Nga Fetnete Ramosaj/
Mëngjesin e nëntë majit, të gjithë shqiptarët u zgjuan me ankthin e lajmeve për luftën e sapofilluar në qytetin e Kumanovës, madje jo vetëm kaq. Sakaq pamjet e tmerrit të luftës në “Lagjen e Trimave” pushtuan botën. Një shtet i tërë, i njohur tashmë për ligje e veprime raciste, madje edhe terroriste kundër njërit nga popujt më të fuqishëm shtetformues të tij, madje jo vetëm kundër atij, vuri në përdorim gjithë arsenalin e rëndë luftarak tokësor e ajror kundër një lagjeje shqiptare me një popullsi prej 20 mijë banorësh! Edhe banorët, edhe vendbanimi u godit pa paralajmërim nga të gjitha anët, nga toka dhe nga ajri, me të gjitha mjetet!
Madje nën hijen e luftës së Kumanovës, mbeti edhe parada e famshme e Moskës, e organizuar në 70-vjetorin e luftës kundër fashizmit, në të cilën presidenti i shtetit pa emër, Ivanov, po merrte pjesë, krahas homologut të tij serb, Nikoliq, të dy të ftuar nga presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin. Të ndalemi pak këtu.
Maqedonia ka vite që është duke u vërtitur ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Paraprakisht në Maqedoni askush nuk foli për vendimin e Ivanovit për të shkuar në Moskë, në kohën e acarimit të raporteve Perëndim – Rusi, kur pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shteteve perëndimore refuzuan ftesën e Putinit. Në prag të shkuarjes në Moskë, Ivanov, doli dhe i qortoi edhe një herë NATO-n dhe BE-në, të parën kinse për mashtrimin e popullit për integrim në strukturat euroatlantike, ndërkaq të dytën se nuk ia paska zgjidhur çështjen e emrit! Njëherësh deklaroi se ai drejton një politikë të “të qenit të hapur ndaj të gjithëve”, dhe se shkuarjen në Moskë e konsideron “interes shtetëror”!
Po. Kishte ndarë mendjen të shkonte në Moskë, ku Rusia pritej që të tregonte fuqinë e saj luftarake, dhe prej andej do t’i përcillte porosinë Perëndimit se Rusia ka dhe investon në pajisje moderne luftarake, sidomos në prodhimin e saj të famshëm tankun e sofistikuar të tipit “T-14 Armata”. Por, ndodhi që pikërisht ky tank – “krenaria ruse” të prishet mu në mes të Sheshit të Kuq në Moskë gjatë provës gjenerale për paradën e 9 Majit, dhe u detyruan ta tërheqin zvarrë për ta larguar nga parakalimi!
Ditën e 9 majit, që në orët e hershme të mëngjesit shteti pa emër (IRJM) ndërmorri një operacion terrori kundër lagjes shqiptare në Kumanovë, që assesi nuk mund të quhet ndryshe pos luftë, që la pas viktima, djegie e shkatërrim, bërje rrafsh me tokë të një lagjeje të tërë. Agjencia e lajmeve “Reuters” duke parë gjendjen e pasluftës vlerësoi se “Lagja e Trimave” në Kumanovë duket sikur të jetë goditur nga një cunam, rrugët kanë mbetur të shkatërruara dhe muret të rrëzuara nga artileritë e rënda ushtarake të njësisë anti-terrorizëm të forcave speciale maqedonase”.
Natyrisht se i gjithë ky operacion dyditor i luftës e terrorit shtetëror u mbulua edhe nga një fushatë mediale, e përcjellë me informacione të mangëta, të pavërteta dhe tendencioze. Ndonëse, u tha se nuk kishte viktima civile, kësaj të dhëne është vështirë t’i besohet, pasi që tashmë shteti pa emër ka stazhin e veteranit për fshehje, montime e tjetërsime faktesh! Çuditërisht mjetet dhe metodat që po i përdorë tash sa vite kundër shqiptarëve nuk dallojnë fare nga ato millosheviqiane. Me banorët e lagjes një pjesë të burgosur e të terrorizuar, të lënë pa strehë, një pjesë të degdisur në të katër anët, pa guxuar as të flasin, vështirë të besohet kjo. Do të ishte e udhës që të vërtetën e Kumanovës ta zbardhë pa humbur kohë një Komision Hetues Ndërkombëtar. Është e çuditshme se si na kategorizojnë ne shqiptarëve, si heshten e minimizohen aktet e rënda të terrorit shtetëror. Paramendojeni se çdo të kishte ndodhur po të ishte aplikuar një terror i tillë kundër serbëve apo të tjerëve?! Të paktën do të mblidhej me urgjencë Këshilli i Sigurimit!
Ndonëse ministrja e brendshme, Jankullovska, deklaron se i duhet vetëm pak kohë për t’i zhdukur shqiptarët (siç u zbardh edhe nga bisedat e përgjuara), lufta në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë e dëshmoi të kundërtën, ashtu siç e kishin dëshmuar shqiptarët edhe më 2001. 30-40 të rinj shqiptarë u përballën me 3 – 4 mijë forca ushtarako-policore e njësite speciale, të cilat i lëshuan edhe pikat kufitare për të mësyer Kumanovën. Në kushte tepër të pabarabarta, luftuan e qëndruan mbi 30 orë, të rrethuar nga të gjitha anët në një qendër urbane!
Po t’u referohemi njoftimeve të para mediale, ende të pacensuruara, duke iu referuar deklaratave të policëve të plagosur maqedonas të dhëna nga spitalet e Shkupit mësojmë se pos që kanë pasur armatimin më modern të kohës, “personat e armatosur që janë përleshur me policinë maqedone në Kumanovë” gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar luftimet në “Lagjen e Trimave” kanë kënduar këngë patriotike shqiptare. Policët e plagosur vazhdojnë më tej se “personat kanë qenë të armatosur mirë dhe të veshur me uniforma të zeza, të ngjashme me ato të njësive speciale “Tigrat”, por se në krah kanë pasur emblemën e UÇK-së. Madje, sipas tyre, kanë qenë uniformat ato që i kanë hutuar në disa raste pjesëtarët e Njësive Speciale të policisë maqedone, me ç’rast edhe është shënuar një numër i madh i viktimave në radhët e tyre”. (Zëri.info, 9 maj 2015).
Po, një pjesë e këtyre djemve kishin mbi supe përvojën e fituar në nga dy-tri luftëra: në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në IRJM më 2001! Ata që ishin liribërës, madje me ndikim në fitoren e luftës më 2001 në këtë vend, pasi që partitë politike shqiptare të atjeshme kanë dështuar të mbrojnë interest e popullit që e përfaqësojnë, kur Marrëveshja e Ohrit ka vdekur ende pa u realizuar, kishin 1001 arsye për ta riaktivizuar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare për t’i dalë në ndihmë popullit të vet, dhe për këtë treguan se nuk mund t’i ndalojë asgjë, sikurse nuk mund ta tjetërsojnë misionin e tyre për liri, barazi e mirëqenie të shqiptarëve. Prapë u treguan të gatshëm të vdesin për atdheun e tyre, për njerëzit e tyre!
Mirsad Ndrecaj, një nga drejtuesit e kësaj lufte, më 26 prill 2015, pas aksionit në pikën kufitare në Gushincë, do t’i drejtohej në mes tjerash popullit me një letër publike, për t’i sqaruar se këtë aksion nuk e ndërmorën njerëzit e Gruevskit, por luftëtarët më të mirë të luftës së vitit 2001: “…Popull i dashur Shqiptar në tokën e Iliridës, ju betohemi në gjakun më të ndershëm të Dëshmorëve të Kombit Shqiptar se ne djemtë Tuaj, për Lirinë Tuaj ne më shumë e duam Vdekjen se sa armiku e don jetën, vetëm e vetëm që fëmijët tanë dhe ju shqiptarë një herë e përgjithmonë të jetoni në tokat tuaja të lirë, ndershëm, si çdo popull i botës së civilizuar”.
Kur ndalemi dhe i analizojmë porositë e shkruara që kanë lënë ata që tashmë domosdoshmërisht janë shndërruar në heronjtë e kësaj beteje të përgjakshme, dhe si të tillë shpirtërisht me dhembje e krenari po i njeh dhe po i pranon mbarë Shqiptaria, nuk lë fare hapësirë për të dyshuar në misionin e tyre atdhetar, ndonëse po udhëhiqet një fushatë e tmerrshme mediale për poshtërimin e tyre. Por, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme! Nuk është hera e parë që e bëjmë këtë, mbase na është bërë tradicionale, jemi të vonuar në hap me kohën në reagime e në veprime, dhe me dije apo pa të e bëjmë punën e tjetërkujt.
Po të kthehemi prapa, shohim se pothuajse ndaj të gjithë heronjve tanë kemi bërë të njëjtat veprime, të njëjtat gabime. Fillimisht i kemi akuzuar, i kemi poshtëruar ende pa u varrosë as pa u tharë gjaku i tyre i derdhur për liri. Përmendim këtu vetëm rastin e Tahir Mehës, meqë këto ditë e kishte 34 vjetorin e rënies, pikërisht më 13 maj 1981 në ditën e të ashtuquajturës polici jugosllave, kur u rrethua nga të katër anët në kullën e tij në Prekaz. Ndonëse shtypi, mediat e politika e kohës tentoi ta poshtërojë e ta etiketojë si armik të popullit, qëndresën dhe rënien e tij populli e ndjeu ndryshe. Ndër ata të paktët që i bënë nderime dhe e varrosën pa pyetur për “hyqymet” qenë Shaban Jashari me të bijtë Hamzën e Ademin. Aty edhe u betuan se do të hakmerren për të, aty edhe u ribetuan se do ta vazhdojnë luftën për liri. Epilogun e këtij betimi e dimë të gjithë. Ndaj, është e habitshme se si populli di të ecën me kohën, di t’u bëjë vend në zemër heronjve të vet. Këtë e bëri edhe me heronjtë e betejës më të re – me Heronjtë e Betejës së Kumanovës.
Sipas të dhënave zyrtare, në luftimet dyditore në Kumanovë u vranë 8 pjesëtarë të njësive speciale (katër maqedonas, tre serbë dhe një shqiptar) dhe u plagosën rëndë e lehtë 37 të tjerë. Ndërkaq, të dhënat për palën shqiptare qoftë për të vrarët, qoftë për të plagosurit, qoftë për të burgosurit që po keqtrajtohen tmerrësisht janë kontadiktore. Njëherë u tha se janë vrarë 14 shqiptarë, pastaj se janë vrarë 10! Familjarëve të luftëtarëve shqiptarë, emrat e të cilëve u publikuan pos që jozyrtarisht u kanë thënë se të afërmit e tyre janë të vrarë, janë të masakruar e të bërë copë-copë sa të mos mund t’i njohin, zyrtarisht ende nuk u janë dorëzuar trupat e tyre! Shteti i Kosovës ka bërë fare pak, për të mos thënë aspak për t’u interesuar për qytetarët e vet, për t’u dalë në ndihmë familjeve të tyre, për të zbardhur të vërtetën ciladoqoftë, për të kërkuar zbatimin e konventave ndërkombëtare për raste të tilla. Realisht interesimi dhe përkujdesja për qytetarët e vet nuk do të duhej të varet nga vullneti, dëshira apo disponimi pro apo kundër i zyrtarëve, por si në çdo shtet normal të botës edhe zyrtarët e shtetit tonë interesimin dhe përkujdesin për qytetarët e vet e kanë obligim kushtetues.
Asnjë prej mekanizmave ndërkombëtarë perëndimorë luftëtarët e Betejës së Kumanovës nuk i etiketoi si terroristë, sepse nuk e përbënin asnjë element të terrorizmit. Asnjë prej shteteve më të fuqishme perëndimore nuk i etiketoi si të tillë. Ashtu iu atribuuan vetëm qeveritarët e zyrtarët e shtetit pa emër, ata të Serbisë e të Rusisë. Ashtu iu referua edhe ndonjë politikan apo zyrtar shqiptar nga shteti pa emër, nga Kosova e nga Shqipëria që dolën me deklarata të ngutshme e të papeshuara.
Në ditët e sotme si të doni quajeni, por Beteja e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e zhvilluar më 9 e 10 maj, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, domosdoshmërisht shënon fundin e regjimit terrorist kundër shqiptarëve dhe fillimin e një epoke të re. Nëse shpëtohet, kjo betejë do të jetë faktori vendimtar që do ta shpëtojë shtetin pa emër, ashtu siç e shpëtoi UÇK-om më 2001. Ka kaq ditë dhe shqiptarët anembanë botës po jetojnë me jehonën e saj, me dhimbjen e saj , me krenarinë e saj, me heronjtë e saj të papërsëritshëm!
Dekorimi i Dikoviqit nuk është i rastit – Serbia tradicionalisht i nderon kriminelët
Shkruan:Fetnete Ramosaj/
Presidenti i Serbisë, vojvoda çetnik Tomisllav Nikoliq, më 15 shkurt, pra dy ditë para shtatë-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do t’i japë medaljen e profilit të lartë, Urdhrin e nderit “Shqiponja e Bardhë”, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq. Siç është bërë e ditur, ky urdhër jepet për kontribute të jashtëzakonshme në ndërtimin ose komandimin e ushtrisë dhe do t’i ndahet në kuadër të festimeve për të shënuar “ditën e shtetit” të Serbisë. Sigurisht, Dikoviqi është meritor për këtë urdhër nderi! Dekorimet e tilla janë tradicionale në Serbi, parashihen edhe me të gjitha planprogramet serbomëdha për shfarosjen e shqiptarëve, që janë në zbatim që nga “Naçertanija” (1844) e Garashaninit e këndej. Madje, ky urdhër nderi nuk është i vetmi për të! Nga ajo që dihet publikisht, ai është nderuar edhe herë të tjera, por nga ish-presidenti i Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq, i akuzuar për krime lufte e gjenocid, për të cilin u tha se vdiq në Tribunalin e Hagës, gjatë zvarritjes shumëvjeçare të procesit gjyqësor, natyrisht i padënuar! Po, të kthehemi te dekoratat e Dikoviqit.
Në përfundim të luftës në Kosovë, përveç dekorimit të njësiteve të tjera, më 7 korrik të vitit 1999, Millosheviqi, për disa brigada të ushtrisë jugosllave (serbe) ndau dekoratat më të larta të mundshme të të ashtuquajturës Republikë Federale të Jugosllavisë: “Urdhëri i Lirisë”, “Urdhëri i Heroit Kombëtar”, “Urdhri i Flamurit Jugosllav” dhe “Urdhëri i Flamurit të Luftës i shkallës së parë”. Dekoratat u ndanë për brigadat dhe komandantët e lartë ushtarakë që morën pjesë drejtpërdrejt në luftë në Kosovë. Në këtë mes, siç bënte të ditur aso kohe organizata Human Rights Watch, Lubisha Dikoviqi u dekorua me “Urdhrin e Heroit Kombëtar”. Thënë më mirë, me këtë urdhër u dekorua komplet Brigada 37 e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, apo siç njihej ndryshe Brigada 37 e Rashkës. Në emër të Brigadës urdhrin e mori komandanti i saj, kolonel Lubisha Dikoviq. Krahas Brigadës 37 u dekoruan edhe Brigada 125 e Motorizuar e UJ-së në krye me komandantin Dragan Zhivanoviq, Brigada 549 e Motorizuar e UJ-së në krye me komandantin Bozhidar Deliq, Brigada 63 e parashutistëve të UJ-së në krye me komandantin Ilija Todorov. Përderisa mbi Brigadën 37 të Motorizuar rëndojnë krime të tmerrshme të kryera në rajonin e Skënderajt e Drenasit, pa u kufizuar vetëm në të, mbi Brigadën 125 dhe atë 549 rëndojnë krimet dhe masakrat e tmerrshme që i kryen në rajonin e Pejës, Deçanit, përkatësisht Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit etj.
Sa i përket përgjegjësisë komanduese, në rastin e forcave të ushtrisë jugosllave (serbe) gjërat janë tepër të qarta, sepse zinxhiri komandues ishte tejet i qartë dhe i ditur publikisht. Përderisa gjatë vitit 1998, në luftën frontale në Kosovë, krahas njësiteve policore e paramilitare, njësiteve speciale policore e ushtarake ishin të angazhuara njësitet e Armatës së Tretë (që mbulonte Serbinë e Jugut dhe Kosovën) që nga marsi i vitit 1999, drejtpërdrejt në frontin e luftës në Kosovë u angazhuan edhe Armata e Parë që e mbulonte Serbinë Veriore dhe Armata e Dytë që e mbulonte Serbinë qendrore dhe Malin e Zi. Që në fillim të muajit shkurt 1999, Brigada 37 e Motorizuar e UJ-së, nën komandën e Dikoviqit, e cila së bashku me Brigadën 19 të Pozhegës bënin pjesë në Korpusin e Uzhicës, pjesë e Armatës së Dytë të UJ-së, kishin zënë pozita të reja në Sanxhak, për të penguar mundësitë e kundërveprimit të mundshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në drejtim të Tregut të Ri (Novi Pazarit) dhe njëkohësisht për ta shtuar trysninë kundër Mitrovicës dhe Pejës. E tërë kjo po bëhej në kuadër të planit famëkeq sekret “Patkoi” që parashihte spastrimin përfundimtar të Kosovës nga popullsia shqiptare, ku tashmë rolin udhëheqës mbi të gjitha forcat në terren e kishte ushtria jugosllave (serbe).
Faktikisht, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, ushtria jugosllave tërë Kosovën e ktheu në fushëbetejë. Në vazhdën e operacionit sekret “Patkoi”, forcat ushtarake serbe, në bashkëpunim me MUP-in dhe vullnetarët lokalë serbë, i përsëritën krimet më të tmerrshme të luftës nga vitet ’90-të. Sipas kreut politik e ushtarak serb dhe aleatëve të tyre, me spastrimet etnike nëpërmjet operacionit “Patkoi” në Kosovë duhej të mbeteshin 400 mijë deri në 500 mijë shqiptarë dhe me kolonizimin e ri serb në Kosovë, të krijohej një përqindje proporcionale e popullatës 50 me 50 për qind dhe kjo të arsyetohej para botës.
Për realizimin e këtij operacioni, Shtatmadhoria e UJ-së, Komandës së Korpusit të Prishtinës ia kishte dërguar në mbështetje “Grupin Taktik” nga Beogradi, i formuar posaçërisht për këtë operacion dhe përbëhej nga oficerë të lartë të të gjitha gjinive. Dritën e gjelbër për operacionin “Patkoi” e dha i ashtuquajturi “Këshilli i Sigurisë”, konkretisht Sllobodan Millosheviqi dhe Jovica Stanishiqi. Mbikëqyrja strategjike ishte detyrë e “Këshillit Suprem Ushtarak”, që ishte i vendosur në bunkerin komandues në Beograd, ndërsa komandant operacional ishte vet Shefi i Shtatmadhorisë Serbe, gjenerali Dushan Samarxhiq. Operacioni “Patkoi” në tërësi u zhvillua nën komandën e ushtrisë jugosllave, por në bashkëpunim të ngushtë mes ushtrisë, MUP-it dhe kriminelëve lokalë serbë e malazezë. Operacioni u pasurua me forma jokonvencionale, të panjohura nga luftërat në Bosnjë e Kroaci. Një numër i njësive policore e ushtarake kishin urdhër të prerë t’i hiqnin uniformat çdo dhjetë ditë e të visheshin me rroba civile, për ta shtuar konfuzionin te UÇK-ja dhe për t’i mbuluar gjurmët e krimeve në rast të disfatës (meqë rezultati i luftës në Kosovë nuk dihej, për dallim nga lufta në Bosnjë, rezultati i të cilës ishte i ditur që nga fillimi).
Në kuadër të këtij plani, që nga 7 marsi i vitit 1999, Brigada 37 e Motorizuar e Rashkës, nën komandën e Lubisha Dikoviqit ka vepruar në brendi të territorit të Kosovës, përkatësisht në rajonin e Drenicës, ku ka kryer vrasje, vrasje në masë, përdhunime dhe gjenocid të pashembullt mbi popullsinë civile shqiptare. Lubisha Dikoviq si komandant i Brigadës 37, kishte nën komandën e tij 1695 trupa të rregullta ushtarake, 31 tanke dhe 18 topa, pa i llogaritur edhe forcat policore e paramilitare serbe, të cilat tashmë vepronin në koordinim të plotë dhe nën urdhrat e komandantëve ushtarakë.
Dëshmitarët dhe të mbijetuarit e masakrave që i kryen forcat serbe në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit, me kohë e kanë dëshmuar implikimin e drejtpërdrejtë të ushtrisë jugosllave (serbe) në krimet e luftës kundër popullsisë civile shqiptare në këtë rajon, por askush nuk i mori parasysh dëshmitë e tyre! Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Beograd e akuzoi zyrtarisht Lubisha Dikoviqin për krime lufte, për krime të rënda dhe masive, të kryera në rajonin e Drenicës. Në mesin e qindra civilëve shqiptarë të vrarë në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit, më shumë se 35 janë fëmijë; janë përdhunuar dhjetëra femra shqiptare, disa prej të cilave më pas i kanë ekzekutuar, por ka pasur raste, kur pas përdhunimeve ushtarët e Dikoviqit i kanë hedhur të gjalla në bunar, siç ndodhi në fshatin Qirez. Mbi të rëndojnë veçanërisht masakra e Izbicës, e Rezallës, e Çikatovës së Vjetër, e Qirezit, duke e bërë përgjegjës edhe për zhdukjen dhe fshehjen e trupave të qindra shqiptarëve të ekzekutuar. Mbetjet e eshtrave të paktën të 53 prej tyre u gjetën në vitin 2014 në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, pas pengesave shumëvjeçare të palës serbe për të gërmuar saktësisht në vendin e varrezës masive.
Dikoviqi është një shembull tipik tek i cili gërshetohen të gjitha format e kryerjes së krimeve të luftës e të gjenocidit, i cili ka marrë, por edhe ka dhënë urdhra drejtpërdrejt gjatë luftës në Kosovë, për vrasje, vrasje në masë, përdhunime, plaçkitje e djegie, por edhe për fshehjen e trupave të të vrarëve. Por, në vend se të përgjigjej për krime lufte, të bëmat e tij gjenocidale kundër popullsisë civile shqiptare, sikur edhe shumë të tjerëve, i shërbyen që t’i ngjitë majat më të larta të karrierës ushtarake. Që nga viti 2012 gjendet në krye të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, ku qëndron i patrazuar me mbrojtjen maksimale që i ofron shteti serb për të bëmat e tij në Kosovë. Kjo edhe është e kuptueshme, sepse nuk është as rasti i parë as i vetmi. Por është e çuditshme se si komuniteti ndërkombëtar heshtë dhe tregohet indiferent para kësaj gjendjeje. Sa e sa herë gjatë kësaj kohe Dikoviq u kthye në vendin e krimit, sa e sa herë u prononcua kundër Kosovës. Shefat e tij të sotëm, Nikoliq e Vuçiq, janë vënë me tërë qenien në mbrojtje të tij. Natyrisht me të drejtë, të gjithë janë të një linje, të gjithë janë të një sistemi, të një shkolle… Sikur komuniteti ndërkombëtar të bënte vetëm pak përpjekje që të aplikonte drejtësinë e jo të tentonte t’i barazonte xhelatët me viktimat, të gjithë do të duhej të përgjigjeshin për krime të luftës, të kryera jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë të përfshira, e jo të jenë në maje të pushtetit në Serbi.
Derisa pret të marrë shpërblimin, shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Dikoviq sikur herëve të tjera vazhdon ta kërcënojë haptazi Kosovën dhe institucionet e saj të sigurisë. Dikoviq krenohet me të bëmat e tij kriminale dhe të ushtarëve të tij në Kosovë, të cilët i mbron duke thënë se “kanë luftuar me nder në Kosovë më 1999”! Por njëkohësisht nuk harron të akuzojë se “kërcënimi nga terrorizmi në Serbi” po u shfaqka në Kosovë! Madje ai shprehë shqetësimin edhe për ekstremizmin fetar në Kosovë dhe migrimet ilegale. “Kërcënimin më të madh për siguri e ka ekstremizmi fetar e etnik, rrjeti ndërkombëtar i krimit të organizuar dhe migrimi ilegal i motivuar ekonomikisht dhe politikisht si dhe problemet politike e të sigurisë”, i deklaroi gazetës “Danas” të Beogradit këtë fillimshkurti!
Kur përmendë migrimin dhe ekstremizmin fetar, detyrimisht mbamendja jo e largët na kthen prapa. Nuk kemi nevojë të kthehemi më larg se në dhjetorin e 2014-tës. Dhe logjikisht shtrohet pyetja: sikur inspektori i lartë aktiv i njërës nga ministritë e Serbisë fqinje, Sllobodan Gavriq, po të mos kapej në vepër e të arrinte të finalizonte aktin terrorist ndaj Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, me hiq më pak se 12 kilogramë eksploziv plastik ushtarak, dhe atë në ditën e dytë të Krishtlindjeve, pra më 25 dhjetor, për kryerjen e të cilit Serbia, sikurse në shumë raste të tjera, automatikisht do t’i akuzonte shqiptarët si “fundamentalistë islamikë”, ç’përmasa do të merrte fushata e saj armiqësore kundër Kosovës dhe ç’rezultate do të arrinte në arenën ndërkombëtare?! Është shumë domethënëse heshtja mediale e politike që po e përcjellë rastin Gavriq.
Është e çuditshme se sa aktual është konstatimi i Shqiptar Osekut, i bërë në hulumtimin e tij “Kundër kujt luftoi UÇK-ja” (botuar në revistën “Drita” të Suedisë, në vitin 2000): “Lufta serbe kundër Kosovës vazhdon, ndonëse nën dhe, përderisa në Beograd qëndrojnë në pushtet po ata politikanë që e hartuan gjenocidin e dekadës së shkuar mbi joserbët e ish-Jugosllavisë, po ata eprorë ushtarakë e policorë që e zbatuan atë gjenocid, si dhe po ata intelektualë, priftërinj e shkencëtarë që e frymëzuan, e bekuan dhe e mbështetën atë. Serbia është poshtëruar, por ajo nuk ka hequr ende dorë nga Kosova, përkundrazi, ka indikacione të forta se atje planifikohet ethshëm Kthimi i Madh. Ndaj përgatitet terreni err e terr përditë, duke nisur qysh tashti. Për këtë arsye, për sa i përket Beogradit, e para gjë që duhet vdekur, varrosur e harruar, madje në turp, është fryma UÇK. Nëqoftëse e arrin këtë objektiv, Beogradi e di se do t’ia arritë ta futë përsëri njërën këmbë brenda në Kosovë”.
Ndaj edhe pas gati 16 vjetësh të përfundimit të luftës asgjë nuk ka ndryshuar në Serbi. Sërish në pushtet është “koalicioni i luftës”, ndonëse ka pësuar ca rrotacione në postet udhëheqëse. Lufta për Serbinë e Madhe vazhdon, tashmë në rrethana të reja. Vojvoda çeknik Vojisllav Sheshel, e bëri publike një të vërtetë të madhe, që dikush po përpiqet ta harrojë, kur tha se Nikoliç dhe Vuçiq kanë qenë ndihmësit e tij të ngushtë dhe bashkëfajtorë të drejtpërdrejtë në krimet për të cilat ai akuzohet nga Gjykata e Hagës! Madje, të tre së bashku (por jo vetëm ata), kur i takonin Partisë Radikale Serbe e hartuan edhe planin serbomadh për spastrimin etnik të Kosovës, duke synuar arritjen e kuotave etnike 50:50 (i botuar në gazetën “Velika Serbija”, në vitin 1995, në Beograd), dhe nuk është çudi se këto synime na ka rënë t’i dëgjojmë disa herë edhe ministrat aktualë të qeverisë Vuçiq, ndonëse paksa të modifikuara për t’ju përshtatur rrethanave të sotme. Në këtë drejtim nuk është pa domethënie as thirrja e këtyre ditëve e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq, e bërë nga Brukseli, derisa gjendej atje për të nënshkruar marrëveshjen për drejtësinë me homologun e tij nga Kosova, Isa Mustafa, kur bën tifo për shefin e tij të mëhershëm: “Rroftë Sheshel!”. Kjo nuk do koment! Ashtu siç nuk do koment fakti se Serbia tradicionalisht i shpërblen kriminelët, por se si bashkësia ndërkombëtare i mbyllë sytë para akteve të tilla, kjo është shqetësuese, sepse me këtë nuk i kontribuon as paqes as stabilitetit, me padrejtësi u bën shërbim konflikteve të reja.
Kur zyrtarët serbë vazhdojnë të tentojnë të ngatërrojnë adresat e krimeve
Krimi ndaj serbëve në Grackë të Vjetër ka të njëjtën adresë me krimin në “Panda”-n e Pejës/
Nga Fetnete Ramosaj/
Të mërkurën, më 23 korrik, erdhi në Kosovë, përkatësisht në fshatin Grackë të Lipjanit, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për të zbuluar një pllakë përkujtimore për disa serbë të vrarë pesëmbëdhjetë vjet më parë. Me këtë rast, ashtu siç bëjnë zakonisht të gjithë zyrtarët serbë, edhe Gjuriqi i fajësoi shqiptarët. Kësaj radhe i fajësoi shqiptarët jo vetëm për vrasjen e ndodhur para pesëmbëdhjetë viteve, por edhe për atë se qenkan fajtorë se nuk po bashkëpunuakan për zbardhjen e këtij rasti! Gjuriq tha se ka ardhur të kërkojë drejtësi për Novica Janiçijeviqin, i cili ishte vetëm 17-vjeçar, dhe serbët e tjerë të cilët “vdiqën vetëm pse kishin folur në gjuhën serbe, pse kishin shkruar në çirilicë dhe se ishin serbë”, për të vazhduar më tej se “qëllimi i këtij akti qyqar ka qenë që të dëbohen qytetarët serbë nga ky fshat dhe kjo komunë”!
Por edhe kësaj radhe, Gjuriq duket se ka harruar që llogarinë për këtë akt kriminal duhet ta kërkojë në Beograd, e jo në Kosovë, pasi që nuk ka asnjë fakt se kjo vrasje është kryer nga shqiptarët. Përkundrazi, të gjitha faktet dëshmojnë se vrasja e dymbëdhjetë serbëve në Grackë tw Vjetwr të Lypjanit është kryer nga njësitet ekzekutive të Shërbimit Sekret Serb, përkatësisht nga i njëjti njësit që e ka kryer vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë.
Në të dyja rastet, njëri i kryer gjatë luftës e tjetri pas përfundimit të luftës në Kosovë, qarqet më të larta shtetërore të Serbisë i viktimizuan bashkëkombësit e vet për ta akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe popullin shqiptar për terrorizëm! Një gjë të tillë e bënë edhe në raste të tjera.
Në rastin e parë, u deshën të kalojnë pesëmbëdhjetë vjet që Serbia të pranojë zyrtarisht vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë. Në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri aktual i Serbisë, vozhdi çetnik Aleksandar Vuçiq, njëherësh ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe të Sheshelit, por edhe ministër i informatave në kohën e Millosheviqit, e pranoi publikisht se Serbia e ka kryer aktin terrorist në “Panda”, gjë që e shokoi opinionin në Serbi. Vuçiqi, iu drejtua opinionit serb (natyrisht, në prag të zgjedhjeve në Serbi), duke ia bërë të ditur se Serbia ka kryer krime monstruoze dhe se duhet të ballafaqohen me shumë gjëra të tmerrshme. “Shteti ynë ka kryer krime monstruoze…, janë shumë gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të ballafaqohemi”, tha Vuçiq, duke përmendur si shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë.
Në anën tjetër, edhe Radomir Markoviqi, ish-kryeshefi i RDB-së, u ka ofruar dëshmi autoriteteve në Serbi se vrasja e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, është kryer nga shërbimet sekrete serbe. Markoviq ka ofruar dëshmi se gjithçka është organizuar nga JSO dhe se sulmin e ka bërë Millorad Ulemeku – “Legija”.
Madje, ish-kryeshefi i RDB-së, Radomir Markoviqi, disa muaj para pranimit publik të rastit “Panda” kishte kërkuar amnisti nga presidenti serb, Tomislav Nikoliq, duke kërcënuar se do ta gjunjëzojë Serbinë nëse i publikon të gjitha krimet ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, si dhe ndaj serbëve e myslimanëve në Bosnjë, krime këto që i ka kryer Serbia me urdhër të Millosheviqit. Pra, dëshmitë zyrtare janë.
Ajo që tashmë është bërë publike edhe në Serbi, ndonëse për pesëmbëdhjetë vjet iu mvesh shqiptarëve, është fakti se aktin terrorist në “Panda”-n e Pejës e ka kryer Sigurimi Shtetëror i Serbisë, në krye me Radomir Markoviqin, nëpërmjet Millorad Ulemekut – “Legija”-s, komandant i JSO-së (Jedinice za Specialne Operacije – Njësia për Operacione Speciale), e cila siç dihet ishte njësi ekzekutive e Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Lidhur me këtë, disa medie në Beograd, duke u thirrur në burime të sigurta dhe në dëshmi faktike shkuan edhe më larg, duke bërë të ditur se “vendimin për një seri të krimeve kundër serbëve dhe shqiptarëve që e kanë mbështetur Serbinë dhe e kanë akuzuar UÇK-në, e ka sjellë Millosheviqi, në nëntor të vitit 1998 dhe Shtabi i tij Strategjik”. Sipas tyre, “atëherë u vendos që me një seri të sulmeve terroriste që do të kryente DB-ja (Sigurimi Shtetëror), pra, “Legjioni i Vdekjes” i Legijas, në sytë e ndërkombëtarëve UÇK-ja do të paraqitej si organizatë terroriste, dhe në të njëjtën kohë do të shkonte në maksimum pasioni antishqiptar në Kosovë dhe në Serbi”.
Ndërkaq, në rastin e dytë, atë të vrasjes së serbëve në Grackë të Lypjanit (të cilin e kam trajtuar gjerësisht në librin “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”), pa u ndalur në detaje, duhet thënë se tashmë që nga viti 2001 është sekret publik se kjo vrasje është përgatitur nga qarqet më të larta të Serbisë dhe është kryer nga njësiti i JSO-së, nën komandën e Legijas, e cila aso kohe aktivitetin e vet e zhvillonte nën ombrellën e të ashtuquajturës “Armata Çlirimtare Serbe e Kosovës dhe Metohisë”. Ndonëse fillet e organizimit të këtij formacionit paramilitar serb në Kosovë datojnë që nga koha e luftës (prill-maj 1999) dhe ndërlidhen drejtpërsëdrejti me emrin e Zoran Angjelkoviqit, njeriut të afërt të Millosheviqit, që ishte njëri prej funksionarëve të lartë të Serbisë para dhe gjatë luftës në Kosovë, njëherësh kryetar i të ashtuquajturit “Këshill Ekzekutiv i Kosovës e Metohisë”, ndërsa, gjatë luftës edhe komandant i “Mbrojtjes Civile” pranë Shtabit të Ushtrisë Jugosllave në Kosovë, mbi të cilin bie një barrë e rëndë për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, megjithatë vrasja e serbëve në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit shënon aksionin e parë të kësaj organizate terroriste tw kryer pas luftws nw Kosovë.
Është tejet domethënëse motoja e kësaj organizate terroriste: “Ubij i beži”! (“Vrit dhe ik”!). Mbase kjo moto më së miri e definon edhe përcaktimin për taktikën që do ta përdorte ky organizim, duke futur në aksione grupe të përgatitura në Kosovë dhe në Serbi, të komanduara nga oficerë me përvojë në luftërat në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, si dhe me direktiva të plota të Sigurimit Shtetëror Serb dhe të Shërbimit të Zbulimit e Kundërzbulimit ushtarak (KOS), si dhe njerëzit e kriminelit Zhelko Razhnjatoviq – Arkan, të cilët ishin instruktorë në bazën e tij në Erdut. Pra, ishin vrasës të stërvitur dhe me “dëshmi”.
Të gjitha dëshmitë tregojnë se vrasja monstruoze e dymbëdhjetë serbëve në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, ishte pjesë e sulmit të “Legija”-s dhe bashkëluftëtarëve të tij. Sulmi ishte i shifruar me emrin “SREB” (“Drapri”). Kjo ishte një prej taktikave të gatuara mirë nga Millorad Ulemeku – “Legija”, një prej njerëzve më të afërt të Millosheviqit. Të tërën e kishte konceptuar kështu: fshatarët serbë të Grackës do të futeshin vërtet në grackë, ndërsa aksioni i quajtur “SREB” (“Drapri”) i kishte dy kuptime: i pari, nënkuptonte ngjarjen në arat që duheshin korrur dhe, i dyti, se duheshin korrur bashkëkombësit e tyre, të cilët më pas do të paraqiteshin si viktima të shqiptarëve. Të gjithë këta u vranë në arën e pakorrur, jo larg autokombajnës. Mirëpo, të gjitha gjurmët tregojnë se ishin vrarë nga afërsia, dhe me gjasë nga persona të njohur.
Ndërsa, e tëra kishte për qëllim që pas krimeve monstruoze, të cilat Serbia dhe serbët i kishin bërë mbi shqiptarët në Kosovë, të fillohej përpunimi i opinionit ndërkombëtar, duke i paraqitur serbët si viktima të shqiptarëve, me qëllim që ta tërheqin vëmendjen e opinionit publik nga krimet e tmerrshme që i kryen forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Fatkeqësisht, një numër i konsiderueshëm i ndërkombëtarëve e “gëlltiti këtë karrem” tw serbwve. Pas kësaj vrasjeje makabër efekti propagandistik ishte i madh, mirëpo, megjithatë analizat e UDB-së dhe të KOS-it dëshmuan se efekti i brendshëm ishte negativ, ngase një numër i serbëve nisën ta ndiejnë veten të pasigurt dhe u shpërngulën në Serbi. Pra, ky akt kriminal kishte efektin domino. Pos fajësimit tw shqiptarwve, u shpërngulën edhe një pjesë e serbëve, por shumë, shumë më pak se sa po deklarojnë zyrtarisht vozhdët çetnikë Nikoliq e Vuçiq, që tash gjenden në krye të institucioneve të Serbisë, por që nuk janë larguar fare nga planprogramet serbomëdha që parashihnin ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë në Kosovë, të cilat i hartuan së bashku gjatë viteve ’90-të të shek. XX, derisa vepronin në kuadër të Partisë Radikale të Sheshelit.
Pra, Gjuriq edhe kësaj radhe me këtë aktivitet ka dashur ta ngatërrojë adresën e krimit.
Është shumë e çuditshme se si pas kaq shumë vrasjesh e masakrash që i kryen forcat serbe në Kosovë, që për t’i humbur gjurmët e krimit mbollën varreza masive me trupa të shqiptarëve të vrarw përgjatë 500 kilometrave deri në Beograd, në Bor, në Rashkë, në Danub, Maçkaticë… dhe sërish paturpësisht vazhdojnw të tentojnë ta tjetërsojnë përgjegjësinë e krimeve! Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe të shohim rastin Dick Marty, që filloi nga një përrallë shesheliane (e vitit 1999), që tash gjashtë vjet na qëndron padrejtësisht mbi krye. Në anën tjetër askush nuk është përgjigjur për Masakrën e Mejes e të Korenicës, kur brenda një dite u ekzekutuan nga afërsia 377 civilë shqiptarë, askush nuk është përgjigjur për masakrën në Burgun e Dubravës, askush nuk është përgjigjur për Qirezin e Likoshanin, për Abrinë, Lybeniqin, Rezallën, Izbicën, Krushën, Gjakovën, për Kosovën… Sikur vetëm një masakër të tillë ta kishim kryer ne shqiptarët, jam e sigurt se tashmë si shtet e si komb do të ishim përgjigjur për krime e gjenocid, por kjo nuk po ndodhë me Serbinë. Fatkeqësisht, drejtësia po vazhdon të ndahet me kute të ndryshme. Përderisa, Serbia shkon aq larg sa që i përfshinë në përmendore, i paraqet si të vrarë nga shqiptarët gjatë e pas luftës edhe serbë që kanë pasur vdekje të natyrshme gjatë viteve ’80 – ’90-të, i paraqet si të zhdukur edhe ata që nga frika e ndjekjes për krime lufte kanë ndërruar identitet, i paraqet si të zhdukur në përfundim të luftës edhe ata serbë që u vranë në frontet e luftës derisa ishin të mobilizuar në radhët e forcave serbe, por që as gjatë luftës as pas luftës nuk ua ka treguar të vërtetën të afërmve të tyre, shtrohet pyetja: çfarë kemi bërë ne, a e kemi bërë atë që është dashur dhe e kemi pasur obligim për ta argumentuar atë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë? Fatkeqësisht, JO!
Nuk mund të ketë tribunal mbi tribunal
JO themelim të “tribunalit” në formatin e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare/
Nga Fetnete Ramosaj/
Paralajmërimi dhe presionet e shtuara të ditëve të fundit për themelimin e të ashtuquajturit tribunal ndërkombëtar për krimet e pretenduara të UÇK-së, është gjëja më e lehtë që mund të bëjë Bashkësia Europiane në Kosovë, ndonëse vlerësoj se është një veprim i njëanshëm, i padrejtë, paragjykues, e mbi të gjitha një veprim jo juridik, por skajshmërisht politik. Një “tribunal” i tillë në këtë format në të cilin bashkësia ndërkombëtare po tenton ta jetësojë natyrisht pas presioneve disavjeçare të Serbisë, është i paarsyeshëm dhe i papranueshëm. Se Europa është e interesuar për zgjidhje të lehta dhe të shpejta, edhe pse tepër të padrejta në raport me shqiptarët, kjo nuk është hera e parë për ne që e provojmë në kurriz.Vëllezërve shqiptaro-amerikanë Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë edhe për së vdekuri është për t’ua pasur lakmi për interesimin dhe këmbënguljen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndriçimin e vrasjes së qytetarëve të vet. Mbase po të mos ishte ky rast, vështirë se do të zbuloheshin varrezat masive me trupa të shqiptarëve në afërsi të Beogradit (Zemun-Batajnicë e Petrovo Sello), aq mirë të maskuara nën asfaltin e vendqëndrimeve të njësiteve elite të policisë e të ushtrisë serbe, që siç u shpreh këto ditë vozhdi i ri çetnik Aleksandar Vuçiq, i kishin “paluar si sardele”! Ndonëse në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, e më pas në fshehjen e kufomave të tyre, sikurse edhe në rastet e mijëra shqiptarëve të tjerë, faktet e pakontestueshme dëshmojnë se janë të implikuara instancat më të larta të shtetit serb, i gjithë zinxhiri komandues i policisë dhe i ushtrisë serbe, ka më shumë se një dekadë që as rasti i vëllezërve Bytyqi nuk ka marrë drejtësi, sepse Serbia vazhdon t’i mbrojë me fanatizëm kriminelët e luftës. Tek e fundit ata kanë vepruar nën platformën serbomadhe, e përgatitur nga strukturat më të larta akademike, kishtare e politike serbe, që kanë pushtet absolut edhe sot e kësaj dite në Serbi, të përforcuar edhe më shumë me fitoren e paradoditshme të vozhdëve çetnikë.
Varrezat masive me trupa të shqiptarëve të zbuluara në afërsi të Beogradit që nga viti 2001 e këndej (në Batajnicë e Petrovo Sello), varreza e fundit masive në Rudnicë të Rashkës, të cilën përkundër fakteve të pakontestuesme e mohoi dhe e zvarriti aq gjatë Serbia; autofrigoriferët me kufoma të shqiptarëve në Danub dhe në Liqenin Peruçac; dëshmitë për djegien e kufomave të shqiptarëve në fabrikën e Maçkaticës e të Surdulicës (në afërsi të Vranjës); pastaj në shkritoret e Trepçës e në furrnaltat e Obiliqit në Kosovë dhe në një varg krematoriumesh të tjera, janë vetëm disa nga treguesit për rastet e shumta të përpjekjeve për fshehjen e organizuar të krimeve dhe gjenocidit që bënë forcat serbe në Kosovë. Rastet e tilla edhe sot e kësaj dite në Serbi konsiderohen “sekret shtetëror”, madje moszbulimi dhe mosgjurmimi i tyre në territorin e Serbisë në vitet paraprake ishte urdhëruar edhe me dekrete presidentësh. Gjithashtu, vite më parë nga përtej Atlantikut, janë ofruar dëshmi rrëqethëse lidhur me eksperimentimet e bëra me robërit shqiptarë të luftës në vend të minjve në laboratoret nëntokësore të VMA-së (Akademisë Ushtarake Mjekësore) dhe në Institutin për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd, por askush nuk është marrë me këtë çështje. Për këtë, vite më parë opinionit publik i kemi ofruar edhe një dëshmitar të gjallë, ish-pjesëtar i UÇK-së, rob i luftës, që i ishte nënshtruar trajtimit për marrjen me dhunë të veshkës në VMA, derisa mbahej në burgun qendror (CZ) në Beograd.
Dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje ajo ka shkuar edhe më larg, me të gjitha mjetet është përpjekur të shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin serb në Kosovë. Shumë prova u fshehën dhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga UNMIK-u, kanë deklaruar njohës të mirë të rrethana brenda këtij misioni. Nga dikur viktima, propaganda serbe dhe ajo e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t’i shohë shqiptarët si viktimizues e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë askush nuk kërkoi as nuk dha llogari deri më sot.
Me të gjitha proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me krimet e luftës, që janë zhvilluar në Kosovë, është marrë ekskluzivisht bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u e më pas EULEX-i, të cilat deri më tani rezultojnë të jenë tepër të njëanshme. Raporti i të gjykuarve dhe i të dënuarve për krime lufte në Kosovë është 5 : 1. Pra, pesëfish më shumë janë gjykuar e dënuar shqiptarë, edhe pse në asnjë rast nuk kanë mundur t’i argumentojnë akuzat kundër tyre. Përmasat e tilla të gjykimeve, kanë ndodhur falë përfaqësuesve të “drejtësisë” ndërkombëtare, të tipit të kryeprokurorit shumëvjeçar të EULEX-it, Mauricio Salustro, i shquar për zellin e tij në proceset e shumta gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, i cili pas përfundimit të mandatit në Kosovë, gjeti punë të re (mbase jo, mund të jetë edhe më e hershme se detyra zyrtare që kishte në Kosovë) dhe atë ku tjetër pos në Beograd, në cilësinë e këshilltarit kryesor të zëvendësprokurorit për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekariq, ku thuhet se nuk ka shkuar duarthatë, por ka marrë me vete të gjitha dosjet e krimeve të rënda, që i kishte në duar gjatë punës së tij të dyshimtë në Kosovë!
Është e udhës të përkujtojmë se ka raste të shumta kur të akuzuarit shqiptarë janë mbajtur padrejtësisht me vite të tëra në burgje e pastaj janë liruar të pafajshëm, ka raste kur deri në një dekadë janë mbajtur në burgje pa aktgjykim të plotfuqishëm, por drejtësia ndërkombëtare nuk ka qarë kokën për këtë, sepse të akuzuarit ishin dhe janë ish-pjesëtarë të UÇK-së, dhe si të tillë janë kategoria e shtetasve të Republikës së Kosovës që në Kosovën e pasluftës janë viktimizuar më së shumti, janë kategoria që i janë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëhen më së shumti padrejtësi, janë kategoria që është tentuar të njolloset e të poshtërohet më së shumti. Dhjetëra ish-luftëtarë të lirisë janë vrarë në Kosovën e pasluftës, por asnjë vrasje e tyre nuk është zbardhur deri më sot; dhjetëra të tjerë janë gjykuar e dënuar në procese të montuara politike; dhjetëra të tjerë të gjendur buzë ekzistencës i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë; qindra të tjerë edhe pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës nuk i kanë as kushtet elementare për jetë, as për trajtim mjekësor, as një vend pune, as një kulm mbi kokë. U deshën të kalojnë 15 vite pas përfundimit të luftës që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin për veteranët e luftës!
Nuk është asgjë e re as e panjohur se Serbia çdo krim që e ka kryer në Kosovë është përkujdesur t’ia adreson UÇK-së, ndërkaq në raste të tjera është përkujdesur të trumbetojë se krimi apo krimet të jenë bërë gjithsesi për shkak të saj (UÇK-së). Në kohën kur për çdo ditë vazhdojnë të zbulohen varreza masive me eshtra të shqiptarëve, të zhvarrosur e të rivarrosur shumë herë, propaganda serbe, për t’i fshehur gjurmët e krimit, tenton të krijojë paralelizma të tillë te shqiptarët. Në mungesën faktike të varrezave masive të serbëve ajo tenton të gjejë individë, të cilët do të akuzoheshin për krime lufte. Në këtë funksion është edhe përralla serbe (e huazuar nga ndërkombëtarët) për “trafikim organesh”.
Është e çuditshme se si përralla e vozhdit çetnik Vojisllav Sheshel, për kinse “trafikim organesh” të serbëve nga ana e UÇK-së, e lansuar në vitin 1999, e përpunuar më pas nga e ashtuquajtura prokurori dhe gjykatë speciale e Serbisë për krime të luftës me seli në Beograd, si e tillë përfundoi në librin tendencioz të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte (e cila përkundër kësaj, disa muaj më parë siç raportonte agjencia “Presheva Jonë”, medieve ndërkombëtare në Cyrih të Zvicrës iu deklaroi se hetimet për “trafikun e organeve” në Kosovë do të dështojnë) e më pas në raportin e senatorit zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty, i njohur për përcaktimet e tij proserbe, të marrë përmasa të tilla. Aq më tepër kur dihet se nuk ka asnjë gjasë reale, as teorike as praktike që UÇK-ja gjatë luftës të jetë marrë me “trafikim organesh” të serbëve. Në anën tjetër dhjetëra luftëtarë të UÇK-së të plagosur kanë ndërruar jetë në mungesë të ofrimit të ndihmës përkatëse mjekësore e qindra të tjerë kanë rënë dëshmorë gjatë tentimit për dërgimin e të plagosurve për shërim në Shqipëri.
Kur trajtojmë çështjen e “tribunalit” të parajamëruar, duhet shtruar disa pyetje të cilat kërkojnë përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare:
– Së pari, a kanë kërkuar ndonjëherë zyrtarisht nga Serbia që të sqarojë veprimtarinë e Sigurimit Shtetëror serb në raport me Kosovën, sidomos pas zbardhjes së fakteve për ekzistencën e Drejtorisë së Gjashtë (Drejtorisë për Vrasje) të RDB-së, në krye me Ratko Romiqin, që veç tjerash, kishte në dispozicion njësinë famëkeqe JSO (apo “Beretat e Kuqe”) kur dihet se përmasat e aktiviteteve kriminale të saj kanë përfshirë jo vetëm periudhën e luftës por edhe atë të pasluftës, duke pasur në fokus edhe zhdukjen e dëshmive e të dëshmitarëve të mundshëm që do të dëshmonin për krimet serbe, kur dihet se vrasjet e kryera nga kjo strukturë (anëtarët e të cilës edhe sot kanë pozita vendimmarrëse në institucionet më të larta në Serbi) kanë përfshirë vrasje jo vetëm në nivel në Serbisë e të Kosovës por edhe në nivel ndërkombëtar, siç ishte rasti i vrasjes së gazetares së BBC-së Jill Dando, ministres së Punëve të Jashtme të Suedisë, Ana Lind, etj.? A është kërkuar ndonjëherë të dihet se cilat janë përmasat e impikimit të kësaj strukture në vrasjet e shumëanshme të pasluftës në Kosovë?
– Së dyti, si ndodhi që më 12 shkurt 2010, fare pa zhurmë mediale, një gjyqtar i EULEX-it përkundër fakteve të shumta në seancën kur aktakuza duhej të merrte formën e prerë, t’i lirojë nga akuza oficerët e shërbimit sekret serb BIA (Igor Juçinac, Millutin Radanoviq e Predrag Zhelkoviq) të cilët në qershor të vitit 2009, në Çagllavicë, ishin kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës derisa ishin në gjah për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç dihet, këta pjesëtarë të BIA-s serbe u akuzuan të kenë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të bërë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën prej 100 deri në 300 mijë euro për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb – BIA, deklaruan se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguan shteti!!! Në “dëshmi” të tilla thirret Dick Marty në raportin e tij.
– Së treti, si ndodhi që të kalojë në heshtje rasti skandaloz i publikuar në verën e vitit të kaluar në gazetën “Zëri” të datës 2 gusht 2013, me titull: “Komploti i Serbisë me veshka”, ku ofrohen fakte të tmerrshme mbi komplotin e shërbimeve sekrete të Serbisë për materializimin e procesit famoz “të trafikimit të organeve”. Faktet që i ofron gazeta janë të tmerrshme. Sipas gazetës, një vit e gjysmë më herët (pra, në fillim të vitit 2012), ishte planifikuar që mbetjet mortore serbe të sillen në mënyrë ilegale në Kosovë dhe të varrosen skaj kufirit me Serbinë. Këto mbetje do të vendoseshin në zonat ku hetuesit e Tribunalit të Hagës do të nisnin gjurmimet për hetimet rreth trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Shërbimet serbe kishin gjetur grupin e trafikantëve kosovarëve (një pjesë e të cilëve ishin arrestuar nga Policia e Kosovës më 23 korrik 2013 në qytete të ndryshme të Kosovës) për ta realizuar këtë plan të Serbisë që të sjellin “dëshmi” se në Kosovë është bërë trafikim i organeve. Për transportimin ilegal të një mbetjeje mortore shërbimi serb do të paguante 20 mijë euro. Bartja e tyre ishte planifikuar që të bëhet me veturat e ndihmës së shpejtë të spitalit rajonal të veriut të Mitrovicës, për të mos u dyshuar gjatë kontrollit kufitar nga policia dhe doganierët. Grupi i trafikantëve kosovarë ishin kontaktuar nga shërbimi serb, për të realizuar planin që përfundimisht 14 vjet pas përfundimit të luftës do të “gjendeshin dëshmi se gjatë luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka bërë trafikim me organe të civilëve serbë”. Serbët kishin ofruar para të majme për grupin e kosovarëve në këmbim të kontributit që ata do të jepnin me sjelljen e mbetjeve mortore serbe. Për më tepër, trafikantët nga Kosova kishin premtuar dëshmi shtesë se në Kosovë ka pasur trafikim organesh. “Gjatë bisedave të tyre, grupi nga Kosova i ka premtuar shërbimit serb se do të gjejnë edhe dëshmitarë të cilët pa problem do të dëshmonin rrejshëm nëse do të paguheshin mirë”, shkruante “Zëri”, duke iu referuar burimeve nga hetuesia vendore. Por jo vetëm shërbimet serbe kanë pasur interes për grupin e trafikantëve nga Kosova, shkruante gazeta, këta të fundit janë marrë vesh me shërbimin serb që t’i ndihmojnë gjatë transportimit ilegal të kosovarëve refugjatë që përmes territorit serb kanë dalë në Europë.
Për çdo ditë e më shumë po zbulohen fakte të reja që zbardhin përmasat e krimeve dhe gjenocidit që kanë kryer forcat okupuese, me theks të veçantë forcat e rregullta ushtarako-policore serbe në Kosovë, si masakrën e Rezallës, të Izbicës, të Terrnjes, të Abrisë, të Kralanit, të Lybeniqit, të Qyshkut, të Mejës, të Krushës së Madhe, të Krushës së Vogël, të Lugishtës së Hasit, Godenit, etj., të cilat, bazuar në dokumentet e publikuara ushtarake serbe i kanë drejtuar edhe gjeneralë që sot gjenden në krye të armatës së Serbisë; janë ofruar fakte se serbët kanë shkuar aq larg sa që me kafka të shqiptarëve të vrarë të bëjnë edhe llampa ndriçuese për tavolina; zyrtarë të lartë serbë pranojnë se Serbia ka shkuar aq larg sa për të arritur qëllimet serbomëdha të vrasë edhe fëmijët dhe të rinjtë serbë (kujto rastin e kafiterisë “Panda” në Pejë), por që nga e njëjta linjë kanë filluar edhe vrasjet e qytetarëve serbë në Kosovën e pasluftës (kujto rastin e vrasjes në masë në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999); vet qytetarët serbë ofrojnë dëshmi për vrasjet e familjarëve të tyre nga forcat serbe të cilat më pas ia kanë vënë në barrë UÇK-së, vetëm pse u kanë ndihmuar fqinjëve të tyre shqiptarë por edhe kanë ditur shumë për krimet e bashkëkombësve të tyre serbë; në të gjitha proceset gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë, e ashtuquajtura Gjykatë Speciale për krime të luftës e Serbisë, ka kryer vetëm procese formale gjyqësore ndaj individëve që nuk kishin përgjegjësi komanduese në formacionet e rregullta ushtarako-policore, duke tentuar ta shfajësojë shtetin serb nga përgjegjësia për gjenocidin dhe krimet e luftës në Kosovë, kur sipas dëshmive të bëra publike kohëve të fundit, vet prokuroria e kësaj gjykate speciale në vend që t’i mbrojë, i ka përndjekur, i ka persekutuar, i ka shantazhuar e madje edhe i ka vrarë dëshmitarët serbë, që kanë dëshmuar pranë kësaj prokurorie për krimet e luftës. Janë tepër qesharake dënimet që i ka shqiptuar kjo gjykatë për krimet që i kryen forcat serbe në Kosovë, qoftë për masakrën mbi familjen Berisha të Suharekës, qoftë për masakrën e Qyshkut, të Pavlanit e Zahaqit, etj.; me ç’rast të akuzuarit serbë nuk u dënuan as me nga një vit burgim për një banor të vrarë të këtë rajon. Megjithatë, askush deri më tani nuk e ka ngritur çështjen që këto raste të krimeve të luftës është dashur dhe duhet të trajtohen në vendin ku janë kryer krimet, pra në Kosovë, apo në ndonjë vend të tretë.
Të kthehemi sërish te “tribunali” i paralajmëruar për shqiptarët. Tashmë është banalizuar shprehja që po e dëgjojmë edhe këto ditë se “tribunali” nuk është i drejtuar kundër UÇK-së, kundër shqiptarëve, por kundër individëve! Të gjitha faktet e pasluftës flasin për të kundërtën. Është joparimore, joetike dhe jonjerëzore që të ketë kute të ndryshme për ndarjen e drejtësisë. Në njërën anë të bëhen përpjekje për mohimin dhe minimizimin e skajshëm të krimeve që i kryen forcat pushtuese serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës e në anën tjetër, një rast sekektiv, faktikisht një rast joekzistencial i palës shqiptare që bëri luftë mbrojtëse duke respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare, të ngritet artificialisht për trajtim në nivel ndërkombëtar.
Të gjitha kushtet dhe parakushtet për gjykime të krimeve të luftës në Kosovë të çfarëdo niveli qofshin janë të favorshme. Meqenëse EULEX-i, që siç duket edhe pas muajit qershor, nuk do të zhveshet nga kompetencat ekzekutive, si një mekanizëm ndërkombëtar që iu referon njëkohësisht edhe BE-së edhe OKB-së vazhdon ta ketë ekskluzivitetin mbi rastet e krimeve të luftës, shtrohet pyetja për çfarëdo rasti që të jetë fjala ç’nevojë ka që të formohet tribunal ndërkombëtar me seli në tri shtete, apo vetëm për t’ia bërë qejfin Bruno Vekariqit e Serbisë? Është e paarsyeshme dhe e papranueshme ngritja e një tribunali vetëm për UÇK-në. Bazuar në faktet reale, nëse ka drejtësi, asnjë ish-luftëtar i UÇK-së nuk ka pse t’i frikësohet asnjë gjykate, asnjë tribunali, sepse UÇK-ja, ju ka përmbajtur të gjitha konventave ndërkombëtare. Me amnisti për krimet serbe të luftës e të pasluftës (madje edhe me miratime ligjesh të veçanta) e me organizim të gjykimeve për raste të fabrikuara kundër shqiptarëve, shtrohet pyetja kah tenton të shkojë bashkësia ndërkombëtare? Nuk mund të ketë tribunal mbi tribunal, dhe atë vetëm për shqiptarët, si të vetmit në rajon, edhe pse krimet e pretenduara që i vëhen në barrë UÇK-së qoftë në përmbajtje, qoftë në numër janë të papërfillshme në raport me agresorin serb që u amnistua nga përgjegjësiapër gjenocidin e kryer në Kosovë, dhe nuk ka asnjë dëshmi faktike që do të dëshmonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime kundër civilëve serbë. Tribunali i Hagës e ka dhënë verdiktin për serbët, për shqiptarët e të tjerët. Po ashtu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë verdiktin e saj. Nëse duhet themeluar gjykatë le të jetë ajo gjykatë që do të vepronte në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe do të trajtonte të gjitha rastet e krimeve të luftës pa dallim, gjithsesi me seli në Kosovë e jo diku tjetër, sepse janë qindra-mijëra raste të krimeve të luftës që kërkojnë drejtësi, por jo trajtim paragjykues e selektiv në baza etnike, por që përgjithësisht kërkojnë trajtim objektiv, kërkojnë drejtësi e jo padrejtësi të reja, madje edhe me lënie në harresë. Është e padrejtë dhe jonjerëzore që për çfarëdo qëllimi apo arsyeje të tentohet të barazohet xhelati me viktimën, apo të amnistohet xhelati e të fajësohet viktima, siç po ndodh në rastin konkret.
15 vjet pas krimit makabër në kafenenë “Panda”
Serbia nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje e fabrikime në llogari të shqiptarëve…/
Nga Fetnete Ramosaj/
Pesëmbëdhjetë vjet pas kryerjes së krimit makabër në kafenenë “Panda” në Pejë, ku më 14 dhjetor 1998, u ekzekutuan gjashtë të rinj serbë, tre prej tyre të mitur, zyrtarët e lartë të Serbisë filluan ta pranojnë publikisht autorësinë e këtij krimi, ndonëse atëbotë me automatizëm ia mveshën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse kjo e fundit gjatë gjithë kohës kategorikisht e mohoi përfshirjen në një akt të tillë terrorist. Dihet se këso kohe qyteti i Pejës kontrollohej dhe terrorizohej nga forca të shumta pushtuese serbe si: nga policia, ushtria dhe njësitet speciale: JSO (Njësitet për Operacione Speciale), OPG (Operativna Grupa / Grupet Operative), PJP (Posebne Jedinice Policije/Njësitë Speciale të Policisë), etj.
Ditë më parë “Kutinë e Pandorës” lidhur me aktin terrorist në “Panda”-n e Pejës e hapi publikisht para medieve serbe, ai që sot konsiderohet njeriu më i fuqishëm në Serbi, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojisllav Sheshelit, që në kohën e Millosheviqit ishte ministër i Informatave, i njohur për qëndrimet e tij ekstreme gjatë luftës në Kosovë, por edhe para saj), mbase për kusuritje politike me kryeministrin aktual të Serbisë, ish-zëdhënësin e luftës të Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq.
Vuçiq iu drejtua opinionit serb, duke ia bërë të ditur se Serbia ka kryer krime monstruoze dhe se duhet të ballafaqohen me shumë gjëra të tmerrshme. “Shteti ynë ka kryer krime monstruoze. I ka vrarë kundërshtarët politikë dhe të gjithë ata që nuk mendonin njëjtë me shtetin”, ka thënë Vuçiq, për të vazhduar se “janë shumë gjëra të tmerrshme me të cilat duhet të ballafaqohemi”, duke përmendur si shembull vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda”, për të cilin tha se “nuk ka dëshmi se vrasjen e kryen shqiptarët, ashtu siç besohej”.
Ndërkaq, kreu i Lëvizjes së Ripërsëritjes Serbe (SPO), Vuk Drashkoviqi, e plotëson edhe më tutje mozaikun e këtij rasti, kur medieve serbe lidhur me këtë rast u deklaroi se Sigurimi Shtetëror i Serbisë (DB), në krye me Radomir Markoviqin, nëpërmjet “paramilitarit” Millorad Ulemekut – “Legija”-s, e ka kryer masakrën në kafenenë “Panda”. Sipas tij, krimi është kryer, me urdhrin e presidentit të atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq.
Për ata që nuk e dinë, veç tjerash, Millorad Ulemeku – Legija (i akuzuar dhe i dënuar edhe për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq dhe krime të tjera të pasluftës), gjatë luftës në Kosovë, nuk ishte thjesht një “paramilitar”, siç e cilëson Drashkoviqi, por ishte komandanti i të ashtuquajturës Njësia për Operacione Speciale – JSO (Jedinice za Specialne Operacije), e cila ishte njësi ekzekutive e RBD-së (Resorit të Sigurimit Shtetëror serb).
Është me interes pohimi i Drashkoviqit (në gazetën “Kurir”) kur thotë se “vendimin për një seri të krimeve kundër serbëve dhe shqiptarëve që e kanë mbështetur Serbinë dhe e kanë akuzuar UÇK-në, e ka sjellë Millosheviqi, në nëntor të vitit 1998 dhe shtabi i tij strategjik”. (Ky pohim i vërteton ato që i kam shkruar në publikimet e mëhershme, ndonëse bazuar në fakte, gjatë periudhës në fjalë (që nga fillimi i dhjetorit 1998 deri në mars të vitit 1999), në serinë e vrasjeve “enigmatike” nga njësitet operative të sigurimit sekret serb nuk janë vrarë vetëm shqiptarët që e kanë mbështetur Serbinë, por janë vrarë madje edhe shqiptarë – atdhetarë të njohur, që një jetë u dergjën burgjeve e që punuan për çlirim e Kosovës, të cilët Beogradi zyrtar, pas vrasjes, nuk ngurroi t’i etiketojë si “qytetarë lojalë” të Serbisë, duke i vrarë për së dyti! Raste të tilla ka mjaft!).
Sipas Drashkoviqit, “atëherë u vendos që me një seri të sulmeve terroriste që do të kryente DB-ja, pra legjioni i vdekjes i Legijas, në sytë e ndërkombëtarëve UÇK-ja do të paraqitej si organizatë terroriste, dhe në të njëjtën kohë të shkojë në maksimum pasioni antishqiptar në Kosovë dhe në Serbi”. “Të gjitha këto veprime janë kryer nga i ashtuquajturi “Grupi Operativ i Përndjekjeve”, i formuar në atë kohë, që i kishte 18 njerëz në përbërje, të cilët ishin trajnuar nga Legija për aktivitete terroriste në Kosovë, përfshirë edhe krimin monstruoz në “Panda”, nënvizoi Drashkoviqi, i cili edhe vet personalisht në disa raste ishte objektiv i tentim-vrasjeve nga ana e të njëjtit njësit.
Sipas informatave të Drashkoviqit, derisa ish-kryeshefi i RDB-së, Radomir Markoviq, para disa muajsh ka kërkuar amnisti nga presidenti serb, Tomisllav Nikoliq, ai ka kërcënuar që do ta gjunjëzojë Serbinë nëse i publikon të gjitha krimet ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, si dhe ndaj serbëve e myslimanëve në Bosnjë, krime këto që i ka kryer Serbia me urdhër të Millosheviqit.
