• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATJONI DHE ‘DIELLI”…

August 30, 2021 by s p

Atjon V. Zhiti

          – Në 26 vjetorin e lindjes së Atjon Zhitit –

Nga Grupi i Shokëve të Atjonit

Tashmë ne e njohim të riun Atjon Zhiti, për virtutet e bukurinë, për vrullin dhe pasionin, për veprimet dhe fjalët në shkrimet e tij, fytyra e tij është ajo e brezit të tij, plot ëndrra dhe dramë.

          Ai sot, në 30 gusht, do të ishte 26 vjeç.

Lidhjet e tij me gazetën “Dielli” kanë qenë, që kur Atjoni nxori esenë e parë dhe “Dielli” vazhdimisht ka botuar prej tij, e ka përkujtuar me dashuri. Që kur ishte fëmijë, Atjonit i pëlqente të vizatonte diellin, një pllangë të artë dhe kur u rrit ca, nuk vizatonte një diell, por dy, -tre në një peizazh, sikur nuk i mjaftonet njëri, sikur hakmerrej për të atin e tij, shkrimtarin Visar Zhiti, që e burgosën për poezitë, sepse në njërën ai kërkonte dhe një diell tjetër në formën e zemrës, atë të dashurisë. Dhe Atjoni vizatonte zemra, shumë, ia dhuronte mamit të vet, Edës. Dhe ajo organizoi dy ekspozita fëminore me piktura të Atjonit,  një në Romë, në shtëpi, kur punonin në Ambasadën e Shqipërisë në Itali dhe ftuan gjithë fëmijët e familjeve të ambasadës dhe të pallatit, ndërsa ekspozita tjetër u bë në vendlindjen e Atjonit, në Vlorë, në kopshtin e gjyshit të tij. Vizatimet u varën degëve të pemëve, erdhi të gjithë fëmijët e lagjes, pëlqyen pikturat po aq sad he ëmb;elsirat që shpërndante mami i Atjonit, Eda. Ai shkoi të studionte për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, vetë e fitoi bursën.Atjoni  i binte flautit, është marrë me sporte, kanotazh, not, tenis, etj, studionte gjuhë të huaja, latinishten dhe greqishten e vjetër, fliste dhe shkruante italisht dhe anglisht, kishte dëshmi për gjuhë frengjisht dhe gjermanisht.

Diej të Atjoni
Diej të Atjoni
Diej të Atjoni
Diej të Atjoni

Rrezet që bashkojnë duart


“Vorbull diellore”
Dielli në Alpet tona
Atjon Zhiti me poetin rus Jevtushenko

Dhe nis të shkruajë. Janë disa botime të tij tani. 

Atjon Zhiti me poetin e madh Adonis

“Për atë që dua(m)” është përmbledhja me ese e shkrime të tjera të Atjonit, doli në vitin 2015 në Tiranë. Dy vjet më vonë u botua albumin i madh me të gjitha vizatimet dhe pikturat të fëminisë dhe adoleshencës, “Opera Atjon”, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, me johonë në Shqipëri dhe jashtë saj..

Vitin që shkoi u botua në Prishtinë libri “Jam Atjoni”. Me ilustrime të tij. Ashtu siç janë dhe disa prej librave të Visar dhe Eda Zhitit, ku ai kështu është dhe bashkautor. Në disa ballina librash janë vendosur piktura të tij nga botimet në Shqipëri e Kosovë dhe në Itali… 

Kosova ishte dhe dashuria e Atjonit si ajo për atdhe. E ndjente Kosovën, ndërkaq e kishte shëtitur të gjithën, vendet historike kombëtare, kështjellat, kullat, liqenet, kishte shkuar në Shkodër dhe në Preshevë, etj, i pëlqente Prishtina më shumë se Tirana, mbrëmjet dhe kishte shumë shokë, edhe më të mëdhenj se veten. Nën kujdesin e poetit Jeton Kelmendi u botua libri “Jam Atjoni” dhe jepet dhe çmimi letrar ndërkombëtar “Atjon Zhiti”, nga shoqata e shkrimtarëve “Bogdani, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Këtë çmim së pari e mori një poete argjentinase dhe së fundmi një poete japoneze.

Po kështu jepet dhe çmimi  ndërkombëtar “Atjon Zhiti” nga Festivali i Filmit për Fëmijë “Giffoni”.

Ata që e kanë njohur Atjonin, nuk e kanë harruar më. Ai kishte miq poetë dhe shkrimtarë jo vet:e shqiptarë, si me poetin dhe gazetarin Sebastiano Grasso, President i PEN Clubit Italian apo me poetin rus Evgenij Jevtushenko, me poetin, kandidat per Nobel, Adonis, që jeton në Paris, etj.

Atjoni u bë ikona e gjeneratës së tij..

DO TA RREGULLOJMË BOTËN ME BUZËQESHJE…

– kështu na thoshte Atjoni, dëshmon studenti nga Kosova –

Në përurimin e librit “Për atë që dua(m)” të Atjonit në Universitetin Europian të  Tiranës, në Aula Magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, me të rinj, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të panjohur, vinin të tjerë, s’kishte më vende, rrinin dhe në këmbë, etj, pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, mesazhet që përcjell e befasitë, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, vij nga Prishtina, tha, posaçërisht për këtë takim, jam student në Zyrih, Ylli Haziri quhem.  “Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – vazhdoi ai – jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të  përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri. Atjoni kishte dy dashuri të  mëdha, – tregoi ndër të tjera, teksa dridhej mes emocionesh të  dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt…”. Atjoni dinte të bashkonte. Në një nga takimet e Parlamentit Europian të të Rinjve, ai është mes shokëve shqiptarë dhe serbë, ku me njërën dorë po mban të shpalosur flamurin e Republikës së Kosovë dhe me tjetrën atë të Serbisë. Me çiltërsinë e tyre, ata 19 vjeçarë, bënë atë që politika e dy vendeve, por dhe ajo ndërkombëtare, nuk po e realizon dot. Pranuan tjetrin. Fotoja e këtij çasti është vërtet  emblematike…Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, na thoshte Atjoni – e përfundoi fjalën e tij studenti nga Kosova…Buzëqeshja e Atjonit mbetet vepër arti, ajo të bënte për vete, që jo vetëm ta doje, por dhe ta besoje Atjonin menjëherë. Ishte ai që këmbëngulte ndër shokë se duhej të studionin, në universitet jashtë sa më shumë, në Europë e Amerikë e të ktheheshin patjetër, se “Atdheun do ta bëjmë ne”, besonte, “më të bukur dhe më të fortë.”                                                                                     

                                                                   (Nga libri “Jam Atjoni”)

NË KËTË 26 VJETOR TË LINDJES

          KEMI ZGJDHUR DISA THËNIE PËR ATJONIN TONË

          – nga botime të ndryshme –

“…Leximi i shkrimit të Atjonit ka qenë nji eksperiencë që përjetohet rrallë, shumë rrallë, në ditët tona. Dukej sikur zani vjen nga diku larg, shumë larg, dhe na tregon si mendon nji i ri me aftësi të rralla mendimi dhe shprehje, dhe si ndjehet zemra bujare e të rinjëve të pakomprometuem nga ndeshtrashat e jetës “moderne”. 

