Nga Flora Nikolla/
Sopranoja e njohur kosovare e cila ka idhull Ermonela Jahon tregon suksesin e saj në Itali-
– Sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi, është nderuar me çmimin e parë në konkursin operistik “Riccardo Zandonai XXII ” në Riva del Garda, Itali, ku kanë marrë pjesë këngëtarë nga e gjithë bota . Në Edicionin e 22 -të të kësaj gare ndërkombëtare , këngëtarja ka fituar edhe dy çmime të tjera speciale duke fituar dy kontrata pune me dy shtëpi të mëdha operistike, në Sao Paolo në Brazil e cila quhet “Sao Pedro” dhe në teatrin operistik të Daegut në Korenë e Jugut. Ajo tregon në këtë intervistë se ndihet mirë që do të vizitojë dy shtëpi të mëdha operistike të famshme duke qënë pjesë e tyre si soliste. Por po ashtu Elbenita do të njihet me një pjesë të kulturës braziliane dhe koreane dhe kjo është dicka që e pret me padurim. Zakonisht eksperiencat e Elbenita Kajtazit, në gara janë gjithmonë të bukura, me shumë ethe pritje, më shumë prova paraprake dhe me paraqitje të paharrueshme në skenë. Këtë here nata finale për sopranon e cila punon në DeutscheOperBerlin(Gjermani ), ka qenë e paharruar dhe e përkryer. Ajo thotë se kur emri i saj u shpall bë Riva del Garda , si fituese e trefishtë i këtij evenimenti, çdo gjë ishte e mrekullueshme dhe plot me emocion . Në DeutscheOperBerlin , Elbenita ka patur fatin të interpretojë në skenë me këngëtarë shumë të famshëm e të suksesshëm si Anja Harteros , Elina Garanca , Roberto Alagna , Olga Peretyatko , Rolando Villazon , Saimir Pirgu , Gëzim Mushketa , Leo Nucci , e shumë e shumë tjerë , nga të cilët gjithmonë mëson shumë. Por ka dhe një ëndërr tjetër Elbenita , të performojë në skenë me yllin e skenës në botë, Ermonela Jahon . “Interpretimi dhe prezantimi i Ermonelës në skenë është e lidhur me zemrën dhe ofron emocion të paharrueshëm tek publiku”, thotë Elbenita , për të cilën skena ku interpreton muzikën operistike është shtëpia e saj e sa , është vendi ku ajo shpreh çdo gjë që ka në zemrën e saj, duke mundur t’u ofrojë emocion e kënaqësi shumë njerëzve. Por Elbenita është shqiptarja e parë që ka performuar në Filharmoninë e Berlinit vitin e kaluar në operën Dinorah , dirigjuar nga Enrique Manzola , organizuar në fillim të sezonit operistik në DeutscheOperBerlin. Shfaqja eshte organizuar në sallën e madhe te Filarmonisë së Berlinit, aty ku gjithmonë ka ëndëruar të ineterpretoj. Ka qënë dhe do të mbetet njeri nga momentet më të rëndesishme të jetës se sopranos se njohur.
F.N : Elbenita Kajtazi ju sapo keni marrë pjesë në konkursin operistik “Riccardo Zandonai XXII “, në Itali ku keni dalë fituese e trefishtë e këtij audicioni…
E.K :Kjo ka qenë hera e tretë e pjesëmarrjes sime në këtë garë dhe them se ishte tashmë koha të merrja çmimin e pare. Në një farë mënyre e kam pritur ketë vlerësim, ndërkohë që për dy cmimet tjera nuk mendoja se do t’i arrija. Kam qenë e fokusuar tek çmimi i parë dhe me këtë qëllim shkova në Itali. Dy çmimet tjera ishin vetëm dy arsye më shumë për tu gëzuar.
F.N : Çfarë do të veconit nga organizimi i këtij konkursi me vlera ndërkombëtare ?
E.K : Në këtë garë prestigjioze vlerësoj seriozitetin e punës dhe mënyrës se si trajtohen artistët. Janë shumë transparentë dhe të drejtë në zgjedhjen e solistëve dhe jam shumë e kënaqur me përfundimin e garës. Këtë e them jo sepse e kam fituar vendin e parë. K am marre pjesë edhe dy herë tjera ku jam ndarë me çmime të veçanta, dhe prapë kam pasur te njejten përshtypje.
F.N : Si ndihet Elbenita para sfidave që ju ofroi ky konkurs ?
E. K : Ndihem e përmbushur, dhe krenare për atë çfarë kam arritur. Jam pak e lodhur sepse jam ndarë nga puna në Operën e Berlinit për këtë garë, mirëpo ajo çfarë me gëzon është që arrita qëllimin tim.F.N : Ju do keni dy role në dy shfaqje operistike, në Brazil e tjetra në Korenë e Jugut…
E.K : Këto janë dy çmimet tjera që kam fituar në këtë garë. Disa shfaqje operistike në Brazil dhe të tjera në Korenë e Jugut. Jam shumë e lumtur sepse fillimisht do të mundem të vizitoj dy shtëpi të mëdha operistike shumë prestigjioze dhe të jem pjesë e tyre si soliste. E dyta, do të njihem me një pjesë të kulturës braziliane dhe koreane dhe kjo është dicka që po e pres me padurim.
F.N : Çfarë do të veçonit nga kjo eksperience ?
E.K : Zakonisht eksperiencat e mia në gara janë gjithmonë të bukura, me shumë ethe pritje, me shumë prova paraprake dhe me paraqitje të paharrueshme në skenë. Kësaj here nata finale ka qenë e paharrueshme për mua, gjithcka ishte e përkryer dhe kur u tha emri im si fituese e trefishtë, ishte moment i mrekullueshëm dhe plot me emocione . Jane kujtime të paharruara.
F.N : Cilat janë disa rolet që ju keni interpretuar dhe që doni të veçoni në këtë intervistë ?
E. K : Rolet që kam interpretuar gjithmonë më kanë fjetur në zemër dhe duket sikur janë krijuar vetëm për mua, Ato janë roli i Lucias në operen Lucia di Lammermoor – Donizeti , Pamina nga opera Zauberflöte. Në zemër kam dhe shumë role tjera të mëdha që më presin në të ardhmën e që do ti interpretoj me pjekurinë e zërit , hap mbas hapi !
F.N : Po këngëtarët që keni interpretuar ?
E.K : Në DeutscheOperBerlin kam pasur fatin të interpretoj në një skenë me këngëtarë shumë të famshëm e shumë të suksesshëm si Anja Harteros , Elina Garanca , Roberto Alagna , Olga Peretyatko , Rolando Villazon , Saimir Pirgu , Gëzim Mushketa , Leo Nucci , e shumë e shumë tjerë , nga të cilët gjithmonë mësoj shumë ! Por kam një ëndërr tjeter , të performoj në të njëjtën skenë me yllin tonë Ermonela Jahon !F.N : Cilat janë sopranot tuaja të preferuara dhe pse i veconi?
E. K : Sopranot që vecoj për zërin, tekniken dhe paraqitjen e tyre janë Ermonela Jaho për arsye se ajo këndimin dhe paraqitjen e saj në skenë e ka direkt të lidhur me zemrën duke ofruar emocion të paharrueshëm tek publiku. Vecoj gjithashtu Anja Harteros sepse ka një qëndrim të jashtëzakonshēm në skenë dhe repertori që ajo këndon më pëlqen shumë . Por veçoj këtu edhe teknikën e mrekullueshme që ajo ka.
F.N : Roli që ju ëndërroni dhe se keni interpretuar ende ?
E.K : Roli që pres me padurim ta interpretoj është roli i Mimis nga opera La Boheme e Puccinit , e kam patur ëndërr që nga studimet , dhe mendoj që është rol që do mund ta realizoja ne një mënyrë të veçantë , e ti jepja edhe pjese nga zemra ime.
F. N :Cfarë është muzika operistike për ju ?E.K : Muzika operistike për mua është jeta ime! Skena ku interpretoj këtë muzikë është shtëpia ime , është vendi ku unë shpreh çdo gjë që kam në zemrën time , dhe në këtë mënyrë u ofroj emocion e kënaqësi shumë njerëzve tjerë. Operat e mrekullueshme të kompozuara nga kompozitorë të ndryshëm botërorë gjithmonë të japin një mesazh edhe pse janë kompozuar shumë vite më parë ! Muzika operistike është muzikë që sdo vdesë kurrë. Do te veçoja interpretimin Filharmoninë e Berlinit vitin e kaluar në operën Dinorah , dirigjuar nga Enrique Manzola , organizuar në fillim të sezonit operistik në DeutscheOperBerlin. Shdaqja u organizua në sallën e madhe te Filarmonsë së Berlinit, aty ku gjithmonë kam ëndëruar të interpretoj. Ka qënë dhe do të mbetet njeri nga momentet më të rëndesishme të jetës time.
F.N : A mund të kujtoni në këtë intervistë si lindi tek ju dëshira për të qënë këngëtare lirike ?
E. K : Dëshira për të qenë këngëtare lirike më ka lindur që kur kam qenë nxënëse e shkollës së mesme “Tefta Tashko”, Mitrovicë , aty edhe ku mora hapat e parë në këndim . Profesorët e mi të dashur që kisha në atë shkollë, besuan tek une që në fillim që do bëhem këngëtare e muzikës lirike. Që në momentin që mësova si të impostoj zërin, unë u lidha me këtë lloj interpretimi. Ata pastaj më mësuan se kush është Maria Callas ,Pavarotti etj. Dhe unë i thashë vetes , kjo është mënyra më e mirë të jap shumë emocion e ndjenjë nga Zemra ime !F.N : Dhe sa e vështirë ka qënë kjo për ju ?
E. K : Duke qenë se unë nuk rrjedh nga një familje muzikantësh, për mua hapat e parë kanë qenë të vështirë sepse nuk e kam ditur se çfarë më priste . Rruga për te arritur diçka të madhe e të veçantë është gjithmonë e vështirë , por me punë vullnet e pasion ja del gjithmonë. Unë tani , nuk i kujtoj vështirësitë që i kam pasur , sepse kane qenë ndoshta më shumë se sa duhet !
F.N : Ju jeni një sukses në operan botërore tashmë , kujt ka dedikoni këtë sukses ?
E.K : Këtë sukses ja dedikoj fillimisht prindërve, motrave e vëllait që gjithmonë kanë qenë të pranishëm për të më mbështetur sa herë kam dalë në skenë, por dhe dashurisë sime të jetës, të fejuarit tim Ardianit i cili më ka qëndruar afër prej shtatë vitesh. Ai jo vetëm më ka mbështetur gjithmonë në çdo vendim timin, por ka qënë dhe kritiku im më i madh duke qenë njohës i muzikës klasike.
F.N : Si i shihni ju sot shqiptarët në botë ?
E.K : Shumë shqiptarë që njoh në botë janë të suksesshëm, janë të gjithë të famshëm dhe janë njerëz të ngritur. Shqiptarët në botë janë njerëz që ndihmojnë njëri tjetrin dhe nuk kanë zili njëri tjetrit. S’mund të them të njëjtën për njerëzit që jetojnë në trojet shqiptare. Ndoshta pse është vend i vogël dhe nuk ka mundësi për shumë njerëz të arrijnë suksese.
F.N : Sa e lidhur jeni me Kosovën , vendlindjen tuaj ?
E. K : Kam familjen në Kosovë dhe duke qenë familje e madhe gjithmonë ndjehem e përmalluar për të gjithë. Jam më e madhja nga fëmijët dhe motrat më mungojnë se ende janë duke u rritur. Mirëpo sa i përket anës profesionale e kam gjetur çdo gjë që kam dashur në Berlin.