• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dokumentimi i krimeve të Luftës në Kosovë

June 10, 2017 by dgreca

Interviste e studiueses Fetnete Ramosaj,pjese e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftë dhene bashkepunetorit te Diellit, Halit Mehmetaj/

1 Kopertina

  • Kur e keni filluar punën në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës? Cilat janë kompetencat e Institutit në këtë fushë?

 

Fetnete Ramosaj: Punën hulumtuese në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), me seli në Prishtinë, e kam filluar në tetor të vitit 2013, ndonëse ky Institut është themeluar nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës që në muajin qershor të vitit 2011.

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është institucion publik hulumtues, i themeluar me qëllim të mbledhjes, sistematizimit, përpunimit dhe publikimit të të dhënave për krime kundër paqes, krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe akteve të gjenocidit të kryera në Kosovë gjatë vitit 1998, deri në qershor të vitit 1999 dhe vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ju keni shkruar edhe dy libra të tjerë para kësaj të fundit “Kundër Harresës –Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999” me temën e dokumentimit të krimeve të luftës. Ndoshta jeni ndër të rrallët në Kosovë që jeni marrë seriozisht me këtë temë shumë të ndjeshme. Çka ju ka shtyrë që të merreni me këtë temë?

 

Fetnete Ramosaj: Është e vërtetë se përveç dhjetëra artikujve, fejtoneve, pjesëmarrjes me kumtesa shkencore në shumë tryeza e konferenca shkencore që kanë trajtuar temën e ndjeshme të dokumentimit të krimeve të luftës, më herët i kam botuar edhe dy libra të tjerë, përkatësisht dy vëllime të librave me titull: “Krimet Serbe në Kosovë – PA APOLOGJI – Me fakte kundër shpifjeve”, (vëllimi i parë i botuar në vitin 2005, shtypur në 11 mijë kopje dhe vëllimi i dytë në vitin 2008, të dyja në gjuhën shqipe dhe angleze), ku nëpërmjet fakteve dhe argumenteve autentike jam përpjekur t’i kontribuoj ndriçimit të së vërtetës për luftën në Kosovë. Këto dy botime janë vlerësuar lartë nga lexuesit, por edhe nga ekspertë të fushës, vendorë e ndërkombëtarë, për paanshmërinë, saktësinë dhe vërtetësinë e rasteve të trajtuara. Ndërkaq, monografia e fundit “Kundër Harresës – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, edhe kjo në gjuhën shqipe dhe angleze, ka dy muaj që ka dalë nga shtypi dhe është duke u vlerësuar lartë, sepse në përmbajtjen e saj ka argumente të pakontestueshme, mbi 500 faksimile, fotografi e dokumente autentike, nga burime të ndryshme të besueshme, që i argumentojnë aktet e ndryshme të gjenocidit të Serbisë kundër popullit shqiptar dhe të tjerëve gjatë luftës në Kosovë, madje jo vetëm gjatë saj.

Me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, jam marrë në vazhdimësi. Kjo dëshmohet edhe nëpërmjet publikimeve të vazhdueshme që nga viti 2000 e këndej. Ndonëse është një tematikë shumë e ndjeshme dhe e vështirë për ta përballuar, ajo që më ka shtyrë të merrem me të është fakti se gjenocidi me të cilin u përballëm si popull gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk ishte i rastit, nuk ishte i pari, por ishte përsëritur për të satën herë ndaj nesh, ishte i planifikuar deri në detaje në platformat e planprogramet raciste serbomëdha përgjatë dy shekujve (XIX, XX), i institucionalizuar dhe i zbatuar nga shteti serb që nga viti 1844 e këndej.

Prandaj, përveç përcaktimit për të kontribuuar në dokumentimin e të vërtetës së tmerrshme të luftës, e cila po mohohet nga Serbia, dhe me çdo kusht po përpiqet ta tjetërsojë, kam punuar për të sjellë para publikut dëshmitë, për të sensibilizuar mekanizmat kompetentë ndërkombëtarë e vendorë për të kërkuar drejtësi për të rënët, dhe njëkohësisht për ta luftuar harresën, sepse  për fat të keq, neve si popull shpesh herë gjatë historisë na ka ndodhur që ta harrojmë të kaluarën e dhimbshme dhe sa herë e kemi harruar, gjeneratat pasuese janë detyruar ta përsëritin…

Serbia ka vrarë dhe kërcënuar shumë njerëz që kanë pasë guximin të merren me këtë punë. Ju a ndjeheni e kërcënuar nga Serbia, sepse keni bërë një punë të madhe në zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë?

 

Fetnete Ramosaj: Është e vërtetë se Serbia tradicionalisht i ka kërcënuar e eliminuar kundërshtarët dhe armiqtë e saj në forma të ndryshme. Por është po aq e vërtetë se i ka vrarë edhe foshnjat në bark të nënave, duke i cilësuar si “armiqtë e ardhshëm të Serbisë”, i ka vrarë foshnjat në djep, pastaj pleq, plaka, njerëz me aftësi të kufizuara etj., që nuk e kanë ndërmarrë kurrë asnjë veprim kundër Serbisë. Ka ndodhur madje në jo pak raste që i ka eliminuar kur nuk i janë dashur më edhe ata që i kanë bërë shërbime të shumta, madje edhe duke ngritur dorë kundër njerëzve të vet, kundër popullit të vet… Për Serbinë, shqiptar i mirë është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet vetëm shqiptari i vdekur.

Sa i përket punës sime në ndriçimin e krimeve të luftës, e konsideroj si një detyrë fisnike dhe obligim që i takon ta bëjë secili njeri i ndershëm që di dhe mundet ta bëjë. Natyrisht se në këtë drejtim shteti i Kosovës duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Nuk është faji im as i të tjerëve për të bëmat kriminale të Serbisë ndaj popullit shqiptar e të tjerëve gjatë luftës në Kosovë, të cilat ende po i mohon dhe po bën gjithçka që t’i falsifikojë faktet dhe dëshmitë tashmë historike që i ka njohur nga afër mbarë bota. Duke qenë dëshmitare e tmerrit që ka ndodhur kundër popullit shqiptar gjatë luftës, por edhe para luftës në Kosovë, duke qenë dëshmitare e tmerrit që vështirë se mendja e shëndoshë e njeriut mund ta marrë me mend se njeriu mund t’i bëjë diçka të tillë njeriut, heshtjen e konsideroj përgjegjësi. Prandaj, për asnjë çmim nuk kam heshtur as nuk do të heshti për të vërtetën përkundër vështirësive të shumta… Për të mos e zgjatur, sa më përket mua, do t’u përgjigjesha me thënien emblematike të dëshmorit të kombit Agim Ramadani “…Mallkue qoftë gjaku im nëse m’vrasin pa luftue!”

Në punën tuaj shumë të madhe, që mund të krahasohet me punën e institucioneve  shtetërore, a e keni pasë përkrahjen e institucioneve të shtetit dhe të shoqërisë në përgjithësi.

 

Fetnete Ramosaj: Faktikisht deri në tetor të vitit 2013, punën që e kam bërë e kam bërë jashtë institucioneve, me mbështetje të disa njerëzve vullnetmirë, por me mbështetje shumë të madhe morale e shpirtërore të njerëzve që kanë pësuar nga lufta në çfarëdo forme, të cilët në çdo rast kanë qenë të gatshëm të ndihmojnë me dëshmitë e tyre, të cilëve fatkeqësisht u ka munguar trajtimi dhe kujdesi i duhur institucional. Siç e përmenda edhe më lart, që nga tetori i vitit 2013, punoj si hulumtuese shkencore në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, që është institucion i shtetit, por edhe në këtë institut jemi duke u ballafaquar me vështirësi të shumta, me mungesa të shumta, pa e pasur mbështetjen adekuate, me një kuadër jo të kompletuar, çfarë është i domosdoshëm për të kryer punën me sukses.  

 

  • Meqenëse keni një bagazh të madh si veprimtare e hershme dhe aktiviste e palodhshme e çështjes kombëtare dhe njëra ndër udhëheqëset e UÇK-së, a keni menduar ndonjëherë të kontribuoni edhe në politikë?

 

Fetnete Ramosaj: Të them të drejtën, që nga përfundimi i luftës, pas gati tri vjetësh të shërbimit në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, jam orientuar me theks të veçantë në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Sa i përket çështjes së aktivizimit në politikë, për nga natyra nuk jam tip që imponohem. Por, më duhet të theksoj se që nga viti 1989 kur jam angazhuar aktivisht në veprimtarinë për lirinë e Kosovës, pastaj edhe në luftën frontale si dhe në procesin e shtetbërjes e saj në kushte të jashtëzakonshme, çdo obligim dhe detyrë që më është besuar nga shoqëria, mendoj se e kam kryer me përgjegjësi. Mendoj se politikëbërja në Kosovë duhet të pësojë ndryshime pozitive, duhet të ketë kurriz dhe se në të duhet të angazhohen njerëz që dinë dhe që e duan vendin, njerëz që punojnë në shërbim të mirëqenies së përgjithshme. Nëse shoqëria e sheh të arsyeshme dhe i nevojitet kontributi im në këtë drejtim, padyshim se mund të shërbej me përgjegjësi.

 

  • Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës sa ka punuar për dokumentimin e krimeve të luftës që janë bërë në Kosovë?

 

Fetnete Ramosaj: IHKL ka punuar dhe po vazhdon të punojë për dokumentimin e të gjitha llojeve të krimeve, ndonëse nuk e kemi pasur mbështetjen e nevojshme dhe ballafaqohemi edhe me mungesë kuadri. Por Instituti me këto kapacitete që i ka, ka bërë një punë të madhe sistematike në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Deri më tani ka publikuar shtatë monografi, në mesin e të cilave bën pjesë edhe monografia “Kundër Harresës…”, të cilat i trajtojnë llojet e ndryshme të krimeve të luftës, krimeve të gjenocidit, të zhdukurit, përfshirë edhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore-historike, shkatërrimin e arkivave dhe të dokumentacionit, etj. Edhe tri monografi të tjera janë në proces. Po ashtu janë përgatitur edhe tri ekspozita, të cilat janë prezantuar në Prishtinë, Tiranë, Korçë, Vjenë, Stamboll, Bursa, Ankara etj.

 

  • Ju keni bërë përvojë të madhe në fushën e krijimtarisë dhe zbardhjes së të vërtetës në raport me padrejtësitë shekullore që i ka bërë Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Nëse ju ofrohet mundësia të jeni pjesë apo drejtuese e një ekipi që do ta përgatitë padinë për gjenocid ndaj Serbisë, cili do të ishte kontributi juaj në këtë drejtim?

 

Fetnete Ramosaj: Për aq sa di dhe mundem, unë do të jap kontributin tim, kudo që e kërkon nevoja. Është domosdoshmëri që Kosova ta përgatitë Aktpadinë për Gjenocid kundër Serbisë. Dëshmitë janë, madje jo vetëm për një aktpadi, vetëm se duhet vullneti politik dhe përgatitja nga kuadri adekuat.  

 

  • Për fund, çka mund të na thuash për zhvillimet politike në vend, për zgjedhjet dhe mundësitë e formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të fundit. Si e shihni Kosovën pas këtyre zgjedhjeve?

 

Fetnete Ramosaj: Kosova këto ditë gjendet në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës së 11 qershorit, të cilat po mbahen si rezultat i shkarkimit të qeverisë Mustafa nëpërmjet një mocioni mosbesimi, të miratuar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit maj.

Për herë të parë, në Kosovë kemi formimin e dy blloqeve të mëdha politike parazgjedhore (PDK-AAK-NISMA dhe LDK-AKR-AL dhe të një partie tjetër për balance Partia Vetëvendosje), gjë që është mirë sepse skena politike shqiptare në Kosovë, po shkon drejt profilizimit. Qytetarët kanë pasur rastin t’i provojnë, qoftë në pushtetin lokal qoftë në atë qendror të gjitha partitë që e përbëjnë skenën e sotme politike.

Mendoj se në këtë gjendje tepër të rëndë nëpër të cilën po kalon vendi, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor PAN, meriton ta ketë votëbesimin e qytetarëve të Kosovës për të udhëhequr me ekzekutivin e vendit, pasi që është njeri i dëshmuar në rrethanat më të vështira për vendin, në kohë lufte e paqeje.

Po t’u jepet besimi i qytetarëve të Kosovës, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj, të dy të dëshmuar për orientimin pro-amerikan dhe pro-perëndimor përgjithësisht, janë dëshmuar në lidership, dhe po të duan, mund ta nxjerrin vendin nga humnera ku jemi katandisur. Të dy munden dhe duhet të dëshmojnë se i mbajnë premtimet. Qytetarët e Kosovës meritojnë t’u kthehet shpresa. Këtë duhet ta bëjnë, duke e konsideruar si një borxh ndaj të rënëve dhe si një obligim për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim partie, feje a etnie. Natyrisht se koalicioni PDK-AAK-NISMA, duhet të marrë masa dhe t’i largojë nga pushteti të korruptuarit, të kriminalizuarit, abuzuesit dhe shkelësit e ligjit, të cilët mund t’u takojnë edhe radhëve të partive të koalicionit, ka nevojë t’u jepet hapësirë kuadrove të reja, të cilat nuk i mungojnë Kosovës.

Koalicionin PDK-AAK-NISMA duhet konsideruar si një koalicion të fuqishëm e të përgjegjshëm që mund t’u bëjë ballë influencimeve dhe tendencave serbo-ruse për rikthim në Kosovë, si një koalicion që ofron stabilitet, funksionim të shtetit properëndimor, ligjor e demokratik dhe që garanton zhvillim ekonomik, si një koalicion që mund të bëjë ndryshime pozitive për vendin, pasi që jemi në stacionin e fundit dhe duhet të bëhen ndryshime rrënjësore në politikat qeverisëse.

Ju faleminderit që më dhatë mundësinë për intervistë!

Filed Under: Interviste Tagged With: Dokumentimi i krimeve, Fetnete Ramosaj, Halit Mehmetaj, ne Kosove, të Luftës

NË 18-VJETORIN E MASAKRËS KUNDËR FAMILJES DELIU NË ABRI TË EPËRME

September 26, 2016 by dgreca

Nga Fetnete Ramosaj/

 Më 26 shtator 1998, në fshatin Abri të Epërme, njëmbëdhjetë kilometra në perëndim të Drenasit (ish-Gllogovcit), forcat ushtarako-policore serbe i ekzekutuan nga afërsia, duke i masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, shumica prej tyre fëmijë, gra e pleq edhe të palëvizshëm. Një ditë më parë, më 25 shtator 1998, anëtarët e familjes Deliu ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin strehuar në malin e afërt për të shpëtuar nga sulmet serbe. Të nesërmen, në vendstrehimin e tyre depërtuan njësitet e këmbësorisë serbe, të cilat kryen masakrën e tmerrshme, duke i vrarë e masakruar civilët shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie, që nga foshnja në bark të nënës e deri te pleqtë 94-vjeçarë. Aty u ekzekutuan: Luljeta Deliu (1971), në muajin e nëntë të shtatzënisë, barkun e kishte të prerë plotësisht; Valmir Adem Deliu (1996), me plagë të shumta, i përgjakur i tëri, me biberon në qafë; Pajazit Deliu (1929), u gjet me fyt të prerë dhe me tru të nxjerra jashtë; Fazli Deliu (1904), i djegur e i bërë shkrumb; Ali Deliu (1930), i prerë në fyt me thikë, të cilën ia kishin ngulur në kraharor; Havë Deliu-Elshani (1936), Adem Deliu (1965), Zeqir Deliu (1954), Jeton Deliu (1988), Halime Deliu (1938), Lumnije Deliu (1969), Menduhije Deliu (1993), Mihane Deliu (1943), Donjeta Deliu (1991), Zahide Deliu (1971), Habib Deliu (1944), Hysen Deliu (1946), Sherif Deliu (1931), Hajriz Deliu (1964), Gentijana Deliu (1990). Dy vajzat e mitura të familjes Deliu, Antigona Deliu (1984) dhe Mihane Deliu (1982), u gjetën të masakruara pak më larg vendit të ekzekutimit, më 4 tetor 1998. Ato, sipas dëshmitarëve, para së të vriteshin e të masakroheshin i kishin përdhunuar. Po ashtu, foshnja 6-javëshe që i mbijetoi masakrës, Diturie Imer Deliu, e cila u gjet e gjallë, e tëra e mbuluar në gjak, në gjirin e nënës së masakruar Lumnijes, vdiq më 19 nëntor 1998.

Urdhëresa konfidenciale e Komandës 125 të Brigadave të Motorizuara të ushtrisë së Serbisë, nr. 4370-1, e datës 21.9.1998, e nënshkruar nga komandanti Dragan Zhivanoviq, dhe regjistri i shifrimeve që forcat serbe i kanë përdorur në ofensivën e filluar që nga 22 shtatori i vitit 1998 kundër fshatrave të Drenicës, nxjerr në pah përgjegjësit për masakrat e tmerrshme që janë kryer në këtë periudhë të luftës në këtë anë, pra edhe përgjegjësit e masakrës së tmerrshme të kryer kundër Familjes Deliu në Abri të Epërme. Zhivanoviq, nëpërmjet urdhëresës së lartpërmendur i njofton Brigadat 1, 3 dhe 4 të Komandës së Brigadave të Motorizuara të UJ-së, lidhur me shifrimet konfidenciale që do t’i përdorin formacionet përkatëse ushtarake dhe policore të Serbisë, në operacionin e shifruar “ÇIÇAVICA”, i cili filloi më 22 shtator 1998, kundër fshatrave të rajonit të Drenicës. Regjistri i shifrimeve dëshmon pjesëmarrjen në këto krime të ushtrisë jugosllave-serbe, përkatësisht të formacioneve ushtarake të Korpusit të Prishtinës, formacioneve të Brigadës 15, formacioneve të Brigadës 243 të Motorizuara; formacioneve të Brigadës 125 të Motorizuar, Brigadës 549, si dhe të formacioneve policore dhe njësiteve të specializuara të PJP-së dhe të SAJ-it të Serbisë.

Po ashtu, trembëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Sllobodan Stojanoviq, oficer i policisë, pjesëtar i Çetës së IV-të të Detashmentit 37 të Njësive të Policisë Speciale të Serbisë (PJP – Posebne Jedinice Policije), ka dëshmuar për krimet monstruoze të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë dhe robërve gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht të anëtarëve çetës që i përkiste edhe vet, e cila komandohej nga Nenad Stojkoviq, dhe kryesisht përbëhej nga policë serbë nga Leskovci, pjesëmarrës në krimet e luftës në Kosovë që nga marsi i vitit 1998 e deri në përfundim të luftës, por edhe në Bosnjë. Sipas tij, kjo çetë e PJP-së kishte marrë pjesë edhe në “spastrimin e terrenit” në Abri të Epërme. Stojanoviq, edhe vet pjesëmarrës në këto operacione ndëshkimore ka dëshmuar se “ata vrisnin fëmijë, gra, burra, pleq, barinj, dele…, vrisnin çdo gjë që lëvizte”. Duke folur për “spastrimin e terrenit”, Stojanoviq, thotë se së pari bombardoheshin fshatrat nga largësia, e pastaj depërtonin njësitet e policisë, të ushtrisë e paramilitarëve serbë, siç merreshin vesh ndërmjet vete komandantët e njësive. Duke folur  për  plaçkitjet, shkatërrimet e pronave dhe të bagëtisë, si dhe vrasjet mizore të civilëve, ndër të tjera ka deklaruar se në  Gllogoc, para nesh kalonte ushtria, e cila që në mëngjes gjuante në fshatrat kodrinore me raketa, ndërsa vrisnin gjithçka që lëvizte. “…Tek më vonë pashë tmerrin, trupa të masakruar, shtëpi të djegura nga shpërthimet. Nuk mund të besoja se kjo mund të ndodhte. Ndodhte pa asnjë veprim luftarak, pa asnjë justifikim për çdo përdorim të forcës…” (Shih gjerësisht dëshminë e oficerit Stojanoviq në http://www.e-novine.com/srbija/srbija-tema/93649-Ubijali-decu-ene-starce-obane-ovce.html)

 Ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga kjo masakër e tmerrshme, deri më tani askush nuk është përgjigjur para drejtësisë për masakrën në Abri të Epërme. Kjo masakër nuk u përfshi fare as në aktakuzat e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, të ngritura kundër udhëheqësve të lartë shtetërorë, ushtarakë e policorë të Serbisë. Përkundrazi, kryesit e kësaj masakre të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë dhe robërve të luftës, si dhe të tjerave si kjo, gjenden në pozitat më të larta shtetërore të Serbisë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Familjes Deliu, Fetnete Ramosaj, masakra kunder

NDËSHKIMI I KRIMEVE TË LUFTËS DHE STABILITETI I BALLKANIT

June 11, 2016 by dgreca

Intervistë me Fetnete Ramosajn, bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL)*/

  1. Zonja Ramosaj, Ju merreni me hulumtimin e gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Na tregoni, Ju lutem, për projektet Tuaja të reja në këtë drejtim dhe sidomos për ekspozitën.

– Para se të përgjigjem në pyetjet Tuaja, më lejoni t’u falënderoj që na e keni dhënë mundësinë për këtë intervistë, t’u falënderoj juve, stafin e portalit obshtetstvo.net dhe lexuesit.

Është fakt i pamohueshëm se terrori dhe gjenocidi që e ka ushtruar shteti serb mbi popullin shqiptar jo vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë por edhe më herët, veçanërisht që nga vitet 1876/1878, duke filluar me gjenocidin e ushtruar mbi shqiptarët e Sanxhakut të Nishit e të Toplicës e deri më sot, ka përmasa shumë më të mëdha sesa që e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet që janë bërë deri më tani. Periudha e fundit e okupimit serb (23 mars 1989 – 12 qershor 1999) është një nga periudhat më tragjike për popullin shqiptar të Kosovës, i cili u ballafaqua me vrasje, burgosje, helmimin masiv të mijëra nxënësve, dëbimin masiv të punëtorëve shqiptarë nga puna, spastrimin etnik, kolonizimin, etj. Veçanërisht në periudhën e luftës frontale (1998-1999), dhuna, terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, mori përpjesëtime të tilla sa që e rrezikonte ekzistencën fizike të shqiptarëve, të cilët e përbënin popullsinë shumicë të Kosovës, me mbi 90 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit.

Në dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e kam hapur ekspozitën “Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, ku janë të përfshira mbi 200 fotografi e faksimile. Ekspozita fillimisht është hapur në Prishtinë (në dhjetor të vitit të kaluar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut), në muajin prill të këtij viti është hapur në Tiranë. Këto ditë po ekspozohet edhe në Korçë, në Muzeun Kombëtar të Arsimit, e më pas do të vazhdojmë edhe në qytetet evropiane. Dëshmitë faktografike të paraqitura në këtë ekspozitë, janë vlerësuar lartë prej vizitorëve të shumtë shqiptarë dhe atyre të huaj. Shumica e vizitorëve kanë deklaruar se nuk i kanë pasur të njohura krimet dhe gjenocidin serb në këto përmasa që janë paraqitur këtu dhe shumë prej tyre kanë pyetur se si është e mundur që njeriu t’ia bëjë këtë njeriut?! Si është e mundur që këto krime të mbeten të pandëshkuara dhe të padënuara?!

  1. Pritet në gjysmën e dytë të vitit Gjykata speciale të fillojë me aktakuzat e para kundër luftëtarëve të UÇK-së. A do të angazhohen institucionet e Kosovës në mbrojtjen e tyre?

– Siç dihet e ashtuquajtura Gjykatë Speciale për krime lufte, e vetmja e këtij lloji në vendet e ish-Jugosllavisë, është themeluar që t’i gjykojë në mënyrë selektive vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së. Siç dihet nga ajo që është bërë publike deri më tani, kjo gjykatë nuk e ka në mandatin e saj të merret me trajtimin e përgjithshëm të rasteve të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Pra, nuk i trajton krimet e kryera nga forcat okupuese serbe, por i trajton vetëm rastet e krimeve të pretenduara se janë kryer nga shqiptarët. Një mekanizëm i tillë ndërkombëtar mendoj se është i paprecedent, i padrejtë, i njëanshëm, racist, e mbi të gjitha një veprim jo juridik, por veprim skajshmërisht politik i ndikuar nga Serbia dhe Rusia dhe si i tillë përbën shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht e  cenon rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Fatkeqësisht deri te kjo situatë kemi ardhur edhe për shkak të neglizhencës dhe mosdenoncimit nga organet kompetente të shtetit të Kosovës për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, por edhe para e pas luftës. Për shumicën dërmuese të krimeve që i kanë kryer forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, duke vrarë e masakruar mbi 12 mijë civilë shqiptarë e duke përdhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare (madje edhe fëmijë të moshës 7-vjeçare), përjashtuar gjeneralët serbë të dënuar në Tribunalin e Hagës, gjykimet dhe dënimet për këto krime janë mospërfillëse. Ka edhe mjaft raste kur vetë serbët i kanë vrarë njerëzit, jo vetëm nga radhët e shqiptarëve por edhe turq, boshnjakë, egjiptianë, madje edhe serbë e malazezë, por për të arritur qëllime të caktuara i paraqesin si viktima të shqiptarëve. Mjafton të përmendim këtu rastin e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në qytetin e Pejës, në dhjetor të vitit 1998. Për këtë akt terrorist të kryer gjatë luftës, Serbia i akuzoi shqiptarët, dhe e përdori si shkas për t’i akuzuar shqiptarët për terrorizëm, për të ushtruar terror në shkallë të gjerë kundër popullsisë civile në Pejë e më gjerë, për të rifilluar ofensivat ushtarake dhe për ta shtuar numrin e forcave ushtarake në Kosovë. Vetëm pas 15 vjetësh, kryeministri serb Vuçiq e zyrtarë të tjerë, e pranuan publikisht se vrasja e të rinjve serbë në Pejë nuk është kryer nga shqiptarët, por është kryer nga Njësia Speciale JSO, me urdhër të Shërbimit Sekret Serb (RDB).

Deri më tani, shteti i Kosovës e zë vendin e fundit sa i përket përkujdesjes për qytetarët e vet të cilët janë akuzuar për krime lufte, ndonëse shumica prej tyre pas qëndrimeve disavjeçare në burgje janë liruar të pafajshëm. Ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës përkitazi me Gjykatën Speciale parashohin një përkujdesje për të akuzuarit e mundshëm, por se si do të rrjedhin gjërat mbetet të shihet. Përderisa në njërën anë, Kuvendi i Serbisë ka themeluar grupe të veçanta për t’u marrë me hartimin, analizën dhe mbledhjen apo thënë më mirë fabrikimin e akuzave kundër pjesëtarëve të UÇK-së për të gjitha zonat operative, në anën tjetër, ne si Kosovë nuk mund të themi se e kemi bërë mjaftueshëm punën tonë. Kur i kemi parasysh faktet se si ka arritur Serbia të amnistohet për të gjitha ato krime që i ka kryer gjatë  luftës, por edhe para e pas saj, që edhe sot e kësaj dite është e pa penduar dhe e pandëshkuar për gjenocidin e spastrimin etnik kundër popullit shqiptar në Kosovë, se si ka arritur të barazohet xhelati me viktimën, fatkeqësisht gjendja reale del të jetë e mundur nga fabrikimet dhe propaganda fiktive e Serbisë, edhe pse realiteti në terren është krejt tjetër.

  1. A ka ndërmarrë Serbia hapa më aktivë për përndjekjen e kriminelëve të luftës, të cilët kanë kryer krime kundër shqiptarëve?

– Serbia nuk ka bërë shkëputje nga e kaluara. Ajo me fanatizëm vazhdon t’i mbrojë kriminelët serbë të luftës, tek e fundit ata i kanë zbatuar urdhrat e shtetit serb, të parapara në detaje përmes platformave dhe strategjive shtetërore kundër shqiptarëve. Hapat që i ka ndërmarrë deri më tani Serbia për ndjekjen e kriminelëve të luftës, të cilët kanë kryer krime kundër shqiptarëve, lirisht mund të themi se kanë qenë “shumë zhurmë për asgjë”, përkundrazi u ka ofruar mbrojtje shtetërore. Të gjitha arrestimet e kriminelëve serbë dhe gjykimet për krime lufte që i ka bërë deri më tani Beogradi zyrtar, i ka bërë gjithnjë kur i janë dashur privilegje nga Bashkimi Europian, por edhe në këto raste dënimet kanë qenë minimale dhe shumë fyese për viktimat e luftës dhe për drejtësinë përgjithësisht. Ka fare pak aktgjykime të plotfuqishme, janë amnistuar përgjegjësit e rangjeve të larta dhe janë akuzuar e gjykuar niveli më i ulët i përgjegjësisë, aq më tepër në të gjitha rastet është tentuar që krimet, masakrat dhe spastrimi etnik të pasqyrohen si veprime të kryera nga grupe të pakontrolluara nga shteti, gjë që nuk është e vërtetë. Për këtë mjafton të kemi parasysh gjykimet e organizuara në Beograd në rastin e masakrës kundër familjes Berisha të Suharekës, rastin e shtetasve shqiptaro-amerikanë tre vëllezërve Bytyqi, rastin e gjykimeve për masakrat e kryera në fshatrat e Pejës: Qyshk, Pavlan, Zahaq, Lybeniq, etj.

Në varrezat masive në Serbi, që nga qershori i vitit 2001 janë gjetur shumë varreza masive me kufoma të shqiptarëve, ku dyshohet se ka edhe disa të tjera. Deri më tani në varrezat masive në Serbi janë gjetur mbetjet mortore të mbi një mijë shqiptarëve, pikërisht në bazat e ushtrisë dhe të policisë serbe, si në: Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë etj. Megjithëse përgjegjësit dihen dhe kanë pozita në larta në institucionet shtetërore të Serbisë, askush nuk është nxjerrë para drejtësisë. Për shembull, përmendim rastin e shefit aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Dikoviq, kur dhjetëra mbetje mortore të viktimave të shkaktuara nga forcat ushtarako-policore serbe nën komandën e tij në zonën e Drenicës gjatë kohës së luftës, u gjetën në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës (2014), pikërisht në vendqëndrimin e njësive ushtarake të Brigadës së tij, të cilën e ka komanduar gjatë luftës. Ai është përgjegjës edhe për vrasjen e tyre (por edhe të shumë të tjerëve në masakrat e Rezallës, Qirezit, Izbicës, Abrisë etj.) edhe për fshehjen e kufomave, por Serbia jo vetëm që nuk ka marrë masa ndaj tij, por e mbron me fanatizëm…

  1. Fitorja bindëse e Vuçiqit dhe angazhimi i tij për anëtarësi në BE a ndikon për shpërbërjen e strukturave ekstremiste të Serbisë në Kosovë?

– Fitorja e Vuçiqit dhe angazhimi deklarativ i tij për orientim proeuropian, duke i parë zhvillimet e deritanishme prej se Vuçiq ka ardhur në krye të Qeverisë së Serbisë, janë të paqëndrueshme, sepse Vuçiq vetëm sa i ka forcuar dhe unifikuar strukturat ekstremiste të Serbisë në Kosovë, duke përdorur mjete dhe metoda të ndryshme, apo thënë më mirë duke e përdorur fuqinë e shtetit që e drejton. Pothuajse të gjitha kokat e krimit të organizuar që veprojnë në veri të Kosovës e më gjerë, janë sponsorë dhe njerëz të afërm të Vuçiqit dhe të partisë së tij. Besoj se mjafton të përmendim vetëm rastin e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”/ “Civilna Zastita”, e cila sipas marrëveshjes së Brukselit ishte paraparë të shpërbëhej. Madje, ajo u shpërbë formalisht në shtator të vitit 2015 dhe qindra pjesëtarë  të saj edhe pse të implikuar në krime të shumta u amnistuan dhe u inkuadruan në institucionet e Kosovës, mirëpo në anën tjetër del se “Mbrojtja Civile” vazhdon të veprojë papengueshëm, madje ka rekrutuar pjesëtarë të rinj edhe përmes konkurseve publike!

  1. Në kontekstin e perspektivës evropiane a mund të ketë zhvillime pozitive te statuti i shqiptarëve në Luginë dhe garantimi i të drejtave të tyre?

– Në këtë kontekst duhet të vlejë raporti i reciprocitetit. Shqiptarët dhe të tjerët në Serbi, si boshnjakët, hungarezët, bullgarët, rumunët etj., duhet të kërkojnë të drejtat e tyre. Për garantimin e të drejtave njerëzore e kombëtare duhet të bëjnë më shumë shtetet amë. Aq sa ka të drejta pakica serbe në Kosovë, duhet të ketë të drejta edhe pakica shqiptare dhe pakicat tjera në Serbi. Është i padrejtë dhe i papranueshëm lejimi i zbatimit të standardeve të dyfishta. Dihet se në Luginën e Preshevës (në Kosovën Lindore) Serbia po vazhdon t’i shkelë në mënyrë drastike të drejtat e shqiptarëve. Për ta spastruar etnikisht nga shqiptarët këtë rajon, përveç faktit se nuk e ka mundësuar kthimin e mbi 80 mijë shqiptarëve të zhvendosur nga lufta, Serbia ka kohë që shqiptarëve po ua pasivizon edhe vendbanimet në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, me çka shqiptarëve u mohohet e drejta për të nxjerrë dokumente personale dhe të drejtat e tjera, si shërbimet sociale dhe mjekësore, shkollimi dhe e drejta e votimit, pra po i bën inekzistentë!

  1. A ka rol Serbia në destabilizimin e Maqedonisë dhe si mund të zgjidhet kriza politike atje?

– Roli i Serbisë, por edhe i aleates së saj Rusisë, në destabilizimin e Maqedonisë është i dukshëm. Me këtë udhëheqje të shantazhuar dhe të manipuluar, për të mos thënë edhe proserbe, vështirë se mund të gjendet zgjidhje e qëndrueshme në Maqedoni, aq më tepër kur shërbimet sekrete serbe e ruse kohëve të fundit kanë paralajmëruar fillimin e një lufte të re në Maqedoni dhe po investojnë e po influencojnë vazhdimisht për ta mbajtur një vatër aktive të krizës atje. Kriza politike mund të zgjidhet kur udhëheqësit e atjeshëm të përcaktohen qartë për rrugën euro-atlantike, të mendojnë dhe të punojnë për interesat e popullit dhe të vendit të vet pa dallim etnie.

  1. Si mendoni, a mjafton zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për integrimin e shqiptarëve në Maqedoni apo janë të nevojshme edhe ndryshime të tjera kushtetuese dhe ligjore, si edhe negociata të reja mes partive shqiptare dhe maqedonase në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme?

– Marrëveshja e Ohrit meqë nuk është zbatuar në afatin e paraparë që të zbatohej, tash pas shumë viteve nuk e di sa mund të jetë efektive të kërkohet të zbatohet si e tillë, kur dihet se ligjet dhe veprimet shtetërore në Maqedoni janë tejet diskriminuese në raport me shqiptarët edhe pse është popull shumicë në këtë shtet. Sa më parë që në Maqedoni shqiptarët trajtohen në pozita të barabarta, trajtohen si popull shtetformues e jo si armiq, zgjidhja është më e lehtë dhe e qëndrueshme. Në të kundërtën, nëse nuk ndalen dhe nuk përmirësohen padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve, kur dihet se qindra shqiptarë mbahen në burgje nëpërmjet proceseve të montuara gjyqësorë si rasti “Monstra”, “Sopoti”, “Kumanova” etj. dhe u mohohen të drejtat kombëtare e njerëzore, duke i konsideruar si popullsi të kategorisë së dytë, Maqedonia si e tillë nuk mund të ketë të ardhme.

Ju faleminderit!

*(Kjo intervistë botohet me lejen e redaksisë së uebfaqes www.obshtestvo.net, ku është publikuar më 4 qershor 2016. Për më shumë shih linkun: http://obshtestvo.net/?p=13106)

Filed Under: Interviste Tagged With: Fetnete Ramosaj, Ndehsikimi i krimeve te Luftes, stabiliteti i ballkanit

Pak fjalë rreth të shumëpërfolurës gjykatës speciale

July 13, 2015 by dgreca

Themelimi i një gjykatë që i paragjykon krimet në baza etnike dhe bën selektime brenda llojit është e paprecedent/
Opinion nga Fetnete Ramosaj*/
Në seancën e 26 qershorit, Kuvendi i Kosovës nuk i miratoi ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, e cila parashihej t’i gjykojë në mënyrë selektive vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së. Themelimi i një gjykate të tillë që i paragjykon krimet në baza etnike, madje jo vetëm në baza etnike, por bën edhe selektime brenda llojit, do të ishte i paprecedent, i padrejtë, i njëanshëm, racist, e mbi të gjitha një veprim jo juridik, por skajshmërisht politik dhe si i tillë do të përbënte shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut, njëkohësisht do të cenonte rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Debatet e gjata që e përcollën këtë çështje para se të vihej në rend dite në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës, por edhe më shumë pas moskalimit të saj, vunë në pah qëndrimet për dhe kundër të palëve. Partitë e opozitës AAK, NISMA e Vetëvendosje! (ndonëse kjo e fundit kur ishte publikuar raporti skandaloz i Dick Martyt, në dhjetorin e vitit 2010, kishte dalë në mbështetje të tij), në rastin e fundit u pozicionuan me kohë kundër votimit për themelimin e kësaj gjykate, ndërkaq vendimtare ishin votat e deputetëve të partisë së pozitës – PDK-së, të cilët votuan kundër apo abstenuan. Natyrisht, po të vepronin ndryshe, përkundër rrethanave me të cilat mund të jenë përballur, do të shkelnin rëndë besimin e dhënë nga elektorati i rajoneve që i përfaqësojnë, që kanë pësuar aq shumë nga lufta e nuk kanë marrë drejtësi. Për këtë mund të bindet gjithsecili që vendosë të ndajë vetëm ndonjë orë nga koha e çmuar e tij, për të takuar njerëzit e prekur nga lufta.
Kishte dhe ka zëra nga ata që me opinionet e tyre u vunë në shërbim të themelimit të sa më të shpejtë të një gjykate të tillë, se kjo gjykatë po na vije peshqesh pasi që Kosova s’e paska dënuar asnjë “kriminel lufte”! Po t’i dëgjojë apo t’i lexojë dikush që nuk ka njohuri për periudhën e pasluftës në Kosovë mund edhe të bindet në deklarimet e tilla, aq më tepër kur kjo klasë abuzon edhe me emrat e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës sa herë që dëshiron ta bindë dikë për deklarimet e veta! Por, po t’u referohemi fakteve, realiteti është ndryshe! Pothuajse të vetmit që janë arrestuar, gjykuar e dënuar, por edhe mbajtur në burgje me vite të tëra pa aktgjykime të plotfuqishme janë ishte pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë të paktën shtatë mijë ish-pjesëtarë të UÇK-së nga e gjithë Kosova, që kanë kaluar nëpër organet e hetuesisë e të gjyqësisë së UNMIK-ut e të EULEX-it, të paraburgosur, të akuzuar, të gjykuar, por edhe të dënuar për krime lufte, megjithëse në shumicën dërmuese të rasteve drejtësia nuk ka mundur t’i materializojë akuzat e ngritura kundër tyre. Natyrisht të gjitha këto akuza janë hartuar e përpunuar në Beograd, por nuk përjashtohet as implikimi edhe i segmenteve të caktuara vendore. Pothuajse të gjitha deklaratat paraprake “të dëshmitarëve” të përdorur në gjykata kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë dhënë në Serbi, madje nga disa herë. Për shembull, të të akuzojnë se ke vrarë dikë, që nuk i dihet emri as mbiemri, pra që nuk ka identitet, që nuk ka varr, që gjyqi nuk ka mundur ta vërtetojë fare ekzistencën e viktimës, vetëm në bazë të një dëshmie të një dëshmitari, siç ndodhi ditë më parë në procesin gjyqësor në rastin Drenica, nuk ndodh as në vendet më të prapambetura të botës, por lejohet dhe tolerohet të ndodhë në Kosovë dhe atë vetëm kundër ish-UÇK-së! Prandaj, dorën në zemër, meritat për suksese apo përgjegjësitë për dështimet e deritanishme në gjykimin e krimeve të luftës u takojnë mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë (UNMIK-ut e EULEX-it) që kanë vepruar në Kosovë.
Një gjykatë e tillë speciale ndërkombëtare, në formatin në të cilin po i imponohet Republikës së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, natyrisht pas presioneve disavjeçare të Serbisë agresore e të Rusisë, është e paarsyeshme dhe e papranueshme. Se Europa është e interesuar për zgjidhje të lehta dhe të shpejta, edhe pse tepër të padrejta në raport me shqiptarët, kjo nuk është hera e parë për ne që e provojmë në kurriz, por duhet pranuar edhe përgjegjësitë për mospunën tonë institucionale për argumentimin real të krimeve të luftës dhe akteve të gjenocidit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), madje jo vetëm gjatë kësaj periudhe.
E kam thënë edhe herë të tjera se vëllezërve shqiptaro-amerikanë Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë edhe për së vdekuri është për t’ua pasur lakmi. Po, lakmi për interesimin dhe këmbënguljen që e bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vet! Mbase po të mos ishte ky rast, vështirë se do të zbuloheshin varrezat masive me trupa të shqiptarëve në Serbi, përkatësisht në afërsi të Beogradit (Zemun-Batajnicë e Petrovo Sello), aq mirë të maskuara nën asfaltin e vendqëndrimeve të njësiteve elite të policisë e të ushtrisë së Serbisë, që siç u shpreh një vit më parë kryeministri serb, vozhdi çetnik Aleksandar Vuçiq, i kishin “paluar si sardele”!
Vetëm për rastin e vëllezërve Bytyçi janë më shumë se 40 veta, që do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Këto dëshmi nuk janë të sotme, pasi që dosja e vrasjes së vëllezërve Bytyçi që nga viti 2001, është në duart e drejtësisë serbe, por askush nuk është dënuar për vrasjen e tyre. Ndonëse në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, e më pas në fshehjen e kufomave të tyre, sikurse edhe në rastet e mijëra shqiptarëve të tjerë, faktet e pakontestueshme dëshmojnë se janë të implikuara instancat më të larta të shtetit serb, i gjithë zinxhiri komandues i policisë dhe i ushtrisë serbe, ka më shumë se një dekadë që as ky rast nuk ka marrë drejtësi, sepse Serbia vazhdon t’i mbrojë me fanatizëm kriminelët e luftës. Tek e fundit ata kanë vepruar nën platformën serbomadhe, e përgatitur, e elaboruar, e përpunuar dhe e zbatuar gjatë më shumë se 150 vjetëve nga strukturat më të larta kishtare, akademike e politike serbe, që kanë pushtet absolut edhe sot e kësaj dite në Serbi, të përforcuar edhe më shumë me fitoren e vozhdëve çetnikë në zgjedhjet e fundit në Serbi.
Kur jemi këtu, nuk duhet lënë pa përmendur se që nga plan-programi serbomadh “Naçertanije” i Garashaninit (1844) e deri në ditët tona janë të njohura 24 programe serbomëdha, të cilat e parashohin në detaje shfarosjen e shqiptarëve. Po ndalemi kësaj radhe vetëm tek njëri prej këtyre programeve, bashkëhartues të të cilit janë edhe drejtuesit e sotëm të Serbisë, përkatësisht presidenti dhe kryeministri.
Në vitin 1995, kryeministri i tashëm serb, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Radikale të Serbisë (SRS), së bashku me kryetarin e Partisë Radikale të Serbisë, Vojisllav Sheshel, nënkryetarin Tomisllav Nikoliq, dr. Nikolla Poplashen, Maja Gojkoviq, Ranko Dujiq e Aqim Vishnjiq, e hartuan dhe e nënshkruan platformën antishqiptare – programin e “Drejtoratit Qendror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe” (SRS), me titull “Si do ta zgjidhin serbët problemin e Kosovës”, i cili në detaje parashihte se si duhet të bëhet spastrimi etnik i Kosovës nga popullsia shqiptare dhe kolonizimin me gjysmë milioni serbë; parashihte që Prishtina të ishte kryeqyteti i Serbisë; që këtu të vendoseshin qendrat e forcave ushtarake e policore të Serbisë; që përqindja etnike e popullsisë me të gjitha mjetet të ndryshohej dhe të sillej në shkallën 50:50, etj. Pjesë të kësaj platforme serbe edhe sot po tenton t’i jetësojë qeveria Vuçiq!
Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, në aktakuzën e ngritur kundër Sllobodan Millosheviqit dhe grupit të tij të afërt, për krimet e luftës në Kosovë, i akuzoi ata vetëm për 17 varreza masive, duke i lënë jashtë aktakuzës edhe 483 varreza të tjera masive me trupa shqiptarësh, që i lanë pas vetes forcat serbe pas kapitullimit të tyre në luftën e Kosovës. Madje masakrën e Raçakut, masakrën kundër Familjes Imeraj në Padalishtë dhe masakrën kundër të burgosurve shqiptarë dhe robërve të luftës në Burgun e Dubravës, i hoqën më pas nga procesi gjyqësor kundër udhëheqësve të lartë serbë, me arsyetimin: për thjeshtësim procesi!
Përveç këtyre, askush nuk është përgjigjur as për varrezat tjera masive me trupa të shqiptarëve, të zbuluara në afërsi të Beogradit që nga viti 2001 e këndej (në Batajnicë e Petrovo Sello), varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, të cilën përkundër fakteve të pakontestueshme për vendndodhjen e saj, e mohoi dhe e zvarriti aq gjatë Serbia; autofrigoriferët e zbuluar me kufoma të shqiptarëve në lumin Danub dhe në Liqenin Peruçac në Serbi; dëshmitë për djegien e kufomave të shqiptarëve në fabrikën e Maçkaticës e të Surdulicës (në afërsi të Vranjës); pastaj djegiet e kufomave në shkritoret e Trepçës e në Furrnaltat e Obiliqit në Kosovë dhe në një varg krematoriumesh të tjera. Këto që u përmendën më lartë janë vetëm disa nga treguesit për rastet e shumta të përpjekjeve të organeve më të larta shtetërore të Serbisë për fshehjen e organizuar të dëshmive për gjenocidin e kryer nga forcat okupuese serbe në Kosovë. Rastet e tilla edhe sot e kësaj dite në Serbi vazhdojnë të konsiderohen “sekret shtetëror”, madje moszbulimi dhe mosgjurmimi i tyre në territorin e Serbisë, në disa raste ishte urdhëruar edhe me dekrete presidentësh. Gjithashtu, vite më parë nga përtej Atlantikut, u ofruan dëshmi rrëqethëse lidhur me eksperimentimet e bëra me robërit shqiptarë të luftës në vend të minjve në laboratoret nëntokësore të VMA-së (Akademisë Ushtarake të Mjekësisë) dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd, por askush nuk është marrë me këtë çështje. Për këtë, vite më parë opinionit publik i kemi ofruar edhe një dëshmitar të gjallë, ish-pjesëtar i UÇK-së, rob i luftës, i cili gjatë vitit 1999 i ishte nënshtruar trajtimit të dhunshëm për marrjen e veshkës në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë (VMA) në Beograd, derisa mbahej në Burgun Qendror (CZ).
Dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare e ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje, ajo ka shkuar edhe më larg. Me të gjitha mjetet është përpjekur t’i shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin serb në Kosovë. “Shumë prova u fshehën, por edhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga UNMIK-u”, kanë deklaruar njohës të mirë të rrethanave brenda këtij misioni. Nga dikur viktima, propaganda serbo-ruse dhe ajo e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t’i shohë shqiptarët si viktimizues e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë, fatkeqësisht, deri më sot askush nuk kërkoi, as nuk dha llogari.
Deri në vitin e kaluar, me të gjitha proceset gjyqësore që kanë pasur të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë, është marrë ekskluzivisht bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u e më pas EULEX-i, të cilat kanë rezultuar të jenë tepër të njëanshme. Në një raport të publikuar në gazetën “Koha Ditore”, më 26 mars 2011, duke iu referuar shifrave zyrtare thuhej se “pesëfish më shumë shqiptarë sesa serbë janë dënuar për krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, edhe pse gjatë luftës llogaritet të jenë vrarë mbi 12 mijë shqiptarë e rreth 800 serbë”. Pra, gjatë dekadës së parë të pasluftës, raporti etnik i të dënuarve për krime lufte në Kosovë ishte 5:1, ndërkaq pesë vjet më vonë, nuk përjashtohet fakti që kjo diferencë është edhe më e madhe. Pra, pesëfish më shumë janë gjykuar e dënuar shqiptarë, edhe pse në shumicën e rasteve gjyqi nuk ka mundur t’i argumentojë akuzat e ngritura kundër tyre.
Përmasat e tilla të gjykimeve, kanë ndodhur falë përfaqësuesve “të drejtësisë” ndërkombëtare, të tipit të kryeprokurorit shumëvjeçar të EULEX-it, Mauricio Salustro, i shquar për zellin e tij në proceset e shumta gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, i cili pas përfundimit të mandatit në Kosovë, doli se gjeti punë të re (mbase mund të jetë punë edhe më e hershme se detyra zyrtare që e kishte në Kosovë) dhe atë ku tjetër pos në Beograd, në cilësinë e këshilltarit kryesor të zëvendësprokurorit për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekariq, ku u mor vesh se nuk ka shkuar duarthatë, por i ka marrë me vete të gjitha dosjet e krimeve të rënda, që i kishte në duar gjatë punës së tij të dyshimtë në Kosovë! Se kjo kategori e dosjeve kanë përfunduar në Beograd, e ka vërtetuar kohë më parë edhe prokurorja britanike e EULEX-it, Maria Bamieh, krahas skandaleve e shkeljeve të tjera të shumta, të bëra nga ky mision.
Është e udhës të përmendet se ka raste të shumta kur të akuzuarit shqiptarë janë mbajtur padrejtësisht me vite të tëra në paraburgim e pastaj janë liruar të pafajshëm, ka raste kur deri në një dekadë janë mbajtur në burgje pa aktgjykim të plotfuqishëm, por drejtësia ndërkombëtare nuk ka qarë kokën për këtë, sepse të akuzuarit ishin dhe janë ish-pjesëtarë të UÇK-së. Si të tillë janë kategoria e shtetasve të Republikës së Kosovës që në Kosovën e pasluftës, janë viktimizuar më së shumti, janë kategoria që i janë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëhen më së shumti padrejtësi, janë kategoria që është tentuar të njolloset e të poshtërohet më së shumti. Dhjetëra ish-luftëtarë të lirisë janë vrarë në Kosovën e pasluftës, por asnjë vrasje e tyre nuk është zbardhur deri më sot, madje as që i përmendë dikush; dhjetëra të tjerë janë gjykuar e dënuar në procese të montuara politike; dhjetëra të tjerë të gjendur buzë ekzistencës i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë; qindra të tjerë edhe gjashtëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës nuk i kanë as kushtet elementare për jetë, as për trajtim mjekësor, as një vend pune, as një kulm mbi kokë. U deshën të kalojnë 15 vite pas përfundimit të luftës, që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin për veteranët e luftës, por që ende nuk ka gjetur zbatim.
Nuk është asgjë e re, as e panjohur, se Serbia çdo krim që e ka kryer në Kosovë është përkujdesur t’ia adresojë UÇK-së, ndërkaq në rastet tjera është përkujdesur të trumbetojë se krimi apo krimet janë bërë gjithsesi për shkak të saj (UÇK-së). Në kohën kur ende vazhdojnë të zbulohen varreza të reja masive me eshtra të shqiptarëve, të zhvarrosur e të rivarrosur shumë herë nga forcat serbe për të fshehur gjurmët e gjenocidit, që e kreu Serbia ndaj popullit shqiptar në Kosovë, propaganda serbe tenton të krijojë paralelizma të tillë te shqiptarët. Në mungesën faktike të varrezave masive të serbëve, ajo tenton të gjejë individë, të cilët do të akuzoheshin për krime lufte. Në këtë funksion është edhe përralla serbe (e huazuar nga ndërkombëtarët) për “trafikim organesh”.
Është e çuditshme se si përralla e vozhdit çetnik Vojisllav Sheshel, për kinse “trafikim organesh” të serbëve nga ana e UÇK-së, e lansuar në vitin 1999, e përpunuar më pas nga shërbimi sekret serb BIA dhe e ashtuquajtura Prokurori Speciale (e Serbisë) për Krime të Luftës, me seli në Beograd, si e tillë përfundoi fillimisht në librin tendencioz të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte (përkundër kësaj, më 12 prill të vitit 2014, siç raportonte Agjencia Informative “Presheva Jonë”, Del Ponte iu deklaroi medieve ndërkombëtare në Cyrih të Zvicrës se hetimet për “trafikun e organeve” në Kosovë do të dështojnë) e më pas në raportin e senatorit zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty, i njohur për përcaktimet e tij proserbe, të marrë përmasa të tilla. Aq më tepër kur dihet se nuk ka asnjë gjasë reale, as teorike as praktike që UÇK-ja gjatë luftës të ketë pasur mundësi të merret me “trafikim organesh” të serbëve apo të kujtdo tjetër. Në anën tjetër, dhjetëra luftëtarë të UÇK-së, të plagosur kanë ndërruar jetë në pamundësi të ofrimit të ndihmës përkatëse mjekësore, e dhjetëra të tjerë kanë dhënë jetën gjatë përpjekjeve për dërgimin e të plagosurve për shërim në Shqipëri.
Kur e trajtojmë çështjen e “Gjykatës Speciale” e cila ekskluzivisht do të merrej me krimet e pretenduara të UÇK-së, duhet shtruar disa pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare:
– Së pari, a kanë kërkuar ndonjëherë zyrtarisht nga Serbia që ta sqarojë veprimtarinë e Sigurimit shtetëror serb në raport me Kosovën, sidomos pas zbardhjes së fakteve për ekzistencën e “Drejtorisë së Gjashtë” (“Drejtorisë për Vrasje”) të RDB-së, në krye me Ratko Romiqin, që përveç mekanizmave të tjerë, e kishte në dispozicion njësinë famëkeqe për operacione speciale JSO (apo “Beretat e Kuqe”, pasuese e të cilës sot është xhandarmëria e Serbisë), kur është dëshmuar se përmasat e aktiviteteve kriminale të “Drejtorisë për Vrasje” të RDB-së kanë përfshirë jo vetëm periudhën e luftës, por edhe atë të pasluftës, duke pasur në fokus me theks të veçantë zhdukjen e dëshmive e të dëshmitarëve të mundshëm që do të dëshmonin për krimet serbe, kur dihet se vrasjet e kryera nga kjo strukturë (anëtarët e të cilës edhe sot kanë pozita vendimmarrëse në institucionet më të larta shtetërore në Serbi) kanë përfshirë një gamë të gjerë të vrasjeve, të kryera jo vetëm në nivel në Serbisë e të Kosovës, por edhe në nivel ndërkombëtar, siç ishte rasti i vrasjes së gazetares së BBC-së Jill Dando gjatë luftës, vrasja e ministres së Punëve të Jashtme të Suedisë, Ana Lind, pas përfundimit të luftës, etj. A është kërkuar ndonjëherë të dihet se cilat janë përmasat e influencimit dhe të implikimit të drejtpërdrejtë të kësaj strukture në vrasjet e shumanshme që kanë ndodhur në periudhën e pasluftës në Kosovë?
– Së dyti, si ndodhi që më 12 shkurt 2010, një gjyqtar i EULEX-it, fare pa zhurmë mediale, përkundër fakteve të shumta që i kishte në dispozicion, në seancën kur aktakuza duhej të merrte formën e prerë, t’i lirojë nga akuza oficerët e shërbimit sekret serb BIA? Agjentët e BIA-s Igor Juçinac, Millutin Radanoviq e Predrag Zhelkoviq, në qershor të vitit 2009, ishin kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës në Çagllavicë derisa ishin në gjah për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç dihet, këta pjesëtarë të BIA-s u akuzuan të kenë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të dhënë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën shumën prej 100 deri në 300 mijë euro për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb – BIA, u deklaruan organeve të hetuesisë se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguan shteti!!! Me “dëshmi” të tilla u ndërtua raporti i Dick Martyt!
– Së treti, si ndodhi që të kalojë në heshtje rasti skandaloz, i publikuar në gazetën “Zëri” të Prishtinës (2 gusht 2013), me titull: “Komploti i Serbisë me veshka”, ku ofrohen fakte të tmerrshme mbi komplotin e shërbimeve sekrete të Serbisë për materializimin e procesit famoz “të trafikimit të organeve”. Sigurisht që ky nuk është një rast i izoluar. Faktet që i ofron gazeta, duke iu referuar të dhënave zyrtare nga hetuesia vendore, janë të tmerrshme. Sipas gazetës, në fillim të vitit 2012, ishte planifikuar që mbetjet mortore serbe të sillen në mënyrë ilegale në Kosovë dhe të varrosen skaj kufirit me Serbinë. Këto mbetje do të vendoseshin në zonat ku hetuesit e Tribunalit të Hagës do të nisnin gjurmimet për hetimet rreth trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Shërbimet serbe kishin gjetur grupin e trafikantëve kosovarëve (një pjesë e të cilëve ishin arrestuar nga Policia e Kosovës, më 23 korrik 2013, në qytete të ndryshme të Kosovës) për ta realizuar këtë plan të Serbisë, që të sjellin “dëshmi” se në Kosovë është bërë trafikim i organeve. Për transportimin ilegal të një mbetjeje mortore shërbimi sekret serb do t’ua paguante shumën prej 20 mijë eurosh! Bartja e tyre ishte planifikuar që të bëhej me veturat e ndihmës së shpejtë të spitalit rajonal të veriut të Mitrovicës, për të mos dyshuar policia e doganierët gjatë kontrollit kufitar. Grupi i trafikantëve kosovarë ishin kontaktuar nga shërbimi sekret serb, për ta realizuar planin, që përfundimisht 14 vjet pas përfundimit të luftës do të “gjendeshin dëshmi se gjatë luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë trafikim me organe të civilëve serbë”. Serbët kishin ofruar para të majme për grupin e trafikantëve kosovarë në këmbim të kontributit që ata do të jepnin me sjelljen e mbetjeve mortore serbe nga Serbia në vende të caktuara në Kosovë. Për më tepër, trafikantët nga Kosova kishin premtuar se do të ofronin dëshmi shtesë se në Kosovë ka pasur trafikim organesh.
“Gjatë bisedave të tyre, grupi nga Kosova i ka premtuar shërbimit serb se do të gjejnë edhe dëshmitarë, të cilët pa problem do të dëshmonin rrejshëm nëse do të paguheshin mirë”, shkruante “Zëri”, duke iu referuar burimeve nga hetuesia vendore. Por, jo vetëm shërbimet sekrete serbe kanë pasur interes për grupin e trafikantëve nga Kosova. Këta të fundit ishin marrë vesh me shërbimin serb që t’i ndihmojnë gjatë transportimit ilegal të refugjatëve kosovarë, që përmes territorit serb t’i qesin në Europë.
Çdo ditë e më shumë po zbulohen fakte të reja që zbardhin përmasat e krimeve të luftës dhe të gjenocidit që e kryen forcat okupuese serbe në Kosovë, me theks të veçantë forcat e rregullta ushtarako-policore serbe në Kosovë, si masakrën e Rezallës, të Izbicës, të Terrnjes, të Abrisë, të Kralanit, të Lybeniqit, të Qyshkut, të Mejës, të Krushës së Madhe, të Krushës së Vogël, të Lugishtës së Hasit, Godenit, Burgut të Dubravës, etj., të cilat, bazuar në dokumentet e publikuara ushtarake serbe, i kanë drejtuar edhe gjeneralë, që sot gjenden në krye të Armatës së Serbisë; janë ofruar fakte se serbët kanë shkuar aq larg sa që me kafka të shqiptarëve të vrarë, kanë bërë edhe llampa ndriçuese për tavolina; zyrtarë të lartë serbë pranojnë se Serbia ka shkuar aq larg sa që për të arritur qëllimet serbomëdha, të vrasë edhe fëmijët dhe të rinjtë serbë (kujto rastin e kafenesë “Panda” në Pejë në dhjetorin e vitit 1998), por që nga e njëjta linjë kanë filluar edhe vrasjet e qytetarëve serbë në Kosovën e pasluftës (kujto rastin e vrasjes në masë në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999), për të cilat u akuzuan shqiptarët; vet qytetarët serbë kanë ofruar dëshmi për vrasjet e familjarëve të tyre nga forcat serbe, vetëm pse u kanë ndihmuar fqinjëve të tyre shqiptarë, por edhe kanë ditur shumë për krimet e bashkëkombësve të tyre serbë. Të gjithë jemi dëshmitarë se këto vrasje më pas ia ngarkuan UÇK-së.
Në të gjitha proceset gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë, e ashtuquajtura Prokurori Speciale për Krime të Luftës e Serbisë dhe Departamenti për Krime të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, kanë kryer vetëm procese formale gjyqësore ndaj individëve të parëndësishëm, që nuk kishin përgjegjësi komanduese në formacionet e rregullta ushtarako-policore, duke tentuar ta shfajësojnë shtetin serb nga përgjegjësia për gjenocidin dhe krimet e luftës në Kosovë. Në legjislacionin penal të Serbisë nuk ka institucion të përgjegjësisë komanduese, por nuk ka as vullnet politik që të gjykohen gjeneralët. Serbia është tallur dhe vazhdon të tallet me viktimat e luftës.
Sipas dëshmive publike, e ashtuquajtura Prokurori Speciale për Krime Lufte e Serbisë, në vend që t’i mbrojë, i ka përndjekur, i ka persekutuar, i ka shantazhuar e madje edhe i ka vrarë dëshmitarët serbë, që kanë dëshmuar pranë kësaj prokurorie për krimet e luftës në Kosovë. Për shembull, janë tepër qesharake dënimet që i ka shqiptuar Gjykata e Lartë në Beograd për krimet e luftës që i kanë kryer forcat serbe në Kosovë, qoftë për masakrën mbi familjen Berisha të Suharekës, qoftë për masakrën e Qyshkut, të Pavlanit e të Zahaqit, etj.; me ç’rast të akuzuarit serbë, nuk u dënuan as me nga një vit burgim për një shqiptar të vrarë. Por edhe këto dënime Serbisë i janë dukur shumë të larta, ndaj që në fund të muajit mars të këtij viti, rastin e Qyshkut e kanë kthyer në rigjykim! Përkundër këtyre proceseve gjyqësore, që janë vetëm një farsë, askush deri më tani nuk e ka ngritur zyrtarisht çështjen se këto raste të krimeve të luftës duhet të gjykohen në vendin ku kanë ndodhur krimet, pra në Kosovë, apo në ndonjë vend të tretë.
Të kthehemi sërish te “Gjykata Speciale” ndërkombëtare për UÇK-në. Ka kohë që është banalizuar shprehja e stërpërdorur se kjo gjykatë nuk është e drejtuar kundër UÇK-së, kundër shqiptarëve, por kundër individëve! Të gjitha faktet e pasluftës e dëshmojnë të kundërtën.
Përkundër të gjithave që kanë ndodhur deri më tani, është joparimore, joetike dhe jonjerëzore që të ketë kute të ndryshme për ndarjen e drejtësisë. Në njërën anë të bëhen përpjekje për mohimin dhe minimizimin e skajshëm të krimeve të luftës e të gjenocidit që e kreu Serbia pushtuese mbi popullin shqiptar të Kosovës, madje jo vetëm mbi atë, ndërkaq në anën tjetër, një rast selektiv, faktikisht një rast joekzistencial i palës shqiptare që bëri luftë mbrojtëse, duke i respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare, të ngritet artificialisht për trajtim në nivel ndërkombëtar, jo për të vënë drejtësinë në vend, por për t’ia bërë qejfin Serbisë dhe për të arritur balancat politike, nën presionin e vazhdueshëm të aleancës serbo-ruse.
Të gjitha kushtet dhe parakushtet për gjykime të krimeve të luftës në Kosovë, të çfarëdo niveli qofshin ato, janë të favorshme. Meqenëse misioni i EULEX-it, si një mekanizëm ndërkombëtar që iu referon njëkohësisht edhe BE-së edhe OKB-së vazhdon ta ketë ekskluzivitetin mbi rastet e krimeve të luftës, për çfarëdo rasti që të jetë fjala shtrohet pyetja ç’nevojë ka që të formohet gjykatë e re ndërkombëtare me seli në tri shtete, apo vetëm për t’ia bërë qejfin Serbisë? Është e paarsyeshme dhe e papranueshme ngritja e një gjykate të tillë vetëm për UÇK-në. Bazuar në faktet reale, nëse ka drejtësi, asnjë ish-luftëtar i UÇK-së nuk ka pse t’i frikësohet asnjë lloj gjykate as vendore as ndërkombëtare, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës si aleate e NATO-s në të gjitha fazat e luftës, ju ka përmbajtur të gjitha konventave ndërkombëtare. Me amnisti për gjenocidin dhe krimet serbe të luftës e të pasluftës (madje edhe me miratime të ligjeve të veçanta) në njërën anë, e me organizim të gjykimeve e gjykatave të posaçme për raste të fabrikuara kundër shqiptarëve, kah po tentojmë të shkojmë ne, kah po tenton të shkojë bashkësia ndërkombëtare? Është e palogjikshme të ngritet gjykatë mbi gjykatë ndërkombëtare dhe atë vetëm për shqiptarët, që do të shënonte rastin e vetëm në rajon që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, edhe pse krimet e pretenduara që i vihen në barrë UÇK-së qoftë në përmbajtje, qoftë në numër janë të papërfillshme në raport me agresorin serb, që u amnistua nga përgjegjësia për spastrimin etnik e gjenocidin e kryer në Kosovë. Nuk ka asnjë dëshmi reale, që do të dëshmonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime lufte kundër civilëve serbë apo të tjerëve, e lëre më spastrim etnik apo gjenocid!
Tribunali Ndërkombëtar i Hagës i ngritur nga OKB-ja për gjykimin e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi e ka dhënë verdiktin për serbët, për shqiptarët e të tjerët. Po ashtu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë verdiktin e saj. Nëse patjetër duhet themeluar gjykatë, le të jetë ajo gjykatë apo departament që do të vepronte në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe që do t’i trajtonte të gjitha rastet e krimeve të luftës pa dallim, gjithsesi me seli në Kosovë e jo diku tjetër. Janë qindra-mijëra raste të krimeve të luftës që kërkojnë drejtësi, por jo trajtim paragjykues e selektiv në baza etnike, madje edhe trajtim paragjykues brenda të njëjtës etni, por që përgjithësisht kërkojnë trajtim objektiv, kërkojnë drejtësi e jo padrejtësi të reja, madje edhe me lënie në harresë. Është e padrejtë dhe jonjerëzore që për çfarëdo qëllimi apo arsyeje të tentohet të barazohet xhelati me viktimën, apo të amnistohet xhelati e të fajësohet viktima, siç po ndodh në rastin konkret. Do të ishte njëlloj sikur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore të përzgjidheshin hebrenjtë për t’i gjykuar e të amnistoheshin të tjerët, ata që i kryen krimet. Është jo vetëm antinjerëzore, por edhe e papranueshme që t’i zgjedhin për t’i flijuar sërish padrejtësisht ish-pjesëtarët e UÇK-së. Kosova ka kapacitete dhe duhet të tregojë se është e aftë t’i marrë dhe t’i kryejë përgjegjësitë e veta shtetërore.

*Fetnete Ramosaj
Bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës – Prishtinë

Filed Under: Opinion Tagged With: dy fjalë, Fetnete Ramosaj, rreth të shumëpërfolurës gjykatës speciale

Rasti i Alush Alushit dhe drejtësia që mungon

June 24, 2015 by dgreca

Nga Fetnete Ramosaj*/

Javën që lamë pas, shqiptari Alush Alushi, i njohur edhe si Alush Suhadolli (75 vjeç) pas përpjekjeve shumëvjeçare arriti ka kthejë shtëpinë e tij në pjesën veriore të Mitrovicës. Ky akt tepër i rrallë i lirimit të një pjese të pronës së uzurpuar nga serbët, shkoi aq larg sa që u quajt edhe historik!!!Shtëpinë e tij, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, ngjitur me shkollën fillore “Aziz Sylejmani” (që tash është bërë “Sveti Sava”!!!), siç tha Alushi, ia kishte uzurpuar qysh gjatë kohës së luftës, polici i MUP-it të Serbisë dhe pjesëtari i grupit famëkeq “Rojat e Urës”, Danillo Iliq, i përfshirë edhe në kontrabandë e krim të organizuar. Uzurpimi i pronës së familjes Alushi, kishte ndodhur në të njëjtën ditë kur një grup i forcave policore e paramilitare serbe, Alush Alushit ia kishin vrarë në oborrin e shtëpisë së tij katër anëtarë të familjes: dy djemtë e tij Hilmiun dhe Avniun, të vëllanë Fehmiun dhe djalin e vëllait Rexhepin.

Lidhur me këtë rast, sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë, të publikuara me kohë nga kryetari i Qendrës Rajonale për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, Halit Barani (shih gjerësisht edhe: Halit Barani, Tmerri i Dokumentuar, Mitrovicë, 2009, f. 4, 230, 304-305), më 28 mars 1999, në orët e pasdites, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, katër paraushtarakë dhe katër policë serbë, shumica prej tyre të identifikuar, kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së Alush Rexhep Alushit në Suhadoll të Poshtëm, ku i ekzekutuan Fehmi Rexhep Alushin (1950), Rexhep (Fehmi) Alushin (1981), Hilmi (Alush) Alushin (1967) dhe Avni (Alush) Alushin (1975). I njëjti njësit i forcave serbe prej andej e vazhdoi rrugën për në Mitrovicë, ku në afërsi të kafenesë “Te Llapa”, i ekzekutuan edhe Eshref (Fazli) Eminin (1946), Qerim (Brahim) Rexhepin (1948) dhe Ahmet (Qerim) Rexhepin (1981) nga fshati Suhadoll i Mitrovicës, miq të familjes Alushi. Përveç vrasjeve e ekzekutimeve të këtyre anëtarëve të familjes, në periudhën prej 15 prillit deri më 19 prill 1999, në shtëpinë e Alush Alushit, forcat okupuese serbe, disa prej të cilëve i ka njohur pronari, plaçkitën 420 mijë marka gjermane, 20 mijë franga zvicerane, 10 mijë dollarë amerikanë, 12 tonë qirinj në vlerë prej 72 mijë markave, 2 mijë kilogramë kafe në vlerë prej 30 mijë markave gjermane dhe 26 mijë kg patate në vlerë prej 26 mijë markave gjermane, për të cilat dëshmitar okular është vet Alushi dhe disa fqinj të tij, thuhet në dëshmitë e KMDLNJ-së.

Gjatë këtyre ditëve, veç tjerash, Alush Alushi, u deklaroi medieve se Danillo Iliqi jo vetëm që ia ka uzurpuar shtëpinë, por është një nga të dyshuarit kryesorë që ia ka vrarë të dy djemtë, vëllanë dhe djalin e vëllait gjatë luftës. “Iliqi ka menduar se e tërë familja ime është zhdukur-vrarë nga forcat serbe, por për fat të mirë kam shpëtuar unë si dhe meshkuj të tjerë, të cilët do t’i dalim zot pronës tonë që e kemi në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës… Polici i Serbisë Danillo Iliq, që dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e dy djemve të mi, vllaut dhe nipit, pas lufte më ka pas dërguar fjalë se nëse të shoh në veri do të të vras edhe ty”.

Përveç shtëpisë, Alushit i janë uzurpuar edhe dy dyqane, po në pjesën veriore të Mitrovicës. Madje, pas përfundimit të luftës, polici i Serbisë, Danillo Iliq, kishte ndërtuar edhe një shtëpi tjetër në oborrin e shtëpisë së uzurpuar, përkundër ankesave dhe padive të vazhdueshme të pronarit legjitim Alush Alushi, të bëra në organet gjyqësore. “Që nga ajo kohë unë jam duke u endur nëpër polici dhe gjykata dhe më në fund Gjykata Themelore e Mitrovicës pasi që ka konfirmuar se prona është e imja, ka sjellë edhe vendimin për largimin e Danillo Iliqit nga prona e ime që gjendet në zemër të pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Alushi.

Dita e ekzekutimit të vendimit të gjykatës do të duhej të ishte 29 maji 2015, por si zakonisht, jo vetëm atë ditë, por edhe dy herë të tjera më pas, pjesëtarë të strukturave paralele të sigurisë në veri të Kosovës, kolegë të Iliqit, të cilët kishin sjellë aty edhe nxënës të shkollave të mesme, e kishin penguar zbatimin e vendimit të gjykatës.

Edhe në këtë rast publikisht u dëshmua veprimtaria e pandërprerë dhe e organizuar e strukturave të të ashtuquajturës “Civilna Zaštita” (“Mbrojtja Civile”) të Serbisë. Siç dihet, pjesëtarët e formacionit që vepron jashtëligjshëm në territorin e Republikës së Kosovës, “Civilna Zaštita”, urdhrat i marrin nga kryetarët e komunave serbe në veri të Kosovës. Ata i zbatojnë planet që hartohen nga Beogradi zyrtar, kurse shumica e udhëheqësve të kësaj organizate, janë me të kaluar ushtarake.

Siç u tha, Danillo Iliqi e liroi shtëpinë e Alush Alushit, nën presionin dhe me kërkesë të drejtuesve të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, dhe me kërkesë edhe të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq. Kështu, të paktën u deklaroi medieve vet Iliqi derisa po largohej nga prona që e kishte uzurpuar.

Një veprim i tillë, sigurisht ka ndodhur në prag të bisedimeve shqiptaro-serbe, të paralajmëruara për 23 qershor në Bruksel.

Sidoqoftë rasti i Alush Alushit edhe një herë e aktualizoi çështjen e mosndëshkimit të kriminelëve serbë të luftës dhe padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve në veriun e Kosovës, madje jo vetëm atje, e dëshmoi vazhdimësinë e funksionimit të papengueshëm të formacioneve paralele serbe të sigurisë në territorin e Republikës së Kosovës, e tregoi ndikimin e Beogradit mbi minoritarët serbë në Kosovë dhe e riaktualizoi çështjen se kriminelët serbë të luftës shëtisin lirshëm dhe nuk përgjigjen para drejtësisë edhe kur faktet janë të bollshme. I tillë është rasti i Danillo Iliqit, që nuk është rast i izoluar.

*Bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) – Prishtinë

 

Prishtinë,  qershor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Alush Alushi, drejtesia e munguar, Fetnete Ramosaj, rasti

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT