• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ABAZ BEJ LUSHNJA – FIGURE E NDRITUR, LENE NE ERRESIRE…

October 17, 2015 by dgreca

Nga ANDREA LIKO dhe Dr NIKO FERRO/
Që në fillim po nënvizojmë se në titull nuk jemi duke thënë ndonjë gjë të paditur : shumë figura të vlerëshme historike të Lushnjës apo krejt Myzeqesë ende nuk janë vendosur ku e meritojnë sipas kontributit në dobi të vendit. Ndaj ne sot me modesti po tentojmë të ngushtojmë disi këtë boshllëk, duke u marrë me njërin prej tyre, të famshmin kryetar të Lidhjes Politike – Ushtarake, pra, të Besëlidhjes së nëntë krahinave, e themeluar në Berat më 1834.
Jemi në pranverën e Rilindjes sonë Kombëtare : filizat e mbjellë nga patriotët pionierë kanë zënë e po nisn të cojnë sythat e parë. Jemi në një fazë të vecantë të historisë së Perandorisë Osmane : ndërsa ndjen dobësimin, Porta e Lartë sajon reforma centralizuese. Jemi në ditët e lindjes së një shteti të pavarur – Greqisë – precedent e shembull për të tjerët…Pra, në trevat shqiptare, në mendjet më të ndritura të kombit po nis një histori e re : raport aspak miqësor me sundimtarët dhe administratën turke, lëvizje të organizuara e masive kundër tërë masave shtrënguese dhe avancim të kërkesave për vetqeverisje. Masakra barbare e Manastirit e vitit 1830 la një shije të hidhur farmak e boshllëk të kapaciteteve flamurmbajtës, por ndërkohë tribunë e prijës luftarak të mbetur, u bënë më të vendosur e më sycelët.
Njëri nga këta tribun ishte ABAZ BEJ LUSHNJA. Kur përfaqësuesit e zëshëm të 9 krahinave u mblodhën në Berat e formuan Besëlidhjen, beun e njohur nga fisi fisnik i Ngurrëzajve e zgjodhën kryetar të Pleqësisë. Dhe Pleqësia ishte tamam organi drejtues, si një trup legjislativ. Sipas historianit të njohur, prof. dr. Petrika Thëngjilli, “Besëlidhja e Beratit nuk ishte thjesht e vetëm një lidhje ushtarake ndërkrahinore”. Dhe ne kemi të drejtë të kujtojmë këtu si shembull Lidhjen e Lezhës të realizuar nga Gjergj Kastrioti në vitin 1444. Besëlidhja e 9 krahinave vlerësohej si një organ qeverisjeje e dalë nga lufta dhe me ambicien për të zëvendësuar administratën osmane. Dhe ne prapë kemi të drejtë ta vëmë atë si pararendëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Prijësit e saj më të guximshëm, si Abaz bej Lushnja, Tafil Buzi, Zyber Hoxha e të tjerë synonin të krijonin një hapësirë gati të pavarur, ku të mungonin qeverisja dhe ndikimi otoman. Dhe ne përsëri na lind e drejta të shprehemi se kemi të bëjmë me përpjekje për të vijuar në rrugën e Ali Pashë Tepelenës, pavarësisht përmasave, mjeteve e mënyrave.
Kështu, kur di përmbajtjen, përhapjen dhe veprimet konkrete të Besëlidhjes, ke një qasje më të plotë e mund të bësh një vlerësim më të saktë edhe për Kryetarin e saj, ABAZ BEJ LUSHNJA, kësaj figure të ndritur, deri tani të lënë në errësirë.
Atëherë, pra, cili është ky burrë, të cilin në kohë të rënduara pushtimi, ca burra të tjerë të mencur dhe trima, e zgjodhën kryetar ?
Në origjinë, Abaz bej Lushnja është ushqyer nga dy burime ujëshumë e të shkumëzuar. Nga nëna, ai njihej si i afërm me Ali Pashë Tepelenën. Ndërsa, nga babai, ishte nip i pronarit dhe pasanikut të madh myzeqar Ahmet Kurt Pashës, feudal i martuar me të bijën e Ismail Pashë Velabishtit. Kurt Pasha i Ngurrëzës, dhëndërr i sundimtarit të Beratit, pas vdekjes së vjehrrit mori pronat dhe titujt e tij, të cilat i ruajti për 14 vite me radhë, deri më 1787. Një pjesë të pronave pa mbarim, ato të Lushnjës, pashai i la të birit, Mehmet Pashës. Lagjja e sotme “Xhevdet Nepravishta” dikur kishte emrin e tij. Pikërisht këtu, më 1790 lindi Abazi, patrioti që guxoi të udhëheq një besëlidhje politiko – ushtarake, e cila bëri pushkë dhe e tronditi seriozisht Portën e Lartë.
Kemi hulumtuar në disa skedarë për të plotësuar njohuritë mbi figurën e tij. Mendojmë se të dhënat e listuara sqarojnë deri diku edhe faktin pse kryetar i Besëlidhjes, që u njoh edhe në Europë e tronditi sundimin osman këtu, pra pse në krye të kryengritjes së armatosur dhe vetqeverisjes u zgjodh ABAZ BEJ LUSHNJA.
Sipas burimeve gojore, të sistemuara tashmë, ai ishte “një njeri i drejtë e i gjërë, i vendosur dhe i prerë”. Edhe pse i pasur pa kufi, ai dallohej për shpirtin e gjërë human, sepse “ndante bukë për fukaran”. Për myzeqarët dhe jo vetëm në Ngurrëz apo në Lushnjë, beu ishte “trim dhe kapedan”. Në defterët osman, para themelimit të Besëlidhjes, ai nuk përmendet thuajse fare. Edhe kjo, besohet se i ka nxitur patriotët e tjerë në përzgjedhje. Deri atëherë ai nuk pati patur raporte me sundimtarët e lartë osman dhe, sikur të flisnim me gjuhën e sotme, ishte një figurë e pastër. Pastaj pushtuesit nisën të mbushin dosjen e beut rebel. Ai po u dilte një “feudal i pasur dhe me influence në popull”, “nxitës i revoltave dhe kundërshtues i Reformave të Tanzimatit, që kishte shumë njerëz pranë vetes”. Që në kohën e gjyshit të Abazit, familja kishte 45 shtëpi dhe shumë prona e cifligje në Ngurrëz, Lushnjë, Bishqethëm, Lumth, Karbunarë etj.
Për më tepër, ai ishte edhe kushëriri i Sulejman Pashës, bejlerbeut të Beratit, i cili vdiq më 26 prill 1834 dhe nuk la trashëgimtar. Abaz bej Lushnja mund të bëhej pronari i ri, por pastaj ai do të ishte një pasunar i përmasave të tjera. Portës së Lartë iu njoftua se pasuria e të ndjerit ishte mjaft e madhe, “Prandaj…të vihet dorë mbi to, të regjistrohen dhe të dërgohen menjëherë në Stamboll”. Duket që beu nga Ngurrëza nuk e ka gëlltitur dot këtë nëpërkëmbje, ndaj qe i gatshëm të bënte pushkë e të përzinte turqit nga trojet e veta dhe tërë nahija e Beratit.
Në qoftë se më parë për osmanët ai ishte një bej i pasur jo rebel, në krye të Besëlidhjes u etiketua si askush tjetër sepse turma e mbledhur në Berat prej Tafil Buzit shtohej përditë dhe si komandant i saj “u caktua një udhëheqës shqiptar, këmbëngulës, i quajtur Abaz beu nga Lushnja”. Sipas Stambollit, tani ai ishte “kryetar i tërë keqëbërësve” dhe madje ata “janë bashkuar në një shpirt me kryetarin”. Dihet që forcat e Besëlidhjes e morën kalanë e Beratit dhe nisën të vetadministronin tërë krahinat. Me lejen e Pleqësisë, Tafil Buzi u lidh edhe me sundimtarin e Egjiptit. Fryma e Beratit po përhapej shpejt tek shqiptarët. Abaz beu bëhej përditë e më i vendosur; besimi popullor për të po rritej frikshëm. Kjo e shqetësoi shumë Stambollin. Ose do ulej e të pranonte kërkesat e Pleqësisë, ose do të niste një luftë, fundi i së cilës nuk dihej. Vet ministri turk i Luftës shkoi tek veziri i madh posacërisht për situatën e krijuar. Ata u njohën me propozimet e Pleqësisë, të cilat ishin “cështje që prekin interesat e shtetit, ndaj nuk ka masë të përshtatshme, përvec se të tregohet forca”…
…Por nuk është qëllimi ynë analiza e kësaj kryengritjeje antiosmane. Ne po evidencojmë aq sa mundemi përmbajtjen e figurës së Abaz bej Lushnjës, e cila në këtë rast është qendrore. Për të, Porta e Lartë mori masën ekstreme, duke e shpallur fermanli. Mirëpo urdhëri nuk u bë i njohur e, natyrisht, nuk u ekzekutua. Jo se qeveria osmane u pendua, jo se ai, në këndvështrimin e saj nuk e meritonte, jo se Abaz beu u arratis etj., etj. Thjesht, turqit i trembeshin zbatimit të vendimit për dënimin e tij. Ata nuk mund ta bënin këtë hap, sepse beu “është nga familje fisnike. Ai ka me vete shumë nga fisi i tij dhe pasues. Prandaj, shpallja fermanlli nuk përputhet me kohën…”.
Pra, pushtuesit osman, kundërshtarët më të ashpër të tij, e vlerësuan, qoftë edhe sipas parimit të tyre : “dora që nuk kafshohet dot, puthet”. Tani na mbetet ne që, qoftë edhe me vonesë, t’i japim patriotit të spikatur ABAZ BEJ LUSHNJA vendin që meriton midis sivëllezërve…

Filed Under: Histori Tagged With: Abaz Bej Lushnja, Andrea Liko, Dr. Niko Ferro, figure e harruar

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT