Në Shqipëri, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi sot se ka vendosur të pezullojë aktivitetin ndërtimor të kompanive Biba X dhe DH Albania, për ndërtimin e një pjesë të Unazës së Re, pas publikimit mbrëmë të fakteve që hedhin hijë të rënda dyshimi mbi falsfikimin e dokumentave të kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e cila fitoi garën përmes degës së saj në Shqipëri, DH Albania.
Sipas dokumentave të publikuara në emisionin “Të Paekspozuarit” në televizionin “NEWS 24”, referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania amerikane rezulton të jetë themeluar në shtetin Delawere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në qershor të vitit 1998. Për këtë ajo ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware, Jeffrey Bullock, që vërteton aktivitetin e saj në këtë shtet dhe po ashtu dhe datën e themelimit 20 vjet më parë.
Emisioni “Të Paekspozuarit” i është drejtuar Departamentit të Shtetit të Delaware për të verifikuar të dhënat mbi kompaninë Dunwell Haberman. Përgjigja zyrtare e dhënë nga drejtori i Marrëdhënieve me Komunitetin Doug Denison ka zbuluar se dokumenti i paraqitur pranë institucioneve shqiptare është i falsifikuar.
“Dokumentat që ju na keni dërguar nuk janë autentike dhe nuk e kanë origjinën nga zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaware. Vërtetimet për gjendjen e kompanive të cilat Departamenti i Korporatave lëshon, nuk kanë përmbajtje të njëjtë me dokumentat të cilat na keni dërguar. Gjithashtu, dokumentat që ju na keni paraqitur, theksojnë se Dunwell Haberman LLC, është krijuar në 25 Qershor 1998. Të dhënat e Departamentit të Korporatave, tregojnë se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018, sipas të dhënave publike, bashkëngjitur kësaj letre. Datat dhe numrat e verifikimit, gjithashtu janë ndryshuar në disa vende në dokumentat që ju keni dërguar”, shkruhet në përgjigjen që Departamenti i Shtetit të Delaware, i ka dhënë emisionit “Të Paekspozuarit”
Drejtuesi i emisionit, Ylli Rakipi tregoi se i ka dërguar Departamentit të Shtetit të Delaware, dhe aktin e themelimit të kompanisë, dorëzuar në QKB-në shqiptare, ku sërish pretendohet se data e themelimit të kompanisë është 25 Qershor 1998.
“Përgjigja e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të Delaware, qe e njëjtë. Edhe ky dokument ishte falsifikuar”, u shpreh zoti Rakipi, duke publikuar dhe çertifikatën origjinale të themelimit të Dunwell Haberman, “ku duket qartë se data e themelimit është pikërisht 25 Qershor 2018”. Për më tepër, kompania rezulton të ketë dorëzuar pranë QKB-ës dhe bilance e pasqyra financiare fallso, të viteve 2015, 2016 dhe 2017, ndërkohë që është themeluar në Qershor të vitit 2018.
Në garën për Lotin I të projektit të Unazës së Re, dega shqiptare e kompanisë amerikane, DH Albania, është rregjistruar në Shqipëri në muajin korrik të këtij viti, pak përpara se të hapej tenderi, me përfaqësues të saj një 26 vjeçar shqiptar, Avdiol Dobi. Së bashku me kompaninë shqiptare Biba X, u shpall fituese ndërsa konkurrenti i tyre, kompania Vëllezërit Hysa, vetëm sa ishte rregjistruar në garë dhe nuk kishte paraqitur asnjë dokument. DH Albania dhe Biba X (kjo e fundit rezulton të ketë vetëm 7 përqind në këtë konsorcium) fituan me një ofertë që përfaqëson gati 45 përqind të të gjithë investimit, ose pak më shumë se 18 milion euro (pa TVSH).
Autoriteti Rrugor Shqiptar, në njoftimin e tij, shpjegon se “ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit.
Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunwell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaware”.
Sipas njoftimit “Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak”. Megjithatë, për të sqaruar situatën, ARRSH shprehet se i është “drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës” e për pasojë deri në pritje të përgjigjes “nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie”.
Autoriteti Rrugor shton se “në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin”.(Kortezi:Zeri i Amerikes)