• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PREKAZI DHE KULLAT E JASHARAJVE, VENDI NGA MARRIM TRIMËRINË…

March 7, 2020 by dgreca

-Kryeministri Kurti: Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë, guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tone/

PRISHTINË, 6 Mars 2020-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, që u mbajt në kuadër të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”. 

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

 “I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari. I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë, e shkolla në emrin e tyre. I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:  

Sot është dita e dytë e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E filluam me një orë mësimore në të gjitha shkollat e vendit në mënyrë që fëmijët e Kosovës të mësojnë për çmimin e lirisë së saj; e mbajtëm seancën solemne në institucionin më të lartë, në Kuvendin e Republikës; e vazhduam me parakalimin e ushtrisë sonë; bëmë vizita e homazhe në Kompleksin Adem Jashari; dhe, tani jemi këtu, në këtë akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar, Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënëve për liri.

Mënyra se si ne i kujtojmë të rënët për liri tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë.

Liria jonë i ka rrënjët te dëshmorët e kombit, tek gratë dhe burrat që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë tonë, e mbi të gjitha, nga Jasharajt. Neve duhet të mirëmbajmë trungun që del prej këtyre rrënjëve e që është shteti, degët që dalin prej trungut e që janë institucionet e organet shtetërore, gjethet që bëjnë kurorën e pemës e që janë partitë politike dhe organizatat e ndryshme në vend, kurse frutat janë mirëqenia që duhet të ndahet, shpërndahet e rishpërndahet te qytetarët e vendit tonë.      

Sot kujtojmë Jasharajt e Prekazit, por bashkë me ta edhe të rënët nga secila pjesë e vendit sepse ata erdhën nga secila anë dhe dhanë jetën për çdo cep të këtij vendi.

I kujtojmë duke u mësuar fëmijëve në shkolla emrat e heronjve sikurse Adem Jashari e Hamëz Jashari.

I kujtojmë duke i veshur në bronz, duke emëruar sheshe e rrugë e shkolla në emrin e tyre.

I kujtojmë duke mësuar për historinë e tyre, të kaluarën e tyre, për familjet dhe jetën e tyre, duke mësuar e kuptuar se çfarë i shtyri që të jepnin gjithçka nga vetja për vendin tonë të përbashkët.

I kujtojmë kur pyesim familjarët e të afërmit e tyre se çfarë shikimi kishte Ademi, çfarë e mërziste e çfarë e gëzonte atë, se cilat këngë i kishte qejf t’i dëgjonte e cilat i këndonte edhe vetë, apo si tingëllonte zëri i tij kur qeshte, çfarë ëndrra kishte ai po të mos ishte i predestinuar për komandant,.. Jemi aq shumë kurreshtar për atë që pak e njohëm të gjallë, dhe që s’ka të gjallë sot që nuk e njeh.

Në një nga intervistat që ka dhënë Besarta Jasharaj ku rrëfen për tmerrin që ka përjetuar në ato tre ditë të qëndresës heroike thotë se: “Hera e fundit kur e kam pa babushin ka qenë ky vend, e kam pyet se çka është ka bahet, çka është gjithë kjo zhurmë, ai na tha hini mrena edhe ma nuk e kam pa, veç kur e kam ndi zanin e tij duke kënduar”.

Kur bombat e plumbat ranë mbi shtëpitë e Jasharajve, Hamza e Ademi kishin marrë këngën dhe po këndonin me zë të lartë për të mundur zhurmën e krismave që po frikësonin fëmijët.

Besarta mbijetoi për të treguar. Mbijetoi për të na shërbyer si kujtim i gjallë se sa shumë ju kemi borxh Jasharajve dhe familjeve të të rënëve për lirinë që e gëzojmë sot.

E Bashkimi, edhe ai mbijetoi për të treguar, por edhe për të shpëtuar tjetrin. Ai çau rrethimin me 5 mars për të ndihmuar shtëpinë e familjen fqinje të Jasharajve që ishte njësoj nën rrezik të madh me dy pleq brenda e të cilët më pastaj shpëtuan.

Para më shumë se 300 viteve, i pari i familjes Jashari (nga sa mbahet mend), ishte Murati i cili shkon „asqer“ në Pleme të Vogël, në vend të vëllait të vet i cili ishte më i dobët fizikisht. Prej aty nuk kthehet kurrë më.  E len djalin e vetëm të vogël Fazliun, i cili rritet nga axha i tij. Që prej Muratit i cili nuk kthehet, te Baca Rifat që na e rikthen Muratin profesor dhe Fazliun student, e deri te emrat e ripërtërirë të Shabanit, Zahides, Zarifes nga Murati, të Ademit nga Lulzimi kolonel, të Hamzës nga Bekimi kryetar i Skënderajt, e deri të Igballit nga Bashkimi gjeneral, e dimë që kemi të bëjmë me me një familje të fortë, aq të fortë, saqë të fortë për gjithë neve.

Shtylla e fortë e kësaj familje emblemë, gjithsesi ishte baca Shaban Jashari, i cili krahas rritjes së 8 fëmijëve, ishte mësues e veprimtar, ish i burgosur politik e luftëtar çlirimtar.

Ka një episod të zakonshëm për Bacën Shaban e fascinues për të tjerët që e lidh Bacën Shaban me nipin e tij Lulëzimin. Në vitin 1995, Luli arrestohet e mbahet rob nga policia serbe. Policia e Serbisë frikësohej t’i afrohej kullës së Jasharajve dhe e thërret Bacën Shaban për bisedime, për negociata, siç thuhet sot. I thonë, nëse e don djalin të gjallë na e dorëzo armatimin. Pra, shpëto nipin e dorëzo pushkët! Baca Shaban ju përgjigjet: mbajeni Lulin, s’e japim armatimin, Lula kemi boll. Sot, e kemi këtu Lulëzim Jasharin, por e kemi edhe armatimin e FSK-së, dy gjëra këto që sërish i lidh Baca Shaban.   

Prandaj, sot, të dashur pjesëmarrës të këtij tubimi, nuk mjafton që vetëm të ngremë flamurin, të mbajmë një minutë heshtje, të vejmë kurorat apo të thurim vargje të bukura që të konsiderojmë se puna jonë mbaron këtu.

Ne nderojmë e lartësojmë punën dhe idealin e tyre, kur në jetët tona ne punojmë vazhdimisht e pa u ndalur për të avancuar lirinë dhe demokracinë, mirëqenien dhe bashkimin, barazinë dhe drejtësinë, mbrojtjen dhe sigurinë, ideale për të cilat ata dhanë jetën.

Si qeveri, ne do të marrim përsipër zbatimin e duhur të Ligjit për Kompleksin Memorial Adem Jashari.

Prekazi dhe Kullat e Jasharajve janë vendi prej nga ne marrim trimërinë dhe guximin dhe frymëzimin për të punuar dhe ndërtuar vendin tonë.

Kullat janë në gjendje të rëndë dhe kërkohet trajtim serioz dhe profesional për të ruajtur dhe mbrojtur kompleksin Adem Jashari.

21 vjet pas, vitin që shkoi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për vrasjen e familjes Jashari.

E kemi për obligim e detyrim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, e për të cilën familja Jashari dha gjithçka që të kërkojmë drejtësi pa u ndalur jo vetëm për ata.

Të ardhmen do ta ndërtojmë jo duke e harruar a rrafshuar të kaluarën tonë, por duke kërkuar drejtësi për neve. Për neve që jemi dhe për ata që nuk janë veçse fizikisht me neve.

Askujt nuk i kemi borxh që t’i kërkojmë falje pse na kanë vrarë në vendin tonë e në të drejtën tonë.

Vetëm drejtësia dhe kërkim falja garantojnë paqen e qëndrueshme.

Është në detyrën tonë të kujtojmë jetën dhe veprën e tyre, të mbajmë gjallë kujtimin për ta duke kryer detyrën tonë të shërbimit mbi bazën e idealit të tyre.

Para 22 vjetësh, unë mbaj mend shumë mirë kronologjinë e ngjarjeve të asaj kohe. Më 28 shkurt, masakrat në Qirez dhe Likoshan, më 2 mars është demonstrata më e fuqishme e vitit 1998 në Kosovë, që mbahet në Prishtinë, më 5, 6 dhe 7 mars janë Epopeja e UÇK-së, më 9 mars është demonstrata më masive në Kosovën e vitit 1998. Pra, nuk e flas kronologjinë për të relativizuar rëndësinë, mirëpo Epopeja e UÇK ndodhej midis demonstratës më të fuqishme dhe demonstratës më masive. Pas Epopesë së UÇK-së, Ushtria e Çlirimtare e Kosovës merr hovin vendimtar.

Më  9 mars nuk kishte shqiptarë të ulur. Ishte një popull në këmbë. Dhe, për më tepër, deklaratat e Grupit të Kontaktit për nga gjuha dhe përmbajtja ndryshojnë përgjithmonë në favorin tonë.

Jemi përherë krenarë e çdoherë mirënjohës për sakrificën e Jasharajve, përulemi para veprës së tyre dhe familjeve të tyre.

I kujtojmë ata, të rënët, që t’ia përkujtojmë vetes ngritjen.

Lavdi Jasharajve dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve e martirëve të kombit.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Familja Jashari, Prekazi

KOSOVË – LIRI E PËRJETSHME NË PREKAZ

March 6, 2019 by dgreca

1 Refat Jashari

NGA BEHLUL JASHARI/* 

1 Behlul

Dëbora, si një bardhësi paqeje, e ka mbuluar Prekazin, fshatin i cili 12 vjet më parë, më 5 mars 1998, u përball me egërsinë e makinerisë luftarake serbe kundër shqiptarëve, familjes së Jasharajve të fortifikuar në kulla për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe Kosovën.

1 vajzat flamuri

Mbi kullat legjendë valëviten dy flamuj kombëtar shqiptarë si në majën më të lartë të botës, të lavdisë, heroizmit, të sakrificësës e flijimit për liri. Flamuri kuqezi valon edhe lart në një kodrinë, ku prehen në amshim 60 heronj e dëshmorë të rënë në epopenë e Jasharëve, Prekazit, Drenicës, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Pranë varrezave memorial, ngritur me mermer të bardhë, qëndrojnë në nderim të përhershëm ushtarët e forcës kosovare.1 Prekazi me Flamuri

Ky është imazhi i parë nga Prekazi në prag të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Historia tregon se Jasharajt e Prekazit janë sulmuar tre herë. Sulmi i parë ishte më 30 dhjetor 1991, ndërsa i dyti më 22 janar 1998. Të dy herët sulmuesit u thyen dhe zmbrapsën para qëndresës heroike.

Sulmi i tretë i forcave serbe ishte ushtarako-policor, luftë kundër një familje.

Gjatë rezistencës, më 5, 6 e 7 mars 1998, plot tri ditë e dy netë, ranë heroikisht 20 anëtarë të familjes Jashari, prej 22 që ishin në rrethimin e forcave serbe. Ndër të rënët ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Shpëtoi djali i dytë i Rifatit, Bashkimi, dhe vajza e Hamzës, Besarta. Ndërsa në familjen e gjerë Jashari kanë rënë 56 dëshmorë. Mes tyre nëntë fëmijë dhe disa të moshuar deri 93-vjeç…

Kryefamiljari Rifat Jashari, në odën e tij kujton si i ka përjetuar ato ditë dramatike, i ndodhur atëherë jashtë vendit, në Gjermani, bashkë me të birin, Muratin dhe Lulëzimin e Bekimin, djemtë e Ademit dhe Hamzës.

“Do mbesim veç ne katër, pata thënë atëherë, atë ditë që ka krisë në Prekaz…”, thotë Rifati, i cili tregon se kishte bërë telefonata të shumta në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Skënderaj… dhe kishte marrë versione të ndryshme për luftën e familjes së tij në Prekaz.

“Të vertetën drejt ma tregoi vetëm Sabit Istogu, që ishte shok i Hamzës”, vazhdon Rifati rrëfimin . “Rash në lidhje me Sabitin…Edhe m’u drejtua: Bac, kullat po i bombardojnë. Jemi në rreth të hekurt, tank pas tanku”.

Baca Rifat e vazhdon rrëfimin, flet për përtëritjen e familjes dhe të jetës, për njëmbëdhjetë fëmijtë e lindur pas zjarrit të madh të luftës, të cilët mbajnë emrat e të rënëve.

“Shpëtuan dhjetë anëtarë të familjes. Prej dhjetëve numri shkoi në 25. Që dy orë isha duke luajtur me fëmijët nëpër oborr… E çka po do pasuri më të madhe. Unë për veti pasuri më të madhe nuk di. Njëmbëdhjetë fëmijë i ka falë zoti, cilin ta kqyrësh më i shëndoshë se shoqi”.

Njeriu i familjes që ka dhënë 56 heronj e dëshmorë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, thekson nderimin e madh e të gjithmonshëm të kombit.

“E falënderoj këtë popull, prej të gjitha viseve shqiptare, kudo që jetojnë, që kurrë nuk ka lënë vetëm…”, thotë Rifati.

Dhe, në veçanti, kryefamiljari i Jasharëve flet për Shqipërinë.

“Nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, e më duket edhe nga secili fshat i Shqipërisë, kanë ardhë në këtë odë për të na uruar kur Kosova shpalli pavarësinë. Kanë ardhur edhe shumë herë të tjera…”

Rifati i Jasharëve të Prekazit kujton me shumë mirënjohje ndihmën e gjithmonshme të Shqipërisë për Kosovën edhe në kohët më të vështira të luftës, kur strehoi shumicën e rreth një milion shqiptarëve të dëbuar. Nuk thotë kosovarëve, se “komb kosovar s’ka”.

“Po mos të mos ishte shteti amë nuk e di ku do ishim sot. E gjithë Shqipëria i priti vëllezërit e motrat nga Kosova”.

Ai vlerëson lart të gjitha angazhimet e shtetit shqiptar, edhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë, edhe tani me mbështetjen e diplomacisë shqiptare drejt njohjeve të reja.

Nga oda e Jasharëve në Prekaz Baca Rifat jep mesazhin se Kosova, edhe udhëheqësit e saj, edhe të gjithë, duhet të punojnë edhe më shumë për Kosovën e kombin.

“I lumi është ai që punon për komb të vet, për vend të vet…”, thotë ai.

Ai jep edhe mesazhin për unitet të shqiptarëve kudo që janë për çështjet madhore, për bashkëpunim mes partive, pozitës dhe opozitës.

Kryefamiljari tregon se në Prekaz dhe në odën e Jasharajve vizitorët e shumtë janë nga gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina ePreshevës, Mali i Zi e nga shumë anë të botës, mes tyre edhe personalitete të njohura.

Ndërsa, ciceroni i Kompleksit Memoral në Prekaz, Xhevat Imeri, thotë se gjatë 11 vjetëve të pasluftës ka patur më shumë se tetë milionë e gjysmë vizitorë.

Ndër personalitetet më të larta që kanë vizituar Prekazin është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha në vizitën e parë më 16 qershor 2006.

“Vizita në Prekaz është vizita në tempullin e lirisë, flaka e të cilës këtu nuk u shua kurrë. Është vizita në vendin, në shtëpinë e tribunit të lirisë, komandantit legjendar të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri, dinjitet njerëzor, nder, dinjitet kobëtar. Në Prekaz janë themelet e lirisë së Kosovës. Në veprën e Adem Jasharit e familjes së tij, familje që sakrifikoi sa asnjë tjetër në historinë e kombit, për lirinë e Kosovës, mbetet flaka, mbetet simboli i madh i shpresës, i besimit të shqiptarëve tek një e ardhme e shkëlqyer”, u shpreh atëhere Kryeministri Berisha, duke shprehur bindjen se kombi shqiptar në liri do të ndërtojë të ardhmen më të shkëlqyer, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Në Prekaz ishte edhe kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner.

“Dua ta them një të vërtetë të madhe, Prekazi lëvizi të gjithë mekanizmat botërorë që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur Çmim Nobel për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari”, ka theksuar Kushner, cituar në një nga librat në muzeun e kompleksit memorial.

Ndërsa, mijëra e mijëra vizitorë në Prekaz kanë shkruar e kanë firmosur në librin e përshtypjeve, që është një libër i madh, gjithmonë i hapur dhe i pafund.

Ndër të nënshkruarit në atë libër është edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Dhe, këtë shkrim nga Prekazi, që mund të jetë edhe i pafund, po e mbyllim në mbrëmjen e fundjanarit me një theksim nga ajo që ka shkruar Kadare: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkrepëtimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë”…

*-Reportazh nga Prekazi, i  ATSH – korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari,  i shkruar në mbrëmjen e 31 janarit 2010, i botuar atëherë në 1 shkurt-

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Familja Jashari, Legjenda e Prekazit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT