“Politika është arti i përdorimit të njerëzve, duke i bërë të kujtojnë se ti je duke u shërbyer atyre e jo ata ty”- L. Dumur (1863 – 1933)/
NGA EUGJRN MERLIKA/
M’u kujtua kjo shprehje e shkrimtarit francez, të lindur në Gjenevë, të hasur në një libër aforizmash, kur, për të satën herë, u rihap biseda e hapjes së dosjevet të Sigurimit të Shtetit. Besoj se është argumenti më i trajtuar në opinionin publik, në këta vite të kalesës pas komuniste. Është bërë objekt bisede i gjithë shoqërisë, kryesisht i pjesës së përndjekur nga regjimi, si shprehje e dëshirës për një zbulim, një njohje të të vërtetave të paditura që kanë përcaktuar fatkeqësi, drama e tragjedi, kryesisht në planin vetiak e familjar të secilit qytetar që, për dhjetëvjeçarë me rradhë, është ndjerë i përndjekur, i kërcënuar, i terrorizuar nga një maqinë e stërmadhe dhune siç ishte Sigurimi i Shtetit, shtylla më e fuqishme dhe më fuqiplote e diktaturës.
Megjithë vullnetin e mirë të secilit për të kuptuar mekanizmin, të mirëkuptimit për cfilitjet shpirtërore e psikologjike të viktimave të shumta të asaj makine infernale e mbidjallëzore, vetëm ata, jo të pakët, që kanë kaluar në ingranazhet e saj, janë në gjendje të vlerësojnë, në të gjitha përmasat e saj, tragjedinë e dukurive. Vetëm ata që janë vënë para një detyrimi tepër të dhimshëm, që trondiste në themele gjithë impiantin moralo – psikologjik të njeriut, kur bëhej fjalë për të vendosur me një firmë një barrë të rëndë në ndërgjegje, duke dhënë ndihmesën e arrestimit e dënimit të shokut, të mikut, të familjarit, për të vazhduar një jetë mjerane pranë familjes, ndoshta me një punë më pak të lodhëshme, apo të tjerë që “për të fjetur rehat”, për të pasur ndërgjegjen e pastër, për të mos hyrë në borxh me dikë, vendosnin braktisjen e familjes në kushte të vështira, përballimin e arrestimit e të punës së detyruar me rrezik jete çdo ditë në minierat, të ridënimit, të shkatërrimit të jetës vetiake e familjare, duke mos pranuar paktin me djallin, janë në gjendje të kuptojnë thelbin e problemit.
Ajo kategori jo e vogël qytetarësh shqiptarë, nga kasta drejtuese pas komuniste nuk gjeti asnjë farë mirëkuptimi n’atë drejtim. I pa shkatërruesit e jetës së tyre të bëheshin afaristë e pushtetarë dhe nga lartësia e pasurisë së grabitur me mjete të paligjëshme, apo nga ajo e pushtetit “demokratik”, të përballej përsëri me nënqeshjen mefistofelike të tyre…. Ndërmjet viktimave të diktaturës e klasës politike mbas diktatoriale u krijua një hendek i madh, për mbushjen e të cilit u bë pak ose aspak në gjithë këta vite. Pati nisma të ndryshme vetiake e institucionale për të hequr vellon e misterit, për të hapur dokumentat e fshehta të diktaturës, por ato mbetën pa zë, pa frymëmarrje, u shkrinë si vesa në rrezet e diellit si pasojë e mos pranimit të politikës. Ky qëndrim i kësaj të fundit përligjej me “kujdesin” për të ruajtur “harmoninë”, për të shmangur “hakmarrjen”, për të parë “përpara”, në emër të një ideje të së shkuarës, “ku të gjithë ishin bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”. Kjo ide që vinte shenjën e barazimit ndërmjet sekretarit të parë e një koperativisti, të një antari të byrosë e të një puntori, të një oficeri të Sigurimit e të një të burgosuri atë një internuari, pengonte çdo përpjekje për të nxjerrë të vërtetën. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes së vendimeve të politikës shqiptare, kur të gjitha Vendet e tjera ish komuniste e përballonin problemin e trasparencës dhe miratonin ligjet përkatëse.
Ana tjetër, më e rëndësishmja, ishte çështja e pushtetit që, simbas strategjisë katoviciane të Ramiz Alisë, duhej të mbetej në duart e komunistëve që braktisën ngjyrën e gjakut, jo fort të pëlqyer nga Perëndimi, e përvehtësuan atë trëndafilí, të kaltërt, të gjelbër apo të nuancave të tyre. Dosjet mbaheshin të fshehta, por komisionet e vlerësimit të figurave shërbenin për të ndaluar hyrjen e mundëshme të viktimave të dhunës komuniste në politikë. Përfundimi qe një bllokim 23-vjeçar i çdo përpjekjeje për t’a hartuar dhe miratuar ligjin për hapjen e dosjeve dhe të lustracionit, duke shpalosur haptas vazhdimësinë me sistemin e shkuar, jo vetëm përsa i përket heshtjes ndaj strategjisë kriminale të tij, por edhe pjesëmarrjes në hallka të ndryshme të pushtetit e të administratës të njerëzve që, normalisht së paku duhej të kishin dhënë llogari për krimet kryera. Por kjo është një temë që kërkon një trajtim të veçantë e del nga kuadri i këtij shkrimi, edhe se është i lidhur me objektin e tij.
Ditët e fundit, duke filluar nga Kryeministri, po flitet përsëri, madje dy deputetë, znj. Mesila Doda e z. Shpëtim Idrizi, n’emër të shoqërisë civile, i kanë paraqitur Kuvendit një projekt-ligj. Është i habitshëm, për të mos thënë më tepër, kundërveprimi i Opozitës që, nëpërmjet Z. Edi Paloka, e quan nismën në fjalë si “një përpjekje për të larguar vëmëndjen nga dështimet e qeverisë”! Madje Kryetari i PD-së arrin të kërcënojë znj. Doda me përjashtim nga grupi parlamentar ! Për aq sa mund të vlejë, përfitoj nga rasti t’i shpreh kësaj zonje të nderuar respektin, mirënjohjen e solidaritetin tim për angazhimin e saj shumë vjeçar në dobi të viktimave të krimit komunist.
Qëndrimi i sotëm i PD-së bie ndesh edhe me vetveten, sepse para katër vitesh ligji i tyre për lustracionin u hodh poshtë nga Gjykata kushtetuese. Viktimat e luftës së klasave, viktimat e krimit komunist presin prej PD, pjestare e grupit evropian të partive popullore e te djathta, një tjetër qëndrim kundrejt këtij problemi. Dihet qëndresa e së majtës shqiptare, trashëgimtare e drejt për drejtë e partisë komuniste, kundër këtij ligji gjatë gjithë këtyre viteve, por nuk mund të përligjet n’asnjë mënyrë kundërshtimi i PD-së sot.
Projekt-ligji i Dodës dhe Idrizit do të ballafaqohet me mendimin e Qeverisë e të shumicës në pushtet e nuk dihet se ç’do të dalë, nëse do të dalë. Simbas pohimit të këshilltarit Sandër Lleshi, Kryeministri ka vënë si detyrë këtë projekt që në janarin e këtij viti, pra një vit më parë. Ky fakt është shpresëdhënës, mbasi tregon vullnetin e tij që, gjatë një viti, në ballafaqim me faktorë të tjerë pro dhe kundër brënda shumicës qeverisëse, logjikisht duhet të jetë forcuar, përderisa flitet publikisht. Z. Lleshi qe mjaft i qartë në intervistën e tij televizive në shpalosjen e filozofisë politike që është në bazë të projektit. Së pari ai pranon faktin se “Fatkeqësisht ne sot jemi vendi i vetëm në Evropën Lindore, antare në NATO ose kandidate që i kemi ende të mbyllura arkivat sekrete, kjo rëndon mbi ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare.”. Kjo tregon një ndërgjegjësim të Qeverisë se problemi kërkon një zgjidhje e nuk mund të shtyhet në “kalendat greke”, një tregues i realizmit politik. Së dyti z. Lleshi paraqet projekt-synimin e Qeverisë që ligji i ardhshëm mos të jetë një krijesë e saj, por një huazim i një përvoje të huaj n’atë drejtim, në rastin konkret, të asaj gjermane. “…. ne nuk kemi ndërmënd të shpikim një ligj shqiptar, por do të marrim një model dhe do t’a zbatojmë me rigorozitet në parimet e tij.”. Kjo strategji mbetet e diskutueshme, mbasi përvojat, mendësitë, formimet e dy popujve, shkallët e qytetërimit, mënyrat e zbatimit të të njëjtit sistem, nuk e di se deri në ç’pikë mund të sigurojnë efekte të njëjta nga zbatimi i të njëjtit ligj. Në këtë drejtim ndoshta e veçanta shqiptare duhet të mbahet më shumë parasysh. Së treti strategjia qeveritare nuk e sheh në një trup të vetëm hapjen e dosjeve, trasparencën e regjimit, me ligjin e lustracionit që është qëndrimi i shtetit kundrejt elementëve të inkriminuar në përbërjen e tij. Ndoshta kjo mënyrë e ballafaqimit me problemin, nëse nuk bëhet fjalë për një prapamendim, që do t’a likuidonte atë në t’ardhmen, do të ishte më e dobishme, mbasi do të jepte mundësi të thellohej më shumë në përballimin e tij.
Në këtë vështrim projekt ligji Doda-Idrizi bie ndesh me mendimin e qeverisë. I pari është më shqiptar si koncept, i dyti është evropian. Ndoshta zgjidhja më e mirë di t’ishte një rrugë e mesme për dy arsye : ligji shqiptar do t’i jepte mundësi edhe teprimeve e, shpesh, dënimeve jo në masën e drejtë, manipulimeve politike e të tjera dukurive të këtij lloji si korrupsioni, me të cilin jemi përballur në gjithë këta vite ; ligji evropian kërkon të njëjtësojë dukuritë, duke u bazuar në parime universale që nuk mbajnë parasysh veçoritë e popujve e të situatave. Qëndrimi i Evropës dhe i SHBA-ës kundrejt viktimave të komunizmit, për mendimin tim, është tejet i diskutueshëm. Gjatë “luftës së ftohtë” i jepej më shumë rëndësi marredhënieve tregtare me shtetet komuniste. Në bisedat rrallë e tek flitej për të drejtat e njeriut, kur n’ata Vende, kryesisht në Shqipëri, nuk bëhej fjalë për të drejta por për “krime kundër njerëzimit”. Mbas rënies së komunizmit nuk pati asnjë kujdes të posaçëm për viktimat as në Evropë dhe as në SHBA. Kjo ka arsyet e saj, sepse në filozofinë e tyre minimizohen krimet e komunizmit, për pasojë ata nuk flasin kurrë për dëmshpërblimet e tyre. Edhe një ligj në këtë kontekst e në këtë filozofi politike nuk do të ishte plotësisht i përshtatëshëm për realitetin tonë.
Duke vazhduar bisedën mbi ligjin e ardhshëm dua të ve në dukje një pikë, që mendoj se është e gabuar e që meriton një ndreqje të menjëherëshme. Projekt ligji Doda – Idrizi , në nenin 14, pika 2 shprehet : “ Nëse personi nuk jeton më, asnjë i afërm nuk mund të kërkojë të dhëna mbi dosjen”. Në intervistën e z. Lleshi nuk flitet për këtë pikë. E gjej këtë kusht jashtë logjikës, jo vetëm sepse bie në kundërshtim me të gjithë konceptin e zgjeruar të trashëgimisë, por edhe të një padrejtësie, deri në dhunë, të të drejtave të bijve në raport me prindërit. Nëse ky propozim është bir i idesë se duhen ndaluar motivet e “hakmarrjes” së mundëshme të bijve, kjo periudhë 23-vjeçare ka hedhur poshtë krejtësisht një ndrojtje të tillë të një pjese të shoqërisë shqiptare e mjaft të huajsh. Për një lloj sensi përgjegjësie qytetare e respekti ndaj ligjeve, apo frike e mungese guximi, apo të dyja bashkë, këta vite kanë dëshmuar se Shqiptarët nuk kanë asnjë prirje për hakmarrje vetiake të atij lloji. Cilado qoftë konsiderata që ka pjellë atë ide, mendoj se duhet lënë mënjanë e u duhet siguruar bijve të njerëzve të dënuar e të përndjekur nga diktatura e drejta për të hyrë në të fshehtën e Shtetit kundrejt prindërve, edhe në rastin kur ata nuk janë më në jetë, për më tepër sepse pasojat e asaj të fshehte kanë rënë mbi ata bij, nga dita që kanë lindur deri sa sistemi ndërroi formë.
Sa i përket lustracionit, efektet e një ligji të tillë sot, mbas 23 vjetësh, do të ishin shumë të kufizuara, sepse në administratën e sotme, për arsye moshe, besoj se do të jenë shumë të pakët ata që do të prekeshin nga një ligj i tillë. Ky mund të jetë edhe një motiv më shumë për t’u miratuar nga Kuvendi, duke nxjerrë në dukje edhe arsyen e vërtetë të kësaj vonese biblike. Ligji për hapjen e dosjeve do t’ishte një hap përpara në ndarjen nga diktatura e njohja e një të drejte të ligjëshme të qytetarëve shqiptarë. Do të kishim një Shqipëri më të hapur, më të tejdukëshme, më njerëzore, një shoqëri që nuk vazhdon të mbulojë krimet, edhe se jemi shumë larg konceptit të dënimit të vërtetë të diktaturës e nxjerrjes para përgjegjësisë të kriminelëve të saj.
Dhjetor 2014 Eugjen Merlika
NJË ÇMIM I MERITUAR, NJË SFIDË E FITUAR
NGA EUGJEN MERLIKA/
Ditët e fundit Juria e posaçme për letërsinë e Ministrisë së Kulturës i dha çmimin e vitit 2014 Prof. Gulielm Dedës, për përkthimin e poemës madhore “Orlandi i Çmendun” të Ludovik Ariostos. Edhe se i ndjeri përkthyes nuk arriti t’a marrë, në të gjallë të tij, këtë kënaqësi tejet të merituar, këtë vlerësim të lartë që kultura zyrtare i blatoi, për t’afërmit, miqtë, shokët, bashkëvuajtësit dhe amatorët e letërsisë ai vendim përbën një gëzim të madh.
Komisioni dhe Ministria, në rastin konkret, duhen përgëzuar për dy arsye : e para se kanë çmuar një përkthim të një cilësie spikatëse të një vepre, nga më të shquarat e letërsisë klasike italiane, dhe e dyta, e më e rëndësishme, sepse në vendimin e marrur nuk është mbajtur në konsideratë politika, me të gjitha dogmat e paragjykimet e saj të trashëgimisë komuniste. Nuk do të ishte një gjë për t’u shënuar kjo ngjarje, nëse i ndjeri profesor do të kishte qënë një intelektual i lënë të punonte në profesionin e tij, si disa të tjerë, edhe se i mbikqyrur e i privuar nga çfarëdo privilegji që gëzonin intelektualët e regjimit.
Gulielm Deda u konsiderua nga regjimi komunist, kundërshtar në mendime i të cilit Ai ishte që në rini të tij, një armik me A të madhe, duke pësuar në gjithë jetën e tij pasojat e dhunës policore. I dënuar me pesë vjet burg në vitet e para të diktaturës, u pasua me një jetë të tërë internimi e pune të rëndë në ndërtim apo bujqësi. Në këta vite të gjata stërmundimi fizik e brengosjeje të pandërprerë shpirtërore, ish studenti i njërit nga universitetet më të vjetër e më të famshëm t’Italisë e t’Evropës, atij të Padovës, gjeti forca në vetvete për të punuar me ngulm, me pasion e me entuziazëm djaloshar, për të shqipëruar “Orlandin e çmendun”, nji poemë 40.000 vargjesh e cila, simbas kritikut më të shquar të letërsisë italiane, Françesko de Santis, “për shkëlqimin artistik është puna më e përsosur e imagjinatës italiane dhe për kuptimin e thellë të ironisë së tij një shtyllë ndriçuese e historisë së shpirtit njerëzor”
Kam patur fatin të jetoja me Të në një gazermë beqarësh, në sektorin e Plukut të N.B. “29 nëndori” të Lushnjes, e të isha dëshmitar i një pune titanike që përkthyesi bënte çdo mbrëmje në kushte absolutisht të pamundura edhe për një durim prej Jobi e një vullnet prej Prometheu. Mbas një dite pune të lodhëshme, duke shtyrë karrocën me llaç, beton, tulla apo gurë në ndërtimin e stallave të lopëve të fermës, Lemi (kështu e thërrisnim të gjithë) ulej në shtratin e tij me një laps e një fletore me vija duke mbajtur përpara tekstin italisht dhe një fjalor italisht – shqip të Fulvio Cordignanos. Ishte viti shkollor 1959 – 1960 dhe un ndiqja vitin e fundit të gjimnazit. Si tani më del para syve të mëndjes ai burrë fisnik e shpirtmadh që, në një zhurmë të pazakontë njerëzish të lodhur e të pashpresë që mundoheshin të gjenin në lodrat, shakatë, apo bisedat e shpesh diskutimet me zë të lartë për futbollin mënyrën për të kaluar orët e “pushimit”, vazhdonte të shkruante në fletore vargjet shqip të Ariostos. Shpesh i afrohesha me kurreshtjen e 16 vjeçarit të cilin e tërhiqte letërsia e, pa e trazuar në punën e tij, sodisnja lëvizjen e majës së lapsit mbi fletët e, shpesh edhe gomën që fshinte ndonjë fjalë apo ndonjë shprehje.
Ajo fytyrë e çiltër që pasqyronte një përsiatje të vazhdueshme e të heshtur të dukurive të mjedisit që e rrethonte, por edhe të së shkuarës, që herë herë shpërthente në një të qeshur të fortë me humorin e shkodranit në shpirt e në buzë, më frymëzonte besim e më jepte tërthoraz një mësim të madh : vullneti për të studjuar e për të punuar duhet t’ishte gjithmonë shoqërues i përditshëm edhe atëherë kur jeta vinte mure në çdo hap që hidhej. Ai më jepte shëmbullin se si ata mure shëmbeshin nëpërmjet vargjeve që shkruheshin mbi një fletore të thjeshtë, vargje që stoiku Lem i skaliste me daltën e gjuhës së tij, duke i marrë nga gjuha e vjetër e Ariostos, për t’i futur në thesarin e kulturës shqiptare.
Ajo punë vetmitare, që nuk kishte asnjë siguri se do të shihte dritën e botimit, ishte jo vetëm shprehje e pasionit të madh për letërsinë e vullnetit për t’i shërbyer tempullit t’artit e kulturës së popullit të Tij. Ajo ishte dhe forma më e mirë e kundërveprimit shpirtëror kundrejt një rendi gjërash që kërkonte t’a kthente në një frymor të thjeshtë, me muskuj të fuqishëm për të shtyrë karrocën e llaçit, por pa botë shpirtërore, pa mendim, pa shpresë, pa t’ardhme, një qënie që duhej të vegjetonte në një tunel t’errët e frymëmarrës…. Për të sendërtuar këtë kundërveprim të heshtur, pa bujë e pa zhurmë kishte zgjedhur librin e një kollosi të letërsisë së Vendit ku u diplomua. I ndërgjegjshëm për vështirësitë e mëdha të përkthimit zgjedh një vepër që është frut i fantazisë e që nxit fantazinë, pasqyrën e një bote të shkuar, në të cilën mbizotëronin kalorësit e damat e ëndërruara, dashuria e nderi, por edhe respekti për vlerat njerëzore si bujaria e shpirti kalorsiak, që ishte shprehje e vullnetit të lirë “të pa lidhur me ligje”, siç do të shprehej shekuj më vonë Karl Mori, heroi i “Cubat” të Shilerit, mbasi”ligjet kanë bërë të zvarriset si kërmilli atë që do të fluturonte si shqiponja”.
“Ajo që e gjallëron dhe shqetëson është një ndjenjë eprore që është për të besim, moralitet e gjithshka ; është kulti i formës së bukur, frymëzimi i kulluar artistik. E sheh të ndryshojë e përsëri të ndryshojë, deri sa mos t’i ketë dhënë krijesave të tij formën e fundit që arrin t’a kënaqë. Nga ky seriozitet e gjenialitet pune doli epopeja e Rilindjes, tempulli kushtuar të vetmes hyjni të nderuar ende në Itali : Artit.
Ludoviku dhe Danteja qenë dy flamurtarë të qytetërimeve të kundërta. Të ndarë njëri nga tjetri prej dy shekujsh, të paralajmëruar nga yje më të vegjël, qenë sintezat në të cilat u krye dhe u mbyll koha e tyre. Tek Danteja mbaron Mesjeta, tek Ludoviku mbaron Rilindja”
Këta opinione të de Santis na japin me pak fjalë përmasat letrare e artistike të poetit e dramaturgut të madh Ariosto, bashkëmoshatar i Mikelanxhelo Buonarotit në kapërcyell të dy shekujve 15 e 16, aq të pasur në protagonistë të letërsisë, artit e kulturës evropiane.
Profesor Gulielm Deda i kushtoi mundimin më të madh intelektual të jetës së tij shqipërimit të këtij personaliteti të shquar të Rilindjes italiane. Ishte ndihmesa e një biri të Shqipërisë, që kishte studjuar e ishte formuar me kulturën e vendit fqinj të përtej detit, një formë e krijimit të urave që lidhnin dy popujt në shekuj të gjatë edhe se në kontekste, jo gjithmonë korrekte e miqësore. Urat i ndërton kultura me forcën e saj, edhe se shpesh herë i rrëzon politika me verbërinë e saj. Përkthyesi i Ariostos i përkiste atij brezi të intelektualëve shqiptarë që, në kohën e Mbretërisë u shkolluan në Evropën Perëndimore. Shumica dërmuese e tyre përfundoi në mishgrirësen e luftës së klasave të “demokracisë popullore”, duke e varfëruar Vendin në pasurinë më të madhe që mund të ketë një popull, n’atë të mëndjeve njerëzore. Shumica e të mbijetuarve u shkim dalëngadalë në galeritë e minierave apo “Kënetat e vdekjes” të socializmit shqiptar, nën trysninë mbytëse të një diktature që nderin e meritën më të madhe të saj quajti asgjësimin e tyre.
Lexuesi shqiptar, që ka në dorë prej dy vjetësh, “Orlandin e Çmendun” në gjuhën e tij, është në gjendje të vlerësojë talentin epror të Prof. Gulielm Dedës, i cili hyn pa ndrojtje në Panteonin e atyre që kanë bërë të flasin shqip njerëzit më përfaqësues të dijes e të artit njerëzor, të fjalës së yjeve të ndritshëm të gjithësisë kulturore të njerëzimit. Ai i bashkohet emrave të nderuar të Fan Nolit, të Dom Lazër Shantojës, Pashko Gjeçit, Frano Allkajt, Mark Demës, Henrik Lacajt, Paparistos, Vedat Kokonës e të tjerëve përkthyes të suksesëshëm, të vjetër e të rinj të letrave shqipe.
Vlera e Gulielm Dedës shtohet madhërishëm nga kushtet në të cilët u detyrua të jetojë e të punojë. Vepra e tij është pasqyrë e sfidës kundrejt diktaturës, sfidë të fituar plotësisht me çmimin e marrë dhe fjalët përcjellëse të Ministres Kumbaro :”… e nderojmë sot duke i kërkuar ndjesë që shoqëria shqiptare, bota e letrave dhe njerëzit e fjalës nuk ditën, nuk mundën, nuk arritën t’i a shprehin se sa çmëndurisht e bukur është vepra që na ka lënë.”
Profesor Deda, nëpërmjet veprës së Tij na la edhe një mesazh të përjetshëm e përherë aktual : vlerat e vërteta njerëzore, ndihmesat në kulturën e jetën shpirtërore të nji populli e të nji shoqërie janë flakë që nuk shuhen kurrë, por shpejt a vonë ndriçojnë rrugën e përjetëshme të ecjes së tij përpara. Kundërvlerat, prodhime të errësirës, të dhunës, të urrejtjes, të mashtrimit, sado jetë të gjatë të kenë, nuk i shmangen një fundi të hidhur, harresës e dënimit në vetëdijen e njerëzimit.
Duke falënderuar ata që pregatiten dhe realizuan botimin e veprës së Gulielm Dedës, falënderojmë edhe Ministrinë e Kulturës e komisjonin e saj që, me vendimin e tyre, tërthoraz na përcollën edhe mesazhin e tij.
Dhjetor 2014
BUNK – ARTI DHE MJERIMI I SHQIPTARËVE
”Kush nuk don t’arsyetojë është një fanatik ; kush nuk din t’arsyetojë është një trupeshk ; kush s’guxon t’arsyetojë është një skllav.”/- W. Drummond (Poet skocez 1585 – 1649)/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të jubileut të 70 – vjetorit të ikjes së ushtrisë gjermane nga Shqipëria, qe hapja e Bunk – Artit , jo për vlerën reale që paraqet ky objekt faraonik në Vendin më të varfër t’Evropës, por për faktin që ai i u bë i njohur publikut të gjërë. Së bashku me pohimin e Kryeministrit për mundësinë e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, mendoj se bëhet një hap i madh përpara, jo për të dënuar komunizmin haptas e pa mëdyshje, mundësi tepër abstrakte për formimin dhe vullnetin e klasës sonë politike, sidomos të së majtës, por së paku për të nxjerrë në dritë një pjesë të veprimtarisë së tij kriminale në dëm të shqiptarvet.
Natyrshëm në këtë rast shtrohet pyetja : a ishte kaq e rëndësishme për t’u ruajtur me kaq ngulm e fshehta e këtij bunkeri dhe ajo e sivëllezërve të tij në gjithë Shqipërinë edhe mbas një çerek shekulli të tjetërsimit të sistemit e shfaqjes në skenën politike të partive “antikomuniste” të cilat, në pothuaj 13 vjet qeverimi, nuk thanë asnjë gjysëm fjale për qënien e tyre ?
A thua se edhe “paria” e Tiranës e këtij 23 vjetori “demokracie”, i besonte tezës së Enver Hoxhës se ne jemi “qendra e botës” në mbrojtje të marksizmit e, si e tillë duhej të ishim gati të përballonim një sulm të kombinuar të dy superfuqive, nëpërmjet bunkerëve të mbirë si këpurdhat mbas shiut, mbi dhe nën tokën e lashtë të Arbërit.
Dikush mund të qeshë me këta rrjeshta, por i nënëshkruari atë argument e ka patur në akt-akuzën që i kushtoi një dënim prej 8 vjetësh privim lirie e pune të detyruar. Madje një oficer i lartë i Hetuesisë së përgjithëshme, në një ballafaqim në hetuesinë e Lushnjes, në mënyrë “dashamirëse” më tha se pohimi i im për pamundësinë e përballimit të sulmit të dy superfuqive, rridhte ngaqë un nuk njihja aftësinë mbrojtëse të Shtetit tonë.
Misteri i “mbrojtjes” nëpërmjet bunkerëve vazhdoi të zotërojë edhe në këta vite, kur bota ka ndryshuar kaq shumë e Shqipëria, si pasojë e interesave strategjike të NATO-s, sot është antare e saj. Të më falë lexuesi për parantezën vetiake që hapa, por mendoj se pushtetarët e lartë të PD-së gjatë këtyre viteve, do të duhej të jepnin një shpjegim mbi arsyet e ruajtjes së “sekretit” të bunkerëve, kryesisht t’atij që u hap në ditët e shkuara. A mos qe një sakrilegj vendimi i Kryeministrit aktual e çfarë “dëmi” i solli ai Shqipërisë së sotme ?
Duke lexuar komentet në gazeta, sidomos të ish ushtarakëve të regjimit, tejduket një farë “pezmi” për vendimin e hapjes. Madje ndonjeri prej tyre si ish Kryetari Shtetit, z. Alfred Moisiu, në një intervistë në të përditëshmen “Panorama”, mundohet të bindë shqiptarët se ai pallat trekatësh, me 501 dhoma në thellësi të tokës, me strukturë qëndruese edhe kundrejt një sulmi bërthamor, nuk ishte ndërtuar për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë !!! Është qesharak ky pohim i ish Kryetarit, që i trajton shqiptarët si një grumbull të paaftësh mendorë, me koefiçent zgjuarsie të barabartë me atë të fëmijëve të foshnjores, saqë çfarëdo pallavre t’u thuash mund t’a besojnë. Por nuk ka vetëm motiv për të qeshur në fjalët e tij, që mundohen të përligjin vendimin e ndërtimit të këtij objekti, me garën e armatimeve të shteteve të tjera. Është për të vajtuar që këto ide vazhdojnë të kultivohen ende e, për më tepër në kokën e një ish Kryetari të Shtetit demokratik.
Askush nuk ve në dyshim masat mbrojtëse që secili shtet duhet të marrë në truallin e tij, për të përballuar një agresion të mundshëm nga jashtë. Shqipëria, për historinë e saj dhe pozitën gjeografike, mbetet një subjekt mjaft i ndjeshëm n’atë drejtim. Por strategjitë për mbrojtjen kudo janë të kushtëzuara nga dy faktorë : përmasa e rrezikut që kërcënon dhe mundësitë në fushën ekonomike-financiare për të përballuar shpenzimet e nevojshme. Mbetet parësore në këtë drejtim edhe politika, sistemi i aleancave, shfrytëzimi me zgjuarsi i konjukturave. Autarkia n’atë kontekst është një lluks që pak popuj mund t’i a lejojnë vetes.
Po t’i hedhim një sy gjëndjes së Shqipërisë, të rajonit e botës në fillim të viteve 70-të, do të bindemi se rreziku imperialisto – revizionist, aq shumë i përfolur nga Enver Hoxha dhe idhtarët e tij, ishte thjesht një prodhim i fantazisë për të justifikuar mbylljen hermetike të Vendit e terrorin brënda tij. Blloku lindor e kishte kaluar tronditjen e “Pranverës së Pragës”, madje dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës nuk kishte patur asnjë kundërveprim, gjë që tregonte se rëndësia jonë për të ishte krejt e papërfillëshme. Kina, referentja kryesore e regjimit shqiptar, kish kuptuar se “revolucionet kulturore”, teoritë e Lin Biaos dhe ekstremizmi i grupit të gruas së Maos, nuk sillnin asnjë dobi në planin e jashtëm apo të brëndshëm. Drejtuesit kinezë po i hapnin rrugën hyrjes së Vendit në fushën e politikës që peshonte, nëpërmjet “diplomacisë së ping-pongut” e bisedimeve me administratën Nixon në SHBA. Lufta në Vietnam po shkonte drejt zgjidhjes paqësore, nëpërmjet bisedimeve të Parisit dhe në Ballkan nuk frynin erëra lufte.
Regjimi i Shqipërisë mundohej të krijonte një forcë autonome të komunizmit botëror, me disa grupe t’ashtuquajturisht marksistë – leninistë, nga Vende të ndryshme t’Evropës e të botës të cilët, krejtësisht të panjohur e mikroskopikë në Vendet e tyre, kishin gjetur një mënyrë të mirë financimi nga Shqipëria, duke bërë propagandë për të dhe drejtuesin kryesor të saj. Nuk di nëse ka ndonjë shqiptar të moshës së re që ka në kujtesën e tij emra si Fosko Dinuçi, Jak Gripà, Joao Amazonas, apo të tjerë “udhëheqës” të proletariatit botëror, që faleshin 2 – 3 herë në vit në teqen e Enver Hoxhës në Tiranë.
Pikërisht në këtë kohë, kur edhe ndihmat kineze në perspektivë do të ndërpriteshin, si pasojë e kundërshtimeve të udhëheqjes shqiptare ndaj “hapjes së Kinës”, kjo e fundit hartonte një plan të stërmadh për ndërtime bunkeresh e tunelesh. Nuk e dijmë me saktësi se cila ka qenë përqindja e shpenzimeve ushtarake në buxhetin e shtetit të viteve 70, mbasi askush nuk ka vendosur të heqë perden e misterit mbi to por, nga një llogari e thjeshtë vetiake mbi kostot e ndërtimeve, më rezulton se me paratë e shpenzuara për 700.000 bunkerë mbi tokë mund të ishin ndërtuar 1,4 milion apartamente banimi me dy dhoma e guzhinë. Po t’i shtojmë atyre shuma edhe më të mëdha për tunelet e nëndheshëm që mbaheshin të fshehtë, si ai i Bunk – Artit mund të përfytyrohet se sa rrugë, shkolla, spitale, qendra turistike etj. do të ishin ndërtuar në Shqipëri, sikur ato para të mos varroseshin në objekte të kota e pa asnjë dobi reale.
Sa mijra familje shqiptare, n’ato vite, jetonin duke ndarë më dysh një apartament me banjo të përbashkët, të kthyer edhe në vend gatimi. Sa mijra fëmijë që nga fillorja bënin mësim në klasa të përbashkëta, apo me dy ndërresa, sepse mungonin hapësirat e nevojshme. Sa njerëz të sëmurë vuanin sepse spitalet, një për çdo rreth, nuk kishin shtretër të mjaftueshëm, për të mos folur për aparatura bashkëkohore e barna të domosdoshme. Sa qindra km. rrugë t’asfaltuara mungonin në një Vend ku kalldrëmet ishin shumica dërmuese e lidhjeve të zonave rurale me rrugët kombëtare. Po t’i shtojmë këtyre domosdoshmërive edhe gjëndjen e mjeruar të kooperativave bujqësore, ku fshatarët punonin në një pjesë të madhe për një bukë e, në rastin më të mirë, për një kg. sheqer në ditë, do të kemi një tabllo të qartë të krimit shtetëror në dëm të popullit shqiptar, nëpërmjet shpërdorimit mizor të parave për ndërtimet ushtarake.
Z. Moisiu, si përfaqësues i kastës ushtarake, pjesa më parazitare e më e privilegjuar e regjimit, nuk mban parasysh asnjë nga këto konsiderata, kur justifikon atë politikë shkatërrimtare për interesat e vërteta të shqiptarëve. Në vend që të tregojë se cila ishte shuma e përdorur për Bunk – Artin, duke hedhur dritë mbi të vërtetën, mundohet të na bindë se se ai ishte ndërtuar jo për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë, duke harruar se objekte të tilla, në botën e qytetëruar, nuk ndërtohen afër kryeqytetit, ku rreziku i bombardimit të popullsisë civile mbetet tejet i mundshëm. Madje nuk është aspak i besueshëm pohimi i tij, duke marrë parasysh përmasat e objektit i cili, pa dyshim, ka qenë i paracaktuar për kastën drejtuese e familjet e tyre, një lloj “Arke të Nuhut”, i parashikuar për të qëndruar edhe për një kohë të gjatë, edhe nën një sulm bërthamor, që do t’i kishte kthyer të gjithë qytetarët e Shqipërisë në fosile.
Që të mos ketë ekzistuar asnjë njeri me kurajo n’atë kastë kriminale, që të kundërshtonte një program të tillë, të marrë e aventuresk, mund t’a kuptoj. Vetë fakti i asgjësimit të klasës së lartë ushtarake pa as më të voglin kundërveprim në vitet 70, tregon një mungesë të madhe karakteri e guximi dhe shkallën e nënështrimit ndaj diktatorit. Të mbrohen sot ato politika, kur mund të diskutohet lirisht mbi to, e kur arsyeja më parake nxjerr si përfundim se kanë qënë më të dështuarat e më kriminelet, përsa i përket pasojave në mjerimin e përgjithshëm, nuk është vetëm shprehje mëndjengushtësie e verbërie të pakrahasueshme, por për më tepër e një mungese të plotë të ndërgjegjes qytetare e kombëtare.
Krimi komunist nuk është përqëndruar vetëm në asgjësimin e kundërshtarëve ose të supozuar të tillë, së bashku me familjet në harkun kohor të tre brezavet. Ai është edhe hartimi e zbatimi i politikave ekonomike që e çuan popullin shqiptar në gjëndjen e bagëtisë, së cilës i kërkohej “të hante bar por të mos dorzohej” Nëse ka ende shqiptarë që bëjnë se nuk e kanë kuptuar këtë dukuri të tmerrshme të së shkuarës sonë t’afërt, shpresat për Shqipërinë evropiane mbeten vetëm një ëndërr e pasendërtueshme. Evropën duhet t’a pranojmë së pari në mendësinë tonë, në mësimet nga përvoja jonë, në prirjen për të ruajtur pjesën e shëndoshë e morale të saj e për të hedhur poshtë pa mëdyshje çdo shfaqje të trashëgimisë negative të diktaturës komuniste.
Dhjetor 2014
PARAHISTORIA E LUFTËS DHE “ÇLIRIMIT”
NGA EUGJEN MERLIKA/ITALI/
Po i afrohemi 29 nëndorit, të cilin këtë vit Shqipëria zyrtare do t’a festojë me një zell të veçantë si vit jubilar, 70-vjetor i “çlirimit”, sinonim i vendosjes në Tiranë të “gubernës komuniste” të Enver Hoxhës e të diktaturës së pashembullt gjysëm shekullore që e pasoi.
Do të evokohen “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës, nën drejtimin e “komandantit legjendar”, sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorëzohen me një shifër imagjinare të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historiografinë 70 – vjeçare, si për të dëshmuar faktin se ishte një gjetje e bukur e imagjinatës së ndonjerit që vendosi t’i japë çdo km. katror të truallit shqiptar një martir të luftës për komunizmin.
Për afër gjysëm shekulli nëndori për shqiptarët qe muaji i shumëpritur i festave. Festoheshin me rradhë të gjitha datat e shënuara të lindjes e të fitores së komunizmit. Fillohej nga dita e grushtit të shtetit bolshevik të 1917 – ës në qytetin e Pjetrit të parë, për të pasuar në përkujtimin e themelimit të partisë komuniste shqiptare nga Miladin Popoviçi, i dërguari i posaçëm i Josif Broz Titos për Shqipërinë. Muaji përfundonte me festën e madhe të “çlirimit” të 29 nëntorit, që eklipsonte atë të një dite më parë, e vetmja ditë me të vërtetë e shënuar në historinë e gjatë të Vendit. Pas komunizmi, që vazhdoi të ushqejë rrënjët e origjinës me mungesën e dënimit të krimeve e pasojave të tyre, duke i paguar një farë pengu “ndryshimeve demokratike”, i hoqi nga qarkullimi zyrtar festat e 7 dhe 8 nëndorit.
“ Nëndoriada” qe për dhjetëvjeçarë me rradhë burim frymëzimi për poetë e artistë të të gjitha përmasave e festat e nëndorit gjithmonë burim shprese për qindra e mijra të burgosur politikë që prisnin me ankth vite me rradhë një gjest “zemërgjërësie” të Zeusit të Olimpit në drejtim të tyre. Për gjithë periudhën e gjatë të sundimit komunist historia u shkrua simbas orekseve të fituesve, u tjetërsua e u interpretua simbas shijeve dhe interesave të tyre. Kështu komunistët qenë të parët që luftuan e u sakrifikuan për të çliruar Vendin, qenë të parët që ju kundërvunë pushtuesve nazifashistë, qenë të vetmit që luftuan në mënyrë të papajtuar me “ armiqtë më të mëdhenj të lirisë së njerëzimit”, fashistët italianë e nazistët gjermanë. Ndofta shumëkujt spontanisht gjatë asaj kohe i vinin pyetje që ngelnin pa përgjigje ose akoma më keq mbeteshin të pashprehura. Shifrat dhe ngjarjet nuk përkonin me të vërtetën e jetuar prej shqiptarëve, kurse historia e shkruar fliste për gjysmën e dytë të periudhës së pushtimit, duke vënë në gjumë letargjik gjysmën e parë të saj, parahistorinë.
Dihet se Shqipëria u pushtua më 7 prill 1939, kur ende lufta e dytë botërore nuk kishte filluar. Do të kalonin ende disa muaj para se korridori i Gdanskut të bëhej shkëndija e atij zjarri të stërmadh që do të pushtonte Evropën. Nga 1939 deri më 1941 qëndresa kundër italjanëve ishte diçka sporadike dhe e paorganizuar. U krijuan aty këtu çeta luftëtarësh, kryesisht me orjentim monarkist, që nuk pajtoheshin me pushtimin. Kuptohet se efektiviteti i veprimit të tyre ishte tepër i vogël, si pasojë e ndryshimit të madh të raportit të forcave në fushë. Komunistët që, për gjysëm shekulli, kanë rrahur gjoksin e kanë stërfolur për meritat dhe vetmohimin e tyre në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, i anashkalojnë historisë dhe ngjarjeve të atyre dy viteve, që në terma kohe përbëjnë gjysmën e gjithë “epopesë” së shkruar. Është folur e shkruar për demostrata të mëdha të zhvilluara në Tiranë e qytete të tjera e të drejtuara nga komunistët e personalisht nga Enver Hoxha. Nuk i përgjigjen së vërtetës këto pohime, mbasi udhëheqësi i ardhshëm i partisë në atë periudhë englendisej në librarinë Flora dhe në rrethet shoqërore të borgjezisë, ku pranohej në sajë të lidhjeve farefisnore. Qetësia relative, pothuajse miratuese, e komunistëve në këta dy vite shoqërohej me argumentime teorike, simbas të cilave pushtimi kishte dhe anët e tij pozitive mbasi do të jepte ndihmesën e tij në krijimin e klasës puntore, si pasojë e futjes së marredhënieve kapitaliste në prodhim. Më vonë këto teori u konsideruan disfatiste e ju veshën atyre komunistëve që nuk pranuan të venë në qafë kularin e Miladin Popoviçit.
A ishte i rastësishëm pasiviteti i komunistëve shqiptarë në këta dy vite, ishte pasojë e mosorganizimit, e grindjes mes grupeve të ndryshme, siç është servirur në libra e në propagandë? Po të hedhim vështrimin më larg, në marredhëniet ndërmjet komunizmit botëror me qëndrat e tij drejtuese Kremlinin dhe Kominternin, me Boshtin qëndror e kryesisht Gjermaninë hitleriane, do të kuptojmë më mirë arsyen e vërtetë të atyre qëndrimeve. Më 23 gusht 1939, vetëm dhjetë ditë më parë se të shpallej lufta, në Moskë ministri i jashtëm gjerman, baroni fon Ribentrop nënëshkroi një
“pakt mossulmimi” me kolegun e vet sovjetik Molotov. Ai nuk ishte thjesht një angazhim i ndërsjelltë i dy shteteve më të fuqishme diktatoriale të kontinentit për të mos sulmuar njëri tjetrin, por ishte një marrëveshje banditësh për të rindarë territore e skllavëruar popuj. Efektet qenë të menjëherëshme me ndarjen e Polonisë dhe pushtimin e republikave pribaltike.
Ai traktat ishte përfundimi i një sërë konsideratash e llogarish që, në strategjinë e dy diktatorëve më mizorë të shekullit, do të ndryshonte historinë dhe gjeopolitikën e Kontinentit e të globit. Ai traktat u pasua nga të tjera marrëveshje të fshehta e të hapura, që filluan të ndryshojnë dhe qëndrimin zyrtar të dy Vendeve e propagandave përkatëse karshi njëri tjetrit. Stalini kishte lavdëruar luftën “ antikapitaliste “ të Gjermanisë kundër Anglisë e Francës, “ shkaktarët e vërtetë të luftës”, simbas Molotovit. Më 7 shtator 1939 Stalini i njoftonte Dimitrovit, sekretar i parë i Kominternit, se “ nuk do të ishte keq nëse Gjermania do të dobësonte pozitat e kapitalistëve më të pasur (veçanërisht të Anglisë )”. Si pasojë e strategjisë së re të BS e të Stalinit direktiva e Kominternit qe e prerë : “Qëndrimi i mbrojtjes kombëtare është i papranueshëm për komunistët në këtë luftë (…) çështja e fashizmit luan sot një rol të dorës së dytë, çështja kryesore përfaqësohet nga lufta kundër kapitalizmit, origjina e të gjitha luftrave. Taktika e Frontit popullor nuk është më e zbatueshme.” Të gjithë morën nga Moska udhëzimet për “t’i çjerrë maskën legjendës së natyrës antifashiste të luftës”. Filluan në seri autokritikat aspak dinjitoze, në stil shqeto komunist të udhëheqësve të partive komuniste, që gjithmonë kishin zbatuar direktivat, por që tani duhet të merrnin mbi vehte barrën e ndryshimit të tyre…Francezët pranuan se kanë gabuar në të besuarit e “legjendës së karakterit antifashist të luftës”, ndërsa ajo kishte karakter imperialist me piksynim diktaturën e kapitalit !!??. Palmiro Toliati pranonte se Musolini ka përmirësuar kushtet e punonjësve në Itali dhe deklaronte: “Un nuk ve në qendër luftën për të rrëzuar Musolinin “. Ishte 7 mars 1941!!!
Kur në prill të 1940-ës Gjermania pushtoi Danimarkën dhe Norvegjinë, shtypi komunist, si gjithmonë zëdhënës besnik i partive komuniste, i ngarkonte përgjegjësinë kryesore jo Gjermanisë, por kundërshtarëve të saj dhe vetë viktimave të agresionit, ndërsa Qeveria sovjetike i uroi privatisht Gjermanisë “ sukses të plotë në nismat e saj mbrojtëse “. Më 25 nëntor 1940, plot 74 vite më parë, Molotovi thirri ambasadorin e Gjermanisë në Moskë për të firmosur një marrëveshje historike. BS kishte vendosur të bashkohej me boshtin Romë-Berlin-Tokio për të thyer fuqitë pluto – judaike – masonike, siç quheshin rëndom në propagandën komuniste e fashiste demokracitë e Perëndimit. Ky vendim ishte përgjigje e kërkesës së Hitlerit bërë verbalisht Molotovit gjatë vizitës së tij në Berlin disa ditë më parë.
Synimet e BS në këtë situatë idili dhe sinkronizimi me Gjermaninë naziste gjatë viteve 39-41 ishin në përfitimet territoriale në pjesët e perandorisë britanike që konsiderohej në shpërbërje e sipër, në shtimin e influencës në Ballkan e në përpjekjet për kontrollin e ngushticave, pika strategjike me rëndësi të jashtzakonëshme në kohë lufte e paqeje. Gjermania ishte e interesuar t’a kishte në anën e saj kollosin rus për të gjunjëzuar qëndresën angleze e në shërbim të këtij synimi Ministria e propagandës naziste ndaloi çdo “ qëndrim kundër marksizmit dhe bolshevizmit në shtyp dhe në propagandën gjermane “ si pasojë e një protokolli shtesë të fshehtë të paktit Ribentrop-Molotov. Më 19 korrik 1940, në një fjalim të mbajtur në Rajshtag, Fyhreri deklaronte: “Marredhëniet ruso- gjermane janë përcaktuar përfundimisht… çdo shpresë se mund të lindin tensione të reja është foshnjarake.” Autoritetet gjermane theksonin faktin se “ për Gjermaninë dhe Rusinë punët kishin vajtur mirë gjithmonë kur kishin qënë mike dhe keq kur kishin qënë armike”.
Kjo ishte atmosfera e marredhënieve mes dy sistemeve totalitare në dy vitet e para të luftës. Ajo u prish me sulmin rrufe të gjermanëve, për të cilët traktatet ktheheshin në copa letre të grisëshme, sapo t’ua kërkonte interesi, më 22 qershor 1941. Çfarë nuk vazhdoi të funksjononte në mekanizmin koordinues të strategjisë globale të dy diktaturave? Deliri i plotfuqishmërisë së Hitlerit që mendoi se në pak kohë do të asgjësonte, nëpërmjet forcës, kërkesat, gjithnjë në rritje, të Stalinit për pushtet në skakjerën botërore. Si drita e diellit është e qartë se nuk ishin motivet e idealevet apo të ideologjisë ato që përcaktuan ndarjen mes dy tiranëve, qenë çështje interesash e vlerësime të gabuara të forcave. Marredhëniet e ngushta mes dy tiranive ishin shprehje dhe rezultat i përkimit të interesave. Gjithshka tjetër, që propaganda e kohës motivonte, ishte një fletë fiku që shërbente për të mbuluar të vërtetën e për të trullosur dhjetra milionët që do të bëheshin mish për top.
Kështu lufta për “ mbrojtjen e lirisë së popujve dhe idealeve të demokracisë” që, për më shumë se një gjysëm shekulli, bota komuniste e shpalosi pa prerë si motivin kryesor të sakrificave e të fitores mbi nazifashistët, ishte një mashtrim i përbindshëm në dritën e së vërtetës historike, të fakteve e dokumentave. Po ashtu ishte një tjetër mashtrim “ lufta kundër komunizmit”, që propaganda nazifashiste e kishte vënë në qendrën e argumentave të saj për të justifikuar tragjedinë më të madhe të historisë së kontinentit.
Në këtë kontekst mungese parimesh e idealesh dhe komunistët shqiptarë nuk mund të bënin përjashtim. Ata soditën të kënaqur frutet e bollëkut që solli Italia deri në vjeshtën e vitit 1941, ishin në letargji derisa Titoja, prokonsulli i Stalinit për Ballkanin, nëpërmjet të dërguarit të tij të posaçëm, Miladin Popoviçit, do t’ju kujtonte se kishte ardhur koha të organizoheshin e të luftonin mbasi “atdheu i socializmit” ishte në rrezik. E gjithë vepra e tyre konsistoi në zbatimin e urdhërave që sillnin nga shtabi qëndror i ushtrisë jugosllave Popoviçët, Mugoshët, Stojniçët, Tempot etj emisarë të druzhe Titos. Dëshmi e këtyre qëndrimeve janë themelimi i partisë komuniste në tri ditë mbas tre vite kundërshtish e mosmarrëveshjesh të grupeve komuniste, vënia në krye të saj e një personazhi të lakueshëm e të paaftë kur në orbitën e botkuptimit komunist shqiptar kishte personalitete të forta si Llazar Fundo, Zef Mala, Sejfulla Malëshova, Sadik Premtja etj., prishja e njëanëshme e marrëveshjes së Mukjes, asgjësimi gradual e sistematik i elementëve të shëndoshë e atdhetarë në gjirin e lëvizjes, thika e ngulur mbas shpine çështjes kombëtare nëpërmjet mungesës së këmbënguljes për thirrjen e referendumit për vetëvendosje në Kosovën e pasluftës, kompromiset e heshtjet kriminale në kurriz të mijra viktimave të vëllezërve të Kosovës.
Po t’i shtojmë kësaj tablloje gjysëm shekulli terrori nën hijen e kultit të Stalinit, mungese lirie, varfërie skajore, prapambetje proverbiale, sakrificash pa fund për të ndërtuar bunkerë më duket se festat e nëndorit, duke përjashtuar ditën e ndritur të Pavarësisë, meritojnë të kthehen në ditë zie.
Nëndor 2014 Eugjen Merlika
TABU TË LASHTA E SHPRESA TË VONUARA
“Por i urti kurr nuk ngutet /
Prej burrnije e jo prej tutet”/ Atë GJERGJ FISHTA/
Shkruan: Eugjen MERLIKA
Në hapësirën e tri javëve (21 shtator – 14 tetor) Shqipëria tërhoqi vëmëndjen e opinionit politik e publik të botës, në një periudhë të ndërlikuar të këtij fillim shekulli që, në përftyresën e përgjithëshme në vitin madhor 1989, duhej t’ishte ai i paqes, i mirëkuptimit dhe i mirëqënies, por që sot po shfaq një pamje krejt tjetër.
21 shtatori, me vizitën e Papës Françesku në Tiranë, i dha njerëzimit të sotëm përfytyresën e një sprove të shkëlqyer, të një shembulli për t’u eksportuar në zona të gjëra të botës në kundërshti të vazhdueshme për motive fetare, nëpërmjet mirëshkuarjes së besimeve të një populli të vogël, drejtuesit e të cilit, njëqind vjet më parë, me shumë zgjuarësi e largpamje i kishin shtënë në ADN-n e tij shpirtërore respektin e dashamirësinë ndaj bashkatdhetarëve me besim tjetër.
14 tetori, në një ndeshje futbolli të zakonshme në stadiumin e Beogradit, nëpërmjet veprimesh të krahasueshme me faqet më të zeza të tifozerisë botërore, u mundua t’a errësojë e përgënjeshtrojë imazhin e 21 shtatorit. Në synimin e fqinjëve tanë serbë ndoshta ishte rrëzimi i “mitit” të 21 shtatorit, i imazhit të shqiptarëve simbol tolerance e mirëkuptimi, faktor paqeje e qëndrueshmërie të rajonit. Këtij synimi, sado pak, i u arrit në sajë të një ballone të telekomanduar që, në çfarëdo çasti të jetës së përditëshme, e ngritur në çfarëdo qielli të botës, do të quhej vetëm një zbavitje e atij që e kishte ideuar.
Në kuadrin e ndeshjes që zhvillohej në stadiumin Partizani, ndërmjet përfaqësueseve të Shqipërisë e të Serbisë, mori vulën e “provokacionit”, duke sjellë pasoja dramatike. Duke shqyrtuar objektivisht atë që ndodhi para dhe gjatë ndeshjes, na del përpara një kuadër me të vërtetë mjeran, tepër larg parametrave të qytetërimit, i gjithë organizimit të kësaj veprimtarie. Kufizimi i pajustifikuar dhe i paparë i sportdashësve shqiptarë në shoqërimin e skuadrës së tyre në kryeqytetin serb, masat e jashtzakonëshme të kontrollit edhe për ata pak të ftuar të FSHF-së, apo punonjësve të medias shqiptare e, mbi të gjitha, fishkëllimat e publikut kur ekzekutohej hymni kombëtar i skuadrës mike, duke arritur një kulm të turpshëm me korin “vrisni shqiptarët” që ishte bërë refreni i pambaruar i shkallëve të stadiumit Partizani, jepnin më shumë idenë e arenave të gladiatorëve të Romës së lashtë se sa atë të një shfaqjeje sportive n’Evropën e vitit 2014.
Në këtë mjedis, aspak ftues e miqësor, skuadrat zbritën në fushën e blertë për të zhvilluar një lojë të vlefshme për eliminatoret e kampionatit evropian të vitit 2016. I vetmi faktor pozitiv që ndihmonte në një masë të konsiderueshme, normalitetin e lojës ishte prirja e 22 futbollistëve për të luajtur futboll, pa u bërë pjesë e histerisë masive të shkallëve të stadiumit. Gjysëm ora e parë e ndeshjes tregoi një farë epërsie territoriale të vëndasve, më shumë pasojë e zgjedhjeve taktike të trainerit italian, por pa krijuar rrezikshmëri në portën e mbrojtur nga Berisha. Nga minuta e tridhjetë deri në ndërprerje loja ndërroi fizionominë e skuadra shqiptare pati dy raste të mira shënimi.
Ky është çasti vendimtar i përcaktimit të ecurisë së ngjarjes. Tifozëve, të tërbuar nga zhvillimi i lojës, nuk i mjaftuan më thirrjet për “vrasjen e shqiptarëve” dhe u shtynë më tej në shfaqjet e histerisë kolektive, duke hedhur në fushë objekte të ndryshme, madje edhe topa zjarri. Në kësi rastesh, zakonisht, gjyqtari ndalon përkohësisht lojën, thërret kapitenët e skuadrave, i jep një ultimatum publikut e, në rastin më të parë të përsëritjes s’atyre veprimeve, ndërpret përfundimisht lojën, duke i përcjellë raportin Komisionit disiplinar të UEFA-s, që i jep fitoren në tavolinë skuadrës mike. Kishte shumë gjasë që i tillë të kishte qenë përfundimi normal i kësaj ndeshjeje.
Por në çastin që tejshihej ky përfundim shfaqet në fushë droni me flamurin shqiptar dhe hartën e Shqipërisë etnike e portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit. Qe një “dorë nga qielli” për serbët, për t’u nxjerrë atyre “gështenjat nga zjarri”, që ata e kishin ndezur e rrezikonin të digjeshin vetë brënda. Pasojat e shfaqjes janë të njohura, por veprimi, në kuadrin e përgjithshëm së bashku me kundërveprimet më të ndryshme të politikave, të mediave, të opinioneve publike, meritojnë një shqyrtim objektiv e racional. Sa i përket pjesës serbe, deklaratave të botës politike, megjithë respektin e detyruar që qytetërimi imponon për mendimin ndryshe, më duket se nuk ka asgjë për të debatuar. Ato janë aq të varfëra në argumenta, aq të prapambetura në mendësi, aq absurde në përmbajtje, sa që bëhen hi e pluhur në përballimin me logjikën më të thjeshtë.
Logjika më e thjeshtë kërkon që organet e sigurisë serbe, brënda pak orësh duhet të kishin qartësuar para popullit të tyre e para botës se kush ishte autori i shfaqjes së dronit e cili ishte qëllimi i saj. Duhet të shpjegojnë edhe si mundi të sendërtohej një dukuri e tillë në stadiumin e blinduar të Beogradit. S’kanë bërë asgjë në këtë drejtim, gjë që ushqen dyshimin se mund të kenë qenë vetë ata ideatorët e shfaqjes.
Veshja e përgjegjësisë kuturu shqiptarëve, pa saktësuar faktet në imtësi, e pa nxjerrë përgjegjësitë konkrete, mund të jetë e vlefshme për metodologjinë komuniste të “luftës së ftohtë”, por jo për Evropën demokratike të ditëve tona. Megjithatë, fatkeqësisht, vendimi i fundit skandaloz i komisionit disiplinar të UEFA-s, për ndeshjen Serbi – Shqipëri, tregon se edhe segmente apo institucione të veçanta t’Evropës, jo gjithmonë respektojnë parimet themelore të saj. Besoj se shkallët e tjera të gjykimit do të venë në vend të drejtën e përfaqësuese sonë, e cila është mohuar jo n’emër të rregulloreve, por të real-politikës.
Por edhe kundërveprimi i shqiptarëve, në nivel politik e opinioni publik, mendoj se la mjaft për të dëshiruar. U ndoq “hullia serbe”, në metodikat e kundërveprimit, u përvehtësua deri në hymnizim dukuria e shfaqjes së flamurit, pa njohur të vërtetën e pa u thelluar në pasojat e saj. Dashuria ndaj Atdheut e simboleve të tij ka një mori mënyrash shfaqjeje e nderimi e nuk më duket se gjetja e Beogradit ishte më e mira e tyre. Ajo vuri në rrezik jetët e futbollistëve tanë që, në gjithë vorbullën e ngjarjes dramatike, qenë ata që merituan respektin e konsideratën e të gjithëve, si për atë që treguan në fushën e lojës ashtu edhe për shpjegimet e pohimet mbas kthimit n’atdhe, në të cilat spikat edhe vlerësimi për sjelljen e kolegëve serbë. Qenë ata më pranë mendësisë bashkëkohore të marredhënieve mes popujve, u treguan shqiptarë të mirë dhe evropianë të pjekur.
Poiltika dhe opinioni publik, në një masë të madhe, ra në grackën serbe, duke marrë në mbrojtje tërthoras një veprim që ishte arma e vetme (çfarë arme!) që i kishte mbetur serbëve e arsyetimeve të tyre mjerane e dashakeqe, të shprehura në deklaratat e Kryeministrit, të Presidentit apo të Ministrit të jashtëm. Autoritetet shtetërore, në mungesë të Kryeministrit, nuk patën kurajon të mohonin publikisht përgjegjësinë e tyre në një veprim pa autor, ose në rastin më të mirë, me një autorësi vetiake të papeshuar e kundërprodhuese. Në vazhdën e deklaratave serbe Kryetari i Opozitës i kërkoi Kryeministrit të anullojë vizitën e paracaktuar në Beograd.
Do të kishte qenë një gabim i madh, jo vetëm për faktin se binte ndesh me opinionet e aleatëve tanë, por do të ishte një tregues negativ edhe për aftësinë tonë, si shoqëri e si Shtet, për t’u ballafaquar me problemet e për të mbrojtur argumentat tona, në dobi të një imazhi që të tjerët, së pari serbët, mundohen t’a errësojnë.
Rama e Vuçiç, përfaqësues të një brezi të ri të politikanëve të Vendeve të tyre duhet të shpalosin një përceptim bashkëkohor dhe evropian të marredhënieve mes popujve të tyre, duke u shkëputur nga metodat e së shkuarës, por edhe duke e njohur e studjuar atë të shkuar, që daton së paku trembëdhjetë shekuj, shumica e të cilëve nuk janë shquar për luftëra, por edhe për bashkëpunim. Kjo vlen kryesisht për Kryeministrin serb, sepse shqiptarët objektivisht kanë pak ose aspak gjynahe kundrejt serbëve, të cilët nuk duhet të harrojnë bujarinë e fisnikërinë shqiptare në vitin 1915, kur 150 mijë ushtarë të tyre, të mbetur në një çoroditje të plotë në malsitë e veriut të Shqipërisë, u kthyen në atdhe pa u hyrë ferrë në këmbë.
Dy kryeministrat duhet të tregohen të vetëdijshëm për rolet e tyre në përballimin e problemeve të një gadishulli, që ka mbetur mbrapa zhvillimeve të kontinentit e që duhet të nisë revanin për të fituar kohën e humbur. Pavarësia e Kosovës ka hequr nga fusha e lojës pengesën më të madhe. Sot çështjet në diskutim mbeten vetëm pakicat shqiptare në Preshevë, Bujanovc e Medvegje dhe njohja zyrtare e Kosovës. Janë probleme që me pak vullnet të mirë, me pak realizëm politik e me më shumë shmangie të tabuve të së shkuarës, mund të gjejnë zgjidhje shumë të mira. Serbë e shqiptarë kanë në dorë të ndryshojnë përfytyresën e Ballkanit nga një “fuçi baruti”, nga një “shprehje gjeografike”, në një trevë ku Evropa, sa më shpejt të ndjejë frymëmarrjen e saj të plotë. Ky duhet të jetë synimi i së ardhmes, i pjesës më të mirë të shoqërive të këtyre Vendeve. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë në drejtim të Evropës, serbët i tundojnë përsëri sirenat e motrës së madhe, por brezi i ri kërkon vendin e tij n’Evropë.
Kjo politikë ndërtuese nuk do të thotë varrosje të problemit kombëtar shqiptar, por shtyrje të tij në kohë. Pohimi i Kryeministrit Rama se “Serbia normale do të jetë realitet veç kur Serbia reale do të kuptojë se Shqipëria e Madhe është makthi i tyre, jo projekti ynë.”, shkon mirë për t’u përdorur në gjuhën e politikës së jashtëme për çastin, por nuk mund të jetë vendimi i pakthyeshëm i fatit të një populli, që do të dijë të sendërtojë aspiratën e tij shekullore në kushtet e reja të një Evrope të re e të bashkuar.
N’atë Evropë, me të gjithë Ballkanin brenda, nuk do të ketë më vend për shfaqje mesjetare të urrejtjes e të dhunës si ajo e 14 tetorit 2014 në stadiumin e Beogradit.
Tetor 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 60
- 61
- 62
- 63
- 64
- …
- 67
- Next Page »