Lidhur me këtë, gazeta “Kurir” e Beogradit (e njohur për qëndrimet e saj antishqiptare), duke iu referuar burimeve të afërta me Qeverinë e Serbisë, shkruan se autoriteteve serbe u janë ofruar dëshmi se vdekja e gjashtë të rinjve serbë në lokalin “Panda” në Pejë, më 1998, është kryer nga shërbimet sekrete serbe, pra nga shteti serb. Sipas gazetës, Radomir Markoviqi, ish-kreu i DB-së, u ka ofruar dëshmi autoriteteve se sulmin e ka bërë Millorad Ulemeku – Legija. Markoviqi ka dëshmi për këtë, shkruan gazeta, derisa gjithçka është organizuar nga JSO. Qëllimi ishte që në sytë e ndërkombëtarëve UÇK të dilte si organizatë terroriste dhe të arsyetojnë sulmet në Kosovë. Nga ana tjetër, Ulemeku është i gatshëm të dëshmojë për përgjegjësinë direkte të Radomir Markoviqit në këtë krim. Ulemeku ka zbuluar se urdhri është dhënë nga strukturat serbe të sigurisë, pra se për vrasjen në Pejë urdhri ka ardhur nga kreu i DB-së, post të cilin e kishte Radomir Markoviqi, shkruan “Kurir”.
Se krimi monstruoz kundër të rinjve serbë në Pejë, është kryer nga forcat serbe, për mua personalisht, por edhe për të tjerët që e kanë studiuar sadopak veprimtarinë dhe elaboratet serbomëdha të hartuara qysh para 160-vjetësh e këndej, kjo nuk ka pasur asnjë dyshim, gjë që e kam nënvizuar edhe në publikimet e mëhershme. Kur ka ndodhur rasti kemi qenë të bindur se është vepër e sigurimit sekret serb dhe e “Dorës së Zezë” (sipas “Crna Rukës” famëkeqe), siç i referoheshin shqiptarët njësisë që këso kohe kishte filluar të bënte ekzekutime enigmatike në mbarë Kosovën, me theks të veçantë në rajonin e Pejës, të Istogut, të Mitrovicës, etj. Për krimet e tilla të Serbisë, kanë dëshmuar edhe dëshmitarë të koduar, ish-bashkëpunëtorë të ngushtë të Millosheviqit, në gjyqin kundër këtij të fundit në Tribunalin e Hagës, të cilët kanë ofruar fakte të pakontestueshme se Serbia për të përfituar politikisht nuk i ka kursyer qytetarët serbë, madje duke kryer akte terroriste ndaj tyre, për të pasur pretekst për ndërmarrjen e fushatave të spastrimit etnik kundër “terroristëve shqiptarë”. Por ajo që është me rëndësi në këtë rast, adresimi për planifikuesit, urdhërdhënësit dhe kryesit e krimit është më i qartë, pikërisht në ajsbergun e politikës shtetërore të Serbisë: urdhrin e Sllobodan Millosheviqit dhe të shtabit të tij strategjik, e zbatoi ish-kryeshefi i Sigurimit Shtetëror serb, Radomir Markoviq, nëpërmjet komandantit të Njësisë Ekzekutive të RDB-së (JSO), Millorad Ulemeku – Legija. Me këtë linjë komanduese dhe ekzekutuese, ndërlidhen edhe krime të tjera, vrasje e masakra të shumta kundër shqiptarëve, zhdukja dhe zhvendosja e trupave të shqiptarëve të vrarë në drejtim të Serbisë, por është interesant se me Legijan e Markoviqin dhe me qarqet më të larta shtetërore të Serbisë ndërlidhet edhe njëri ndër aktet më të rënda terroriste të pasluftës në Kosovë – vrasja e dymbëdhjetë banorëve serbë në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999, e cila po ashtu iu mvesh shqiptarëve.
Të kthehemi edhe një herë te masakra e 14 dhjetorit në kafenenë “Panda” dhe zhvillimet që ndodhën pas saj. Së pari, akti terrorist në “Panda” u krye vetëm 12 orë pas vrasjes së komandantit Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij në pritën e ushtrisë serbe në Gorozhub të Hasit, ku u zunë rob edhe nëntë pjesëtarë të UÇK-së (të cilët një muaj më vonë u shkëmbyen me ushtarët serbë të zënë robër në Zonën Operative të Shalës) dhe sulmi në Pejë u krye për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe të diplomacisë ndërkombëtare nga krimet e ushtrisë serbe në Gorozhub, ku një pjesë e madhe e të vrarëve ishin ekzekutuar e masakruar nga afërsia pasi ishin zënë rob; Së dyti, njëkohësisht me këtë akt, filloi një ofensivë e ashpër diplomatike e Serbisë në arenën ndërkombëtare për ta shpallur me çdo kusht njëherë e përgjithmonë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste; Së treti, vrasjen në Pejë, Serbia e bëri dhe e përdori me qëllim që të thellojë urrejtjen kundër shqiptarëve, gjë që e dëshmojnë edhe grevat e demonstratat masive të serbëve që pasuan pas aktit; Së katërti, e bënë për të arsyetuar praninë e shtuar të forcave ushtarako-policore serbe, kinse për t’u mbrojtur nga shqiptarët dhe për të arsyetuar fushatën e keqtrajtimeve e arrestimeve në masë, rikthimin e forcave ushtarako-policore në terren dhe ndërmarrjen e ofensivave të reja kundër njësiteve të UÇK-së në Dukagjin, në Drenicë, në Llap, në Nerodime, etj.
Vrasjen e të rinjve serbë në kafenenë “Panda”, Serbia e shfrytëzoi për ashpërsimin e fushatës terrorizuese kundër shqiptarëve. Në ditët në vijim pasuan masakrat e tmerrshme si në Raçak të Shtimes, në Rakovinë të Gjakovës, në Rogovë të Hasit, etj. Pikërisht më 17 dhjetor, filloi fushata terrorizuese kundër banorëve të Pejës, veçanërisht kundër atyre të lagjes “Kapeshnica”, me ç’rast u arrestuan mbi 150 qytetarë shqiptarë. Të njëjtën ditë forcat ushtarako-policore serbe e ndërmorën edhe ofensivën e parë frontale, që pas vendosjes së vëzhguesve të OSBE-së në Kosovë, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.
Që nga 17 dhjetori, për një muaj radhazi, deri më 18 janar 1999, forcat serbe përdorën gjithë makinerinë e rëndë në ofensivën kundër pozicioneve të UÇK-së në Gllogjan të Deçanit për të vazhduar në pozicionet luftarake në Ratish e Dashinoc, në një vijë frontale prej më se tetë kilometrash të gjatë, ku me gjithë epërsinë në teknikë lufte dhe në numër forcash (merrnin pjesë edhe njësitet ushtarake të Armatës së Tretë të Serbisë, të ardhura nga Nishi), njësitet e UÇK-së korrën fitore bindëse dhe i detyruan forcat serbe të tërhiqen me turp, veç tjerash, duke u mbetur në vendluftime disa tanke e blinda të shkatërruara, dy blinda në gjendje të rregullt, etj.
Është fakt i pamohueshëm se serbët kanë marrë pjesë masivisht në luftën e Kosovës dhe në tri luftërat tjera të përgjakshme që i shkaktuan në territorin e ish-Jugosllavisë në dekadën e fundit të shekullit XX. Këtë masivitet, përveç numrit të të vrarëve në operacionet luftarake në Kosovë e gjetiu, e dëshmon edhe numri tepër i madh i veteranëve serbë të luftës. Numri i tyre sillet prej 500 mijë (sipas Ministrisë serbe të Mbrojtjes), deri në 800 mijë sish (sipas organizatave të veteranëve serbë të luftës)!
Pranimi publik i autorësisë së aktit terrorist në “Panda”-n e Pejës, është një hap përpara në adresimin e drejtë të kryesve të krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Është në shërbim të faktit se Serbia nuk mundet ta mashtrojë përgjithmonë opinionin serb me shpifje e fabrikime në llogari të shqiptarëve. Familjarëve të të vrarëve serbë, Serbia duhet t’ua thotë të vërtetën për rrethanat, kohën dhe numrin e pjesëtarëve të forcave serbe të vrarë në frontet e luftës në Kosovë, pasi që deri më tani, asnjëherë para opinionit serb nuk e ka bërë publike të vërtetën për humbjet reale, për dëmet në njerëz, që i pësoi gjatë luftimeve në Kosovë. Në anën tjetër, Serbia deri më tani asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar.
Shteti serb me çdo kusht është përpjekur të fshehë gjurmët e krimeve, gjurmët e varrezave masive, siç është edhe rasti i fundit me varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, zbardhjen e të cilës Serbia e pengoi për vite të tëra me dekrete presidentësh, ndërkaq kur u konfirmua ekzistimi i saj, pa kurrfarë shkaqesh po e zvarritin nxjerrjen e eshtrave të qindra shqiptarëve.
“Serbia mund të vazhdojë të gënjejë dhe të mohojë gjenocidin, por kjo nuk është mirë, sepse i gjithë rajoni është paralizuar për shkak të këtij mohimi”, do të shprehej vite më parë Janja Bec Neumann, ish-kandidatja për çmimin Nobel, dhe një ndër zërat e rrallë në Serbi që i ftonte bashkëkombësit e saj për pranimin e gjenocidit.
Në vazhdën e këtyre ndriçimeve të krimeve të kryera nga shteti serb, duhet kërkuar edhe ndriçimin e veprimtarisë së të ashtuquajturës “Drejtoria e Gjashtë” apo “Drejtoria e Vrasjeve” e Sigurimit Shtetëror Serb, e themeluar ekskluzivisht “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”, në të cilën janë këmbëkryq edhe dy akterët e lartë serbë, të akuzuar për rastin “Panda”, për vrasjen e gazetarit serb Sllavko Çuruvija, vrasjen e gazetares së BBC-së, Jill Dando, pastaj vrasjen në Grackë të Vjetër të Lypjanit e dhjetëra vrasje të tjera, të kryera brenda e jashtë Serbisë. Veçanërisht duhet të insistohet në ndriçimin e veprimtarisë së kësaj drejtorie në raport me Kosovën dhe me vrasjet politike që kanë ndodhur këtu, kur dihet se që nga viti 1999 deri në vitin 2003, Millorad Ulemeku me njësitin e tij ekzekutiv të RDB-së, ishte i vetmi që nuk i kishte shkëputur lidhjet me Kosovën.