“Jemi kaq shumë të mësuar të jemi hipokritë me të tjerët, sa që përfundojmë të jemi hipokritë edhe me veten.”- LA ROCHEFOUCAULD/
Shkruan:Eugjen MERLIKA/
Vera e vitit 2015 vuri para një prove të vështirë Evropën, kontinentin e djepeve të qytetërimit të lashtë e të ri. Ajo provë nuk qe një luftë e jashtëme që rrezikonte drejtpeshimet e saj, por një valë e madhe mërgimtarësh, të ardhur nga zona të “nxehta” të Afrikës apo Lindjes së Mesme, troje dhe ata të tjerë qytetërimesh të shkuar. Valët e gjata të të ikurve janë në kërkim të një jete të re e të qetë, larg krismave të armëve që, prej vitesh, janë simfonia e vetme që luhet në Vende si Iraku, Siria, Afganistani, Libia, Nigeria, Sudani, Eritrea, Jemeni, etj. duke arritur tone tmerri në t’ashtuquajturin shtet islamik të Mërgimet masive të ditëve të fundit janë një nga këto pasoja të drejtpërdrejta dhe janë “maja e ajsbergut” e një dukurie që, simbas Pentagonit, “do të zgjasë rrreth njëzet vite”. Globalizimi, në kompleksin e tij, veç ndryshimeve të dukëshme në sferën ekonomike të botës, sjell edhe pashmangshmërinëe e përfshirjes së pjesës më të rëndësishme të bashkësive politike ndërkombëtare në ngjarjet më tronditëse të panoramës së sotme botërore. Bota e sotme, me shumë qendra të ndryshme interesash e fuqish ekonomike, ushtarake e politike është shumë më e ndërlikuar se sa ajo e shekujve të fundit, që nga Westfalia 1648, Vjena 1815, Versaja 1919 – 21, Parisi 1946, Berlin 1989, që përcaktuan ecuri, të gjata në kohë, të barazpeshave botërore. Ky ndërlikim situatash që shpesh ka sjellë, sidomos në vitet e fundit, daljen dore të tyre nga mbarështimi tradicional, për më tepër shkallmimin e njësive shtetërore, dikur me peshë në Lindjen e Mesme apo Afrikën e Veriut, ka prodhuar dukuri të reja e të papërfytyrueshme deri tre vjet më parë.
Këta ndryshime të shpejta e jashtë skemave të njohura klasa politike, në nivel botëror, është treguar krejtësisht e paaftë t’i parandalojë e t’i mbarështojë, për të shmangur pasojat tragjike të miliona njerëzve, që bëjnë të skuqen nga turpi vetë specien njerëzore. “Pranverat arabe”, me befasitë dhe paparashikueshmëritë e tyre, kanë vënë në vështirësi të mëdha politikat evropiane dhe amerikane. Por nëse këto vështirësi kanë qenë objektive, përsa i përket ndërhyrjeve të mundëshme në kanalizimin e ngjarjeve, nuk mund të quhen të tilla në parashikimin dhe përballimin e pasojave të tyre, kryesisht të mërgimeve masive të kohëve të fundit. Këto valë mërgimtarësh kanë nxjerrë, në tërë lakuriqësinë e tyre, mungesat e theksuara të impiantit Evropë në kompleksin e tij. Ato kanë zbuluar mungesën e një plani të studjuar në imtësi, në nivel bashkësie, për përballimin e dukurisë e hartimin e një strategjie afat mesme e afatgjatë në lidhje me të. Skenat e ditëve të fundit të turmave të të ikurve me familje të tëra që largohen nga Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani etj., duke kaluar detin me mjete të rastit, të drejtuar nga profesionistë të trafiqeve njerëzore, duke kaluar kufinj shtetesh, duke u përballur me forca policore e mure telash, në kërkim të “tokës së premtuar”, Gjermanisë apo Vendeve skandinave, kanë ngritur para secilit qytetar t’Evropës pyetje të natyrëshme. Duke i bashkuar atyre skenave simotrat e tyre në brigjet e Italisë apo Greqisë, të shoqëruar me tragjeditë masive të vdekjeve të rreth tremijë krijesave njerëzore në muajt e fundit, kuadri që kemi përpara na befason me diletantizmin e theksuar në përballimin e situatave dhe mungesën e ideve të bashkërenduara në nivel politik e administrativ të institucioneve të Bashkësisë evropiane.
