Flamuri origjinal shqiptar i qëndisur në vitin 1908, ndodhet në Kishën e Shën Gjergjit në Boston/
Ky flamur që shihni në sfond, është qëndisur në vitin 1908, është flamuri origjinal shqiptar, që gjendet në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, dhe konsiderohet të jetë pararendës i flamurit që u ngrit në Vlorë, në vitin 1912.
Me 29 Janar 2017 ambasadori Mal Berisha dhe zv/Kryetari I Vatrës Agim Rexhaj bënë një vizitë në në Kishën e Shën Gjergjit në Boston dhe u takuan me Atë Arthur Liolin. Në bisedën e ngrohtë që ata paten me Atë Arthurin, u fol edhe për këtë Flamur, që është një nga më të vjetrit, që ruhet aty.
“Dëshmitë e Patriotizmit Shqiptar më shumë se kudo tjetër në Botën e Re gjenden në Boston. Kisha e Shën Gjergjit, vendi ku u ngjiz patriotizmi shqiptar, vendi ku predikoi Fan Noli, vendi i Vatrës dhe Konicës, është edhe sot vendi që të gjithë ne shqiptarët, pa dallim feje e krahine, duhet të vizitojmë me respekt e veneracion. Kjo është më shumë sesa një Kishë, më shumë se një vend faljeje dhe lutjesh për ortodoksët shqiptarë. Ky është një vend që na mbledh të gjithëve, myslimanë e të krishterë, që kemi si Krye-Fe: Shqiptarizmin”, ka shkruar Mal Berisha në fb në lidhje me këtë shtëpi fetare.