• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALTERNATIVAT E PROFESORIT SCHMITT

February 4, 2013 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/Festimet e njëqindvjetorit të Pavarësisë kombëtare të Shqipërisë vazhdojnë të kenë jehonën e tyre në shtypin e huaj. Arsyeja qëndron në pohimin me zë të lartë të çështjes kombëtare nga përfaqësues të ndryshëm të politikës, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në trevat e tjera shqipfolëse, jashtë kufijve të saj. Shprehje, si ajo e kryeministrit Berisha nga Shkupi, “ U bëj thirrje shqiptarëve të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”, apo ajo e Xhavit Halilit : “Ne kemi një gjak, një gjuhë dhe një flamur” nuk kanë asgjë të jashtzakonshme apo “eksplozive”, por bëjnë bujë sepse, prej 70 vjetësh, nuk dëgjoheshin nga goja e autoriteteve zyrtare të politikës shqiptare dhe për opinionin publik të huaj quheshin koncepte t’atrofizuara e të papërfillëshme.

          Befasimi kapi dhe një firmë të njohur për publikun shqiptar, Oliver Jens Schmitt, një profesor i Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës, autor i vëllimit “Skënderbeu”, botuar në shqip para pesë vjetësh. Profesori, në artikullin e tij “Një vetëbesim i ri i shqiptarëve në Ballkan”, ve në tehun e kritikës së tij pothuaj të gjithë klasën politike shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni, veçanërisht deklaratat e disa prej përfaqësuesve të saj në atë përvjetor. Madje ai e shton dozën e kritikës, duke rrjeshtuar dhe kundërveprimet e diplomacive të huaja, në rradhë të parë të fqinjëve, e duke pohuar se “dëmet në politikën e jashtme janë të mëdha”.

          Në të gjithë këtë paraqitje nuk ka asgjë të re, është një vazhdim i interpretimit të çështjes shqiptare në një vështrim kundërshtar të saj. Ajo që më duket se mungon në analizën e profesorit, apo të pikave të tij të riferimit në publiçistikën shqiptare, është fakti se prirja kombëtariste e shqiptarëve, dëshira e tyre për të jetuar së bashku në një shtet, interpretohet në versionet më të mundëshme të një logjike që funksionon në dritën e nevojave imediate të politikës, e jo në një kërkesë të brëndëshme individuale e kolektive të vetë qytetarëve. Pohimet e ndryshme të politikanëve interpretohen si shpalosje e një strategjie zgjedhore në kërkim të votave, e jo si paraqitje e një problemi që lindi në çastin historik të gjymtimit të shtetit shqiptar në dobi të fqinjëve. Madje Schmitt bën të vetin një arsyetim të Ben Blushit, që e quan “…nacionalizmin si një opozitë sistemi, ku armiku merr fytyra të ndryshme….” si një vlerë e ndryshueshme, e cila shfaqet në çaste të caktuara e në forma të ndryshme, duke synuar objektiva gjithashtu të ndryshme.

          Nacionalizmi shqiptar nuk është e nuk duhet të jetë një krijesë e tillë e shtirur, e lindur rastësisht në vartësi të rrethanave e të interesave të klasave drejtuese e përfaqësuesve të tyre. Ai përbën një strategji të një kombi që, në çastin e themelimit të shtetit të tij, është ndjerë i dënuar pa të drejtë, i ndarë për gjysmë pa asnjë motiv të vlefshëm historik apo moral. Autori i shkrimit përmend shprehjen “mit i viktimës”. Që Shqipëria u nda dysh në konferencën e Londrës 1913 nuk është një mit, një përrallë e shpikur nga shqiptarët, por është një fakt historik me pasoja të pallogaritëshme humbjesh shqiptare në jetë njerëzore, në pasuri e në shpërngulje të detyruara të qindra mijra qytetarëve të Kosovës e të Çamërisë.    

          Nacionalizmi shqiptar qe më i riu në Evropën e shekullit të njëzetë, nuk pati bazën e tij në madhështinë e perandorive apo mbretërive të fuqishme, nuk pati kurrë shfaqje agresiviteti ndaj të tjerëve, por mbrojtjeje të vetvetes. Nuk ka nevojë që këtë të vërtetë t’a pohojë me forcë kryeministri, ajo është në vetë logjikën e ngjarjeve të një shekulli, të cilën, profesori i nderuar i historisë së Evropës Juglindore, duhet t’a dijë më mirë se kushdo tjetër. Aspirata e shqiptarëve për të jetuar në një shtet të përbashkët është një kërkesë sa e drejtë aq edhe e ligjëshme, ajo nuk është një variabël e humoreve të politikës ndërkombëtare, por një e drejtë e patjetërsueshme e tyre, një kostante e qënies së tyre si komb e si shtet.

          Habit fakti që kjo dëshirë demonizohet në forma të ndryshme, duke i ngjitur dhe etiketat më t’urryera, duke i veshur dhe atë të komunizmit, me të cilin vetëm një verbëri e theksuar politike e historike mund t’a njëjtësojë. Komunizmi qe armiku më i egër i nacionalizmit shqiptar, qe ai që e varrosi termin dhe idenë pwr gjysëm shekulli, si për arsye ideologjike, ashtu dhe për interesa partiake e varësi nga P.K.jugosllave. Nëse tirania komuniste  në çaste të caktuara, u mundua të japë idenë se i shërbente interesave të Atdheut, ajo kurrë nuk mbështeti një strategji të bashkimit kombëtar, të cilin e bëri pluhur e hi sapo mori pushtetin, n’emër të internacionalizmit proletar e të “vëllazërimit” me grekët dhe jugosllavët. Përvoja e trajtimit të çamëve e kosovarëve në Shqipërinë enveristeështë një dëshmi e pakundërshtueshme e politikws komuniste në lidhje me shqiptarët e mbetur jashtë kufijvet dhe interesat e tyre.

          Cilido që ka lexuar në gazetën Shqiptarja.com “Përshpagimet shqiptare” është në gjëndje të bëjë dallimin ndërmjet qeverive nacjonaliste dhe atyre komuniste, përsa i përket qëndrimit ndaj trevave shqiptare, jashtë “shtetit amë” dhe interesave të banorëve të tyre.  

          Autori i shkrimit na ve një alternativë zgjedhjeje : “ose një Shqipëri më të madhe, ose një Shqipëri më të mirë”. Nuk kuptohet se nga çfarë autoriteti sot ne na shtrohet si komb kjo zgjedhje e mbi ç’bazë  morale apo politike mund të motivohet ajo. Shqipëria më e madhe do të jetë dhe Shqipëria më e mirë, sepse bashkimi i energjive dhe forcave të gjithë shqiptarëve, sigurisht, do të prodhojë më shumë të mira për shtetin e tyre. Se si do t’arrihet kjo aspiratë shekullore është e gjitha për t’u vlerësuar e përsiatur. Sigurisht do të arrihet nëpërmjet mjeteve paqësore, në marrëveshje me fqinjët dhe miqtë, në kuadrin e një Evrope që, nëpërmjet bashkimit të saj duhet të shmangë të gjitha padrejtësitë e shekullit të shkuar. Është e vërtetë se diplomacia ndërkombëtare, në njëqind vitet e shkuara, na ka detyruar të pranojmë ndarjen tonë, por nuk ka arritur të na bëjë të heqim dorë vullnetarisht prej bashkimit.

          Nëse sot qindra mijra qytetarë të Shqipërisë, Kosovës, Sërbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, festojnë 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë shqiptare, nëse 1,5 milionë qytetarë vizitojnë, në 45 ditë, armët e Skënderbeut, simbole të kombit luftëtar të lirisë, ato diplomaci duhet të binden se dëshira për bashkim mbetet një projekt që kërkon sendërtim, që ruhet në thellësi të vetëdijes së secilit prej shqipfolësve, që nuk është zvetënuar nga koha, që nuk është tharë nga të gjitha stinët e flakëve që e kanë përzhitur prej njëqind vitesh. Ai projekt kapërcen llogaritë e politikanëve fqinj e të miqve të tyre, ashtu sikurse dhe konsideratat e intelektualëve të tipit Schmitt që tremben nga ky “…dimër nacionalisto-shqiptar”.

          Si i tillë ai duhet trajtuar me seriozitetin e duhur, pa hipokrizinë e kushtëzimit të pjesëmarrjes në bashkësitë dhe organizmat ndërkombëtare, pa arrogancën e “diplomacisë së kanonierave” e të logjikës së më të fortit, pa idolatrinë e tabuve të mos ndryshimit të kufijve. Ajo duhet të mbajë parasysh vetëm një gjë, respektimin e vullnetit të lirë të popujve për vetëvendosje, që do t’ishte edhe ngadhënjimi i demokracisë së vërtetë në marredhëniet mes shteteve.

         Në këtë vështrim, mendoj se hapi i parë do t’ishte një hulumtim i vullnetit të gjithë shqipfolësve, nëpërmjet një referendumi. Hapat e mëtejshme do të ishin rrjedhojë e përfundimit të tij, pra subjekte marrëveshjesh e kompromisesh që nuk do të cënonin as parimet e Evropës demokratike dhe as qëndrueshmërinë e sigurinë e rajonit tonë.

          Itali, Shkurt 2013                                                              

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: aleternativa, e Profesorit Schmitt, Eugjen Merlika

“DITA E KUJTESËS” DHE KRENARIA SHQIPTARE

January 27, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Ka ngjarje në historinë e njerëzimit që shënojnë epokat ose i venë vulën e tyre periudhave të ndryshme. Lufta e dytë botërore, me sasinë e viktimave (50 milionë), është një nga ngjarjet më tronditëse e më të tmerrshme të gjithë qënies mijravjeçare të shoqërisë njerëzore. Në kuadrin e saj, holokausti, zhdukja fizike e gjashtë milionë viktimave të pafajshme, vetëm e vetëm në sajë të prejardhjes racore apo përkatësisë një besimi fetar, apo një etnie të caktuar është një nga njollat më të zeza që, ajo kohë, la në nënëvetëdijen e njerëzimit në përgjithësi, por kryesisht në ndërgjegjen e atij brezi njerëzish që e shkaktuan, bënë të mundur, apo lejuan një tragjedi njerëzore të përmasave të tilla.

Prej disa vitesh 27 janari është dita e kujtesës, e rikthimit ideal në thelbin e asaj tragjedie të stërmadhe, në matjen e përfytyruar me të e pasojat e saj, në një bilanc të heshtur të çdo populli me përmasën e përgjegjësisë së tij në mëdyshjen brejtëse të asaj që bëri, që mund të bënte, që nuk e bëri…. Ky bilanc vjen natyrshëm në çdo 27 janar, kur historia na paraqet llogarinë, duke na përballuar jo vetëm me të shkuarën, por edhe me të sotmen ku, në forma e përmasa të ndryshme, vazhdojmë të ballafaqohemi me dukuri t’urryera.

Për shqiptarët 27 janari, krahas dhimbjes njerëzore për miliona jetë të flijuar në altarin makabër të racizmit më të egër, është dhe një ditë krenarie. N’atë bilanc të heshtur t’atyre ngjarjeve, përgjegjësive e pasojave, n’atë gjyq të përfytyruar të ndërgjegjeve të popujve, të kombeve, të klasave politike, të fuqive ushtarake të një kontinenti të tërë, në një nga epokat më të errëta të Evropës së qytetëruar, ne, shqiptarët dalim ballëlartë e me ndërgjegjen e pastër : nga toka shqiptare që për pesë vite qe e pushtuar nga trupat e huaja, nga ushtritë italiane e gjermane, asnjë hebre nuk shkoi në kampet e çfarosjes. Në tokën shqiptare gjetën strehë e mbrojtje 2265 vetë, banorë të këtij trualli, apo t’ardhur n’ata vite të vështiura nga Vende të tjera fqinje, apo më të largëta.

Në vitin 1937, në Shqipëri banonin gjithsej 191 hebrenj. (“Hebrenjtë në Shqipëri” Katalog dokumentash të A. Q. Sh. të Republikës së Shqipërisë” nga Nevila Nika dhe Liliana Vorpsi)

“Në vitet 1941 – 1942 vërehen shpërnguljet më të mëdha të hebrenjve nga vendet e rajonit ballkanik (Jugosllavi, Bullgari) dhe vendosja e tyre në kampe përqëndrimi në qytete dytësore të Shqipërisë, duke pasur kujdesjen shtetërore për ushqim, strehim, veshje dhe nevoja të tjera.

          Deri në fund të Luftës II botërore numri i hebrenjve në Shqipëri u dhetëfishua. Asnjë hebre s’u bë viktimë e luftës.”

           Janë disa nga përfundimet e kreut të dytë të vëllimit “Hebrenjtë në Shqipëri Prania dhe shpëtimi”, i shkruar nga Prof. Shaban Sinani dhe i botuar më 2009.

Shifrat e pranisë së hebrenjvet e shpëtimit të tyre në trojet shqiptare ndryshojnë nga një autor tek tjetri, ato nuk janë të përcaktuara plotësisht, mbasi studimet mbi to kanë filluar në dhjetëvjetëshin e fundit dhe ende nuk janë të përfunduara, falë vështirësive që hasen në shqyrtimin e mijra dokumentave të arkivave, por edhe të mos paraqitjes në dokumenta të shumë veprimeve t’asaj kohe. Por të gjithë studjuesit janë të një mëndjeje se shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri nuk është një legjendë, por një fakt i pakundërshtueshëm e, si i tillë, mbetet një nga të paktat dukuri të tilla në të gjithë Evropën e asaj periudhe.

Në shqyrtimin e një dukurie të tillë bëhet i detyrueshëm krahasimi me përvojat e popujve të tjerë në të njëjtën periudhë e në të njëjtat kushte historike. Nga vëllimi “Hebrenjtë në Shqipëri nën fashizmin Një histori për t’u rindërtuar”, italisht, me autorë Laura Brezzo e Michele Sarfatti, shkëpusim këtë paragraf që i referohet disa të dhënave të studjuesve M. Grmek dhe B. Kovacic në “Messager européen” N.5 1991 : “Vetëm nga dora e regjimit ustasha të Paveliçit u masakruan gjatë luftës së dytë botërore 300.000 serbë, 26.000 hebrenj, 16.000 romë.”

Nga i njëjti vëllim në kapitullin “Shoah në Serbi e Maqedoni” (1941 – 1943) të studjuesit Milovan Pisarri jepen këto shifra : “Në këto krahina më 1941 jetonin rreth 21.000 hebrenj, prej të cilëve 13.000 në Serbi e 7762 në Maqedoni. Në Serbi kishte veç tyre dhe 5000 – 6000 hebrenj të shpërngulur nga Evropa Lindore, në pritje për të vazhduar rrugën për në Palestinë. Në fund të luftës mbijetuan më pak se 3.000 vetë.

          Më 22 mars 1943 u nis treni i parë që mbartëte 2409 hebrenj maqedonë. Vend mbërritja, më 28 mars, mbas një udhëtimi nëpërmjet Serbisë dhe Evropës Qëndrore, ishte Treblinka. Më 25 e 29 mars u nisën dy trena të tjerë me, përkatësisht 2399 dhe 2550 vetë. Asnjë prej këtyre nuk u kthye i gjallë. Në të njëjtën ditë u përzunë nga Thraka, me rrugë lumore nëpër Danub deri në Vjenë, 4221 hebrenj vendas.”

Dhe ja përfundimi : “Sa vetë arritën të ikin në Shqipëri nga Serbia e nga Maqedonia, fatkeqësisht, nuk është e mundur të përcaktohen me saktësi, së paku tani për tani. Këta refugjatë janë një pjesë e pak hebrenjve, që arritën t’i mbijetojnë Shoahut në Serbi e Maqedoni : pak më shumë se 10% në krahinën e parë, rreth 5% në të dytën.” 

Simbas këtyre shifrave, të dhëna nga studjues të huaj, del qartë se Shqipëria bëri një përjashtim në Ballkan, në praktikën e përndjekjes së hebrenjve, që ishte një strategji globale e hitlerianëve, të cilët e kishin pushtuar Ballkanin. Qeveritë shqiptare, jo vetëm nuk dorëzuan hebrenjtë vendas, por u bënë edhe shpëtimtarë të shumë të tjerëve, që arritën të hyjnë në kufijtë e Shtetit të tyre. Kjo dukuri ka një vlerë morale shumë të madhe, është një nga meritat më të shkëlqyera të kombit në të gjithë historinë e tij, një motiv krenarie të ligjëshme në ndihmesën e dhënë qytetërimit botëror. Ky i fundit nuk është vetëm arritje veprash madhore në fushat e ndryshme të dijes, artit, shkencës etj., është dhe pohim e mbrojtje vlerash universale, siç është jeta njerëzore, madje ky duhet të jetë edhe synimi më i lartë i tij.

Nëse të tjerët na e venë këtë kurorë dafinash të mirënjohjes e vlerësimit mbi kokë, ne vetë jemi refraktarë kundrejt vlerave tona. Për një gjysëm shekulli të regjimit komunist nuk u zu në gojë asnjëherë dukuria e shpëtimit të hebrenjve në tokën shqiptare. Ajo ishte varrosur, së bashku me shumë të vërteta të tjera të periudhës së luftës, siç ishte bashkimi i trojeve shqiptare më 1941 – 1944. Mbas tjetërsimit të sistemit, studjues të ndryshëm, ndër të parët z. Mërgim Korça, dëshmitar në vetë të parë i një episodi të rëndësishëm t’asaj dukurie, filluan të shkruajnë për të vërtetën historike. Politika, natyrisht, e mori argumentin për t’a nxjerrë në pah që prej disa vitesh kur, më 1 nëndor 2005, Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara vendosi përkujtimin e Shoas për datën 27 janar, në përputhje me datën e rrëzimit të portave të kampit të Aushvicit, si pasojë e hyrjes së ushtrisë sovjetike në rrugën e saj për në Berlin.

Politika dhe mediat, në pjesën dërmuese të tyre, mbasi zbuluan “thesarin” e krenarisë kombëtare, filluan të japin dhe ftillimet e tyre, duke e paraqitur atë dukuri, shpëtimin e hebrenjve, si një meritë të vetme të familjeve shqiptare që strehuan ata në shtëpitë e tyre, madje dikush evokoi dhe një miqësi të lashtë mijëvjeçare mes dy popujve. Ky ftillim paraqiste vetëm një pjesë të së vërtetës, por anashkalonte rolin e autoriteteve qeveritare italiane e të komandës gjermane në Shqipëri, nga njëra anë, dhe qeverive shqiptare t’asaj periudhe, nga ana tjetër. Thjeshtimi i interpretimit të një dukurie, tepër komplekse në zhvillimet e saj, ishte një mënyrë e tërthortë dinakërie, për të mbuluar të vërtetën historike. Duke zhvendosur nga teatri i ngjarjeve klasën politike shqiptare t’asaj periudhe e rolin e saj në shpëtimin e hebrenjve, jo vetëm që opinionit publik shqiptar e të huaj i servirej një përrallë me mbret, aspak bindëse, por bihej ndesh me vetë faktet historike e dokumentat pasqyruese të tyre. Ishte një përpjekje, në vazhdën e njohur të historiografisë mashtruese komuniste, jo për të zbuluar një të vërtetë historike, në tërë përbërësit e saj, por për t’a tjetërsuar atë me metoda manikeiste qesharake deri në marrëzi. Në këtë grackë ranë dhe autoritetet shtetërore e të politikës që në këta vite, duke u ballafaquar me problemin në mjedise ndërkombëtare, bënë një figurë jo të mirë kur dikush u tha se hebrenjtë, në rradhë të parë, i ishin mirënjohës qeverive “kolaboracioniste” shqiptare, që luajtën rolin vendimtar në shpëtimin e tyre.

Në këtë treg idesh, faktesh e interpretimesh meriton një vëmëndje të veçantë studimi i Prof. Shaban Sinanit “Hebrenjtë në Shqipëri  prania dhe shpëtimi”, një përpjekje objektive e shkencore për t’a paraqitur dukurinë në termat e saj të vërteta. “Një nga arsyet që kjo pjesë e historisë shqiptare s’njihet mirë është dhe frika se, duke njohur këtë realitet, mund t’i njihet tërthorazi ndonjë meritë edhe mbretërisë apo fashizmit. Në të vërtetë, kjo vetëm do t’a nderonte historinë e vendit dhe asgjë më shumë.” shprehet autori. Përgëzime atij për këtë diagnozë të saktë të studimeve tona historike, nga praktika e të cilave, nëpërmjet kësaj vepre, duket se don të shkëputet. Uroj që të jetë një hap i madh përpara, për të shërbyer tempullin e shkencës dhe së vërtetës, duke braktisur demagogjinë politike që ka prodhuar vetëm shtrembërime të tyre.

Në faqen 127 të librit gjejmë dëshminë e rëndësishme, të shkëputur nga libri me kujtime të Mëkëmbësit të Mbretit, Francesco Jacomoni, me titull “Politika e Italisë në Shqipëri”, në dobi të Kryeministrit Kruja e Qeverisë së tij, në lidhje me kërkesën gjermane për dorëzimin e hebrenjve në Kosovën shqiptare dhe masat e marra për të mos e zbatuar atë. Më poshtë autori bën pyetjen :

“Por ç’ndodhi me qeveritë bashkëpunuese, kuislinge, që ishin në dijeni të hyrjes së hebrenjve në Shqipëri, që nuk e penguan ardhjen e tyre, përkundrazi, lejuan dhe fshehjen e identitetit, dhe së fundmi nuk u a dhanë listat që kërkuan autoritetet naziste, për t’i çuar hebrenjtë e Shqipërisë në të njëjtin fund katastrofik ?” për t’u përgjigjur po vetë, i bazuar në gjashtëqind dokumentat që ruan A.Q.Sh. shqiptar, në të cilin profesori ka qenë drejtor : “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është i lidhur me faktin thelbësor që asnjëra prej qeverive bashkëpunuese, megjithëse të ngritura në pushtet me fuqinë e armëve të fashistëve apo nazistëve, nuk hartoi e nuk përshtati asnjë ligj antihebraik, në një kohë kur në ligjet antihebraike në vendet e tjera të kontrolluara nga këto ushtri dhuna antihebraike u detajua deri në një të tetën…”

Aq është e vërtetë kjo tezë sa që, në librin e sipërpërmendur të Brecos e Sarfatit, sillet një fragment shumë i rëndësishëm i kujtimeve të Jakomonit : “Një tjetër çështje qe objekt kundërshtie me Romën : ajo e shtrirjes së ligjeve raciale në Shqipëri. Udhëzime për t’u shpallur u dhanë vazhdimisht, por me shfaqjen gjithmonë të  problemeve të reja nuk u arrit të bëhej gjë.” Duhet theksuar në këtë rast fakti se Roma zyrtare e kishte hartuar dhe miratuar dekretin kundër-hebraik që më 14 maj 1939. Ai dekret përbëhej nga 21 nene, në të katërtin e të cilëve thuhej : “ Hebrenjtë e huaj që, në datën e shpalljes së këtij dekreti gjenden në Mbretëri, duhet të lëshojnë menjëherë territorin e saj, brënda një muaji  (pastaj 6 muaj) nga data e botimit të vetë dekretit.”

Ky dekret nuk u bë as i njohur në opinionin publik shqiptar sepse asnjë qeveri  nuk pranoi t’a shpallte, mbasi binte ndesh me traditat e mikpritjes së hershme shqiptare e përbënte një shkelje të ligjeve e zakoneve të mbrendëshme të popullit tonë. I mbetet lexuesit të krijojë nga këta fakte opinionin e tij mbi ngjarjet dhe personazhet e asaj epoke, të paraqitura me ngjyrat më të errëta për gati tre të katërtat e shekullit. Në këtë kuadër është për t’u përmendur marrëveshja ndërmjet Qeverisë shqiptare dhje Komandës gjarmane më 17 tetor 1943, mbas kapitullimit të Italisë, të cilën studjuesi Sinani e sjell në faqen 142 të librit të tij : “ Burimet arkivore shqiptare dëshmojnë se marrëveshja midis qeverisë së Shqipërisë dhe komandës politike e ushtarake të ushtrisë gjermane u arrit mbështetur në formulën : “Të trajtohen armatat gjermane si ushtri kalimtare, me kusht që nga autoritetet e Reich-ut të mos ndërhyhet në qeverisjen e brëndshme të shtetit shqiptar”….. Duke iu referuar formulës së paktit dhe reagimit të institucioneve të Reich-ut, mund të përfundohet pa gabuar se, në vështrimin e autoriteteve naziste, në Tiranë çështja hebreje quhej “çështje e brëndshme”.

E veçanta e kësaj marrëveshjeje, e pakonceptueshme për kushtet e kohës, do t’a bënte studjuesin amerikan H.Sarner të shprehej : “Fraza për “ mosndërhyrje në punët e brendshme” mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi regjencës që të dorëzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë” Madje është mjaft interesante konsiderata e Sarnerit për Ministrin Xhafer Deva e veprimet e tij në mbrojtje të hebrenjve : “…Sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t’i bindte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve.”

Në libër gjejnë pasqyrim edhe përpjekjet e klerit katolik për shpëtimin e hebrenjve, nëpërmjet kthimit të tyre në besimin e krishterë. Në këtë drejtim përmenden emrat e Dom Shtjefën Kurtit dhe të At Pjetër Meshkallës. Po i mbyll këto konsiderata për objektivitetin e Prof. Shaban Sinanit duke sjellë një pohim që tregon jo vetëm profesionalizëm por edhe ndershmëri intelektuale :

“Shumëve u duket si i tepruar ngulmimi për rolin pozitiv të autoriteteve qeverisëse shqiptare gjatë luftës për shpëtimin e hebrenjve. Këta mendojnë se asnjë fjalë e mirë nuk mund të thuhet për kolaboracionistët, meqë ata e penalizuan veten me qeverisjen nën armët e ushtrive naziste. Por njerëzit e thjeshtë kishin në dorë t’u jepnin hebrenjve bukë, punë dhe strehë. Njerëzit e thjeshtë nuk i kishin listat e tyre. Këto lista i kishin autoritetet qeverisëse dhe nuk i dhanë. Ato arin e Shqipërisë e dorëzuan, por këto lista jo. Ka pasur funksionarë të qeverive bashkëpunuese që jo vetëm nuk kanë dorëzuar lista hebrenjsh, jo vetëm kanë raportuar se në juridiksionin e tyre nuk ka hebrenj, por madje kanë kërkuar prej komandës naziste të lirojë ata hebrenj që ajo i kishte kapur gjatë mërgimit nga thellësitë e Ballkanit drejt Shhqipërisë (Kruja, Hurshiti, Mulleti, Korça, Çoba, Preza).”

          Ja dhe përfundimi i autorit me të cilin pajtohem plotësisht : “Hebrenjtë në Shqipëri nuk i shpëtoi as nacionalizmi, as komunizmi, as ndonjë faktor tjetër politik, por etnotipi shqiptar, në thelbin e të cilit është mbrojtja e tjetrit në rrezik. Ky është një tipar që shqiptarët e kanë përsëritur shpesh në sjelljen me “tjetrin”.

Së fundi, duke zgjeruar pak konceptin e profesorit, më duket me vend që në kujtesën historike të popullit tonë të kenë vendin e merituar ata që “etnotipin shqiptar” e shpalosën në çdo kohë, edhe në atë të luftës së dytë botërore, duke i lënë bashkatdhetarëve të tyre krenarinë e përkatësisë një kombi që, në rastin e shpëtimit të hebrenjve, ka mishëruar vlerat madhore e të përjetëshme të vetë njerëzimit.

Janar 2013

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Kujteses, Eugjen Merlika

VIT I RI – PROBLEME TË VJETRA

January 14, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Çdo 31 dhjetor, që i përgjigjet një rrotullimi të planetit tonë rreth diellit, është një kufi kohor, që njerëzit e kanë caktuar në vetëdijen e tyre për të bërë një shqyrtim të bëmave të 365 ditëve dhe një parashikim apo planifikim të atyre pasuese. Jo rastësisht, kjo ditë karakterizohet nga urimet e shumta mes individëve, familjeve, bashkësive, deri në nivelet e larta të organizimeve të këtyre të fundit që quhen shtete apo bashkime shtetesh.

Në këta urime shprehet shpresa për një vit më të mirë që, me fjalë të tjera, do të thotë më shumë begati lëndore e më pak probleme të llojeve të ndryshme, që nga shëndeti, puna, siguria, harmonia familjare në rrafshin individual e deri në konfliktet apo krizat e natyrave të ndryshme në sistemin botëror. Në bilancin e zakonshëm të këtij kufiri kohor të fundit të atij viti që shkoi apo fillimit në të cilin jemi futur, hasim në dukuritë reja apo të përsëritura. Në Vendin tonë këto të fundit duket se janë më shumë të pranishme.

Përballimi në çdo vit me të njëjtën problematikë është një tregues i paaftësisë sonë, si sistem Vend, për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me ecjen tonë përpara, për pasojë tregojnë një qëndrim në vënd, për vështirësi, shpesh të pakapërcyeshme, që frenojnë, në mënyrë të përsëritur, lëvizjen tonë drejt synimeve të paracaktuara.

Viti 2012 qe një vit i veçantë, që u përcaktua nga përkatësia historike e një shekulli të qënies sonë si shtet. Festimet e këtij njëqindvjetori qenë një shfaqje pozitive e shoqërisë shqiptare dhe klasës së saj drejtuese, në drejtim të pohimit të vlerave historike të kombit që, megjithëse i ndarë në përvoja të ndryshme shtetërore, tregoi se, në pjesën më të madhe të tij, mbetet i lidhur shpirtërisht me to. Pamjet e ndryshme të festimeve, që do të ngelin për një kohë të gjatë në kujtesën tonë, jo vetëm në truallin e Shqipërisë zyrtare, por dhe në atë të asaj virtuale, tregojnë se çështja kombëtare, e traumatizuar deri në asgjësim në gjysëm shekullin komunist, po përtërihet e fuqizohet, jo aq për meritë të koniukturave të politikës, se sa për një shtysë të brëndëshme të faktorit psikologjik e mendor të bashkësisë shqipfolëse kudo. Ai entuziazëm i njëqind vjetorit të Pavarësisë, me të gjitha këndvështrimet e tij politike, kulturore e rivlerësuese të trashëgimisë historike nën një prizëm respektues të së vërtetës së saj, për herë të parë mbas afër 70 vjetësh, qe një motiv i veçantë kënaqësie për këdo që, në botën e sotme, vazhdon të ruajë e të pasurojë identitetin kombëtar.

Si në çdo veprimtari të zgjeruar shtetërore, për të cilën mund të ketë gjithmonë vërejtje, edhe në organizimin e saj mund të shmangej ndonjë shfaqje folklorike e pavend si ajo e tortës në kryeqytet, por në përgjithësi, mendoj se organizimi i festës së madhe nuk çaloi e organizatorët duhen përgëzuar.

Lë për të dëshëruar, simbas mendimit tim, kundërveprimi i një pjese të politikës, asaj të majtë pas komuniste që, para pohimit të guximshëm të problemit kombëtar nga ana e kryeministrit në raste të ndryshme, doli me kritika të hapura që i u bashkëngjitën atyre të qarqeve qeveritare të Vendeve fqinjë. Qeveria dhe kryeministri në vitet e fundit, si pasojë e real-politikës dhe “porosive” të ndërkombëtarëve, patën luhatjet e tyre në pohimin dhe përballimin e atij problemi, që me gjithë ndryshimin e kohëve, mbetet më thelbësori i shoqërisë shqipfolëse. Një klasë politike përgjegjëse dhe e vetëdijshme për rolin e saj, para çështjesh madhore, siç është ajo e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ulet në tryezë dhe harton një strategji synimesh që mbeten si program veprimi për këdo që merr pushtetin. Çështja kombëtare, që prej një shekulli ka kushtëzuar të gjithë jetën politike e kulturore të shqiptarëve pa gjetur zgjidhje, duhet të jetë edhe sot një gur prove për klasën politike shqiptare. Termi “nacionalizëm primitiv” nuk tregon modernizim konceptesh, mbasi nacionalizmi si shprehje e dëshirës për të jetuar në një atdhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, mbetet gjithmonë një synim që, sigurisht, do t’i përshtatet ndryshimeve të botës, përsa i përket sendërtimit, që do të bëjë kompromiset e domosdoshme, por që nuk ka nevojë për epitete denigruese që nuk i bëjnë nder atyre që i shqiptojnë.

Fryma e bashkëpunimit për çështjet e mëdha të kombit duhet të jetë një detyrë, zbatimi i së cilës duhet të jetë mbi kundërshtitë, mëritë, programet e ndryshme politike, formimet e ndryshme kulturore, interesat e ndryshme të grupeve, partive apo individëve. Fundi i 2012-ës na solli dhe një lajm të keq, që më duket se nuk gjeti sa duhet shqetësim në shoqërinë shqiptare dhe mjetet e saj të shprehjes së opinioneve. Qe refuzimi për të tretin vit rradhazi i kërkesës për statusin e Vendit kandidat për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Sa i takon politikës sonë, mangësia e saj në përcaktimin e atij vendimi negativ apo shqetësimeve të vetë Evropës së Bashkuar në pështjellimin e një krize financiare dhe ekonomike të pashëmbullt në historinë e saj, është një çështje e diskutueshme. Ne nuk mund të ndikojmë në faktorët përcaktues të fateve të kontinentit, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të kryejmë deri në një detyrat tona për të “kaluar klasën”.

Fakti që për herë të tretë “mbesim në klasë” duhet të na bëjë të thellohemi në përsiatjet tona, si qytetarë të këtij Vendi që në vetëdijën e tij ka bërë një zgjedhje të qartë : të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar, të bashkojë fatin e tij me atë të kontinentit të cilit i përket gjeografikisht, historikisht, kulturalisht e shpirtërisht. Fakti që edhe në këtë proçes kontinental ne rrezikojmë të mbetemi të fundit, madje edhe mbrapa Serbisë që, jo më shumë se 13 vjet më parë, ishte në luftë me pjesën më të madhe t’Evropës, duhet të na bëjë t’a shohim me një sy tepër të mprehtë e kritik të gjithë punën tonë n’atë drejtim. Roli i politikës në këtë proçes vendimtar për fatet e Shqipërisë mbetet i dorës së parë, veprimtaria e saj mjaft e diskutueshme. Premtimet se çdo fund viti do t’i a arrijmë synimit nanurisin shpresat e shqiptarëve gjatë gjithë vitit, për të përfunduar në një shkëmbim akuzash të ndërsjellta mes dy forcave kryesore politike, mbas çdo dështimi janë kthyer në një dukuri sa të dhimbshme aq dhe qesharake. Opinioni publik vazhdon të zhvillojë këtë shkëmbim padish, pa u thelluar në analizën për të zbuluar një të vërtetë të hidhur : klasa politike, në tërësinë e saj, krijon përshtypjen se nuk e dëshiron bashkimin me Evropën dhe bën  çmos të mos arrijë në të.

Nuk e dëshiron mbasi prania n’Evropë ka detyrime të cilat do të cënonin “pavarësinë” e veprimeve të saj. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që parametrat e kërkuara nuk “plotësohen” kurrë. Me gjithë ndërhyrjen këmbëngulëse të institucioneve të Evropës për të gjetur një marrëveshje mes përbërësve të klasës politike që do të bënte të mundur plotësimin e atyre parametrave, duket se synimi i përgjithshëm është e kundërta. Problemi dhe pengesa kryesore e mos plotësimit të tyre qëndron në korrupsionin e gjërë që karakterizon një pjesë të mirë të jetës politike shqiptare me ndonjë përjashtim të rrallë. Ka njëzet vjet që politikanët padisin publikisht njëri tjetrin, apo më saktë kundërshtarin për korrupsion. Është në sytë e të gjithëve pasurimi i mjaft prej politikanëve të të gjitha niveleve, standarti i tyre i jetesës që nuk përligjet nga shpërblimi zyrtar i punës së tyre. Në bazë të këtij pasurimi, nuk  mund të jetë tjetër veç mitmarrjes në forma e mënyra të ndryshme. Nuk është i vetëm Vendi ynë në këtë rrugë, në Lindje e në Perëndim. Por paraqet një veçanti të rrezikëshme, nuk e lufton seriozisht korrupsionin në fushën e administratës publike, madje jep përshtypjen se sa më lart ngjiten shkallët e saj, në mbrojtje të keqbërësve vihen dhe organet e ligjëshmërisë, gjykatat. Kjo është dukuria më shqetësuese sepse aty ku nuk funksionojnë organet e Drejtësisë nuk kuptohet se ku mund të varen shpresat e qytetarit të ndershëm për të jetuar në një Vend normal.

Para se të hynte në Evropë Rumania, që përballohej me të njëjtat probleme të korrupsionit pas komunist si ne, ose ndoshta më keq, gjeti forcën të kalojë në proçese penale më shumë se 1400 vetë, të paditur për krime e shkelje të formave të ndryshme, njerëz që vinin nga funksione shtetërore të rëndësishme, duke filluar nga maja e piramidës qeveritare. Tek ne një dukuri e tillë është e pakonceptueshme. Edhe një rast, që u duk se mund të ishte një fillim i mirë i një kursi të ri, siç ishte ai i ish ministrit Meta, fajësia e të cilit provohej nga filmime të quajtura të sakta nga ekspertët e FBI-së amerikane, u mbyll me një vendim gjyqi për pafajsinë e t’akuzuarit! Në Tiranë një gjyqtare, “ish e përndjekur politike”, jep një vendim “paligjëshmërie” për grevën e urisë të disa ish të burgosurve politikë! Ndërsa në Fier gjykata merr në shqyrtim e jep vendime në kundërshtim me një të tillë të Gjykatës së lartë, që e përjashton me të drejtë si materie të punës së saj shqyrtimin e ndryshimit të barazpeshave politike të organeve të zgjedhura, si pasojë e kalimit nga një formacion në një tjetër të “tregtarve të flamujve”

Ky është një nga arsyet e dështimit të sipërmarrjes shqiptare në Evropë e dëmi që pëson Vendi është tepër i madh. Një Vend ku sistemi i Drejtësisë ka këto rezultate nuk mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Një klasë politike që shpreh institucione të këtilla nuk ka asnjë interes të bëhet pjestare e një bashkësie, në të cilën do të ishte nën një mbikqyrje të vazhdueshme që mund të vinte në pikëpyetje vetë qënien e saj.

Mesazhi i Evropës për shqiptarët është i qartë. U takon atyre të nxjerrin prej tij mësimin e duhur e të mos njëjtësohen me të keqen. Në çdo demokraci ka mjete e mënyra të larmishme për të kërkuar ndryshimet e një opinion publik i shëndoshë duhet të gjejë kurajën dhe fuqinë për të gjetur rrugën e drejtë të sendërtimit të tyre.

Janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, probleme te vjetra, Viti i ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60

Artikujt e fundit

  • PRAPË BIEN KAMBANAT NË KISHËN E CURRJAVE T’ EPËRM
  • Çerçizi…
  • BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
  • Rrugës për sovranitet
  • #SiSot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola
  • Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar
  • Fazli Graiçevci, dëshmori i shkollës shqipe
  • TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE
  • Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë
  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT