Refleksion nga Rafael Floqi/
4 Korriku, i njohur edhe si Dita e Pavarësisë, është dita në vitin 1776 kur delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë, duke njoftuar shkëputjen nga Britania. Presidenti Donald Trump i filloi festimet e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës, me një tubim në Monumentin kombëtar “Mali Rushmore”, ku iu drejtua turmës me fjalët se fëmijët e tyre po mësojnë në shkollë “të urrejnë vendin e tyre”. Presidenti foli para një turme entuziaste duke këmbëngulur se sulmet nga e majta radikale, siç e quajti ai, duhet të ndalen që të mbrohet mënyra amerikane e jetesës.
Presidenti paralajmëroi pjesëmarrësit në tubim se demonstratat kundër padrejtësisë sociale që janë përhapur në të gjithë vendin pas vdekjes së George Floyd gjatë arrestit, kërcënojnë themelet e qeverisjes amerikane. Zoti Trump sulmoi ashpër “turmat e zemëruara”, duke iu referuar protestuesve që janë përpjekur të heqin simbole që shihen prej tyre si raciste si dhe të rrëzojnë monumente që nderojnë figura të Konfederatës.
“Ata duan të rrëzojnë bindjet tona, kulturën dhe identitetin që e kanë bërë Amerikën vendin më dinamik e tolerant në historinë e botës. Bashkëkombasit e mi, amerikanë, ka ardhur koha të ngremë zërin me fuqi dhe të mbrojmë integritetin e atdheut tonë,” tha presidenti.
Ndonjëherë heronjtë bien, shumë vite pas vdekjes së tyre
A është ky një veprim turpi? A është rinovimi i krenarisë së humbur kombëtare? Vandalizëm? Apo është thjesht një veprim i impulsit njerëzor të çuditshëm? Këto pyetje kanë vazhduar të ndjekin të gjithë ata që e duan Amerikën dhe jetojnë në Amerikë në këto ditë.
Dy statuja të Kristofor Kolombit, eksploruesit udhëtimin e të cilit në Amerikë e kishin lidhur Evropën me Botën e Re – u sulmuan mes protestave të përhapura të anti-racizmit në të gjithë SHBA. Nëse do të kishim parë optikën e mediave, duhet të ishim tronditur nga dhjetëra mijëra njerëz që kishin hyrë në debat mbi disa statuja të figurave historike të lidhura me skllavërinë dhe racizmin që janë tërbuar që prej disa javësh. Zemërimi i ikonoklazmës së statujave në Shtetet e Bashkuara ka marrë një kthesë drejt teatrit të absurdit. Rrëzimi ose mbrojtja e statujave të themeluesve ose të heronjve kombëtarë, jo vetëm që tregon injorancën ndaj historisë, por edhe sulmon parimet e civilizimit perëndimor që lejojnë që të vazhdojë përparimi i mirëkuptimit mes racave.
Presidenti iu kundërvu lëvizjes për drejtësi sociale që është përhapur në vend, duke thënë se po bën të kundërtën dhe do të çonte në “shkatërrimin e drejtësisë dhe shoqërisë”:
A e keni pare lajmet, duke parë grupe të organizuara që tërheqin statuja – jo të ushtarëve të Konfederatës, por të Etërve tanë Themelues ose presidentëve të tjerë – dhe e keni pyetur veten duke pyetur veten se çfarë po ndodh?
Shkatërrimi i statujave është shpesh një pjesë e lëvizjeve revolucionare. Patriotët rrëzuan një statujë të Mbretit George III pasi Revolucioni Amerikan kur ai mori vrull, dhe ata që kërkuan lirinë nga zgjedha e mbrapshtë e komunizmit, hodhën poshtë monumentet për shtypësit e tyre, të Enverit, Leninit dhe Stalinit apo dhe Sadam Hyseini. Prandaj nuk është për t’u habitur që protestat për vrasjen e George Floyd kanë synuar të eliminojnë figurat e Konfederatës dhe kjo është e justifikueshme. Monumentet për ata që përcjellin këtë ndjenjë revoltuese nuk kanë vend në një Shtetet e Bashkuara që i kushtohet parimit të kundërt – që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.
Ne mund të përpiqemi t’u japim këtyre grupeve të drejtën e dyshimit. A ishte shumë e errët dhe ata nuk panë që po hidhnin poshtë një statujë të George Uashingtonit? Ndoshta sistemi ynë arsimor ka dështuar dhe disa nuk e kuptojnë që Thomas Jefferson e shkroi Deklaratën e Pavarësisë dhe ishte një figurë kritike në luftën tonë për Pavarësinë? Apo që Ulysses S. Grant në të vërtetë luftoi për të shpëtuar Bashkimin, Konfederata iu dorëzua atij në Shtëpinë e Gjykatës së Appomattox dhe ishte një udhëheqës i shkëlqyeshëm në përpjekjet e Rindërtimit? Me siguri, ata harruan që Abraham Lincoln ishte nënshkruesi i Proklamatës së Emancipimit që çoi përfundimisht në heqjen e skllavërisë në Amerikë? Sot duan ta rrezojnë statujën e tij. Vallë amerikanët nuk e dinë historinë e tyre. Kjo gjë i mësohet çdo të mërguari në provimin e nënshtetësisë.
Por kjo nuk është ajo që po ndodh. Nuk di si t’u tregoj fëmijëve të mi të vërtetën, sepse e vërteta më bën të ndihem i trishtuar dhe i zemëruar.
“Ideologjia radikale për të sulmuar vendin tonë ka si parullë drejtësinë sociale. Por në realitet, do të shkatërrojë shoqërinë dhe drejtësinë. Ajo do ta kthejë drejtësinë në instrument të përçarjes dhe hakmarrjes. Do ta shndërronte një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse në një vend të shtypjes, dominimit dhe përjashtimit. Ata duan të na mbyllin gojën, por ne nuk do të heshtim,” tha presidenti në dje në një nga fjalimet më të arrira të tij.
Po të shohësh median e majtë amerikane, heqja e këtyre statujave nuk është gabim. Grupet që heqin statuja po marrin sugjerimet e tyre nga figura të shquara në te gjoja elitës së kombit tonë. Ju mund t’i gjeni idetë e tyre në faqet e botuara të New York Times, në lajmet e CNN, MSNBC dhe madje edhe në librat shkollorë të fëmijëve tanë.
Presidenti mori pjesë në një tubim me rastin e Ditës së Pavarësisë me pjesëmarrjen e mijëra vetëve të mbledhur pa distancë fizike dhe ku presidenti dhe shumica e pjesëmarrësve nuk mbanin maskë. Gjatë tubimit në një amfiteatër pranë Monumentit Mali Rushmore të Dakotës së Jugut ku janë të skalitura në gurë figurat gjigande të katër presidentëve amerikanë, zoti Trump njoftoi se ka dhënë urdhër për krijimin e “Kopshtit Kombëtar të Heronjve Amerikanë” që do të ketë statujat e “amerikanëve më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë,” siç e prezantoi presidenti.
Zoti Trump foli për secilin nga presidentët e skalitur në faqen e malit — George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe Theodore Roosevelt.
Mediat e majta për të cilat, monumentet nuk ishin raciste kur i vizitonte Obama, Hillary Clinton apo Bernie Sanders, e kritikuan presidentin pse nuk përmendi elementë të tjerë të prejardhjes apo qeverisjes së tyre që kritikohen nga një pjesë e shoqërisë amerikane. Apo po ashtu, se Presidenti Trump nuk përmendi se mali ku ndodhet monumenti është tokë e shenjtë për popullatën indigjene amerikane, që e konsideron ngritjen e monumentin përdhosje të kësaj toke të shenjtë. E gjitha kjo s’ ka të bëjë fare me figurat as me shqetësimet e gjoja ambientalistëve si dhe politikanë e aktivistë kanë shprehur shqetësimin se fishekzjarrët dëmtojnë mjedisin delikat ekologjik të zonës dhe paraqesin rrezik për zjarre në bimësinë malore. Apo zyrtarë të shëndetit publik demokratë që kanë dhënë alarmin se aktiviteti në Dakotën e Jugut do të krijojë një vatër të re të epidemisë me një përhapje të shpejtë infeksionesh. Ata që nuk thonë gjë se një nga shkaqet e shtimit të korona virusit natyrisht kanë qenë edhe protestat e fundit. Ata që kërkojnë distancim fizik në plazh nuk ka problem pse nuk ekziston në protesta. Madje guvernatori i New Yorkut Mario Cuomo, u kërkoi me urdhër që mjekët të mos i pyesnin të sëmurët me Covid -19 nëse kishin marrë pjesë në protesta?
Çfarë po ndodh atëherë? Disa e quajnë atë një revolucion, por është një zhvendosje themelore e asaj se çfarë është Amerika se kush jemi, çfarë jemi dhe pse jemi një komb. Kush i pa për jetuar gjurmët e Revolucionit Kinez të Maos të konvertuar në lëvizjet ateiste kundër fesë të komunistëve shqiptarë , i kupton fare mirë ngjashmëritë absurde. Të rrëzosh monumentin e George Washingtonit pse kishte pasur skllevër, 250 vjet më parë, është si të shembësh monumentin e Ismail Qemalit pse mbante emrin bej dhe vinte nga në familje feudale , apo të shembësh Koloseun pse aty ndesheshin gladiatorët.
Këtë gjë as regjimi komunist shqiptar që s’ la gjë pa bërë në emër të një ideologjie të ngjashme nuk e bëri dot. Figurat historike duhet të analizohen në kohën e tyre, ndryshe historia nuk do të kishte vlerë.
Në njërën prej statujave të George Washingtonit të rrëzuar në Portland, qenë shkruar numrat 1619 në anën e tij. Por çfarë është 1619? Është një referencë për vitin që skllevërit afrikanë u sollën në Amerikën e Veriut për herë të parë. Është gjithashtu emri i një programi shkollor të ri të botuar nga New York Times që po u prezantohet fëmijëve tanë në shkollë.
Projekti i vitit 1619 mëson se Amerika, në thelb të saj, është një komb racist i papërballueshëm. Sipas Nikole Hannah Jones, ideatores të projektit të vitit 1619, Etërit Themelues luftuan për pavarësi nga Britania për të mos mbrojtur të drejtën e jetës, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë siç thoshin se ishin, por për të mbështetur institucionin e skllavërisë. Kjo është një përmbledhje absurde e lindjes së kombit tonë, dhe është plotësisht e rremë. Ata nuk duan që të merreni me faktin se George Uashingtoni i liroi skllevërit e tij deri në fund të jetës së tij dhe u shpreh të shikoni një plan për shfuqizimin në vullnetin e tij. Ose ajo ikonë e të drejtave civile Martin Luther King luftoi për një trajtim të barabartë sipas ligjit duke përdorur Deklaratën e Pavarësisë së Thomas Jeffersonit.
Por anëtarët e Bordit të Çmimeve Pulitzer i injoruan ato detaje të bezdisshme dhe pasaktësi historike. Në fillim të këtij viti, ata njoftuan se po i japin Nikole Hannah Jones, themelueses të projektit 1619, njohjen më të lakmuar të vendit tonë dhe nderin më të lartë -Cmimin Pulitzer. Jo vetëm që i pranuan këto gënjeshtra si të vërteta, Bordi i çmimeve Pulitzer i festoi ato dhe sinjalizoi që edhe ne duhet t’i festojmë. Nëse ata mund t’ju bëjnë të pranoni këtë rishkrim të historisë, ata mund t’ju bëjnë të thoni ndonjë gjë. Emërtimi “ racist” është bërë një element i politikës të së majtës, dhe pas këtij epiteti, synohet të vihet kundërshtari politik me shpatulla pas muri. Kujtoni shpalljen veprim “racist“ të bllokimit të udhëtimeve nga Kina nga presidenti Trump, apo sulmin ndaj emërtimit ‘Virusi kinez”.
Javën e kaluar, Universiteti Princeton njoftoi se do të hiqte emrin e Woodrow Wilson, një nga presidentët më të dashur për kombin shqiptar, nga Shkolla e Punëve Publike dhe Ndërkombëtare, sepse “mendimi racist dhe politikat e tij e bëjnë atë një emër të papërshtatshëm për një shkollë ose kolegj, studiuesit, studentët dhe alumni i të cilit duhet të qëndrojnë fort kundër racizmit. në të gjitha format e saj, “tha presidenti i universitetit, Christopher L. Eisgruber. “Racizmi i Wilson ishte i theksuar dhe pasues edhe nga standardet e kohës së tij.” Por është e habitshme si mund të quhet racist një president që me planin e “14 Pikave” të tij mbrojti kombet e vegjël si Shqipëria pas Luftës së Parë. Masa nuk është përmbushur me të njëjtin inat si, të themi, përpjekjet në DC për të hequr një statujë të Abraham Lincoln duke qëndruar përkrah një skllavi të liruar të gjunjëzuar, kur shpall “Emancipation Proclamation” . Ku po vemi kështu?. Një universitet amerikan nga më në zë heq emrin e një prej presidentëve që udhëhoqi vendin gjatë Luftës së Parë Botërore me “ 14 pikat e tij , u bë arkitekti dhe pararendësi intelektual të Kombeve të Bashkuara. Dhe pse sipas prof. Aderson Bellegarde François i ligjit dhe drejtor i Klinikës së të Drejtave Civile në Georgetown University Law Center, kjo pse Wilson kishte ide raciste pse shfaqi një film në Shtëpinë e Bardhë dhe ndihmoi për ta parë edhe anëtarët e Kongresit dhe gjykatat e Gjykatës Supreme. Filmi i Griffith’s që ishte bërë mbi bazë të romanit The Clansman, që u shfaq në 8 shkurt, 1915, ku sipas tij i kishte pëlqyer Willson.( siç!) Politizimi i historisë dhe qarqeve universitare dhe akademike është baza ideologjike marksiste e tyre, që shkojnë deri në nonsens. Mungesa e mendimit ndryshe në kampuset universitare të çon në fashizëm ose komunizëm, një qime floku i ndan.
Për 244 vjet, e Katër Korriku ka qenë festa më e dashur e Amerikës. Ne festojmë mitologjinë e kombit tonë me parti, parada, piknik, Barbecues dhe fishekzjarre. Sky Rockets, Lady Fingers, Fountains and Weasels ndezin parqet, stadiume dhe lagjet e qyteteve urbane dhe zonave rurale me fishekzjarrë. Më shumë hoot dogs , birrë dhe pop soda konsumohen më 4 korrik sesa të gjitha pushimet e tjera. Më shumë flamuj amerikanë valëviten në lagje për kombit tonë sesa në çdo kohë tjetër të vitit. Është dita që shumica e amerikanëve shfaqin më shumë dashuri për vendin e tyre sesa ata për politikën e tyre. Dhe kështu duhet të mbetet.
Apo mos vallë sipas këtyre mendjendriturve që rrëzuan monumentin e Kristofor Kolumbit që është vlerësuar prej kohësh si një eksplorues i guximshëm dhe zbuluesi i Amerikës, udhëtimi i të cilit në vitin 1492 hapi rrugën për krijimin e SHBA më pak se tre shekuj më vonë. Shumë e konsiderojnë Kolombin si të parin nga shumë kolonizatorë evropianë që zhvilluan një fushatë shekullore të genocidit dhe luftës kundër popullsisë vendase. Thirrjet për të shfuqizuar Ditën e Columbus, festa kombëtare e SHBA e mbajtur në tetor, gjithashtu po rriten më shumë. Mos vallë sipas këtyre mendjendriturve mos duam t’ ja heqim dhe emrin Amerika vjen nga Amerigo Vespuci që zbuloi të gjithë kontinentit vite me vonë. (Përdorimi më i hershëm i njohur i emrit Amerikë daton në 25 Prill 1507)
Kështu, duke marrë si shënjestër zërat më të shquar të kombit tonë dhe elitat kulturore, “protestuesit” pa ligj po shkatërrojnë statujat e disa prej figurave të nderuara të vendit tonë. Ata thonë, dhe unë po parafrazoj, “Kushdo që ndihmoi në ndërtimin e Amerikës është racist sepse Amerika është një komb racist” – kjo është ajo që mendojnë. “Ju nuk mund të keni krenari në një vend që është i papërballueshëm racist. Ju nuk duhet ta nderoni flamurin që e përfaqëson atë. Dhe kur të paraqitet ai flamur, duhet të gjunjëzoheni. ” Kjo është më e madhe se një thirrje e thjeshtë për reformën në polici. Ky është një tregim dramatik i historisë amerikane. Nëse nuk e ndalim mund ta gjejmë veten të jetojë në një komb, që nuk do ta njohim.
Nga të gjitha ngjarjet e paharrueshme që ndodhën në 4 korrik, Pavarësia jonë mbetet përvjetori më i spikatur që festojmë në këtë ditë. Ai qëndron në lirinë dhe lirinë amerikane. Ajo përfaqëson themeluesit tanë që janë të vendosur për të drejtat tona dhe premtojnë të luftojnë këdo që qëndroi në mënyrën tonë për t’i ushtruar ato. Themeluesit tanë erdhën nga të gjitha sferat e jetës. Mjekët, avokatët, mësuesit, zejtarët, tregtarët dhe fermerët ata që kishin skllevër dhe ta që s’kishin të gjithë sollën diçka unike për Amerikën. Por ishin dy shkrimtarët e egër që krijuan një rol të rëndësishëm në themelimin tonë. Thomas Paine dhe John Locke kodifikuan gjuhën dhe idetë për të përcaktuar fatin e amerikanëve. Paine organizoi Revolucionin me pamfletin e tij “Common Sense”, dhe Locke ndihmoi të bindte besnikët melankolikë se ata mund ta mposhtnin fuqinë më të madhe të kohës, Britaninë.
“Qëllimi i ligjit nuk është për të shfuqizuar ose përmbajtur, por për të ruajtur dhe zgjeruar lirinë.” Na kujton edhe sot, John Locke. Ligj dhe rregull kjo është ajo që duhet. Gëzuar 4 Korrikun Amerikë !
4 KORRIKU, DITA E PAVARËSISË SË AMERIKËS, FESTË EDHE E KOSOVËS


-Që prej 24 vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 Janar, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në Prishtinë/

-NE JEMI ME JU – Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë! Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 4 Korrik 2020/ Festohet tradicionalisht në Kosovë 4 Korriku, Dita e Pavarësisë së vendit të miqësisë së përjetshme dhe raporteve të veçanta – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.

Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjespër nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.

Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996.Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Ndërkohë,ushtarët amerikanë mbështesin KFOR-in qe 20 vjet. Trupat amerikanë kontribuojnë në misionin e NATO-KFOR-it për të garantuar mjedis të qetë e të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në urimet e krerëve të shtetit të Kosovës përkujtohet se, sot është Ditëlindja e 244-të e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
POPULLI I KOSOVËS ËSHTË PËRJETËSISHT FALËNDERUES PËR MBËSHTETJEN AMERIKANE
Shkruan: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Ky 4 korrik shënon përvjetorin e 244-të të Pavarësisë së SHBA-së, vendit më demokratik në botë. Urimet më të sinqerta për popullin dhe institucionet amerikane në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës. Ne ndajmë vlera, parime dhe vizion të përbashkët për një botë të lirë, të drejtë dhe demokratike.
Populli i Kosovës është përjetësisht falënderues për mbështetjen amerikane në kohërat më të vështira dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rindërtimin e vendit tonë.
Zoti e bekoftë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
MIQËSIA ME AMERIKËN, REFERENCË E PËRHERSHME E KOSOVËS
-Urimi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve/
Për nder të 244 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, flamuri amerikan është vendosur para hyrjes së objektit të Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett kanë nderuar flamurin amerikan pas intonimit të himneve të të dy shteteve.
Flamuri amerikan do të valvitet në hyrje të ndërtesës së Kuvendit deri më 6 korrik.
Kryetarja Osmani ka uruar popullin amerikan për ditën e pavarësisë së shtetit të tyre, duke rikujtuar që miqësia e Kosovës me ShBA-të është e një rëndësie strategjike dhe e përhershme.
Mesazhi i Kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani për 4 Korrik:
Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm. Jemi krenar që në krah tonin kemi vendin simbol të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të janë përveç se vend mik, edhe partner strategjik i yni në gjithë rrugëtimin tonë për ta bërë Kosovën shtet të pavarur. Vendi ynë sot është i lirë edhe shkaku i kontributit të madh të Amerikës, miqësinë me të cilën na e la testament presidenti historik dr.Ibrahim Rugova.
Kosova në miqësi të përhershme me Amerikën është referencë e përhershme e jona!
Popullit amerikan, urime 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë popullin amerikan!
QEVERIA DHE POPULLI I KOSOVËS BASHKOHEN NË KËTË DITË FESTE ME QEVERINË DHE POPULLIN AMERIKAN
-Mesazh i Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë një mesazh urimi për popullin dhe qeverinë amerikane me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vijim po e japim tekstin e këtij mesazhi:
Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korriku, është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike anekënd botës. Qeveria dhe populli i Kosovës bashkohen në këtë ditë feste me qeverinë dhe popullin amerikan për ta lartësuar edhe më shumë idenë e lirisë dhe të demokracisë për të gjithë njerëzit e globit.
Deklarata e Pavarësisë e SHBA-ve e 4 Korrikut 1776 ka shënuar lindjen e një kombi të ri e liridashës, i cili, që nga atëherë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ngjarjet më të rëndësishme historike botërore dhe në rritjen e demokracisë.
Mesazhi i fuqishëm amerikan i lirisë sot simbolizon ëndrrën e madhe të të gjitha kombeve për liri dhe demokraci, për paqe dhe dinjitet të gjithëmbarshëm. Jehona e këtij mesazhi të madh ka prekur zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të cilët populli dhe qeveria amerikane kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë simbol i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë e dy vendeve tona!
NE JEMI ME JU – GËZUAR DITËN E PAVARËSISË AMERIKË DHE FALEMINDERIT KOSOVË!
-Festimi virtual i 4 korrikut në ambasadën e SHBA-së në Kosovë/
Këtë vit, ambasada e Shteteve të Bashkuara feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit tonë me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj të cilat bashkëpunojnë me ne dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqa, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë.
Përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, pritja jonë tradicionale është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale. Bashkohuni me ne të shtunën, më 4 korrik 2020, në orën 10:00, përmes faqes sonë në Facebook ose ueb sajtit tonë gjersa festojmë 4 Korrikun me një program të veçantë, ku do të transmetohet fjalimi i Ambasadorit Kosnett dhe i të ftuarit të posaçëm Dr. Lulzim Raka, profesor i Mjekësisë dhe Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në
Universitetin e Prishtinës.
Ndërkohë, vazhdoni të mbani maska në publik, lani duart dhe mbani distancën sociale. Siç kemi parë, kjo pandemi nuk ka mbaruar dhe vetëm ne si individ kemi fuqinë për ta ndaluar përhapjen për familjet dhe komunitetet tona.
Siç thotë dr. Raka në mënyrë elokuente, “Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe mirëqenien për të gjithë qytetarëve të Kosovës. Rruga jonë drejt së ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 korrikut. Le ta ndjekim citatin e presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”
Meqenëse nuk mund të jemi personalisht së bashku, kjo është një mundësi e mirë për t’i shiquar momentet në histori të cilat na rikujtojnë që demokracia është një punë në vazhdim e sipër që kërkon pjesëmarrje në të gjitha nivelet. Demokracia pret që liderët dhe institucionet t’i dëgjojnë në mënyrë aktive qytetarët e tyre dhe që zëri i qytetarëve të dëgjohet – siç bëjnë sot qytetarët në Shtetet e Bashkuara dhe në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë e të qëndrueshme që shkon disa breza prapa. Si miq e partnerë, kemi qëndruar së bashku gjatë momenteve më të këqija dhe i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Jemi këtu me ju, sot dhe në të ardhmen.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë Amerikë dhe faleminderit Kosovë!
AMBASADORI AMERIKAN PHILIP S. KOSNETT: NË VITIN 1776, SHTETET E BASHKUARA ISHIN NË NJË UDHËTIM DREJT PAVARËSISË
-Fjalimi i ambasadorit amerikan Philip S. Kosnettme rastin e Ditës së Pavarësisë/
Përshëndetje. Ju faleminderit që na u bashkuat për ta festuar 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1776, Shtetet e Bashkuara ishin në një udhëtim drejt pavarësisë. Themeluesit tanë nuk kërkuan vetëm lirinë nga një mbret i huaj. Ata u përpoqën ta ndërtojnë një lloj të ri të shoqërisë – një republikë që njohu se jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë ishin të drejta të qarta njerëzore.
Më shumë se dy shekuj në rrugëtimin e Amerikës për të kuptuar që vizioni është i papërfunduar. Amerikanët kanë përjetuar kohë gëzimi e përparimi, por edhe të dhimbjes e regresit. Në vitet 1860, qindra mijëra amerikanë, të bardhë e të zi, vdiqën në një luftë tragjike civile për t’ua sjellë lirinë miliona amerikanëve të tjerë të skllavëruar.
Një shekull më vonë, aktivistë të të drejtave civile, si Martin Luther King Jr., dhanë jetën e tyre në luftën për ta krijuar një shoqëri në të cilën, sipas fjalëve të King-ut, fëmijët një ditë do të jetonin në një komb ku ata [nuk] do të gjykoheshin nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.
Dhe lufta për drejtësi të barabartë dhe mundësi të barabarta në Amerikë nuk ka qenë vetëm çështje race. Liderët, si Susan B. Anthony, kampion i shekullit të 19-të për të votuar për të drejtat e gruas, luftuan për propozimin që pohimi i Amerikës që të gjithë burrat janë krijuar të barabartë duhet të vlejë edhe për gratë. Brezat e amerikanëve – disa të famshëm, disa anonimë – kanë luftuar për ta shtrirë konceptin e barazisë për të përfshirë njerëz të të gjitha racave, të të gjitha etnive, feve, gjinive dhe identiteteve seksuale.
Javëve të fundit kemi parë që rrugëtimi i gjatë i Amerikës vazhdon, pasi amerikanët po luftojnë përsëri kundër racizmit dhe padrejtësisë.
Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport për spektatorë. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe këmbëngulje për t’i adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por gjithashtu edhe kohë shprese. Shpresoj që një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të ndodhë me një popullsi të angazhuar. E njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën.
Populli i Shteteve të Bashkuara dhe populli i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Popujt tanë janë të fortë e të zgjuar, kreativë e shpirtmirë, të shkathët e elastikë. Si miq dhe partnerë, i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global.
Dhe tani qëndrojmë së bashku përballë një pandemie globale.
Sfidat e fundit e kanë treguar kreativitetin dhe aftësinë ripërtëritëse të popullit të Kosovës. Ndërsa institucionet dhe bizneset ishin të detyruara të mbylleshin për ta ndaluar përhapjen e virusit, qeveria, bizneset dhe shoqëria civile reaguan njësoj për t’u ndihmuar atyre që kishin nevojë. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën me ndihmë financiare e teknike. Ka shumë më tepër për të bërë, edhe nga qytetarët e rëndomtë, për ta sjellë pandeminë nën kontroll. Por kam besim se me këmbëngulje, punë të zellshme dhe bashkëpunim përtej kufijve, do të triumfojmë ndaj virusit, siç kemi triumfuar ndaj armiqve të tjerë.
Në këtë Ditë të Pavarësisë së Amerikës, le të zotohemi përsëri për përpjekjet tona më të mira për të ndërtuar shoqëri – për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët – që pasqyron ëndrrat e themeluesve tanë dhe i përmbush detyrimet tona ndaj brezave të ardhshëm.
MJEKU KOSOVAR DR. LUL RAKA: AMERIKË, SOT NË FLAMURIN TËND KE NJË YLL MË SHUMË – ATË TË KOSOVËS!
-Fjalimi e dr. Rakës me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së/
I nderuari Ambasador, të nderuar qytetarë të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, kam nderin dhe privilegjin që, në emër të qytetarëve të Kosovës, t’ua uroj Shteteve të Bashkuara Ditën e Pavarësisë!
Populli i Kosovës do t’u jetë gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në kultivimin e idealeve që burojnë nga Deklarata e Pavarësisë e 4 Korrikut 1776. Përvoja e Shteteve të Bashkuara ofron një udhëzues të shkëlqyeshëm për ëndrrat, liritë, demokracinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Liria është gjithashtu histori e rezistencës. Dhe ndërsa njerëzit e Kosovës kanë lëvizur nga rezistenca e tyre ndaj tiranisë në pavarësi e liri, ne vazhdojmë të kërkojmë drejtësi e punë, shëndetësi, arsim e shkencë, art e kulturë.
Gjatë këtij viti, bota e mbylli pandeminë COVID-19 me një virus vdekjeprurës që po e kërcënon njerëzimin. Njerëzit tanë gjithashtu janë përballur me këtë sfidë të vështirë me burime të kufizuara. Por miqtë janë bashkë në ditë të vështira. E njëjta gjë ndodhi edhe kësaj radhe kur miqtë tanë amerikanë ndihmuan popullin tonë duke e mbështetur sistemin e kujdesit shëndetësor të Kosovës. Ju falënderojmë për këtë mbështetje thelbësore.
Pasi ende nuk ka ndonjë ilaç apo vaksinë, parandalimi i kësaj sëmundjeje mbetet arma e vetme që kemi në dispozicion. Të dashur qytetarë, ju lusim t’i ndiqni këshillat për parandalim duke mbajtur distancën tuaj fizike kudo dhe në çdo kohë, duke veshur maska dhe duke mbajtur higjienën e duarve. Vetëm së bashku mund të përballemi me këtë sfidë!
Rruga jonë drejt të ardhmes është e përbashkët dhe jemi të përkushtuar për t’i përmbushur idealet që dalin nga Deklarata e 4 Korrikut. Le ta ndjekim citatin e Presidentit John F. Kennedy, “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi juaj për Ju. Pyetni çfarë mund të bëni Ju për vendin tuaj!”
Sot, më 4 korrik, çdo kosovar është amerikan!
Amerikë, sot në flamurin Tënd ke një yll më shumë – atë të Kosovës!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Zoti i bekoftë SHBA-në dhe Kosovën!
4 Korriku – Shpallja e Pavarësisë se Amerikes!
Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA/
Në skenën e historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjë ngjarje nuk ka patur atë rëndësi aq të madhe sa Deklarata e Shpalljes se Pavarësisë.
Në 7 qershor 1776 Riçard Henri Li nga Virxhinia i ofroi Kongresit të dytë kontinental mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se “kolonitë e bashkuara, janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike.”
Por përderisa ende shumë delegatë nuk ishin gati për një hap kaq drastik siç ishtë ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe tre jave të tjera duke u dhënë kohë të mendoheshin. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës se Indipendences, midis të cilëve Tomas Xhefersonin,( me i riu nga ta) e bashkë me të Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston. Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA. Kur shkroi Deklaratën e Pavarësisë, delegati i Virxhinias, Xhefersoni, ishte vetëm 32 vjeç. Ai donte që deklarata të shkruhej nga avokati Xhon Adams, por Xhon Adamsi insistoi që deklarata të shkruhej nga Xhefersoni dhe madje i dha Xhefersonit këto arsye: “E para, se ti je nga Virxhinia, (Xhorxh Washingtoni, Xhejms Madison e Patrik Henri ishin gjithashtu nga Virxhinia )
Arsyeja e dytë: Ti je më pëlqyshëm se unë. Arsyeja e tretë: Ti shkruan 10 herë më mirë së unë.
Deklarata e Pavarsisë e shkruar prej Xhefersonit është dokumenti historik që shkëputi Amerikën nga Britania e madhe, ishte akti içlirimit të saj dhe hedhja e themeleve të një shteti të ri.
Në deklaratë, Tomas Xhefersoni pasi bënte analizën e pakënaqësisë së kolonive ndaj Britanisë së madhe rendiste arsyet që justifikonin shkëputjen e kolonive amerikane prej saj. Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej se “qeveria egziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon në drejtimin e popullit e humbet autoritetin e saj; atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që i përgjigjet aspiratave të tij”
Idea themelore “Të gjithë njerëzit janë të barabartë” ishte një ide revolucionare në atë kohë kur bota perëndimore jetonte në sundimin e familjeve mbretërore që gëzonin pasuri e privilegje që i veçonin shumë nga njerëzit e tjerë, të zakonshëm.
Kjo ide ishte revolucionare edhe për vetë Amerikën, që në atë kohë një e pesta e popullsisë të saj ishin skllevër*.
Aprovimi i Deklaratës së Pavarësisë nuk u bë në mënyrë të menjëherëshme, pa debate. Ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe aspak i lehtë për t’u hedhur.
Në mëngjesin e 1 Korrikut rezolucioni i Riçard Henri Li u lexua përsëri e u hodh për aprovim. Debate të zjarrta u bënë në datën 1 dhe 2 korrik. Delegatët e Pensilvanisë dhe të Nju Jorkut nuk donin të nxitoheshin në marrjen e vendimit.
Të tjerë mendonin se ishte koha që duhej vendosur pasi kolonitë aktualisht po luftonin. Në mbyllje të datës 2 korrik, përfaqësuesit e 12 kolonive u shprehën në favor të rezolutës së Riçard Henrit për shkëputje të kolonive nga Anglia. Atëherë deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë nga ai dhe u analizua me kujdes pjesë pjesë. Me pak ndryshime të vogla deklarata u aprovua ashtu siç e kishte shkruar ai.
Deklarata shpallte se ” të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe nga Krijuesi u janë dhënë të drejta të pamohueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.”
Këto ishin të drejta themelore të cilat nuk mund tua merrte askush.
Pastaj Xhefersoni vazhdoi:”Ndaj që të sigurohen këto të drejta, ngrihen qeveritë me pushtet të dhënë nga pëlqimi i të qeverisurve..”
Kjo do të thoshte që qeveritë duhet të gëzojnë pëlqimin, aprovimin e popullit.
Kështu pas debateve, Kongresi Kontinental, në mbrëmjen e 4 Korrikut 1776, aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë, kur përfaqsuesve të tij u erdhën udhëzimet.
Erdhi momenti i firmosjes. Firmosja kërkonte kurajo. Përfaqësuesit ishin të ndërgjegjshëm se me firmosjen e këtij akti, nëse Anglia do ta shtypte lëvizjen, ata kishin firmosur vdekjen e tyre. I pari që hodhi firmen ishte Xhon Henkoku (John Hancock) përfaqsuesi i Masaçusets. Ishte një firmë e madhe.
“Në këtë mënyrë, mbreti s’do këtë nevojë të vërë syzet për ta parë” u shpreh ai pasi la penën.
Me firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga përfaqësuesit e kolonive, më 4 korrik 1776, një shtet i ri, i pavarur u lind. Të
trembëdhjetë kolonitë angleze krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfaqësuesit e popullit, sipas fjalëve të Tomas Xhefersonit betoheshin se do ta mbronin pavarësinë me jetën e nderin e tyre.
Kopjet e Deklaratës së Pavarësisë u nisën menjëherë për tu shpërndarë në të 13 kolonitë. Në datën 9 Korrik Deklarata e
Pavarësisë mbërriti në Nju Jork. Ajo iu lexua trupave të gjeneral Uashingtonit dhe ushtarët duke thirrur “Urra” hodhën kapelet në erë. Atë natë statuja e mbretit Xhorxh III, në Bowling Green, në Menhet’n u rrëzua nga piedestali.
Kuriozitet: Në 4 korrik 1776, kur Këmbana e Filadelfias shënonte firmosjen e Deklaratës se Pavarësisë së 13 kolonive amerikane nga perandoria britanike, për ironi të fatit mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij:
“4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi”…
.
*Albana Melyshi Lifschin nga libri “Udhëtim në Historinë e Amerikës” botuar ne 2003, ribotuar ne 2006 dhe 2010.
NJERIU QË I DO FLAMUJT ME GJITHË SHPIRT
Në kuadrin e 4 Korrikut, ditës së Pavarësisë të Amerikës/
Nga Fuat Memelli-Boston/
Njohja me Jose Nesmachinovin, personazhin e këtij shkrimi, zuri fill rastësisht. Ai kishte ardhur nga Florida ku jeton, për të vizituar dy motrat e tij si dhe për të festuar tok me to ditën e Pavarësisë të Amerikës. Motrat, të cilat banojnë në pallat me mua, më njohën me vëllanë e tyre, i cili më la mbresa të veçanta. Dhe kjo, jo rastësisht. Ai është njeri me kulturë të gjerë, por mbi të gjitha është njeri patriot. Patriotizmin e ka në shpirt, ndaj i buron natyrshëm. Vetëm një herë e takova atë, por njeriu le gjurmët e tij edhe me një takim Kishte veshur një bluzë me simbolet e falamurit amerikan dhe një shqiponjë. Më pas, për të më treguar se ka ardhur i përgatitur për të festuar ditën e Pavarësisë së Amerikës, veshi një bluzë tjetër me gërmat USA. Biseda për flamujt, ishte epiqendra e bisedës tonë. Më tregoi një flamur të madh ku ishte stampuar flamuri amerikan dhe ai kanadez. Ishte hera e parë që shihja një flamur të tillë me simbole të dy vendeve.-Kush e ka bërë këtë? – e pyes unë.-Njerzit e kanë bërë, thotë. Amerika dhe Kanadaja , kanë shumë gjëra të përbashkëta. Janë vende fqinjë, kanë gjuhë të njëjtë –anglishten, kanë tradita e zakone të njëjta, kanë një volum të madh tregëtie midis tyre. Janë dy vende vëllëzër. Ata që e kanë stampuar, i kanë patur parasysh këto. Ky flamur më shkon shumë për shtat mua, pasi jam shtetas kanadezo-amerikan, thotë Joseja. Biseda jonë për flamujt, vazhdon.-E shihni këtë flamur kanadez? –më drejtohet mua- Po , i thashë. Ai ka një histori më vete. Dhe nisi ta tregojë.- Para disa ditësh isha në Kanada. Shkoj shpesh aty, pasi kam jetuar 23 vjet. Isha duke ecur me makinë në Toronto, kur shoh në rrugë dy flamuj kanadezë. Ula shpejtësinë dhe u zgjata t’i mar. Dikush që ishte pas meje, bërtiti pasi pengova trafikun. Unë nuk u mërzita. I mora flamujt dhe vazhdova rrugën. Në pamje të parë duket një veprim i thjeshtë por për mua është shumë i rëndësishëm. Si mund të lihen flamujt në rrugë?! Si mund të kalosh para tyre e të jesh indiferent ?! Flamujt janë simbole të një vendi. Ata nuk i përkasin partive, i përkasin popujve. Me flamujt përpara, miliona njerëz në botë, kanë dhënë jetën në luftra. Kanadanë e quaj atdheun tim të dytë. Jetova aty 23 vjet. Kisha shtëpinë dhe biznesin tim. Aty u lindën dhe u rritën fëmijët e mi, prandaj ai flamur është i shtrenjtë për mua. Njërin nga dy flamujt që gjeta, ia dhashë vëllajt, por kam edhe një.-Edhe unë kam lidhje me Toronton, i thashë. Një nga djemtë e mi jeton aty. Ka krijuar familjen e vet dhe ka një vajzë. Kam qënë aty disa herë, vazhdova unë. – Me që edhe ti paske lidhje me Kanadanë, ky flamur të takon ty, tha Joseja. –Prit të bëj një fotto para se të ma japësh, i thashë unë.-Dakort, u përgjegj dhe i bëra foton që shikoni.Tek shkrepja aparatin, pashë se u emocionua shumë dhe gati u përlot. Më shumë se fjalët e mija, flet fotua e tij. Shiheni dhe do më besoni! Pastaj ma dha flamurin kanadez. Unë kisha në shtëpi tre flamuj: atë shqiptar, amerikan dhe kanadez. M’u bënë dy kanadezë. Tani kam katër flamuj. Ata janë stolia e shtëpisë ku jetoj. Rinë pranë njëri-tjetrit si shokë të ngushtë.
Për të njohur më mirë këtë njëri, i kërkova të më thotë diçka për jetën e familjes dhe të parëve të tij dhe ai më tregoi historinë, e cila është sa e vështirë, aq edhe e ngatërruar.
Të parët e tij kishin qënë me origjinë nga Ukraina. Para revolucionit të Tetorit, gjyshi i tij dhe njerzit e tjerë të afërt, ishin mbështetës të Carit dhe patën punuar për të. Revolucionarët që ardhën në fuqi pas përmbysjes së regjimit të Carit, i quajtën të padëshirueshëm dhe i kërkuan që familja e tyre dhe njerzit e tjerë të afërt, të largoheshin nga Rusia. I çuan deri në Odesë dhe i thanë:”Shkoni ku të doni”. Me një anije, pas një jave e ca udhëtimi, mbritën në Uruguaj. Ishin të huaj dhe pa asnjë ndihmë. Edhe gjuhën e këtij vendi nuk e dinin. Pasi i morën të dhënat përkatëse, i nisën diku në veri të vendit, kufi me Brazilin, te një vend që quhej “Orosko koloni”. Aty i thanë të marin tokë e të bëjnë shtëpi. Me mundime të mëdha, nisën jetën nga e para. Me që përballë tyre ishte kufiri me Brazilin dhe kishte familje braziliane, babai i Joses njihet dhe martohet me një braziliane. Nga martesa e tyre, lindën katër fëmijë : dy djem e dy vajza. Joseja lindi në vitin 1952. Në vitin 1971, Joseja vendoset në Toronto të Kanadasë, ku lindën e u rritën edhe dy fëmijët e tij. Këtu ndenji 23 vjet dhe pastaj bashkë me familjen, shkoi në Florida, ku jeton edhe sot. Ja, kështu ka rrjedhur jeta e familjes dhe e këtij njeriu, që i do flamujt me gjithë shpirt.
4 KORRIKU DHE MIQESIA E SHQIPTAREVE ME AMERIKEN
Miqësia e vërtetë dhe e sinqertë me SHBA-të për ne shqiptarët është si buka e uji. Miqët tanë amerikanë nuk na dojnë e përkrahit pahir. Ata na mbështesin sepse ne dhe shumë gjenerata paranesh shtruan rrugën e kësaj miqësie.
Që nga koha e Nolit e Konicës, vizionarët modern të kombit shqiptar gjithëherë e kanë parë ekzistencën jo vetëm politike, por edhe natyrale / biologjike të kombit tone si të ndërlidhur dhe të ruajtur direkt nga SHBA-të. Ata që atëherë, qysh në themelet e para të shtetit të shqiptar, sado i cunguar territorialisht që ishte, e bënë për vete dhe e kthyen në favor të së drejtës kombëtare shqiptare një vend me ndikimin më të madh në botë—bënë që Washingtoni të jetë zë që përcon kërkesat e drejta shqiptare në botë dhe njëkohësisht përkrah direkt realizimin e tyre.
Në historinë tonë më të re, miqësia jonë strategjike dhe e përherëshme me SHBA-të u bë platformë e pazëvendësueshme politike e rezistencës aktive paqësore kundrejt okupuesit serb nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit Historik të vendit. Por edhe deri tek kjo ripërtritje e miqësisë sonë me SHBA-të nuk erdhi rastësisht, sikurse nuk kishte ardhur rastësisht as miqësia e Konicës e Nolit me Presidentin Wilson të SHBA-ve në fillim të shekullit XX. Qysh në atë kohë, shqiptarët e Amerikës kishin mbledhë fonde të mëdha për të përkrahur fushatën e Wilsonit dhe për t’i arsimuar sic duhet njerzit kyc të tij mbi cështjen shqiptare. Edhe në kohën e historisë sonë moderne, lidhjet e Kosovës me Washingtonit u mundësuan nga njerzë që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i kontribuajnë kualitativisht kësaj marrëdhënie speciale. Ndër ta, kryesor dhe i pazëvendësueshem ishte Kongresisti Joseph DioGuardi, shqiptaro-amerikani me prejardhje nga arbreshët e Italisë së jugut. Ai hapi dyertë por edhe zemrat e Senatorëve dhe Kongresistëve më të rendësishëm amerikanë kundrejtë kauzës sonë, duke sjellë Rugovën në takime zyrtare në Washington për here të parë, e mandej edhe duke kthyer në favor të UCK-së dhe luftës së lavdishme clirimtare të popullit nën udhëheqjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, njerzit kyc të politikës së jashtme amerikane, e cila përfundimisht solli edhe intervenimin ushtarak të NATO-s që rezultoi me clirimin e Kosovës.Ishte dhe vazhdon po kjo miqësi strategjike me SHBA-të, e ndërtuar dhe trasuar në vazhdimësi nga lobi ynë në SHBA, nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e DioGuardit dhe znj. Cloyes, që bëri Presidentin Bush të njoh pavarësinë e Kosovës, që siguroi përkrahjen e pashterur amerikane për demokratizimin e Shqiptarisë dhe anëtarësimin e saj në NATO, si dhe që mbajti në radar të politikës së jashtme amerikane cështjen shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, dhe Luginë të Preshevës.
Ky vit shënon 15 vjetorin e angazhimit tim me Ligën dhe punën e drejtpërdrejt me z. DioGuardi e znj. Cloyes si dhe me shume miq tanë në Kongres e Senat, duke përfshirë personalitete si Dole, McCain, Rohrabacher, Biden, etj., (si dhe shumë që nuk janë më ndër ne, si Lantos, Gilman, Hyde, etj.). Nuk ka asnjë lloj karriere apo pozite (qoftë edhe shtetërore) që do të më kishte dhënë një privilegj e kënaqësi më të madhe. Nuk ka cmim apo kompenzim që paguan për ndjenja të tilla sic kam pasë rastin unë të kem—vizita e takime me njerzë shumë të mëdhenjë në Washington, DC, New York City, Boston, Chicago, Miami, Atlanta, San Francisco, Detroit, e gjithandej Amerikes e botës; takime zyrtare e vizita në Kongres e Shtëpi të Bardhë; në Senat dhe OKB; si dhe në rezidencat private të disa figurave kyce të politikës amerikane.
Tri ditët e fundit më bënë të reflektoj mbi këtë marrëdhënie kaq strategjike në mes shqitparëve dhe SHBA-ve dhe të ndihem mëse i nderuar që vlerësimet më të mira për punën tone tanimë i kanë dhe po i bëjnë edhe përfaqësuesit e SHBA-ve në Ballkan. Për nder të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, të enjtën, pata nderin e vecante dhe kënaqësinë të jem prezent në pritjen zyrtare të Ambasadorit amerikan në Shkup, z. Bailey, kurse të premtën në festën e kësaj ditë të rendësishme me Ambasadorin amerikan në Tiranë, z. Lu (festë kjo që koincidoi në të njëjten kohë me atë në Prishtinë). Kurse, mbrëmë ishim bashkë me Ambasadorin e Kanadasë në Kosovë, z. Maksymiuk, përfaqësuesin diplomatik të një shteti aleat mirëfilli jo vetëm i Kosovës por edhe i SHBA-ve.
Andaj, përgjerësa populli ynë gëzon miradinë Amerikane (edhe të botës perëndimore në përgjithësi), ne do të ecim drejt progresit e zhvillimit, pamarrëparasysh sfidat politike me të cilat ballafaqohemi. Miqësia jonë strategjike me SHBA-të vecsa do të forcohet dhe ne jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë, sikur dje, ashtu edhe sot e nesër! E nesërmja do të jetë më e mire; të mirat dhe risitë nuk do të mungojnë… Ju premtoj!
*Faton Bislimi
Anëtar i Bordit të Drejtërove
Koordinator për Ballkan
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York dhe Washington, DC
2 Korrik 2017