      Unë e përjetova edhe si nji “lajmërim” për ne të gjithë që jemi të zanun me problemet (shpesh artificiale) të jetës së vështirë që jetojmë… Sa mendim i thellë, sa gjykim i mprehtë, dhe sa bujari zemre lexohet në atë shkrim.   

      Përdorimi i dialektit geg ashtE manifestim i deshirës së autorit me qenë sa ma afër viktimës e me përdorue, si shenjë respekti gjuhen e “fshatit” tij.   

      Sa fisnikëri natyrale; sa ndjenjë miqësore!”

                                                                   Sami Repishti

                                                                   Shkrimtar dhe eseist

                                                          Lauruar në Sorbonë, jeton në SHBA

“…Nxorra pasazhe nga shkrimi i Atjonit dhe i shkrova me dorë në fletoren time, që t’i kem gjithnjë afër fjalët e Tij të pjekura, idetë e thella e largpamëse, shprehjet plot rrezatim të një intelekti të rrallë e shpirti subtil. Thashë me vete: Kur ikin njerëz si Atjoni, varfërohet planeti e pasurohet Qielli!…”

Ferhat Ymeraga

                                                                   Kent, Washington State, SHBA

“ …me shkrue gegnisht asht sprovë e njeriut të kulturuem, e njeriut pa paragjykime. Merre me mend, Atjoni  djalosh shpalos dijen e tij për gegnishten dhe asht i hapun për pasurimin e gjuhës sonë të shkrueme me visaret e gegnishtes të lana mbas dore prej druvarëve që i prenë nji krah Gjuhës sonë amtare. Kurse, përkundrazi, do gjoja profesorë të paguem mot e jetë prej  shtetit, u duket se bahet kiameti me studiue gjuhën e Camajt, të Fishtës, të Koliqit e të tjerëve.

      Të mos  e zgjas, Atjoni e ka shikimin ma të kthjelltë se gjojaprofesorët dhe e ka gjuhen ma të rrjedhshme se gjuha e drunjtë e disave prej tyne.”

Sami Milloshi

     Gazetar, poet, SHBA                                                                   

 “Atjoni jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën…Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.”

Akademik, Prof. Dr. Jeton Kelmendi

President

        “International Writers Assosaciation

          ‘Pjetër Bogdani’

“Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij.”

                        Eugjen Merlika   

studiues, kritik letrar, Itali.

          “Bota është më e varfër pa Atjonin… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqësi…”

                                                                                                                                Luan Topçiu

kritik arti, studiues, përkthyes,

  Bukuresht, Rumani

“Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…”

          Helena dhe Ismail Kadare

shkrimtarë 

TË HUAJT PËR ATJONIN:

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…                         

      Robert Elsie 

albanalog kanadez,

Berlin, Gjermani

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…

                                                                             Sebastiano Grasso

Poet, President i PEN Clubit, Itali

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.                                                       

                                                                                                       Padre Marko I. Rupnik

                                                                                                      Profesor Teolog, artist,

Universiteti Gregorian. Romë.

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.

                                                                   Kardinal Gianranco Ravasi

                                                                             Biblist, kritik arti.

                                                                             Ministër i Kulturës Vatikan.

Filed Under: Featured Tagged With: Atjon V. Zhiti, Atjoni dhe Dielli, Visar Zhiti

KULLA EME NUK ASHT E VETME

August 30, 2018 by dgreca

ATJON V. ZHITI*/                                                                                                                                                                23 Atjoni, veper e piktorit Gjergj Kola,KULLA EME NUK ASHT E VETME /                                                                                                                                           – gegërisht nga vetë autori –                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             (Botohet me rastin e datëlindjes së 23 të Atjon Zhitit, në 30 gusht, studentit të Filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore në Milano, që la pas një libër me ese, një album me piktura të fëminisë dhe të adoleshencës, ndërkaq ai ishte anëtar i Parlamentit Europian Rinor dhe një rrugë në Tiranë tani mban emrin “Rruga e Atjonit”, ndërsa Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çmimin “Atjon Zhiti”.               Për Atjonin janë shkruar poezi e kritika letrare, janë bërë portrete e ikona, ekspozita dhe koncerte, etj.                                                                         Për atë ishin të çmuara, dëshmojnë ata që kanë njohur, dashuria, vendi, – Kosovën nuk e ndante nga Shqipëria, – dhe gjuha. Dhe iu bashkua trinisë së Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë”).                                                                                                                                                                                                                                                                                                                        Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë  mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem.                                    Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu.                                                                                                                 Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.                                                                                                      

Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.                                                Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.

Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.                                                    Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.                               Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At’here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi.                                           Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.                                               Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s’administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit.                                                 Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme.                                                     Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…

Ne Foto:Portreti i Atjonit, vepër e piktorit Gjergj Kola, e ekspozuar pranë Luvrit në Paris.

Marrë nga libri “Për atë që dua(m)”

Filed Under: Featured Tagged With: Atjon V. Zhiti, E VETME, KULLA EME, NUK ASHT

METEORI I PUBLIÇISTIKËS SHQIPTARE

December 19, 2015 by dgreca

“Brezat e ardhshëm i japin secilit nderimin që meriton”-TACITI/
Shkruan Eugjen Merlika/
“Jeta e të vdekurvet qëndron në kujtesën e të gjallëve”, shkruante në “Filipiket” e tij oratori i shquar romak, Ciceroni, më shumë se dymijë vjet të shkuara. M’u kujtua kjo thënie kur mora në dorë, për të satën herë, librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)..”.
Kaloi një vit nga ai mëngjes i kobshëm i 20 dhjetorit të këtij viti, që ndërpreu papritmas jetën tokësore të një djaloshi të hijshëm në pamje, të ëmbël në bisedë, të urtë në gjykim, të zjarrtë në ëndërra e ideale…. Mbas një viti jemi përsëri në prag të festave, edhe se atë djalosh nuk e kemi më në mesin tonë, sepse e priste një tjetër mision diku, sipër nesh, në dritën e pasosur… Në vënd të Tij kemi këtë libër, që shoqëron dhimbjen tonë, duke e shumfishuar sa herë e lexojmë, jo vetëm për plagën që nuk ve kurrë kore, por edhe për mendimet që na ka lënë : një radiografi e Atdheut, me entuziazmin e djaloshit student dhe gjykimin e plakut të thinjur, me mallin e birit të larguar dhe rreptësinë e gjykatësit të paanshëm.
Atjon Zhiti hyri në shtypin shqiptar me një shkrim befasues : “A jemi gati për atë që duam?”. Nuk ishte shkrimi i parë i Tij, ishte botimi i parë, kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. Mes dy pyetjeve që nisin dhe përfundojnë përsiatjen e djaloshit, i cili prej pak muajsh kishte filluar të studjonte filozofinë në Universitetin Katolik të Milanos, shpaloset në një stil tepër të përkorë, analiza e një vëzhguesi të imtë, të saktë e shumë objektiv. Nuk është vëzhguesi i paanshëm që sodit me ftohtësinë e të painteresuarit, duke zbuluar plagë, dobësi, mangësi e shkruan një reportazh që ngjall diskutime. Është një kirurg që merr bisturinë dhe e përdor me dhimbjen e birit, i cili sheh lëngimin e nënës e përpiqet t’a shërojë. I jep asaj gjithë dashurinë e Tij, por e di që ajo vetëm nuk mjafton, ashtu siç nuk mjafton edhe të ndenjurit në hije, të jetuarit me t’ardhurat e së shkuarës, sado e pasur të ketë qënë në bëma të mëdha e fisnike. Thika hyn thellë në kurmin e popullit të Tij, duke zbuluar me dhimbje se ai, historikisht e deri në ditët e sotme, kur është kthyer në një “rrethinë” të qytetit të stërmadh të globalizuar vazhdon të mbetet “prè e nepotizmit, e korrupsionit …. , e një demokracie fiktive, shpesh të munguar”. Kjo gjëndje lëngate i ka vrarë kundër trupëzat që luftojnë sëmundjen dhe autori vë re se ballafaqimi me popujt e tjerë, në të njëjtat kushte, nuk qëndron. Por nuk jepet, sepse e don popullin e Tij e gjen zgjidhjen në “një kryengritje morale të vazhdimtë”. Është një recetë, më shumë e studentit të filozofisë se sa e atij të politikës, por mbetet gjithmonë një përpjekje për rrugëzgjidhje, mbasi për Të nuk ka kuptim paditja e së keqes pa gjetur mënyrën e luftimit të saj.
Rrugëzgjidhja, për Autorin, kalon nëpërmjet një proçesi ripërtëritjeje morale e qytetare, ku dogma kryesore e jetës sonë të përbashkët duhet të jetë respektimi i ligjit. Shteti i ynë, me përjashtim të viteve të Mbretëruisë, në të cilët u bë një përpjekje, disi e frutëshme, për të marrë trajtat e shtetit ligjor, brënda caqeve të një shoqërie të dalë prej pak kohe nga sundimi otoman, nuk arriti kurrë të afrohet në standartet e kërkuara. Është ky problemi kryesor i shoqërisë shqiptare, pa zgjidhjen e të cilit nuk ka shpresë përparimi. Është i vetëdijshëm Djaloshi Zhiti për këtë anomalì të jetës sonë dhe shkruan artikullin “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…. “
Po të mos mbante firmën e Tij, ai shkrim do t’i vishej ndonjë juristi, apo ndonjë studjuesi të moshuar, mbasi më duket e vështirë të besohet se është përfundimi logjik i analizës së një 18-vjeçari, kaq i saktë teorikisht e me përgjegjësi qytetare, guxim dhe çiltërsi mendimi është shkruajtur. “Duket sikur ai princip aq i lartë nuk thotë se të gjithë ne jemi të barabartë përpara ligjit, por sikur të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona.” Sa të sakta tingëllojnë sot, në Shqipërinë “evropiane” të korrupsionit të zgjeruar, këto fjalë të Atjonit, të shkruara para dy vitesh, kur sapo ishte vendosur në pushtet Qeveria e “Rilindjes” shqiptare. Arsyeja kritike e Djaloshit të ri kapërcente demagogjinë e politikës së fitimit të votavet dhe vinte gishtin mbi plagë. Por plaga ishte aq e pëgërë, e mjekët që duhej t’a shëndoshin aq të pabesueshëm, saqë përfundimi i arsyetimit të Tij e çon në një zgjidhje radikale, e cila nuk ishte në natyrën dhe botkuptimin sokratian të Autorit të ri : “Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet.” Është një nga pikat kulmore të revoltës së brëndëshme të një eksponenti, ndoshta më i spikaturi i brezit të Tij, që e shpërthen nëpërmjet rrjeshtave të një artikulli që mbetet në kuadrin e tij, si pasuri e ndonjë lexuesi të vëmendshëm e vetëm kaq. Ndërsa duhej t’ishte një kushtrim brezi për të filluar punën për “ringjalljen” e Kombit, për të shpejtuar kohët se jemi tepër të vonuar.
Sa largpamës tingëllon mesazhi revolucionar i Tij sot, kur zonja Romana Vllahutin, një gazetare kroate, në rolin e përfaqësueses së BE në Tiranë, rendit në një takim zyrtar me gjyqtarë e politikanë, të gjitha mangësitë e shfaqjet e ndryshme të korrupsionit në organet tona gjyqësore dhe administrative, hapur, pa doreza, pa mbajtur parasysh “politically correct”, sepse kufoma kutërbon dhe infekton. Gjyqtarë, milionerë në euro, duke patur një rrogë mujore prej 1500€ nuk mund të ketë, veçse duke shitur fshehtas vendimet gjyqësore me zarfa kartmonedhash, duke penalizuar poshtërsisht ata që nuk kanë para kundër së drejtës….. Duket sikur jemi kthyer në shekullin XVIII të osmanëve në Shqipëri, kur bejtexhiu Hasan Zyko Kamberi shkruante : “Kadiut po t’i rrëfesh paranë Ters e vërtit sherianë Për para se ç’e shet t’anë Ja di kimenë parasë.” Shkrimi mbyllet me disa konsiderata të Konicës, “i vetmi politikan që ka pasur Shqipëria këta dy shekujt e fundit” mbi rininë shqiptare. Mjaft aktuale pyetjet e Konicës edhe për ditët tona, jo aq e saktë konsiderata e Autorit për të.
Në shkrimin “Kur u shpik 1+1 : mizoria që lulëzon nga dobësia” vazhdon argumenti i trajtuar më sipër. Autori pyet : pse korrupsioni është sistem ? Shpjegimi është një përpjekje për të diagnostikuar një shoqëri komplekse që, në mjedisin e ri të “ekonomisë së tregut”, pa rregulla e kontrolle dhe në një marrëveshje të fshehtë ndërmjet financës, kapitalit të paligjshëm e politikës pjell përbindësha që respektohen e admirohen, madje merren si modele nga pjesa më e madhe e shoqërisë.
“Kush e bën sot politikën në atdhe?” pyet Autori në shkrimin “Kur politika nuk dallohet nga rruga”. Përgjigjen e jep vetë : “Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptar. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.”
Nga drejtësia e sëmurë kalohet tek politika pa themele morale e kthyer, nga një mision në shërbim të një populli të dalë nga ferri komunist, që e ktheu në një kavje të sprovës më të paskrupullt të historisë së tij, në një garë pasurimi të paligjshëm mbi kurrizin e tij. Politika bëhet zotëruese e së “vërtetës absolute”, nuk shfaq kurrë prirjen për t’u vetëqortuar, nuk pranon kurrë gabimet e saj edhe se rezultatet janë zhgënjyese. Autori e krahason me qëniet e gjalla jo kurrizore që nuk kanë intelektin për të përpunuar përceptimet e marra nga mjedisi, pra të paafta të ndryshojnë diçka nga vegjetacioni i tyre. Por e keqja nuk mbetet vetëm në kastën ajo shtrihet deri poshtë, nëpërmjet aksiomës “të gjithë bëjnë kështu”, që paralizon çdo përpjekje për të luftuar shthurjen, paaftësinë, imoralitetin e politikës që ka dalë në rrugë, në vend që të qëndrojë në majë, në krye, të drejtojë,të japë shpresa, të hapë horizonte. Por ajo që është edhe më shqetësuese për Autorin, është kjo formë e sëmurë “të mësuari”, mirëkuptimi, madje zilije për atë dukuri, atë punë që siguron para, pushtet. Nëse e keqja është tek pak njerëz mund të shpresohet të çrrënjoset, nëse është e përgjithëshme ajo kthehet në një epidemi që çon në një shoqëri të shënuar nga “pseudo të vërtetat” e “pseudo vlerat”. “Shëmbujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vjetësh” mbyll përsiatjen e Tij Djaloshi atdhetar, që ka mprehtësinë e pazakontë për moshën t’a shohë realitetin në dritën e tij të vërtetë.
“Kulla eme nuk asht e vetme” është, simbas mendimit tim, eseja më e veçantë e veprës së Atjon Zhitit. Është e shkruar në gegërishte dhe e firmosur me pseudonimin Dardan Shkreli. Duket një përpjekje për t’u kthyer n’origjinë, për të rrokur me mendim, kujtesë, përfytyrim, mall, Shqipërinë e vjetër, mijravjeçare, patriarkale, por dhe atë të burrave të fjalës e gravet fisnike, të besës, të traditavet, por edhe të njerëzve të ngujuar në kulla, të gjaqeve të marra, të jetës baritore. Autori nuk është një romantik sentimentalist që strehohet në të kaluarën, për t’i ikur së sotmes që nuk e kënaq e për të cilën është mjaft i zhgënjyer. Mbetet gjithmonë për moshë e formim, një “idealist por pa iluzione”, siç shprehet në gazetën e Tij elektronike “Mesi radikal”. Vështrimi i Autorit për atdheun e vërtetë mijravjeçar përkon me atë të intelektualëve atdhetarë si Fishta, Gurakuqi, Kruja, Koliqi, Camaj etj., që popullin e tyre e shohin në dritën e tij të vërtetë, duke vënë në teh të kritikës të metat, prapambetjen, përtacinë, individualizmin skajor, por vlerësojnë burrërinë, besën, trimërinë e të tjera virtute. Atjoni fshikullon mendësinë e trashëguar të respektimit të autoritetit të fituar me dhunë, pasojë e një historie të gjatë, në të cilën shqiptari nuk pati kurrë Shtetin e tij e vonë, shumë vonë, filloi të formojë vetëdijen kombëtare. “Krijimi i një vetëdije të tanve na mungon edhe sot e kësaj dite. Ky dhé mujt me ba shumë por kurrë nuk kena dijtë me e frymzue e me e shfrytzue.”
Ka një notë kritike të mprehtë, jo vetëm për popullin që respekton dajakun, por edhe për prijësit e tij që nuk kanë ditur t’a edukojnë në frymën e vlerave të vërteta qytetare, t’a frymëzojnë në rrugën e përparimit, të punëve të dobishme, të kushtimit interesave të përgjithëshme, të bashkësisë, të Kombit. Në rrjedhë të shekujve, ky popull, i sulmuar nga të gjitha anët, nga Lindja e nga Perëndimi, nga Veriu apo nga Jugu, nuk e humbi kurrë identitetin e tij, gjuhën e traditat. Ky fakt tregon forcën e brëndëshme por, në një farë mase, edhe konservatorizmin e tij, mos pranimin me lehtësi të ndryshimeve, respektin për kodin e tij gjenetik. “Shqiptari, kjoft i krishtenë a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombësia e vet” vë re Djaloshi filozof, që e shikon këtë fakt në vështrim pozitiv, sepse ndryshimet fetare nuk janë kthyer kurrë në luftëra vllavrasëse. Është një cilësi e veçantë e identitetit shqiptar, sot e vlerësuar më shumë se kurrë nga bota, një nga të paktat aspekte të jetës sonë si popull, për të cilën me të drejtë mund të merremi si shembull. Përsiatja e thellë e Autorit të ri na çon në një përfundim, sa origjinal aq dhe të dobishëm, që do t’i shkonte më shumë për shtat një malsori të thinjur në interpretimin e kanunit se sa një djali të ri që studjon filozofi në Milano.
Urtësia e studentit arrin të depërtojë në thelbin e problematikës shqiptare. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, si pasojë e strategjisë depersonalizuese të regjimit komunist, shqiptarët humbën gjithë arsenalin e vlerave morale, me të cilat kishin ruajtur identitetin e tyre në shekuj furtunash e dimrash të acartë. “Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale ka edhe një kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj i a vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje të virtutshme.
Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…. “
Fundi i esesë përmbledh, në pak fjalë, historinë dhe filozofinë, krenarinë dhe përvuajtjen, urtësinë dhe largpamësinë, simbiozën e përkryer të Autorit të ri me Atdheun e Tij të lashtë. “Jeta është një betejë e përherëshme dhe filozofia është bari i vetëm që mund të vihet mbi plagët që marrim nga çdo anë.” Kështu shkruante, më shumë se dy shekuj e gjysmë të shkuara filozofi i madh iluminist francez, Voltair-i. I gjithë raporti i Autorit student me jetën e Vendit të lindjes përshkohet nga nocionet filozofike. Në çdo proçes njohjeje apo analize paraprin koncepti filozofik që drejton vëzhgimin e realitetit, përceptimin e tij, dhe përfundimet logjike. Në “Konflikti i individit me botën sociale ku ai jeton” gjejmë një paraqitje të konceptit të individit në vizionin e filozofëve që nga Aristoteli deri tek Nietzche dhe Kierkegard. Individi është në ecje të vazhdueshme, në evolucion, i shoqëruar përditë nga lufta e brëndëshme, konflikti i përjetshëm mes tokësores, botës së shqisave, zotërimit të instikteve dhe hyjnores, intelektit, shpirtit që ngrihet mbi botën reale, që bashkon të shkuarën me t’ardhmen, në një grumbull vlerash edhe të panjohura. Kjo luftë mes reales dhe të përfytyruarës, mes pragmatizmit tokësor dhe “asaj diç pas vdekjes”, siç thonte Shakespeare-i, kjo betejë e pranishme në mëndjen e pjekur të Djaloshit filozof e çon atë në një pyetje të vështirë, së cilës ai përpiqet t’i japë një përgjigje, jo nëpërmjet shpjegimesh filozofike, por të një thjeshtëzimi moral të koncepteve, në dobi të njeriut dhe të botës që e rrethon. Për Autorin, ajo përplasje mendimesh që ka çuar përpara njerëzimin, deri në lartësitë e shkencës së ditëve tona, nuk duhet të kthehet në një luftë pa kufi ndërmjet pjesëmarrësve të një populli apo të një shoqërie, siç ka ndodhur në Vendin e Tij, me pasoja tragjike të njohura, tepër larg “vuajtjes intelektuale” që ëndërron Ai.
Sigurisht, shkrimi dëshmon një pjekuri të mirëfilltë, përmbi të gjithë treguesit e natyrshëm të moshës apo të nivelit të arsimimit.
“Eutrofizimi politik” trajton temën e ndryshimeve demokratike në Shqipërinë e çerek shekullit të fundit që doli nga letargjia e rëndë e diktaturës enveriste me një mal shpresash e dëshirash për t’u bërë “si gjithë Evropa”. Mbas gati një të katërt shekulli gjëndemi përsëri në tranzicion dhe Evropa mbetet ende një ëndërr. Shqipëria është kthyer në “një moçalishte të politikës”. Është një metaforë që ve në dukje mungesën e ideve ndërtuese, të projekteve, asfiksimin deri në zhdukje të idealeve, zhbërjen morale të klasës politike, në pjesën më të madhe të saj. Të gjitha këto çojnë në atrofizimin e plotë të vlerave e motiveve shtyrëse, me pasoja vdekjeprurëse për ecjen përpara të Vendit, madje në një vdekje klinike të vetë idesë së zhvillimit, që zëvendësohet nga imoraliteti i demagogjisë dhe i mashtrimit.
Në një shkrim që mban titullin “ Atdhetarizëm jo si ndeshje” apo “Arena moderne”, një nga të fundit, që mban datën 17 tetor 2014 e që frymëzohet në Tetovë, duke patur si sfond incidentin e ndeshjes së futbollit Serbi – Shqipëri në Beograd, shpalosen konceptet e Autorit për patriotizmin si ndjenjë e si ide në ditët tona. Përkufizimet e Tij mbi konceptin janë frut i një evolucioni mendor që nuk huazon asgjë nga mendësia 50-vjeçare e regjimit, në të cilin dashuria për atdheun ishte instrumentalizimi më i përçudshëm që i bëhej vetë kuptimit të termit, sepse njëjtësohej gjithmonë me “besnikërinë” ndaj partisë, pushtetit e botës komuniste. Për Atjonin, Djaloshin me mendësi evropiane, patriotizmi është “kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…”. Atdhedashuria është një ndjenjë e brëndëshme e njeriut, një tregues i afërsisë shpirtërore të individit me mjedisin njerëzor në të cilin lind e rritet. Në këtë kënd vështrim ajo mbetet një ndjenjë subjektive dhe e kushtëzuar nga rrethanat shoqërore në të cilat jeton njeriu, pra edhe të trajtimit që pëson nga shteti e shoqëria. Në rastin e Shqipërisë e të regjimit të saj diktatorial, veçanërisht mizor, ruajtja e ndjenjës atdhetare nga të gjithë ata që u luftuan me të gjitha mënyrat, duke u privuar nga të gjitha të drejtat, duke jetuar në burgje apo në kampe interrnimi, të dalluar me gisht si “armiq të klasës” është me të vërtetë një mrekulli. Ata e deshën Atdheun edhe në fytyrën e policit që i ndoqi gjithë jetën, por Atdheu për ta qe një njerkë si te përrallat e vazhdon të jetë edhe sot.
“Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standart, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetiake”. E solla të plotë këtë fragment të shkrimit, sepse e quaj të vlefshme për t’u vënë në kornizë me gërma të mëdha e për të stolisur shtëpitë e shqiptarëvë kudo në botë. Ideja e atdhedashurisë si “një vlerë morale” që “duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin” nuk është thjesht një pohim i asaj që secili duhet të ndjejë. Është një thirrje për të përvehtësuar vlerat morale, për të qënë njerëz, në kuptimin e vërtetë të fjalës e për t’a vënë personalitetin tonë në shërbim të përfytyresës së Atdheut, të imazhit të tij kudo, në Vendin tonë e në botën e madhe ku jemi shpërndarë e ku jetojmë. Atjoni na porosit që të mos e njollosim atë imazh, të mundohemi çdo ditë t’a ndriçojmë me sjelljen tonë, me punën e përditëshme, me respektimin e vlerave njerëzore kudo ku jemi, në Shqipëri apo jashtë saj, në detyra të larta shtetërore, apo në punë të thjeshta e të ndershme. Ndihmesa në atë imazh nuk ka monopol, është detyrë e të gjithëve. Se si e kemi kryer këtë detyrë në çerek shekullin e fundit, secili le t’a shqyrtojë në vetvete, duke filluar nga ata që kanë drejtuar Shtetin, institucionet, politikën, shoqërinë e deri tek ata që kanë përfunduar në burgjet e Evropës, apo nëpër rrugët e saj, madje dhe ata që kanë shkuar të luftojnë në Siri. Djaloshi filozof, veç mësimit që na jep, na ve secilit një pasqyrë përpara të shohim veten.
Ai vetë, detyrën e Tij e kreu duke përfaqësuar Shqipërinë në forumet evropiane të bashkëmoshatarëve në një nivel t’admirueshëm. Por duke shëtitur nëpër rrugët e Tetovës shqiptare, mendimi i Tij kthehet në 70 vitet e shkuara, kur ideja e Kombit të bashkuar është braktisur paturpësisht nga klasa politike komuniste e pas komuniste. “Nuk ka pasur një politikë etnike reale” pohon me keqardhje Djaloshi mes bashkatdhetarëve që sot bota i quan maqedonë. Që këtej detyrimi atdhetar e qytetar që “ të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike” i pasuar nga një kërkesë e ligjëshme e brezit “dua forcë e vendosmëri për shtetin tim.” Ka më shumë atdhedashuri, qartësi e largpamësi politike në këto fjalë se sa në gjithë fjalimet e bisedat e politikanëve shqiptarë të marrë së bashku.
“Në kërkim të Agartit” është një esè e shkurtër, ndoshta e para e Autorit pesëmbëdhjetë vjeçar. Një ditë shtatori e vitit 2010, duke shëtitur nëpër rrugët e Durrësit, Atjoni kujtonte të shkuarën e këtij qyteti, fillimin e tij që humbiste në legjendat e thuhej se lidhej me emrin e fenikasve, një popull lundërtar që kishte themeluar shumë qytete në brigjet e Mesdheut. Nxënësi i liceut klasik “Giulio Cesare” të kryeqytetit italian, risillte në mëndjen e Tij historinë e këtij qyteti 2700-vjeçar. Mbi të kishin kaluar të gjitha qytetërimet e kontinentit, kishte pësuar më shumë se 50 ndërrime pushtuesish të shumë kombësive. Fillon të mendojë për jetën dhe kuptimin e saj, mbi qënien e formimin e saj të brëndshëm, mbi natyrën njerëzore e prirjet e saj të përjetëshme në kërkim të qëllimit të ekzistencës. Gjatë këtyre përsiatjeve i vjen në mëndje miti i Agartit në Hindinë e lashtë. Agarti është një vënd imagjinar i kërkuar, si një strehë e pafund që kthehet në një mit që përfaqëson dëshirën e përjetëshme të njeriut për të qënë i mbrojtur nga fatkeqësitë e natyrës, por edhe nga luftërat brënda gjinisë. Për nxënësin e ri Agarti është “kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie, që te njerëzit e sotëm na mungon.” Autori është idhtar i Sokratit dhe shprehjes së tij të famëshme : “Njih vetveten”. Eseja tregon pjekurinë e parakohëshme të Djaloshit, natyrën e tij përsiatëse, thellimin e pazakontë në dukuritë e jetës.
Ishin këto disa nga konsideratat që më erdhën në mëndje duke rilexuar librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)…” Me dhimbje të thellë kuptoj se ato shkrime nuk mund të kenë vazhdim, sepse Autori nuk mund të shkruajë më. “Jeta jonë tokësore është vetëm një pjesë e vogël në gjithë rrugën e qënies sonë” , shprehej Mathias Claudius (1740 – 1815), një poet gjerman. Nëse kjo është e vërtetë për të gjithë njerëzit që kryejnë ciklin normal të jetës, për Djaloshin tonë ajo qe si një shkrepëtimë rrufeje. Një vit mbas ikjes së Tij, duke lexuar këtë libër, mund të përfytyrojmë se ç’humbje madhore pësuam të gjithë në atë 20 dhjetor 2014….
Sa e dobishme do të ishte pena e Tij, sa e rëndësishme dhe mobilizuese do të ishte fjala e Tij, sa shpresëdhënëse do të ishte prania e Tij në përfaqësimet e ndryshme të rinisë shqiptare në ballafaqimet me kontinentin dhe botën, sa i frutshëm do të ishte ndikimi i personalitetit të Tij mbi bashkëmoshatarët në lindjen e një shprese, për të patur me të vërtetë një klasë politike të re, bashkëkohore, atdhetare e të kulturuar, aq të domosdoshme për fatet e Kombit tonë.
Atjoni kaloi në qiellin e publiçistikës shqiptare si një meteor i shkëlqyer. Koha e pranisë së Tij, fatkeqësisht, qe tepër e shkurtër, por ato shkrime, për të cilët fola më sipër, i japin jetëgjatësi Emrit të Tij, sepse vlerat e tyre nuk i nënshtrohen ligjit të parabolës. Ato mbeten të përherëshme sepse tashmë kanë hyrë në thesarin e pasurisë sonë kulturore. Ato vlera bëjnë që Atjoni të mbetet një meteor që do të ndriçojë gjithmonë qiellin tonë të hirtë, i ngulitur thellë në kujtesën tonë, i përkëdhelur gjatë në shpresat tona, për të patur një ditë një Atdhe të bashkuar, bashkëkohor, evropian, të qytetëruar, siç e përfytyronte, e konceptonte dhe e donte Ai.
Dhjetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon V. Zhiti, Eugjen Merlika, meteori i Publicistikes shqiptare

19 – VJEÇARI I PËRJETSHËM NË DITËN E LINDJES

August 31, 2015 by dgreca

Në kujtim të Atjon V. Zhitit/
“ Pa një ide eprore nuk mund të jetojë një njeri, as edhe një komb. Ka vetëm një ide eprore mbi tokë : ideja e pavdekësisë së shpirtit njerëzor, sepse të gjitha të tjerat me të cilat mund të jetojë njeriu, burojnë vetëm nga kjo ide”- Fjodor Dostojevskij/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Po sjell nëpërmënd këtë shprehje të gjeniut të letërsisë ruse e botërore sot, në ditën kur dua të kujtoj lindjen, njëzet vjet më parë, më 30 gusht 1995, të një fëmije, për të cilën u gëzova shumë atëherë, sepse ishte biri i një shoku të vuajtjeve, e të cilin e kujtoj me shumë dhimbje sot, kur Ai nuk arriti t’a festojë ditëlindjen më të bukur të jetës njerëzore në familjen e Tij. Të shkruash për jetën e një njeriu që ndalet papritmas mes 19 e 20 vjetëve, të cilit i ke uruar ardhjen në këtë botë para njëzet vitesh, qënka jo më pak e dhimbëshme se sa të pranosh, në caqet tona njerëzore, të pakuptueshmen e misterin e kësaj gjëme….
Koncepti i shtjelluar nga Dostojevskij, që ishte edhe një nga autorët më të pëlqyer të Djaloshit, i shpallur thjesht e fuqishëm nga themeluesit e doktrinave fetare, i shprehur në format më të ndryshme nga shumë mëndje të ndritura të njerëzimit në shekuj, i pranuar apo i mohuar nga rryma të ndryshme të mendimit e përfaqësues të tyre, mendoj se mbetet një e vërtetë që duhet të ndriçojë botën tonë të brëndëshme edhe në çastet më të errëta të saj, kur provohen dhimbjet më cfilitëse, edhe para ngjarjesh të pakuptueshme e të papranueshme për logjikën tonë njerëzore.
Një e tillë ishte, para disa muajsh, humbja tepër e parakohëshme e Atjon Zhitit, një biri të rrallë e të paharruar, jo vetëm të prindërvet të nderuar e rrethit të Tij familjar, por edhe të mjedisit shkollor e shoqëror në të cilin u lind e u rrit, madje të gjithë Shqipërisë, me të cilën e kishte lidhur shpirtërisht jetën e Tij rinore e për të cilën, me formimin njerëzor e intelektual, me karakterin e personalitetin e spikatur jashtë të përgjithëshmes, përbënte një shpresë për t’ardhmen, një pikë riferimi tejet pozitive.
Përvjetori i njëzetë i lindjes së “19 – vjeçarit të përjetshëm” i sjell lexuesit shqiptar dhe dashamirësvet të Tij në atdhe një dhuratë të çmuar, librin “Për atë që dua(m)…..”, i Autorit më të ri të publiçistikës shqiptare, të botuar nga UET Press, që nderohet me emrin e Atjon Zhitit në botimet e saj. Uroj që ky libër të ketë vëndin e tij në çdo bibliotekë të cilitdo që flet shqip e të jetë si një busull drejtuese për të gjithë të rinjtë shqipfolës. Ai libër, me të gjithë shkrimet e Tij, shumica e të cilëve të botuara në këtë vit e një pjesë, me gjallje të Autorit, na jep portretin e plotë të personalitetit të jashtzakonshëm të djaloshit.
Mosha e re , në të cilën u nda nga jeta tokësore studenti i “Sacro Cuore-s”, e bën të pabesueshëm përceptimin e saktë të individualitetit të vërtetë, në të gjithë shtrirjen e tij e në lartësitë e arrira. Atjoni ishte “bir arti”. Trashëgoi humorin e hollë dhe pavarësinë e mendimit të Gjyshit artist, së bashku me aftësinë për të vëzhguar botën, duke pësuar mbi shpinë padrejtësinë dhe dhunën, për t’a paraqitur atë, në vërtetësinë e saj rrënqethëse, pa nxitur urrejtjen, cilësi këto të babait, Visarit, njërit ndër më të shquarit e letrave të këtij Vendi. Këtyre dhuntive u shtoi kulturën klasike, të marrë në liceun “Giulio Cesare” të Romës dhe një aftësi të rrallë për të depërtuar në thelbin e sendevet e të dukurive, së bashku me guximin e moshës për të shprehur thjesht e qartë mendimin e Tij, edhe kur ai ishte kundër rrymës, edhe kur mund të shkaktonte kundërshtí, edhe kur nuk ishte “politically correct”.
Djaloshi Zhiti ishte një personazh poliedrik me prirje të shumta dhe interesa të gjithanëshme intelektuale. Prirjet u shfaqën shpejt, që në moshën e fëmijërisë kur, tre vjet e gjysmë, pikturoi një skicë për Nënë Terezën që u fut në një vëllim kushtuar Asaj, e të cilën e riprodhoi “L’Osservatore Romano”, gazeta më e rëndësishme e hierarkisë së krishterë. I dhënë mbas pikturës që në moshë të njomë, ka lënë disa vizatime në stilin e impresionizmit bashkëkohor, të cilët zbukurojnë muret e dhomës së Tij, ku ndoshta shpirti kthehet shpesh për t’u shmallur me atë mjedis familjar, nga i cili u nda aksidentalisht papritmas në një agim dite fundi dhjetori…
Me rrjedhjen e viteve interesat intelektuale u shtuan duke krijuar përfytyresën e personalitetit që njohim. Në të bashkëjetojnë delli artistik me prirjen vëzhguese e përsiatëse që e shtyn drejt studimit të filozofisë, shkencës së mendimit njerëzor, që i paraprin fushave të tjera të dijes, kryesisht të disiplinave humaniste. Që në vogëli mëndja e Tij priret të vëzhgojë e të bluajë, të arrijë në përfundime, të shprehë opinione, të japë përcaktime tepër larg nivelit të bashkëmoshatarëve. “Flake para se të të flakë” i thotë babait kur e sheh të tymosë një cingare. Ishte gjashtë vjeç.
Pesëmbëdhjetë vjeç në Durrës shkruan një ese me titullin “Në kërkim të përsosjes”. Duke u endur nëpër rrugët e qytetit bregdetar, përfytyron të shkuarën dhe qytetërimet që kanë kaluar mbi të, duke u ndalur me mendim mbi një mit të lashtë, të Agarthit, të mbretërisë së nëndheshme të njerëzve të përsosur. Për djaloshin miti ishte kërkimi i vazhdueshëm i njeriut mbi kuptimin e qënies. Kujton Sokratin, idhullin e Tij, por edhe Diogjenin, që kërkonte njeriun me qiri në dritë të diellit.
“Të mendosh do të thotë të endesh në hapësirën e pafundësisë” shkruante Lacordaire, një murg filozof francez. Pafundësia ishte bota e brëndëshme e Djaloshit që projektohej jashtë me leximet e etëshme e të larmishme, me udhëtimet e njohjet e njerëzvet, që i lehtësoheshin nga mjediset e punës e të veprimtarisë së babait, tashmë të shquar në kulturën shqiptare. Një forcë e çuditëshme e brëndëshme, apo një frymëzim i jashtëm jashtë kohës e hapësirës sonë, e nxisnin të “digjte etapat”. Formimi intelektual i djaloshit ishte i shpejtë, i qëndrueshëm, i thellë. “Sa më tepër të zgjerohet njohja e jonë e librave të mirë, aq më shumë ngushtohet rrethi i njerëzvet, shoqëria e të cilëve është e pëlqyer.” vërente filozofi gjerman Ludwig Feuerbach. Për Djaloshin student të filozofisë kjo thënie u zbatua plotësisht. Rastet dhe rrethanat bënë që të njihej me poetë, shkrimtarë, sociologë e filozofë, të cilët gjetën tek Atjoni i ri një shok të tyre, me të cilin mund të bisedonin lirisht për çfarëdo argumenti. Njohu e krijoi lidhje me shkrimtarë e artistë shqiptarë, miq të babait, me piktorin e shquar Ibrahim Kodra, me Shënjtoren shqiptare Nënë Terezën, u miqësua në Itali me poetin Sebastiano Grasso e, nëpërmjet tij, me Jevtushenkon, Adonisin, Paolo Coelhon etj. Më parë kish njohur poetin e moshuar Mario Luzzin, ishte takuar me Nobelistët Dereck Walcott dhe Tomas Tranströmer. Marredhëniet e Tij me përfaqësues të shquar të kulturës botërore bashkëkohore, miqësia e konsiderata e ndonjerit prej tyre për Djaloshin shqiptar, ende të parritur mirë, tregojnë katërcipërisht se cili ishte brumi, me të cilin ishte gatuar Studenti i Universitetit Katolik të Milanos.
Ai brumë, i mbruajtur me miellin e fisnikërisë së trashëguar të familjeve të dy prindërvet, do të punohej e do të merrte formë në atdhe apo në Itali, ku punonin ata, fatmirësisht, jashtë atmosferës mbytëse të diktaturës, në mjedise e rrethana që lejonin zhvillimin e lirë të mendimit. Nga ky kompleks u ngjiz e u formua personaliteti i Djaloshit që qe përfaqësues shqiptar në forumet rinore të Europarlamentit në Riga, Barcelonë etj. Ai përfaqësoi denjësisht e cilësisht Atdheun në botën e sotme, në sajë të formimit kulturor të jashtzakonshëm e të krenarisë që ushqente për trashëgiminë më të mirë të traditës së tij.
Atdheu për Të nuk ishte vetëm toka ku u lind, ishte historia, më shumë dhimbje se gaz, ishte trashëgimia kulturore, jetësore, doket, zakonet, morali. Përfytyresa e Tij për Atdheun i ngjan asaj të një njeriu të moshuar, që ka kaluar përvoja të ndryshme, por që gjen drejtpeshimin e duhur ndërmjet vlerave të së shkuarës së largët për t’u ringjallur dhe “paragjykime, tabu e budallalliqe të tilla”, “në disa relike të paafta dhe hipokrite të diktaturës komuniste”, për t’u hedhur në koshin e historisë si mbeturina të dëmshme që pengojnë përparimin e fitimin e kohës së humbur.
Tepër kritik ndaj politikës shqiptare nga pozitat e qytetarit mëndjendritur, idealist, vizionar e largpamës, nuk nguron të bëjë pyetje e të ngrejë çështje, i aftë të gjejë zgjidhjet e të japë recetat. Larg idesë së politikës aktive, edhe se jo i pandjeshëm ndaj ndonjë nxitjeje të veçantë që i bëhej drejt për së drejti, por tepër i gjallë në shpalosjen e parimevet të drejta, të domosdoshme për të shkuar përpara si shoqëri e si komb, themeloi gazetën elektronike “Mesi radikal”, “një idealizëm pa iluzione”, siç e përcaktonte Ai. Ajo qe krijesa e Tij, ndoshta më e dashura, sigurisht më frytdhënësja në rrjedhë të kohës, që do të kishte patur një rol, besoj shumë të dobishëm, në jetën intelektuale shqiptare, sidomos të rinisë e të rrjeteve sociale por, për fat të keq nuk pati vazhdim…
Është tepër prekës njoftimi që jep në të për organizimin e forumit të ardhshëm rinor të Europarlamentit në Korçë. Entuziazmin e Tij, të bashkuar me vullnetin e fortë që karakterizonte çdo hap të jetës, e gjejmë në një njoftim të thjeshtë : “Kam filluar punë dhe shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne.” Është synimi i shkëlqyer i të riut idealist, por edhe objektiv e realist, për të sendërtuar me brezin e Tij t’ardhmen evropiane të Shqipërisë. Kujtimi i Tij i ndritur na bën të gjithë të detyruar t’a rrokim atë mesazh e secili të bëjë punën e tij. Ai kujtim duhet të jetë veçanërisht një shtysë e fuqishme për brezin e Tij, i cili, në fjalët e shkrimet e Tij, gjen jo vetëm modelin për t’u imituar, por edhe projektin e nisur për të sendërtuar Shqipërinë, vërtetë demokratike dhe evropiane.
“Unë besoj në rrugën e nisur, unë besoj në idealet e demokracisë, unë besoj në ndryshimet e bëra…” Ishte kjo besojma e shpallur e Atij Djaloshi të shkëlqyer që, nga bota e dritës e së vërtetës, vazhdon të hedhë vështrimin e Tij mbi “ata shumë të rinj, më të aftë, më me shumë ëndërra, dije…”, të cilët do të kishin qenë bashkudhëtarët dhe shokët e Tij të luftës për të ndryshuar për mirë Atdheun e tyre. Çuarja përpara e projekt-idesë së Atjonit mendoj se është për ta detyra urdhëruese e brezit, i cili mbetet e vetmja shpresë në shkretëtirën e idealeve të vyshkura të politikës shqiptare.
Duke shkruar me dhimbje të thellë këta rrjeshta për një Djalosh që e mbylli shumë shpejt rrethin e jetës së Tij tokësore, e cila qe aq intensive e prodhimtare, pa krahasim me shumë të tjera që mbartin dhjetëvjeçarë të shumtë në vetvete, por asgjë për t’u kujtuar veç dashurisë e mirënjohjes së familjarëvet.
Nëse vullneti hyjnor, që përcakton lindjen dhe vdekjen e njeriut, herë herë është i pashpjegueshëm për vendimet e Tij të pakapëshme nga mëndja e jonë, drejtësia zyrtare, që e ka për detyrë të hetojë e të nxjerrë përfundime në raste të tilla, më duket shumë e vonuar në punën e saj. Shpresoj që kjo vonesë mos të jetë e tillë që të ngjallë dyshimin e mungesës së dëshirës për të nxjerrë përgjegjësitë e, madje, edhe fajin eventual të ndonjerit. Familja, së pari e shoqëria kanë të drejtë të njohin të vërtetën e zotërinjtë prokurorë e hetues duhet të kishin plotësuar me kohë atë kërkesë të ligjëshme.
Frederiku i Madh i Prusisë, në fund të shekullit 18 shprehej kështu : “Ne nuk e masim jetën e njerëzvet me kohëzgjatjen e saj, por me përdorimin që i kanë bërë kohës në të cilën kanë jetuar.” Atjon Zhiti meriton, në këtë vështrim vlerësimin më të lartë, për mënyrën se si e ka mbushur, në të gjitha drejtimet, jetën e Tij, të familjes, të shoqërisë e të Atdheut. Meteori i Tij qe tepër i shkurtër, por drita e tij do të mbetet gjatë në qiellin e hirtë të jetës shqiptare. Si e tillë, nëpërmjet atij libri, do të mbetet e gjallë në kujtesën e kombit.
Çifti i shquar Kadare thotë se “Ai ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë”. Duke e përqafuar me bindje të plotë këtë pohim të vlertë, i mbyll këto konsiderata të thjeshta e të dhimbëshme me një thënie të një tjetër Perandori, kësaj here të Romës, filozofit Mark Aureli : “Sheh mbrapa teje një përjetësi pa fund dhe një tjetër përjetësi para teje. I vënë kështu në mes, çfarë ndryshimi sheh ti mes një jete tri ditëshe dhe një tjetër tre shekujshe ?”
Gusht 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon V. Zhiti, Eugjen Merlika, ne kujtim

KULLA EME NUK ASHT E VETME

April 1, 2015 by dgreca

Nga Atjon V. Zhiti/ Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem. Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu. Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.
Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë. Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.
Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.
Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit. Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At’here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi. Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet. Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s’administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit. Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme. Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon V. Zhiti, KULLA EME, NUK ASHT E VETME

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT