• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË “PERDE INTERNETI” NDËRMJET PERËNDIMIT E LINDJES

December 21, 2019 by dgreca

Nga DANILO TAINO/ përktheu nga Correiere della Sera, Eugjen Merlika/

                “Një perde interneti po bie përgjatë kontinenteve”: mbas jo shumë kohe, një Churchill bashkëkohor ka mundësi të thotë një fjali të këtij lloji. Ndeshja ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit po e çon ekonominë globale drejt një ndarje në dy pjesë – me një fjalë një “perëndimore” e një “lindore” – të cilat mund të shkojnë në drejtime të ndryshme e të ndërrueshme: është e ashtuquajtura Great Decoupling, ndarja e madhe, shpërbërja e çiftit.

                Ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nuk ka më vetëm ndeshje tregtare: ndodhí të fundit tregojnë se një skenar i një Lufte të re të Ftohtë po mbështjell teknologjitë e larta, internetin, shkëmbimet akademike, vendimet ushtarake në detra e në hapësirën kozmike.

                Shenja më e fundit e kësaj prirjeje është vendimi i Partisë komuniste kineze, për të zëvendësuar, brënda tre vjetësh, të gjithë kompiuterët e softwere-t e huaj të institucioneve publike me teknologji kombëtare. Vendimi godet gjigantët e hi – tech-it, por kryesisht tregon se presidenti kinez Xi Jinping është i bindur se përballimi është i gjithanshëm dhe duhet të çohet përpara me ashpërsi. Një kthim mbrapa kombëtarist që pasqyron atë amerikan të frymëzuar nga Donald Trump-i dhe gjërësisht të miratuar në Shtetet e Bashkuara.

                Washingtoni është prej kohësh në një skemë llogoreje. Tarifat që ka vendosur për importimet nga Kina janë faktet më të dukëshme. Por, gjithmonë nga ana e shkëmbimeve ndërkombëtare, Organizata botërore e tregtisë, Wto, pikërisht në këto ditë është katandisur pothuaj në pavlefshmëri sepse kolegji gjykues i kundërshtive tregtare nuk ka më gjyqtarë: përtëritja e tij është bllokuar nga Washingtoni. Krahas kësaj fryhet sindroma Huawei, shoqëria kineze zotëruese e teknologjisë se rrjetit 5G: amerikanët e kanë ndaluar për arsye të sigurisë kombëtare (mendojnë se mund të jetë një kalë Troje i Pekinit për spiunazh dhe sabotazh) dhe janë duke ushtruar trysni shumë të mëdha mbi evropianët që të veprojnë gjithashtu.

                Në fushën e ideve, në Kinë Partia komuniste ka shtrënguar hallkat ideologjike, ka futur Mendimin e Xi Jinpingut në Kushtetutë dhe ka kufizuar shumë lirinë e diskutimeve në universitetet. Në universitetet e Shteteve të Bashkuara, nga ana tjetër shtohet largimi i profesorëve dhe studentëve kinezë, shpesh të quajtur kundërshtarë të mundshëm që është marrëzi t’i pasurosh me njohuri. Si përfundim shkëmbimet akademike ndërmjet dy Vendeve, për vite krijues besimi, janë pakësuar shumë.

                Përsa i përket internetit, Pekini tashmë i ka ngritur muret e tij të mbrojtjes dixhitale, për arsye të kontrollit politik të brëndshëm e për mbështetjen e gjigantëve të tij të rrjetit: Google, Facebook,Twitter dhe dhjetra të tjerë sito web janë të ndaluar. Në fushën ushtarake Kina, që ka qënë gjithmonë një fuqi tokësore, po zhvillon aftësitë e saj mbi dete, edhe mbi oqeane, por ka lëshuar bejlegun e saj edhe në hapësirë. Washingtoni po merr masa për t’i u përgjigjur.

                Frika e madhe është që Great Decoupling të sendërtohet, me një shkërmoqje të globalizimit, me shkatërrimin e e zinxhirëve të furnizimeve ndërkombëtare, me sisteme dixhitale e telekomunikacionesh të themeluara mbi standarte të ndryshme e pak komunikuese, me ndeshje për parësinë teknologjike, me kundërshti politike, diplomatike e ndoshta edhe më keq. Një gjëndje në të cilën Evropa dhe Vendet e tjera do të ishin të shtrënguar të zgjidhnin nga cila anë të qëndronin, në sferën e ndikimit kinez dhe të tregut të tij tërheqës, apo në sferën amerikane me vlerat e saj të lirive ekonomike e politike. Është e vështirë të përcaktohet se, në ndeshjen për sipëraninë, Washingtoni dhe Pekini ndjekin strategji të sakta. Me gjasë jo. E kjo është ende më shqetësuese.

                “Corriere della Sera”, 11 dhjetor 2019    E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Danile Taino, Eugjen Merlika

RIKTHIM TEK ATJONI DHE KUMTET E TIJ

December 19, 2019 by dgreca

(In Memoriam nw pesëvjetorin e parë të ngjitjes në qiell)/

NGA EUGJEN MERLIKA/

            “Kur fati na ka hequr një shok, nuk ka ilaç më të mirë se sa mundësia për të shijuar kujtesën e tij e për të rizbuluar atë që është thënë mprehtësisht, apo trajtuar urtësisht prej tij.”

                        Niccolò Macchiavelli (1469 – 1527) Shkrimtar politik e mendimtar italian

            Kanë kaluar pesë vjet nga ajo ditë tragjike e 20 dhjetorit 2014, kur lajmi i zi i një aksidenti me motorr u përhap me shpejtësinë e vetëtimës në botën shqiptare, duke lënë në të një dhimbje të thellë. Ajo dhimbje, largimi nga jeta i Atjon V. Zhitit, vazhdon të jetë e gjallë në kujtesën shqiptare, edhe se koha me shpejtësinë marramendëse të fluturimit të saj, mundohet të na verë melhemin e saj në plagët tona.

            Sot, në këtë pesëvjetor të parë, mendimi nuk kufizohet vetëm në dhimbjen që lëndohet, por shkon edhe më tej, në përfytyrimin e asaj që do të kishte qënë jeta e Tij, personaliteti i Tij, ndihmesa e Tij në jetën tonë.

            Atjon Zhiti ndërroi jetë shumë shpejt, në një moshë që vetëm ndonjë gjeni i parakohshëm mund të lerë vulën e tij në jetën e shoqërisë apo të Vendit ku jeton. Studenti i filozofisë në Universitetin Katolik të Milanos e kishte nisur atë rrugë dhe, nëpërmjet dy shkrimeve të botuara në të përditëshmen MAPO në shkurt dhe maj 2014, e të një të treti, të vënë në internet nga Balkan Web në ditët e fundit, kishte ravijëzuar portretin e tij në fushën e publiçistikës. Ai ka patur edhe shkrime të tjera, të botuara më vonë nga prindërit fisnikë, por për mendimin tim modest, edhe  këta tre shkrime mjaftonin për të dhënë profilin e një publiçisti filozof, që kishte pak ose aspak të ngjajshëm në gazetarinë shqiptare.

            Vlerat e vërteta në fushën sociologjike apo letrare, nuk maten detyrimisht vetëm me vëllimin e prodhimit. Kritika botërore është e një mëndjeje në vlerësimin e poetit Edgar Allan Poe që, simbas saj, do të kishte patur vendin e tij në letërsinë e madhe, edhe sikur të kishte shkruar vetëm poezitë “Korbi” dhe “Annabel Lee”. Tre shkrimet e Atjon Zhitit, përkatësisht : “A jemi gati për atë që duam?”, “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…..”, “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia”, janë artikuj që do të kishin nderuar edhe publiçistë të shquar, madje edhe me dhjetra vjet veprimtari. Janë modele të mendimit bashkëkohor mbi filozofinë e politikës dhe kanë një kostante që i përshkon e mbetet përherë e pranishme : është shqetësimi për realitetin shqiptar, për anët e tij t’errta, për sëmundjet e tij kronike, për rrugën në të cilën ecën shoqëria dhe institucionet e saj. Analiza e Djaloshit filozof ishte sa e thellë aq edhe e gjërë. Ajo merrte jetë nga një vëzhgim i mprehtë dhe i imtë i së vërtetës jetësore, mbi të cilën përsiatja vepron katërcipërisht me thikën e kirurgut, duke operuar mbi një trup që kishte të meta të lindjes, por më shumë të edukimit, të cilat Autori i ri  i vendoste mirë në kohë e që përkonin me 70 vitet e fundit të historisë shqiptare.

            Shkrimi i parë ishte tfillimi i një pyetjeje që djaloshi i drejtonte së pari vetes e, më pas, edhe mjedisit të ngushtë e më pak të ngushtë të bashkatdhetarëve të tij : “ A është vërtetë vendi i im i gatshëm për atë çka aspiron dhe, a e ka kokën midis shpatullave të veta, të cilat duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë së ambicjes dhe të veprimit të duhur, apo e ka zhytur mes reve në një qiell ëndrrash?”. Pyetja vinte si  përfundim i një arsyetimi 360° mbi Shqipërinë dhe botën në të cilën ajo hidhte hapat e saj. Autori kishte lindur më 1995, në periudhën e pas komunizmit, ishte përfaqësues i një brezi që nuk njihte “mëkatin origjinal”, i cili vazhdonte të ndikonte dukshëm atë shoqëri, të cilën Ai e kërkonte më të zhdërvjelltë, më të urtë, më të moralshme, më të shëndoshë. Komunizmin Ai e njihte si dukuri shoqërore më shumë nga librat e çmuara të babait të tij se sa nga “kujtimet e veteranëvet”, apo nga “veprat” e historishkruesve të tij. Ai nuk merrej me të si dukuri historike apo shoqërore, e quante të kaluar, e hidhte mbas krahëve e shikonte përpara. Por perspektiva e një Vendi, që ecte si kërmilli në një botë që vraponte, e bënte të kthehej mbrapa në kujtesën historike, në rrënjët, në kohë të lashta kur, në këtë truall lulëzonte një kulturë e ardhur nëpërmjet fuqisë së armëve dhe fatalitetit historik, por që kishte rezultatet e saj në mësimet që jepte në rrugën e qytetërimit. Qytetërimi nuk është vetëm luftë për lirinë, është edhe përpjekje e vazhdueshme për të ndërtuar një bashkësi njerëzish që të mos jetë “pré e depredimeve të barbarëve, pré e nepotizmit, pré e korrupsionit, pré e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, pré e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.” Kjo ishte tablloja e shoqërisë shqiptare sot, në sytë e një të riu të ndritur, që kishte ruajtur virgjërinë intelektuale, si rrallë kush ndër moshatarët e tij, një i ri që ishte i vetëdijshëm për gjëndjen e atdheut, “një rrethinë e errët” në “mega-qytetin” e dukurisë  së globalizimit. Filozofi i ri e shikonte me dhimbje këtë tabllo e arrinte në përcaktimin e diagnozës së një gjendjeje, të cilën mendonte t’a ndryshonte duke vënë gishtin mbi plagën më të majisur të saj, korrupsionin.

Me dhimbje vinte ré se mungonte “kujtesa kolektive”, që duhej të na bënte të nxirrnim mësimet e duhura nga e shkuara jonë, për të mos i përsëritur gabimet e saj sot e, aq më tepër nesër. Shqetësimi për këtë gjëndje merrte përmasa sarkastike, kur Autori, në kontekstin e një bote ku nuk mungojnë shembujt e luftës kundër korrupsionit, vërente se në Vendin e tij “mëkatarët gjithashtu janë tepër naivë për të ditur se ç’bënin e ç’bëjnë e jo më për të pranuar fajet e tyre.”. Më shumë idhtar i filozofisë klasike e i parimeve tolstojane për ndryshimin e shoqërisë, se sa i “gijotinës”, Atjon Zhiti arrinte në përfundimin se “Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku të bëjmë një kryengritje morale të vazhdimtë.” Ishte  shprehje e një strategjie të qartë, në të cilën tejdukej roli i drejtuesit në një rrugë që ishte pothuaj e pashkelur, në përvojën tonë si komb. A do të kishte patur fuqinë dhe përkrahjen për t’i a dalë në krye me sukses ? Mosbesimi bëhet i detyruar….

            Shkrimi i dytë ishte një traktat i shkurtër mbi koncepte të njohura si ligji dhe e drejta, si shteti, origjina dhe institucionet e tij, shoqëria dhe politika që prodhon ajo, raportet në format e ndryshme të organizimit e të mbarështimit të marrёdhënieve shoqërore e të mënyrave të ndryshme të qeverimit. Duke anashkaluar pjesën teorike të shpalosjes së koncepteve, hasim edhe në këtë shkrim konstatime, që nuk janë gjetje të fshehtash misterioze, por fotografime të përpikta të një realiteti prej një idealisti që ruante me ngulm opinionet e tij, duke mos pranuar asnjë kompromis për hir të rrethanave apo “llogarive” të s’ardhmes. Për Të Shqipëria politike, një Vend ku “ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh….. janë të kundërt e përplasen”, “ku të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona” , ku qytetari, edhe kalimtar, mbetet i “vrerosur ndaj mahnitjes karshi shëmtisë, shëmtisë jo vetëm konkrete”, me standartet e saj anadollake e komuniste, mbetej e papranueshme, duke paraqitur simptoma të rrezikëshme që kërkonin një ndërhyrje të shpejtë.

            “Pa dyshim një Shtet i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet”. Nuk kursente askënd Djaloshi filozof e, para një palëvizshmërie alarmuese të shoqërisë, që ishte gangrenizuar në format e projektet fillestare të ndryshimit të regjimit, në krijimin e një polarizimi pasuror ku pushteti ishte kthyer në një oligarki, ku pasuria e paligjëshme kishte pushtuar institucionet dhe rrezikonte demokracinë, duke vënë në pikëpyetje moralin dhe vlerat e trashëguara, Ai thërriste në ndihmë “revolucionin jo të dhunshëm” të Sokratit të lashtë, por përfundonte duke nxjerrë në pah një fragment të Faik Konicës, mbas një gjykimi tepër lartësues e subjektiv për të. Fragmenti ishte një seri pyetjesh në lidhje me rolin e të rinjve në ndryshimet shoqërore të Shqipërisë. Mbetej problemi i përjetshëm, ai i shpresës tek të rinjtë, tek vrulli i tyre, tek pastërtia e idealeve, tek gatishmëria për të luftuar në sendërtimin e tyre, tek horizonti i hapur dhe mos pajtimi me “kënetën”, ujin e palëvizshëm. Autori ishte i bindur se duhet të ishte brezi i tij që duhej të kërkonte me forcë ndryshimet, larg demagogjisë e premtimeve të pambajtura të baballarëve të tyre, “studentëve të dhjetorit”, që çdo vit përkujtonin, pa patur kurajën asnjëherë të bënin “mea culpa”, për gjëndjen e cila revoltonte Atjonin, e për të cilën kishin dhe ata një pjesë përgjegjësie….

            Shkrimi i tretë “Kur u shpik 1+1, mizoria që lulëzon nga dobësia” me shumë dhimbje mund të quhej “testamenti” i Djaloshit Zhiti. Ishte një “lectio magistralis” mbi gjëndjen e Shqipërisë e plagët më të thella të shoqërisë së saj, që kishin në qendër të tyre një term që përdorej, pa kursim, edhe në shkrimet e tjera : korrupsioni. Ishte kjo sëmundja që kërcënonte t’ardhmen e Shqipërisë, që e mbante atë jashtë proçeseve përbashkuese të kontinentit, që çorodiste funksionimin e institucioneve, duke filluar nga ata të Drejtësisë, që krijonte mosbesim në Shtetin, brënda e jashtë tij, që mbillte pasiguri e mosbesim tek ata, si Atjoni, që e shihnin t’ardhmen e tyre të lidhur me atë të Atdheut. Pyetjet vazhdonin edhe në këtë shkrim, ishte një bashkëbisedim i hapur e i sinqertë i Djaloshit me Vendin e tij, në të cilin Ai i vinte një pasqyrë para syve Atdheut. Autori sulej me tërbim kundër një rendi gjërash, në të cilin “seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit”, ku rrezikohej kataklizma e shoqërisë, mbasi “Kur politika nuk  dallohet më nga rruga, pasoja e menjëherëshme dhe e pashmangëshme është një mynxyrë”. Për të shmangur këtë rrezik “Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale”. Ai shihte në një prirje përtrirëse të klasës politike, që duhej të kishte burrërinë të njihte mangësitë e gabimet e saj “një rreze drite që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë”. Djaloshi iluminist, që kalonte në sitën e parimeve të gjithë spektrin e njohur të shoqërisë, vërente me keqardhje se “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg, si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist”. Shkrimi në mbyllje pasqyronte këtë zhgënjim, sepse ai shihte se ata që mbanin ”monopolin” e së vërtetës, që drejtonin politikën ishin bartës e propagandues të “pseudo të vërtetave e pseudo vlerave” dhe shtonte : “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara, prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur, plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat….”

            Këta ishin disa nga kumtet që na linte Djaloshi filozof, Atjon Zhiti, që dëshmojnë përmasat e personalitetit, të karakterit e të intelektit të tij, ai i një pararendësi të iluminizmit shqiptar, nëse do të vijë ndonjëherë…..

            20 dhjetori 2014 qe një ditë e zezë jo vetëm për familjen Zhiti, së cilës i shoi dritën e syrit, por edhe për Shqipërinë, që pësoi humbjen e njërit prej bijve të saj më të vlefshëm, një pionieri të palodhshëm të përparimit, një shprese, një rreze drite, që ndoshta do të kishte qënë një nga pishtarët ndriçues të s’ardhmes së saj. “Vdes i ri ai që për qiellin është i shtrenjtë” shkruante 2200 vjet më parë Menandri, athinasi i madh i komedise.

            I përjetshëm qoftë kujtimi i ëmbël i Atjon Zhitit, së bashku me idetë që lëvrinin në mëndjen e Tij e që i shërbenin gjithmonë të njëjtit synim : lartësimit shpirtëror, kulturor dhe moral të shqiptarëve e të Shtetit të tyre e institucioneve të tij, të një bote të vogël, me të cilën Ai ishte i lidhur në një dashuri të sinqertë që ushqente për të.

Filed Under: Opinion Tagged With: Atjon Zhiti, Eugjen Merlika, Kumtet

HIJET E ERRËTA TË SË SHKUARËS

April 14, 2019 by dgreca

“Kujtimi I ditëve të shkuara është gjykatësi I jetës së njeriut. Lum ai që kur sheh mbrapa ndjen fërfëllimën e paqes së një engjëlli, mjerë ai që në çdo vështrim që I hedh së shkuarës vreroset nga një pendim I shterpët”

                                              MAHLMAN (1771 – 1826), poet lirik gjerman

            Ditët e fundit, nëpërmjet disa shkrimesh në gazeta shqiptare, qemë të pranishëm në një përshkallëzim të rrahjes së mendimeve mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Ra në sy, në mënyrë të veçantë, një shkrim i gjatë i një njeriu të lakuar shpesh herë në atë fushë tragjike t’atyre realiteteve të dhimbëshme, që qenë burgjet politike me punën e detyruar në vitet 80, ish komandantit të kampit të Qafë  Barit e më vonë drejtor I përgjithshëm I Drejtorisë së zbatimit të vendimeve penale, Edmond Caja.

            Përballë një filmi dokumentar, të luajtur mbi një nga ngjarjet më të rënda të historisë së burgjeve, asaj të kryengritjes së Qafë Barit, e cila përfundoi me ekzekutimin e dy të dënuarvet, vrasjen pa gjyq të një tjetri e dënimet me shumë vite burg për njëmbëdhjetë të tjerë, Edmond Caja vendos “të thyejë heshtjen e tij 28 vjeçare”. Shkruan një përkujtesë mbrojtëse për t’i u drejtuar opinionit publik shqiptar, duke u përpjekur të hedhë poshtë paditë e kryer ndaj tij prej disa njerëzve, ish të dënuar, por edhe jo të tillë.

            Autori i përkujtesës ka zgjedhur taktikën e sulmit ballor kundrejt të gjithë atyre, të njohur e të panjohur, kryesisht ish të dënuar, si shkrimtari Visar Zhiti, Haxhi Baxhinovski, Kastriot Çaushi, Bedri Blloshmi, Lekë Frroku, por edhe jo të dënuarish si zonja fisnike Fatmira Dine, Agron Tufa, kryetar i komitetetit për zbardhjen e krimeve të komunizmit, Kastriot Dervishi, historian e punonjës arkivash. Merr përsipër një mision të vështirë, që ve në provë aqpeshimin psikologjik i cili, në mungesë argumentash, strehohet në një narçizizëm vetëvlerësues, herë herë të papërmbajtur, që krijon përshtypjen e një vetëhipnotizimi. Ky i fundit vlen për të krijuar një tjetër realitet, për të cilin nuk gjen asnjë përkrahje të hapur, qoftë dhe nga ata ish të dënuar për të cilët mëton se i ka ndihmuar gjatë periudhës së burgut e me ndonjerin prej tyre shkëmben mesazhe nëpërmjet postës elektronike. N’atë proçes që i ngjet kacavjerrjes në pasqyra, atij i pëlqen të kthehet mbrapa në kohë, në moshën e ëndrrave, të mbarimit të shkollës së Sigurimit, për të gjetur në rininë e tij, atë personazhin e dyzuar, njeriun që madje i afrohet mendërisht viktimave të tij të mëvonëshme.

            “Të gjithë bashkëkohësit në shkollën e Ministrisë e dinë se emërimi im ishte poshtërues në raport me nivelin që kisha, ishte ndëshkues për andrallat që në vite ju kisha hapur si zë kritik, ishte riedukues.”

            Edmond Caja, student në shkollën e Sigurimit, në vitet e tmerrshme 1978 – 1982, kur arrestimet e dënimet arritën kuota të pazakonta, i emëruar me punë në Repartin 311 të ministrisë së Brëndëshme, e quan veten një rebel, të cilin e kishin flijuar në moshën 23 vjeçare nën “Dy hektarë qiell, thellë në pyjet e Munellës, Repart riedukimi, punë me të dënuar, edhe këto për një djalë të ri 23 vjeçar, nga Tirana, gjimnazist i “Qemal Stafës”, që dikur luante piano e violinë, dhe luante plot pasion basketboll.”

Kjo është përfytyresa që autori ka vendosur t’i japë që në fillim lexuesit për veten. Se sa pajtohet ky imazh me atë të një oficeri që, në vetëm shtatë vjet, arrin të bëhet njëri ndër kuadrot më të rëndësishëm të ministrisë së punëve të Brëndëshme, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve të Shqipërisë, vetëm një mëndje e errësuar nga mungesa e gjykimit mund t’a konceptojë. Përfytyresa e dyzuar do t’i shërbente Cajës për t’u shkëputur mendërisht nga e shkuara e tij, por kjo e fundit është shumë e fortë, madje mizore e bart në vetvete dhe një krim të përbindshëm si këputjen në mes të një të dënuari, një veprim në kundërshtim edhe me ligjin të cilit i ka shërbyer.

Ky është makthi që e shoqëron atë dhe atje, në “mërgimin e artë”, në Vendin më të madh e më të zhvilluar të Evropës. Është si hija e Bankos që shoqëron Makbethin deri në fundin e tij, një hije me të cilën ai ka luftuar në heshtje, në brëndësi të tij, larg Shqipërisë me shpresën e vakët që koha të mund t’a fashiste me forcën e saj ripërtëritëse. Ky ishte projekti për veten dhe familjen, i bazuar në një mashtrim, në një copë letër, të nënëshkruar nga ndonjë ish “armik i klasës”, i cili në “demokracinë” pas komuniste mundohej t’i bënte mirë edhe ish xhelatëve të tij. Në atë copë letër me firmë e me vulë “dëshmohej” se ish romantiku i “Qemal Stafës”, kishte qënë një njeri i përndjekur nga regjimi, një dokument që do të besohej nga zyrtarë të Gjermanisë të bashkuar, të ndjeshëm ndaj këtyre rasteve, si pasojë e përvojës së tyre me Stasin e Lindjes së tyre.

Caja nuk flet për jetën e tij mbas ikjes nga Shqipëria. Është një kapitull, për të cilin nuk dëshiron të hapet, mjaftohet me tregimin e një episodi të një padije nga ana e zonjës Dine, të cilën ai e kalon lehtë me një kundërpadi ndaj saj, që  prokurori gjerman e arkivon. Ky i fundit,  duke mos u thelluar në atë që vinte nga Shqipëria, jo “për të bërë padinë e gjyshit të vrarë më 1944”, siç mëton në mënyrë foshnjarake autori, por sepse në sytë e njerëzve të përndjekur për gati gjysmë shekulli nga diktatura komuniste shqiptare, strehimi politik për ish drejtorin e përgjithshëm të burgjeve të regjimit, në një demokraci perëndimore, tingëllon si një anakronizëm i pakonceptueshëm.

Por rasti ishte tepër i veçantë e mbartëte në vetvete të fshehtën e tij. Në lidhje me të z. Kurt Kola tregon një episod domethënës në një shkrim të tij: si kryetar i ish të përndjekurve politikë kohë më parë i kishte kërkuar zyrtarisht ish presidentit Berisha të ndërhynte pranë Shtetit gjerman për dorëzimin e Edmond Cajës në Shqipëri e nxjerrjen para gjyqit për vrasjen e Sandër Sokolit. Presidenti i ishte përgjigjur prerë se ishte interesuar e kishte marrë vesh se personi ishte parë me sy të mirë në vendin ku jetonte. Është shumë treguese kjo dëshmi për të arritur të kuptohet se cilët kanë qënë ligjet e pashkruara që kanë qeverisur të gjithë periudhën e kalesës mbas komuniste në Shqipëri….

Për të ndrequr përfytyresën e tij në postet e rëndësishme që ka mbajtur, Edmond Caja i rrëfehet një ish të dënuari: “ajo periudhë nuk përbën lavdi për asnjë individ… qe një periudhë fatkeqe për ne si brez”. Do të ishte bindëse deri diku një shprehje e tillë në gojën e një ish zyrtari të lartë të majës së diamantit të diktaturës, sikur përkujtesa të ishte një kritikë e hapur e së shkuarës së tij, por ish komandanti i Qafë Barit mundohet të bindë lexuesin se jo vetëm nuk është një ushtrues i dhunës, por që ka qënë një “shenjt” që ka lehtësuar jetët e vartësve të tij, duke treguar episode “bamirësie” mes të burgosurve, të cilët janë thjesht veprime që ishin të detyrueshme për postin e tij zyrtar.

“Shërbeva në një detyrë të vështirë në moshën më të bukur të jetës, e prania e ime aty ku isha, jam i bindur se më shumë ka ndihmuar në lehtësimin e vuajtjeve se sa i ka bërë ato edhe më të padurueshme”.

Është fraza në të cilën hipokrizia dhe mashtrimi arrijnë majën, me qëllimin e keq të bëjë të pabesueshëm të gjithë ata që kanë folur për të, duke treguar paudhësitë deri në krim të tij. Gënjen veten se dikush do t’i besojë, madje arrin të gjejë mirëkuptim  tek të ngjajshmit e tij, të fshehur pas pseudonimeve në komentet me të vërtetë të ndyra në faqet e internetit. Por “harron” se n’atë “bamirësi” një vënd të posaçëm zë vendimi për të mbyllur me llamarina nga jashtë dritaret e burgut, një nismë e tij për t’i mohuar të dënuarvet edhe dritën e diellit në banesën ku flinin.

Kjo prirje për të mos pranuar paditë që i bëhen nga shumë njerëz, pra për të mos zbuluar personalitetin e tij të vërtetë, e shtyn t’armatoset me të gjitha mjetet e mundëshme, kryesisht me armët e shpifjes, të gënjeshtrës, të diskreditimit të atyre që kanë thënë të vërtetën për bëmat e tij. Në këtë drejtim ai i kalon të gjitha caqet e etikës njerëzore e kthehet në atë qënien e tij të lashtë, me ADN e lindur bashkë me të, që i ka nxitur e frymëzuar atë mizori, e cila e bëri të ngjiste shkallët e karierës, deri në majat më të larta të sistemit të dhunës.

Në shënjestrën e tij hyjnë të gjithë, por helmin më të fortë ai e ruan për shkrimtarin Visar Zhiti, një ndër përfaqësuesit më të spikatur të botës sonë letrare, një nder për të gjithë kombin shqiptar. Me pafytyrësinë e një shpifësi, sa të ngushtë në shpirt, aq dhe të varfër në mendime, Edmond Caja i bën Visarit një pyetje: “Pse u trasferua nga Spaçi në Qafë Bari dhe pse në Qafë Bari punoi në ofiçinë?”. Shpreson me këtë pyetje prej leshkoje të verë në vështirësi një njeri që ka ruajtur dinjitetin e tij në provat më të mëdha, më të dhimbëshme e më të mundimshme që jeta i ka vënë përpara. Vobektësia e shpirtit dhe ligësia e tij arrijnë deri aty sa të shpikë dy motive, në stil shqeto komunist, me të cilët ai pandeh se do t’a mposhtëte atë që e quan armikun e tij, sepse në romanin epope “Ferri i çarë” e gjen veten  si personazh, në përmasat e së vërtetës, të cilën ai do t’a varrosë me çdo kusht, por pa mundur të lirohet kurrë prej saj. Ai e din mirë se libri i Zhitit do të vazhdojë të lexohet edhe në t’ardhmen, edhe ndër breza të tjerë, e dëshmia e tij do të mbetet e shkruar  të zezë mbi të bardhë edhe kur ne nuk do të jemi më në këtë botë. E vërteta, si drita e diellit është se asnjëra nga këto padi nuk qëndrojnë. Visar Zhiti ka shkuar në Qafë Bari së bashku me të gjithë të dënuarit e tjerë dhe ka punuar gjithmonë në minierë, pa e ditur as drejtimin nga ishte ofiçina. Për këtë është dëshmitar një kamp i tërë.

Nëse fjalët vetëlavdëruese të Edmond Cajës kanë vërtetësinë e kësaj padie, është e qartë se e gjithë përkujtesa është e mbështetur në mashtrime të pafund që mund të kenë meritën të gënjejnë ndonjë idhtar të diktaturës ende sot, por që nuk mund të hedhin poshtë e të mohojnë paditë nga ish të dënuarit apo njerzit e tjerë që kanë folur për të të bazuar në fakte të vërteta. Po aq pa bazë janë edhe shpërthimet e Cajës kundrejt Agron Tufës e Kastriot Dervishit që, për detyrat që kanë duhet të zbulojnë e të nxjerrin në pah krimet e komunizmit edhe nëse kjo gjë do të shkaktojë shqetësime autorëve apo miqve të tyre, qoftë edhe në nivele të larta të Shtetit. Është një gjë e pazakontë që publikimi i këtyre të vërtetave historike, jo shpifjeve të zakonshme komuniste, por e fakteve të pakundërshtueshme e të dokumentuara të shfaqjeve të ndryshme të së shkuarës të shihet ende me dyshim e të shkaktojë kundërveprime si ata të kohëve të fundit.

“Ky shkrim ishte një borxh që më së fundi e shleva ndaj gruas time të mrekullueshme, fëmijëve të mi që këtu nderojnë jo vetëm familjen por edhe emrin e shqiptarit, nënës time 90 vjeçare…Shlyej një detyrim ndaj miqve e shokëve që jo njëherë këmbëngulnin që unë të flisja”.

Autori mendon se e ka shlyer atë detyrim ndaj familjes së tij, gjë që po t’ishte e vërtetë, pasojë e një pendese të sinqertë, ndoshta do t’ishte bindës dhe i dobishëm. Mënyra që ka zgjedhur ai për të përshkruar e përligjur jetën e tij nuk e plotëson atë qëllim, nuk i davarit retë e zeza të një të shkuare që vazhdon të projektojë hijet e saj ende mbi të tashmen e t’ardhmen e shqiptarëve.

Prill 2019                                                                                Eugjen Merlika      

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika

LUFTA PËR PUSHTET DHE INTERESAT E SHQIPTARËVE

April 10, 2019 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Më 3 prill u zhvillua protesta e tetë e rradhës, në stinën më të pasur me të tilla në historinë shqiptare. Nota pozitive, ndoshta e vetmja e dukëshme e tyre, mbetet fakti që kundërshtia e theksuar respektoi deri tani caqet e një të tille, sado të ashpër, por pa shpërthyer në skena masive të dhunës, të cilën po e shfaqin në mënyrë të përsëritur një pjesë e vogël jelek verdhësh në Francën e qytetëruar. Por ngushullimi i këtij fakti, megjithë rëndësinë e madhe të tij, nuk arrin të fashisë shqetësimin e shumë shqiptarëve në Atdhe, apo kudo në botë ku jetojnë e punojnë, për fatet e Vendit të tyre në prag të një pritjeje të tejzgjatur për të filluar bisedimet për hyrjen në BE.

            Nuk është tjesht një rastësi fakti që pështjellimet në politikën shqiptare të pas komunizmit, shpesh përkasin me hapin e fundit që Shteti pret të hedhë në drejtim të bashkimit konkret me ata institucione të kontinentit që, në sytë dhe mëndjen e banorëve të tij, përbëjnë synimin për t’u arritur me çdo kusht, një ide e përqafuar që në ditët e para të tronditjes së regjimit komunist. Nuk është rastësi që të gjitha qeveritë shqiptare të këtyre tridhjetë viteve, me përjashtim, deri diku, të së parës Qeveri demokratike, janë paditur nga kundërshtarët e tyre në opozitë për korrupsion, vjedhje të votave, paligjshmëri, përfitime vetiake, pasurim marramendës e të tjera paudhësi. Madje këto padi janë kthyer në një refren të përhershëm të jetës politike. E sado që ndërsjelljet në pushtet kanë pasuar njëra tjetrën, shëmbëllimi i dukurisë ka mbetur gjithënjë i njëjti, gjë që tregon se, në pjesën dërmuese të saj, klasa politike ruan barazpeshën e përfytyresës së saj negative, me pasoja dramatike për jetën e shqiptarëve.

            Sot gjindemi në një qorrsokak ku nuk shihet rrugëdalja, në të cilin shumica qeverisëse, e personifikuar në figurën e Kryeministrit dhe Opozita, e vetëdeklasuar si institucion, ecin në dy drejtime krejtësisht të kundërta, duke u vënë në garë kush mund të përgojojë, të shajë e të zhvlerësojë sa më shumë kundërshtarin. Kjo gjëndje merr përmasa shqetësuese gjithënjë e më tepër, kur tfillohet në kuadrin e pritjeve të rëndësishme para të cilave jemi, duke filluar nga reformat në vazhdim në drejtësi, apo në fushën zgjedhore, në votimet për drejtuesit vendorë, e deri tek vendimi i BE për të filluar bisedimet mbi pranimin në të të Shqipërisë.

            Pa hyrë në shtjellimin e hollësishëm të arsyeve apo mosarsyeve të dy kampeve kundërshtarë, mendoj se ajo që është e dukëshme tregon një papërgjegjshmëri të lartë kundrejt interesave të çastit e të s’ardhmes së Shqipërisë. Papërgjegjshmëria binjakëzohet me një pandershmëri intelektuale që shfaqet në mosnjohjen e gabimeve, apo në pranimin formal e në formë të përgjithëshme të tyre, në lënien në heshtje të skandaleve politikë, në prirjen autoritariste të manipulimit të dukurive në kundërshtim me të vërtetën, në tjetërsimin e kësaj të fundit në dobi të interesave vetiake, partiake apo klanore.

            Tani flitet, ndër të tjera, edhe për reformën zgjedhore që, ende mbas gati dy vitesh është ndalur në vënd numuro, aq sa të jetë e pazbatueshme në votimet e pritme të 31 qershorit. Tani, mbas 28 vitesh nga zgjedhjet e para pluraliste, politika kujtohet se sistemi i numurimit të votave, i përbërë nga komisione të zgjedhur nga partitë kryesore i ka hapur shtegun tjetërsimit të përfundimeve të votimeve, dhe se ai nuk është faktori kryesor i dukurisë së turpëshme të vjedhjes së votave. Tepër vonë, zotërinj politikanë, jeni kujtuar t’u besoni  qytetarëvet jashtë partive numurimin e votave, siç ndodh në botën demokratike e siç është sugjeruar nga dhjetra shkrime të kësaj kohe. Thoni se do të krijoni mundësi të mërguarve të votojnë aty ku jetojnë, keni zbuluar ujin e ngrohtë, ka më se njëzet vite që kërkohet kjo nëpërmjet shumë artikujve të botuar, por pa asnjë ligj n’atë drejtim. Ndoshta i jeni trëmbur votës së të mërguarve nga frika se mund të ndryshojnë barazpeshat politike, për të cilat keni bërë një “marrëveshje” në vitin 2008, e cila e ka ballsamosur jetën politike, duke i hapur udhë prirjeve autoritariste të drejtuesve të dy apo tri partive, që vendosin në pavarësi të plotë për emrat e atyre të cilëve populli, aq shumë i përmendur si “sovran”, do të vendoste, pa i njohur fare, si përfaqësues të tij në Kuvendin e republikës.

            Sa kërkesa e propozime nga opinioni publik mbarëshqiptar janë shtruar në këta vite të pas komunizmit, për të ndryshuar një nen të kushtetutës e për të vendosur zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit nëpërmjet votimit të përgjithshëm. Asnjëherë nuk është marrë në shqyrtim një mundësi e tillë, mbasi është parapëlqyer që të zgjedhurit e listave të kryetarëve të partive të kenë në dorë edhe autoritetin më të lartë të Shtetit, që të kenë n’atë vend një roje të bindur të interesave të tyre. Përvoja e shumë Vendeve si Austria, Rumania, Sllovakia etj. ka provuar se një Kryetar i zgjedhur nga populli ka autoritetin e duhur për të qenë mbi palët politike, në dobi të interesave të gjithë qytetarëve.

            Kryeministri, në seancën e fundit të Kuvendit e blindoi marrëveshjen e vitit 2008, duke paraqitur si argument faktorin gjinor, që në sajë të listave të hartuara prej tij, i paska hapur dyertë e politikës grave e vajzave. Vlen të kujtohet se gra të njohura të politikës botërore janë shprehur kundër barazisë gjinore të detyruar me ligje, mbasi parimi kryesor i mbarëvajtjes së jetës politike duhet të jetë ai i meritokracosë, pa bërë as më të voglin dallim ndërmjet sekseve. Personalisht e quaj një gjë tepër pozitive pjesëmarrjen e grave në politikë, mbasi ato janë më të imunizuara se burrat, për natyrë, në ballafaqimin me faktorët brejtës të asaj jete, siç është abuzimi me detyrën për motivet më të ndryshme. Por ajo pjesëmarrje nuk duhet të jetë shprehje e vullnetit apo mos vullnetit të kryetarit të partisë, por e një serie rrethanash që përcaktojnë mjedisin e përshtatëshëm shoqëror  që ve në të njëjtin start nisjeje mashkullin e femrën e që i jep vëndin e duhur secilit simbas aftësive, përkushtimit e shtatit moral e intelektual.

Kjo duhet të jetë Shqipëria evropiane, një shoqëri e hapur e pa paragjykime, që i njeh secilit pjesëmarrës të saj të drejtën për të garuar, por që i jep me paanësi secilit vëndin e merituar. Fatkeqësisht jemi ende shumë larg asaj etape të zhvillimit e kjo është njëra nga arsyet që mbetemi në vende krejt të papërfillëshme në shkallëzimet botërore. Prandaj në Shqipëri ndodhin gjërat më të pabesueshme, si fakti që shoqëritë naftënxjerrëse kanë 15 vjet që “kanë gjetur Amerikën”, që hanë marrin e ikin pa paguar asnjë qindarkë në buxhetin e Shtetit shqiptar. Apo ndoshta ata i depozitojnë detyrimet e tyre financiare në llogaritë e disa “drejtuesve”, diku në Vendet më mikpritëse të hajdutëve e batakçinjëve të botës, sepse është e ligjëshme dhe e natyrshme të mendohet kështu para një fakti, sa të padrejtë aq dhe të pakuptueshëm, që dikush nga cilido Vend i botës të vijë në atë më të varfërin e Evropës, të fitojë 3,5 miliard dollarë e të shkojë i patrazuar pa paguar asgjë.

            Kurse nga ana tjetër për shqiptarët taksat e karburantit kanë arritur në 66% të vlerës së përgjithëshme të shitjes së tij. Madje në raport me t’ardhurat, Shqipëria është një nga Vëndet ku një litër benzinë merr 10,3 % të pagës mesatare ditore, kur në Francë ajo kap 1,3 %, në Bosnjë 7,1 % e në Maqedoni 7,2 %. Shteti shqiptar tregohet kaq “bujar” ndaj kompanive të huaja, por ende mbas më shumë se një të katërt shekulli, nuk plotëson premtimin e kthyer në ligj të pagesës së dëmshpërblimevet për punën e papaguar të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për taksimin e objekteve faraonike të turizmit, për të cilët zbatohet tarifa e TVSH me 6%, ndërsa në të tjera veprimtari ekonomike ajo arrin në shifra dy apo trefish. Mund të vazhdohet me një listë të gjatë të dështimeve ekonomike në shfrytëzimin e aftësive potenciale të Vëndit, por qëllimi i shkrimit është gjëndja kaotike në të cilën është futur politika shqiptare e perspektiva e zymtë që e pret atë.

            Në ditët e para Kryeministri dhe kryetar i PS në pushtet u tregua i gatshëm për të biseduar në lidhje me krizën, e pashembullt në gjithë historinë e kalesës, por ky qëndrim erdhi duke u ashpërsuar deri në një mospranim të prerë të çfarëdo mundësie bisedimesh, si përgjigje kundrejt kërkesave të Opozitës për dorëheqjen e tij. Ky mur kundër muri nuk i sjell asgjë të dobishme Shqipërisë, pavarësisht argumentave demagogjikë të dy palëve. Është një gjëndje që kërkon një gjyqtar dhe një ndërmjetësues, aq më tepër nëse Opozita vendos të braktisë zgjedhjet për organet vendore. Normalisht ky duhej të ishte roli i Kryetarit të Shtetit, po të kishte tagrin që do t’i kishte dhënë zgjedhja me votim të përgjithshëm. Por kryetari Meta, me qëndrimin e tij të mefshtë e valëzues, nuk frymëzon besim, edhe për faktin se ai për arsye vetiake e politike nuk mund të mbetet asnjanës. Madje në një deklaratë të kohëve të fundit ai foli për një prirje “flijimi” si ish presidenti i Kilit Salvador Allende në vitin 1973, kur u vetëvra në pallatin Moneda, për të mos rënë në dorë të ushtarakëve kundër komunistë. Kjo deklaratë e ka vështirësuar edhe më shumë gjëndjen.

 Në mungesë të një organi gjyqësor t’aftë për të marrë në shqyrtim paditë e Opozitës për dosje përgjimesh që vërtetojnë vjedhjen e votave e të një ndërmjetësuesi shqiptar me besueshmëri të dyanëshme, nuk mbetet tjetër veçse shpresa tek diplomacia ndërkombëtare, që duhet të vijë e të rregullojë punët tona, një tjetër dështim i hapur jo vetëm i klasës politike, por edhe i shoqërisë shqiptare që e ka prodhuar atë.

 Me gjasë skenari më i mundshëm është  që Qeveria dhe shumica të shkojnë përpara, pa përfillur protestat të cilat, në synimin e organizatorëve, duhet të vazhdojnë në pafundësi, jo vetëm me shkarkimin e kryeministrit, e me ngritjen e Qeverisë teknike, por edhe me arrestimet e përgjegjësve të supozuar të vjedhjes së votave. Por ndërsa kryeministri ka në dorë një atu, atë të marrëveshjes së vitit 2017, mes tij dhe Bashës, ky i fundit në kundërshtinë e hapur ndërkombëtarëve, mund të shpresojë vetëm në një përshkallëzim në përmasa të stërmëdha të protestës popullore, me pasoja të papërcaktueshme, por që nuk përjashtojnë asgjë, as hipotezën më të keqe.

Ndoshta edhe raporti i Komisionit Evropian që, me shumë gjasë, do t’u ngjajë atyre parardhës edhe në këtë vit, do t’u kujtojë shqiptarëve se lufta për pushtet e përfaqësuesve të tyre, kur del nga shinat e normave dhe parimeve normale demokratike, është në gjëndje të kthejë mbrapsht akrepët e orës së tyre historike, në një gjëndje në të cilën nuk do të kishte fitues e të humbur, mbasi humbës do të ishin të gjithë shqipfolësit. Por ndoshta mund të ketë edhe një mundësi tjetër: mbas shtyrjes tjetër të rradhës nga Komisioni evropian, gjakrat të fashiten, mbasi misioni u krye e mund tw shtyhen edhe pështjellimet e politikës shqiptare. Prill 2019                  

NGA EUGJEN MERLIKA/

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

VETMIA E PERANDORIT

February 7, 2019 by dgreca

Shkruar nga Eugenio Buzzetti/ perktheu per Diellin: Eugjen Merlika/*

Është një festim jo shumë i qëlluar. Kina kremton 40 vitet e reformave dhe hapjes, të përuruara nga Ten Hsiao Pin, ndërmjet turbullirave ndërkombëtare të çështjes Huawei dhe të dhënave pak inkurajuese t’ekonomisë. Fotografitë e shpërndara nga agjensia Hsinhua nga mbledhja solemne tregojnë presidentin Hsi Jinpin buzëqeshur duke i shtrënguar duart të ftuarvet, por pasiguritë e jashtëme të shkaktuara nga “njëanshmëria” dhe “proteksionizmi”, lexo nga ShBA e Donald Trump-it, po kthehen shpejt nga tregëtare në politike mbas mbajtjes forcërisht në Kinë të dy qytetarëve kanadezë, në një hakmarrje të hapur për arrestimin në Vankouver të drejtoreshës financiare dhe trashëgimtare e grupit Huavei, Meng Wangzhu, me kërkesën amerikane.

Jo vetëm: në planin e brëndshëm shtohen zërat jo gjithmonë në vijë me korin e lavdërimeve për presidentin, i rizgjedhur për të tretën herë e sot pa cak mandati. Hsi në fjalën e tij  të kremtimit të dyzetvjetorit ka vënë theksin mbi  vazhdimësinë me  të shkuarën e reformave të nxjerra në dritë nga Teni, duke premtuar një”mrekulli që do të habisë botën”. Përballë dëgjuesve të panumurt të mbledhur në sallën e Madhe të popullit në sheshin Tienanmen në Pekin, ka paralajmëruar: “Askush nuk mund të na thotë se çfarë duhet ose nuk duhet bërë”. Por një tregues kuptimplotë se jo çdo gjë shkon simbas parashikimeve shihet  duke lexuar komunikatën e fundit të nxjerrë nga Byroja Politike, organi i majës së partisë me në krye vetë Hsinë. Përtej sigurisë së zakonshme mbi rritjen ekonomike, 25 drejtuesit kombëtarë lënë të tejshihet një ndryshim, së paku në formën e shprehjes, nga besimi i së shkuarës: “Ndryshimet në bashkëthurjen ndërkombëtare dhe në kushtet e brëndëshme”, lexohet në njoftimin, “duhet të shihen në mënyrë dialektike, duke kërkuar nga partia të jetë e gatëshme të përballojë kundërshti të mundëshme”. Një gjë e re e paparashikuar.

Që nga vera e shkuar, që nga goditjet e para të luftës tregtare me Shtetet e Bashkuara, ishte ndonjeri që e quante të nevojshme një ndërrim hapi në rrafshin politik, ekonomik e shoqëror nga ana e administratës kineze, për të përballuar kundërgoditjet e zënkës tarifare. Ndërmjet këtyre Ten Juven, ish zëvendës drejtori i revistës Study Times, të botuar nga shkolla që formon pikërisht funksionarët e Pkk. “Zhvillimi i gjendjes mund të shkaktojë opinione gjithënjë e më të ndryshme në brendësi të partisë” kishte thënë pak përpara mbledhjes miqësore në nivel të lartë të Beidaihes, një qendër bregdetare pak orë udhëtimi larg Pekinit, në të cilën udhëheqësit kinezë, të soçmit e të së shkuarës, bisedojnë për strategjitë që do të zbatohen në t’ardhmen. Popullariteti i Hsi-së dukej në një rënie të lehtë: ndërsa në Pekin sy të vëmendshëm vinin re një pakësim të manifestuesve me imazhin e tij triumfues, qarkullonin zëra të një letre të dërguar presidentit kinez, të firmosur nga disa veteranë të partisë që kërkonin të rishikoheshin zgjedhjet e bëra n’ekonomi e në politikën e jashtëme.

Që nga fundi i verës kishin arritur më të qartë e më të fuqishëm kumtimet kritike të trashëgimtarëve të  aristokracisë së kuqe. “Duhet të kërkojmë të vërtetën e fakteve, të ruajmë kthjelltësinë e të dijmë kush është vëndi i ynë”, tha gjatë një fjalimi Ten Pufan, që është bash i biri i arkitektit të reformave kineze, Ten Hsiaopin-it, i kremtuar në këto ditë, dhe kryetar nderi i Federatës kineze të autizmit. Pasiguritë në rrafsh ndërkombëtar “janë në rritje”, ka vazhduar, dhe “gjëja më e rëndësishmenë këtë çast është të përballohen në mënyrën e duhur çështjet e Kinës”. Janë fjalë që tingëllojnë si një sulm kundër dëshirave në politikën e jashtëme dhe në zgjerimin ushtarak të presidentit kinez. Një tjetër antar i elitës së Partisë, Hu Depin, biri i ish sekretarit të përgjithshëm të Pkk Hu Jaoban, e ka kritikuar Hsi-në sepse, simbas mendimit të tij, ai shtrydhte ndërmarrjet private në garën me ndërmarrjet e mëdha të Shtetit. Pa asnjë lidhje të dukëshme me atë padi, në fund të tetorit Hsi ripërtëriti mbështetjen për ndërmarrjet private.. “Çdo veprim që mohon apo dobëson ekonominë private është i gabuar”.

Mbi të sotmen peshojnë kryesisht të dhënat e ekonomisë, që në tremujorin e tretë 2018 shënoi një ngadalësim prej 6,5 % mbi bazën vjetore (1,6 % mbi bazën e rrethanave të tanishme, 0,1 më pak në krahasim me të dhënën e tremujorit të dytë 2018, simbas përllogaritjes së Byrosë kombëtare të statistikave). Kështu Bursat botërore  janë kthyer në ulje mbas të dhënave të fundit të shpallura nga  të premten e shkuar nga Pekini, për pakësimin e shitjeve me shumicë, me një rritje prej 8,1 % në nëndor në krahasim me të njëjtin muaj të 2017, kundrejt 8,6 të tetorit dhe të prodhimit industrial, me 5,4 si bazë vjetore muajin e shkuar kundrejt 5,9 të tetorit.

Për të errësuar përfundimet në përparim të ekonomisë së dytë të botës arriti lajmi i botuar nga South China Morning Post e Hong Kongut që, gjithmonë nga Byroja kombëtare e statistikave që urdhëron provincën juglindore të Guandonit, baza industriale e Vendit, të mos përpilojë treguesin Pmi, që llogarit nivelin e atij sektori. E dhëna e fundit e botuar është ajo e shtatorit të shkuar e shënon një rritje të lehtë, në kuotën 50,2, por nuk ka asnjë tregues për të dhënat e tetorit dhe nëndorit: një mungesë që turbullon operatorët dhe le të kuptohet për t’ardhmen një ngadalësim të mëtejshëm t’ekonomisë.

Të sendërtohet ëndrra kineze e përtëritjes kombëtare “nuk do të jetë një shëtitje në park”. Me këto fjalë ishte shprehur Hsi vitin e shkuar, përpara 2300 delegatëve t’ardhur në Pekin për kongresin e 19 të Pkk që e blatoi udhëheqës pa pasues të dukshëm, duke lënë të kuptohet se do të ketë mundësi për turbullira, të cilat u dukën shpejt: qeverisë kineze i u desh të ulte tonet mbi një plan vendimtar, “made in China 2025” për zhvillimin e industrisë së përparuar, i parë jo me sy të mirë nga administrata amerikane; nisma e ndërmarrë nga Hsi në 2013, Belt and Road për lidhjen ndërstrukturore të Azisë, Evropës dhe Afrikës, ka ngjallur dyshime e qëndresë jashtë e nuk është pa kritika brënda.

Akademiku i moshuar Sun Wenguan, shpesh kritik me qeverinë, në një esè ka kërkuar të kthejë në dobi të zhvillimit të Kinës fondet e caktuara për projektin e madh: mbas pak ditësh ish profesori 84-vjeçar, ndërsa po i jepte një intervistë stacionit amerikan për jashtë Voice of America, u ndërpre nga mbërritja e policisë. Simbas disa dëshmive, është mbajtur n’arrest bashkë me gruan për disa ditë në disa hotele të qytetit. Një fat të tillë të ngjajshëm, edhe se për arsye shumë të ndryshme, i paska takuar edhe artistes Fan Binbin, zhdukja e së cilës për muaj nga rrjetet sociale ka shkaktuar shumë hamëndje: e paditur për mospagim taksash, i është vënë një gjobë prej më shumë se 110 milion euro (884 milionë juan), dhe në kthimin on line yllit i u desh t’i kërkonte falje publikut të saj.

Më e ngatërruar për Hsi-në është t’u heqë kapsollën minave shëtitëse jashtë Shtetit. Përfytyresa e Vendit nuk doli mirë nga arrestimi i shefit të Interpolit, Men Hongvei, zevendës ministër për Sigurinë Publike që nga viti 2004 me padinë për korrupsion: organi i bashkëpunimit ndërkombëtar të policive ka pohuar se nuk ishte lajmëruar në kohë për masën e autoriteteve kineze. Meni dha dorëheqjen me “efekt të menjëhershëm” mbas zhdukjes, të kallzuar në policinë franceze nga e shoqja, që në një intervistë tronditëse shpalli se ishte e kërcënuar e se kishte frikë për jetën e të shoqit. “Askush nuk është mbi ligjin” qe komenti i thatë i ministrisë së Jashtëme të Pekinit. Të tjerë që do të donin të ndiqnin gjurmët e tij janë të lajmëruar.

Kërcënimi i fundit për pushtetin qëndror vjen edhe një herë nga Shtetet e Bashkuara. Që nga viti i shkuar Partia komuniste kineze llogarit ndërmjet kundërshtarëve  më të paepur të saj një biznesmen të përfolur që i ikën drejtësisë kineze që nga 2014: Guo Wengui, ose Miles Kwok, simbas emrit tjetër me të cilin është i njohur. Që nga apartamenti në katin e fundit në Manhattan miliarderi ka drejtuar gishtin kundër të mëdhenjve të partisë, duke i paditur për korrupsion: në shënjestrën e tij është dhe i paprekëshmi Van Kishan, ish kryetari i Komisionit për kontrollin disiplinor që heton mbi funksionarët e korruptuar në Kinë, e sot nënkryetar i Kinës me dëshirën e Hsi-ut. Paditë e tij shpesh janë minimizuar apo janë bërë të paqëna, por mbas një periudhe të kaluar mbas perdeve, Guo ka dalë në pah. Në një konferencë shtypi në Nju Jork ka shtjelluar planin e tij të ri: të vërtetojë dorën e Pkk mbas disa ndodhive të zhdukura nxitimthi nga radari, duke filluar nga vdekja e presidentit të ndërmarrjes grumbulluese Hna, Van Jian, mbas një rrëzimi të çuditshëm n’afërsi të një kishe në Provencë.   

            Nga hetimet e para nuk kanë dalë pista që lënë të mendohet për vrasje, por për kërkuesit e paguar nga Guo, telekamerat e zonës kishin marrë “elementë të dyshimtë” ndërmjet rojeve të biznesmenit. Për t’a ndihmuar në skenë arriti  edhe një shok: Steve Bannon. Me ish strategun e Shtëpisë së Bardhë manjati kinez ka firmosur një fond prej njëqind milionë dollarësh për të hetuar mbi rastet e dyshimta të Kinës. Si kryetar i fondit do të qëndrojë vetë Bannon: është një “çështje detyre” që nuk ka të bëjë asgjë me administratën Trump, ka thënë. “Të dy përçmojmë Partinë komuniste kineze” i bën jehonë Guo, i cituar nga New York Times. “Kështu jemi bërë bashkëpuntorë”.

Besueshmëria e miliarderit në ikje nga drejtësia kineze mbetet e ulët, por ylli i tij  mund të kthehet të ndriçojë, simbas së përditëshmes amerikane që i ka kushtuar një shkrim të gjatë së fundi. Në sajë të ndihmës së Bannonit, Guo është futur në mjediset më konservatore të Washingtonit, dhe akuzat e tij Pkk mund të gjejnë veshë të prirur për t’a dëgjuar. Një tjetër gjëmb i mundshëm për kurorën e perandorit Hsi.

Marrë nga e përjavëshmja “Panorama”, 2 janar 2019

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugenio Buzzetti, Eugjen Merlika, Vetmia e Perandorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT