• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TURQIA, SHTETET SHQIPTARE DHE EVROPA

October 28, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/

23  tetori  2013 qe një ditë e pazakontë për hapësirën shqiptare, kryesisht për Kosovën. Në afërsi të Prishtinës u përurua aeroporti i ri i shtetit më të ri t’Evropës. Një vepër bashkëkohore që dëshmon përparimin e Kosovës nga një anë dhe pozicionimin zyrtar të saj, në kontekstin gjeopolitik të një periudhe jo të qetë për Evropën, nga ana tjetër.

Aeroporti, që mban emrin e heroit të UÇK-së e të Kosovës, Adem Jasharit, u ndërtua nga një shoqëri franko – turke që quhet “Limak Aeroport de Lyon”, me sponsorizimin e Qeverisë turke. Ai është marrë në konçesion prej kësaj shoqërie për një periudhë prej njëzet vitesh. Kjo është mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën zhvillimit në Vende që janë në hapat e para të tij. Shumë vite më parë qe këshilluar edhe për Shqipërinë pas komuniste, por pa asnjë rezultat. Klasa politike shqiptare nuk pati përfytyresën e duhur, u tregua jo larpamëse dhe krijuese në strategjinë e saj të zhvillimit, duke mos pranuar dhënien e konçesioneve, në emër të një ideje shterpë e të gabuar të interesave kombëtare. Ajo e bazoi rimëkëmbjen ekonomike të Vendit në huatë e në “kapitalin” vendas, me përfundime aspak të kënaqëshme, në krahasim me Vende të tjera të nisura në kushte të përafërta.

Ceremonitë e 23 tetorit shpalosën një simbolikë që le shteg për të interpretuar mendimin politik që zotëron sot në një pjesë të mirë të kosovarëve. Skena politike, në të cilën u zhvillua ngjarja, u zotërua nga tri figura : në plan të parë ishte Kryeministri turk Erdogan e mbas tij dyshja kryeministrore e shqiptarëve, Thaçi – Rama. Në dukje është diçka e zakonëshme, një ceremoni zyrtare në prani të Kryetarëve të Qeverive të Vendeve t’interesuara në veprën së cilës i pritej shiriti. Parë më në thellësi, dukuria nxjerr në pah elementë që lejojnë të nxirren përfundimet mbi gjëndjen politike të Kosovës e të Shqipërisë dhe prirjet e tyre në marredhëniet ndërkombëtare të së sotmes e të s’ardhmes. Në Prishtinë mungonte Kryetarja e Shtetit e cila, jo shumë ditë më parë, u shpreh hapur kundër vënies së shamive në kokat e studenteve në mjediset e shkollave, duke e përligjur këtë zgjedhje me shprehjen “Kosova është një shtet laik”. Në përurim mungonte dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, njëkohësisht Kryetar i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, Isa Mustafa, një mungesë cilësore që vërteton një farë njëanshmërie të ceremonisë, më shumë e prirur të nxjerrë në pah marredhëniet përparësore me Turqinë dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime zgjedhore. Por n’atë ceremoni, simbas shtypit, nuk ishin as përfaqësuesit e Eulexit, misionit evropian në Kosovë, dhe as ata të ambasadës amerikane, që përfaqëson mikun më të mirë të republikës së re.  Mendoj se këto mungesa nuk janë thjesht rastësi, por kanë domethënien e tyre.

Emërtimi i aeroportit, me gjithë respektin e padiskutueshëm për emrin e dëshmorit të Kosovës bashkëkohore, tregon se udhëheqja aktuale kosovare, në një farë mënyre, ka bërë një shkëputje nga tradita historike e Vendit dhe është e prirur të vlerësojë më shumë periudhën e fundit, që lidhet me luftën e UÇK-së, bijë e së cilës është ajo vetë. Fakti që, për simbol të një vepre madhore të Kosovës bashkëkohore, nuk u huajt nga historia asnjë nga figurat e shumta të saj, personazhe të shquara të historisë kombëtare shqiptare si Ymer Prizreni, Nexhip Draga, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Dervish Mitrovica, Tahir Zajmi, Xhaferr Deva, Rexhep Mitrovica, Iljaz Agushi, për të përmendur vetëm disa prej tyre, tregon pikërisht atë prirje. Në këtë kuadër hyn edhe lënia disi në hije e emrit dhe ndihmesës së Presidentit të parë të Kosovës, të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova. Sigurisht, një orientim i tillë është i lidhur me një  mëdyshje  që shqiptarët kanë qenë të detyruar t’a përballojnë në shumë etapa të historisë së tyre, atë të animit nga Lindja apo nga Perëndimi. Pa hyrë në analizën e motiveve dhe arsyeve të këtyre zgjedhjeve, të cilat janë shumë komplekse e paraqesin dritë – hije të pakundërshtueshme në rrjedhë të shekujve, duket qartë se ndikimi i Qeverisë aktuale turke në Kosovën e pavarur vjen duke u rritur.

Më 23 tetor Kryeministri Erdogan, në krye të një dërgate prej 600 vetësh, ku përfshihej gjysma e kabinetit qeveritar, u prit në Prishtinë e Prizren me një ngrohtësi të jashtzakonshme, jo nga pakica turke, por nga populli i Kosovës shqiptare. Nuk është një dukuri e pazakontë kjo, madje e gjithë historia jonë e gjysmës së dytë të shekullit të fundit, paraqet skena të tilla. Mjafton të kujtojmë pritjet e udhëheqësve komunistë të B.S. apo të Kinës në regjimin komunist dhe atë të jashtzakonshmen e Sekretarit amerikan të Shtetit më 1991. Këto pritje nuk janë vetëm shprehje e prirjes tradicionale të respektimit të mikut, por edhe e më shumë e shpresës që lind nga fuqia ekonomike e shtetit që përfaqëson, e iluzionit se vetëm të huajt mund të zgjidhin problemet tona. Ky koncept vazhdon të jetojë ende sot, edhe për inerci të kundërveprimit ndaj teorisë së “mbështetjes në forcat tona” të komunizmit enverian, zbatimi i së cilës solli mjerimin më skajor në historinë e shqiptarëve.

Por a është Erdogani “shpëtimtari i atdheut” që do të zhdukë varfërinë e Kosovës? E cili do të ishte çmimi eventual i një ndërmarrjeje të tillë? Sa do t’ishin t’interesuara Kosova e Shqipëria t’i jepnin përparësi këtij opsioni, kundrejt synimit të tyre për t’u bërë pjesë integrale e Bashkësisë evropiane ? Janë pyetje që klasa politike në Kosovë, kryesisht, por edhe në Shqipëri, duhet t’u përgjigjen. 23 tetori në Prishtinë e në Prizren, në kuadrin e deklaratave të drejtuesve të tre qeverive, i shtron më me forcë.

Turqia konsiderohet sot prej shumë kujt një mbifuqi ekonomike rajonale, një shtet i rëndësishëm i NATO-s, një faktor qëndrueshmërie në Lindjen e Afërt e të Mesme, në një zonë ku kundërshtitë janë gjithmonë të pranishme e ku luftërat mund të jenë përherë në pritë, madje edhe në zhvillim siç është ajo në Siri. Elementi i parë i këtij konstatimi besoj se meriton një analizë më të hollësishme të shifrave. Turqia ka një popullsi prej 74 milion banorësh, me një PPI prej 789,3 miliard dollarë dhe t’ardhura për frymë 10830 dollarë në vit. Përkatësisht këto shifra, simbas BB janë : për Gjermaninë 3400 miliardë dhe 44000 dollarë ; për Francën  2813 miliardë dhe 41770 dollarë; për Britaninë e Madhe 2435 miliardë dhe 38250 dollarë ; për Italinë  2013 miliardë dhe 33840 dollarë. Po të bëjmë krahasimin me   Vëndet kryesore evropiane nuk besoj se fjala mbifuqi ekonomike qëndron në këmbë, mbetet më shumë frut i një propagande se sa një realitet i prekshëm. Ajo ka një rritje të PPI në masën 2,2 %, që nuk është një shifër dragojsh ekonomikë.

Që nga viti 2005 Turqia ka bërë kërkesën për të hyrë në BE. Ishte një kërkesë që, në 2004, gëzonte miratimin e 73 % të opinionit publik turk e që këtë vit ka zbritur në 44 %. Por bisedimet kanë ngecur pa bërë përparime, si pasojë e kërkesave, gjithënjë në rritje të evropianëve kundërshtarë (Franca e Gjermania kryesisht), por edhe për një delir madhështie të Qeverisë islamike të Erdoganit, që ëndërronte një neoperandori otomane në salsë bashkëkohore. Koha duket se i ka zvogëluar këto motive, madje në Ankara nuk është më në plan të parë ministri i jashtëm Davutoglu, idhtar i “neootomanizmit”, por Egemen Baris, ministri për marredhëniet me BE. Në këtë drejtim vlen të përmëndet fakti se numuri i shteteve të BE-së, që miratojnë praninë turke n’Evropë, është shtuar. Nëse do t’i përshtasnim një klasifikim termik opinioneve të antarëve të BE-së, rezulton se të ngrohtë ndaj hyrjes së Turqisë janë sot Suedia, Finlanda, Estonia, Letonia, Irlanda, Britania e Madhe, Hollanda, Belgjika, Portugalia, Spanja, Italia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria ; të vakët janë Lituania, Polonia, R. Çeke dhe Franca ; të ftohtë janë Danimarka, Gjermania, Austria, Hungaria, Greqia dhe Qipro.

Dështimet në politikën rajonale, në marredhëniet me Izraelin, Egjyptin apo Sirinë e bëjnë Qeverinë turke të kërkojë zona ndikimi në Ballkanin ish otoman, kryesisht në shtetet me popullsi myslimane si Bosnja, Kosova, apo Shqipëria. Prirja për t’u kthyer aty ku kanë qenë para më shumë se njëqind vitesh mund të duket si një dukuri e zakontë që haset shpesh në marredhëniet  e ish fuqive koloniale me ish kolonitë e tyre. Por në rastin tonë nuk mund të zbatohet ai parim.

Deklarata e Erdoganit në Prizren se “Kosova është Turqi e se Turqia është Kosovë”, në rastin më të mirë është një lajthitje e në më të keqin një demagogji bajate, që mund të hyjë vetëm në trutë e fanatikëve apo të padijshmëve, sepse nuk mban parasysh historinë e njëqind viteve të fundit e jo vetëm atë. Kryeministri turk “harron” faktin se shqiptarët kanë një shekull që janë të ndarë në katër shtete kufitarë e që problemi kombëtar, me gjithë kufizimet që koha dhe prirjet bashkuese të kontinentit i kanë vënë, mbetet gjithmonë i gjallë në vetëdijen dhe strategjinë e tyre politike. Por në fjalimet e Prishtinës e të Prizrenit asnjë gjysëm fjale nuk doli që t’a kujtonte “dertin” shqiptar të një shekulli. Erdogani shtrembëron edhe historinë, të cilën na ka kërkuar t’a rishkruajmë në frymën që “për shekuj me rradhë kemi jetuar në vëllazëri dhe në unitet në këto toka.”. Me “shkopin magjik” të prestigjiatorit politik kërkon të na paraqesë një realitet historik të paqenë, që le në harresë 54 kryengritje, gjatë më shumë se katër shekuj pushtimi, në të cilët nuk është lejuar të hapet as edhe një shkollë në gjuhën shqipe. Feja, normalisht motiv bashkimi i njerëzve, u kthye në një mjet ndarës, veçimi e dallimi mes folësve të të njëjtës gjuhë. Ndihmesa e shumë shqiptarëve në jetën administrative e kulturore të Perandorisë otomane, është më shumë shprehje e ambicjeve dhe arritjeve vetiake të tyre, se sa një parapëlqim i institucioneve kundrejt tyre.

“Historia na mëson e vetë me sŷt t’anë po shohim se Shqiptarët, megjithë qi atdheun e vet e kanë ruejtun vetëm ata vetë me gjakun e çëmueshëm të tyne, megjithë qi deri vetë jeta e mbretnis otomane qëndron me sakrificat e tyne, me gjithë këto, po themi,  Shqiptarët po gjinden të ndrydhun prej padrejtis mâ të padurueshme, prej sundimit mâ të neveriçëm.” Janë fjalët e një shqiptari që ishte diplomuar në Mylkijen e Stambollit e që mbajnë datën 2 korrik 1912. Vlejnë edhe sot si dëshmi e një historie që nuk mund të tjetërsohet.

Por të gjitha këto konsiderata nuk duhet të paragjykojnë marredhëniet me shtetin turk që duhet të jenë të mira, shumë të mira, por gjithmonë në kuadrin e respektimit të vlerave e të interesave të ndërsjellta, pa kaluar caqet e identitetit e traditës së secilit. Nëse rruga jonë drejt Evropës është e përbashkët, nuk shoh asnjë fitim që atë t’a bëjmë nën ombrellën e Erdoganit, edhe nëse na premtohet ndonjë lëmoshë. Nëse shqetësimi i tij është i sinqertë e pa interes (e vështirë për t’u besuar), nëse ai “nuk mund të durojë dot të shohë Ballkanin të derdhë lot si në të kaluarën”, por bujarisht përpiqet të japë ndihmesën të shërojë plagët e tij, askush nuk duhet të ushqejë paragjykimin për të mos e pranuar a priori atë ndihmë. E kemi ende të gjallë para syve një mospranim të tillë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia kundrejt dorës së shtrirë të Shtrausit e Gensherit, ndërsa shqiptarët ftoheshin “të hanin bar” për të ruajtur ideologjinë kriminale të tyre.

Por ky pranim eventual i ndihmës nuk mund të kushtëzojë në asnjë mënyrë zgjedhjet, traditat, konceptet, historinë, synimet e projektet tona, që nuk mund të jenë të tjera, veç përkatësisë në Bashkësinë e kontinentit në të cilin bëjmë pjesë, në historinë e qytetërimin e tij.

Në traditën shqiptare miku është vënë gjithmonë në krye të sofrës apo të oxhakut, por nuk është bërë kurrë zot shtëpije. Komunizmi u mundua t’a tjetërsojë atë duke bërë zot shtëpije Titon, Stalinin, Mao Ce Dunin. Drejtuesit e shqiptarëve pas komunistë, edhe në ushtrimin e retorikës më të zjarrtë në marredhëniet me të tjerët, duhet t’a mbajnë para sysh atë parim të urtë të të parëve tanë.

Tetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, shteti shqiptar, Turqia

VAZHDIMËSI APO NDRYSHIM ?

September 21, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Gjatë pothuaj një viti të fushatës zgjedhore P.S. dhe kryetari i saj shpalosën, në të gjitha shfaqjet e saj, idenë e ndryshimit që do të sendërtohej në jetën e Shqipërisë, mbas vendimit të “sovranit”, të shprehur më 23 qershor 2013.

U deshën më shumë se dyzet ditë që ky vendim të bëhej zyrtar. Kjo qe anomalia e parë e këtij proçesi zgjedhor, për të cilin entuziazmi i politikës, i mediave, madje dhe i të huajve shkoi në qiell, një tregues i hapur i një bindjeje, tashmë të rrënjosur thellë në të gjithë opinionet, se akti i votimeve, veprimi më i thjeshtë, më i natyrshëm e, njëkohësisht, më i rëndësishëm në jetën e një demokracie, në Shqipëri nuk mund të jetë kurrë në kufijtë e së zakonshmes. 23 qershori 2013 duket se, deri diku, e hodhi poshtë këtë postulat, të krijuar në më shumë se dy dhjetëvjeçarë të kalesës, mbasi, fatmirësisht, pala humbëse pranoi përfundimin, mjaft i prekshëm, për të mos lënë shumë shtigje për kundërshtime, ankimime apo shfaqje të tjera të vërtetuara në vitet e shkuara. Megjithatë afati i pritjes së shpalljes së përfundimeve tregon mbrapambetjen e theksuar të administratës dhe legjislacionit shqiptar në mbarështimin e proçesit kyç të jetës demokratike. Si ka mundësi që Vende të tjera, me dhjetra miliona votues, janë në gjëndje që, brënda 12 orëve të shpallin rezultatet, ndërsa ne na duhet një muaj e gjysëm për të numuruar më pak se dy milionë skeda zgjedhore ?

Një tjetër motiv i diskutueshëm është prirja mohuese e politikës shqiptare, për të hapur, realisht, proçesin zgjedhor ndaj shqiptarëve të mërguar. Prej vitesh politika, në të dy krahët e saj, ka spekulluar mbi këtë argument pa e kanalizuar asnjëherë atë në hullinë e një vendimi zyrtar të Kuvendit, që do t’i jepte mundësinë qindra mijra shqiptarëve të mërguar të thonë fjalën e tyre, në përcaktimin e barazpeshave të jetës politike të Atdheut të largët. Është një praktikë e zbatuar në shumë Vende të botës dhe krejtësisht e mundëshme të sendërtohet, pa organizuar karvanë autobuzësh apo makinash nga Greqia, apo premtime të pambajtura për pagesa biletash aeroplanësh nga Italia ose Vëndet e tjera. Nuk dekretohet votimi në qendrat konsullore apo nëpërmjet internetit, nuk dihet se pse…. Është një lloj frike apo mospranimi që i bëhet opinionit të atyre që kanë lënë Shqipërinë duke ruajtur lidhjet me të, sepse ajo i la ata pa asnjë mundësi dinjitoze jetese apo t’ardhmeje, por që, në këta dy dhjetëvjeçarë të kalesës, kanë dhënë një ndihmesë të çmuar, jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të vetë Shtetit shqiptar. Ky i fundit, si shpërblim, shfaq mospërfilljen….

Nga përfundimi i zgjedhjeve, deri në formimin e hyrjen në fuqi të Qeverisë së re, kaluan gati tre muaj. Ky është një tjetër paradoks i legjislacionit tonë, nuk di a ka ndonjë rast tjetër të tillë në botë. Në absurditetin e saj kjo gjëndje prodhon ato dukuri si kontrata, dhënie sipërmarrjesh, emërime etj., të cilat sot kundërshtohen fuqishëm e  kërcënohen me pezullime dhe asgjësime, duke vënë në lojë humbje financiare e, akoma më shumë   besueshmërinë dhe seriozitetin e vetë Shtetit dhe përfaqësuesve të tij.

Kryeministri i ri, Edi Rama, në daljet e tij në publik e në skenën ndërkombëtare, ka shpalosur ide e synime që meritojnë vëmëndje. Shumë e dobishme ideja për të vënë në sitën e ndonjë institucioni të njohur ndërkombëtar gjëndjen financiare të Vendit, që ka nevojë për një diagnozë të saktë n’atë drejtim. Vëmëndja ndaj Kosovës e bashkërendimi i veprimtarive të dy qeverive është me shumë interes, nëse do të ketë si synim strategjik jo interesa kastash por ata kombëtarë.

Takimet me përfaqësues të lartë të institucioneve të B.E. e të NATO-s, veç ritualit të zakonshëm të paraqitjes së një qeverie të re , lënë të shpresohet në një tjetër mendësi, që i hap rrugën një shpejtimi të proçesit të integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin duket se ka një prirje të përgjithëshme miratuese. Kryeministri shqiptar vlerësoi zyrtarisht punën e paraardhësve të tij para autoriteteve të Brukselit, duke theksuar edhe shumë detyra të tjera që mbeten për t’u kryer. Nuk i përcolli në tryezën e dëshëruar për të qenë i ftuar, akuzat e ndërsjellta e të pafund që kanë shoqëruar, në gjithë këta vite, përfytyresën e politikës shqiptare. Edhe se është në kuadrin e një etike, do të thosha të domosdoshme në një jetë politike normale, meriton vlerësim  nëse mbajmë parasysh realitetin tonë.

Kryeministri zotohet brënda e jashtë Vendit se do të luftojë me rrënjë korrupsionin, jo thjesht si një kalë beteje të zakonshme, por si një strategji që do t’i sigurojë jetëgjatësi, duke paraqitur ajo dukuri pengesën më të madhe në rrugën e Evropës. Nuk mund të mos jesh i një mëndjeje me të kur ai shpall solemnisht se asnjë zyrë shteti nuk do të bëhet fole prodhuese postesh pune në funksion të interesave vetiake, familiare, të  klanit, të partisë etj. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë” thotë një proverb italian. Sikur të realizohej dhe gjysma e këtij synimi do të ishim të lumtur të konstatonim faktin se kemi bërë një nga kthesat më të rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Por…. ka shumë arsye që bëjnë skeptik edhe optimistin më të zjarrtë të “rilindjes” shqiptare.

Ai mosbesim rrjedh, kryesisht, nga aktorët që do të sendërtojnë këtë “hop” të madh cilësor në Shqipërinë e njëmijë problemeve. Duke mbajtur parasysh faktin e risisë së një pjese të mirë të Qeverisë, që shprehet në moshë e funksione, kursi i ri do të ketë “bekimin” e  rojes së vjetër të trashëgimisë ramiziane, të ngritur në fushën e politikës në vitet e fundit të regjimit e në fillimet e dhjetorit 1991. Çfarë sigurie mund t’i japin këtij kursi të ri drejtues si Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo e të tjerë si këta ? Vitet e kalesës së pambaruar e të dështuar të sistemit Shqipëri mbajnë vulën e pashlyer të këtij brezi politikanësh që, së bashku me “kundërshtarët” e tyre në PD e kanë monopolizuar në trajta  berluskoniane jetën politike. Jemi i vetmi Vend ish komunist që kemi në drejtimin e Shtetit dhe të politikës të njëjtët njerëz që e përcaktuan atë në 1991. Ky fakt, më shumë se të na bëjë të mendohemi, duhet të na bëjë të skuqemi, sepse provon katërcipërisht paaftësinë tonë për të shkuar përpara, për t’u ripërtërirë politikisht, për të lënë mbas krahëve mallin për socializmin, bëmat dhe idetë e tij, për të pëvehtësuar mendësinë e respektimit të vlerave qytetëruese, që shprehet në forcimin e shtetit ligjor që bëhet pengesë e pakapërcyeshme për ato dukuri që çojnë në paralizat e shoqërisë.

Koha do të tregojë se sa do të jetë në gjëndje ekipi i ri i kryeministrit të vejë në zbatim nevojat e domosdoshme të ripërtëritjes mendësore të politikës shtetërore, se sa do të përfaqësojë ndërrimin brezor, duke e shoqëruar atë me evolucionin e nevojshëm botkuptimor. Sigurisht kthimi në glorifikimin e konferencës së Pezës nuk shkon n’atë drejtim, ashtu siç nuk është një tregues pozitiv fakti që Qeveria merr një vendim të heqë nga zyrat e shtetit portretin e Kryetarit të tij. Edhe duke mbajtur parasysh vlerën e personit, përkatësinë dhe mënyrën e zgjedhjes së tij që, ndoshta për mjaft qytetarë mund të jenë të diskutueshme, nuk do të nguroja t’a quaja atë vendim një shkelje të etikës politike, një veprim të panevojshëm, madje të dëmshëm.

Në shumicën dërmuese të vendeve demokratike portreti i Kryetarit të Shtetit është i pranishëm në të gjitha zyrat qeveritare. Kjo është një praktikë e konsoliduar që mban parasysh çastin real e nuk ka lidhje me të shkuarën dhe historinë.  Ideja për të vënë portretin e firmëtarit të parë të Pavarësisë së Shtetit shqiptar nëpër zyra, në dukje kërkon të ngrejë në piedistal një vlerë madhore historike, në fakt është një mënyrë jo shumë e zgjuar për të asgjësuar de facto autoritetin e Kryetarit aktual të Shtetit, duke e arkivuar si të parëndësishme figurën. Sigurisht Bujar Nishani nuk ka e nuk mund të ketë peshën dhe personalitetin e themeluesit por, që nga çasti i zgjedhjes në funksionin e Presidentit, ai bëhet qytetari i parë i Republikës, simboli i bashkimit të saj e si i tillë respekti për të bëhet i domosdoshëm. Puna dhe veprimtaria e tij mund të jenë objekt kritikash edhe t’ashpra por, përderisa ai mos të ketë kryer ndonjë veprim që, simbas kushtetutës, i jep të drejtë Kuvendit të kërkojë shkarkimin, ai mbetet një figurë ndaj së cilës asnjë lloj qeverie nuk ka të drejtë t’a verë në diskutim.

Zoti Ilir Meta u shpreh se heqja e fotografive të Presidentit është kryer më parë nga paraardhësja e tij në funksion, zonja Topalli. Se sa pak bazë logjike mund të ketë një argument i tillë justifikues është në sytë e të gjithëve. Fatkeqësisht ajo tregon nivelin e ulët të politikës shqiptare në përgjithësi, që është në gjëndje të asgjësojë edhe vlerat më parake të bashkëjetesës institucionale për teka vetiake, për mospërputhje interesash, idesh e konceptesh. Nëse znj. Topalli ishte bërë nismëtare e heqjes nga zyrat e saj të  fotografisë së ish Kryetarit Topi, zoti Meta, si autoriteti i dytë i qeverisë Berisha, duhej të kishte ndërhyrë për t’a kritikuar ashpër atë veprim e jo t’a quante një preçedent për t’u imituar simbas kohës e njerëzve. Veprimi është i dënueshëm në të gjitha rastet e habit fakti që ai, në të shkuarën ka kaluar pa u “vënë re” nga organet e medias e nuk ka patur kundërveprime.

Mendoj se duhet të jëmi të vetëdijshëm se, duke shkelur edhe rregullat më të thjeshta të bashkëjetesës institucionale, do t’i hapim rrugën vetëm mohimit të vlerave shtetformuese, për pasojë anarkisë së koncepteve, dukuri këto që na bëjnë të shkojmë jo drejt Evropës por drejt Haxhi Qamilit. Nëse duam të nderojmë gjithmonë kujtimin e Plakut të Vlorës, mund të miratohet në Kuvend një ligj që e bën të detyrueshëm vendosjen e fotografisë së tij në të gjitha zyrat, krahas asaj të Kryetarit aktual të Shtetit. Të dy mund të qëndrojnë njëkohësisht, njëri simbol i vlerave të përjetëshme të Kombit e tjetri përfaqësues i Shtetit aktual, dëshmi e aftësisë për të fuqizuar institucionet e për t’i respektuar ata. Në të kundërt, nëse pranojmë si të ligjshëm çdo lloj improvizimi politik të çfarëdo partie apo qeverie, rrezikojmë që të kemi, simbas bindjeve e paragjykimeve historike, në zyrat e Shtetit tonë portrete të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe ndonjë që e kemi mbajtur për dhjetëvjeçarë pa fund.

U mundova të skicoj përciptas disa aspekte të periudhës pas zgjedhore e fillimit të punës së Qeverisë Rama. Është ende shumë shpejt për të vlerësuar veprimtarinë e saj. I rëndësishëm është që ky vlerësim, sido që të jetë, të shkëputet nga paragjykimet e të përcaktohet vetëm nga faktet, sa e nxisin apo e frenojnë ata përparimin e Vendit e të shoqërisë shqiptare. Do t’ishte edhe ky një hap i madh përpara drejt qytetërimit.

Shtator 2013

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Vazhdimesi apo ndryshim

ÇËSHTJA SHALABAJEVA,REAL-POLITIKA DHE PARIMET

July 29, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Më 17 korrik 2013, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, vizitoi Romën. Ishte vizita e parë në rolin e Kryetarit të Qeverisë në një Vend të huaj. Në traditën e Shtetit të pavarur, deri në ardhjen e komunizmit, Kryeministrat shqiptarë, sapo emëroheshin, vizitën e parë e kryenin në kryeqytetin italian, për vetë pozitën gjeostrategjike dhe lidhjet e veçanta që mbaheshin mes dy Vendeve. Sot kushtet kanë ndryshuar. Italia dhe Shqipëria nuk janë më, sa i përket peshës në fushën ndërkombëtare të politikës, ato të shekullit të shkuar. Megjithatë Italia ka ende një zë të fuqishëm në organizmat kontinentale, sidomos sa i përket problemeve të Ballkanit e të Shqipërisë. Nuk është i rastit fakti që BE ka dërguar në Tiranë, si përfaqësues të tijin, një diplomat italian, ambasadorin Sequi.

17 korriku ishte një ditë jo e zakonshme për politikën dhe Qeverinë italiane, të pushtuara plotësisht nga “Çështja Shalabajeva”. Nëse në atë ditë drejtuesi i socialistëve shqiptarë arriti të takojë Kryeministrin Letta, Ministren e jashtëme, Bonino dhe tre ish Kryeministra të Italisë e personalitete me peshë në jetën politike si D’Alema, Amato e Berlusconi, pa hyrë në brendinë e deklaratave të rradhës të secilit prej tyre, mjaft dashamirëse e pozitive, mendoj se kjo vizitë ka qënë mjaft e suksesëshme dhe premton mirë për t’ardhmen e marredhënieve mes dy Vendeve e mes Shqipërisë dhe BE, ku Italia është një nga Vëndet themeluese. E ardhmja do të tregojë nëse, në këtë drejtim, do të kemi zhvillime pozitive, apo do të mbetemi  në fushën pa bereqet vetëm të deklaratave të politikanëve të cilët, zakonisht, nuk shquhen për vënien në jetë të tyre.

Objekti i shkrimit është pikërisht “Çështja Shalabajeva”që, atë ditë, polarizoi gjithë jetën poltike të Vendit, me një mocion mosbesimi të paraqitur nga Opozita e majtë kundrejt Ministrit të Brendshëm, sekretar i PDL, Angelino Alfano. Për t’i dhënë lexuesit një kuadër të qartë të problemit duhet të rrjeshtoj faktet që krijuan këtë zallamahi politike përtej Adriatikut, në të cilën ka shumë motive shqetësimi, dyshimi, zemërimi, zhgënjimi për këdo që, n’Evropën pas komuniste, e ka parë Perëndimin si një pjesë e kontinentit në të cilin siguroheshin të drejtat e gjithë qytetarëvet, si një strehë për ata që pësonin dhunë e përndjekje, për shkaqe politike, në Vendet e tyre.

Ja me pak fjalë zhvillimi i ngjarjeve dhe personazhet e tyre : Alma Shalabajeva është gruaja e Muhtar Abliazovit, një ish ministër i Kazakistanit që, duke hyrë në kundërshtim me Nursultan Nazarbajevin, ish sekretar i parë i partisë e më vonë Kryetar i Shtetit, është  larguar nga Vendi i tij në vitin 2003, mbas disa muajsh burgimi. Në fillim shkoi në Moskë, ku më 2005 u bë kryetar i Bordit të bankës BTA, që financonte Opozitën politike kazake. Më 2009 u largua familjarisht nga Rusia e shkoi në Londër ku, më 2011, mori strehimin politik për veten e të shoqen. Ai ka një qëndrim të detyruar në Angli, ndërsa Alma mund të lëvizë në hapësirën Shengen. Alma shkon të jetojë në Riga të Letonisë, së bashku me motrën Venera dhe familjen e saj, por kupton se atje ishte vënë në përgjim të vazhdueshëm. Në gusht 2012 vijnë  në Romë, ku Alma nuk kërkon asnjë lloj sistemimi sepse ka strehimin politik anglez dhe lejen e qëndrimit letone, të vlefshme për të gjitha Vendet e BE.

Në Romë vjen herë herë dhe i shoqi që largohet në mënyrë të parregulltë nga Anglia, mbasi mbi të ka një mandat arrestimi ndërkombëtar, nëpërmjet Interpolit, me akuza “për shpërdorime e përvehtësime financiare në shuma 6 miliardë dollarësh dhe për krijime shoqërish kriminale”, akuza të fabrikuara në Astana dhe në Moskë.  Më 27 maj ambasadori i Kazakistanit në Romë u prit nga Shefi i skuadrës së lëvizëshme në Ministrinë e Brëndëshme dhe e njofton se në një vilë të periferisë së Romës, në Casal Palocco, gjëndet një i “kërkuar në nivel ndërkombëtar”, Muhtar Albiazov. Po atë ditë ai pritet nw takim nga shefi i kabinetit tw Ministrit tw Brwndshwm, Alfano. Më 28 maj, agjentë të policisë italiane dhe kundërzbulimit mbajnë në mbikqyrje shtëpinë, duke kuptuar se të njëjtën gjë e bënin dhe të tjerë civilë, të paguar nga një agjensi izraeliane zbulimi.

Më 29 maj në orën 00.05, një masë prej 50 agjentësh të policisë dhe shërbimit të fshehtë  hynë në shtëpinë e mbikqyrur, ku gjejnë Almën, të motrën Venerën, burrin e saj Bolat dhe dy vajzat e vogla. Arrestojnë dy gratë, godasin burrin dhe mbjellin panik në shtëpinë. Gratë i çojnë në një qendër grumbullimi të imigrantëve, ku shqyrtojnë pozitën e tyre. Motrën e lirojnë mbasi paraqiti lejeqëndrimin leton, ndërsa Almën e mbajnë 15 orë pa ngrënë (kështu pohoi ajo), në një pyetësor të vazhdueshëm. Paraqiti një pasaportë të Afrikës Qëndrore, e cila rezulton “e rreme”, simbas Interpolit. Mbas 15 orësh Alma pohon se ishte gruaja e Albiazovit dhe dërgohet në një qeli të kuesturës së Romës. Ndërkohë funksionarët e ambasadës kazake drejtojnë të gjitha operacionet e policisë italiane, përfshirë dhe një tjetër “vizitë kontrolli” në Casal Palocco, e urdhërojnë funksionarët e ministrisë së brëndëshme në fazat e ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve.

Alma Shalabajeva kërkohet nga autoritetet kazake, edhe se në drejtim të saj nuk ka një mandat arresti. Policia e dorëzon në Zyrën e Imigracionit të Ministrisë, ku rasti i saj hyn në përzëniet e zakonëshme të njerëzve që hyjnë ilegalisht e pa dokumenta n’Itali. Kalohen të gjitha hallkat e veprimit në zyrat e ndryshme me një shpejtësi marramendëse, pa i dhënë mundësi të takohet me avokatët e duke e paraqitur si një rast ordiner të paidentifikueshëm, edhe se më 28 e më 30 maj ambasada kazake në notën zyrtare drejtuar kuesturës së Romës, përcakton qartë : ”Vërtetohet se zonja Alma Shalabajeva është qytetare e Republikës së Kazakistanit. Është në zotërim të pashaportës kombëtare Nr. 816235, të lëshuar më 3 gusht 2012 dhe një tjetër pashaporte kombëtare Nr. 5347890, të lëshuar më 23 prill 2007. Në bazë të të dhënave të Interpoliti, zonja Alma Shalabajeva mund të përdorë dokumenta identiteti të rremë për emrin Alma Ayan, e lindur më 15 gusht 1966, me pashaportë kombëtare të Republikës së Afrikës Qëndrore Nr. 6Fbo4081, të lëshuar më i prill 2010.”

          Përzënien, që është në fakt një dorëzim autoriteteve kazake, e firmosin autoritetet e policisë, të prefekturës, të prokurorisë e të gjykatës. Firma e fundit është ajo e gjykatësit të Paqit, një grua që, pa u thelluar aspak në dramën e një tjetër gruaje e të  fëmijës së saj, vendos të plotësojë kërkesën e policisë e të autorizojë dorëzimin e tyre autoriteteve të një Vendi ish komunist, ku strukturat e diktaturës janë në veprim të plotë. Kërkesës së avokatëve për të takuar të mbrojturën e tyre, u përgjigjen duke u lënë një orë takimi, i cili nuk kryhet mbasi më parë “pengjet” ishin nisur pako postare, me një aeroplan austriak të marrë me qira nga ambasada kazake, posaçërisht për t’i çuar në Vendin e saj. Kjo ndodhi më 31 maj, mbasdite vonë.

Për çudi, i gjithë ky operacion i rrufeshëm që Kryetari i Shtetit e quajti “të padëgjuar”, Kryeministri Letta “ka hedhur diskreditim mbi Italinë”, ministri i brëndshëm dhe sekretar i PDL Alfano, “nuk do t’a kisha miratuar kurrë” e zv.drejtori i gazetës Repubblica, Massimo Giannini “një akt poshtërsie”, kryhet me shpejtësi, por pa “dijeninë” e Qeverisë e të asnjë eksponenti të politikës. Paraqitet në fillim nga vetë ministrat Alfano, Cancellieri e Bonino si një veprim i marrë, në mënyrë të pavarur, nga kanceleritë e ministrive të tyre, krejtësisht në përputhje me normat dhe ligjet e Italisë. Do të kalonte një muaj e gjysëm, kohë gjatë së cilës kishin shkruar gazetat e huaja, sidomos ato angleze për skandalin e kur organizmat e BE kërkonin informacion të plotë, për të shqyrtuar nëse ky veprim pajtohej me rregullat e BE, kur Kryeministri Letta do të kundërvepronte duke kërkuar një hetim nga ana e Ministrisë së Brëndëshme.

Pyetjet dhe të panjohurat e një vendimi që ve në lojë prestigjin e Italisë, si një demokraci që respekton e mbron të drejtat e njeriut, janë të shumta e jo më të pakta janë hijet që rëndojnë mbi të. Është shumë e vështirë të besohet se “dorëzimi” i Shalabajevës ka qenë një veprim spontan i autoriteteve burokratike të ministrive, të cilët marrin udhëzime nga ambasadori kazak pa i vënë në dijeni eprorët përgjegjës. Shefi i kabinetit të ministrit Alfano pranon se ka qenë ai që i ka ngarkuar detyrën të presë ambasadorin kazak “për një çështje tepër delikate” e se ai të nesërmen i ka raportuar eprorit. Por ministri para parlamentit thotë se ka mësuar ngjarjen më datën 2 qershor nga kolegia e punëve të jashtëme.

Vetë e përzëna shprehet kështu mbas largimit nga Roma : “Përshtypja ishte se të gjithë zbatonin detyra të caktuara imtësisht “prej së larti”. Është vështirë të mos jesh në një mëndje me këtë grua të shkretë që po ballafaqohet në të njëjtën kohë me diktaturën në Vendin e saj dhe me real-politikën e një demokracie që flijon parimet për interesat e një individi, të një grupi, apo të një bashkësie. Gazi i Kazakistanit, interesat e ENI-t, miqësia e Berluskonit me Nazarbajevin, përbëjnë një kompleks të errët, para të cilit fati i një gruaje dhe i një fëmije të pafajshëm flijohen pa mëshirë. Shpejtësia e veprimit e autoriteteve italiane në këtë rast është fenomenale, madje e papërfytyrueshme. Kohët e zakonëshme biblike të burokracisë italiane u dogjën sa hap e mbyll sytë për t’i dorëzuar “pengun” Nazarbajevit. Sepse Alma është një peng, që “heronjtë e heshtur” të Kazakistanit do t’a përdorin duke vënë në zbatim të gjithë arsenalin dhe përvojat xherxhinskiane në dispozicion, për të shtënë në dorë kundërshtarin politik, burrin e saj.

Ata që kanë kaluar proçeset e hetuesive të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri e kuptojnë se çfarë e pret atë grua dhe atë fëmijë në ditët që vijnë. Abliazovi e “falënderoi” Kryeministrin italian për burgun që e pret të shoqen në Vendin e tij e për jetimoren, në të cilën është e paracaktuar të shkojë vajza e tij. Kryeministri, i prekur në sedër mbas pilafit, e shfuqizoi vendimin e përzënies, një masë e vlefshme në një Vend ku gabimet ndreqen e situatat riparohen, një shprehje hipokrizie pa asnjë vlerë praktike në ish republikën sovjetike.

Ka diçka të errët dhe dëshpëruese në gjithë këtë histori : flijimi i individëve, familjeve, grupeve në altarin e interesave shtetërore, flijimi i parimeve në vorbullën e poshtër të politikës. Pajtohen me këto dukuri, i anashkalojnë, i quajnë të parëndësishme, madje në nivele shtetërore i ligjërojnë. “Gjithshka është zhvilluar në mënyrë absolutisht të rregullt” shprehej ministreja e Drejtësisë, Cancellieri, më 5 qershor. Se ku e shihte “rregullin” ministreja është për t’u habitur : përzihet një grua e një fëmijë për tri ditë, ndërsa kriminelët që kërcënojnë çdo ditë jetën e qytetarëve italianë livadhisin, me fletët e përzënies në xhep, për vite të tëra. Përzihet një grua me pashaportë të rregullt, me strehim politik të rregullt në një Vend të BE, me leje qëndrimi të rregullt të një tjetër Vendi të BE. E parregullta qëndron në faktin se funksionarët e nderuar të shtetit italian nuk janë në gjendje t’i “zbulojnë” këta fakte e të respektojnë të drejtën e një gruaje, mbi të cilën nuk rëndon asnjë lloj krimi. E dhunojnë atë të drejtë me një sulm prej 50 policësh në një shtëpi në mes të natës, me harbutërinë e sjelljes së tyre karshi banorëve të shtëpisë, me paligjshmërinë e arrestimeve, me poshtërsinë e vendimit për të kënaqur kërkesat e një diktature, që përdor gjithë mjetet e saj kundër kundërshtarëve politikë.

Deri tani politika italiane nuk ka marrë asnjë farë përgjegjësie për këtë çështje, duke shkarkuar mbi strukturat e ndërmjetme të shtetit të gjitha veprimet. Tani është në vazhdim një proçes hetimi i ngjarjeve nga ana e gjykatës së Romës me kërkesën e ministres së Drejtësisë. Duke besuar në rigorozitetin  e këtij proçesi, tani për tani gjithshka është pezulluar por nuk është mbyllur, edhe sepse avokatët e Shalabajevës do të hapin një tjetër proçes kundrejt shtetit italian për dëmet e pësuara nga klientja e tyre.

Cilido qoftë përfundimi i hetimeve imazhi i Qeverisë italiane mbetet i cënuar. Në rastin e një vendimi të ndërgjegjshëm që dëshmon ortakësinë me diktaturën kazake, mbi lëkurën e një gruaje e të një fëmije, jemi të pranishëm në një shkelje të rëndë të parimeve të demokracisë e të të drejtave të njeriut  e si e tillë, nuk mund të jetë veçse një faqe turpi, e dënueshme dhe e papranueshme për opinionin publik evropian. Në rastin e veprimit të pavarur të burokracisë, pak të besueshëm, roli i qeverisë vihet në diskutim për mungesë efektshmërie dhe ndërlidhje mes hallkave të saj, gjë që tregon një mungesë të theksuar aftësie drejtuese e qeverisëse.

Para këtij fati të dhimshëm, na vijnë ndërmënd përvojat e shkuara tonat kur diktaturat shqiptare e jugosllave kishin bërë një marrëveshje për të dorëzuar t’ikurit e secilit Vënd, me qindra pasoja burgimesh e internimesh të qytetarëve shqiptarë e kosovarë. Kujtuam se i arkivuam, me rrëzimin e komunizmit, ato dukuri të shëmtuara, por nuk qenka e vërtetë. Sot Evropa po na paraqet një tjetër pamje. Real-politika italiane, në drejtim të Kazakistanit, duket se po gjen përkrahës edhe në Vendet e tjera si Spanja, Polonia, Republika Çeke, që po marrin në shqyrtim e po zbatojnë “dorëzimet” e kundërshtarëve të regjimit kazak, bashkëpuntorëve të Albiazovit.

“Është metoda Nazarbajev – padit Ana Koj, e fondacionit polak Open Dialog, që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Vendet e ish BRSS – shfrytëzojnë mandatet e arrestimit të Interpoliti, për të përndjekur kundërshtarët e regjimit, duke i akuzuar për mashtrim apo terrorizëm. Kështu shpesh arrijnë dorëzimin e tyre.”

Është me të vërtetë një tabllo trishtuese, është dhe kjo një pjesë e Evropës, të cilën nuk do të kishim dashur kurrë t’a shihnim të tillë, cinike, të ftohtë, llogaritëse, për të cilën një grua e një fëmijë mund të flijohen në altarin e real-politikës.

Korrik 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: ceshtja Shalabajeva, Eugjen Merlika

“GLOBALIZIMI I INDIFERENCËS”

July 11, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugjen Merlika/Itali/ 

Data 8 korrik 2013 do të mbetet në historinë e kohës sonë si një datë e shënuar, tronditëse, nga ato që shkëputen nga kronika e zakonshme e jetës politike ndërkombëtare e hyjnë në arkivin e kujtesës historike të njerëzimit.Ajo datë nuk lidhet me fillime apo mbarime luftërash, përmbysje sistemesh, revolucione, marrëveshje për krijime bashkësish të mëdha shtetesh, traktate paqeje, apo ngjarje të tjera të rëndësishme të historisë. Ajo është dita e vizitës së një Kreu të Kishës katolike botërore në një vend të vogël, në ishullin më jugor t’Evropës, që është një nga portat e kontinentit, në të cilin dhjetra e qindra mijra njerëz përpiqen të hyjnë, për të gjetur një tjetër jetë, për t’i shpëtuar skamjes, luftërave, dhunës së pushtetit, përndjekjes etnike apo fetare, për të përmendur vetëm disa nga motivet kryesorë që nxisin mërgimin e afrikanëve, aziatikëve, latino-amerikanëve drejt “tokës së premtuar” të kontinentit të vjetër.

          Nuk do të quhej një ngjarje historike, edhe se ishte vizita e parë e Papës së ri jashtë kufirit të Vatikanit, sikur të ishte mjaftuar me një pohim të thjeshtë të rolit të Kishës në çështjen e mërgimit. Ka gati gjysëm shekulli që Papët e Romës përçojnë, në vetë të parë, mesazhet e Ungjillit në gjithë botën. Çdo vizitë ka patur rëndësinë e të veçantën e saj e ka dëshmuar shqetësimin dhe pjesëmarrjen e Selisë së Shenjtë në problemet e vështirësitë e popujve të ndryshëm. Vizita e Papës Francesco në Lampedusa-n siqiliane është në vazhdën e tyre, por mesazhi që dha ajo, nëpërmjet predkut të tij, më duket së është e një rëndësie tepër të veçantë. Predikimi i Papës argjentinas, bir i një familjeje të mërguarish nga Italia, nuk është thjesht fjala e një misionari, që i ka vënë detyrë vetes shpalosjen e mësimeve të Ungjillit në të gjitha trevat e botës, ku besimtarët duan të dëgjojnë e të përvehtësojnë fjalën e Jezu Krishtit, edhe mbas dymijë vjetësh.

          Mesazhi i Lampedusa-s është një thirrje prekëse që i bëhet vetëdijes së njerëzimit, për të kryer një operacion të thellë e të dhimshëm, por edhe shëlbues, të një riprovimi të vetvetes. Kjo thirrje kryhet nga Papa Bergoglio në një vend të vogël të bregdetit evropian të Mesdheut, një qytet me gjashtëmijë banorë, që është kthyer në një simbol të takimeve njerëzore mes dy botëve, aq larg, por edhe aq afër njëra tjetrës. Lampedusa është porta e Italisë evropiane, duhet të jetë shprehje e mirëqënies, e zhvillimit ekonomik, e shoqërisë së hapur, e mikpritjes, e moralit të krishterë e solidaritetit njerëzor. Në të trokasin pa ndërprerë njerëz të dëshpëruar që vijnë nga jugu i Mesdheut, apo nga thellësitë e Afrikës, që ëndërrojnë një jetë normale për veten dhe familjet e tyre, që i besojnë ëndrrës së tyre e venë në rrezik jetën për t’a sendërtuar atë. Në këtë travajë të vazhdueshme, në ujrat që ndajnë dy bregdetet kontinentale, vetëm në këtë pjesë viktimat e gëlltitura nga deti arrijnë në rreth 20.000 në 25 vjetët e fundit.

          Kujtimit të tyre Vikari i Krishtit i lëshon në ujët e detit një kurorë krizantemash, në shenjë nderimi për të gjithë ata që u nisën e nuk arritën dot të kenë asnjë varr. Ky gjest simbolik është vetëm fillimi i një proçesi që nuk ndalet në konstatimin e thjeshtë të problemit, por synon të hyjë në thellësinë e tij, në shkaqet e motivet përcaktuese të këtyre tragjedive njerëzore. Analiza, nëpërmjet ligjirimit, merr përmasa universale, thyen kufijtë e kohëve dhe hapësirave e përpiqet të depërtojë në rrënjët e dukurive. Mendimi kthehet tek Testamenti i Vjetër, akti i krijimit, njeriu i parë, mëkati origjinal i trashëgueshëm e i përjetshëm, raporti i tij me Hyjin, me zgjedhjen e lirë, me ndërgjegjen e tij.

          “Adam ku je?” Është pyetja e parë që Zoti i drejton njeriut mbas mëkatit. “Ku je ?” Është një njeri i çorientuar që ka humbur vëndin e tij në krijimin, sepse beson se është bërë i fuqishëm, se mund të zotërojë gjithshka, se mund të jetë Zot. Dhe harmonia thyhet, njeriu gabon e kjo përsëritet edhe në marredhëniet me tjetrin, që nuk është më vëllai për t’u dashur, por thjesht tjetri që trazon jetën time, mirëqënien time. Dhe Zoti bën pyetjen e dytë : Kain ku është vëllai yt ?”

          Analiza anatomike e Papës, në universalitetin e saj, merr shkas nga problemet e emigracionit, por zgjeron shumë rrezen e veprimit, duke trajtuar në të gjithë shtrirjen e tij, aspektin e marredhënieve njerëzore në shoqëritë e zhvilluara. Mendësia individualiste, gjithënjë e më zotëruese në jetën e shoqërive të mirëqënies,  shprehet në braktisjen e familjes patriarkale dhe në prirjen e të rinjve për të shkëputur shpejt lidhjen me familjen e origjinës e për të ndërtuar jetën e tyre vetiake. Kjo çon në një konceptim qendër vetiak të marredhënieve shoqërore, që pasqyrohet në dobësimin e lidhjeve familjare e, më gjërë, edhe të atyre shoqërore e që shprehet në mungesën e ndihmës së ndërsjelltë mes antarëve të këtyre shoqërive, shfaqjet e ndryshme të pasojave të të cilave, në jetën e përditëshme të metropoleve të botës së sotme, janë me të vërtetë shkandulluese.

          Një vajzë përdhunohet në një autobuz dhe asnjë ndër dhjetra udhëtarë të pranishëm nuk ndërhyn. Një i marrë me një sëpatë, në mëngjez herët, kërcënon e vret tre vetë dhe ai që para tyre arrin t’i shpëtojë këtij fati tragjik, nuk merr mundimin as të lajmërojë policinë, për të ndërhyrë e shmangur viktimat e tjera. Të moshuar, që jetojnë vetëm në pallatet, vdesin në shtëpinë e tyre dhe, deri sa të mos kutërbojë kufoma e të ndihet era e keqe nëpër shkallë, askush nuk troket në derë, për të pyetur si është fqinji apo fqinja. Me fqinjin, edhe se mund të jetohet ngjitur në të njëjtin pallat, shkëmbehet ndonjë përshëndetje apo urim në shkallë për festa e, në rastin më të keq, nuk i mësohet as emri. Në mjetet e transportit publik, shpesh rrijnë ulur adoleshentë me Ipad apo kufjet në vesh, ndërsa qëndrojnë në këmbë të moshuar apo gra shtatzëna. Në Milano një taksist, pa dashje dëmtoi një qen që e kishin nxjerrë në shëtitje dy vetë. Taksisti u ndalua, kërkoi falje dhe ofroi ndihmën e tij, por u sulmua egërsisht nga pronarët e qenit e vdiq në spital mbas një muaji. Njerëz që vrasin prindërit, gratë, fëmijët, kthehen në “heronj” që marrin dhjetra letra dashurie nga femra të ndryshme, mbasi kanë marrë dënimin!!!

          Një ish kryeministër mbi 70-vjeçar që, kur ishte në detyrë, ktheu në hareme vajzash të reja të paguara shtëpitë e ndryshme të tij, votohet nga 10 milion italianë e mbrohet nga një vendim i rremë parlamenti, i votuar nga 320 përfaqësues të popullit.

          Papa Bergoglio vazhdon t’a zhysë thikën e tij anatomike në kalbësirën e shoqërisë së mirëqënies. “Kultura e mirëqënies, që na çon të mendojmë vetëm për veten, na bën të pandjeshëm ndaj thirrjeve të të tjerëve e na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë të bukura por nuk janë asgjë, janë iluzion i së kotes, i së përkohëshmes që çon në indiferencën ndaj të tjerëve, madje çon në globalizimin e indiferencës. Jemi mësuar me vuajtjen e tjetrit, nuk ka të bëjë me ne, nuk na intereson, nuk është punë e jona!”

          Këtu mesazhi i Francesco-s arrin tonin më të lartë të protestës, të dëshpërimit, të padisë së një mendësie, e cila pjell një rend gjërash, të bazuar mbi parime diametralisht të kundërta, jo vetëm me ata të doktrinës së krishterë, por edhe me ata të vetë natyrës njerëzore e ligjeve të saj. Nga altari, i improvizuar mbi një varkë, simbol i mjetit të shpresës për ditë më të mira e, ndonjëherë, i prurësit të vdekjes për bartësit e tyre, pasardhësi i Shën Pjetrit, i “ardhur nga ana e botës”, i kërkon falje Zotit katër herë e kërkon pendesë. Kërkon pendesën e një shoqërie që “ka harruar të qajë” e që ka përfunduar në një “anestezi të zemrës”….

          Madhështia dhe universaliteti i predikimit të Lampedusa-s vë para ndërgjegjes të secilit një pasqyrë, mbasi secili ka diçka për t’i qortuar vetes e për të ndrequr në sjelljen e qëndrimin e tij. Sa më lart ngjitet në shkallën shoqërore e shtetërore, aq më shumë shtohet doza e përgjegjësive t’atyre që “n’anonimat marrin vendimet ekonomike e shoqërore” , për të ndryshuar rrugën, për të mos përsëritur mëkatet, për të mos dëgjuar më pyetjen e Zotit : “Ku është vëllai yt?”.

          Në dritën e madhështisë gjithëpërfshirëse të mesazhit të Papës Francesco, besoj se edhe ne, shqiptarët, kemi mjaft për të paditur, për të qortuar e vetëqortuar, për të ndrequr. Pyetja e Zotit “Ku është gjaku i vëllait tënd që thërret deri tek un?” besoj se në shumë pak Vënde ka qenë aq e qëlluar  sa në Shqipërinë komuniste, që nuk derdhi asnjëherë pikë loti për viktimat e panumurta që shkaktoi. E përgjegjësia mbeti si tek drama “Fuenteovehuna”, të sjellë si shembull nga Papa në ligjirimin e tij :”Të gjithë dhe asnjëri”. Klasa e vjetër kriminale politike, besnike edhe sot e sistemit të saj, që i ka shpëtuar drejtësisë së kësaj bote, duhet t’a dijë se do të vijë dita gjykimit për secilin. Klasa e re politike, që trashëgoi pa u munduar t’i ndreqë mëkatet dhe krimet e parardhësvet është ende në kohë për të thënë fjalën e saj. Uroj t’a studiojë në thellësi këtë monument të mendimit bashkëkohor, që është, ligjirata e Lampedusa-s e të mbajë parasysh fjalët lapidare të autorit të saj : “Zoti do të na gjykojë në bazë të asaj se si kemi trajtuar më nevojtarët”. Nevojtarët më të mëdhenj vazhdojnë të mbeten ata që komunizmi u rrëmbeu, jetën, lirinë, pasurinë, ëndrrat për jetën.

          Korrik 2013                                                         Eugjen Merlika           

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, globalizmi i indiferences

KUJTESË FUSHATËS ZGJEDHORE

June 20, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Fushata zgjedhore e vitit 2013 hyri në metrat e saj të fundit. Mitingjet e forcave politike nuk njohën asnjë pushim në të gjitha anët e një Vendi që duket se ende ruan entuziazmin e njëzet viteve të shkuara, po të gjykohet nga turmat e qytetarëve që mbushin sheshet apo sallat e takimeve dhe konferencave.

Shqipëria e sotme nuk është më ajo e fillimit të viteve 90, ndryshon në pasurinë e saj të paluajtëshme, mbasi pamja e qyteteve dhe qëndrave të saj të banimit është krejt tjetër. Ndërtimet, si treguesi më i saktë i një forme zhvillimi të një shoqërie, është një dukuri që paraqet , në vetvete, dy fytyra : atë të jashtëmen, që reklamon mirëqënien, dhe atë të brëndëshmen, të padukshmen, që lidhet me fondet, me lejet e ndërtimit, me allishverishet, me korrupsionin, me shkatërrimin e mjedisit, me mos  respektimin e rregullave, me fitime të mëdha që shpërndahen në disa drejtime … Kur flitet për ndërtimet atyre  u shtohen dhe elementët e tjerë të infrastrukturave si rrugët, ujësjellësat, bonifikimet etj., që, të marra së bashku, japin tabllonë e një Vendi, për të cilin politika, në këtë fushatë zgjedhore, ka dy qëndrime krejtësisht të kundërta : njëra, ajo qeveritare, duke tejzmadhuar rezultatet kërkon kapitalin e saj politik, duke i veshur vetes meritat e duke u munduar të ushqejë shpresa që, në synimin e saj, duhet të kthehen në vota për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit. Ndërsa tjetra është ajo opozitare, që kërkon t’a fitojë pushtetin, duke nxirë dhe asgjësuar gjithshka që, në vitet e shkuara, ka kryer kundërshtari politik në timonin e drejtimit të Vendit.

Rezultati është një varg gënjeshtrash që vërtiten pa pushim në mëndjet e trallisura të  shqiptarëve që, ende sot, mbas gati një të katërt shekulli të tjetërsimit të sistemit, mendojnë si të gjejnë mënyrën për t’u larguar nga Shqipëria, gjë që tregon se sa pak i besojnë premtimeve të politikës, tepër bujare në këto ditë të nxehta qershori, në përshkrime mjedisesh prrallore të viteve t’ardhëshme.

Premtimet rrokin të gjitha problemet e shqiptarëve, nga qindra mijra vëndet e reja të punës deri tek rritje marramendëse rrogash e pensionesh, nga asgjësimi i taksave tek projektet faraonike të infrastrukturave apo të energjitikës deri në kufijtë e “superfuqive”. Pa hyrë në analizën e tyre, që nuk duan ndonjë zgjuarsi të veçantë për të kuptuar se i shëmbëllejnë më shumë fantazisë së autorëve të letërsisë fëminore se sa parashikimeve të shtetarëve të urtë e realistë, bën përshtypje fakti se ka një premtim, për të cilin nuk flitet fare, që mbetet jetimi i vetmuar i këtyre zgjedhjeve, të trumbetuara me kaqë zhurmë.

Është fjala për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për të cilët duket se politika ka një alergji të hershme, mbasi ndoshta, nga llogari të thjeshta shifrash kalemxhinjsh të saj, nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë, sepse nuk janë të organizuar edhe se paraqiten me disa shoqata që janë kthyer në pronësi vetiake të kryetarëve të përjetshëm, janë lehtësisht të manipulueshëm e nuk përbëjnë një pellg të madh votash. Të gjitha këto konsiderata mund të jenë të saktësuara nga logjika cinike e politikës. Ajo që nuk mund të përligjet është fakti se prej më shumë se njëzet vjetësh Shteti shqiptar, në borxh për shfrytëzimin rreth gjysëm shekulli të punës së papaguar të mijra njerëzve, të dënuar nga diktatura për krime të ndërgjegjes, megjithëse ka marrë një vendim e ka hartuar një projekt dëmshpërblimi, një projekt që në vetvete respekton një logjikë jo të drejtë, sepse nuk mban parasysh kohët e ndryshme të dënimeve, ende sot është mjaftuar me shlyerjen e një të tetës së detyrimit. Projektet “madhështore” të shumicës qeverisëse në fund të mandatit i kalojnë sipër këtij detyrimi, e shkelin me të dyja këmbët, sepse në fund të fundit këto janë “mundësitë” e shtetit, se borxhin duhet t’i a “kërkojnë Enver Hoxhës”, se të tjerët (socialistët) nuk e njohin një detyrim të tillë.

Ky është mendimi jo zyrtar, i pa shprehur haptas, por zotërues në dhomat e pushtetit të koalicionit qeverisës  me përfundimin që pohova më sipër : nga tetë këste të përcaktuara është paguar vetëm një, duke shkelur paprerë të gjitha afatet kohorë të lajmëruar prej vetë përfaqësuesve të Qeverisë. Shteti ka kursyer përsëri me djersën dhe gjakun e viktimave të dhunës komuniste. Një qëndrim i tillë, tallës e sorollatës ndaj të mbijetuarve të ferrit komunist, qoftë zyrtar i maskuar nga hipokrizia “demokratike”, qoftë pasojë llogarish burokratësh të zyrave “demokratike”, akoma më keq mos njohje e problemit nga partia socialiste, ndryshon shumë pak nga brutaliteti dhe mizoria e komunizmit enverist.

Fakti që, edhe në morinë e pafund të premtimeve të këtyre ditëve, nuk thuhet asnjë fjalë për këtë detyrim madhor të Shtetit e të shoqërisë shqiptare, është tregues i një imoraliteti të theksuar, jo vetëm politik, administrativ, ekonomik, ligjor, por mbi të gjitha njerëzor. Kjo vlen për ata që qeverisin, e akoma më tepër për Opozitën ish komuniste, që shqetësohet me të tepër për pensionet e ushtarakëve, ushtrues drejtpërsëdrejti të dhunës komuniste, që kanë qenë edhe përfituesit më të mëdhenj të privilegjeve të regjimit, ndërsa heshtin me mospërfillje për problemin kryesor të ish të përndjekurve politikë. Në këtë vështrim sllogani i famshëm “të gjithë bashkëvuajtës e të gjithë bashkëfajtorë”, i kthyer në një parim ndikues edhe në vizionin e këtyre problemeve, është një shtrembërim i papranueshëm dhe tepër revoltues për ata që kanë kaluar dhjetëvjeçarë të gjatë të jetës së tyre në burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës së kuqe shqiptare.

Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se të përndjekurve të diktaturës askush nuk po u bën një nder, se Shteti shqiptar ka një borxh që nuk është ai i nderit, por real që ka të bëjë me punën e papaguar t’atyre njerëzve, burra e gra të dënuar nga ligjet e diktaturës me privim lirije për motive politike, por të detyruar nga komandat e kampeve të punës  të punonin duke realizuar e tejkaluar çdo ditë normat e përcaktuara në të gjitha proçeset e punës, duke filluar nga tharja e kënetave të Maliqit, Thumanës apo Tërbufit, në brezaret e Borshit apo fushat e Belshit, në ndërtime uzinash,  aeroportesh, apo lagje qytetesh e deri në shfrytëzimin e minierave të Spaçit apo Qafë Barit. Për ato punë kolosale Shteti shqiptar nuk ju ka paguar asgjë të dënuarve, ato para janë depozituar në arkat e tij. Ka një ligj universal, të respektuar në të gjitha demokracitë, që i njeh njerëzve të konsideruar të dënuar pa baza, dëmshpërblimin për gjithë kohën e dënimit, mbas fitimit të pafajësisë. Një vendim pafajësije, për të gjithë të dënuarit e ndërgjegjes në sistemin komunist, e  shpalli Kuvendi i parë i Shqipërisë paskomuniste. Kërkesa për dëmshpërblimet e ish të përndjekurve është pasojë e atij vendimi, dhe mënyra si është trajtuar ligjërisht tregon se është mbajtur parasysh një minimum të drejtash. Sot edhe ai minimum rrezikon fshirjen e plotë.

Themelet e Shtetit komunist shqiptar janë të mbushur me gjakun e viktimave të tij. Mbi atë themel u ngrit godina “demokratike”. Por ende, mbas gati një të katërt qindvjeti nuk shfaqet vetëdija, ndershmëria e guximi për të pastruar gjakun nga themelet. Ai gjak, simbas logjikës kriminale ende të përligjur në një pjesë shqiptarësh, duhet të jetë si kurmi i Rozafës, çmimi për të ruajtur kalanë të pashkrehur. Kthimi i dëmshpërblimeve ish të përndjekurve, më të shumtët tani të ikur nga kjo botë , në një kohë të shpejtë e pa sorollatje të mëtejshme, do të ishte veprimi i parë në drejtim të përmirësimit të imazhit të politikës e të Shtetit. Do të ishte shenja e parë domethënëse e shkëputjes nga e kaluara, e dënimit të saj efektiv e jo të rremë. Kundërveprimi ndaj ndonjë shprehjeje apo projekti të të malluarve të diktatorit gjirokastrit për të ngritur bustet e tij, është një shashkë tymosëse për të verbërit kundrejt faktit, që Shteti dhe politika shtyjnë në kalendat greke borxhet e gjakut e të djersës  së viktimave të diktaturës.

Nuk ka e nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë moskokëçarje të madhe të Shtetit kundrejt pjesës më të dobët të shoqërisë e fakti që, në lumenjtë e propagandës zgjedhore, askush nuk tregon kurajën të ballafaqohet me problemin, qoftë edhe formalisht, tregon se sa e papërgjegjëshme dhe sa larg problematikës reale e thelbësore të këtij Vendi është klasa e tij politike. Në fakt është po e njëjta e vitit 1991, ajo e parafabrikuara nga tezat e Katovices, një mori bijsh e bijash të vazhdimësisë ramiziane, të mbrujtur nga gjiri i nënës me urrejtjen për “armiqtë e klasës”. Këtë urrejtje, në pjesën më të madhe të saj, për leverdi konjukturale nuk e shpreh haptas, por e shfaq tërthorazi, nëpërmjet qëndrimit tërësisht negativ kundrejt kërkesave, më se të ligjëshme, të ish të përndjekurve politikë.

Kryetarit të Opozitës dhe bashkëpuntorëve të tij, që valëvisin pa prerë flamujt e “Rilindjes shqiptare”, vlen t’u kujtohet se rilindja duhet të jetë, në rradhë të parë, dënimi me plot gojën e pa dyshimin më të vogël të atij sistemi që çoi në vdekjen klinike të Shqipërisë. Krahas atij dënimi bëhet i detyrueshëm shërimi i plagëve të hapura që ai la në shoqërinë shqiptare, përfshirë këtu dhe dënimin e krimeve e të autorëve të tyre. Ky proçes, që në një Vend normal e në një rrjedhë normale zhvillimesh demokratike gjatë pothuaj një të katërt shekulli, sot duhet të kishte qenë i mbyllur, duhet rihapur me forcë, duke patur në qendër të tij, pikërisht zgjidhjen e shpejtë e përfundimtare të dëmshpërblimit të ish të përndjekurvet politikë.

Ky nuk duhet të jetë objektiv i vetëm një force politike apo i një koalicioni qeverisës. Për sendërtimin e tij duhet një marrëveshje e përgjithëshme dhe e sinqertë mes të gjitha palëve. Pa këtë marrëveshje demokracia jonë do të jetë e mangët dhe rakitike, edhe nëse do të ketë arritje në fushën ekonomike, edhe nëse do të respektojë parametrat e Evropës, edhe nëse do të bëhet pjesë e saj.

Qershor 2013                                      Eugjen Merlika (ish i përndjekur politik)

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika, kujtese per fushaten, zgjedhore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT