• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FALSIFIKATORI I I HISTORISË

April 10, 2014 by dgreca

Nga Uran Butka/

Kristo Frashëri, i cili për gjysëm shekulli e politizoi dhe  skajshëm historinë e Shqipërisë, sidomos atë të Pavarësisë e të  Luftës së Dytë Botërore( aq sa edhe vetë regjimi hoxhist  e dënoi për falsifikim të dokumenteve e të ngjarjeve), në vend që të kërkojë falje për dëmet e shkaktuara në këtë fushë të qenësishme të kombit dhe të përpiqet të ndreqë diçka nga glorifikimi apo nga përbaltja, vazhdon edhe sot e kësaj dite të njëjtën gjë, tashmë jo duke paraqitur dokumente dhe interpretime të tyre, por përmes kujtimeve të hamendësuara, të cilat bijen ndesh me të vërtetat historike, mirëpo që janë në sinkron të plotë me delirin, iluzionin dhe egocentrizmin e tij, sikur ai vetë, ka qenë në qendër të veprimeve antifashiste kur ishte student dhe  të luftës nacionalçlirimtare,  dhe sikur fjala e tij të jetë fjala e fundit që i vë vulën historiografisë shqiptare!

Historia nuk bëhet me “kujtime”, as me trillime e falsifikime, siç përpiqet pseudo-historiani Kristo Frashëri, por me dokumente dhe trajtesa shkencore mbi bazën e tyre. Në shkrimin e gjatë “Shoku Qemal Stafa na porositi nga burgu që të bënim rezistencë”, botuar para dy ditësh, Kristo Frashëri rreket të hamendësojë, në mungesë të dokumenteve, se ishin komunistët ata që organizuan protestat e para antifashiste dhe nisjen e rezistencës kundër pushtimit italian, se “shoku Qemal Stafa na porositi nga burgu që të bënim rezistencë”. Cili është dokumenti? Me letër apo me gojë ju porositi nga burgu Qemal Stafa? Kujt ia dërgoi porosinë? Në të vërtetë nuk ekziston një dokument i tillë. Kristoja thotë se na i dërgoi “neve” porosinë, duke nënkuptuar vetë nxënësin e gjimnazit Kristo Frashëri  dhe ndonjë tjetër anonim. Dhe këta, mbasie e morën porosinë, organizuan demonstratat e protestat në qytetin e Tiranës nga data 4-6 prill 1939 !?

Nga ana tjetër, duke e ditur mirë se kush i nxiti dhe kush i drejtoi protestat e studentëve dhe të qytetarëve të Tiranës ( sepse janë dokumentet), Kristo Frashëri përpiqet përmes “kujtimeve” të tij, të tjetërsojë të vërtetën, për të nxjerrë veten, nxënësin tjetër Isuf Keçi e ndonjë nxënës tjetër anonim ( një nxënës, një djalosh, dikush nga nxënësit, një zë tjetër, etj ) të cilët paskan nxjerrë studentët e gjimnazit në protesta dhe i kanë drejtuar ato. Me këtë rast, edhe një herë ai, mundohet të mohojë, duke mashtruar, rolin e drejtorit të gjimnazit shtetëror, Safet Butkes dhe profesorëve antifashistë në këto protesta: Sotir Papakristo, Vasil Andoni, Mehmet Vokshi,Perikli Mborja e   të tjerë . Kristo Frashëri thotë në shkrimin e tij të cituar se “drejtori Safet Butka na pengoi neve nxënësve për të bërë demostratën”. Në cilin dokument e mbështet ai këtë hamendësi? Në asnjë dokument dhe në asnjë dëshmi. Po të ishte ashtu, përse do ta arrestonin dhe do ta internonin fashistët italianë?

Po e vërteta është krejt ndryshe. Ishte drejtori i gjimnazit Safet Butka dhe profesorët e tjerë antifashistë, që ndërprenë mësimin dhe nxorrën studentët në demonstrata kundër qeverisë, që heshtëte dhe kundër pushtuesve italianë.

Në ditarin me titull ”Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun” të Mirash Ivanajt, antifashist dhe themelues i arsimit kombëtar shqiptar, që gjindet në Arkivin e Shtetit, shkruhet tekstualisht:

 “E martë, 4 prill 1939.

Edhe sot, të tanë ditën dhe natën, deri pas mesnatës, shfaqjet e popullit ndoqën njena-tjetrën… Ke nxanësit e shkollave të mesme, të primun prej Safet Butkës, gjakut trimosh e dëshmorësh, po pasqyrohen Shqipnia dhe populli shqiptar… Për këto shfaqje të popullit thuhet se, edhe sot, ministri i Italisë i asht ankue qeveris sonë, për të cilën nuk dihet çka ban dhe çka mendon. Radio dhe fletoret heshtin…E vërteta asht se qeveris nuk poi  pëlqejnë aspak shfaqjet, qi, pa reshtun, po zhvillohen me bujë gjithnji e ma shurdhuese…”[1] (AQSH, Fondi 836, D.17)

Në dokumentin e arkivave italiane, thuhet tekstualisht

“R.Kuestura Tirana

24.04.1939

ELEMENT STUDENTOR

Na sinjalizohet përsëri qëndrimi i ftohtë dhe veprat penguese, që profesorët e gjimnazit të Tiranës përmbushin nëpërmjet nxënësve të tyre vartës.

Tashmë është e ditur që disa prej tyre ( prof. Butka dhe prof.Papakristo) i kanë këshilluar të rinjtë që të mos përshëndesin sipas mënyrës fashiste.

Mësuesit që dallohen për ndjenjat kundërshtare ndaj italisë, janë: Safet Butka, gjimnaz, Mehmet Vokshi, gjimnaz, Perikli Mborja, gjimnaz dhe prof. Papakristo, ish-Instituti “Nana Mbretneshë” (AQSH, Fondi 295, D.565, v.1939 fl,1)

 Janë nxënësit e tjerë të Safet Butkës, dëshmojnë të kundërtën e Kristo Frashërit.    

Prof. Besim Daja, arkitekt injohur, pjestar i Luftës NÇ, shkruan:“Periudha para pushtimit fashist ka qenë një nga më të shquarat e shfaqjes së nacionalizmit shqiptar. Në këtë kohë, gjimnazi Shtetëror i Tiranës u bë një nga vatrat më të rëndësishme të patriotizmit, të luftës kundër pushtimit të huaj dhe më pas, të rezistencës antifashiste. Drejtori i gjimnazit, Safet Butka dhe disa profesorë të tjerë gati e ndërprenë mësimdhënien sipas programeve, duke i zëvendësuar ato me temën e ditës “Atdheu në Rrezik!”. Më kujtohet fare mirë dhe e kam parasysh si tani, kur drejtori hynte në klasë i vrenjtur, pa regjistër dhe me “Lahutën e Malcis” nën sqetull. Me zërin dhe gjestet sit ë Aleksandër Moisiut, me fjalën poetike dhe profetike dhe me forcën e interpretimit të vet, professor Butka na trondiste shpirtin dhe na bënte të na rridhnin lotë në heshtje… Këto mësime të vyera të Butkës, e bënë punën e tyre. Gjimnazi ynë gumëzhinte brenda dhe jashtë. Pakënaqësia dhe revolta e nxënësve shfaqeshin sheshit. Pikërisht, në ato ditë, erdhi me ngut në shkollën tonë ministri i Brenshëm, Musa Juka, i cili desh t’u imponohej drejtorit dhe studentëve. Mirëpo, Safet Butka e kundërshtoi hapur dhe gjendja u acarua më shumë. Ne, as u gënjyem, asnuk u trembëm, por me drejtorin dhe me profesorët më të vendosur në krye, vërshuam për disa ditë rresht nëpër rrugët e Tiranës në demonstratë të fuqishme me thirrjet: “Duam armë! Duam armë!”

Ish-nxënësi tjetër i gjimnazit të Tiranës, Alfred Kazanxhiu, ish-partizan i Brig.IV, vëlla dëshmori, në shkrimin “Njerëzit duhet të dinë të vërtetën”, thotë: “Në vitin shkollor 1938-1939 kam pasur drejtor të gjimnazit të Tiranës, Safet Butkën… Janë të paharrueshme për mua dhe shokët e mi ditët e manifestimeve studentore kundër pushtimit fashist. Frymëzuesi dhe drejtuesi i tyre ishte drejtori Safet Butka…Më datën 4 prill në mbrëmje, ne konviktorët morëm pjesë në shfaqjen “Vdekja mbi flamur” që u organizua enkas në kinema “Gloria”. Kishte edhe studentë të shkollave të tjera, profesorë e qytetarë. Pas shfaqjes dolëm në rrugët e Tiranës. Konviktorët ishin të gjithë. Na kishte dhënë zemër takimi me drejtorin disa ditë më parë në konvikt si edhe drama patriotike e Vincens Prendushit. Në krye ishin studentët e klasave më të larta si Teli Ndini, Hadi Kasimati, Islam Kadesha, Jup Jella, Ibrahim Dakli, Besim Daja, Bardhyl Pojani, Vasil Biçaku, Pirro Dodbiba, Murat Angoni e të tjerë…Protestuam në rrugë përpara ministrive dhe përpara legatës italiane me thirrjet : “Larg duart nga Shqipëria!” dhe këngën “Sa të rrojë gjithësia / do të rrojë Shqipëria…”. Ditën tjetër, pas mësimit do të delnim sërish në protesta, por nëndrejtori i konviktit, Namik Resuli, kishte vënë roje te porta dhe na urdhëroi të mos dilnim, perndryshe do të përjashtoheshim nga konvikti. Menjëherë erdhi Safet Butka, që bëri fjalë me nëndrejtorin dhe na lejoi të dilnim bë demonstratë. Ajo që neve na entusiazmoi ishte se Safet Butka erdhi me ne në protestë. Këtë herë  manifestuam edhe përpara pallatit mbretnor…Pjesa më e madhe e studentëve rrëmbeu armët dhe luftoi për çlirimin e Shqipërisë. Edhe unë dola partizan në Brigatën III, dhe batalionin IV dhe luftova kundër pushtuesve. Më 5 maj 1944 u plagosa ne Çalebërzeshtë. Edhe vëllai im, Koço Kazanxhiu, fali jetën për atdheun. Tani jam te të tetëdhjetat dhe meraket e mija për Shqipërinë janë të mëdha. Një nga këto merake është edhe ky : njerëzit duhet të dinë të vërtetën për Safet Butkën!” (A.Kazanxhiu, 28 nëntor 2002)

Veprimtarinë kundërfashiste, Safet Butka e vazhdoi edhe në gjimnazin e Shkodrës.  Ish-nxënësi i tij, Sitki Bushati, mjek dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, pjesëmarrës në Luftën NÇ, shkruan: “Unë isha nxënës i gjimnazit të Shkodrës, kur erdhi profesor Safet Butka. Ishte viti shkollor 1939-1940. Në klasën tonë e shoqëroi drejtori, i cili na e paraqiti si profesor të shqipes…Mbas një heshtjeje të gjatë, ai na pyeti:

–         A e dini që jemi një vend i pushtuar?

–         Po, iu përgjigjën disa.

–         A e dini që Shkodërlokja dhe ju nuk jini më të lirë?

–         Po.

–         Atëherë, ç’prisni?

Lëvizën bangat, sikur krisën eshtrat dhe ne u gjindëm më këmbë. Mua më vlonte gjaku dhe më rrihte zemra. Isha gati të dilja jashtë dhe t’u hidhesha fashistëve në fyt…Por profesori na tha se duhet të organizoheshim. Dhe kështu bëmë. Në krye të demonstrartave antifashiste në Shkodër ishin profesorët Safet Butka, Preng Kaçinari, Tahir Shkreli etj.”

Po le t’u kthehemi dokumenteve:

Në dok.e policisë Shkodër, dt.6.04. 1940, shënohet nga organizatori i policies Luigi Battalia:       

  ”I internuari politik , profesori i gjuhës shqipë, Safet Butka,  një nga përgjegjësit kryesorë të manifestimeve studentore të verifikuara në Shkodër, duke u demonstruar kështu një element i rrezikshëm për rregullin e sigurinë publike”.( AQSH F>253, D31/5, v.1940)

      Në dokumentin tjetër “Manifestimet dhe sfondi politik në Shqipëri”, 0985 J, dt.10.04.1940, ndër të tjera shkruhet:”Në demonstratën e 28 nëntorit profesori Shkreli ishte në korent të githçkaje.. Për demonstratën e datës 30.01.1940 ka punuar shumë gjithashtu edhe drejtori i postë-telegrafës…Në këtë lëvizje bëjnë pjesë edhe profesorët Butka dhe Taho Shkreli…” (AQSH, F.253, D.31 v.1940)

Për pjesëmarrjen aktive në demonsratat antifashiste më 28 nëntor 1939 dhe 30.01,1940, Safet Butka, i cilësuar në dokumentet e kuesturës italiane si një nga drejtuesit kryesorë të manifestimeve studentore në Shkodër, u arrestua më 5.02.1940 dhe u intenua në Ventotene të Italisë për tre vjet.( AQSH F.253, d.31/5 v.1940)

Falsifikatori i historisë, Kristo Frashëri, mohon edhe rolin e Mehdi Frashërit në kundërshimin e agresionit fashist dhe gënjen kur shkruan: “Ish-kryeministri i Zogut, Mehdi Frashëri, me fraza të errëta dhe me pozë politikani, filloi të na fliste me një gjuhë diplomatike pa kripë, fjalë tërë flluska, të cilat njeriu sapo i dëgjon i harron se nuk lënë asnjë mbresë…”

Ndërkohë që e vërteta historike e njohur botërisht është që deputeti i Parlamentit shqiptar, Mehdi Frashëri,  e ngriti zërin fuqishëm në mbledhjen e posaçme të Parlamentit të datës 6 prill, ku u  kundërshtua  agresioni Italian, si edhe në mëngjesin e datës 7 prill 1939, kur u dha lajmi se anijet luftarake italiane mbërritën në Portin e Durrësit, Mehdi Frashëri shkoi në Radio-Tirana dhe që andej iu drejtua gjithë popullit shqiptar duke i bërë thirrje që të ngrihej me armë kundër pushtimit fashist. Gjatë atij fjalimi, i cili u ndoq me interes të madh brenda e jashtë Shqipërisë, Mehdi Frashëri e quajti Musolinin dhe trupat e tij “Atila oksidental, modern dhe i motorizuar, që sulmon një vend independent, anëtar të Lidhjes së Kombeve”.

Pas atij fjalimi patriotik, Mehdi Frashëri i kërcënuar, kërkoi strehim politik në   Legatën turke në Tiranë, por autoritetet pushtuese italiane e nxorrën forcërisht nga Legata dhe  e  internuan  në Itali në kampet e përqendrimit, ku ai qëndroi deri në vitin 1943.

Pseudo-histotiani Kristo Frashëri mohon edhe faktin e dokumentuar tanimë se në Durrës majori Abaz Kupi, në krye të një pjese të vogël të ushtrisë shqiptare, u bëri qëndresë me armë në dorë pushtuesve, ku vra edhe kapteri Mujo Ulqinaku. Po ashtu, në Vlorë nacionalistët me Hysni Lepenicën e Skënder Muçon në krye, luftuan me armë kundër italianëve,  në Sarandë ushtaraku Nazif Mero me një grusht njerëz luftoi trimërisht. Në Shkodër, te ura e Bahçallëkut, shkodranët i pritën po me armë këmishëzinjtë.

Ndërsa Lec Kurti, përfaqësuesi i shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, më pas  ambasador i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, nga Radio Londra protestoi kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Zëri i Lec Kurtit ishte zëri i parë dhe i vetëm në Evropën e asaj kohe, kur zërat e tjerë të politikës evropiane heshtën. Gjithashtu, Lec Kurti bashkë me Miss Durhamin, mbrojtësen e madhe të Shqipërisë dhe miq të tjerë të Shqipërisë në Londër, protestuan përpara Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe kundër agresionit ushtarak fashist ndaj një vendi anëtar i Lidhjes së Kombeve.

Filed Under: Analiza Tagged With: falsifikator i Historise, Kristo frasheri, Uran Butka

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT