BASHKIM ALUSHI : Ju tregoj se si realizova pikturat kushtuar Skënderbeut,Ismail Qemalit,FanNoli dhe Nënë Tereza/
Intervistoi per Dielli-n Fadil SHEHU/FLORIDA/
Piktori fierak Bashkim Alushi, anëtarë i akademisë së arteve europiane, njihet si një nga piktorët më të sukseshëm, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në rritjen e vlerave të reja të pikturës shqiptare.Teknikat e ndryshme në vaj grafikë dhe akrilik, janë vlerësuar dhe në ekspozitën e tij të hapur kohët e fundit në Itali dhe së shpejti ekspozitën vetjake në Kroaci.
Pyetje: – Bashkim, keni vite dashuruar me magjinë që të falë piktura. Si i kujtoni trokitjet e emocioneve të pikturave të para?
Pergjigje:- Padyshim që në vitet e fëminisë trokasin shumë pasione.Piktura tek unë starton pikërisht në këtë moshë, por që brenda meje u rrit dhe hodhi shtat gjatë gjithë ecurisë se jetës time.
Pyetje-Mendoni se kjo gjini ju ofroi qysh në vitet e shkollës se mesme, botimin e pikturave të para në disa organe të shtypit të kohës, madje të guxonit të hapnit dhe ekspozita?
Pergjigje: Vërtetë nuk e di. Vazhdimisht kam punuar duke arritur në vitet e para të shkollës së mesme ushtarake“Skënderbej”të botoj piktura me tematikë të ndryshme në organe të shtypit, kryesisht në gazetat“Drita”,“Zëri i Rinisë”,“Luftëtari”dhe revistën“10 Korriku”.
Pyetje: Po ekspozita e parë, ju kujtohet kur e keni hapur?
Pergjigje:- Ekspozita e parë mbetet për mua një nga evenimentet më të veçanta në jetën time.Në vitet studentore kur studioja në degën topografi, u përfaqësova para publikut kryeqytetas me ekspozitën time të parë, e cila u hap në sallën e galerisë së arteve, në pallatin e kulturës në Tiranë.
Pyetje:- Shpesh herë jeni shfaqur me punime në peisazh, portret dhe kompozicion.Në cilën prej gjinive të këtij trinomi ndjeheni më mirë?
Pergjigje: Mendoj se të treja këto kanë qenë bashkëudhëtare në ecurinë e udhëve në krijimtarinë time. Pothuajse në të gjitha ekspozitat e çelura në nivele lokale e kombëtare si dhe konkurse të organizuara nga galeria kombëtare e arteve, jam paraqitur me punime në peisazh, portret dhe kompozicion, të cilat edhe sot janë të dashura për mua.Më vjen mirë që ky trinom vazhdon të jetoj prej vitesh si një trup i vetëm.
Pyetje:- Ju keni hapur disa ekspozita personale dhe ekspozita me bashkëautor jashtë vendit. Cili ka qenë reagimi dhe vlerësimi nga ana e artëdashësve të huaj?
Pergjigje: Do të veçoja ekspozitën personale në qëndrën “Galiko Institut”në Athinë, ekspozitën në “Palazzia Camarda” në Fiera Dela Pesca në Romë, duke mos harruar këtu vlerësime maksimale nga mjaftë artëdashës, teksa ndiqnin me kureshtje punimet, si dhe ekspozitat kolektive në Slloveni, Belgjik, Greqi, Zvicër dhe Kosovë.
Pyetje: Jeni ndër piktorët më të veçantë në lëvrimin me sukses të gjinisë së portretit.Si jeni ndier kur keni punuar nga afër pertretet e Dritëro Agollit,Kadri Roshit,Liri Belishovës,Rexhep Qosjes,Mevlan Shanaj…
Pergjigje: Padyshim që ndjen një kënaqësi por njëherësh obligim të veçantë për këta njerëz, të cilët nga të gjithë njihen si “ikona” që i kanë shërbyer me devotshmëri çështjes shqiptare në Shqipëri dhe kosovë, popujt e të cilave prej vitesh kanë qenë të diskriminuar nga regjimet totalitare.
Pyetje: Në qytetin e Ankonës në Itali ju keni hapur një ekspozitë me portrete që i kushtohet grave që luftojnë për liri e pavarësi, midis tyre portrete të nënave shqiptare dhe kosovare,Nënë Terezës,Emma Bonino, zvëndëse presidente e Senatit italin, E.Bonino, presidente e shoqatës “Qytetare të botës”, Mimoza Ahmetaj, si personalitete të njohura me vlera kombëtare e botërore. Si është vlerësuar nga publiku italian kjo ekspozitë?
Pergjigje: – Mendoj se çdo njera prej këtyre veprave mbart në vetvete motive të fuqishme emocionale dhe shpirtërore si bamirësja e çmimit “Nobel” Nënë Tereza, gruaja e betejave politike Emma Bonino. Në pah del fisnikëria e nënës shqiptare e cila merr një kult të veçantë emocional, ku shprehen dhimbje, krenari dhe lot, duke veçuar këtu, motivet e hidhura të vitit të zi 97, dhe nënat e përlotura kosovare nga gjenocidi i egër Serb.
Pyetje: Krijimet tuaja dallohen për cilësi të lartë artistike.Çfarë mesazhi sillni nëpërmjet kompozicionit kryesisht në pikturat kushtuar Skënderbeut,Ismail Qemalit,Fan Nolit, Nënë Terezës dhe figurave të tjera të shquara shqiptare?
Pergjigje:- Mendoj se këto figura të spikatura duke mos harruar punimet e ndryshme, janë vlerësuar nga auditori shqiptar dhe i huaj,për nivel të lartë në zbërthimin psikologjik të individit,duke ndërtuar karaktere të fuqishme, të cilat në vetvete mbartin forcë,vitalitet dhe jetë.
Pyetje: Zoti Bashkim, në çdo krijim të përfunduar nënshkruani autorësinë tuaj, përse tek portreti i shkencëtarit dhe artistit Enriko Veizi, nuk e keni bërë një gjë të tillë?
Pergjigje: Është portreti më i veçantë dhe i vetëm që unë e kam bërë një gjë të tillë. Portretin nuk e firmosa, por e lashë ashtu të bardhë, ku me shkronja të padukshme janë shkruar emrat e të gjithë atyre që do të kishin dëshirën të portretizonin atë. Pra unë dëshiroja të mbetesha anonim. Po, unë e kam bërë Rikun, unë e modelova portretin e tij nga vetë mëndja ime, si obligim për të gjithë ata që jetojnë përjetësisht. Për ata që nuk vdesin kurrë. Po unë bëra detyrën time si krijues, për mikun tim, për njeriun fisnik, njeriun e shquar ENRIKO VEIZI.
Pyetje:- Krahas“vallëzimt”të penelit prej afro 40-vjet në gishtërinjtë tuaj, pasioni rend dhe drejt përdorimit të spatullës.Çfarë cilësi të veçantë zotëroni në spatull, që krijesa juaj bëhet e besueshme tek auditori?
Pergjigje:- Në lëvrimin pafundësisht në grafikë dhe pikturë, gjatë gjithë jetës në karrierën time qëndron përdorimi i spatullës,e cila brenda vetes mbart energji dhe frymëzim ekspresiv.Gjithëçka ideoj, mundohem ti shpreh nëpërmjet frymëzimit.
Pyetje:- Cili publik ju ka vlerësuar më tepër në ekspozitat e hapura gjatë viteve të fundit?
Pergjigje:- Patjetër publiku shqiptar, sepse si “zot shtëpie” ai të vendos notën që ti meriton.
Pyetje:- Ç’është arti i pikturës për ju?
Pergjigje:Piktura është natyrë,është qiell,është oqean. . .është jetë.
INTERVISTOI: FADIL SHEHU
Florida, Korrik 2018