• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hallë Mara

November 15, 2014 by dgreca

Tregim nga FATION PAJO/
Ky tregim merr shkas nga një ngjarje e jetuar. Çdo përqasje në emrat e personazheve është një rastësi.- Autori/
Ishte e shtunë e fundgushtit. Një ditë e nxehtë dhe e bukur. Hallë Mara kishte dasmë në shtëpi. Pas humbjes së të shoqit, Tomës, tre vjet të shkuara nga shembja e tynelit të minierës, ajo do të martonte vajzën, Erën. Kishte dasmën e parë, dhe me këtë rast kishte ftuar shumë miq. Me përgatitjen e dasmës ishte angazhuar dhe familja e të kunatit, Zefit, me të cilën gardhi i ndante.
Përgatitja dhe angazhimi i madh në këtë gëzim pothuajse i kishin lodhur të gjithë. Edhe disa orë dhe do të niste darka. Në oborr Zefi me të rinjtë pothuajse po mbaronin me rregullimin e tavolinave. Hallë Mara kishte dhe dy djem, Fatmirin tetëmbëdhjetëvjeçar, binjak me Erën, dhe Rubinin pesë vjet më të vogël nga ata. Era ishte e lumtur. Po martohej me djalin që kishte njohur vetë kur ishte në gjimnaz. Në dhomë e ndihmuar nga kushërira dhe Brikena, shoqja e feminisë, po bënte përgatitjet e fundit.
Ndërsa gjithshka po shkonte për së mbari, hallë Mara hyn në dhomën e saj të vishej. Aty gjen Fatmirin të shtrirë përmbys në shtrat. “M’u lodhe shumë këto ditë bir! Qetësohu pak të marrësh veten! Kemi gjithë këtë natë përpara.” -mërmëriti ajo dhe për të mos e zgjuar i hodhi një mbulesë të hollë mbi trup, mori me kujdes rrobat e reja dhe hyri në dhomën e Erës. Veç saj aty thuajse nuk shkonte njeri tjetër gjatë ditës.
-Uau, si yll më dukesh sot! Të ndrit nuri. Kaq e lumtur je?!
-Po shumë, -bëlbëzoi vajza dhe njëherësh ia shkrepi në të qarë. -por sesi më duket që do të ndahem prej jush.
-Do të mësohesh, bija ime. S’je e para. Vajza derë e botës është. -puthi të bijën Mara, dhe si la ndërresat në karrige doli jashtë. “Të mbarojë kjo së rregulluari dhe pastaj vishem unë “, tha dhe sakaq shkoi tek i vëllai, Halimi, të cilin e gjeti në verandë duke pirë kafenë e pasdites. E kishte marrë malli.
Para shtëpisë, nga porta e madhe e hapur, ndiheshin zhurmat njohëse të fshesave, prej të cilave ngrihej një re pluhuri e përhimtë. Dy vajza po pastronin rrugicën, zakon që e trashëgonin brez pas brezi, në kësi rastesh, e për festa. Zemra i gufonte hallës nga gëzimi që kishte. Piu pak ujë të ftohtë.
-Vëlla si thua, do të dalim mirë sonte? -e pyeti.
-Pse jo, kemi çupën më të bukur të fshatit. -heshti një çast dhe si rrufiti pak kafe shtoi, -E duan të gjithë. Edhe vetë Zoti lart mendoi për ‘të sot. Shih moj, sa ditë të bukur kemi! Eh, motër e dashur, -thithi ngadalë cigaren dhe qeshi pak me një thinjë që i kishte dalë mbi vesh. -e sheh që ia arrite kësaj dite edhe ti! -e përqafoi me mall. -Po thinjemi dhe çoç’ na duket vetja kështu.
-Po vëlla, po. Kështu më duket dhe mua. -piu edhe ajo një kafe të bërë enkas nga mbesa, dhe pasi kujtuan të kaluarën e tyre u ngrit e hyri brenda.
Me hapa të ngadaltë dhe pa i folur njeriu hapi derën e dhomës. Kishte kaluar tashmë pothuajse një orë nga koha kur kishte dalë nga dhoma. Djalin e gjen po ashtu si e kishte lënë dhe më parë, përmbys. I afrohet dhe e tund. “Sa i lodhur më dukesh, biri im! “ -foli me zë të ulët, por kur e pa se ai nuk po reagonte, tentoi ta rrotullonte. Ç’të shihte fytyra e tij ishte shndërruar në ngjyrë veje. I hapi krahët dhe e platitur ra mbi të. Vuri jastëkun e saj në gojë dhe ulëriti mbytur të nxirrte atë çka I erdhi aq papritur. Një zot e di si e përmblodhi vehten atë minutë. Gati e tmerruar, por pa nxjerrë asnjë pikë loti doli shpejt, mori të vëllanë e u mbyllën për disa minuta në dhomën e saj. Halimi kish punuar për më shumë se tridhjetë vjet mjek zooveteriner në NB “Fitorja” në rrethin e tij. Ai me të vënë re se vërtetë nuk po ia ndjente pulsin, u ngrit, nxorri celularin dhe menjëherë lajmëroi shokun e tij të vjetër, dr. Kriston, kardiolog në spitalin e qytetit. Në pritje të ardhjes së ambulancës, i çuan lajm në oborr Zefit dhe si më i madhi ndër ta e mori fjalën:
-Motër, -zëri nisi t’i dridhej nëpër buzë, -është keq situata. Djali duhet çuar sa më parë të jetë e mundur në spital. Klinikisht duket se ka mbaruar. Unë them ta shpiem atje. Njoftoni këtej se nuk ndihem mirë nga zemra dhe po më shoqëron Fatmiri. Dasmën, e kupton dhe ti, s’mund ta shtyjmë për javë tjetër. –u kthye nga krushku, -Zef kjo që ndodhi është tepër e rrëndë për ne. Mbahu vëlla. Duhen marrë masa për t’i kryer tani disa punë si duhet. Për çupën e për fshatin ne na lipset të jemi të fortë. Ç’mendoni ju? -vështrimi i tyre zgjati pak kohë.
-Po ku e di unë, si është më e mira ashtu të bëhet! Krah jush jam. Po të dëgjoj. -Trupin ia përshkuan disa mornica.
-Po vëlla, Era nesër duhet të shkojë në derën e burrit, ashtu si e kërkon zakoni. –nga sytë i shkanë disa lotë. –Unë s’mundem me ia da…
Halimi s’e la të motrën ta shpinte deri në fund mendimin. E tërhoqi pranë vetes dhe e shtrëngoi fort pranë gjoksit të tij.
-Të kujtohet ç’më ke thënë kur na iku nëna? –I mërmëriti pranë veshit, -Mbahu vëlla, më the, jeta është e gjatë dhe e bukur, por ka dhe ditë të liga si kjo e sotmja! –ia ngriti kokën dhe me ngadalë ia fshiu lotët nga cepat e syve, -Ke të drejtë. Djalin s’e kthejmë dot nga udha e nisur, por ti e para dhe ne pas teje duhet me e vu një gur në zemër. Ta përcjellim çupën si na ka hije dhe… -mezi e mbajti vehten atë çast, -dhe më pas hapim lajmin e hidhur. Hë si thoni?!
-Po ashtu është, dhe më fal për lotët, që s’i mbaj dot. -ngriti kokën Mara dhe iu kërkoi ta kuptonin. -Si do të bëjmë atëherë?
Halimi ndjeu një therrje në krahun e zemrës. Ndezi një cigare dhe iu drejtua krushkut:
-Zef ty të mbetet barra të merresh me dasmën. Dërgoni njeri të kthehen ata të orkestrës. Po kështu gjeni një mundësi që miqve t’u thuhet si qëndron e vërteta, por me kujdes Era të mos pikasë gjë. Unë do atje shkoj ta marr, dakord?
-Biiir! –hoqi në shpirt Mara, dhe njëherësh u pre e ra në shesh.
Halimi së bashku me Zefin e ngritën me kujdes dhe e ulën në karrige. Zefi shkoi jashtë të merrte pak kafe pluhur dhe një godë ujë. Halimi i vrau damarrët e qafës dhe kur ajo u përmend, me zë të ulët e këshillon:
-Të dija burneshë Marë! Hajt mblidhe veten e mos na korit.
Hallë Mara piu pak ujë dhe me vështrimin nga i kunati dukej sikur i lutej, “Po nuk mundem, bre! Zef, ç’është kjo hata! … Si do t’mundem me e nxjerr çupën nuse nesër!” –e shtrëngoi nga krahu për të mbledhur fuqitë.
-Më keq s’ka, motër, -gjegji Zefi, -po ja, si na the edhe vetë, duhet t’i ruajmë zakonet. Ky është risku ynë, s’kemi ç’bëjmë. –i rregulloi shaminë e kokës dhe doli të mbaronte punët jashtë.
Halimi me të motrën nuk kishin më kohë për të pritur, rregulluan shpejt të birin e me të mbritur ambulanca e futën me kujdes në të.
-Motër Mara, -hoqi syzet optike dr. Kristoja, i cili pas ekzaminimit të djalit si dhe bisedës vetëm për vetëm me Halimin, nisi ta porosiste, -jeta na ka mësuar të bëhemi të fortë. Ti je nënë, dhe për ty është shumë e vështirë t’i kapërceshë këto drama. Janë drama të mëdha, të cilat duan këllqe të forta e durim. Ti e ke treguar vehten se di të përballoshë situata të tilla. Ky paska qenë fati i tij. -e përqafoi fort dhe për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen vazhdoi, -Pa mendo sikur të ta sillnin të vrarë, siç i shohim të ndodhin shpesh në këto vitet e fundit, atëherë do të ishe dyfish e helmuar, e për tërë jetën. Kështu pra, bëhu trimëreshë për vete dhe për këta që të rrethojnë. T’u trashëgohet vajza. -ndihmoi shokun të hypte në makinë. I hodhi një vështrim të heshtur shtratit ku ndodhej djali. Priti sa Halimi zuri vend. -Atëherë motër, nesër më njëmbëdhjetë do ta sjellim. Gjëma është e madhe, ju mos harroni ç’keni sonte. -duke iu afruar derës së tij shtoi, -Mos e lësho veten, dhe të lutem mos derdh asnjë pikë loti, të paktën derisa të përcillni vajzën. –Fytyra e saj e zbehtë e tundoi sakaq. Mblodhi buzët të mendohej për paksa. Hoqi syzet dhe pasi fshiu ballin e djersitur me shami vazhdoi, -Pranë do të keni Irmën, asistenten time. Rrugës u kthye në fshat të takojë të sajtë. E keni nga Belica, nuk do të vonohet atje. Ja, sikur ka ardhur. -u përqafua me të e i dha shenjë shoferit të nisej.
Nën jehonën e përgatitjes së darkës të gjithë ishin në lëvizje. Bashkimi, djali më i madh i Zefit, edhe ai i fejuar pak kohë më parë, së bashku me një shok të tijin ngritën shtylla pishe anës gardhit e vunë dritat të ndriçojnë gjatë darkës. Hallë Mara me dhimbjen thellë në shpirt shkoi të përgatitej për darkën. Në dhomë Era e gjendur mes kushërirave dhe shoqeve të saj ishte pothuaj gati. Befas Mara, sapo e pa me fustanin e bardhë u drodh e njëherësh i shkanë lotë ndër sy. “Eh, moj bijë, -hoqi në shpirt, -po të ishte kohë tjetër do të të përcillja me kalë të zi. Po ti s’ke faj, dhe unë s’të rrëndoj për këtë. S’kanë faj as krushqit për nesër!”
-Mami ç’ke kështu?! –dëgjoi zërin e së bijës. –Ti sesi më dukesh…
-Jo bijë jo, -e mblodhi shpejt veten Mara, -Epo jam nënë dhe kur të shoh kështu, s’e fsheh dot atë ç’ka ndjej këtu brenda.
-Po unë nuk do shkoj larg, që! -qeshi vajza dhe iu afrua pranë. -As gjysmë ore nuk mban deri atje. Me Gimin do të dalim shpesh këtej. Të premtoj!
-Po bijë, dhe për këtë jam e lumtur. -i rregulloi vellon mbi ballë të bijës dhe doli. -E di që do më shohësh shpesh. I buzëqeshi jashtë dëshirës e doli.
Oborri i shtëpisë s’kishte qetësi atë mbrëmje. Miqtë dhe të ftuarit nën shoqërimin e Zefit zunë vendet e tyre. Një fllad i lehtë ere nisi të freskojë ambientin. Zefi, pak nga lodhja e pak nga ç’po e mundonte prej disa orësh përbrenda, si vuri re që pothuajse të gjithë kishin zënë vendet, i shkon pranë xha Rakipit, gjitonit të mëhallës dhe më të moshuarit në fshat. E merr më vete e ia bën prezent hallin që u ka rënë.
-Si mendon xha Rakip? -e pyeti.
Xha Rakipi mori një karrige në cep të verandës, u ul dhe vështroi një copë herë tavolinat, të cilat pothuajse ishin të mbushura plot. Tek po dridhte një cigare nga duhani i tij, iu shfaq në kujtesë shoku i fëminisë, Hasimi, i ati i Zefit. “Eh, o vëlla s’të kam sonte pranë. “Një goxha mal të lartë po më ngarkojnë mbi shpinë. Po do ta mbaj që ç’ke me të. Duhet t’u gjendem pranë bijve tanë, vëlla!” -heshtur ngjeu me pështymë letrën e cigares dhe si e rropi pak me ata dhëmbët e mbetur i flet:
-Zef, jeni vërtetë në hall të madh. Po mirë e keni menduar. Unë do t’ua shkopsit si duhet këtë situatë. -i hodhi dorën mbi shpatulla dhe me mundim u ngrit, e me hapat që mezi i hidhte iu drejtuan tavolinës së qendrës ku po i priste me zemër të ngrirë Mara. Përqafoi atë dhe nusen, mori godën e rakisë e pasi rregulloi pak xhaketën iu drejtua miqve.
-Sonte kam nderin e madh të hap këtë darkë. -rrotulloi sytë nga njerëzit.
-Ulu xha Rakip, ulu! –u dëgjua një zë burri andej nga tavolinat e fundit, -jeni babai ynë!
Xha Rakipi u kollit lehtë, vendosi dorën në zemër, tundi kokën në shenjë respekti për folësin e pa lëvizur nga e tija u foli:
-Po të ishte sonte mes nesh i ndjeri Tomë, o miq të nderuar, do t’isha po këtu, më rrofshi bijtë e mi. Sonte dua t’u kujtoj diçka. Po më parë të bëjmë detyrën e ngarkuar. -ngriti godën dhe e takoi me zonjën e shtëpisë. -Të të trashëgohet vajza, dhe me jetë të lumtur në derë të burrit. Të rrosh Ti, Marë, që na solle kaq dritë në fshat, që na solle gojën e ëmbël dhe urtësinë. Dhe ta dish mirë, “Hallë” s’mundet të quhet kushdo. Ti e meriton këtë, dhe më shumë se kaq ndoshta, ndaj jemi këtu siç’ po na sheh. Vërtetë nga mosha jam babai yt, por dhe nuse s’të them dot. Ndaj mos mendo ndryshe kur të thërras, “hallë”. Apo nuk është kështu, o miq? -ngriti godën drejt tyre. -U kthye nga Zefi, -Sonte, s’keni vetëm ju gëzim, por i gjithë fshati. Hajde gëzuar e me trashëgime mbesës! Unë do ta pi me fund, ju sipas dëshirës. -ktheu godën ai dhe u ul.
-Të na rrosh dhe ti, xha Rakip! -ktheu urimin Zefi tashmë i prekur nga fjalët e plakut dhe pasoi duke e pirë dhe ai me fund të tijën.
Pasi të gjithë uruan dhe ngritën godat e futën diçka në gojë, xha Rakipi me pirun godet godën të mbahet pak qetësi.
-Miq të nderuar. Jemi mbledhur për dasmën e vajzës së hallë Marës. Sipas traditës këto i shoqërojmë me saze. Sonte do ta prishim pakëz këtë rregull. E pleqëruam me të zotët e shtëpisë, pasi tej nga krushqit para pak kohësh u nda nga jeta gjyshi i dhëndrit, miku im i vjetër i luftës, Subiu. Ndaj le t’i respektojmë ata, por… -heshti një grimë, kapi nga krahu Zefin dhe vazhdoi, -E di ç’po mendoja pak më parë biro! M’u kujtua dasma e tim-biri, Bastriut shumë kohë më parë. S’kishim mbushur një javë që më kishte lënë im-atë. –ktheu pak raki të mblidhte veten, -Ditën e kishim prerë. Dikush nga ju e mban mend atë darkë. Dëgjoheshin vetëm lugët e trokitjet e thata të godave me raki. Papritur në tavolinë më vjen Hasimi dhe aty për aty, theu heshtjen që na kish mbërthyer duke ia marrë këngës. “Trimave u ka hije kënga vëlla, jo loti!” –më tha, dhe gjithë natën e gdhimë duke kënduar. –nuk foli asnjë fjalë tjetër, mor për krahu Zefin dhe shkuan e u ulën në mes të sheshit dhe ia nisi një kënge të vjetër ashtu me zërin e tij të dridhur. Rreth tij zunë vend gjithë burrat. Nga tavolina qëndrore hallë Mara herë-herë mbyllte sytë, gjetkë e kishte mendjen ato çaste të vështira. “Më rrofsh xha Rakip, nuk dija si do t’i kapërceja këto momente pa praninë tënde. Ah, s’e dini ju o miq sa po vuan kjo zemër sonte. Po ç’e gjen njeriun në këtë jetë e s’e heqka!” -qëndronte pranë të bijës e zhytur mes këtyre mendimesh dhe ndiqte në të turbullt këngët e burrave. Këngë që nuk do të pushonin derisa të vinin krushqit.
-Mami se ç’të mundon ty sonte. Nuk të shoh mirë! -e kapi për dore e bija.
-Kam merakun tënd… -zëri i humbi nëpër buzë. Po e tradhëtonte fytyra. Ktheu pak ujë, e fshiu buzët me pecetë. –Era, si nuk kemi asnjë sinjal andej nga spitali? S’e di si u bë dajua! Si nuk po dërgojnë asnjë laim, xhanëm! Ne këtu…
-Ehu dhe ti sa e vret mendjen, -i shtrëngoi dorën në të sajën vajza, -po të kishte gjë do na njoftonte Miri. Hajde tani qesh pak. Nuk dua të të shoh kështu, sikur të janë mbytur gjemitë! Ja zëre se kanë ardhur dhe “ata”, e s’është mirë të të gjejnë buzëvarur.
-E mirë, mirë po mundohem të qetësohem. –e shtrëngoi fort pranë vetes Mara dhe lëvizi kokën fare lehtas në drejtim të grupit të burrave, tek kumbonte si rrallherë zëri i Zefit.
Kthjelltësia e qiellit me Hënën dhe yjet që ndriçonin lart e bënin dhe më magjepsëse nga ç’ishte këtë mbrëmje. Befas një makinë e vogël frenoi para shtëpisë. Prej saj zbriti një grua e re, e panjohur, me flokët e lidhur bisht pas, me një bluzë akrilik në ngjyrë mente të lehtë e me xhinse, që e tregonin të fisme. Mara brofi menjëherë në këmbë e i doli para gruas. Po ashtu veproi edhe Zefi me të mbaruar këngën. Ai u ngrit e iu afrua me vështrim të ankthshëm atyre.
-Jam Irma, më falni po tani më erdhi vëllai nga Tirana e…
-Nuk ka pse, -s’e la të vazhdonte tjetrën Zefi, -keni ardhur bash n’kohë. –bëri një hap pas dhe me dorë tregoi hyrjen për në shtëpi. –Ju vazhdoni, unë po u dal përpara miqve, Marë.
-Zef, hidh xhaketën krahëve se ke dirsur e mer ndonjë të ftohur! -e porositi Mara dhe së bashku me infermjeren shkuan drejt shtëpisë. Irma vërejti një zbehtësi në të bardhat e syve të të zonjës. Nxorri nga çanta aparatin e tensionit dhe ia mati. Po, e kishte të ulët. U ngrit dhe kërkoi t’i përgatitte një kafe shqeto.
-Ulu Irma, je lodhur nga rruga. Ja po i bëj unë, ta pijmë bashkë dhe pse është ca si vonë e do na rrijë goja e hidhur. -Mara bëri kafetë në petrogaz, vuri në tabaka një pjatëz me liko qershie dhe kafetë e duke hedhur me mundim hapat i shkoi pranë. -Nga mos ta kem kaq, moj nuse. Ti e di mirë në ç’gjendje ndodhem.
-Tani po, je halla që s’të heq asnjë nga goja në tërë zonën. Dhimbja do fuqi. Dhe ty nuk të mungojnë. -e përqafoi sikur të njiheshin prej kohësh, -Jam në dijeni të gjithshkaje motër. S’të ve faj për ç’ka po kalon. Por nuk ke parë më keq. Nuk ke parë të përcjellësh në një ditë tre arkivolë. Një shoqja ime para gjashtë muajsh mbuloi burrin dhe dy fëmijë të vegjël njëherësh. E pra, asaj gruaje çfarë t’i thuash! Si ta ngushëllosh! Ajo ishte vërtetë një hata e madhe. Ndaj të them bëhu e fortë. Mos harro se ke vajzën që po marton sot, por ke dhe një djalë që do të vazhdimësojë jetën. Zoti të dhëntë fuqi ta kapërceshë këtë situatë. -vetvetiu i shkanë lotë teksa po fliste si me motrën së saj të madhe.
-Më rrofsh Irma, fjala jote në vesh të perëndisë. -me një pecetë ia fshiu sytë e u ul të pinte kafenë pranë saj. -Do Zoti gjen një fat të mirë, siç je dhe vetë… -por pa mbaruar ende së rrufituri kafenë u dëgjua zhurmë përjashta. Po vinin krushqit. -Erdhën, -mezi shqipëzoi fjalën dhe sakaq iu prenë fuqitë përsëri e gati sa nuk ra në dysheme. U mbajt fort në parakrahun e Irmës. Vërtetë nuk ishte mirë.
Irma me të shpejtë e shtriu në divan e njëherësh i bëri një inxheksion për ta qetësuar. Në hundë i afroi kupën me kafe të bluar dhe priti ashtu ulur pranë saj dersa u përmend. Kur erdhi në vete e ngriti ndenjur. Priti sa ajo u kthjellua mirë dhe i foli me gjysmë zëri.
-Hallë, si thua shkojmë! -i përkëdheli ngadalë mollëzat e gishtërinjve.
-Shkojmë, mirë jam tani, mirë. -duke u ngritur rregulloi shaminë mbi ballë, piu një godë ujë dhe i priu drejt derës. –Bo-bo, u turpërova me “Ata”. Si do t’u dal kështu?!
-Ti je e justifikuar hallë. Je dhe grua dhe burrë në këtë shtëpi. –buzëqeshi Irma dhe pa ia shkëputur dorën nga krahu e çoi në tavolinë. -Mua më ke tek kjo tavolina këtu. Hë se harrova, u lidha me spitalin dhe Halimin e ke më mirë tani. -ngriti pak zërin ta dëgjonin dhe të tjetrët. Priti sa ajo zuri vend, përqafoi dhe vajzën e saj nuse, sikur të njiheshin prej vitesh e shkoi.
Orët e darkës pothuajse kaluan shpejt. Për hallë Marën ishte nata më e gjatë e jetës. Priti e përcolli krushqit me zemrën plagë, duke u mbajtur fort mos turpërohej e nxirrte lotë. Herë pas here i afrohej Zefi dhe me zë të ulët i jepte kurajo. Kur dielli doli dy pash mbi majën e Dajtit, pra në orën e caktuar, para portës së shtëpisë u dëgjua frenimi i makinave që do të merrnin nusen. Hallë Mara me Besën, të shoqen e kunatit, e me Verën përgatitën Erën dhe e nxorrën në prag.
-Krushkë, -ishte dajua i madh i dhëndrit, -të na trashëgohet çifti e me jetë të lumtur. -Iu afrua Zefit e i foli me zë të ulët, -Nesër me të aguar do e nisim nusen për këtu me dhëndrin e me të atin. E dimë ne si do t’ia themi të vërtetën asaj.
-E kalofshi mirë sot dhe Ju andej, e të fala miqve. -uroi Zefi dhe së bashku me Marën e të tjetrët pritën sa makinat humbën përtej kthesës së rrugës.
Marës ato momente, tek vështronte dorën ngritur të të bijës, sikur iu shkëput një copë mishi nga trupi. Ngjyra e kuqërremtë e fytyrës filloi t’i zbardhej. Rreth syve njëherësh iu formuan rrathë të zinj, të cilat ia mjegulluan vështrimin. Pa folur asnjë fjalë mbylli portën, u mbëstet fort në supin e Zefit e ia shkrepi të qarës. Mezi kishte përballuar gjithë atë mal dhimbjeje. Besa së bashku me Irmën duke e ditur tashmë se çdo minutë deri në ardhjen e të birit ishte në dëmin e saj, e morën dhe e çuan në dhomë të qetësohej pak. Irma i mati pulsin dhe e këshilloi të ndiqte porositë e saj deri në mbritjen aty të dr. Kristos. Prerja e fuqisë së Marës e detyroi Irmën të përdorë serumin.
Gratë ndodheshin brenda, kur mbriti në oborr vetë i katërt xha Rakipi. Nipi i tij, Ergysi, i cili pononte në zyrat e Komunës së bashku me Bashkimin nuk po dukeshin ende. Atyre u ishte caktuar detyra për marrë të gjitha masat për për pritjen dhe përcjelljen deri në banesën e fundit të Fatmirit. Ata iu afruan Zefit dhe të gjithë bashkë bisedonin e tymosnin duhanin qetësisht. Në kohën që filluan të vinin në oborr të afërmit dhe gjitonët erdhën dhe Bashkimi me Ergysin. Ata I kishin mbaruar të gjitha punët. Pas pak theu heshtjen zhurma e njohur e ambulancës në hyrje të fshatit. U ngritën dhe pa lëvizur nga vendi pritën ardhjen e saj. Në kohën e caktuar makina solli arkivolin me trupin e pajetë dhe frigoriferin për ta mbajtur në dhomë deri të nesërmen. Halimi me të shoqen e kishin veshur djalin, kishin porositur kurorat, e i kishin qëndruar tek koka gjithë natën. Edhe për ta kishin qenë të vështira orët e pritjes. Ndërsa e shoqja hyri në dhomën e grave t‘i ndodhej pranë të kunatës, ai shkoi e u ul pranë xha Rakipit e Zefit. Me biseda të ndryshme po kalonte një nga netët më të gjata për të gjithë. Në ankth ata po prisnin të agonte, e bashkë me të dhe përbadhjen e Erës me të vëllanë.
Si ishte lënë nga të dy palët, dasma po kalonte qetësisht e po i afrohej fundit. Ishin orët e para të mëngjesit. Ndërkohë që tavolinat po boshatiseshin xhaxhai i madh i dhëndrit, Mërkuri, i afrohet të vëllait.
-Bujar, gjithshka pothuajse po shkon për së mbari. Miqtë dhe dashamirësit një nga një po largohen, nise çiftin të pushojnë ca. -vështroi gjatë sytë e nuses, -Erë moj bijë e xhaxhait, -zëri iu mek. U mendua pak. Bashkë me lodhjen e ditës së gjatë, në sytë e saj dalloi një pulitje të shpejtë. –s’ka pak që morëm një lajm jo të mire nga spitali…
-Siii, dajua, -pa mbaruar ende fjalën iu derdhën faqeve rrëkeza loti, -kur, ç’ka mos… ?!
-Nuk dimë gjë me saktësi, por janë në sallën e operimit. –zgjati dorën, mori nga e kunata shaminë dhe i fshiu lotët. -Ndaj së bashku me Gimin e t’ët-vjerr përgatituni për të shkuar. Do të ktheheni në fshat të merrni Hallë Marën e do ta mbani frymën drejt e në spital. O burra Gimi, sa më shpejt të niseni, aq më mirë. Por, -i ngriti kokën nuses, -të lutem mos derdh lotë, se s’është mirë për të sëmurin. Hajde vëlla, ngrihuni e shkoni tani! -hapi rrugë ai dhe pasi përqafoi Erën, u mbajt tek i biri. -Këtu i ngavasim ne të tjerët punët, shkoni e do zoti e gjeni më mirë!
-Xhaxha, të lutem mos ka ndodhur ndonjë…-s’e mbante vendi Erën ato sekonda.
-Të thashë bijë ç’është. -I ra shkurt Mërkuri. -Hajde shkoni e bëhuni gati. Fredi zëre se ka ardhur. S’është mirë të vonohi. -iu drejtua nipit sakaq, -Shpejtoni pak se Fredi duhet tek bosi i tij më shtatë.
Gimi mori të shoqen dhe hynë me shpejtësi në dhomën e tyre të ndërrohen. Ai hoqi këmishën e bardhë dhe veshi një tjetër, ndërsa Era bluzën gri me mëngë të shkurtra dhe pantallona të zeza. Pas dhjetë minutash u dëgjua boria e makinës. Bujari me një bohçe në dorë shkoi dhe zuri vend para. Pas zuri vend çifti.
-Baba, mos ka… -e brente përbrenda Erën një mendim i keq.
-Nuk besoj. –gjegji shkurt ai.
-Po unë si nuk u lidha pak me të mi-të në telefon! –mërmëriti ajo dhe u ngjesh në gjoksin e të shoqit. –Nga u gjend dita për…
-Ah, jo bijë, jo kështu. –u kthye nga ajo Bujari. –Ndodhin këto për njeriun.
-E kisha njeriun më të dashur dajën. Oh, -vendosi duart në kokë dhe nisi të ngashërehet.
Kur makina hyri në rrugën e fshatit Bujari i bën shenjë Fredit të hapë krahun e të ndalojë. Ora po shkonte shtatë. Bujari doli nga makina dhe ndezi një cigare. Çuditërisht para këmbëve hasi në një gur kilometrik gati në të rënë në kanalin e anërrugës. Goditi me majën e këpucës një gurë të vogël dhe si e thithi fort cigaren u drejtua nga dera e pasme ku ndodhej Era. Hyri brenda dhe e vështroi drejt e në sy nusen e djalit. Nxorri nga bohçja një bluzë të zezë, të blerë nga e shoqja.
-Era bëhu e fortë xhan, vish këtë. -i la në duar bluzën dhe e kapi nga të dy supet.
-Dajooo, oh! -klithi ajo, dhe sikur t’i kishte me çelës zbrazi nga sytë rrëke lotësh. -Babá, si kështu? Kur ka ndodhur? -tjetri vetëm e vështronte. -Të lutem më thoni një fjalë se po plas! -sytë e saj po prisnin ato çaste të vërtetën e hidhur.
Bujarit, e para herë që u gjend në një pozicion të tillë, tek pa vajzën të dridhej si purteka, iu pre goja dhe heshti. S’mundi të përballej kësisoj me nusen. Puliti sytë, hapi xhamin e hodhi bishtin e cigares në kanal. Vështroi të birin. Edhe atij i kishte ikur ngjyra e fytyrës. Nuk kishte ç’të bënte më, e tërhoqi nusen në gjoksin e tij dhe si u kollit lehtë për të qëruar zërin foli:
-Jo bijë, s’është Halimi.
Vajza u shkëput menjëherë prej tij. Si e goditur nga një shuplakë e fortë, ndërprehu dënesjen e u përqëndrua në sytë e tij.
-Po kush atëherë?! -mezi po e mbante frymën.
-Yt-vëlla, Fatmiri. -mërmëriti Agimi dhe e ngjeshi pranë vehtes.
-Shpirti i motrës! -shqipëzoi fjalët ajo dhe u var pa ndjenja në krahët e tij.
Fredi mbante gjithnjë me vehte pak raki në korskot të makinës. Nxorri shishen e me të shpejtë ia dha Gimit. -Jepi pak të vijë në vehte.
-Zemër mbahu. -u mundua ta qetësojë Gimi. I vrau pak damarët e qafës dhe për të fituar pak kohë porositi Fredin të nisej. -Era dëgjomë pak, -i foli pranë veshit pak para hyrjes në lagjen e saj, -asgjë s’mund ta kthejmë pas, vetëm ti mund ta qetësosh nënën. Ajo e ka shumë të vështirë ta përballojë këtë dhimbje. Ndaj mblidh vehten se arritëm. -e ndihmoi të zbriste nga makina dhe
me hapat që mezi shtyhen në të tilla raste, hynë brenda.

FATION PAJO
Nëntor, 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Fation Pajo, Hallë Mara, Tregim

Triptik poetik “ nga Fation PAJO

February 22, 2014 by dgreca

   Midis nesh…/

———————-

Nën mbrëmjen e qetë/

një siluetë në ardhje/

mjegulloi/
sytë e mi./

I përhumbur një çast mbeta/

shtrydha fort kujtesën./

Në dy kahje ishim/

rrënduar shilarsit kohë/

njeri-tjetrinshihnim mallisht/

karpet të kuq shtruam/

midis nesh/
pendesën./

Këtë natë

————–

Këtë natë vetminë s’e dua,

pa praninë tënde

atacioni m’u bë i huaj.

Treni i orës më la

u trishtova.

Nuk do shoh sytë e tu

s’do puth dot as buzët

më margaritarët në botë.

Plateja e heshtur

përgjon ëndrën

kthehem të dal në ajër të pastër

tunduar nga çjerrje sirenash

të zbus dhimbjen është e kotë.

  Sot

——–

Të harrojmë sot;

ç’punë bëmë, ç’mot është,

ç’thonë gazetat e ditës,

të një nate të mbrapshtë

mëritë.

Të ndryshojmë pak,

lule e puthje të dhurojmë

zemrën ta bëjmë të florinjtë,

është e Shën Valentinit ditë.

Fation  Pajo/  Shkurt, 2014

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fation Pajo, Triptik

BOTIME NGA DIASPORA SHQIPTARE E AMERIKES

August 2, 2013 by dgreca

Krijuesi nga Chikago, Fation Pajo botoi romanin e  tij me titull” “Pas asaj mesnate”./

Para disa ditesh doli nga shtypi dhe eshte ne qarkullim te lire ,(privatisht) romani i ri I krijuesit Fation Pajo me titull : “Pas asaj mesnate”. Romani ka  139 faqe. Redaktor i tij eshte z. Albert Zholi. Autori I romanit Fation Pajo jeton prej vitesh ne SHBA. Ai ka lindur në Kamëz të Tiranës më 06.10.1958, dhe tani banon në qytetin Elmwood Park të Illinois. Pas përfundimit të shkollës tetë-vjeçare në vendlindje, ndoqi studimet ushtarake dhe në vitin 1982 u diplomua oficer. Krahas përkushtimit në detyrat si ushtarak, është marrë edhe me krijimtari letrare. Pajo ka patur bashkëpunim me shtypin ushtarak dhe me gazetat lokale (në Shqipëri) ku janë pasqyruar një pjesë e krijimtarisë së tij si në prozë, ashtu edhe në poezi. Në vitin 2000, botoi vëllimin e parë poetik të titulluar, “Të kam pritur” i cili u prit mirë si nga lexuesi ashtu edhe nga kritika letrare. Pesë vjet më vonë, me ndihmën e shtëpisë botuese “Guteberg”, botoi edhe romanin e tij të parë “Zemër nëne”. Ka nxjerë nga botimi vellimin me tregime “Shpagimi” si dhe   “Gjer në ardhjen time”

   “Netë të thyera”

  “Për veten e për ju”, Por pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij nuk është botuar akoma. Romani i Pajos”Pas asaj mesnate” e pasuron me tej korpusin e vepres se tij letrare. I urojme sukses!

Per informacion me et gjere po sjellim intervisten qe i ka marre Pajos gazetarja Raimonda Moisiu.

Fation Pajo,Poet dhe shkrimtar i talentuar devolli ne SHBA

Dy fjale per dy librat  e tij me  te fundit ,modeste e te mrekullueshem,“net te thyera ” poezi dhe ” Ikja e Tjetrit ” tregime.

Pas korespodencave shkembyer me e-mail ketu ne emigrim ne SHBA ,munda te krijoj lidhje  me nje mik ,me nje koleg,me nje devolli te talentuar,me krijimet e tij,frymezuese,realiste, pasionante dhe emocionuese., me poetin e shkrimtarin devolli Fation Pajo.,me nje krijimtari te pasur letrare Por me shume pas leximit te dy librave te tij te fundit te sukseshem ne proze e ne poezi,” net te thyera ” dhe  “Ikja e Tjetrit “,qe i kam  neper duar duke i lexuar me nje fryme. Aq me terhoqen,duke kaperxyer here ne njeri e here ne tjtrin ,  nga poezia ne proze. Ai eshte me te vertet nje artist i te shkruarit.

Mbase ne Shqiperi nuk eshte dhe aq i degjuar por ketej nga ne, eshte nje nga shkrimtaret me cilesore e te perfolur,per mjeshterine e tij artistike te penes se tij, si ne poezi ashtu dhe ne proze.

Krijimtaria e tij  eshte realiste dhe me refleksione ,jetesore ashtu sic kalon sot jeta ne Shqiperi dhe ne emigracion.Duke qene nje dimesional ,ai eshte njkohesisht dhe optimist i horizontit te shoqerise,duke i mbajtur kembet fort ne tabanin kombetar,tek familja,qe per te eshte nje ideali kryesor.

Emigrimi dhe imgranti,si plage e shoqerise shqiptare por dhe nje realitet i jetes ,i mbijeteses te shqiptarizmit ne dhe te huaj,eshte dhene me njgjyra terheqese,me te mirat dhe te keqijat e ti me nje lidhje organike,te pashkeputur nga jeta e shoqeria ne atdhe ,shqiperi ,vatan,…. S’ka si te mos terheqi tregimi skice ” No speak english ! “,eshte domethenes,per ne emigrantet qe i kemi rene murit me koke,per te mesuar gjuhen e huaj,sidomos amglishten..Sa e sa historira e barcoleta te panumurta,vuajtje ,peripeci,andralla,vuajtje,..por edhe per te qeshur,se ai q qan do te qeshe nje dite, eshte tipik me humorin e holle por shume gazmor,per nje te moshuar qe e ka te mundur te mesoje anglisht,por me e keqja eshte kur ka dhe me te rinj,qe per shume arsye moskokecarje,e vene para gojes  si ato tabelat e snjaleve te rruges,per lehtesi shprehjen tipike :-”No speak English ! “,..po sa here jane penduar..

Pa dashur te bej ndonje recension per dy librat e fundit do te deshiroja te shtoja dicka vleresuesee  te vecante per.to.Ne te gjitha tregimet ,por ne vecanti tek “ikja e Tjetrit “,nga ku merr titulli libri,ai ben nje pershkrim letrar te nderthurur me detaje psikoanaliste si ndonje specialist psikolog,ne thellesine e mendimit te personazheve,por dhe te situatave te krijuara dramtike,qe jane te paperseritshme,duke dhene duele siluetash konkflikete te brendeshme, por njerezore,ku fitimtare del mencuria e urtesiea e pervojes njerezore,paqja per te cilen ai aspiron. ” Nuk kam dashur ta kujtoj e ta diskutoj me kend ate kohe te hidhur qe kam kaluar.Sja vlen me barra qirane.-shkruan ai ,me qetesi,pas asaj qe ndodh  me njerez me maska ,duke na dhen nje mesazh kuptimplote e historik,-Le te mbetet per brezat qe do te vijne,nje liber i vogel,qe s’duhet hapur kure…

Por me qe erdhi rasti le ti themi gjerat ashtu sic jane. “fq.88.

Edhe nje risi e re dhe dalluese ,si shenje e pjekurise letrare e artistike,ne poezite ,por me shume ne tregimet e librit,eshte konkluzioni origjinal e filozofik,qe na percjell,ne zgjidhjen e fabules,ne findin e saj.Do te desha te shkruaj shume shprehje filozofike te tija ,por ato jane te shumta,jane sinteza e nje studjuesi te thelle e plot e virtyte njerezore me nje nje bagazh te pasur letrar e filozofik.

Do te thosha dhe dy fjale per vellimin poetik ” net  te thyera …”,ku permblidhen rreth njeqindepesedhjete poezi te mirfillta,ku permblidhen ne disa kapituj domethenes si Frymemarje,Kohe qe shtjellin drite,.Trokitje,..I shqetesuar rend,.. dhe Jam ketu e jam atje..

Vetem nje pene e arte me gjithe kuptimin e plote te fjales, mund te beje soditje te tilla me vargje,ne poezia me te njejten titull,..:-T’ju flas yjeve/kam frike ,se s’do me degjojne/Do me quajne meteor/Do trishtohem…..T’ju flas njerezve/Kam frike se s’do me kuptojne/Do me quajne jashte tokesor/Do hidherohem…. e te tjera vargje melodioze te dala nga nje shppirt i thelle poetik.Si nje poet me pervoje e le muzen te rjedhe si burimi me uje te kristalte e i pashtershem, por qe gjithnje te terheq e te ben per vete me bukrine e jashteme por edhe e me shijen e thelle ndjesore.Duke i perfunduar keto reshta te shkurter e modeste per dy librate e tij te fundit ,le t’ja leme vendin nje rezymeje te shkurter per jeten dhe obligimin e tij si njeri i letrave ,nje shkrimtar dhe nje poet i talentuar ,i dale nga gura popullore,nga ai plis devolli, qe thote me fjale lapidar , poeti yne o madh Dritero Agolli.

Duke qene largpames ne te ardhmen qe ndrit ,ne gjithe krijmtarine e tij e shkuar jo me fjale, por si te thuash me nota muzikale,aq embel dhe terheqese eshte per lexuesin e thjeshte,provoni ta lexoni…

Per ta dhene sa me realist portretin e figuren e tij,le te ndjekim ,intervisten  e tij,me gazataren dhe shkrimtaren Rajmonda Moisiu,dhene ne Shqiperi disa kohe me pare..

Interviste me shkrimtarin Fation Pajo ,dhene gazetares dhe shkrimtares Rajmonda Mojsiu

Ndonëse jam larg, mendjen dhe zemrën, i kam atje në dheun tim…

R. Moisiu: Kush eshte Fation Pajo ?

                       

Rajmonda Moisiu-Fation Pajo

F. Pajo: Kam lindur me 10 Qershor 1958 në Kamëz të Tiranes. Fëmijërinë dhe vitet e shkolles 8 vjecare i kam kaluar ne vendlindje. Shkollen e mesme e të lartë (Ushtarake) i kam përfunduar në Tirane. Në vitin 1982 u diplomova oficer. Per gati 20 vjet kam sherbyer në strukturat e ushtrisë, derisa në 2001-in dola në rezervë dhe fatmiresisht fitova Llotarine Amerikane. Jetoj prej mese 6 vite familjarisht (kam dy femije),në Chicago të Illinoit. Në këtë qytet gjigand gati 80 vite më parë ka punuar gjyshi im, Avdulla Pajo për më se tre vjet.Krahas perkushtimit në detyrat ushtarake jam marrë edhe me krijimtari letrare.Vitet e fundit kam patur bashkepunime të rregullta me organin qendror të ushtrisë “Ushtria” dhe me organet lokale. Ky bashkepunim më dha shtysen t’i përvesh mëngët mirë e të mendoj per te ardhmen. Ne vitin 2000 arrita te botoj vellimin e pare poetic, “Te kam pritur”, i cili u mireprit nga lexuesit.  Ne vitin 2005, me nxitjen e mikut tim te mirë, z. Demir Korita, anetar i Lidhjes se Shkrimtareve të Shqiperisë (Dega Fier), munda te botoj romanin tim të parë “Zemer nëne”. Per vete tematiken dhe mesazhin qe percjell po ndiqet me interes, sidomos ketu në Diasporë. Ne vitin 2006 jam pranuar anetar i Shoqates së Shkrimtareve Shqiptaro-amerikanë. Privilegj ky qe me ka nxitur e me nxit te vazhdoj punen krijuese edhe tash.

R. Moisiu: Ç’mund të na thoni për krijimet Tuaja të fundit?

F. Pajo: Janë të shumta e të zhanreve të ndryshëm. Kam në perfundim te kompiuterizimit vellimin me tregime”Shpagimi”, të cilin së shpejti do ta dergoj në Tirane për botim. Po keshtu, paralelisht me të, po punoj në kompiuter per vellimin e dyte poetic, te titulluar “Netë të thyera”.  Kam perfunduar  deri tani në poezi  vellimet “Gjer në ardhjen time”dhe “Për vehten e për ju”. Në prozë kam perfunduar vellimin me tregime “Ikja e tjetrit”, vellimin me tregime e novela”Varësja me iniciale” dhe në doreshkrim romanin e dyte “Përtej atij muri”. Kohët e fundit kam përfunduar disa cikle poetike, nje poemë e disa tregime, të cilat do të jenë projekte të së ardhmes.

R. Moisiu: Ç’farë ka sjellë ndryshimi gjeografik në krijimtarinë tuaj?

F. Pajo: Ndryshime shume te vogla, të cilat mund t’i konsideroj gati të paperfillshme. Këtu, në emigrim, për ne kirjuesit gjeja me e vyer është koha. Këtë falë punes që kam dhe familjes që me lehteson ne çdo drejtim,  unë e shfrytëzoj. Pavarësisht se jetoj larg Atdheut krijimtaria ime  ështe e bazuar në historinë e dhimbshme të popullit tim, në aktualitetin nëpër të  cilin udheton populli im, e në shqetesimet që ka vendi im. Kur nje popull e sheh te  largët driten  jeshile të mireqenies, harmonise e te perparimit, nuk mund të mos ndikoje  në penën e shkrimtarit, në penelaten e piktorit, në pentagramin e kompozitorit e tek artisti në pergjithesi. Në kete kuader edhe une mundohem te jap ndihmesen time per zbutjen e streseve qe po mban të pranguar vendin tim.

R. Moisiu: Ndryshimi midis Atdheut dhe Emigrimit?  

F. Pajo: Shumë i madh. Ndërsa në Atdhe (edhe pse vendi ështe mberthyer në darët e një kolapsi të plotë ekonomiko-politik), kam jeten time që s’mund ta harroj dot; në megrim kam  MALLIN për atë vend të shtrenjte ku u lindem e u edukuam (paçka paksa ndryshe botës), e që s’e zevendesoj dot. Ndonese jam larg, mendjen dhe zemren i kam atje, në Dheun tim.  Ndaj ne krijuesit,  kudo qe jetojme e punojme, majën e lapsit e mbajme të mprehur dhe lotin, megjithese me kursim,  fshehur të tjerëve e derdhim. Ai lot shket jo si dobesi njerezore, por  si ai loti që derdhin nenat  atje ne lendinen e loteve te perjetesuar tashme në Korcen nuse, në Korçën plakë, për bijtë e tyre që iknin e nuk u dihej kthimi.

R. Moisiu: Profesioni Juaj ka qenë ushtarak, kur filloi poezia të trokasë në shpirtin Tuaj?

F. Pajo:  Mos gaboj aty nga viti 1977. Duke jetuar në konvikt e larg te afermve, sidomos nënës, që ate kohe edhe vuante, nisa të hedh në një ditar poezi. Poezia e pare që kam shkruar titullohe “Ç’janë kilometrat?!”, që i kushtohet nënës. Më pas kuptohet adoleshenca e rinia kane ndikuar në formimin tim, pse jo edhe në krijimtarine e mëvonshme. Ato vite të largëta kam një kujtim të hidhur. Ditarin me afro 50-te poezi e shenimet personale në vitin 1985, në repartin ku sherbeja, dikush ma  përvetesoi. Pasioni për letersinë erdhi si rezultat i leximit të vazhdueshem të autoreve të njohur, të huaj e të vendit, si: Berns, London, Çehov, Majakovski, Gëte, Poradeci, Kadare, Agolli, e deri tek më të rinjtë, Sulkuqi, Ahmeti, Podrimja,etj. Profesioni  si ushtarak dhe impenjimi im në aktivitetet e ndryshme letraro-artistike  ishin një urë lidhese midis punes dhe artit. Në keto aktivitete kam pasqyruar edhe krijime të mijat. Test ky qe mendoja se  po e kaloja me sukses. Kështuqë, të qenurit ushtarak nuk ka bërë përjashtim në kembenguljen time të vazhdueshme për të shkruar.

R. Moisiu: Ju shkruani poezi, skica, tregime, reportazhe. Cila është gjinia Juaj më e preferuar?

F. Pajo: Si çdo krijues, që të gjitha zhanret që rrok në krijimtarine e tij i ka te dashur e s’mund të beje diferencime. Edhe unë e kam të veshtire përzgjedhjen. Por mendoj se anoj pak nga proza. Kur jam duke hedhur në leter një tregim a novelë, po me erdhi muza shkruaj poezi. Keto i shoh të pandara në punen time si krijues.

R. Moisiu: Ju jeni mjeshter i hedhjes së vargjeve serenade në moment, të cilat janë pelqyer si tekste per kompozim nga kantautori i serenatave  Mihallaq Andrea. Ku e gjeni muzën për të krijuar këto vargje të çastit? 

F. Pajo: I rritur në një familje me tradita Devollite, nuk e di por me kanë terhequr vazhdimisht kenget e asaj treve. Që nga i madhi, artisti Ali Kondi, Sofika Babliku etj, e deri tek kenget qytetare korçare me të paperseriteshmen Anita Take, Aferdita Zonja , Ermira Babaliu e sidomos kenget e grupit karakteristik “Lira”. Dikush mund te habitet, por tek unë ato kanë lënë mbresa. Që atehere me kanë hyrë në zemer edhe te famshmet, ndoshta dhe unikalet, serenatat korçare. Padyshim ashtu sikunder edhe u realizua edhe një film para pak kohesh, Princi, (per mua keshtu do te mbetet), është padyshim  njeriu që derdhi e derdh për gati më shumë se tre dekada energjite dhe zerin mahnites. Ky është Mihallaq Andrea. Këto këngë më largojnë streset, me çlodhin e më frymezojne kudo qofsha, në rruge, në pune, në shtepi, të krijoj e vetem te krijoj vargje të çastit.

R. Moisiu: Çfarë ju lidh me Devollin?

F. Pajo: Me Devollin më lidh gjithshka. Më lidh gjaku. Jam bir nga prindër devollinj. Im-ate nga Suli e ime- më nga Dobranji. Prindërit, disa vite pas luftës u stabilizuan në fermen e re qe po hapej në periferi të Tiranes ,në Kamëz. Për Devollin e devollinjtë  kam nostalgji. Kam kujtime të pashlyeshme. Si krijues per kete zone me tradita e zakone qe s’mund t’ë ndëroj me askënd, i kam kushtuar dhe nje poeme te titulluar “Vendlindjes së Tim-eti”. Pra me Devollin me lidh shpirti.

R. Moisiu: Ju keni botuar vëllimin poetic: “Të kam pritur”. Si ju lindi ideja  për këte vellim dhe mesazhi qe Ju transmetoni nepermjet tij?

F. Pajo:Kisha gati tri vjet qe punoja per kete vellim. Disa shoke te mij duke lexuar nje pjese te ketyre poezive me nxiten te hedh hapin e pare,ta botoj. Disa nga keto poezi perkonin edhe me aktualitetin e asaj kohe qe po kalonte vendi yne. Mesazhi I paqes dhe I respektimit te njeriut ,I cfaredo lloj kategorie qofte,pershkon muzen time ne kete vellim. Mirenjohja dhe vleresimet e lexuesve pas ketij vellimi te pare,me dhane shansin te vazhdoj te shkruaj.

  R. Moisiu: Ne disa nga tregimet e Tua kam vënë re  një shpirt të brendshëm  melodrama, tepër realiste. Nga e merr spunton  Fationi për ta materializuar atë? Keni ndonjë rast konkret?

F. Pajo: Para se të nis të shkruaj, çfaredo qoftë ajo, mendohem gjatë. E bluaj mirë në mendje. Pasi e shoshit deri ne detaje projektin atehere e hedh në letër. Çdo shkrim e ka nje spunto. Është pasqyrim i nje realiteti a fantazie. Unë preferoj realitetin. Aty nga fundi i viteve 90-t, në Qafën e Llogorasë zhvillohej një perkujtimore per studentet e pedagoget e Institutit të Kamzës rënë aty. Miku im ushtarak në Divizionin e Fierit, z.B.Qose, pas më shumë se dhjetë vjetesh takon pilotin hero që në ato dite fortunate solli nga malet e Kukesit nje oficer trup imët “thuajse te pajete”. Ai fluturonte drejt Tiranës e lotet per kete të ri s’i shteronin. Kjo spunto më dha frymezimin të shkruaj ne gazeten e ushtrise reportazhin “Takim pas vitesh”, të cilin më vone e realizova në tregim.

R. Moisiu: Cila eshte dashuria me e madhe e Fationit?

F. Pajo: Të dua kombin tim, ndaj të cilit kemi shumë detyrime, familjen pa te cilën s’e konceptoj dot vetveten dhe respekti  ndaj të gjithë bashkëkombasve të mi kudoqofshin.

R. Moisiu: A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ja shihni gjurmët në krijimtarinë Tuaj ?

F. Pajo: Ka disa. Është me interes  t’u shpreh një rast. Kur punoja në Divizjonin e Fierit kisha filluar disa bashkepunime me gazeten “Ushtria”. Në vitin 1998 ndodhi  drama e madhe kosovare. Shperngulja e mbi 500 mije njerezve të pafajshem nga trojet e tyre  drejt tokës amë ishte një dhimbje e vërtetë. Opinioni botëror këtë mikpritje dhe hapje dyersh per vellezrit e veriut e cilesoi si virtytin më të lartë të një populli gati dy-milionësh.  Edhe në qytetin e Fierit erdhen qindra familje kosovare. Ishte nje drame e vërtetë. Një trup i gjymtuar keqazi nga makina shfarosese Serbe.  Ishte nje moment kritik per gjithkend që e quante veten patriot. Në bashkepunim me mikun tim z. Q. Selimi (punonte ne atë kohë në M.Mbrojtjes), shkrova një artikull me kete rast: “Me Isët ideal, marshimi ynë kurrë s’ka me u ndalë…” Pas ketij shkrimi njerëz që as nuk i njihja, mjaft nga emir, më uronin per ndihmesen qe u kisha dhënë. Ky ishte një sadisfaksion i madh per mua  që me aq sa kisha mundesi dhashë një ndihmesë për atë popull trim, ëe po gjakosej në menyrë të pabarabarte trup me trup me “Shkaun”. Më vonë, një ndër dhjetra e dhjetra episodeve tragjike të atij populli martir, e materializova në tregimin te titulluar “Rrënjët e Jetës”.

R. Moisiu: Ju jeni antar i shoqates së Shkrimtareve shqiptaro- amerikanë. Si ju duken këto shoqata dhe misioni i tyre?

F. Pajo: Po jam anetar që nga viti 2006. Të jesh i anetaresuar në një shoqatë të tillë, në radhë të parë është një nder që i bëhet personit, në rastin konkret mua si krijues. Por dua të shtoj se kur  në gjirin e kësaj shoqate  ka shkrimtarë nga më të degjuarit në Diasporë, me obligon  te hedh me kujdes hapat në kete rrugë të vështirë, por dhe shume fisnike per vete misionin qe kjo shoqate ka në prioritet. Kur ne pasqyrojme me anë të penës sonë realitetin aktual, kemi parasysh mbi të gjitha se jemi shqiptarë  dhe duhet t’i paraprijmë së ardhmes së vendit tonë. Ky është misioni fisnik e primar  që ne mundohemi të paraqesim  në komunitetin shqiptar kudo ku punon e jeton.

R. Moisiu: Ju jeni anetar i shumë forumeve dhe listave shqiptare ne internet. Ç’mendim keni për forumet Tefta Tashko Koço dhe atë Devolli ?

F. Pajo: Ngritja e shume forumeve  virtuale i kanë sherbyer me se shumti njohjes se njeri-tjetrit. Sjellja ne menyre teper te kulturuar artistikisht të problematikave që shqetesojnë Vendin e Diasporen nepermjet diskutimeve me vlere per to. Përsa i përket dy klubeve në fjalë mendoj se janë dy tryeza të rrumbullakta ku takohen miqte patriotët. Janë vendi ku shkembejmë miqësishtë hallet tona, krijimtarinë tonë. Është vendi ku i bëjmë “vërejtje” njeri-tjetrit. Pra, është gjëja më e mirë, e për këtë keni edhe Ju meritë si moderatore.

R. Moisiu: Profesioni Juaj Ushtarak. Nje pyetje delikate: Si i shikoni përpjekjet e Diplomacisë Nderkombetare, asaj shqiptare dhe kosovare per çështjen shqiptare, e në veçanti për Pavarësinë e Kosovës?  

F. Pajo: Politikanët shqiptarë, e sidomos ata kosovarë  duhej të vepronin më energjikisht ngaj çështjes shqiptare në përgjithesi e asaj kosovare në veçanti. Ata i dinë mirë qellimet e fqinjeve, ndaj lypset për të luftuar edhe më me forcë diplomatikisht se deri tani. Pavarësinë kosovarët nuk mund ta fitojnë duke pritur çdo të sjelle ky takim apo ai tjetri nëpër kanceleritë e huaja. Jo, ata dhe bashke me ta edhe politika shqiptare, duhet të bëhen një trup i vetëm e te ngrihen për ta thënë si duhet fjalën e tyre. …..

Filed Under: Kulture Tagged With: boton romanin, Fation Pajo, Pas asaj mesnate, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT