-Që prej 24 vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 Janar, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në Prishtinë/
-NE JEMI ME JU – Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë! Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 4 Korrik 2020/ Festohet tradicionalisht në Kosovë 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.
Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjespër nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.
Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996.Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Ndërkohë,ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 20 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në urimet e krerëve të shtetit të Kosovës përkujtohet se, sot është Ditëlindja e 244-të e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
POPULLI I KOSOVËS ËSHTË PËRJETËSISHT FALËNDERUES PËR MBËSHTETJEN AMERIKANE
Shkruan: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Ky 4 korrik shënon përvjetorin e 244-të të Pavarësisë së SHBA-së, vendit më demokratik në botë. Urimet më të sinqerta për popullin dhe institucionet amerikane në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës. Ne ndajmë vlera, parime dhe vizion të përbashkët për një botë të lirë, të drejtë dhe demokratike.
Populli i Kosovës është përjetësisht falënderues për mbështetjen amerikane në kohërat më të vështira dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rindërtimin e vendit tonë.
Zoti e bekoftë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
MIQËSIA ME AMERIKËN, REFERENCË E PËRHERSHME E KOSOVËS
-Urimi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve/
Për nder të 244 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, flamuri amerikan është vendosur para hyrjes së objektit të Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett kanë nderuar flamurin amerikan pas intonimit të himneve të të dy shteteve.
Flamuri amerikan do të valvitet në hyrje të ndërtesës së Kuvendit deri më 6 korrik.
Kryetarja Osmani ka uruar popullin amerikan për ditën e pavarësisë së shtetit të tyre, duke rikujtuar që miqësia e Kosovës me ShBA-të është e një rëndësie strategjike dhe e përhershme.
Mesazhi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për 4 Korrik:
Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm. Jemi krenar që në krah tonin kemi vendin simbol të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të janë përveç se vend mik, edhe partner strategjik i yni në gjithë rrugëtimin tonë për ta bërë Kosovën shtet të pavarur. Vendi ynë sot është i lirë edhe shkaku i kontributit të madh të Amerikës, miqësinë me të cilën na e la testament presidenti historik dr.Ibrahim Rugova.
Kosova në miqësi të përhershme me Amerikën është referencë e përhershme e jona!
Popullit amerikan, urime 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë popullin amerikan!
QEVERIA DHE POPULLI I KOSOVËS BASHKOHEN NË KËTË DITË FESTE ME QEVERINË DHE POPULLIN AMERIKAN
-Mesazh i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vijim po e japim tekstin e këtij mesazhi:
Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korriku, është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike anekënd botës. Qeveria dhe populli i Kosovës bashkohen në këtë ditë feste me qeverinë dhe popullin amerikan për ta lartësuar edhe më shumë idenë e lirisë dhe të demokracisë për të gjithë njerëzit e globit.
Deklarata e Pavarësisë e SHBA-ve e 4 Korrikut 1776 ka shënuar lindjen e një kombi të ri e liridashës, i cili, që nga atëherë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ngjarjet më të rëndësishme historike botërore dhe në rritjen e demokracisë.
Mesazhi i fuqishëm amerikan i lirisë sot simbolizon ëndrrën e madhe të të gjitha kombeve për liri dhe demokraci, për paqe dhe dinjitet të gjithëmbarshëm. Jehona e këtij mesazhi të madh ka prekur zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët populli dhe qeveria amerikane kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë simbol i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë e dy vendeve tona!
NE JEMI ME JU – GËZUAR DITËN E PAVARËSISË AMERIKË DHE FALEMINDERIT KOSOVË!
-Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/
Këtë vit, ambasada e Shteteve të Bashkuara feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit tonë me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj të cilat bashkëpunojnë me ne dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqa, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë.
Përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, pritja jonë tradicionale është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale. Bashkohuni me ne të shtunën, më 4 korrik 2020, në orën 10:00, përmes faqes sonë në Facebook ose ueb sajtit tonë gjersa festojmë 4 Korrikun me një program të veçantë, ku do të transmetohet fjalimi i Ambasadorit Kosnett dhe i të ftuarit të posaçëm Dr. Lulzim Raka, profesor i Mjekësisë dhe Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në
Universitetin e Prishtinës.
Ndërkohë, vazhdoni të mbani maska në publik, lani duart dhe mbani distancën sociale. Siç kemi parë, kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe vetëm ne si individ kemi fuqinë për ta ndaluar përhapjen për familjet dhe komunitetet tona.
Siç thotë dr. Raka në mënyrë elokuente, “Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe mirëqenien për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rruga jonë drejt së ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 korrikut. Le ta ndjekim citatin e presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”
Meqenëse nuk mund të jemi personalisht së bashku, kjo është një mundësi e mirë për t’i shiquar momentet në histori të cilat na rikujtojnë që demokracia është një punë në vazhdim e sipër që kërkon pjesëmarrje në të gjitha nivelet. Demokracia pret që liderët dhe institucionet t’i dëgjojnë në mënyrë aktive qytetarët e tyre dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet – siç bëjnë sot qytetarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë e të qëndrueshme që shkon disa breza prapa. Si miq e partnerë, kemi qëndruar së bashku gjatë momenteve më të këqija dhe i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi këtu me ju, sot dhe në të ardhmen.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë!
AMBASADORI AMERIKAN PHILIP S. KOSNETT: NË VITIN 1776, SHTETET E BASHKUARA ISHIN NË NJË UDHËTIM DREJT PAVARËSISË
-Fjalimi i ambasadorit amerikan Philip S. Kosnettme rastin e Ditës së Pavarësisë/
Përshëndetje. Ju faleminderit që na u bashkuat për ta festuar 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1776, Shtetet e Bashkuara ishin në një udhëtim drejt pavarësisë. Themeluesit tanë nuk kërkuan vetëm lirinë nga një mbret i huaj. Ata u përpoqën ta ndërtojnë një lloj të ri të shoqërisë – një republikë që njohu se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë ishin të drejta të qarta njerëzore.
Më shumë se dy shekuj në rrugëtimin e Amerikës për të kuptuar që vizioni është i papërfunduar. Amerikanët kanë përjetuar kohë gëzimi e përparimi, por edhe të dhimbjes e regresit. Në vitet 1860, qindra mijëra amerikanë, të bardhë e të zi, vdiqën në një luftë tragjike civile për t’ua sjellë lirinë miliona amerikanëve të tjerë të skllavëruar.
Një shekull më vonë, aktivistë të të drejtave civile, si Martin Luther King Jr., dhanë jetën e tyre në luftën për ta krijuar një shoqëri në të cilën, sipas fjalëve të King-ut, fëmijët një ditë do të jetonin në një komb ku ata [nuk] do të gjykoheshin nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.
Dhe lufta për drejtësi të barabartë dhe mundësi të barabarta në Amerikë nuk ka qenë vetëm çështje race. Liderët, si Susan B. Anthony, kampion i shekullit të 19-të për të votuar për të drejtat e gruas, luftuan për propozimin që pohimi i Amerikës që të gjithë burrat janë krijuar të barabartë duhet të vlejë edhe për gratë. Brezat e amerikanëve – disa të famshëm, disa anonimë – kanë luftuar për ta shtrirë konceptin e barazisë për të përfshirë njerëz të të gjitha racave, të të gjitha etnive, feve, gjinive dhe identiteteve seksuale.
Javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë.
Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport për spektatorë. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe këmbëngulje për t’i adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por gjithashtu edhe kohë shprese. Shpresoj që një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të ndodhë me një popullsi të angazhuar. E njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën.
Populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global.
Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale.
Sfidat e fundit e kanë treguar kreativitetin dhe aftësinë ripërtëritëse të popullit të Kosovës. Ndërsa institucionet dhe bizneset ishin të detyruara të mbylleshin për ta ndaluar përhapjen e virusit, qeveria, bizneset dhe shoqëria civile reaguan njësoj për t’u ndihmuar atyre që kishin nevojë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me ndihmë financiare e teknike. Ka shumë më tepër për të bërë, edhe nga qytetarët e rëndomtë, për ta sjellë pandeminë nën kontroll. Por kam besim se me këmbëngulje, punë të zellshme dhe bashkëpunim përtej kufijve, do të triumfojmë ndaj virusit, siç kemi triumfuar ndaj armiqve të tjerë.
Në këtë Ditë të Pavarësisë së Amerikës, le të zotohemi përsëri për përpjekjet tona më të mira për të ndërtuar shoqëri – për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët – që pasqyron ëndrrat e themeluesve tanë dhe i përmbush detyrimet tona ndaj brezave të ardhshëm.
MJEKU KOSOVAR DR. LUL RAKA: AMERIKË, SOT NË FLAMURIN TËND KE NJË YLL MË SHUMË – ATË TË KOSOVËS!
-Fjalimi e dr. Rakës me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së/
I nderuari Ambasador, të nderuar qytetarë të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, kam nderin dhe privilegjin që, në emër të qytetarëve të Kosovës, t’ua uroj Shteteve të Bashkuara Ditën e Pavarësisë!
Populli i Kosovës do t’u jetë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në kultivimin e idealeve që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë e 4 Korrikut 1776. Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Liria është gjithashtu histori e rezistencës. Dhe ndërsa njerëzit e Kosovës kanë lëvizur nga rezistenca e tyre ndaj tiranisë në pavarësi e liri, ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e punë, shëndetësi, arsim e shkencë, art e kulturë.
Gjatë këtij viti, bota e mbylli pandeminë COVID-19 me një virus vdekjeprurës që po e kërcënon njerëzimin. Njerëzit tanë gjithashtu janë përballur me këtë sfidë të vështirë me burime të kufizuara. Por miqtë janë bashkë në ditë të vështira. E njëjta gjë ndodhi edhe kësaj radhe kur miqtë tanë amerikanë ndihmuan popullin tonë duke e mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës. Ju falënderojmë për këtë mbështetje thelbësore.
Pasi ende nuk ka ndonjë ilaç apo vaksinë, parandalimi i kësaj sëmundjeje mbetet arma e vetme që kemi në dispozicion. Të dashur qytetarë, ju lusim t’i ndiqni këshillat për parandalim duke mbajtur distancën tuaj fizike kudo dhe në çdo kohë, duke veshur maska dhe duke mbajtur higjienën e duarve. Vetëm së bashku mund të përballemi me këtë sfidë!
Rruga jonë drejt të ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 Korrikut. Le ta ndjekim citatin e Presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”
Sot, më 4 korrik, çdo kosovar është amerikan!
Amerikë, sot në flamurin Tënd ke një yll më shumë – atë të Kosovës!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Zoti i bekoftë SHBA-në dhe Kosovën!