• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Burrë-shteti i vërtetë Luigj Gurakuqi

March 1, 2018 by dgreca

Me rastin e 93 vjetorit të vrasjes/

2 Luigji Bari1 Luigji GazetaNoli Luigj Gurakuqi

Nga Fotaq Andrea/

Me shpalljen e pavarësisë dhe formimin e shtetit të ri shqiptar, Shqipërisë nuk do t’i mungonin njerëzit e mëdhenj, ata që do përkushtoheshin në veprën e shenjtë kombëtare dhe që e meritojnë katërçipërisht epitetin e lartë “burrë-shteti”. Sipas studiuesit Jean Serisé, “burrë-shteti” i vërtetë është ai që “nuk pasurohet falë pozitës së tij, përthith me shpejtësi realitetin e gjërave dhe i përshtatet rrethanave për t’u ngritur përtej ngjarjeve, në kërkim të përhershëm të së mirës së përbashkët”. Në këtë kuptim, një burrë shteti ka një të shkuar të pasur me veprimtari atdhetare, vepron aktivisht për të realizuar detyrën e lartë shtetërore të ngarkuar dhe përgatit të ardhmen e vendit, qoftë edhe duke “gërmuar varrin e vet”, sipas shprehjes së Serisé-së. Mes burrave të hershëm të shtetit shqiptar që nuk i kanë shpëtuar këtij fati tragjik dhe krimit të egër politik renditet edhe Luigj Gurakuqi, të cilit i njihen me të drejtë aftësi e cilësi të rralla: njeri i kulturës e i shkencës, politikan e diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, patriot i madh, bashkëthemelues i shtetit, liberator atdhetar, liberal-demokrat, e më në fund sipas shprehjes së Nolit “pionier i qytetërimit perëndimor në Shqipëri, shqiptar i flaktë që thithi me themele kulturën e Perëndimit, njeri që punoi më gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellë farën e saj në Shqipëri”. Dhe jo vetëm kaq, por edhe më.

Në dhjetor 1921, Elise Aubry, gazetare, publiciste, veprimtare franceze mjaft aktive për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, që mbante lidhje të ngushta miqësore dhe bashkëpunimi me figura të shquara patriotike  të vendit, si Noli, Fishta, P. Evangjeli e Luigj Gurakuqi, i shkruante këtij të fundit pas pranimit të Shqipërisë në Shoqërinë e Kombeve: “Shqipëria u bë! Ja kryesorja pas tërë atyre luftërave dhe sprovave…  Do të ndjeja kënaqësi të madhe personale t’ju shihja Ministër. Sepse askush më mirë nga ju nuk është aq i kualifikuar për të drejtuar vendin tuaj në hapat e tij të parë… Natyra juaj aq e përzemërt dhe e buzëqeshur do t’i sillte menjëherë shumë miq vendit tuaj të dashur… Shqipëria u njoh. Por tani duhet mbështetur prestigji i saj europian, – duhet zhvilluar [nënvizuar nga autorja], duhet që ajo të zërë vendin e saj të vërtetë midis shteteve të tjera ballkanike”.

Dy tipare të veçanta këtu që dallon Elise Aubry te personaliteti i fuqishëm i Luigj Gurakuqit: i kualifikuar për të drejtuar vendin dhe natyra e përzemërt dhe e buzëqeshur. O Zot sa shumë nevojë kemi sot për një çikëz ngrohje zemre, kur politikarucë e palo shtetarë aktualë japin shembullin e egërsisë e të dhunës verbale e gjestikulare, shembullin e mashtrimit dhe korrupsionit, tek janë bërë ndotje vizive, mediatike e morale dhe shkelin me këmbë çdo normë, parim, ligj, tek vrasin natën dhe qajnë ditën.

Dihet që vrasja, në çdo kohë e kudo, e çdo ngjyre dhe natyre qoftë, ideologjike, politike, shoqërore, ekonomike, fetare, zakonore, etj., është thjesht krim, që asgjëson në thelb, njëherë e përgjithmonë  Njeriun-Shenjt, është akt i parikthyeshëm që meriton veç ndëshkim maksimal, pa kurrfarë përligjjeje. Dhe pikërisht, vrasja në Bari të Italisë, më 2 mars 1925, e Heroit të popullit Luigj Gurakuqi, disa herë ministër në kabinetet qeveritare shqiptare të viteve 20, do të ishte në qendër të vëmendjes edhe të shtypit perëndimor të kohës, duke e dhënë në formë lajmi e duke bërë publike emrin e vrasësit me pagesë, Baltion Stambolla. Madje, duke shkuar edhe më tej, kur shtypi italian e francez jepte që në titull edhe akuzën për pjesëmarrje në vrasje ndaj ish konsullit shqiptar në Bari Çatin Saraçit: “Vrasja e Z. Gurakuki. A është konsulli që e ka vrarë?” (Gazeta “Le Rappel”, 11 mars 1925). Por një gazetë italiane do bënte shumë më shumë se kaq: është fjala për organin “Illustrazione del popolo” të 15 marsit 1925 që do të ilustronte me ngjyra dhe në formatin e plotë të gazetës, që në faqen e parë, vetë skenën makabre të vrasjes së Luigj Gurakuqit.

Po botojmë në shtypin shqiptar për herë të parë këtë ilustrim që na ra në dorë kohët e fundit, dhe që e shfaq açik krejt skenën tronditëse, prekëse, emocionuese në shumë drejtime, që ngjall mbi të gjitha revoltë, përbuzje dhe urrejtje për vetë aktin e shëmtuar të vrasjes. Por edhe me një mësim të vyer: vrasja për motive politike ka gjithnjë haraçin e madh që jo vetëm të vë damkën e turpit të Historisë, për të përfunduar në kosh të saj, por sot, në shtetin ligjor, për të përfunduar përjetësisht prapa shtatë penxhereve gjirokastrite apo hekurave.

Ilustrimi ka për autor Alfredo Ortelli-n, piktor dhe ilustrator i shquar, nxënës i Akademisë së Arteve të Bukura të Venecies. Skena përmban tetë personazhe në mjedis urban, përpara hotel “Cavour” – Bari, në një atmosferë të zymtë e të trishtë, ku sundon habia më e madhe e vrasjes me dorë të shpenguar, nga afër, “mu para hundës” apo “a bruciapelo” siç thuhet në diçiturën e ilustrimit dhe konkretisht: “Në Bari, ish ministrit të financave të Shqipërisë, Gurakukit, iu afrua, teksa po dilte nga një restorant ku kish drekuar në shoqëri me disa bashkëpatriotë, një tregtar shqiptar Pietro Stamola, që e qëlloi nga afër me tre goditje revolveri, duke i shkaktuar vdekjen pothuaj të menjëhershme. Vrasësi u arrestua menjëherë”.

Me sa duket nga ilustrimi, vrasësi është duke dhënë goditjen e tretë fatale në gjoks, apo zemër, tek vërehet heroi Gurakuqi me një gjest të fundit që shpreh sa habi dhe dëshpërim (kur për më tepër vrasësi me pagesë Stambolla është djali i tezes së tij!) Heroi është në rënie e sipër në trotuar, me cilindriken që i është shkëputur nga koka dhe i mbajtur me vështirësi nga krahët e trupi nga dy vetë që të mos shembet në tokë. Krejt skena dhe personazhet plot psikologji shfaqin dëshpërimin dhe revoltën e fundit njerëzore në thirrjen: “Hej ti, kriminel, je në vete, çfarë po bën, po merr jetë Njeriu!” Dhe kjo thirrje dëshpërimi edhe sot e kësaj dite nuk po shqitet nga gjokset shqiptare të shamizezave dhe lotët përvëlues, si kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare.

Në faqet e brendshme të gazetës, një ilustrim i dytë jep një foto të Luigj Gurakuqit, fotografuar nga Studio Ficarelli. Po botojmë po ashtu edhe foton e njohur të Nolit me Gurakuqin dy muaj para vrasjes së këtij të fundit, por duke dhënë këtë radhë edhe autorin e fotografisë A. Bruni.

Më në fund, po japim për herë të parë të përkthyer nga frëngjishtja Fjalën e Luigj Gurakuqit në Seancën e pestë plenare të Shoqërisë së Kombeve, më 3 shtator 1924, ora 16 (sipas botimit “Société des Nations – Journal officiel,  Akte të Seancës së pestë plenare, 1924). Sikurse vihet re në fjalë e shkurtër të ish ministrit të Financave në qeverinë e Nolit, theksi vihet në varfërinë, mjerimin, urinë dhe fatkeqësitë natyrore që kishin pllakosur në atë kohë të vështirë në Shqipëri, ku megjithatë autori shpreh besimin se populli shqiptar aspiron dhe vepron për të qenë faktor i rëndësishëm rendi dhe progresi në Ballkan.

Fjala e Luigj Gurakuqit në Seancën V plenare

të Shoqërisë së Kombeve

 Z.Kryetar M. Motta: – Fjala i jepet Z. Gurakuqi, delegat i Shqipërisë.

  1. Gurakuqi (Shqipëri). – Zoti Kryetar, Zonja, Zotërinj,

Nuk kam aspak ndër mend të rishqyrtoj pikat e ndryshme të raportit mbi punën e kryer nga Këshilli i Shoqërisë së Kombeve gjatë periudhës së shkuar. Do ndalesha vetëm – dhe për një çast të shkurtër – në një prej pikave që kanë të bëjnë me ndihmat e dhëna për popullatat shqiptare të përvuajtura nga uria dhe sëmundjet.

Shqipëria, e shpallur e pavarur pas katër shekuj e gjysmë sundimi të huaj, që e kishte lënë vendin në gjendje të mëshirshme, u ndodh e braktisur në fatin e saj dhe duhej të luftonte krejt e vetme me vështirësitë e panumërta, sidomos të natyrës ekonomike e financiare.

Disa muaj pas çlirimit të saj, Lufta e Madhe i shtoi edhe më shumë tërë këto vështirësi dhe kur ajo mendonte se po ngrihej dhe po e merrte veten, ndodhën të tjera fatkeqësi që e penguan së tepërmi ecjen e saj drejt përparimit dhe qytetërimit.

Gjatë viteve të fundit, Shqipërisë iu desh të vuajë shumë nga uria që shkaktoi thatësira dhe përmbytjet, të cilat shkatërruan pjesën më të madhe të të lashtave. Sidomos popullatat e malit, të varfra e pa strehë, jetojnë sot në pasigurinë më të madhe.

Qeveria shqiptare ka bërë tërë përpjekjet e mundshme për t’u shkuar në ndihmë, por burimet e saj janë mjaft të kufizuara. Pa ndihmën bujare të Shoqërisë së Kombeve, fati i popullatave tona të mjera të malësive do të ishte nga më të llahtarshmit.

Përfitoj nga rasti që më jepet këtu për t’i paraqitur, në emër të Qeverisë shqiptare, Shoqërisë së Kombeve dhe shteteve të ndryshme që morën pjesë në veprën kontribuese për të ndihmuar Shqipërinë, falënderimet tona më të përzemërt dhe shprehjen e mirënjohjes sonë më të devotshme. Populli shqiptar është shumë i prekur nga kjo veprimtari humanitare dhe ndihmë vëllazërore pa interes në drejtim të tij. Ai do të bëjë dhe do të vazhdojë të bëjë gjithë përpjekjet e mundshme për të merituar edhe në të ardhmen dashamirësinë e lartë të Shoqërisë së Kombeve duke vepruar si faktor rendi dhe përparimi në Ballkan. (Duartrokitje.)

Përktheu  Fotaq Andrea.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Burrë-shteti i vërtetë, Fotaq Andrea, Luigj Gurakuqi

PO MOS T’ ISHTE NJI’ KY BURRË, KURR N’ SHQIPNI S’ U NGRIT FLAMUR !

November 26, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 1 ok Luigj Gurakuqi LUIGJ  GURAKUQI (Foto MARUBI) (12 SHKURT 1879 – 2 MARS 1925)/

105 VJETORI I NGRITJES SË FLAMURIT NË VLONË…/

■ATDHETARI LUIGJ GURAKUQI TREGON:/

“Kam pas nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim de Rada . Tue u gjetë përpara t’amblit kangtar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zanin e tij të fikët, qi bahej ma i plotë.., e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkëlqeshin, tue përmendë Shqipninë, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë qi punoi sa e sa kohë për Atdhe…!”

■AT JUSTIN RROTA THOTË PER LUIGJ GURAKUQIN:

«Gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár.»

■AT GJERGJ FISHTA NË 1920 SHKRUEN PER GURAKUQIN:

“… Të tham të verteten se m’âsht dashtë t’skuqesha për inferioritetin t’em. Âsht e kotë të gënjehemi. N’se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshtë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së tashmes, nuk mund të thotë se e paraqet dejsisht Shqypninë e të mbrojë si duhet interesat e saj.“

■RADOMIR NACHTINGALL E ÇMONTE ME KËTO FJALË GURAKUQIN:

“Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë.” 

■AT ANTON HARAPI E PYET NË DHJETOR TË 1924 GURAKUQIN:

“Si me falimentue kështu, Luigj? Si me dalë me hikë ju tash prej Shqipnie?

Kishte vdekë në kambë burri i dheut, me e pasë pré, gjak s’kishte qitë. U kuq, ju muer goja, shtërngoi buzët e i dha vehtes:

– Padër Anton na skredituen (diskredituen) tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinionin publik t’Europës. Për Zoten, nuk due t’iku, por po ndeja unë këtu, e dij se derdhet gjak e derdhet kot. Të kishe pse, nuk po shikojshe fort për gjak qi derdhet, se ma për vedi jo se jo, por po m’vjen si trathtí ta marr në qafë popullin e shkretë”.

■“Burrit vërtetë burrë, Luigj Gurakuqit, i cili me kulturën e neltë shpirtnore, mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, tue mbetë përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni”, – dedikimi i veprës “Andrra e Prêtashit” kushtue Luigj Gurakuqit nga Padër Anton Harapi.” 

15 PRILL 1997:  TEK URA E LUMIT LANA NË TIRANË..

■MË TREGOI SKULPTORI KRISTAQ RAMA:

“..Nuk di sesi mu dha me e pyet  Profesor Kristaqin: “Profesor, pse në Monumentin e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit në Vlonë, që u vendos me rastin e 60 vjetorit në vitin 1972, mungon figura e Luigj Gurakuqit ?” Ai më dha këte përgjegje: “Jé i pari njeri që më pyet për këte çeshtje dhe unë po të pëgjigjem ashtu si është qenë e verteta. Mbasi e kishim perfunduar punën në baltë dhe do të bëhëj derdhja në bronx, njoftuam Komitetin Qendror të P.P.SH, për të derguar personat që do t’a aprovonin dhe pastaj, përfundonte çdo gjë. Në ditën e caktuar erdhi shoku Ramiz Alia bashkë me disa shokë të tjerë. Mbetën të kënaqur! Na përgëzuan dhe si gjithnjë shprehën mirënjohjen e Partisë për vepren tonë.

Kur erdhi momenti i ndarjes, as unë nuk e di sesi u shkëput nga turma shoku Ramiz, dhe si në veçanti duke më terhequr nga krahu, mu afrua miqësisht dhe më tha në vesh: – Kristaq, ju shikojeni edhe vetë me shokët këte që po të them, por Luigj Gurakuqi nuk është mirë për të qenë në një veper kaq madhështore, mbasi ai ka qenë njeriu më i dashur dhe i besuar i Klerit Katolik!

Posa ikën ata, unë ia tregova biseden Odhise Paskalit që ndodhej aty dhe dy shokëve të mijë me të cilët punoja veprën, Shaban Hadërit dhe Muntaz Dhramit. Të nesërmën në mengjez i futem spatolat dhe mu në vendin bosh që është edhe sot, pranë Ismail Qemalit, ka qenë Luigj Gurakuqi. Motivi i dhenë nga Ramizi për Luigjin në lidhje me Klerin Katolik, nuk na lejonte asnjë hapsirë për diskutim. Po më vjen mirë që pata rastin për t’ ia treguar një shkodrani këte mëllef të Ramizit, për një figurë aq të madhe dhe të pastër Kombëtare, siç ka qenë Luigj Gurakuqi! Kështu, ajo vepër mbet e gjymtuar!…”

■Qeveria e Tiranës dhe Akademia e Shkencave, vazhdojnë zbatimin e porosive të lanuna nga diktatorët komunistë, të cilët, po e sundojnë edhe per së vdekuni Popullin Shqiptar !

Melbourne, 26 Nandor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Dritz Radovani, Flamuri ne Vlore, Luigj Gurakuqi

KJO ASHT DITA E MËSUESIT SHQIPTAR

March 3, 2017 by dgreca

Opinion Nga Fritz RADOVANI/

1 normalja-e-elbasanit-19091 DHJETOR  1909- HAPET  SHKOLLA  NORMALE  ELBASAN/
1 Luigj GurakuqiDREJTORI I PARË I SAJ ASHT KENË ATDHETARI LUIGJ GURAKUQI.

Mbas Kongresit të Manastirit me 14 – 22 Nandor 1908, u mbajt Kongresi i Elbasanit nga data 2 – 8 Shtator 1909, ku u vendos hapja e Shkollës së Parë të Mesme Pedagogjike në Gjuhën Shqipe, e njohun me emnin Normalja e Elbasanit. Kjo shkollë do të luente një rol vendimtarë per mësimin e Gjuhës Shqipe nder Trojet tona, si dhe do të kishte per qellim kryesor piksynimin e paraqitun nga Atdhetari Luigj Gurakuqi, i cili me rasën e hapjes së saj tha: “…Shqipnia u lëkund e tana nga zani i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndersa djelmët tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipnisë e u derdhën këtu në Elbasan… Jo vetem nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para nder tregimet kombtare e nder luftat e Gjuhës, por ma fort nga Gegënia e Siperme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili, na rrnoftë përjetë, na erdhën mjaft nxanës sa mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnji kand të Shqipnisë që të mos të ketë këtu mbrenda perfaqësuesit e vet.” Shkolla Normale e Elbasanit tue u rreshtue me Shkollat e njohuna të Shkodres, u ba prita ma e pakapercyeshme nga anmiqtë shekullor të Shqipes së shkrueme: turq e sllav!

E nuk duhet të harrojmë Mësuesit e Nderuem Atdhetarë Shqiptarë, që per kontributin e Tyne në arsimimin e brezave të rijë me Gjuhën Shqipe, dhanë edhe jeten. 2 Normalja sotNdertesa e sotme e Normales së Elbasanit…/

Edhe këte Vater të Kulturës sonë kombtare, po punohet me shkatrrue, me e lanë “pa Emen” dhe pa trashigimtarë, si shumë Vatra të tjera… Sikur kjo shkollë të ishte themelue nga një anadollak në pragun e Pavarsisë, dhe të kishte punue per me nxjerrë nga bankat e asaj shkollë mësues turq… A do të quhej “1 Dhjetori Dita e Mësonjësit ?!”

Në se tek Monumenti i Vlonës së 1912 nuk asht vue as Don Nikoll Kaçorri dhe as Luigj Gurakuqi, simbas porosisë së anadollakut Ramiz Alia: “Këta nuk duhet me qenë aty si Katolikë..!”, asht mirë ti botoni këta “amanete”, dhe të hiqni dorë nga genjeshtrat dhe rrenat 75 vjeçare që pasohen me “mirkuptimet e tolerancat fetare”!..

            Melbourne, Australi

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Luigj Gurakuqi, Normalja e Elbasanit

LUIGJ GURAKUQI NË NJË OPTIKË TË RE

August 10, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ky vit, siç dihet, shënon 90-vjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit (2 Mars, 1925), nga një dorë shqiptare, para një hoteli në Bari të Italisë. Njëri prej personaliteteve më të shquara të Rilindjes Kombëtare, patrioti i flakët dhe demokrati konseguent, Luigj Gurakuqi mori pjesë së bashku me Ismail Qemalin, në lëvizjen patriotike për pavarësinë e Shqipërisë, dhe ndër aktivitete të shumëta patriotike që e dallojshin atë, ishte edhe njëri prej themeluesve të Kongresit të Manastirit. Fan Noli për mundin dhe për veprimtarinë e tij patriotike, pat lëshuar ofshamën, “Nëno moj, ç’është përpjekur”! Në të vërtetë, mund të thuhet se gjatë 25 viteve të para të shekullit të kaluar, Luigj Gurakuqi ishte i pranishëm në çdo përpjekje, aktivitet dhe tubim në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në nivel kombëtar si edhe në konferencat ndërkombëtare ku diskutohej dhe vendosej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Edhe aty, shkruan autori i një libri për Gurakuqin, ai e mbrojti popullin tonë me mençuri, me energji dhe dinjitet.Edhe atje, në nivelet më të larta të diplomacisë dhe punëve botore,ku fjala dhe urtësia e tij pasqyrojshin atdhedashurinë si dhe përgatitjen e tij me dije e kulturë, të gërshetuar me burrëninë e shqiptarit. “Për besë e burrëni”, ka thënë At Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, “qe i zoti të veprojë edhe kundra bindjes së vet.”

Luigj Gurakuqi, me përjashtim të ndonjë shkrimi të izoluar përrkujtimor aty këtu, është hedhur në harresë zyrtare në këtë përvjetor dhe veçanërisht me të drejtë është kritikuar — nga njerëz më kompetent se unë — mos njohja zyrtare e kontributit të tij me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë — për të cilën Gurakuqi punoi, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si asnjë figurë tjetër e kohës së tij. Megjithëkëtë, ai do të mbetet një prej personaliteteve më të shquara të historisë së kombit shqiptar, qoftë në fushën e atdhedashurisë, qoftë në jetën kulturore dhe letrare, por pa përjashtuar edhe vetitë e tija të burrënisë dhe trimërisë. Fan Noli e ka cilësuar Luigj Gurakuqin si, “gojë mjaltë e zemër hekur”, gjë që sipas Ernest Koliqit, i cili ka shërbyer si sekretar i tij në Tiranë në vitin 1924 dhe si i tillë e ka njohur për së afërmi, ka shkruar se elegjia madhështore e Nolit me epitetet gjeniale, “gojë mjaltë e zemër hekur”, e përshkruan natyrën dhe personalitetin e vërtetë të Gurakuqit, në mënyrë të mrekullueshme.

Fan Noli, Ernest Koliqi dhe bashkohas të tjerë të Gurakuqit,të cilët e kanë njohur dhe që kanë punuar me Gurakuqin fillim shekullin e kaluar nuk janë më. Por fjalët dhe kujtimet e tyre për Gurakuqin — përveç aktivitetit dhe veprave të vetë Luigj Gurakuqit, dokumentacion ky i dorës së parë — bëjnë pjesë me më të autoritetshmet vepra që janë shkruar për Luigj Gurakuqin, gjatë dekadave.

Kohët e fundit më ra në dorë një libër, që besoj se për nga dokumentacioni që mbartë, mund të konsiderohet se bën pjesë gjithashtu ndër veprat më të autoritetshme që janë shkruar mbi veprimtarinë dhe jetën e Luigj Gurakuqit. Është një libër doracak për të cilin autorinënvijon se i paraqet lexuesit të dhëna dhe fakte të reja; “Me këtë vepër kemi pohuar të dhëna të reja për Gurakuqët; kemi nxjerrë nga arkivat dokumente të heshtura; kemi paraqitur letra të pabotuara, të panjohura; kemi venë në dukje ndonjë shkrim mbetë në harresë; kemi zbuluar dhe indetifikuar materiale të harruara, me qëllim që t’i vemë para lexuesit dhe studuesit të ardhëshëm për të dhënë sintezën për këtë figurë kaqë të madhe, por jetëshkurtër. Sepse emëri i mirë i tij do të frymëzojë, në çdo kohë, vullnetet e dobishme të shoqërisë sonë”, shkruan autori i librit që më ra në dorë kohët e fundit.

Një mik i imi, shkrimtari dhe poeti Anton Çefa, para pak kohe më dhuroi librin, me titull, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, të autorit Kolec Çefa, me kryeredaktor Dr. Jusuf Bajraktarin dhe botuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë. Ky libër me dha shkak për të shënuar edhe njëherë jetën dhe veprimtarinë e këtij patrioti, veprimtari të cilën ai e filloi “me flakë ideali e guxim rinie, e vazhdoi me trimëri idealisti dhe e mbylli me burrëni martiri”. Është kjo një vepër që sipas autorit, “hecë nepër gjurmët e figurës së (Luigj Gurakuqit)” dhe si e tillë jep ‘identitetin e tij’, të kësaj figure të rrallë, me mendje të fuqishme, me zemër të virtytshme, me vullnet të palodhur, më i afti për të krijuar unitet shoqëror dhe kombëtar, përfaqsuesi më i denjë i mendimit politik opozitar shqiptar”, ka shkruar autori Çefa.

Çefa pohon se ndonëse në të kaluarën janë shkruar disa libra me vlerë për “këtë visar të paçmueshëm kombtar dhe mozaik virtytetsh shqiptare”, libri i tij është një përpjekje për të qitë në dritë figurën e plotë madhore të kësaj figure të madhe të kombit — të këtij, “Zëdhënsi të idealeve kombëtare, të kësaj shëmbylltyre të virtytit politik, e frymëzuesi të kulturës dhe qytetërimit europian.” Autori shkruan se Luigj Gurakuqi kishte një disiplinë prej guri, një vetpërmbajtje nervore të admirueshme dhe vetkontroll energjishë mendore e fizike, ai nuk e kishte, “hovin zemrak të Fishtës, as këmbnguljen idhnake të Mjedës, as fluiditetin qiellor të Poradecit, as andërrimin tërheqës të Naimit, as ekuivokun e Konicës, as fantazinë ngjyra-ngjyra të Shantojës”. Por ndryshe nga këta, shkruan Çefa, Luigj Gurakuqi kishte, “largpamësinë e politikanit, maturinë e diplomatit, kishte forcë Anteu, pa eufori”, dhe ndonëse jetonte në realitetin e botës shqiptare, Gurakuqi e bënte luftën politike mbrenda të gjitha rregullave moralo-etike.Si rrjedhim, këshillon autori, nga Luigj Gurakuqi, “Edhe sot kanë çka mësojnë politikanët, sidomos deputetët tanë.”

Në librin e tij, ”Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, autori e cilëson Gurakuqin si “Shënjtin e politikës shqiptare”, si zëri i “Ndërgjegjes së politikës kombëtare”, dhe si më i pastërti dhe më i afti, ndër patriotët më iflakti e ndër politikanët më largpamsi dhe më i ndershmi dhe më i drejti ndër udhëheqsit dhe shtetarët – “I riu që rreshtohet ndër etentë e Atdheut”. Bajram Curri këshillonte, “Pyesim djalin” dukeiu referuar Luigjit të ri.Por, fatkeqsisht këto virtyte personale dhe kombëtare që Gurakuqi posedonte si njeri, si shqiptar dhe si politikan nuk e ndihmuan atë as Atdheun e tij sepse, sipas autorit Çefa, ai jetoi në një kohë kur, “tradhëtia paguhej, shpifja përkrahej dhe akuza nxitej”.

Kolec Çefa në librin e tij trajton edhe marrëdhënjet e Gurakuqit me klerin katolik, ndërsa kritikon historiografinë komuniste dhe atë që autori cilëson si “periudhë e natës enveriste me besnikët e saj”, të cilët ndër të tjera,për arsye ideologjike kanë paraqitur marrëdhënjet e Luigj Gurakuqit me klerin katolik si jo miqësore. Çefa shkruan se përpjekjet për të paraqitur Gurakuqin si ateist dhe antiklerikalist, për të shtrembëruar marrëdhënjet e Gurakuqit me klerin katolik shqiptar duke i paraqitur ato si armiqësore, nuk kanë asnjë bazë reale dhe as nuk i shërbejnë së vërtetës historike. Autori u kundërvihet këtyre shtrëmbërimeve historike duke thekësuar marrëdhënjet e ngushta që Gurakuqi ka pasur gjatë gjithë jetës së stij, me ndër të tjerë, At Gjergj Fishten, “si vëllëzër jo vetëm gjaku por edhe shpirti”; me ImzotLazër Mjedën,“si dy bashkpuntorë e dy miq”; me At Anton Harapin, i cili ka shkruar për miqësinë me Luigjin se “NëLuigjin gjeta njeriun, hetova shqiptarin”, me Abat Doçin, “si dy breza veteranësh”, e të tjerë.

E vërteta është se sa më shumë të lexosh për Gurakuqin nga ata që e kanë njohur nga afër, njeriu zbulon se ai ishte miqësor me të gjithë dhe pa dallime, “me parinë dhe me vogjëlinë”. Fan Noli,bashkpuntor i ngushtë me Luigj Gurakuqin,ka pohuar se, “Sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë shtërnguar ta respektoj atë.” Libri i Kolec Çefës, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, me dokumentacionin e dorës së parë të të dhënave të reja që sjellë autoriteqë botohen për herë të parë, na bën ta njohim më mirë Luigj Gurakuqin dhe si rrjedhim ta respektojmë dhe t’a duam atë edhe më shumë, si model i një patrioti të të vërtetë –edhe për ditët tona — si një politikan i cili ishte kundër, “politikës orientale nga mbrenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë.”Autori ka të drejtë kur shkruan se si i tillë, Luigj Gurakuqi nuk mund të jetë vetëm një “personazh i përkohshëm në historinë tonë”. Por fatkeqsisht duket se si i tillë po trajtohet Luigj Gurakuqi:U harrua me rastin e 90-vjetorit të vrasjes dhe u anashkalua me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

E vetmja gjë që nuk duket se është e përkohëshme është harresa ndaj kujtimit të këtij të “madhi ndër të mëdhejtë” madje edhe në këtë përvjetor, megjithëse ai ia kushtoi gjithë jetën Atdheut të vet. Ndonëse, siç ka thënë At Anton Harapi, “Luigji qe i mbarë Shqipërisë i të gjithë shqiptarëve, por Shqipnia nuk qe për të.”Anashkalimi zyrtar dhe jo zyrtar ndaj kësaj figure të madhe të historisë së kombit shqiptar dhe njërit prej përfaqsusve të idealeve më të larta njerëzore dhe atdhetare tregon fatkqesisht, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë as sot për Luigj Gurakuqin dhe nxitë pyetjen se kush dëshiron që ai të hidhet në harresë të përhershme dhe pse?Libri i Kolec Çefës, “Luigj Gurakuqi Në Një Optikë të Re”, me të dhënat e reja që ofron, hedhë më shumë dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e Luigj Gurakuqit si një model i politikanit shqiptar. Dhe si vepër e tillëshpresojmë që të kontribojë drejtë zhdukjes së mjegullës që e rrethon ende në disa qarqe këtë personalitet të shquar të kombit shqiptar.Pa përkujtimin dhe respektin që meriton Luigj Gurakuqi, jo vetëm në këtë përvjetor por gjithmonë, historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve mbetet e zbrazët dhe e varfër.Kujtimi i tij kombëtar do të shërbente gjithnjë në dobi të interesave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve. Për ndryshe, për të përdorur një thënje të vjetër, pa kujtimin e tij të denjë dhe pa vlerat “e njëmendta ushqyese, intelektuale dhe shpirtërore”, që ai përfaqësonte dhe për të cilat dallohej Luigj Gurakuqi, “I vdiq Ora Shqipënisë.”

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Luigj Gurakuqi, NË NJË OPTIKË TË RE

FËMIJA DHE “VIGANI LIBERATOR”

March 2, 2015 by dgreca

“Nëno moj m’a qaj në Vlorë/
Ku të dha liri, kurorë/
Shpirt’i bardhë si dëborë/
Ti s’i dhe as varr për hor”/
FAN S. NOLI/
Shkruan:EUGJEN MERLIKA/
Isha shumë i ri kur u njoha me emrin e Luigj Gurakuqit, nëpërmjet bisedave të nënës e të gjyshes sime. E para ruante një kujtim të mjegulltë të figurës së një burri të pashëm e shumë të dashur, që vinte në shtëpinë e saj si mik i babait. N’atë shtëpi me qira të Barit të vjetër, ku banonte Sotir Gjika me gruan dhe të dy fëmijët, Aleksandrin dhe Elenën, vinin mjaft miq e shokë të babait, por kujtesa fëminore e një pesëvjeçareje kishte regjistruar Luigjin, Mustafain dhe Lin Kamsin. Fëmija ishte afruar më shumë me zio Luigin, sepse ai bisedonte më shumë me të, futej në botën e saj të lodrave, e përkëdhelte më shumë.
Atë mbrëmje kobzezë të 2 marsit 1925 ajo nuk donte të flinte, priste zio Luigin, mbasi ai i kishte premtuar një kukull. Fjalët e fundit që Luigji i tha atyre , me të cilët ishte në tryezën e restorantit “Cavour”, ishin këto : “Do të ngrihem sepse do të shkoj t’i çoj kukullën që i kam premtuar vajzës së Sotirit.” Një njeri i keq nuk e lejoi xhaxhin e dhëmshur t’i dhuronte kukullën Elenës, mbasi ndërpreu jetën e tij me tre të shtëna të mallkuara revolveri. Elena fjeti vonë atë natë, por të nesërmen, kur mori vesh gjëmën e madhe të Shqipërisë qau shumë.
Në funeralin, që u zhvillua mbas një jave, babai i saj i sëmurë ishte i pamundur të shkonte dhe në vend të tij foli nëna e saj, mësuesja Angela Quarta. Kjo histori, që kishte në vetvete të gjithë elementët e një përralle me njeriun e mirë, me përbindëshin dhe fëmijën e pafajshme, m’u ngul në tru shpejt duke fiksuar në të përfytyresën e një zotnie, që kishte qënë një nga themeluesit e Shtetit shqiptar, të cilën e plotësova më vonë, jo vetëm me tregimet e njerëzve të dashur, por edhe me librat e ndryshme të shkollës apo jo të saj.
Sot, në nëntëdhjetë vjetorin e largimit të Tij nga jeta tokësore, figura e tij merr shëmbëllimin e një njeriu të afërt, që është mes nesh e na kujton se ky Atdheu i ynë, për të cilin ai flijoi jetën e Tij, kjo Shqipëri që qe për Të nusja imagjinare, nuk sendërtoi idetë e tij, por mbeti gjithmonë në mes të rrugës, mes dy botëve, “të asaj që nuk don të vdesë e të tjetrës, e pafuqishme të lindë”. Shqipëria që ëndërruan Gurakuqi dhe shokët e tij, për shumë arsye të të metave tona e të fatalitetit historik, që na dhuroi “shekulli i shkurtër”, nuk arriti të gjejë rrugën e saj normale drejt një zhvillimi që do të mbante për udhërrëfyese demokracitë e Perëndimit. Ajo rrugë qe shumë e gjatë dhe tepër e ashpër sepse, kryesisht, pagoi pasojat e një patologjie mijëvjeçare të rracës sonë : paaftësi ose mungesë dëshire për të kuptuar njëri tjetrin, pazotësi për t’u bashkuar përparë rreziqeve, miopi politike, poshtërimin e nxjerrjen jashtë loje të njerëzve më të ndershëm e më të zotë, për të vënë në krye të paaftët e të pandershmit.
Ministri i parë i arsimit i Shqipërisë së pavarur u mundua të ravijëzojë një Vend ku të zotëronte “Mbretnimi i ligjës dhe i drejtësisë”, ku “Administrata të jetë si një maqinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguar mirë por të marrun me konkurs”, ku ekonomia të bazohet mbi “konkurencën e lirë” duke shmangur monopolet, ku harmonia shoqërore të mbështetet mbi parimin “Besime të lira në Shtet të lirë, mostrazim i Shtetit në çâshtjet besimtare, nderim i njeni tjetrit për besimin e shoqi shoqit.”.
Shkodrani i madh ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që hasnin bashkatdhetarët e tij në sendërtimin e këtyre synimeve. Ishte vetëm 26 vjeç djalë kur shprehte në “Albania” të Faik Konicës këto bindje : “Na, deri sot, kena kenë kot për nji gjuhë shqipe, pse kjo nuk na ka rrnue njeti veç në mênde të disa entuziastëve ; kena folë kot për nji komb shqiptar, pse ky nuk e ka diftue kurrë sheshit vetvedin me gjithë ato cilësí të nevojshme, qi i napin gjallnì e fuqì ndjenjës kombtare. Deri më sot nuk jena kenë tjetër veç Toskë e Gegë të damë politikisht e të damë edhe me gjuhë, me idhnime e përçarje ndër vedi, të cilat shumë herë jena mundue me i ba edhe mâ të mdhaja e të thershme tuj u këqyrë me sŷ të keq e tuj i u kundërshtue njeni tjetrit.”
Është diagnoza e një të riu që nuk strehohet në fantazitë joshëse të së “mirës virtuale”, por që sheh të vërtetën në sy e ka kurajën t’a përballojë atë me të gjithë mjetet që i jep mprehtësia e mëndjes, vullneti për ndryshim, qartësia e objektivave, largpamësia në trajtimin e dukurive. Mbas pak vitesh djaloshi Gurakuqi u bë poet e politikan, mësues e shkrimtar, diplomat e luftëtar, prijës e flamurtar, duke i vënë të gjitha këto cilësi në shërbim të një synimi të vetëm : Shteti shqiptar i lirë, i pavarur dhe në një hap me të tjerët. Ndihmesa e Tij u bë vendimtare në fatet e kësaj Shqipërie, së cilës i qëndroi mbi krye në ditën e lindjes së saj, e të cilën e mori për dore në peripecitë e panumurta të ecjes e të rritjes, ndërmjet intrigave e lakmive të të huajve e prirjes së shqiptarëve për t’a kthyer në një çiflik të secilit prej tyre. Në këtë kontekst Ai mbeti simbol i pastërsisë morale të politikës dhe pika e riferimit më e besueshme e klasës drejtuese.
Në vitet përcaktuese të rrjedhës historike të Vendit 1921 – 24, qëndrimi i Tij është shumë i përmbajtur. Nuk miraton atentatin e Beqir Valterit në Parlament kundër kryeministrit Zogu, madje i shkon këtij në shtëpi për një vizitë solidarizimi, nuk miraton t’ashtuquajturin “revolucion demokratiko – borgjez” të qershorit 1924, kundërshton zgjedhjen e Nolit Kryeministër. Por natyra e Tij e butë, e hapur e bujare i jep përparësi marredhënieve me kolegët, shmangies së kundërshtive me ta, pranimin e vendimeve edhe kundër bindjeve, cilësi që zbulojnë një politikan të rracës, por që për kohën u quajtën si të meta për t’u kritikuar. Në jetën e Tij politike pati shumë miq e ndjekës, pati edhe kundërshtarë, por ajo që e dallonte në veçanti ishte respekti që gëzonte edhe tek kundërshtarët, tregues i një shtati moral e intelektual të rrallë.
Luigj Gurakuqi ishte një njeri me kulturë të thellë e horizont shumë të gjërë. Ndihmesa e Tij në çështjet e gjuhës, si Kryetar i Komisisë letrare të Shkodrës më 1916, i vuri bazat studimeve shqiptare, sidomos në drejtim të krijimit të gjuhës letrare kombëtare që, simbas mendimi të Tij “do të rrjedhë prej dialekteve ma të mëdhaj të Shqipnisë e nuk do të jetë tjetër veç t’afritunit bashkë e të derdhunit e tyne në nji”. Komisia letrare vendosi që “Dialekti i Elbasanit të merret si gjuhë shkrimi”, madje edhe përsa i përket ortografisë. Fatkeqësisht kjo pikëpamje, e përkrahur shkencorisht nga gjithë albanologët e huaj dhe autoritetet gjuhësore shqiptare, u rrëzua nga një “kongres drejtshklrimi”, në të cilin partia komuniste imponoi zgjedhjen e saj tepër të diskutueshme.
Gurakuqi katolik, liberal e demokrat, në çdo qelizë të tij, ishte një idhtar i shtetit laik, në të cilin të gjithë qytetarët duhet t’ishin të barabartë para ligjit. Në panoramën politike të kohës së tyre, së bashku me Fishtën kundërshtuan krijimin e një partie politike katolike në një Vend me tre besime, duke vërtetuar largpamësi e kah përgjegjësie shtetërore e kombëtare. Mbas 70 vitesh, të tjerë njerëz, vite dritë larg tyre, përsa i përket koncepteve e horizontit, i krijuan ato në Shqipërinë e kalesës…..
Humbja e parakohëshme e Luigj Gurakuqit dëmtoi shumë jetën politike të Vendit tonë. Armiqësia mes Zogut dhe Opozitës në emigracion erdhi duke u shtuar. Kjo qe e keqja më e madhe për Vendin. Një Gurakuq i gjallë mund të kishte qënë një faktor pozitiv në krijimin e një atmosfere bashkëpunimi në dobi të Shqipërisë. Nëse ka patur ndonjë llogari në synimin e vrasjes së Tij, ajo ka qenë thellësisht e gabuar, mbasi humbja e Tij ishte një humbje për Shqipërinë, madje edhe për kundërshtarët e Tij.
Figura e Luigj Gurakuqit, me kalimin e kohës, lartësohet më shumë. Komunizmi e trajtoi me një farë realizmi, i njohu atësinë e shtetit shqiptar, si bir i zgjedhur e besnik i Plakut të Vlorës, edhe se i vuri në dukje “kufizimin klasor” në veprimtarinë politike. E veçoi nga rrethi i miqve e bashkëpuntorëve, që patën fatin të jetojnë, duke i injoruar këta në rrëfimin e ngjarjeve historike e duke mos kursyer poshtërimin dhe asgjësimin e të gjitha formave, për qëndrimet e tyre antikomuniste. Historiografia komuniste i njohu Gurakuqit meritën e pjesëmarrjes në Qeverinë e Nolit, të cilën ajo pëlqen t’a quajë si paradhomën e komunizmit enverian. E vërteta është se në të ka patur disa elementë të asaj sfere politike, por trashëgimia më e denjë nga ka marrë ushqimin socializmi shqiptar është rebelimi filoturk i Haxhi Qamilit, kundër të cilit Luigj Gurakuqi dhe atdhetarët e vërtetë shqiptarë të kohës luftuan me armë në dorë, edhe duke humbur.
Gurakuqi ka qenë ati shpirtëror i demokracisë embrionale shqiptare, një personalitet me përmasa kontinentale, një idealist nga më të kulluarit e kombit tonë. Vlerësimin më të mirë të Tij, ndoshta, e ka bërë kolegu Fan Noli, jo vetëm me elegjinë monumentale “Syrgjyn vdekur”, por edhe me përgjigjen që i jep mik armikut të tij, Faik Konicës : “Z. Faik Konica është i mëndjes që kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besoj. Por edhe sikur të jetë e vërtetë, e kam dhe do t’a kem për nder. Ishte mjaft i madh sa të kishte vegla si mua.” Fjalë fisnike që nderojnë atë që i shpreh dhe atë të cilit i drejtohen, një shëmbull i shkëlqyer i njohjes dhe respektit të vlerave, gjë e rrallë në jetën politike shqiptare.
Duke u kthyer tek imazhi i Gurakuqit, i krijuar në rininë time të parë, më del para sysh një burrë fisnik e i pashëm, që pëlqehej nga gratë, por që në larpamësinë e Tij, e quante martesën si një gabim që përcaktonte fatkeqësinë e familjeve të pjesëmarrësve të politikës. Pyetjeve që i bëheshin në këtë drejtim Ai u jepte vetëm një përgjigje : “Jam martuar me Shqipërinë”. Gjyshes time i thonte shpesh : “Caje, të ka marrë më qafë Mustafa. I kam thanë qysh kur : mos u marto, se nuk bâhet politikë në Shqipni, tue pasë familje!” Sa thellë e kishte njohur mjedisin e politikës së Vendit të Tij, sa të sakta qenë porositë e Tij. “I pëlqente djathi me krimba” më thoshte gjyshja, ndërsa nëna ime tregonte një episod të rrëfyer nga nëna e saj. Luigji kishte miqësi me një grua jo të bukur, e cila shkonte në qiellin e shtatë, kur ai e lëvdonte. Gjyshes sime italiane, që e ngacmonte për komplimetat që i bënte asaj Ai i përgjigjej : “Grave të bukura i bâjnë komplimenta të gjithë. Por edhe ato që nuk janë të tilla kanë nevojë për to.”
Altruizmi i Tij nuk njihte kufij, bënte pjesë në ADN-në e Tij si njeri, si intelektual, si Burrë Shteti, një shembull për t’u ndjekur, një Shqiptar me Sh të madhe, një Njeri, vepra e të cilit është një nga stolitë e rralla të kujtesës historike të Kombit tonë.
Është për t’ardhur keq që “demokracia” e re shqiptare e ka lënë pak në hije, madje është e papranueshme që shteti shqiptar e organet e tij të kulturës, përcjellin me indiferentizëm shkatërrimin nga koha të shtëpisë së Tij, një objekt që duhej të hynte me të drejtë të plotë, në pasurinë muzeale të trashëgimisë sonë kulturore e historike.
Mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “VIGANI LIBERATOR”, Eugjen Merlika, FËMIJA DHE, Luigj Gurakuqi

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MID’HAT FRASHËRI DHE PËRPJEKJET E TIJ PËR TË NDALUAR SPASTRIMIN ETNIK NË ÇAMËRI DHE TROJET E TJERA SHQIPTARE
  • Gjergj Fishta – Përsiatje pas rileximit
  • “AULONA FESTIVAL” DHE VLORA, SËRISH JA BËNË FORA
  • “Festivali Shqiptar” bashkoi mijëra shqiptarë në emërtimin e rrugës “Gjergj Kastrioti- Skenderbeu” në Worcester, Massachusetts
  • “ISMAIL QEMALI” VJEN NESËR NË STATEN ISLAND, NEW YORK
  • ´´Këta janë Mjekët shqiptarë me Misionin e ngritjes së shëndetësisë shqiptare: Kontributi shkencor vullnetar i Federatës´´
  • Presidentja Osmani takoi Presidentin Macron, Kancelarin Scholz dhe përfaqësuesin e lartë Borrell
  • SINTAGMA “ZBRITJE NGA MALET”
  • Romanca e Aleksandrit
  • Milicia fashiste që sulmon Kosovën*…
  • MIDHAT FRASHËRI DHE ALBANOLOGJIA*
  • TAKIM ME VARGMALET APALASHE
  • SERBIA MBETET FAKTOR DESTABILIZUES NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR
  • Më 1 qershor 1850 lindi ideologu Sami Frashëri
  • Identiteti dhe integrimi në pluralizëm

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT