• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELENA MIRAKAJ LULI DHE VJERSHAT E SAJ

March 19, 2016 by dgreca

(Një emër i ri në “Panteonin e nëndheshëm”)/

 Nga Eugjen MERLIKA/

Nëpërmjet kësaj tufe vjershash, që botohet me titullin “Fluturës”, lexuesit shqiptar, kryesisht atij të fushës së poezisë, i vjen një zë i ri. Nuk është një vajzë e re që provon të gjejë rrugën e jetës së saj në atë fushë të hershme e shumë të larmishme të artit njerëzor, që quhet poezi, e që përbën një nga pasuritë më të vyera të sferës shpirtërore të kujtesës njerëzore.

Emri i saj na vjen nga një e kaluar, të cilën e kemi lënë mbrapa pa e njohur ende mirë. Është një e shkuar, e pasur në vlera e njerëz bartës të tyre, mbi të cilët një gjysëm shekulli i zi i historisë sonë hodhi një shtresë llave përvëluese, që pati si synim varrosjen dhe zhdukjen e tyre nga kujtesa historike. Sot ajo demokraci, edhe se e cunguar, që kemi ndërtuar në gati një të katërt shekulli, i jep mundësi të gjithë atyre që dëshirojnë të marrin rolin e “arkeologut”, të gërmojnë në atë të shkuar, të thyejnë e të heqin lavën mbytëse të kulturës së regjimit komunist, për të nxjerrë në dritë vlerat e mohuara të brezit të gjyshërve e të prindërve të tyre. Shpalosja e tyre, në të gjitha nuancat e mundëshme, është jo vetëm ringjallje morale e atyre njerëzve, një farë shpërblimi i vonë për jetët e veprat e tyre, por edhe një pasurim i vetë jetës kulturore të Kombit me objekte të reja.

Këtij projekti fisnik i shërben edhe ky vëllim , i shkruar në kohë të ndryshme, fshehurazi nga Elena Luli që, në këtë vit, do të kishte mbushur një shekull nga dita e lindjes, 18 marsi 1914. Pak fjalë, për të dhënë profilin e saj të prejardhjes e të formimit, janë të dobishme për të kuptuar e shijuar dhe poezitë e saj. Lindi në Iballe të Pukës, në familjen e njohur të Mirakajve. Babai e la shpejt, pa lindur, e vajza u rrit nën kujdesin e nënës së saj, Cubës, për të cilën do të shkruajë një nga poezitë e saj më prekëse, mbasi ajo, njeriu më i dashur, vdiq në kampin e shfarosjes së Tepelenës e varri humbi nën efektin gërryes të ujrave të Vjosës. Vëllezërit më të mëdhenj, Kola, Pashuku e Pali u shquan në fusha të ndryshme : i pari në veprimtarinë politike, si ministër në qeveritë e kohës së pushtimit, i dyti në tregëti e i treti në mbarështimin e një shtëpie të madhe, që ishte pikë riferimi për gjithë krahinën.

Elena, më e vogla e fëmijëve, shkoi në shkollën e Murgeshave Stigmatine në qytetin e Shkodrës, ku kreu filloren e të mesmen, me përjashtim të një viti në të cilin ishte nxënëse e të famshmit institut “Nana Mbretneshë” në Tiranë. Përfundoi studimet e mesme me rezultate shumë të mira. Ndër mësuesit e saj qe edhe Atë Ambroz Marlaskaj, një nga personalitetet më të shquara të klerit katolik shqiptar, me të cilin ruajti letërkëmbimin kur ai shkoi në Romë. I nënëshkruari, gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane, në dosjet e Shqipërisë, ka gjetur tri letra të dërguara nga Lena Mirakaj e Gjelosh Luli, drejtuar Atë Ambroz Marlaskajt, atëherë profesor i Teologjisë në Universitetin Antonian të Vatikanit. Në fund të vëllimit do të shtohen fac-similet e këtyre letrave dhe përkthimi në gjuhën shqipe.

Elena Mirakaj qe një nga katër mësueset e para femra të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1936 ajo u fejua me Gjelosh Lulin, një pinjoll i familjes së njohur atdhetare të Malësisë, asaj të prijësit legjendar Dedë Gjon Lulit. Gjeloshi ishte oficer i ushtrisë shqiptare me gradën e kapitenit të artilerisë, mbasi kishte studiuar në Modena e ishte diplomuar në Akademinë e famshme ushtarake të Torinos, në Itali. Në vitin 1937 mësuesja dhe oficeri krijojnë familjen e re që në pak vite shtohet me dy vajza, të cilat bëhen më vonë objekti kryesor i poezisë më të zgjedhur të vëllimit, që i jep atij edhe titullin.

Jeta familjare, fatkeqësisht, qe e shkurtër dhe mbi mësuesen malësore u përplasën orteqet e pamëshirshme të tragjedisë shqiptare të mbas 29 nëndorit 1944. Bijë e nuse familjesh të shquara atdhetare, kundërshtare të komunizmit, do të përballojë me dhimbje e me kurajë të lartë vrasjet e burrit Gjelosh, të vëllait Pashuk, të nipit Ndoc në betejat me forcat e Sigurimit të Shtetit si martirë të lirisë së Vendit të tyre. Këta, ashtu si shumë të tjerë në mëdyshjen arratisje apo qëndresë, zgjodhën të dytën dhe nën drejtimin e heroit zamadh të Mirditës, Mark Gjomarkaj, qëndruan duke luftuar me armë disa vite në malet e Shqipërisë , për t’i sjellë asaj lirinë. Është një nga dukuritë më të lavdishme e më heroike të Kombit, që meriton piedistalin e vet, mbasi përbën një nga shfaqjet më madhore të vlerave shqiptare, qoftë si luftëtarë kundër diktaturës, qoftë si qëndrim i popullit që i mbajti e i ushqeu për shumë vite, në kthetrat e një shteti mizor, që ushtroi mbi atë popull të gjitha masat e dhunës, me shumë jetë njerëzish të asgjësuara e më tepër të gjymtuara.

Elena Luli u internua më 1945 e u lirua mbas tre vjetësh, kur në mal ishte vrarë nga forcat e ndjekjes bashkëshorti i saj. E kthyer në Shkodër me dy vajzat e vogla, vazhdoi kalvarin e “armikut të klasës”, me punët e lodhëshme e të rëndomta, herë herë edhe pa to. Rriti vajzat, Klarën dhe Izabelën, i bëri të studjojnë, brënda kufijve të “luftës së klasave”, pa edhe familjet e tyre, me nipa e mbesa që u bënë ngushullimi i vetëm i jetës së saj që u shua në marsin e vitit 2001, në moshën e nderuar të 87 vjetëve, pasi kishte kaluar dhjetëvjetëshin e fundit në Shqipërinë e ndryshimeve pas komuniste.

Me pak fjalë kjo ishte historia e jetës së poetes, vargjet e së cilës, për herë të parë, i jepen sot në dorë lexuesve. Ata vargje janë mishërim i ideve të autores e shprehje e përceptimeve të një bote ngjyrë hiri, në të cilën kishte pak ose aspak motive të gëzueshme.Vjershat e saj pasqyrojnë travajën e pjesës më të vështirë të jetës, të asaj të internimit, të burgut, të mungesave të përditëshme të një diktature që i përngjet “Një tallazi të zi – E n’gji t’vet don me përpi – Gjithshka n’tokë quhet mirsí” (Lutje).   Mungojnë në tufën e vjershave motivet e rinisë së gëzueshme, të dashurisë, të ëndrrave. Nuk dijmë në i ka lëvruar ndonjëherë por, në mungesë të tyre, mundohemi të gjejmë arsyen. Ndoshta jeta normale, me të gjithë mikrobotën e brëndshme, në kufijtë e së zakonshmes, nuk i jepte shtysën për t’i hedhur në letër ndjenjat e mendimet, ndoshta mjedisi patriarkal i shoqërisë shqiptare t’asaj kohe frenonte…, ndoshta ato vjersha janë shkruar, por nuk kanë arritur deri te ne, ndoshta…

Pavarësisht nga këto hamëndje që mund të ngacmojnë kureshtinë e lexuesit apo të kritikut, 22 vjershat e shkurtëra e poemthat e kësaj tufe janë të mjaftueshme për të shpalosur personalitetin e autores dhe kompleksin mendim-ndjenjë-përsiatje-kundërveprim, që përcakton përballimin e tij me shoqërinë në të cilën jeton. Ky ndodh në një Vend që nuk është më ai i viteve të vajzërisë, të studimeve e të rinisë, por ai që përshkruhet kështu në një poezi të saj : “E dijmë mirë se tokës amtare – I kanë zhgulë nder e i kanë mbjellë marre.” (“Kaçak malit”). Metafora ka një fuqi befasuese dhe është kundërveprimi i brendshëm i qytetares poete. Atdheu është kthyer nga një vend i nderit, i traditave, i respektimit të parimeve e normave fisnike morale e shoqërore, në një truall ku është mbjellur turpi, që njëjtësohet me koncepte si poshtërsia, pabesia, dhuna, padija, bimë që “po lshojnë rranjë, filiz tue qitë – kah plehnohen ditë për ditë – prej partisë që flet e pret” (Nuk kam fjalë). Zonja Luli i përket si formim brezit të dytë të Shqipërisë së pavarur, që ishte formuar me idenë e zhvillimit të vrullshëm në rrugën e qytetërimit e trysnonte fort në djegien e etapave. N’atë vrull një pjesë e tij u lajthit nga propaganda komuniste dhe u bë fole e ideve që sollën “socializmin shqiptar”, me të gjitha tragjeditë e tij kombëtare e njerëzore. Autorja e “Fluturës” nuk hynte n’atë rrjeshtim. Ajo ishte një lule bjeshke, e rritur dhe e edukuar në binomin e famshëm “Fe e Atdhe”, që do të thoshte dashuri për Vendin e lindjes, por edhe respektim të vlerave e parimeve morale e fetare. Për të hapja në përqafimin e vlerave të qytetërimit perëndimor, (“Rinisë”) duhej të shkonte në një hap me atë të ruajtjes së zakoneve të mira e të moralit shqiptar, por edhe në përvehtësimin dhe vënien në jetë të Dhjetë Urdhnimeve të Doktrinës së krishterë, që janë në bazën edhe të besimeve të tjera e që përbëjnë themelin e moralit njerëzor. Ky konceptim i botës, ky projektim i saj në vetëdijen rinore, përbënte bazën e fortë mbi të cilën u formua personaliteti i atij brezi që në Shqipëri dha prova t’admirueshme në përballimin me diktaturën, e cila nuk kurseu asgjë për t’a nxjerrë jashtë loje, madje edhe për t’a asgjësuar.

Bota poetike e  znj. Elena Luli është e përmasave të mëdha dhe e përmbajtjes së larmishme. Në tufën e poezive trajtohen tema të ndryshme, që nga biseda imagjinare me fluturën, që arrin të hyjë në qelitë e burgut ku drobitet trupi e sfilitet shpirti i poetes, e dënuar me dhjetë vjet heqje lirie me padira absurde për “agjitacion e propagandë e bisedë arratisje”, sepse pohon një parim universal e të përjetshëm si ai i bashkëjetesës mes burrit e gruas, së cilës i le si porosi të përshëndesë vajzat e saj të vetmuara në një shtëpi të Shkodrës (“Fluturës”), deri tek radiografia e tejsaktë e një shoqërie, së cilës dhuna e regjimit i ka thithur gjithë lëngun jetësor, duke i vrarë çdo ditë vlerat e parimet (“Parulla-njeriu i ri”) e duke e kthyer në një kufomë që vazhdon të lëvizë vetëm për inerci.

