Javën e shkuar, pak para se të niste stuhia e tmerrshme Sandi, Teki Gjonzeneli dhe Filanda, bashkëshortja na kishin ftuar në një restorant Italian në NJ për të kujtuar vajzën e tyre të ndjerë, që ndërroi jetë në Chikago. Sipas zakonit mysliman dreka u shtrua për të përkujtuar të 40-tat. Të gjithë u lutëm për shpirtin e Interës. Tekiu na mallëngjeu me copëzat e kujtimeve që shpalosi në atë drekë morti. Kujtoi fëmijërinë e vuajtur të Interës , përbuzjen që vinte nga biografia, mohimi i të drejtave më elementare. Ndërsa motra e Interës, Monika, kujtoi preferencat e motrës në jetë, dashurinë për këngët, humanizmin, dashurinë njerëzore, pasionin për gjuhët e huaja. Vajza e madhe e Interës, Argjiro, falenderoi pjesmarrësit që kishin ardhë për t’u larguar fëmijëve dhimbjen që u ka shkaktuar ikja e nënës. Motra e saj e vogël, Filanda, duket se ende nëna do të kthehet pasi shpirti i saj është ngjitur përkohësisht në qiell…
***
Pas gjashtë vite vuajtjesh, me 20 shtator, iku nga kjo botë Intera, vajza e Teki dhe Finlanda Gjonzeneli! Intera u lind në diktaturë, prandaj dhe emri i lidhej me internimin(Intera). Pat lindur në Vlorë me 11 prill 1968. Shtatë ditë pas lindjes së saj e gjithë familja u internua. Familja e pagëzoi vajzën me emrin Intera. Ishte një shenjë kundërshtimi ndaj regjimit. Intera u rrit në internim. Fëmijëria e saj si për cdo fëmijë të familjeve të persekutuara ishte plot dhimbje, vuajtje, poshtrime, fyerje e ofendime. Zemra e saj duroi edhe injorimin e fshatit në varrimin e gjyshit të saj të dashur që e pat rritë me përekujdes e dashuri Internën. Në varrim ishte pjesmarrse vetëm familja prej shtatë vetësh. Me dhimbje përballoi edhe varrimin e heshtur të gjyshes së dashur, ku sërish e përcolli vetëm familja. Mendja e vajzës lodhej për të gjetur përgfjigje për pyetjen:Përse kjo braktisje? Gjyshi dhe gjyshja ishin njerëz të mirë, të dashur, askujt nuk i ranë në qafë. Përse? Ajo me një buqetë lulesh qëndroi në krye të kortezhit të përcjelljes së gjyshes, që e deshi shumë.
Kur babain e saj do ta burgosnin më 16 nëntor 1981, ajo sërish duroi edhe pse e dinte se do ta ksihte më të vështirë jetën. Mori frymë thellë kur ra diktatura, por shpirti i saj qe helmuar nga braktisja e mënjanimi nga biografia. Atëherë ishte vajzë e rritur 22 vjece. Së bashku me djalin që dashuroi shkoi në Greqi. Punoi pa u lodhur për të përmirësuar jetën. I hyri në punë zanati i rrobaqepses dhe qendistarisë, të mësuara prej gjyshes në fëmijëri. Gjuhën e vendit ku emigroi e mësoi shkëlqyer, sa që e thërrisnin edhe për përkthime. Më 1999 vjen në Amerikë së bashku me burrin dhe dy fëmijët duke u bashkuar me familjen e prindërve që kishin ardhë më herët. I bëri shumë përshtypje madhështia e Amerikës dhe pyeti të atin: A do të arrijë të integrohem dot, babi? Shumë shpejt, vec hidhi hapat me shumë kujdes-e porositi i ati.
E ndërroi emrin si shenjëe të kohës së keqe të diktaturës, duke marrë emrin Majlinda. U vendosën familjarisht në Cikago, ku shpejt ngjiti suksesshëm shkallët e biznesit ushqimor. Zotëronte anglishten, greqishten, spanjishten dhe natyrisht shqipen. Të gjithë e donin dhe e respektonin pasi shquhej për sjellje korrekte dhe humanizëm. Kë nuk ndihmoi Majlinda! Shqiptarët po se po, por edhe të tjerët. Në varrimin e saj u panë, krahas shqiptarëve edhe spanjolle duke qare me dënes, fëmijë e të rritur.
E ndjera la pas tre fëmijë, Albanon, Argjiron dhe Filandën e vogël (së cilës i vuri për së gjalli emrin e nënës, që e donte shumë) dhe bashkëshortin. Ishte një vajzë e shkëlqyer. Ishin shumë ata që e përcollën në jetën tjetër. Të shumtë ishin dhe ata që shkuan në Nju Xhersi dhe ngushëlluan familjen, Teki dhe Filanda Gonzeneli. Shumë mesazhe u dërguan. Po vecojmë mesazhin ngushëllues të dr. Prenjo Imeraj, dërguar nga Nju Jorku në Cikago, në momentin e vdekjes: Të dashur Teki dhe Finlanda! Të dashur Monika dhe Fatmir! Të dashur Alban, Argjiro dhe Finlanda e vogël! Në pamundësi ardhje, pranoni ju lutem, ngushëllimet më të thella nga unë dhe fëmijët e mi: Anila, Irma dhe Sokoli, për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë dhe të pazëvendësueshëm! Teri ishte fatzezë.Them kështu se pa ardhur mirë në jetë , sistemi i urryer komunist i shpalli luftë të paprinciptë, gjë që e tregon më së miri emri Intera, me të cilin e pagëzuat ju, prindërit e saj të shtrenjtë, pas internimit dhe persekutimit të padrejtë të familjes tuaj të sapo krijuar.
Teri ishte fatzezë se sëmundja e mallkuar, e mori para kohe. Teri do të mbahet mend gjatë, se ju ka lënë pas tre ëngjëjt e saj, të cilët tani dhe më vonë do të kenë më shumë s ekurrë nevojë për ndihmën tuaj, sidomos për ju zonja Gjonzeneli, që keni brengën dhe dhimbjen më të madhe.
Por Teri do të mbahet mend edhe për gjurmët e mira që ka lënë në farëefisin e saj, midis shoqërisë së saj, dhe tek të gjithë ata me të cilët punoi. Mbi të gjitha, Teri do të mbahet mend për luftën titanike që bëri me sëmundjen e mallkuar dhe përpjekjet e saj mbinjerëzore për të mbijetuar. I qoftë i lehtë dhe’u i Amerikës! Shpirti në Paqë!(dgreca)
FOTO :Intera Gjonzeneli 11 prill 1968- 20 shtator 2012