Jo shumë larg në kohë, më 16 maj të këtij viti, kur t’ardhurit nëpërmjet detit në brigjet e Siqilisë ishin grumbulluar në Ventimiglia, në përpjekje për të shkuar në Francë, kërkesës italiane për të caktuar “kuota” shpërndarjeje të refugjatëve në të gjitha Vendet e Bashkësisë, Kryeministri francez, Manuel Walls, i përgjigjej se “Franca ishte kundër caktimit të kuotave të imigrantëve.” Ndërsa n’Evropë prej muajsh diskutohet, pa gjetur marrëveshje, për të shpërndarë disa dhjetra mijra t’ardhur në brigjet e Italisë apo Greqisë, sirianët dhe irakenët kanë vërshuar me qindra mijra, për t’i shpëtuar masakrave të IS-it në Liban, Jordani e Turqi, të pritur brënda mundësive nga ata shtete. Trafiku i qënieve njerëzore drejt Evropës është bërë një mjet fitimi i majmë i një ushtrie prej 30.000 vetësh, që gjejnë n’ato zona kushtet e përshtatëshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Ajo industri fitimprurëse, që nuk nguron të shkaktojë çdo ditë edhe krime të përbindëshme jo vetëm në Mesdhe, por dhe në zemër t’Evropës, siç ishte rasti i autotrenit me viktima në një autostradë të Austrisë, shtron para opinionit publik botëror, kryesisht evropian, një pyetje besoj më se të ligjëshme : a nuk ka mundësi të rregullohet me llogari, projekte e strategji të mirëmenduara një dukuri e tillë e pashmangëshme? A nuk mund të bëhet kjo me marrëveshje shtetesh e organizmash ndërkombëtare, pa vënë në rrezik çdo ditë jetë njerëzish e pa i lënë ata në duart e trafikantëve të paskrupull, që u rrëmbejnë edhe qindarkën e fundit të mundit të një jete të tërë ?
Ditët e fundit opinioni publik botëror u trondit nga një fotografi e marrë nga një gazetare turke në plazhin e Bodrumit, ku tregohej një fëmijë tre vjeç, i nxjerrë nga dallgët në bregun e detit duke fjetur gjumin e përjetshëm. Aylan Kurdi, ky ishte emri i fëmijës martir të detit, kishte ikur me vëllanë 5 vjeç dhe prindërit nga Kobane, qyteti simbol i qëndresës ndaj barbarisë së shtetit islamik. Ajo familje kishte muaj që priste vizën e hyrjes në Kanada, ku punonte prej njëzet vjetësh halla e tij, por burokracia turke dhe kanadeze, ashtu sikurse dhe ajo e vendeve evropiane, nuk ndihmonin bashkimin e familjeve të gjymtuara nga lufta me njerëzit që punonin rregullisht n’ata Vende. Mungesa e durimit të babait përcaktoi dhe fatin e vogëlushit, që u kthye në një simbol, edhe n’emër të një numuri të pafund sivëllezërish e simotrash të tij, të martirizuar në ujrat e Mesdheut, në kërkim të një tjetër jete n’Evropën e ëndërruar.
“Një foto shëtit nëpër botë dhe shkakton një emocion të përgjithshëm : një fëmijë pa jetë në një plazh të Turqisë, i mbytur sepse familja e tij donte t’arrinte n’Evropë. Ajo fotografi na ve para përgjegjësisë të gjithëve.” Kështu u shpreh Francois Hollande, Kryetari i shtetit francez. David Cameron, Kryeministër i Anglisë, mbasi kishte shpallur me forcë, nëpërmjet ministres Tereza May, se n’Angli duhej të hynin vetëm të huajtë që kanë kontrata pune, duke përfshirë këtu edhe evropianët, e mbasi kishte përdorur edhe qentë në Calais, për të ndaluar kalimin e refugjatëve, u shpreh se “është i tronditur si baba” dhe premtoi të “përballohet me përgjegjësitë morale”, duke pranuar mijra refugjatë më shumë,
rreth 16.000, të marrë në kampet e refugjatëve t’atij rajoni, kur gjatë një viti numuri i atyre që kishin hyrë n’Angli kishte qenë vetëm 216.
Ndërkaq Gjermania, me një vendim të papritur për të pritur rreth 800.000 refugjatë sirianë, shpëtoi nderin e kontinentit, duke u treguar jo vetëm kryeqendra ekonomike e tij, por edhe ajo morale. “Nuk do të ketë kufizime për azilkërkuesit nga Siria” deklaroi Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërkaq Vëndet e Lindjes ish komuniste, në tërësi u shprehën kundër pranimit të refugjatëve, sepse simbas Kryeministrit hungarez, Viktor Orban, “Mwrgata myslimane ve në rrezik rrënjët e krishtera t’Evropës”. Ndërsa Papa Françesku urdhëron të gjitha famullitë evropiane të strehojnë nga një familje refugjatësh.
Siç shihet, kemi të bëjmë me kundërveprime emotive të çastit e jo me strategji e politika të menduara mirë e të miratuara, në nivel Bashkësie. Të shohim se cilët do të jenë vendimet e mbledhjes së kryetarëve të shteteve e qeverive të Bashkësisë më 14 shtator, por një gjë është e qartë. Problemi është shumë i mprehtë, më i vështiri që shtrohet sot në tryezat e Brukselit, sepse luftërat, diktaturat, keq qeverisjet dhe mjerimi e mungesa e shpresës do të shtyjnë drejt Evropës gjithënjë e më shumë njerëz nga Azia dhe Afrika.
Dukuria duhet mbarështuar me shumë përgjegjësi, për të pajtuar parimet me mundësitë reale të Evropës për t’u dhënë shpresë atyre që besojnë në të. Kriteret e caktuara duhet të jenë të studjuara mirë, të bazuara në llogari shkencore ekonomike e jo në sajime politikanësh në kërkim të votave, në një krah apo në një tjetër. Ata kritere duhet të kthehen në ligje të pranuara nga të gjithë shtetet, në përputhje me mundësitë që ka secili, e të zbatohen me të njëjtën ecuri kudo. Përndryshe Evropa do të ketë krisjet e saj, të cilat urojmë të mos kthehen në çarje që do të vinin në rrezik vetë qënien e saj.
Ka edhe një vështrim tjetër të problemit që, me pak fjalë, një djalë 13-vjeçar sirian, duke biseduar me një ushtar hungarez të kufirit, e shtroi thjesht e bindshëm. “Ndihmoni Sirinë, ndaloni luftën në Siri dhe ne nuk vijmë n’Evropë.”ishte kërkesa sa e arsyeshme aq edhe naive, sa e ligjëshme aq edhe e vështirë për t’u sendërtuar. Problemet e kundërshtive të interesave të ndryshme të shteteve e popujve, t’atyre politike, ekonomike, gjeostrategjike, etnike, tani së fundi edhe fetare që përdoren vënd e pa vënd, me pasoja shkatërruese, nuk gjejnë përgjigjet e duhura e të përshtatëshme, bëhen të pazgjidhëshme, duke u kthyer në luftëra me tragjedi të panumurta që sjellin, për më tepër mbi popullsitë civile. Politika botërore, shpesh herë, është në rolin e vëzhguesit pasiv, duke ruajtur interesat e ngushta të Vendit, të pjesës politike, të rrethit të ngushtë të cilit i përket, të lakmisë për pushtet. Ajo luhatet mes prirjeve ndërhyrëse e mos ndërhyrëse, pa gjetur çastin e përshtatëshëm për të kryer njërën apo tjetrën, madje shpesh duke i gabuar të dyja. Për të kryer zgjedhjen e duhur në kohën e duhur duhet jo vetëm kundërveprimi emotiv i çastit, por largpamësia e parashikimit të s’ardhmes, një dhuntí e rrallë e cila është ende më e rrallë, ndoshta e paqenë në fushën e sotme botërore të politikës. Kjo pavendosmëri, pasqyrë e mungesës së ideve e të kurajës, i krijojnë shtratin e ngrohtë atyre fuqive shkatërrimtare të qytetërimit tonë të përbashkët me përfundimet që shohim çdo ditë, në të cilët spikasin për forcën e tyre rrënqethëse Aylanët e ditëve tona…
Ndalimi i luftërave në Siri, në Irak, ku sot arqipeshkvi i Erbilit jep alarmin për rrezikun që i kërcënohet popullsisë së krishterë nga një pushtim i mundshëm nga ana e Kalifatit, por edhe në Libi, në Bririn e Afrikës, në Jemen, asgjësimi i t’ashtuquajturit shtet islamik, me të gjithë mizorinë e tij të pashembullt kundrejt njerëzve e trashëgimisë kulturore të botës, është detyrë ë parë e “aleancave” që drejtues të lartë të botës i valëvisin si triofe të “aftësive” të tyre ndërmjetësuese, duke sendërtuar pak ose aspak konkretisht.
Djaloshi sirian dhe milionë të tjerë si ai kanë varur një shpresë tek Evropa, tek parimet dhe idealet tona, për të jetuar në një botë më të mirë. Me hipokrizi dhe luhatje në ruajtjen e vlerave kjo shpresë nuk do të sendërtohet dhe n’atë rast do të kemi humbur të gjithë, sepse fatet tona në këtë botë, që bëhet gjithënjë e më e vogël, mbeten të lidhura e
Shtator 2015