Diktatura, në të gjitha shfaqjet e saj të përbindëshme, mbetet objekti kryesor ku ngjyen penën poetja, jo vetëm si e tillë, por edhe si qytetare, si prind, si grua, si besimtare, si atdhetare, që lëngon në shpirt kur sheh se “Vendit tonë i hupi ndera – Si n’për jerm iku lavdia – T’liga punë bijtën te dera – Ulë për tokë, asht krejt madhështia” (“Shpresoj agimin”). Në këtë kompleks problemesh që gjejnë shprehje në pendën e Elena Lulit e që janë pjesë të ndryshme të të njëjtit mozaik, i cili është Shqipëria komuniste, ndjenjat zotëruese janë dhimbja dhe revolta e brëndëshme. Këto herë herë arrijnë maja dëshpërimi, deri në mallkim, që na kujton Vajin e Ajkunës tek rapsoditë e Kreshnikëve. Autorja nuk mallkon e as vajton publikisht për humbjet e parakohëshme të familjarëve të saj, mbasi në këtë mënyrë do të zbehej mesazhi. Poezia për të do të humbte fuqinë përgjithësuese e nuk do t’ishte në lartësinë e misionit të saj pushtues të mendjeve e zemrave, nëse do të mbetej vetëm në kuadrin e ngushtë të vetvetes. Kur nga penda e saj dalin mallkime të tipit “Kurrë ksi djemsh mos baftë ma nana!” (“Kaçak malit”) apo “U çiltë toka e raca e njerit – Mbrendë u shoftë o për nji herit” (“Nuk kam fjalë”) dhimbja e saj ka arsye të përgjithëshme, sepse dhuna e sistemit ka shkatërruar karakterin e shqiptarit, trashëgiminë morale të tij, e ka depersonalizuar deri në tjetërsim.

Kanë kaluar dhjetëvjeçarë nga shkrimi i këtyre poezive, por mesazhi i tyre mbetet përsëri aktual, i freskët, dëshmi e fuqisë përgjithësuese e kohëlargët të mendimit poetik të Elena Lulit. Në këtë univers të vogël poetik nuk mungon shpotia (“Dhurata e Kryeministrit”, “Votimet”, “Zyrës Punës”, “Shumë janë ngjarjet”) kundrejt sistemit me të gjithë anakronizmat e tij, me paaftësinë, mungesën e ideve, pozat qesharake që merr, deri në cinizmin vrastar, të pranishëm në çdo çast. Përsiatja e autores shkon deri në thellësi e origjinë të problemit, n’ata vendime të krerëve të fituesve të luftës, që shpërblimet për luftën dhe fitoren i matën me lirinë e popujve të Lindjes evropiane (“Padrejtësi njerëzore”) : “Rusvelt, Çurçill dhe Stalin – Vunë përpara glob e harta – Thue se e kishin trashëgim. – Ç’merr prej Lindjes n’Perëndim – Caqe të reja ata i vunë botës.” Poetja Luli i këndon dhe qëndresës antikomuniste në Vendet e tjera, si në Poloni, Çekosllovaki e Hungari (“Pa titull”), qëndresë që nxitet e përkrahet edhe nga Kisha Katolike e përfaqësuesit e saj si Kardinal Vishinski.

Autorja është një besimtare e plotë. Dashurinë dhe besimin tek Zoti e ka thithur me qumështin e nënës. Shkolla që ka kryer ka plotësuar edukimin fetar e Krishti e Shën Mëria janë të pranishëm çdo ditë në lutjet e saj. Ato lutje i japin fuqinë asaj, ashtu si shumë e shumë të tjerëve, për të përballuar të keqen e jetës së përditëshme, por edhe për të kapërcyer traumat e jashtzakonshme, si humbjet e njerëzve të dashur, arrestimin, internimin, dhunën sistematike të regjimit më kundërzot të botës mbarë. Adhurimi për Zotin nuk e pengon t’i drejtohet Atij me një ton kritik para një skene rrënqethëse të një kamioni të internuarish, në të cilin vdesin nëna lehonë dhe fëmija në bark, nën vështrimin vrastar të përfaqësuesve të rendit kriminal. (“Një ngjarje në Postribë”) “Perëndi ty si s’të vjen keq – Hajt se njeri asht ba dreq – Po atij t’voglit qi i dhe jetë – N’bark t’nanës martir me mbetë” Këta vargje, kjo klithmë dëshpëruese e poetes para një skene makabre, nuk janë shprehje e mosbesimit, por thirrja për ndihmë, e hasur edhe në poezitë e tjera.

Ajo thirrje arrin në apoteozë në poezinë “Zojës së Kalasë së Shkodrës”, që është një hymn për Zonjën e Bekuar, Nënën Virgjëreshë të Jezuit, e cila është një nga objektet më të parapëlqyer të adhurimit në botën e sotme të krishterë. Autorja ka meritën të na ketë lënë këtë poezi të vyer, ndër më të bukurat e vëllimit, e frymëzuar nga Zoja e Shkodrës, imazhi i së cilës i përket legjendës, ikjes së saj përtej detit në Genazzano të Lazios, në Italinë qëndrore, mbas thyerjes së qëndresës shqiptare të epokës së Gjergj Kastriotit. Ikja e ikonës, për poeten, nuk është ikja e Virgjëreshës, ajo vazhdon të jetë mes nesh : “Zojë e kalasë je n’zemrat tona”. Zoja është njëjtësuar me shpresën e të krishterëve shqiptarë gjatë shekujve të pushtimit otoman, tek ajo shkonte mendimi i viktimave të dhunës komuniste para vdekjes, asaj poetja, në poezinë e saj i beson fatet e Atdheut : “Ty amanet – T’a lamë Shqipninë – O zojë e dashtun – Na kthe lirinë!”

Poezia na kujton të tjerë emra vëndesh të botës së krishterë, ku Zonja ka objektet e saj të kultit e ku shumë mijëra njerëz, çdo ditë ulen në gjunjë e kërkojnë bekimin dhe nderën e saj. Lourdi, Fatima, Mezhdugorie, Pompei, Chestokova, Guadalupa, janë më të njohurat e faltoreve të saj, por ne na pëlqen t’u shtojmë atyre dhe atë të Shkodrës apo Genazzano-s.

Preka vetëm disa prej motiveve që frymëzuan talentin poetik të zonjës së nderuar Elena Luli. Kjo tufë poezish, që sot i jepet në dorë lexuesit shqiptar, shton edhe një tjetër zë në “Panteonin e nëndheshëm”, apo në “Letërsinë e dënuar”, siç i pëlqen poetit Zhiti të emërojë krijimet e mbytura nga komunizmi. Është një zë i ëmbël intelektualeje shqiptare, që buron nga lartësitë e Alpeve e përcjell, nëpërmjet vargjeve, fisnikërinë e ndjenjave e qëndresën e karakterit, të shoqëruar me shijen e hollë dhe zhdërvjelltësinë e pendës, duke u bërë zëdhënëse e një Shqipërie të lidhur fort me ligjet morale të trashëguara e me vlerat e vërteta të qytetërimit Perëndimor. Se sa ka mbijetuar kjo Shqipëri nga cunami i gjatë i komunizmit e tregon fakti se, ende sot, ajo vazhdon të luftojë, edhe se mbetet në pakicë.

Eugjen Merlika

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

FLUTURËS

O flutur, o flutur

Në burg pse don me ardhë

A mos të çoi kush

Me prue ndoj fjalë ?

 

Ti që ndër hekra, hyn flurim

A mos na solle ndoj lajm a gzim?

A thue t’çoi nana,

Që këtu ka nji djalë,

Me i dhanë nji t’puthun,

Me i thanë ndoj fjalë?

 

A thue të çoi vajza ,

Që ktu ka nji nanë,

Me nji t’përshndetun

Nji kshillë me i dhanë?

 

Asht e ngushtë skuta për ty o flutur,

Asht e mektë drita për ty o e bukur.

Për ty asht vallja,

Kanga dhe gzimi,

Ktu ndien t’fshâme,

Mbretnon mjerimi.

 

Shëtite burgun,

Gjithkah anë m’anë.

Kryej amanetet

Që t’i kanë dhanë!

 

Mandej ik flutur,

S’asht vend për ty.

N’kto brima t’vogla

Me ndej ti ndry.

 

Hekrat e burgut

Nuk mund t’ndalojnë,

E krahët e lehta

Larg tash po t’çojnë.

 

Para se t’dalësh,

Të  la nji amanet .

Asht nji za nanet

Ky që ty t’flet :

 

Në mes t’qytetit,

Në nji t’vjetër shpi,

Ndalu n’penxhere,

Jane fmitë e mi.

 

Janë veç dy varza,

Krejt vetëm lanë.

Thuej : pa da zemra

Për ju po m’fshanë.

 

Ti puhizë vere

Puthi për mue,

Se Zoti i madh

Ka me i ndihmue.

 

“ Shtigjet e vështira

i kalon mbi dhe

kushdo që thotë

Zoti me ne”

 

Kto fjalë i gjeta

Grrye ktu mbi derë.

E ndjeva forcë,

Përcjellë nga të tjerë.

 

Në gjuj kam ra,

E jam drejtue:

“ Zot jam me ty

Ti je me mue”

 

 

ZOJËS  SË KALASË ( SHKODRËS)

 

Thonë ke ikun

Larg je mërgue

Jo , Zojë e Shkodrës,

Askund s’ke shkue.

 

Atje tej detit

Ka shkue ikona.

Zojë e kalasë,

Je n’zemrat tona.

 

U pa ndër shekuj,

Shihet dhe sot,

Nga zemrat tona

Ti s’ike dot.

 

Kush pat si ne

Vuejtje pa masë?

Kush na dha forcë?

“Zoja e kalasë”.

 

Para torturash

E ndër burgime

Trimat të thirrën

“ O Zoja ime!”

 

Ballë pushkatimit

Ty t’kishin n’gojë

Fjalët e fundit:

“N’dorë tande Zojë”!

 

Ndaj përtej detit

Ka shkue ikona,

Zojë e kalasë

Je n’zemrat tona.

 

Idetë e liga

Zojë na pllakosën.

Kishat e tua

Krejt i rroposën.

 

Thue dam prej tyne

Pati atdheu?

Thue se s’kje falun

Në to Skënderbeu?

 

Ty nuk të lutet

Veç krishtenimi,

Ti je Zojë

E çdo besimi.

 

Te Rozafati,

Rranzë asaj kodre,

Çdo ditë të hidhen

Ty lule Shkodre.

 

Ty amanet

T’a lamë Shqipninë.

O  Zojë e dashtun

Na kthe lirinë.

 

Se përtej detit

Ka shkue ikona

Zojë e kalasë

Je n’zemrat tona.

 

 

 

 

 

 

 

 

U NDIE NJI  ZÀ

 

Nji za i dalun prej Kremlinit

Me i diftue po don njerzimit

Paqë të randë e grabitqare.

Sa me shpatën fitimtare,

Sa me idena lajkatare,

Ai po flet n’emën të drejtsisë,

Tuj rrejt turmat e njerzisë.

Por asht kot me dhanë spjegim

Komunizmi ban dallim.

Nuk ka kob, nuk ka mënxyrë

S’ka ngjarje në natyrë

Krahasim me ket përbindsh.

Ulkonjë asht e të duket qingj.

 

N’Shqipni flitet për liri,

Shumë për besë e bujari.

Kto zakon i pat shqiptari

E me i lshu ai s’pat për s’gjalli.

Por i rrejti kjo farë e keqe,

Me tradhti i zu ndër leqe.

Shkas u ba paditunia

Mbaroi fusha e malcia.

 

Medet vonë biri i shqiptarit

Ka me i dhanë frymë lirisë,

Nder e lavd me i kthye Shqipnisë.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE VJERSHAT E SAJ, ELENA MIRAKAJ LULI, Eugjen Merlika

MBRESA E PYETJE NGA LEXIMI I NJË TREGIMI

March 10, 2016 by dgreca

“Sa më i madh të jetë pushteti, aq më i rrezikshëm është shpërdorimi i tij.”/

BURKE (1729 – 1797), burrë shteti e shkrimtar anglez/

Shkruan:Eugjen MERLIKA/

Më 5 mars, në portalin e gazetës “Dielli”, ishte  vënë tregimi i z. Reshat Kripa, “Epitafi”. 5 marsi, dita e vdekjes së Stalinit, besoj se ka përkuar rastësisht me botimin e atij tregimi rrënqethës, por edhe sikur t’ ishte ndryshe, ai do t’ishte nga shkrimet më të përshtatëshme, për të pasqyruar një nga shfaqjet më tragjike t’asaj bote staliniane, që mbretëroi e patrazuar në gjysëm shekulli të historisë shqiptare.

Autori na paraqet një ngjarje të vërtetë, të cilën ka patur fatin t’a mësojë rastësisht, duke e shpëtuar për një qime nga shuarja e saj në errësirën e harresës, në të cilën kanë përfunduar mjaft simotra të saj në “republikën” staliniane të Enver Hoxhës. Për fuqinë e saj mbresore dhe larminë e problemeve që shtron para lexuesit, të cilët lidhen jo vetëm me të shkuarën e errët, por edhe me të sotmen e amullt dhe t’ardhmen e vagët të shoqërisë sonë, besoj se është një nga veprat më t’arrira të këtyre 25 viteve. Për këdo që e lexon, përsiatja në vetvete bëhet e detyrueshme, kaq tragjik është subjekti që trajtohet në kornizën e njërës prej veprimtarive më besnike e më shprehëse të regjimit, asaj të Sigurimit të Shtetit, e po aq i fuqishëm është mesazhi që përcjell, me shkak pasojat e tij në jetën shqiptare të tre brezave.

Në qendër të tregimit, që i ngjan më shumë një dokumentari se një filmi artistik, është historia e një familjeje normale qytetare në Vlorën e viteve 70, ajo e familjes Canaj, përbërjen dhe fatin e së cilës e mësojmë nga një epitaf, i shkruar mbi pllakën e varrit të përbashkët. Agroni, një inxhinjer elektrik me interesa për librat, një mesnatë tetori 1974 arrestohet nga Sigurimi, që kërkon prej tij një deklaratë bashkëpunimi me të. I vendosur në kundërshtimin e tij, mbas dy muajsh i thirrur një mbrëmje në zyrën e hetuesit, gjëndet para një skene të llahtarëshme : bashkëshortja 42 vjeçare dhe vajza 15 vjeçe dhunohen seksualisht nga dy hetuesit para syve të tij që është i lidhur e nuk mund të lëvizë. Thirrjes për ndihmë të vajzës nuk mundet t’i qëndrojë më : “N’atë çast nuk durova më. Logjika nuk kishte më forcë.” Pranon të bëjë kompromisin me djallin e të padisë veten dhe shokët për biseda të lira, të cilat kishin si bosht alternativat që jepte regjimi : “Ose të ruanim personalitetin tonë, ose të ktheheshim në lakenj që gëzonin frutet e servilizmit të tyre.”

Pasojat janë të menjëherëshme, shokët arrestohen, zhvillohet gjyqi, njëri ekzekutohet, tjetri merr 12 vjet burg, ndërsa Agroni dhjetë të tillë. Dërgohet në Spaç, ku gjen një mjedis tepër të ftohtë, sepse “Atje shoku im nuk pranoi as të më fliste me gojë. Për të un isha një tradhëtar. Ndoshta kishte të drejtë, por ai nuk i dinte kushtet që më detyruan t’a bëja një gjë të tillë. “ Mbas gjashtë muajsh nëna, e plakur shumë, i vjen në takim, për t’i thënë se gruaja dhe vajza “ndodheshin në qiell”. Do të njohë të vërtetën e plotë mbas dhjetë vjetësh, kur kthehet në shtëpi e gjen nënën, i vetmi njeri që i qëndroi pranë në tragjedinë e tij. E vërteta është e shkruar në një copë letër të Lumturisë, bashkëshortes fatkeqe :

“I dashur Agron!

            Në çastin që po të shkruaj këto rradhë kam pirë lëngun vdekjeprurës. Fuqitë po më lenë. Në momentet e fundit dua të tregoj shkaqet e veprimit tim. A e mban mënd natën e Sigurimit ? Ajo nuk mbaroi atje ku e le ti. Akti i fundit u luajt pasi na hoqën nga ajo dhomë. Ne u bëmë prè e akteve shtazarake t’atyre dy banditëve. Kur u kthyem në shtëpi Irida ishte çmëndur, ndërsa un isha e çoroditur. Vajzën u detyruam t’a shtrojmë në spitalin psikiatrik, ku i dha fund jetës së saj të njomë.

            Pas disa ditësh vura re se në barkun tim po rritej fëmija e një krimineli. Ky fakt dhe turpi që ndiej për të dalë para syve të tu më detyruan të marr vendimin e vetëvrasjes.

            Të puth me mall për vete dhe për Iridën. E jotja Lumturia.”

Shkurtimisht ky është tregimi. Sikur t’ishte vetëm një vepër letrare do të ngushulloheshim  pak se mbetet një fantazi, sado makabre, e autorit. Por ngjarja është  një nga episodet tragjike të realitetit të panjohur shqiptar të diktaturës komuniste. Fatkeqësisht nuk është i vetmi, as i pari as i fundit. “Ne mund të bëjmë çfarë të duam, askush nuk na e pret dorën.” Më thonte një oficer Sigurimi kur isha i arrestuar. Plotfuqia e kësaj bishe gjaksore ishte e padiskutueshme dhe shpërdorimi i saj ishte praktikë pune e përditëshme. Sigurisht, nuk do të ishte e drejtë të përgjithësohej dukuria deri në këtë shkallë të kriminalitetit, por as që mund të përjashtohet si një fantazi dashakeqe shkrimtarësh.

Problemi që shtrohet ende sot, mbas një të katërt shekulli të ndryshimit të regjimit, është raporti i shoqërisë dhe institucioneve tona politikë me këtë të kaluar të turpëshme, e cila është një vazhdë shumë e gjatë shkeljesh të dhunëshme të të gjitha parimevet të të drejtave të njeriut. Qëndrimi ndaj saj, të cilin popuj të tjerë në kushtet tona e kanë përcaktuar që në vitet e para, mbetet ende i mjegulltë, i paqartë, i dyfishtë se dënojmë me fjalë krimin, por nuk lejojmë të dënohen ideatorët e krimit, bartësit  apo zbatuesit e tij. Madje politika shtyhet edhe më tutje, të ndalojë çdo mundësi proçedimi të përgjegjësve të krimeve, të cilët gëzojnë statuse të posaçme, që u lejojnë të kenë edhe privilegjet ekonomike si pensionet dyfishe, edhe sodisfaksionet morale apo garancitë politike që u jep projekt reforma e re.

Është për t’ardhur keq që organet e Drejtësisë janë kaq të ndrojtur, sa që nuk marrin asnjë nismë, as vetiake, për të hapur paditë në raste shkeljesh flagrante edhe të dispozitave të kohës, mbas të cilave fshihen kriminelë të çdo lloji, për proçeset e së kaluarës. Sigurisht këtu ndikon për keq edhe mungesa e vullnetit apo frika e qytetarëve për të paditur krime si ai i tregimit në fjalë, apo të tjerë të llojit. Kohët e fundit në Rumani janë dënuar ish oficerë të burgjeve për krimet e tyre kundrejt të dënuarvet, ndërsa tek ne kjo bisedë mbetet një tabu e paprekëshme, cilado qoftë ngjyra e pushtetit.

Populli i përndjekur nga regjimi, që e ka paguar atë dukuri me jetë dhe dhjetra vitesh privim lirije e të drejtash, ka dëshmuar, në këta 25 vjet, një durim dhe sens të shtetit të jashtzakonshëm. Asnjë rast vetëgjyqësie nuk ka patur, i është besuar Shtetit dhe institucioneve të tij detyra e rivendosjes së Drejtësisë. Por Shteti ka qënë krejtësisht i paqenë n’atë drejtim. Deri kur ?

Edhe duke mbajtur parasysh kartonët e kuq që deputetët socialistë, burra e gra, i ngrenë në Kuvend, kur bëhet fjalë për propozime që shkojnë n’atë drejtim, duke marrë në mbrojtje kriminelë të tipit të hetuesve të tregimit, në bazë të normave juridike ndërkombëtare, çdo gjykatës apo prokuror, para dukurish të tilla, mund të proçedojë në mënyrë vetiake, para dënimesh si ai i Havzi Nelës, Vilson Blloshmit apo Genc Lekës, por edhe përdhunimit të dy shqiptareve nga ana e hetuesve të Vlorës.

Në vitet 80 në Grabian të Lushnjes u arrestua një murator, Mehdi Çeliku. Mbas disa muajsh, në të cilët bashkëshortja e tij, Adelina, nënë e katër fëmijëvet, thirrej vazhdimisht në hetuesinë e Lushnjes, për të dëshmuar kundër të shoqit, kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje tragjike, i vetëvarjes së saj. Më vonë u muar vesh se kishte vdekur në hetuesi edhe burri. Ish hetuesi Z.S. jo vetëm që nuk dha llogari për dy vdekje që rëndonin drejt për së drejti mbi të por, me qeveritë demokratike, arriti të bëhet këshilltar juridik i një ministri të rëndësishëm.

Deri kur do të vazhdojmë të heshtim për krimet e shkuara, që krijojnë shtratin e ngrohtë edhe për kriminalitetin e sotëm në gjirin e institucioneve shqiptare ? Këto e të tjera pyetje pa përgjigje na shtron tërthoras tregimi i  z. Reshat Kripa, ashtu sikurse qindra e mijra episode të njohura e të panjohura të së shkuarës sonë diktatoriale. Jemi i vetmi Vend ish komunist n’Evropë që bëjmë veshin e shurdhër ndaj këtyre domosdoshmërive, jo vetëm përsa i përket parimevet të drejtësisë, që nuk njohin parashkrim, por edhe të barazpeshave morale e paqtimit, kushte të nevojshme për të shkuar përpara, pa e mbajtur kokën mbrapa.

“U interesova edhe për dy kriminelët që u bënë shkaktarët e kësaj tragjedie. Mësova se vazhdonin të jepnin leksione për demokracinë. Ky ishte paradoksi i kohës në të cilën jetonim.”

            Kështu e përfundon tregimin, shumë të bukur të tij, autori. Deri kur do të jemi Vendi i paradokseve dhe i absurditeteve ? Kjo është pyetja që na shtron epitafi me tre emrat e viktimave të pafajshme në varrezat e Vlorës dhe këta katër vargje :

“Në jetë nuk patët gëzim

Njerëzit ju kishin harruar

Por Zoti me përdëllim

Ju dha lirinë e amëshuar !”

 

Mars 2016                                                     Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Mbresa e pyetje, nga leximi i nje tregimi, reshat kripa

GENC XHEVAT KORTCHA, SHQIPTARI I MADH I MICHIGAN-it

March 4, 2016 by dgreca

“Shpirt i njeriut sa i ngjan ujit ! Fat i njeriut sa i ngjan erës”/

Johann Wolgang Goethe/

Shkruan: Eugjen MERLIKA/Itali/

Ka vetëm pak ditë që u nda nga familja, rrethi shoqëror e miqësor, por edhe nga bota shqiptare, Genc Xhevat Kortsha (Korça). Keqardhja është e madhe tek familjarët e tek miqtë e shumtë, të shpërndarë në të gjithë globin, të një jete, lavdi Zotit, të gjatë e në lëvizje. Por keqardhja dhe dhimbja janë të përmbajtura, sepse respektojnë një rend gjërash që është thelbi i filozofisë  së të qënit tonë në këtë botë, atë të ardhjes dhe ikjes prej saj pa vullnetin tonë. Genci, mbas furtunave të kaluara në Vendin e lindjes, prej të cilit u largua pa mbushur tridhjetë vitet, e në të cilin la prindërit dhe vëllanë më të vogël, gjeti në “tokën e premtuar”, në SHBA-s sendërtimin e personalitetit të tij profesional e njerëzor në të gjithë përbërësit e tij. Ai mori me vete qetësinë dhe prehjen shpirtërore që burojnë nga ndërgjegja pa hije në gjykimin e fundit dhe besimi se shkon në amëshim, në një tjetër botë ku rrezaton ngado drita e Krijuesit, një bindje që mbeti e palëkundur në gjithë rrjedhën e jetës së Tij.

Duke hedhur e zezë mbi të bardhë  këto pak fjalë të thjeshta, kam para meje një tufë letrash që, fatmirësisht, kam shkëmbyer me Të në këta vite të një jete të zakonshme, por pa prangat e padukëshme që ndrydhën mendimin dhe qënien tonë për gati gjysëm shekulli…. “Ky letërkëmbimi ynë është si biseda midis dy brezavet me përvojë të ndryshme, un pjesë e brezit që u formua para dhe gjatë luftës së dytë botërore, ti brez i pasluftës. Të përbashkët kemi përvojën komuniste, tëndja shumë më e thellë se e imja, e pastaj kemi të përbashkët përvojën dhe vitet në mërgim. Kemi mjaft për t’i thënë njëri tjetrit dhe letrat e tua i pres dhe i lexoj me gëzim…” Kështu më shkruante miku i familjes më 28 tetor 2001.

Në vitet e fundit nuk shkruanim më letra të gjata, por mbaheshim gjithmonë në kontakt telefonik, apo nëpërmjet njoftimesh të shkurtëra elektronike. Sot që dij se nuk do t’a dëgjoj më zërin e Tij, ndjej një zbrazësirë të madhe në zemër e në mëndje. Do të më mungojë një njeri i dashur me të cilin ndaja dertet, jo vetëm familjare. Ai ishte bërë një bashkudhëtar i shqetësimeve të mij, një bashkëbisedues i urtë për Vendin tonë, problemet e tij, rrugën e tij, të shkuarën ku përfshiheshin edhe fatet e veprat e të parëvet tonë, për të cilët ndjenim dhimbjen e thellë por edhe krenarinë e ligjëshme. Do të më mungojnë komentet e Tij mbi shkrimet e mij, gjykimi i thellë dhe analiza e hollë lidhur me çdo temë të bisedës, inkurajimi atëror, fjala e Tij e ngrohtë si një fllad përkëdhelës….

Sikur t’ishte vetëm për t’afërmit e familjes apo për miq si un e të tjerë zbrazësira që la i ndjeri, nuk do t’i shkruaja këta rreshta. Genc Kortsha ishte një pasuri shqiptare, jo në mall e gjë, por në mëndje, atdhedashuri e karakter. Ishte një nga ata, për  të cilët kombi ynë mund të krenohet me aftësitë dhe sukseset në rrugën e tij.

I ardhur në SHBA-s kur i kishte kaluar tridhjetë vitet, si shumë bashkatdhetarë të Tij, i u vu punës me ngulm e zell për të vazhduar studimet e ndërprera më se dhjetë vite të shkuara. Studjoi duke punuar. Nuk vazhdoi mjekësinë, që ishte pasioni i Tij i rinisë, mbasi afatet e diplomimit ishin të gjata, por zgjodhi Kiminë industriale, që do t’i hapte rrugën e karjerës administrative në Vendin në të cilin askush nuk ndihet i huaj e, në të cilin, aftësitë të bashkuara me fuqinë e karakterit, gjejnë shpejt a vonë fushë veprimi e rrugë të hapura. Kështu edhe Genc Kortsha, në sajë të studimeve serioze të kryera në Wayne State University, u diplomua me përfundime maksimale, aq sa të meritonte “Çelësin e Artë”, një vlerësim epror ndërmjet 10.000 të diplomuarve amerikanë t’atij viti. Në sajë të punës së Tij cilësore e të ndershme mundi të përparojë në karjerë, deri sa të zerë vëndin e njërit nga Drejtorët ekzekutivë, atë të të Higjenës Industriale në General Motors, një gjigand botëror i industrisë së automobilëve dhe segmentëve të tjerë si mbrojtja ushtarake, telekomunikacionet, satelitët ekonomikë etj. Për 13 vjet mbajti këtë funksion e roli i Tij spikati edhe përtej Shteteve të Bashkuara, mbasi ndihma e Tij qe shumë e rëndësishme në funksionimin e institucioneve të tilla simotra në Vende si Britania e Madhe, Italia etj. Madje në këtë ndihmesë zyrtare që Ai i dha Italisë, lindi edhe miqësia vetiake me Vittorio Prodin, Drejtorin e Higjenës Industriale për Vendin e tij, e cila u ruajt përgjatë gjithë kohës.

Me vullnetin, përkushtimin e fuqinë e mëndjes arriti të jetë titullar i një istitucioni të rëndësishëm të Vendit me ekonominë më të përparuar të planetit, President i Akademisë së SH.B.A-s të Higjenës Industriale. Pak shqiptarë, ndoshta asnjëri, kanë arritur në lartësi të tilla në jetën e tyre profesionale. Por jeta e Tij intelektuale është e pasuruar me librin autobiografik “Shtegëtimet e një njeriu drejtë LIRISË”, me studimin e thellë historik “Histori apo ideologji”, me shkrime e artikuj të ndryshëm, kryesisht të profilit historik.

Duke folur për shkollimin e sukseset në punë e karjerë të Genc Kortshës, më kujtohet një fragment i një letre të Tij të qershorit 2001 : “…. Më pat thirrur Tonin Jakova, kur ishte sekretar i parë i partisë në Shkodër, për të më përgëzuar se munda të zhduknja tifon e morrit brënda tre muajvet. Kur i thanë që të më jepte bursë për të shkuar në universitet, të kryeja mjekësinë, u zgërdhí (si thotë Shkodra) dhe tha se mua do të më vinte rradha të shkonja për mjekësi kur të ndërtohej universiteti në Trush!” Zoti desh që ndihmës mjeku i talentuar të mos priste “universitetin e Trushit”, por të diplomohej në një universitet amerikan, duke i lënë sekretarit të parë dhe kastës së kuqe të kolegëve të tij në Shqipërinë komuniste turpin e një epoke të qelbur, e cila flijoi në altarin e marrëzisë ideologjike, që njihej me dyfjalëshin “luftë e klasës”, mijëra talente shqiptare në gjysëm shekullin e saj të kataklizmës njerëzore.

Do të ndalem në pak çaste të jetës së Tij, të rrëfyera nëpërmjet letrave vetiake që janë, për mendimin tim, matësi më i saktë i vërtetësisë dhe sinqeritetit të njeriut, sepse shkruhen jo për konsum publik, por për një shok të zemrës apo mendimevet. Ja si kujton mbas 65 vitesh, një jetë njeriu, një nga periudhat më të rëndësishme, më vendimtare e më mallndjellëse të jetës së Tij Genci, në një letër të datës 24 janar 2007 :

“Në Fiume isha i huaj. Megjithatë në shkollë shkoja mirë dhe, megjithëse na rrethonte një konflikt global, ne të rinjtë jetonim në një flluskë sapuni fosforeshente që na jepte ndjenjën e paprekshmërisë. Mesatarja 8 më siguronte bursën universitare dhe prisja nga vetvetja të merrnja nota të mira e pra, në fund të 6 vjetëve të dilja mjek. Fortuna e jetës desh ndryshe. Nuk e vijova dot mjekësinë, dhe m’u desh të arratisesha nga Shqipëria që Babai më kishte mësuar t’a doja me gjithë zemër….”

Ai ishte pjestar i atij brezi, mes dy luftërave botërore, që provoi rrënimin e ëndrrave dhe të projekteve për jetën, si pasojë e luftës së dytë. Por nëse shokët e shoqet e liceut të Fiumes vazhduan një jetë deri diku normale, në tërësinë e vështirësive të mëdha të pasluftës, Ai u kthye në Shqipëri, ku e përfshiu vorbulla e luftës civile. Babai, Xhevat Kortsha, që 17 vjeçar luftëtar me armë në dorë në çetën e Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit, ish studenti i shkëlqyer i Universitetit të Vjenës, më pas Drejtori i parë i Gjimnazit shtetëror të Shkodrës, ishte një pjestar i rëndësishëm i Mërgatës antizogiste të viteve 1924 – 1939. Në mërgimin e gjatë kreu falas përkthimet e rreth 5000 faqesh të dokumentave të arkivave të Ministrisë së Jashtëme Austro – Hungareze, që lidheshin me Shqipërinë, duke i bërë një shërbim të paçmuar historiografisë dhe diplomacisë shqiptare. Vetëm ajo punë kolosale do t’i mjaftonte për të patur një vend nderi në Panteonin shqiptar, por Ai u burgos sepse kishte marrë pjesë në Qeverinë e mikut të Tij të zemrës, Mustafa Krujës, në rolin e Ministrit t’Arsimit, për të përhapur shkollën shqipe në “Tokat e lirueme” e për të hequr italishten, si gjuhë e detyruar, në shkollat fillore shqiptare, kusht ky i vënë për të pranuar postin e Ministrit.

I kthyer në Shqipëri, Genc Kortsha, studenti i liceut klasik të Fiumes në dy vitet e fundit të tij, mbasi kishte filluar shkollën në Gratz të Austrisë, mori pjesë me rininë e Ballit Kombëtar në veprimtarinë politike. Ja një episod, i përshkruar prej Tij, në një letër të datës 1 mars 1999 :

“Kur u vra në Tiranë Aziz Çami, luftëtar i Luftës së Vlorës, atentator kundër Zogut në

 Austrí dhe udhëheqës i Ballit, ne, një grup të rinjsh, shkuam në Komitetin Qëndror të Ballit. Aty gjetëm Hasan Dostin. I paraqitëm një listë komunistësh dhe kërkuam lejë që t’i vrisnim. Na foli me insistim dhe ashpërsi, duke na treguar se si një akt i tillë do të na kthente ne, t’ardhmen e Shqipërisë, në kriminelë, kur Shteti kish polici, gjyqe dhe ligje, të cilëve u takonte t’i zinin e t’i dënonin vrasësit e Aziz Çamit. Atëherë kërkuam që këta emra t’i a jepshim policisë. Kësaj rradhe na foli edhe më ashpër. Si kish mundësi që ne të bëheshim spiunë, ne ajka e rinisë ? Dualëm të bindur se, po të vriteshim nga komunistët, kërkush nuk do të na e merrte hakun. Hasan Dosti, jurist i dalluar, njeri me ndërgjegje e me nder, por në krye të një organizate që po luftonte për vdekje kundër komunistëvet ? ”

Është dëshmia e një episodi, domethënës për të kuptuar dinamikat e ngjarjeve të luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e tyre mbi zhvillimet e mëvonëshme që njihen. Nuk dua të bëj këtu interpretimin e episodit, që mund të jetë i ndryshëm e i varur nga këndvështrimi i përceptimit, por më duket se pyetja, që bën autori i letrës, është  kuptimplote për të gjithë. Do të vazhdojë veprimtarinë e Tij me armë, këtë herë në një tjetër front, n’atë të qëndresës së Kosovës së bashkuar me Shqipërinë. Ja çfarë më shkruan në një letër të datës 12 maj 2011 :

“Nuk e di nëse e din ti se një batalion vullnetarësh ballistë (Batalioni Besnik Çano) luftoi në Morinë të Kosovës gjatë verës 1944. Edhe un bëja pjesë në  këtë njësi. Isha ndihmës mitralier dhe përgjegjës për çështjet shëndetësore… Pak muaj më vonë, erdhi në Tiranë në burg një fis i familjes Dani (Mynir Tirana) dhe më mori në hetuesi. Më pyeti nëse do të kisha vajtur vullnetar në Kosovë, po t’i kisha ditur lidhjet e ngushta dhe të ngrohta që na lidhnin me shokun Tito dhe me popullin jugosllav. U mendova. T’i thosha  se nuk do të kisha vajtur, do të ishte gënjeshtër dhe përulje nga ana ime. T’i thosha se “po”, sigurisht, do të m’a zgjaste qëndrimin në burg. I thashë “po” dhe bëra edhe pesë muaj të tjerë… “

Rreth nëntë  vite më mbrapa, i arratisur nga Shqipëria, mbasi kishte ndenjur në malësitë e Pukës, i ndjekur nga forcat e mbrojtjes, mbas peripecish të mëdha, Genc Kortsha kalon  në Jugosllavi e, prej andej, kapërcen kufirin me Austrinë, gjithmonë si i arratisur. “Mua kur u arratisa nga Jugosllavia e dola n’Austri më muarën në pyetje anglezët. Një toger më tha se isha tradhëtar me që, gjatë luftës kisha luftuar kundër komunistëve që ishin aleatë me Perëndimin. I thashë t’i ruante ato fjalë për ndonjë ushtar anglez se detyra ime ishte t’i ndiqja interesat e Vendit tim e jo t’Anglisë. Nëse ai e bëri se donte të më trondiste nuk e di, por edhe sot e kësaj dite jam i bindur se e meritonte përgjigjen.” Kështu e përshkruan, në një letër të datës 1 mars 1999, përballimin e Tij me një tjetër hetuesi, jo me atë të Sigurimit të Enver Hoxhës, të Koçi Xoxes e të Mehmet Shehut, por me atë të “aleatëve” të tyre të kohës së luftës. Të gjitha këto ndodhí, përtej kontekstit të çastit politik në të cilin zhvillohen, dëshmojnë një karakter të fortë, i cili përbën bazën kryesore, mbi të cilën ngrihet godina e personalitetit të individit, që ndikon më pas edhe në qëndrimet e familjeve, të rrethit miqësor e familjar, të vetë shoqërisë.

Në një fragment të një tjetër letre të Tij përshkruhet një episod kujtese migjeniane, që hedh dritë mbi formimin e brëndshëm të personazhit, por edhe mbi të vërtetën e “parajsës socialiste”, që ende sot kujtohet me “mall” në disa nga shkruesit e shumtë dhe pa emër të rrjeteve sociale.

“ Kam edhe disa kujtime që më janë rrënjosur në mëndje. Isha në punë të detyruar. Bukën e ndaja me nënën që s’kish triska e kur më zinte urija hanja pak  bukë që mbanja në xhep. Një ditë një grua që punonte në gropën e gëlqeres kish sjellur tre fëmijtë me vete. Dy çupat loznin me guraleca, ndërsa djali trevjeçar i shikonte me sy bosh, pa shprehje. Atë ditë un punonja me karrocë dore. I lypa leje s’ëmës dhe e vura djalin e vogël në karrocë dhe e shëtita disa herë rreth oborrit. Nuk buzëqeshi. Atëherë i dhashë bukën rezervë nga xhepi. E mori dhe e shikoi nënën, gjene pa shprehje. Për t’a fshehur sa isha prekur nga kjo foshnje që s’kish më forcë as të gëzohet, i thashë s’ëmës : “Po ky djalë a s’di të buzëqeshë?” “Duhet të jesh beqar” m’u gjegj. “Fëmijtë e uritur nuk qeshin. Akoma s’e ke kuptuar?”

Shpirtmadhësia e bujaria ishin tipare thelbësore të karakterit të Genc Kortshës, ndoshta edhe shtysa të fuqishme, për  të përqafuar fenë e Krishtit, së cilës i qëndroi besnik deri në minutën e fundit të jetës tokësore.

“Karakteri i jep shkëlqim rinisë dhe përnderim lëkurës së vyshkur dhe flokëve të bardha.” Këto fjalë të filozofit e poetit të madh amerikan Ralph Waldo Emerson i shkojnë për shtat edhe Genc Kortshës, që fitoi respektin dhe vlerësimin më të madh në të gjitha mjediset, ku studjoi, jetoi, vuajti, punoi e kaloi vitet e Tij, në Vende të ndryshme të botës, gjithënjë duke ruajtur në zemër dashurinë për Vendin e lindjes dhe shqetësimin për fatet e tij. Në këtë drejtim, n’atë të konsideratës së mirë që gëzonte, madje deri në sferat e larta të Shtetit amerikan, besoj se vlen të vihet në dukje fakti i pranisë së tij në një delegacion të  nivelit të lartë të Ministrisë së Punës, i cili më 1992 erdhi në Shqipëri me urdhër të Sekretarit të Shtetit, Xhejms Baker.

N’Itali kthehej herë pas here për të takuar shokë e shoqe të shkollës e të njohur të vjetër, mbasi “Vjetët kalojnë, distancat janë të mëdha dhe miqtë bëhen gjithënjë e më të dashur”, më shkruante në gushtin e vitit 2002. Në këtë Vënd të thesareve kulturore e të viteve të rinisë kish krijuar një lidhje pune e më pas një miqësi të sinqertë me familjen Prodi e Bolonja, vënd banimi i saj, përbënte pothuaj se gjithmonë një ndalesë të itinerarit të Tij, siç qe edhe Latina, vënd banimi i familjes Merlika. Me Romano Prodin, ish Kryeministër i Italisë dhe ish Kryetar i Komisionit Evropian, Genc Kortsha ka shkuar në një takim vetiak edhe te Papa Gjon Pali II, edhe ky një tregues i prestigjit të madh që gëzonte shqiptari i njohur i Michigan-it në botë.

Nga mezi i tetorit 2001 Ai u ftua në St. Petersbourgh (Florida), në një miting të Akademisë Amerikane të Higjenës Industriale, për të tërhequr Çmimin Henry Smith 2001, për merita si ish President i asaj Akademie. Fjala e Tij u prit me shumë interesim dhe një profesor i Universitetit të Michiganit e mori tekstin në fjalë për t’a përdorur si tekst leximi për studentët e tij. Përkonte ky veprim me përvojën e Tij të gjatë  si profesor nw General Motors Institute, nw Wayne State University, në University of Michigan, madje edhe deri në të famëshmin Universitet të Harwardit.

Me pak penelata ky qe portreti i Genc Kortshës, Shqiptarit të madh të Michiganit, që plotësoi rrethin e Tij tokësor më 18 shkurt 2016, sapo mbushur moshën e respektueshme të 92 viteve. Duke perifrazuar Plutarkun e madh, po i mbyll këto shënime me shprehjen : “Anija e Tij mbërriti në port”.

Shkurt 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Genc Xhevat Kortsha, i michiganit, Shqiptari i madh

MENDIME NË VETMINË E NJË NATE MES DY VITEVE

January 8, 2016 by dgreca

“Cila është qeveria më e mirë ? Ajo që na mëson të qeverisim vetveten.”-J. W. von Goethe/
Nga Eugjen Merlika/
Viti që përcollëm nuk qe një periudhë kohe e “qetë” për shqiptarët. Në vijim të traditës së tyre vetëshkatërruese, për të mos patur as vullnetin dhe as aftësinë e marrëveshjes me njëri tjetrin, ky vit u mbyll me “gjëmime moti” politik në Tiranë e në Prishtinë, paradoksalisht dy kryeqytetet e shteteve shqiptare, të cilët nuk arrijnë si numur banorësh, së bashku, as atë të një qyteti mesatar të botës së sotme.
“Nuk ka më kohë për retorikë, për konfliktualitete të panevojshme. Vëndi ka nevojë për më shumë punë, për më shumë shpresë, për më shumë dialog….” theksoi, me të drejtë, këtë natë Presidenti Nishani në mesazhin e tij të bukur. Arsyeja e kërkon më shumë se kurrë këtë domosdoshmëri por “kushtrimi i të parëve” duket se është më i fuqishëm se ajo. I shtohet këtij faktori gjenetik lufta e fortë e interesave të klaneve politike dhe lakmia e ndërsjelltë e tyre për pushtet që, në përfytyresën e përgjithëshme, njëjtësohet gjithmonë me sipëraninë e pasurimit material dhe fuqisë shoqërore e jo me përkushtimin e aftësivet e forcavet çështjes së përgjithëshme të interesave kombëtare. Përfundimi i kësaj pështjelljeje ideore e politike janë bombat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Prishtinës e manifestimet e Tiranës ku, qoftë edhe figurativisht, kërcënohen të korruptuarit se do të kapen nga turmat e qytetarëve e jo nga organet e drejtësisë…
Pa vënë në diskutim për asnjë çast detyrën opozitare për të zhvilluar në format më të ndryshme, të pranueshme nga etika politike, luftën në mbrojtje të parimevet të shkelura, sipas tyre, nga qeveritë apo shumicat qeverisëse, imazhet e mësipërme nuk më duket se i shërbejnë mbarëvajtjes së interesave të shqiptarëve. Politikbërësit në Tiranë e Prishtinë duhet të mbajnë parasysh faktin se, aq sa është e rëndësishme përmbajtja e strategjisë së tyre politike, po aq e dobishme apo e dëmshme është edhe forma e luftës apo taktikave të përdorura për t’a sendërtuar atë. Ne, si komb, kemi nevojë të përherëshme t’i paraqesim botës përfytyresën e një populli të qytetëruar, dhe politika duhet të jetë e para që të plotësojë atë.
Nëse marrëveshje e firmosur në Bruksel ndërmjet qeverive të Kosovës e Sërbisë, nën mbikqyrjen e Komisares Mogherini, ka elementë që cënojnë interesat kombëtare të shqiptarëvet, janë të gjitha mundësitë normale të diskutimeve në Kuvend e të argumentimit në shtyp apo nëpërmjet tubimeve paqësore të paditjes së tyre. Gazi lotsjellës në parlament më duket se është mënyra më e gabuar për të vënë në dukje nevojën e rishikimit të marrëveshjes. Nëse lufta kundër kriminalitetit në politikë apo kundër korrupsionit në jetën administrative të institucioneve të ndryshme të Shtetit është një detyrë e dorës së parë të gjithë shqiptarëve, shfrytëzimi i skajshëm i saj nga ana e Opozitës është një veprim i zgjuar e i dobishëm për të. Në këtë drejtim P.D. ka shënuar suksese, që janë pasojë edhe e një mungese të theksuar të qeverisë e partive të Shumicës e cila, për arsye të ndryshme, madje të pakuptueshme, kanë lejuar shkelje të rënda të ligjshmërisë në caktimin e kandidaturave. Pasojë e padisë së P.D., por edhe e faktorit ndërkombëtar, sot kemi një ligj kundër korrupsionit, që quhet një fitore e madhe. Nuk e di sa është e vërtetë kjo, mbasi më duket se kemi të bëjmë me një normalizim të një gjëndjeje që ishte përkeqësuar në mënyrë të papranueshme. Besoj se vlen të kujtojmë se shqiptarët, në shekuj, janë vetqeverisur e në organizimin e tyre të vogël zgjidhnin për të drejtuar jetën e tyre jo hajdutë, gënjeshtarë apo kriminelë, por njerëz të urtë e të ndershëm. Hartimi, me një vetëkënaqësi të tepruar, i një ligji për të ripërtëritur këtë traditë tregon se cila ka qenë mbrapambetja jonë morale në 70 vjetët e fundit.
Kapitali politik i Opozitës dhe i drejtuesit të saj, i fituar në luftën kundër korrupsionit, nuk është një dëshmi e “virgjinitetit” të saj n’atë drejtim e rrezikon të bëhet i pavlefshëm nëse do të vazhdojë skajshmërisht strategjinë e rrëzimit të qeverisë. Përvojat e “pranverave arabe”, të Kajros, apo Kievit nuk më duken se janë të dobishme në realitetin tonë. 1997, me t’ashtuquajturin “revolucion” të fajdeve, besoj se ka qënë faqja më e zezë e këtyre 25 viteve të kalesës demokratike dhe çdo përpjekje, sado larg e ngjajshme me të, nuk paraqet asgjë të dobishme për ecurinë tonë. Nëse nuk arrijmë të forcojmë shtetin ligjor, që do të thotë respekt absolut i ligjit, nuk kemi vënë asnjë bazë për t’ardhmen tonë. Në këtë mendësi të domosdoshme hyn edhe parimi i ushtrimit të pushtetit, veprim që i përket atyre forcave që fitojnë zgjedhjet. Çastet vendimtare të përcaktimit të barazpeshave politike janë zgjedhjet e rregullta. Diskutimet mbi “parregullsinë” e tyre, sa herë zhvillohen, nga ata që humbasin, tregojnë se ende jemi larg standarteve të kërkuara n’Evropë.
Ata që fitojnë kanë për detyrë të qeverisin e të japin llogari për qeverisjen, të tjerët kanë për mision të kontrollojnë qeverisjen e të pregatiten për betejën e ardhëshme zgjedhore. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj bazë të demokracisë, më duket i dëmshëm. Vlen kjo sot për P.D., sikurse vlente për P. S. vite të shkuara, sikurse do të vlejë në t’ardhmen për këdo që do të jetë në pushtet apo n’Opozitë. Kemi nevojë për një politikë të përgjegjëshme, që të gabojë sa më pak, sepse mali i gabimevet të një shekulli na ka lënë në këtë gjëndje prapambetjeje të theksuar.
Nuk më duket e përgjegjëshme një politikë që shton nenet e kodit penal për mos pagesa të kuponave tatimore apo të konsumit të energjisë, por po aq i papërgjegjshëm është edhe kundërshtimi i çdo lloj ligji që lufton informalitetin apo detyron të gjithë qytetarët të respektojnë normat më parake të jetës së përbashkët. Nuk është e përgjegjëshme të hiqen nga puna të gjithë kundërshtarët politikë, edhe në nivelet më të parëndësishme, kur ndërrohen pushtetet, fatkeqësisht kjo mbetet një nga dukuritë më të padrejta e më të pamoralshme të gjithë jetës së institucioneve tona të çerek shekullit të fundit. Është i papërgjegjshëm edhe kundërshtimi për të testuar, nëpërmjet konkursesh, pregatitjen apo aftësitë e të gjithë atyre punonjësve që u besohet administrimi i sferave të ndryshme të jetës sonë. Nuk është veprim i përgjegjshëm vlerësimi e dekorimi i të gjithë ushtruesve të dhunës së kohës së diktaturës edhe se kanë zbatuar “ligjet e kohës”, nëse ato ligje sot konsiderohen të padenja për një shtet normal demokratik.
Fakti i rrëzimit në Kuvend të amendamentit Doda – Idrizi tregon se shumica e përfaqësuesve të ish komunistëve shqiptarë, në vetëdijen e tyre, nuk i dënojnë as ata ligje dhe, aq më pak, zbatuesit e tyre. Ky është tregues i mungesës së vullnetit për t’u shkëputur, qoftë edhe formalisht, nga e shkuara kriminale e regjimit. Një kërkesë vetiake faljeje për dekorimin e hetuesit të At Zef Pllumit nga ministreja Kodheli, nga ana e Kryeministrit, nuk i heq as nuk i shton asgjë kësaj dukurije të shëmtuar dhe aspak dinjitoze, as që mund të shërbejë si “gjethe fiku” për t’a mbuluar sado pak atë. Për hir të së vërtetës duhet të them se edhe demokratët, në vitet e tyre të gjata të qeverisjes e të Shumicës, nuk kanë miratuar një rezolutë si ajo që propozuan dy deputetët e cituar, madje e nderuara zonja Mesila Doda, për këtë arsye, vendosi të braktiste grupin e saj parlamentar.
“Të qeverisësh do të thotë të bësh të pakënaqur.” thonte dikur shkrimtari freng Anatol France. Është një e vërtetë, së cilës nuk i është shmangur asnjë qeveritar në historinë e njerëzimit, ndoshta me përjashtim të mbretit legjendar të Hindisë së lashtë, t’urtit Asoka. Duket se atë e ka kuptuar mirë edhe Edi Rama i cili, në mesazhin e fundit të vitit, ka braktisur tonin triumfalist e ka përqafuar atë autokritik dhe të përvuajtur, bir i një burrërie apo dinakërie të një politikani që kupton se çfarë premtohet në politikë, sidomos në fushatat zgjedhore, i përket më shumë se gjysma demagogjisë e gënjeshtrave dhe se “rilindja” është një koncept i bukur për hartimet e gjimnazistëve, por kthehet në një mashtrim të rradhës kur i vishet programeve politike, sidomos të pas komunistëve.
Kryeministri ve si objektiv kryesor të politikësë për vitin që hyn reformën në drejtësi dhe luftën e korrupsionit n’atë fushë. Madje ai përdor termin “tërmet”. Kjo fjalë është në vendin e duhur, është e përshtatëshme, por nuk do të ishte e plotë në kuptimin e vërtetë, nëse do t’i referohej vetëm sistemit të drejtësisë. Duhet reformuar drejtësia, duhet pastruar ajo nga ndryshku i korrupsionit që të kryejë detyrën e saj,të shkëputet nga ndikimi mbytës i politikës, të sigurojë zbatimin e ligjevet, të zbulojë e të dërmojë korrupsionin në jetën politike. Ai duhet të jetë tërmeti i vërtetë për të cilin ka nevojë Shqipëria për të ndryshuar, mbasi pasurimi i papërligjur i klasës politike, aty ku është i vërtetë, është detyrë e drejtësisë së ndershme t’a hetojë e t’a padisë, duke luftuar të korruptuarit, jo nëpërmjet veprimevet të rrugëvet, por duke respektuar ligjet e Shtetit.
A do të jetë e mundur ? Përgjigja është tepër e vështirë, sepse luhatet ndërmjet një mosbesimi skajor që frymëzon politika dhe një shprese të vagëllimtë që mbështetet, më shumë tek institucionet e huaja se sa te një vetëdijësim i yni me pasoja konkrete. Një klasë politike e pandryshuar në një çerek shekulli, e cila është përgjegjëse kryesore për gjëndjen e sotme, sepse e ka sjellë, e ka dashur dhe e ka ushqyer gjatë gjithë këtyre viteve të sprovës pas komuniste, do të gjejë mënyrën për t’u mbledhur si iriqi, jo vetëm duke neutralizuar gjyqtarët e ndershëm, por edhe duke i nxjerrë para shqytin shigjetave të Donald Lu-së apo Romana Vllahutinit, apo institucioneve që përfaqësojnë ata, të cilët po mundohen të ndërgjegjësojnë shqiptarët për problemet madhore e jetike të tyre.
Janar 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, MENDIME NË VETMINË E, MES DY VITEVE, NJË NATE

METEORI I PUBLIÇISTIKËS SHQIPTARE

December 19, 2015 by dgreca

“Brezat e ardhshëm i japin secilit nderimin që meriton”-TACITI/
Shkruan Eugjen Merlika/
“Jeta e të vdekurvet qëndron në kujtesën e të gjallëve”, shkruante në “Filipiket” e tij oratori i shquar romak, Ciceroni, më shumë se dymijë vjet të shkuara. M’u kujtua kjo thënie kur mora në dorë, për të satën herë, librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)..”.
Kaloi një vit nga ai mëngjes i kobshëm i 20 dhjetorit të këtij viti, që ndërpreu papritmas jetën tokësore të një djaloshi të hijshëm në pamje, të ëmbël në bisedë, të urtë në gjykim, të zjarrtë në ëndërra e ideale…. Mbas një viti jemi përsëri në prag të festave, edhe se atë djalosh nuk e kemi më në mesin tonë, sepse e priste një tjetër mision diku, sipër nesh, në dritën e pasosur… Në vënd të Tij kemi këtë libër, që shoqëron dhimbjen tonë, duke e shumfishuar sa herë e lexojmë, jo vetëm për plagën që nuk ve kurrë kore, por edhe për mendimet që na ka lënë : një radiografi e Atdheut, me entuziazmin e djaloshit student dhe gjykimin e plakut të thinjur, me mallin e birit të larguar dhe rreptësinë e gjykatësit të paanshëm.
Atjon Zhiti hyri në shtypin shqiptar me një shkrim befasues : “A jemi gati për atë që duam?”. Nuk ishte shkrimi i parë i Tij, ishte botimi i parë, kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. Mes dy pyetjeve që nisin dhe përfundojnë përsiatjen e djaloshit, i cili prej pak muajsh kishte filluar të studjonte filozofinë në Universitetin Katolik të Milanos, shpaloset në një stil tepër të përkorë, analiza e një vëzhguesi të imtë, të saktë e shumë objektiv. Nuk është vëzhguesi i paanshëm që sodit me ftohtësinë e të painteresuarit, duke zbuluar plagë, dobësi, mangësi e shkruan një reportazh që ngjall diskutime. Është një kirurg që merr bisturinë dhe e përdor me dhimbjen e birit, i cili sheh lëngimin e nënës e përpiqet t’a shërojë. I jep asaj gjithë dashurinë e Tij, por e di që ajo vetëm nuk mjafton, ashtu siç nuk mjafton edhe të ndenjurit në hije, të jetuarit me t’ardhurat e së shkuarës, sado e pasur të ketë qënë në bëma të mëdha e fisnike. Thika hyn thellë në kurmin e popullit të Tij, duke zbuluar me dhimbje se ai, historikisht e deri në ditët e sotme, kur është kthyer në një “rrethinë” të qytetit të stërmadh të globalizuar vazhdon të mbetet “prè e nepotizmit, e korrupsionit …. , e një demokracie fiktive, shpesh të munguar”. Kjo gjëndje lëngate i ka vrarë kundër trupëzat që luftojnë sëmundjen dhe autori vë re se ballafaqimi me popujt e tjerë, në të njëjtat kushte, nuk qëndron. Por nuk jepet, sepse e don popullin e Tij e gjen zgjidhjen në “një kryengritje morale të vazhdimtë”. Është një recetë, më shumë e studentit të filozofisë se sa e atij të politikës, por mbetet gjithmonë një përpjekje për rrugëzgjidhje, mbasi për Të nuk ka kuptim paditja e së keqes pa gjetur mënyrën e luftimit të saj.
Rrugëzgjidhja, për Autorin, kalon nëpërmjet një proçesi ripërtëritjeje morale e qytetare, ku dogma kryesore e jetës sonë të përbashkët duhet të jetë respektimi i ligjit. Shteti i ynë, me përjashtim të viteve të Mbretëruisë, në të cilët u bë një përpjekje, disi e frutëshme, për të marrë trajtat e shtetit ligjor, brënda caqeve të një shoqërie të dalë prej pak kohe nga sundimi otoman, nuk arriti kurrë të afrohet në standartet e kërkuara. Është ky problemi kryesor i shoqërisë shqiptare, pa zgjidhjen e të cilit nuk ka shpresë përparimi. Është i vetëdijshëm Djaloshi Zhiti për këtë anomalì të jetës sonë dhe shkruan artikullin “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…. “
Po të mos mbante firmën e Tij, ai shkrim do t’i vishej ndonjë juristi, apo ndonjë studjuesi të moshuar, mbasi më duket e vështirë të besohet se është përfundimi logjik i analizës së një 18-vjeçari, kaq i saktë teorikisht e me përgjegjësi qytetare, guxim dhe çiltërsi mendimi është shkruajtur. “Duket sikur ai princip aq i lartë nuk thotë se të gjithë ne jemi të barabartë përpara ligjit, por sikur të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona.” Sa të sakta tingëllojnë sot, në Shqipërinë “evropiane” të korrupsionit të zgjeruar, këto fjalë të Atjonit, të shkruara para dy vitesh, kur sapo ishte vendosur në pushtet Qeveria e “Rilindjes” shqiptare. Arsyeja kritike e Djaloshit të ri kapërcente demagogjinë e politikës së fitimit të votavet dhe vinte gishtin mbi plagë. Por plaga ishte aq e pëgërë, e mjekët që duhej t’a shëndoshin aq të pabesueshëm, saqë përfundimi i arsyetimit të Tij e çon në një zgjidhje radikale, e cila nuk ishte në natyrën dhe botkuptimin sokratian të Autorit të ri : “Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet.” Është një nga pikat kulmore të revoltës së brëndëshme të një eksponenti, ndoshta më i spikaturi i brezit të Tij, që e shpërthen nëpërmjet rrjeshtave të një artikulli që mbetet në kuadrin e tij, si pasuri e ndonjë lexuesi të vëmendshëm e vetëm kaq. Ndërsa duhej t’ishte një kushtrim brezi për të filluar punën për “ringjalljen” e Kombit, për të shpejtuar kohët se jemi tepër të vonuar.
Sa largpamës tingëllon mesazhi revolucionar i Tij sot, kur zonja Romana Vllahutin, një gazetare kroate, në rolin e përfaqësueses së BE në Tiranë, rendit në një takim zyrtar me gjyqtarë e politikanë, të gjitha mangësitë e shfaqjet e ndryshme të korrupsionit në organet tona gjyqësore dhe administrative, hapur, pa doreza, pa mbajtur parasysh “politically correct”, sepse kufoma kutërbon dhe infekton. Gjyqtarë, milionerë në euro, duke patur një rrogë mujore prej 1500€ nuk mund të ketë, veçse duke shitur fshehtas vendimet gjyqësore me zarfa kartmonedhash, duke penalizuar poshtërsisht ata që nuk kanë para kundër së drejtës….. Duket sikur jemi kthyer në shekullin XVIII të osmanëve në Shqipëri, kur bejtexhiu Hasan Zyko Kamberi shkruante : “Kadiut po t’i rrëfesh paranë Ters e vërtit sherianë Për para se ç’e shet t’anë Ja di kimenë parasë.” Shkrimi mbyllet me disa konsiderata të Konicës, “i vetmi politikan që ka pasur Shqipëria këta dy shekujt e fundit” mbi rininë shqiptare. Mjaft aktuale pyetjet e Konicës edhe për ditët tona, jo aq e saktë konsiderata e Autorit për të.
Në shkrimin “Kur u shpik 1+1 : mizoria që lulëzon nga dobësia” vazhdon argumenti i trajtuar më sipër. Autori pyet : pse korrupsioni është sistem ? Shpjegimi është një përpjekje për të diagnostikuar një shoqëri komplekse që, në mjedisin e ri të “ekonomisë së tregut”, pa rregulla e kontrolle dhe në një marrëveshje të fshehtë ndërmjet financës, kapitalit të paligjshëm e politikës pjell përbindësha që respektohen e admirohen, madje merren si modele nga pjesa më e madhe e shoqërisë.
“Kush e bën sot politikën në atdhe?” pyet Autori në shkrimin “Kur politika nuk dallohet nga rruga”. Përgjigjen e jep vetë : “Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptar. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.”
Nga drejtësia e sëmurë kalohet tek politika pa themele morale e kthyer, nga një mision në shërbim të një populli të dalë nga ferri komunist, që e ktheu në një kavje të sprovës më të paskrupullt të historisë së tij, në një garë pasurimi të paligjshëm mbi kurrizin e tij. Politika bëhet zotëruese e së “vërtetës absolute”, nuk shfaq kurrë prirjen për t’u vetëqortuar, nuk pranon kurrë gabimet e saj edhe se rezultatet janë zhgënjyese. Autori e krahason me qëniet e gjalla jo kurrizore që nuk kanë intelektin për të përpunuar përceptimet e marra nga mjedisi, pra të paafta të ndryshojnë diçka nga vegjetacioni i tyre. Por e keqja nuk mbetet vetëm në kastën ajo shtrihet deri poshtë, nëpërmjet aksiomës “të gjithë bëjnë kështu”, që paralizon çdo përpjekje për të luftuar shthurjen, paaftësinë, imoralitetin e politikës që ka dalë në rrugë, në vend që të qëndrojë në majë, në krye, të drejtojë,të japë shpresa, të hapë horizonte. Por ajo që është edhe më shqetësuese për Autorin, është kjo formë e sëmurë “të mësuari”, mirëkuptimi, madje zilije për atë dukuri, atë punë që siguron para, pushtet. Nëse e keqja është tek pak njerëz mund të shpresohet të çrrënjoset, nëse është e përgjithëshme ajo kthehet në një epidemi që çon në një shoqëri të shënuar nga “pseudo të vërtetat” e “pseudo vlerat”. “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vjetësh” mbyll përsiatjen e Tij Djaloshi atdhetar, që ka mprehtësinë e pazakontë për moshën t’a shohë realitetin në dritën e tij të vërtetë.
“Kulla eme nuk asht e vetme” është, simbas mendimit tim, eseja më e veçantë e veprës së Atjon Zhitit. Është e shkruar në gegërishte dhe e firmosur me pseudonimin Dardan Shkreli. Duket një përpjekje për t’u kthyer n’origjinë, për të rrokur me mendim, kujtesë, përfytyrim, mall, Shqipërinë e vjetër, mijravjeçare, patriarkale, por dhe atë të burrave të fjalës e gravet fisnike, të besës, të traditavet, por edhe të njerëzve të ngujuar në kulla, të gjaqeve të marra, të jetës baritore. Autori nuk është një romantik sentimentalist që strehohet në të kaluarën, për t’i ikur së sotmes që nuk e kënaq e për të cilën është mjaft i zhgënjyer. Mbetet gjithmonë për moshë e formim, një “idealist por pa iluzione”, siç shprehet në gazetën e Tij elektronike “Mesi radikal”. Vështrimi i Autorit për atdheun e vërtetë mijravjeçar përkon me atë të intelektualëve atdhetarë si Fishta, Gurakuqi, Kruja, Koliqi, Camaj etj., që popullin e tyre e shohin në dritën e tij të vërtetë, duke vënë në teh të kritikës të metat, prapambetjen, përtacinë, individualizmin skajor, por vlerësojnë burrërinë, besën, trimërinë e të tjera virtute. Atjoni fshikullon mendësinë e trashëguar të respektimit të autoritetit të fituar me dhunë, pasojë e një historie të gjatë, në të cilën shqiptari nuk pati kurrë Shtetin e tij e vonë, shumë vonë, filloi të formojë vetëdijen kombëtare. “Krijimi i një vetëdije të tanve na mungon edhe sot e kësaj dite. Ky dhé mujt me ba shumë por kurrë nuk kena dijtë me e frymzue e me e shfrytzue.”
Ka një notë kritike të mprehtë, jo vetëm për popullin që respekton dajakun, por edhe për prijësit e tij që nuk kanë ditur t’a edukojnë në frymën e vlerave të vërteta qytetare, t’a frymëzojnë në rrugën e përparimit, të punëve të dobishme, të kushtimit interesave të përgjithëshme, të bashkësisë, të Kombit. Në rrjedhë të shekujve, ky popull, i sulmuar nga të gjitha anët, nga Lindja e nga Perëndimi, nga Veriu apo nga Jugu, nuk e humbi kurrë identitetin e tij, gjuhën e traditat. Ky fakt tregon forcën e brëndëshme por, në një farë mase, edhe konservatorizmin e tij, mos pranimin me lehtësi të ndryshimeve, respektin për kodin e tij gjenetik. “Shqiptari, kjoft i krishtenë a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombësia e vet” vë re Djaloshi filozof, që e shikon këtë fakt në vështrim pozitiv, sepse ndryshimet fetare nuk janë kthyer kurrë në luftëra vllavrasëse. Është një cilësi e veçantë e identitetit shqiptar, sot e vlerësuar më shumë se kurrë nga bota, një nga të paktat aspekte të jetës sonë si popull, për të cilën me të drejtë mund të merremi si shembull. Përsiatja e thellë e Autorit të ri na çon në një përfundim, sa origjinal aq dhe të dobishëm, që do t’i shkonte më shumë për shtat një malsori të thinjur në interpretimin e kanunit se sa një djali të ri që studjon filozofi në Milano.
Urtësia e studentit arrin të depërtojë në thelbin e problematikës shqiptare. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, si pasojë e strategjisë depersonalizuese të regjimit komunist, shqiptarët humbën gjithë arsenalin e vlerave morale, me të cilat kishin ruajtur identitetin e tyre në shekuj furtunash e dimrash të acartë. “Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale ka edhe një kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj i a vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje të virtutshme.
Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…. “
Fundi i esesë përmbledh, në pak fjalë, historinë dhe filozofinë, krenarinë dhe përvuajtjen, urtësinë dhe largpamësinë, simbiozën e përkryer të Autorit të ri me Atdheun e Tij të lashtë. “Jeta është një betejë e përherëshme dhe filozofia është bari i vetëm që mund të vihet mbi plagët që marrim nga çdo anë.” Kështu shkruante, më shumë se dy shekuj e gjysmë të shkuara filozofi i madh iluminist francez, Voltair-i. I gjithë raporti i Autorit student me jetën e Vendit të lindjes përshkohet nga nocionet filozofike. Në çdo proçes njohjeje apo analize paraprin koncepti filozofik që drejton vëzhgimin e realitetit, përceptimin e tij, dhe përfundimet logjike. Në “Konflikti i individit me botën sociale ku ai jeton” gjejmë një paraqitje të konceptit të individit në vizionin e filozofëve që nga Aristoteli deri tek Nietzche dhe Kierkegard. Individi është në ecje të vazhdueshme, në evolucion, i shoqëruar përditë nga lufta e brëndëshme, konflikti i përjetshëm mes tokësores, botës së shqisave, zotërimit të instikteve dhe hyjnores, intelektit, shpirtit që ngrihet mbi botën reale, që bashkon të shkuarën me t’ardhmen, në një grumbull vlerash edhe të panjohura. Kjo luftë mes reales dhe të përfytyruarës, mes pragmatizmit tokësor dhe “asaj diç pas vdekjes”, siç thonte Shakespeare-i, kjo betejë e pranishme në mëndjen e pjekur të Djaloshit filozof e çon atë në një pyetje të vështirë, së cilës ai përpiqet t’i japë një përgjigje, jo nëpërmjet shpjegimesh filozofike, por të një thjeshtëzimi moral të koncepteve, në dobi të njeriut dhe të botës që e rrethon. Për Autorin, ajo përplasje mendimesh që ka çuar përpara njerëzimin, deri në lartësitë e shkencës së ditëve tona, nuk duhet të kthehet në një luftë pa kufi ndërmjet pjesëmarrësve të një populli apo të një shoqërie, siç ka ndodhur në Vendin e Tij, me pasoja tragjike të njohura, tepër larg “vuajtjes intelektuale” që ëndërron Ai.
Sigurisht, shkrimi dëshmon një pjekuri të mirëfilltë, përmbi të gjithë treguesit e natyrshëm të moshës apo të nivelit të arsimimit.
“Eutrofizimi politik” trajton temën e ndryshimeve demokratike në Shqipërinë e çerek shekullit të fundit që doli nga letargjia e rëndë e diktaturës enveriste me një mal shpresash e dëshirash për t’u bërë “si gjithë Evropa”. Mbas gati një të katërt shekulli gjëndemi përsëri në tranzicion dhe Evropa mbetet ende një ëndërr. Shqipëria është kthyer në “një moçalishte të politikës”. Është një metaforë që ve në dukje mungesën e ideve ndërtuese, të projekteve, asfiksimin deri në zhdukje të idealeve, zhbërjen morale të klasës politike, në pjesën më të madhe të saj. Të gjitha këto çojnë në atrofizimin e plotë të vlerave e motiveve shtyrëse, me pasoja vdekjeprurëse për ecjen përpara të Vendit, madje në një vdekje klinike të vetë idesë së zhvillimit, që zëvendësohet nga imoraliteti i demagogjisë dhe i mashtrimit.
Në një shkrim që mban titullin “ Atdhetarizëm jo si ndeshje” apo “Arena moderne”, një nga të fundit, që mban datën 17 tetor 2014 e që frymëzohet në Tetovë, duke patur si sfond incidentin e ndeshjes së futbollit Serbi – Shqipëri në Beograd, shpalosen konceptet e Autorit për patriotizmin si ndjenjë e si ide në ditët tona. Përkufizimet e Tij mbi konceptin janë frut i një evolucioni mendor që nuk huazon asgjë nga mendësia 50-vjeçare e regjimit, në të cilin dashuria për atdheun ishte instrumentalizimi më i përçudshëm që i bëhej vetë kuptimit të termit, sepse njëjtësohej gjithmonë me “besnikërinë” ndaj partisë, pushtetit e botës komuniste. Për Atjonin, Djaloshin me mendësi evropiane, patriotizmi është “kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…”. Atdhedashuria është një ndjenjë e brëndëshme e njeriut, një tregues i afërsisë shpirtërore të individit me mjedisin njerëzor në të cilin lind e rritet. Në këtë kënd vështrim ajo mbetet një ndjenjë subjektive dhe e kushtëzuar nga rrethanat shoqërore në të cilat jeton njeriu, pra edhe të trajtimit që pëson nga shteti e shoqëria. Në rastin e Shqipërisë e të regjimit të saj diktatorial, veçanërisht mizor, ruajtja e ndjenjës atdhetare nga të gjithë ata që u luftuan me të gjitha mënyrat, duke u privuar nga të gjitha të drejtat, duke jetuar në burgje apo në kampe interrnimi, të dalluar me gisht si “armiq të klasës” është me të vërtetë një mrekulli. Ata e deshën Atdheun edhe në fytyrën e policit që i ndoqi gjithë jetën, por Atdheu për ta qe një njerkë si te përrallat e vazhdon të jetë edhe sot.
“Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standart, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetiake”. E solla të plotë këtë fragment të shkrimit, sepse e quaj të vlefshme për t’u vënë në kornizë me gërma të mëdha e për të stolisur shtëpitë e shqiptarëvë kudo në botë. Ideja e atdhedashurisë si “një vlerë morale” që “duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin” nuk është thjesht një pohim i asaj që secili duhet të ndjejë. Është një thirrje për të përvehtësuar vlerat morale, për të qënë njerëz, në kuptimin e vërtetë të fjalës e për t’a vënë personalitetin tonë në shërbim të përfytyresës së Atdheut, të imazhit të tij kudo, në Vendin tonë e në botën e madhe ku jemi shpërndarë e ku jetojmë. Atjoni na porosit që të mos e njollosim atë imazh, të mundohemi çdo ditë t’a ndriçojmë me sjelljen tonë, me punën e përditëshme, me respektimin e vlerave njerëzore kudo ku jemi, në Shqipëri apo jashtë saj, në detyra të larta shtetërore, apo në punë të thjeshta e të ndershme. Ndihmesa në atë imazh nuk ka monopol, është detyrë e të gjithëve. Se si e kemi kryer këtë detyrë në çerek shekullin e fundit, secili le t’a shqyrtojë në vetvete, duke filluar nga ata që kanë drejtuar Shtetin, institucionet, politikën, shoqërinë e deri tek ata që kanë përfunduar në burgjet e Evropës, apo nëpër rrugët e saj, madje dhe ata që kanë shkuar të luftojnë në Siri. Djaloshi filozof, veç mësimit që na jep, na ve secilit një pasqyrë përpara të shohim veten.
Ai vetë, detyrën e Tij e kreu duke përfaqësuar Shqipërinë në forumet evropiane të bashkëmoshatarëve në një nivel t’admirueshëm. Por duke shëtitur nëpër rrugët e Tetovës shqiptare, mendimi i Tij kthehet në 70 vitet e shkuara, kur ideja e Kombit të bashkuar është braktisur paturpësisht nga klasa politike komuniste e pas komuniste. “Nuk ka pasur një politikë etnike reale” pohon me keqardhje Djaloshi mes bashkatdhetarëve që sot bota i quan maqedonë. Që këtej detyrimi atdhetar e qytetar që “ të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike” i pasuar nga një kërkesë e ligjëshme e brezit “dua forcë e vendosmëri për shtetin tim.” Ka më shumë atdhedashuri, qartësi e largpamësi politike në këto fjalë se sa në gjithë fjalimet e bisedat e politikanëve shqiptarë të marrë së bashku.
“Në kërkim të Agartit” është një esè e shkurtër, ndoshta e para e Autorit pesëmbëdhjetë vjeçar. Një ditë shtatori e vitit 2010, duke shëtitur nëpër rrugët e Durrësit, Atjoni kujtonte të shkuarën e këtij qyteti, fillimin e tij që humbiste në legjendat e thuhej se lidhej me emrin e fenikasve, një popull lundërtar që kishte themeluar shumë qytete në brigjet e Mesdheut. Nxënësi i liceut klasik “Giulio Cesare” të kryeqytetit italian, risillte në mëndjen e Tij historinë e këtij qyteti 2700-vjeçar. Mbi të kishin kaluar të gjitha qytetërimet e kontinentit, kishte pësuar më shumë se 50 ndërrime pushtuesish të shumë kombësive. Fillon të mendojë për jetën dhe kuptimin e saj, mbi qënien e formimin e saj të brëndshëm, mbi natyrën njerëzore e prirjet e saj të përjetëshme në kërkim të qëllimit të ekzistencës. Gjatë këtyre përsiatjeve i vjen në mëndje miti i Agartit në Hindinë e lashtë. Agarti është një vënd imagjinar i kërkuar, si një strehë e pafund që kthehet në një mit që përfaqëson dëshirën e përjetëshme të njeriut për të qënë i mbrojtur nga fatkeqësitë e natyrës, por edhe nga luftërat brënda gjinisë. Për nxënësin e ri Agarti është “kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie, që te njerëzit e sotëm na mungon.” Autori është idhtar i Sokratit dhe shprehjes së tij të famëshme : “Njih vetveten”. Eseja tregon pjekurinë e parakohëshme të Djaloshit, natyrën e tij përsiatëse, thellimin e pazakontë në dukuritë e jetës.
Ishin këto disa nga konsideratat që më erdhën në mëndje duke rilexuar librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)…” Me dhimbje të thellë kuptoj se ato shkrime nuk mund të kenë vazhdim, sepse Autori nuk mund të shkruajë më. “Jeta jonë tokësore është vetëm një pjesë e vogël në gjithë rrugën e qënies sonë” , shprehej Mathias Claudius (1740 – 1815), një poet gjerman. Nëse kjo është e vërtetë për të gjithë njerëzit që kryejnë ciklin normal të jetës, për Djaloshin tonë ajo qe si një shkrepëtimë rrufeje. Një vit mbas ikjes së Tij, duke lexuar këtë libër, mund të përfytyrojmë se ç’humbje madhore pësuam të gjithë në atë 20 dhjetor 2014….
Sa e dobishme do të ishte pena e Tij, sa e rëndësishme dhe mobilizuese do të ishte fjala e Tij, sa shpresëdhënëse do të ishte prania e Tij në përfaqësimet e ndryshme të rinisë shqiptare në ballafaqimet me kontinentin dhe botën, sa i frutshëm do të ishte ndikimi i personalitetit të Tij mbi bashkëmoshatarët në lindjen e një shprese, për të patur me të vërtetë një klasë politike të re, bashkëkohore, atdhetare e të kulturuar, aq të domosdoshme për fatet e Kombit tonë.
Atjoni kaloi në qiellin e publiçistikës shqiptare si një meteor i shkëlqyer. Koha e pranisë së Tij, fatkeqësisht, qe tepër e shkurtër, por ato shkrime, për të cilët fola më sipër, i japin jetëgjatësi Emrit të Tij, sepse vlerat e tyre nuk i nënshtrohen ligjit të parabolës. Ato mbeten të përherëshme sepse tashmë kanë hyrë në thesarin e pasurisë sonë kulturore. Ato vlera bëjnë që Atjoni të mbetet një meteor që do të ndriçojë gjithmonë qiellin tonë të hirtë, i ngulitur thellë në kujtesën tonë, i përkëdhelur gjatë në shpresat tona, për të patur një ditë një Atdhe të bashkuar, bashkëkohor, evropian, të qytetëruar, siç e përfytyronte, e konceptonte dhe e donte Ai.
Dhjetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon V. Zhiti, Eugjen Merlika, meteori i Publicistikes shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT