 146 dioqeza, 4000 priftërinj, rreth 4500 murgesha. Po përfundon marrëveshja e përkohëshme Pekin – Romë e vitit 2018. Do të duhej të vërtetonte se fjala e fundit e urdhnimit të ipeshkvijve i përket Papës. Një kompromis teorik, pra. Por gjëndja e vërtetë është krejt ndryshe, pohojnë burimet katolike: marrëveshjet nuk janë respektuar nga regjimi, kishat janë të mbyllura e të zotëruara nga flamuri i partisë e kush synon të punojë në një zyrë shtetërore duhet të heqë dorë më parë nga çfarëdo besimi fetar. Ose më saktë: Shteti shpall lirinë fetare dhe njeh zyrtarisht pesë besime, por pastaj i shpjegon antarëve të partisë se çdo kult është “anestezi shpirtërore”, e papajtueshme me qënien në parti. Por triska e asaj partie në fakt është e domosdoshme për t’u futur në punë shtetërore. Ndërkaq misionarët italianë duhet të kthehen në shtëpi, përfshirë Bernardo Cervellera, drejtori i AsiaNews.

Kërcënimet ndaj Shteteve sovrane

Çfarë i ndodh zërave kritike? Cheng Lei, qytetare australiane e lindur kineze dhe një gazetare e njohur e TV publik të Pekinit, ka përfunduar në arrestim shtëpiak në një vënd të panjohur, pa asnjë padi të qartë. Drejtuesit e Tienanmenit janë në mërgim ndërmjet SHBA, Francës, Australisë dhe Italisë. Kërcënimet shtrihen edhe kundrejt Shteteve sovrane. “Me miqtë ne përdorim verën e mirë, dhe pushkët me armiqtë” hungëroi ambasadori kinez në Stokholm kur qeveria suedeze lajmëroi se do të vlerësonte me një çmim botuesin e shkrimtarin Gui Minhai, suedez i lindur në Kinë, ku ishte dënuar me dhjetë vjet për spiunazh të hamendësuar. Gjatë udhëtimit evropian ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u ndalua më 3 shtator në Republikën Çeke, e duke i u drejtuar Presidentit të Senatit Miloš Vystrčil, që sapo ishte kthyer nga vizita në Taivan, deklaroi tekstualisht “do t’a paguani shtrenjtë oportunizmin tuaj politik”. Më 31 gusht kishte kaluar nga Norvegjia. Një gazetar kishte pyetur ministrin se çfarë mendonte ai për mundësinë e shtrirjes “djemve të Hong Kongut” të Nobelit për Paqën. Përgjigja: “Norvegjia nuk duhet të shfrytëzojë Çmimin për të ndërhyrë në punët tona të brëndëshme, duhet të mendojë më mirë të kultivojë marrëdhënie “të shëndosha” që janë sendërtuar më së fundi mbas “dimrit të ngrirë” që vazhdoi mbas Nobelit të dhënë më 2010 disidentit të burgosur Liu Xiaobo”.

Çmimi i heshtjes

                Sa vlen liria e fjalës në një botë gjithënjë e më shumë të ndërlidhur, që duhet të bëjë llogaritë me kërcënime shëndetësore e të ngrohjes globale, e në të cilën Kina ka një rol qëndror? Juristi i universitetit të Pekinit He Weifang ka thënë: “Mungesa e lirisë së fjalës e të shprehjes ka ndihmuar përhapjen e infeksionit”, e kishte theksuar një koleg i tij i ndritshëm, Xu Zhangrun, i arrestuar. Li Wenliang, okulisti kinez që e veçoi i pari virusin, në fillim u ndal, pastaj u qortua, më së fundi u bë viktimë. Sot në botë numërohen pothuajse një milion të vdekur dhe një rënie e ekonomisë globale. Kina nuk ka kërkuar falje dhe mburr sipëraninë e modelit kinez, që ka mbarështuar në mënyrë të jashtzakonëshme pandeminë, ndërsa Vëndet demokratike nuk janë në gjëndje. Sot deklaron se ka vetëm tetë raste në 1,4 miliard banorë. Është e pamundur të dihet sa i vërtetë mund të jetë ai numur. Nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara, Brazili e ndonjë Vend evropian të kenë nënëvleftësuar, por si do të kishin shkuar punët nëse autoritetet kineze do të kishin njoftuar menjëherë bashkësinë ndërkombëtare për atë që po ndodhte? Nuk do t’a dijmë kurrë, ashtu sikurse nuk do të dijmë saktësisht se çfarë ka ndodhur që hulumtimi ndërkombëtar i pavarur, i votuar njëzëri në OBSH në maj, është ende vetëm një copë letër.

                “Corriere della Sera”, 27 shtator 2020     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Koronovarirusi, Pergjegjesia e Kines

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (5)

October 4, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY–

Një tipar i theksuar i demokraturave në përgjithësi është këmbëngulja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet e në politikë, mundësisht deri sa të ndërrojnë jetë. Në këtë drejtim edhe shtetarët tanë nuk janë shumë të prirur të mos e respektojnë këtë rregull të pashkruar, por që është kthyer në një “ungjill” apo “kuran” të politikës.    Po të hedhim vështrimin në politikën botërore, do të vërejmë se Vëndet që nuk kanë një demokraci të hershme e të traditës, kanë një klasë politike të ngulur në kolltuqet e pushtetit prej dhjetëvjeçarësh, pavarësisht sistemit që praktikojnë.

Ata mund të jenë mbretëri, si shumë Vënde të botës arabe (Jordania, Maroku, Arabia Saudite, Vendet e Gjirit persik), Nepali e ndonjë tjetër e për ta është i ligjshëm pushteti i trashëguar, por mund të jenë edhe republika të mbretërizuara, në të cilat pushteti është i përjetshëm në duart e atij që qeveris. Në këtë kategori hyjnë Vendet ish komuniste apo të tilla si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Venezuela, Nikaragua, Bjellorusia, ish republikat sovjetike të Azisë qëndrore, Zimbabve, Siria etj. Kësaj liste të paplotësuar i duhet shtuar edhe Turqia e Erdoganit apo Irani i ajatollaheve që vijnë nga histori të ndryshme por kanë edhe ngjajshmëri në disa drejtime.

Në shumicën dërmuese të këtyre Vendeve, që përfaqësojnë rreth 40 % të popullsisë së globit, parimet bazë të demokracisë perëndimore janë shkelur e zëvendësuar nga urdhëra e urdhëresa të qeverive që zhvillojnë edhe zgjedhje “të lira”, të cilat i fitojnë gjithmonë ata me shumica “bullgare”, duke ruajtur për dhjetëvjeçarë me rradhë strukturat e tyre shtetërore të drejtuar nga të njëjtit njerëz. Lëvizjet demokratike n’ata shtete, herë herë organizohen dhe e ngrenë zërin e tyre, por ai bie në vesh të shurdhër, sepse demokratura njeh vetëm gjuhën e forcës dhe Lukashenko, Maduro, Asadi, Putin, Xi Jinpin e të ngjajshmit e tyre nuk ngurojnë t’a përdorin atë kundrejt bashkështetasve të tyre.

Teoria e “eksportimit të demokracisë”, e vënë në provë nga Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bush në Irak, nuk gjeti përkrahje të gjërë tek të gjitha demokracitë evropiane e sprova e Irakut u quajt e gabuar, edhe se koalicioni ndërhyrës hoqi nga pushteti e nga jeta një satrap të patentuar si Sadam Hysejni e i dha mundësi popullit dhe klasës politike irakene të ndërtonin shtetin e tyre demokratik. Madje dhe ndërhyrja anglo – franceze në Libi në mbrojtje të kryengritësve kundër Gadafit, që shmangu një det gjaku të cilin po e përgatiste diktatori libian t’a kryente në Mizurata, vlerësohet si një gabim i madh nga vetë demokracitë, sepse solli “destabilizimin” e Vendit mbas vdekjes së tij. Një ndërhyrje e tillë kishte qënë ajo e NATO-s në Kosovë e në Sërbi në verën e vitit 1999 në mbrojtje të popullit të Kosovës, që kërcënohej me zhdukje fizike, si pasojë e genocidit serb, por që u dënua nga Rusia, Kina apo ndonjë Vend tjetër si Greqia e të tjera që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës. Ndërkaq më vonë Rusia ndërhyri ushtarakisht në Krime, në Gjeorgji, në Ukrainë, në Siri e Turqia në Siri e së fundi në Libi, por opinioni publik nuk u shqetësua shumë, nuk pati asnjë protestë para selive përfaqësuese të këtyre Vendeve. Kjo mënyrë të ndërpretuari të ngjarjeve që dënon ndërhyrjen e demokracive në ndonjë zonë të botës në mbrojtje të popujve të rrezikuar, por quan vendosje rendi e rregulli ndërhyrjen e demokraturave në të tjera, është një nga treguesit më të çiltër të çoroditjes mediatike e politike në kohën tonë.

Mund të jetë e drejtë të vendosen marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik e tregtar me diktaturat e majta kudo në botë, me Kinën kryesisht, por nuk duhet të gjejë vënd në mendësinë demokratike mospërfillja kundrejt shfaqjeve të dhunës së qeverisë kineze mbi ujgurët, mbi Hong Kongun, apo të dallimeve mbi pakicat katolike. Ajo të çon në një parodi të parimeve e të demokracisë, që i nënështrohen lehtësisht interesave ekonomike apo hamëndjeve si të tilla. Ndërgjegja demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në botën e soçme është në krizë njimendësie, e detyruar të pajtohet në heshtje me shumë dukuri që bien ndesh me të, e pafuqishme të veprojë, veçse nëpërmjet fjalës së lirë ku është e mundur, në mbrojtje t’atyre parimeve, të cilëve i beson, por që i sheh të nëpërkëmbura në shumë anë të botës. Protestat e bjellorusëve, apo të venezuelanëve më parë, të ukrainasve apo të banorëve të Hong Kongut, trajtimi çnjerëzor që i bëhet myslimanëve në Birmani, meritojnë të gjithë mirëkuptimin e solidaritetin tonë, ashtu si edhe të gjithë ata intelektualë turq, viktima të shtypjes policore të regjimit mbas t’ashtuquajturit “grusht shteti” në Turqi. Si qytetarë të botës ndihemi në vështirësi me pafuqinë tonë…..

Tek neve prirja për të kaluar gjithë jetën në politikë e ka kaluar edhe atë të regjimit komunist, ku politika ishte në plan të parë. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se në diktaturë kishte një mekanizëm rregullator me qëndër në trurin e Enver Hoxhës, që kujdesej për të vendosur kohë të përcaktuara për secilin politikan, madje edhe për secilin qytetar. Ajo ishte një kohë e çuditëshme e mbushur me ushtri hafijesh që, si marimangat endnin për çdo qytetar, “mik” apo “armik”, rrjetat e tyre të padive që dikush tjetër lart, shumë lart, vendoste kur t’i shkrepte mëndja e hazdisur, t’i vinte në zbatim, duke porositur arrestimin dhe dënimin e njerëzve. Çuditërisht për njerëzit më t’afërt, shokët e luftës të cilën “kryeheroi” e kishte parë vetëm me dylbi, të bashkëqeverisjes kriminale dhjetravjeçare, pasues të zellshëm, të cilët përgjëroheshin për të e për të cilët ai ishte kthyer në një Perëndi mbi tokë, dënimet ishin më të ashpra, shkonin deri në vdekje, me zbatime në vënde të panjohura, në orët e thella të netëve pa hënë….

Të gjitha këto vërtetonin “drejtësinë” e udhëheqësit, që mendonte vetëm për popullin e drobitur nga skamja, por të cilit i kishte krijuar një parajsë, atë socialiste. Për ata që e “tradhëtonin” atë popull, qoftë edhe vetëm në haluçinacionet e tij, ai nuk kishte aspak mëshirë, u merrte më parë dinjitetin nëpërmjet “autokritikave” para partisë, e pastaj jetën, në varrezën e përbashkët të truallit shqiptar, me të njëjtën mungesë mëshire që kishte shfaqur për të tjerë “tradhëtarë”, duke filluar nga kunati i tij që ishte një nga shqiptarët më të mirë të kohës së tij. Dhe rapsodi popullor i këndonte:

“Enver Hoxha e mprehu shpatën

      Dhe njëherë o për situatën.

      Kjo asht shpata qi i rrin te koka

      Gjithë anmiqvet o që ka bota.”

Sa më shumë vriste Enveri me urdhërat e tij, aq më shumë rapsodi brohoriste e çirrej:

“Enver Hoxha o tungjatë jeta

            Sa kto male o sa kto shkrepa.

        Emnin shqipes o lart i a ngrite 

          Gjithë këtë popull në dritë e qite.”

Mbas vrasjeve duheshin zëvendësuar postet e tyre me njerëz të besimit: atëherë mblidheshin ata apo ato ku ishin e ku s’ishin, shoferë, kooperativistë, karrocierë, elektriçistë etj., e zinin vëndet e tyre në byronë politike e në qeveri, duke kënduar “Enver Hoxha or tungjatë jeta…..”

Sa anakronike tingëllonin këto vargje kur shqiptarët u liruan nga zinxhirët e provuan të gjenin fatin në botën e madhe, larg e afër, e panë me sytë e tyre errësirën në të cilën kishin qënë të zhytur deri atëherë. Kjo ishte historia nga dolën drejtuesit e demokraturës që në dhjetorin 1990, një vit mbasi rumunët kishin dërguar në botën tjetër çiftin mizor të shtetit të tyre, u betuan e u stërbetuan se do të ndërtonin demokracinë perëndimore në Shqipëri. Një vit më parë prijësi i tyre u kishte dhënë të gjithë udhëzimet se si do të ujdisej Shqipëria “demokratike”. Ata do t’a ruanin si gjënë më të çmuar “ungjillin” e pas komunizmit, madje do të shkonin të këshilloheshin me autorin e tij sa herë që hasnin në vështirësi ose sa herë donin t’a falënderonin për misionin e tij “historik”. Ishte një mision që kish nisur herët duke miratuar vrasjet e mijëra bashkatdhetarëve  djem të Kosovës martire e kishte përfunduar me vrasje djemsh shqiptarë në kufi, që donin të largoheshin  nga ferri shqiptar, gjithmonë i gatshëm të jepte recetat e ecurisë së Shqipërisë mbas komuniste.

Rruga e gjatë tridhjetëvjeçare në të cilën ata e drejtuan e solli Shqipërinë në ditët e sotme. Në dukje qe një rrugë e vështirë, me kundërshti të mëdha, me luftë për pushtet, me padi nga më të ndryshmet për njëri tjetrin nga klanet politikë, por në thelb ishte një ecje krah për krah, gjithënjë në mbrojtje të interesave të kastave, të pasurimit të tyre, të projektit të përbashkët të plakjes në pushtet, qoftë edhe duke ndërruar postet, për të ruajtur formën “demokratike” e për t’u hedhur hi syve “armiqve të revolucionit” e miqve të rinj evropianë e amerikanë. I sendërtuan plotësisht detyrat e shtëpisë: kastat u pasuruan, madje përtej çdo parashikimi, armiqtë u degdisën jashtë shtetit sepse nuk i duheshin më Shqipërisë, mbasi ajo nuk mund të përsëriste përvojën e kampeve të punës së detyruar për t’i shfrytëzuar si skllevër. Në pushtet nuk qëndruan më rangallat e vjetra të komunizmit, por u ngjitën bijtë e tyre, të shkolluar e me veshje perëndimore. Shumica e tyre vinin nga familjet e aradhës së Sigurimit të shtetit që, në heshtje e pa rënë në sy lëviznin fijet e administratave demokratike duke shfrytëzuar famëkeqet dosje të tyre.

Në një evidencë në botuar në gazetën “Dielli”, organ i shoqatës “Vatra” në New York, gazetari Ilirian Blloshmi rendit 35 emra të nomenklaturës së lartë të administratës shqiptare aktuale,  duke shënuar përbri origjinën e tyre familiare. Na del një kuadër i tillë i kthyer në përqindje:

  1. Familjarë të ish udhëheqësve komunistë            5,6 %
  2. Ish funksionarë të komunizmit                              5,6 %
  3. Pasardhës të ish punonjësve të Sigurimit           40 %
  4. Pasardhës të ish funksionarëve të komunizmit 34 %   
  5. Ish oficerë Sigurimi                                                  15 %

Nëse këto përqindje, të nxjerra nga një mostër e vogël në numur por e bollshme në ofiqe e pozita shtetërore, do të shtriheshin në të gjithë spektrin politik, karakteri klasor i administratës së demokraturës nuk do të linte asnjë farë dyshimi mbi vazhdimësinë ramiziane që karakterizon gjithë kalesën e në veçanti vitet e fundit të cilët merr në shqyrtim hulumtimi. Fakti që pjesa dërmuese e kuadrove të larta të Vendit të vijnë  nga rrjedha e pjesës më besnike e më mizore të diktaturës, nga organet e ish Sigurimit të shtetit është një tregues tepër shqetësues për të sotmen por edhe për t’ardhmen e Shqipërisë. Kjo dukuri dëshmon se tjetërsimi i sistemit, pavarësisht nga ngjyrat e propagandës apo nga pohimet e drejtuesve të ndryshëm, përgjegjës në funksionet më të larta të shtetit që, çuditërisht  janë gjithmonë të njëjtat fytyra, ka qënë tërësisht një operacion fasade, një dramë e fëlliqur e luajtur mbi idealet e dhjetorit 1990 e mbi shpresat e një populli që i kishte paguar një tribut shumë të rëndë epokës para-ardhëse. Në vënd që të jepnin llogari para drejtësisë së demokracisë për të gjitha prapësitë e krimet e kryera në pothuaj gjysmë shekulli tiranie, ish Sigurimi i shtetit arriti të plotësojë nomenklaturat e shtetit shqiptar me bijtë e bijat e tij. Kjo fitore dyfishe e së shkuarës mbi t’ardhmen, e servirur me emrin e bujshëm të Rilindjes, i kalon edhe metodat e Enver Hoxhës përsa i përket përzgjedhjes së klasës drejtuese, të cilën ai e bazonte, së paku kështu thonte, më shumë në kuadrot e partisë që duhej të kontrollonin ata të Sigurimit.

Shtator 2020 VIJON

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMOKRATURË (5), DIKTATURA NË DEMOKRATURË (5), Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT