Nga Thanas L. Gjika/
Fiqri Progri (7. VI. 1938 – 3. III. 2018)/
Fiqiri Progri:Bie Borë/
Me 3 Mars 2018, në UMass Hospital, në Worcester MA, pas një sëmundjeje të gjatë, u nda nga jeta piktori i talentuar korçar Fiqri Xhevdet Progri. Takimet për të folur u kryen më 7 mars në “Marcadante Funeral Home & Chapel” (370 Plantation Srteet) në një sallë, ku anash arkivolit ishin vendosur lule dhe disa piktura shumë të bukura të të ndjerit. Të nesërmen, po në ambjentet e kësaj godine, para nisjes për në vorrezat “Hoppe Cimetery”, erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij biri të shquar të Korçës shumë shokë, miq e të afërm. Familjarët e tij falenderuan të pranishmit dhe treguan disa nga momentet interesante të jetës së Fiqriut.
* * *
Fiqiriu u lind më 7 Qershor 1938 në qytetin e Korçës në familjen e Xhevdet Demir Progrit, një familje e lidhur me Luftën Antifashiste. Xhevdeti, pas luftës i rriti katër fëmijët duke punuar rëndë si traktorist. Në vitin 1951 Fiqiriu mbaroi shkollën 7-vjeçare dhe nuk u regjistrua në gjimnaz, por në një kurs njëvjeçar pikture të cilin e drejtonte në ambjentet e Kishës Katolike të Korçës piktori i talentuar Vangjush Mio. Vitin tjetër ai shkoi në Tiranë ku konkuroi në Liceun Artistik për pikturë dhe e fitoi konkursin. Liceu Artistik në atë kohë ishte shkollë e mesme 6-7-vjeçare, katër vjet shkollë e rregullt dhe 2-3 vjet specializim. Fiqiriu, edhe pse mbaroi shkollën me rezultate të larta, nuk kërkoi të shkonte jashtë shtetit për të vijuar studimet, por u kthye në qytetin e lindjes për të filluar punën si mësues viztimi, me qëllim që të ndihmonte familjen e tij. Kështu në vitin 1958 ai u emërua mësues vizatimi në gjimnazin e Pogradecit. Një vit më vonë u thirr për të kryer shërbimin ushtarak, të cilin e kreu në Kukës si daktilografist, hartues parullash, hartash, etj.
Pasi përfundoi shërbimin ushtarak 2-vjeçar, më 1961 Fiqiriu u kthye në Korçë, ku u sistemua në Uzinën Mekanike si teknik për të mësuar e kualifikuar mekanikët si të lyenin me bojra makineritë dhe pjesët e ndryshme të makinave. Mbas disa muajsh u emërua në Pallatin e Kulturës si piktor.Në vitin 1966 Fiqiriu u martua me vajzën kolonjare Lumturi Aliçka. Lumturia (shkurt Lumja) ishte pasardhëse e një familjeje të madhe me origjinë nga Frashëri.Në vitin 1973, kur filloi organizimi i festivalit folklorik kombetar në Gjirokastër, Fiqriu shkoi gati në gjithë fshatrat e rrethit të Korçës, ku mblodhi jo vetëm kostume popullore të plota, por edhe pjesë të ndryshme të dëmtuara. Nga kostumet dhe copat e jelekëve, xhamadanëve, tirqeve, fustaneve të grave, shamive, çorrapeve, kësulave, që ai mblodhi, arriti të paraqiste 36 lloje kostumesh për gra, burra e fëmijë të zonës së Korçës në një album kostumografik. Kjo pasuri e panjohur deri atëhere i dha Fiqriut emrin e mirë dhe kënaqësinë e punës krijuese. Grupi folklotik i rrethit të Korçës në Festivalet Folklotike të viteve 1978, 1983, 1988 zuri vendin e parë, kurse rrethit të Gjirokastrës, rrethit organizues, i jepej flamuri.Fiqiriu u aktivizua dhe si bashkëpunëtor gazetash. Ai botoi disa shkrime për arritje dhe probleme të kulturës në Rrethin e Korçës. Në vitet 1985-1987 e transferuan për të punuar në prodhim në Ndërmarrjen Artistike. Pastaj e emëruan mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare “Sotir Gura”, prej ku më 1990 doli në pension.Në shtator të vitit 2000, ai me bashkëshorten erdhën me lotari në SHBA ku ishin sistemuar më parë, Iliri si asistent pedagog në WPI dhe Adriana me bashkëshortin Nesti dhe vajzën Rafaelia. Për arsye moshe dhe shëndeti ai nuk kërkoi punë, por shërbeu si taksist i Lumes, e cila u punësua në një piceri dhe si kujdestar për mbesat Rafaelia dhe Alexia.
Ai luftoi gjatë me sëmundjen, të cilën nuk mundi ta mposhtte…
Djali i tij, ing. elektrik PH.D. Ilir Progri, foli në anglisht dhe në shqip. Ai ka ndjekur krahas studimeve inginerike dhe disa kurse fetare dhe e njeh mirë “Biblën”. Prandaj ai tregoi disa nga karakteristikat dalluese të edukatës së shëndoshë që u dha ky baba dy fëmijëve të tij, si vullnetin, korrektësinë dhe dashurinë ndaj punës, ndaj familjes dhe shoqërisë. Edukata që ai u dha fëmijëve, theksoi Iliri, ishte një edukatë me moral të shëndoshë, në përputhje me mësimet e profetëve të lashtë dhe të nxënësve të Jezusit, prej të cilëve ai solli dhe disa citate. Iliri e kishte shpënë babain e vet të dëgjonte dhe disa predikime fetare të disa pastorëve të pregatitur mirë. Edhe pse Fiqriu nuk arriti të besonte, ai pati një përmirësim në jetën e tij: e la duahnin dhe e rralloi pijen e rakisë. Shumë të krishterë dhe disa kisha, e mbylli fjalën e tij Iliri, do të luten për shpëtimin e shpirtit të tij.
Fjalimi i Ilirit në anglisht ishte printur si fletëpalosje në katër faqe dhe u shpërnda midis pjesëmarrësve…
Lumturia, bashkëshjortja e të ndjerit, tregoi si u realizua njohja dhe martesa e saj me Fiqriun. “Në fillim, tha ajo, nuk më pëlqeu emri i tij Fiqo, si e thërrisnin shkurt, por logjika e tij, bisedat me kripë dhe karakteri i pastër, më bënë ta dashuroja gjithnjë e më shumë. 52 vjet martese na kaluan si 52 javë. Vështirësitë e jetës me Fiqriun i kaluam me optimizëm, sepse i tillë ishte ai. Porosinë që më dha: “Të bëhesh e fortë e mos u dorëzo!” do ta mbaj si amanet.
Piktori Dhimitër Çika, i cili kishte kaluar shumë vjet në shoqëri me Fiqriun në qytetin e Korçës dhe këtu në Worcester, solli kujtime nga veprimtaria krijuese e kolegut të tij:
“Fiqriu ka qenë një nga piktorët më prodhues të rrethit të Korçës. Ai na mbante shumë afër ne të rinjve. Të punoje e të bisedoje me të, nuk mërziteshe kurrë.
Ai kishte kulturë të gjerë si në fushën e artit dhe në historinë tonë kombëtare e atë botërore. Dinte të na këshillonte për procese të ndryshme të punës dhe për mënyrën si t’i motivonim kërkesat për lëndët e para, pa ngutje e pa inat.
Punët e tij janë vlerësuar në shkallë rrethi dhe në shkallë kombëtare. Ai ka marrë shumë çmime lokale në ekspozita të organizuara në rrethin e Korçës dhe më 1974 peisazh-kompozimi i tij “Dita e Çlirimit të Korçës” u vlerësua me çmim të dytë në konkursin kombëtar.
Puna e tij me albumin kostumografik është një punë që ka zënv vend si një nga thesaret tona më të çmuara.
Me këmbënguljen e tij u realizua blerja e veprave të artit prej ndërmarrjeve të ndryshme pasi ato vlerësoheshin në konkurset e rrethit.
Fiqri Progri, për mendimin tim, do të mbetet në trashëgiminë artistike të Korçës si një nga piktorët më të talentuar bashkë me piktorët Spiro Xega, Todi Dallta, Vangjush Mio, Kristaq dhe Vangjush Tushi, Rafael Dembo, etj.
Gjithashtu ai do të kujtohet dhe si një shahist i zoti dhe shok i muhabetit e i rakisë që mblidhej me shokët e tij për të kaluar orë gazmore mbas punës…”
Mbesat Rafaelia dhe Alexia, shprehën dashurinë e respektin e tyre për gjyshin e rrallë, përkushtimin e tij për rritjen dhe edukimin e tyre, punë të cilën nuk mund ta bënte asnjë bebysiter amerikane. Falë kësaj pune sot këto dy mbesa flasin shqip.Të përlotura ato mbyllën fjalën e tyre duke thënë: “ Gjyshi ynë çdo ditë na tregonte barcoleta e shakara, sa që na duket se ai do të ngrihet tani e do na thotë: “Ua hodha, kjo ishte një shaka, unë nuk kam vdekur.”
Pas kësaj, kortezhi u nis për te vorrezat “Hoppe Cimetery” ku u krye varrimi, i cili u parapri nga një shërbim liturgjik që e kreu Iliri.
Anesti Dine, dhëndri i të ndjerit Fiqri, porositi gjithë pjesëmarrësit të shkonin së bashku për drekën e lamtumirës tek restoranti në adresa 1394 Main Street, ku sejcili vijoi të tregonte kujtimet e veta për të paharrueshmin Fiqri.
I përjetshëm qoftë kujtimi i piktorit dhe shokut tonë Fiqri Progri!