Nga Vepror Hasani/
“Korça është një qytet i qetë dhe i bukur, por me njerëz të ndrydhur”. Kjo ishte përgjigjja që na dha skulptori egjiptian Salah Hammad, kur e pyetëm se çfarë mbresash i kishte lënë qyteti i Korçës. Ishte herë e parë që dëgjonim një vlerësim të tillë nga një i huaj. Zakonisht, para ikjes, të gjithë përpiqen të thonë ndonjë fjalë të mirë edhe kur ajo nuk është e vërtetë, ndoshta ngaqë edhe ata vetë dëshirojnë të mbahen mend për mirë, por Hammad nuk e kishte këtë kompleks. Preferonte të ishte i vërtetë dhe i drejtpërdrejtë, pa asnjë droje. Nga Korça i kishin mbetur në mendje njerëzit e ndrydhur. Ndoshta këtë gjë e kishte vërejtur sapo kishte hyrë në këtë qytet, ndoshta në një çast tjetër, pak rëndësi ka, Hammad kishte mundur të zbulonte një nga të fshehat e këtij qyteti, që jo të gjithë e shohin, sepse ajo qëndron e heshtur, e kamufluar nën përpjekjet e shumta për ta paraqitur Korçën si një nga qytetet më evropiane të vendit. Fillimisht m’u desh ta kalojë edhe një herë nëpër mend atë që kisha dëgjuar: “Korça qytet me njerëz të ndrydhur”. Po,- mendova,- kjo është e vërtetë”. Ju keni të drejtë z. Hammada,- iu përgjigja. Megjithatë Hammad fliste me dashuri për njerëzit e Korçs për mikpritjen dhe miqësinë që të ofronin. Megjithate Hammad do të na zbkojë edhe çudi të tjera të qytetit të Korcëcs.
Njerëzit e ndrydhur
Salah Hammad është një nga skulptorët pjesëmarrës në simpozimin “Skulpturat e parkut” në qytetin e Korçës. Ndoshta me të mbërritur në Korçë atij iu desh të gjente një ide, që të ishte “korçare”, t’i ngjasonte asaj, që kur njerëzit tashihnin të thoshin: “po si fytyrë e njohur na duket”, dhe ajo që i mbeti në mendje Salah Hammad-it kishte qenë ndrydhja e këtij qyteti. Ndaj edhe kur u gjend para copës së shkëmbit të mermertë, edhe kur nisi t’i hiqte pjesët e tepërta e saj, pas çdo prerje që bënte, guri po i shndërrohej në një dryn. Në një dryn të madh e të rëndë. Mbrëmjeve, kureshtarët e vështronin me çudi, i silleshin rreth e qark me përpjekjen për t’i gjetur domethënien. Sigurisht, të gjithë e shihnin që ishte një dryn i madh, por përse vallë skulptori egjiptian Salah Hammad kishte përzgjedhur një send të tillë për qytetin e Korçës? Pas kësaj shkonin edhe te skulpturat e tjera që po merrnin jetë nga skulptori Liu Yang (nga Kina), François Ëeil dhe Patrice Belin (nga Franca) dhe nga shqiptarja Fiona Mali. Që të gjitha ishin të bukura, të mpiksura nga realja dhe abstraktja, ofronin pamje të magjishme. Çkodifikimi i mesazheve ngjasonte më një lojë mes kureshtarëve dhe skulpturave. Nëse dikush do t’u thoshte që dryni shpreh ndrydhjen, atëherë gjithkush do të thoshte: “Po kjo është një e vërtetë e madhe për Korçën”
Salah Hamad
Nuk kishte asnjë mundësi që skulptori egjiptian të ishte gabuar në zbulimin e të fshehtave të Korçës, të ndrydhjes së saj. Gjatë gjithë jetës së tij kishte vizituar shumë qytete të botës e kishte njohur nga afër shumë njerëz të këtij planeti. Skulptori Gentjan Tavanxhiu, ideatori i simpoziumeve “Skulptura e parkut” në Korçë, njëherazi edhe përkthyesi i bisedës tonë, na tregon se me Hammad ishte njohur në Kinë në vitin 2011. Aty, por edhe më pas, kishte mësuar se Hammad kishte marrë pjesë në 40 sipoziume që do të thotë në 40 vende të ndryshme: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Francë, në Itali, në Turqi, në Kinë, në Vietnam e gjetkë. Numri i vendeve të vizitura prej Hammad-it është i madh, pasi ka qenë edhe pjesëmarrës në bienalet e vendeve të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe bienalen e Venecias. Ka një përvojë 30-vjeçare si artist dhe njihet si një nga skulptorët më të rëndësishëm të Egjiptit,- na thotë Tavanxhiu. Në vitin 1993 shkoi në itali për të studiuar, ku mori çmimin e parë, ashtu sikurse edhe në vitin 2000 fitoi sërish çmim të parë të qeverisë për mbrojtjen e punës së tij. Është një skulptor me vlera të mëdha, theksoi Genti Tavanxhiu.
Çuditë e Korçës
Sigurisht, duket se edhe ne nuk ishim gabuar në intuitën tonë. “Dryni” i Hammad-it na tërhoqi vëmendjen që në fillim. Dukej qartazi se diçka kishte për t’ia transmetuar Korçës. Tashmë mesazhin e kësaj vepre e morëm nga vet skulptori. Banorët e Korçës do ta gjejnë të zbërthyer në faqet e gazetës “Telegraf”. Në bisedën me Salah Hammad, patëm rastin që këtij skulptori të madh t’i bëjmë edhe një pyetje tjetër: “Ku vendosen zakonisht vepra të tilla dhe a mund të vendosen ato në rrugë siç ka ndodhur në Korçë?” Përgjigjja e tij na la sërish të befasuar. “Këtë gjë nuk e kam parë në asnjë vend tjetër të botës-tha ai. Skulpturat vendosen nëpër parqe, sheshe, lulishte, ku njerëzit shkojnë për t’u çlodhur, atje gjejnë edhe mundësinë e soditjes, por kurrsesi në rrugë, pasi ato në vende të tilla humbasin vlerat e tyre. Një vepër arti, siç është skulptura në rastin tonë, ka nevojë për hapësirë. Nëse mendohet të vihen në rrugë apo trotuar, atëherë duhet menduar edhe për hapësirën e nevojshme që kërkojnë ato. Gjithsesi, vendosjen e skulpturave në trotuar po e e shoh vetëm në Korçë”. Shpjegimi i Ahmmadit ishte i drejtë. Nëse “dryni” i tij do të vendosej në grumbullin e skulpturave të tjera mbi trotuar, atëherë ashtu si gjithë skulpturat e vendosura aty, edhe dryni i Hammad-it do të humbiste vlerat reale. Madje Kjo vepër i bën mirë Korçës ta vendosë në një shesh të madh
Dëmtimi i skulpturave
Skulptori egjiptian, Salah Hammad gjatë bisedës tonë u ndal edhe te dëmtimi i skulpturave nga vetë banorët e Korçës. Ai ndjente keqardhje ndaj akteve të tilla barbare. Nuk mund ta kuptonte dot një gjë të tillë. Në një vend normal ka vlerësim dhe nderim për artin dhe njerëzit e artit. Dhe e vërteta kështu është. Deri më sot ndodhi të tilla kanë mbetur të pashpjegueshme. Autorët ende nuk dihet cilët janë. Ata sërish do të dalin të thyejnë skulptura, por tashmë duket se e kemi një përgjigje: a nuk është ndrydhja e njerëzve të këtij qyteti, ajo që i nxit ata të hakmerren me skulpturat, siç bënin dikur njerëzit me makinat? A nuk vërehet çdo ditë padrejtësia në punësim, ku njerëzit në këtë qytet janë të ndarë në të nënës dhe të njerkës? Ndoshta është e çuditshmë, por do të mbetet përjetësisht e vërtetë: skulptorit egjiptian ndrydhja e qytetit i kishte rënë në sy që në çastin e parë, dhe ndrydhejn e këtij qyteti ai e shndërroi në një monument të madh e të rëndë, në një dryn. Në përfundim të bisdës, skulptori Hammad, falenderoi Genti Tavanxhiun për ftesën që i kishte drejtuar për të marrë pjesë në “Skulptura e parkut” 2015. “Tavanxhiu është një artist i zoti”- tha, Salah Hammad. Ishte kjo ftese që bëri të mundur zbulimin e të fshehtave të Korçës nëpërmjet syrit të një artisti