• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNË TEREZA PERSONIFIKON ASPEKTET MË TË MIRA TË NJERËZIMIT`

December 21, 2018 by dgreca

 

(Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit midis njerëzve)

Nga Frank Shkreli

Në Vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) ka miratuar një rezolutë përmes së cilës identifikohet solidariteti njerëzor si një prej vlerave më themelore dhe të përgjithshme që duhet të përcaktojë marrëdhëniet midis njerëzve në shekullin 21.  Njëkohësisht, në nderim të solidarësisë midis njerëzve dhe popujve, u vendos që 20 dhjetori të shënohet çdo vit, si Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit njerëzor.

Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së ka krijuar gjithashtu Fondin Botëror të Solidaritetit, që funksionon prej vitit 2003 me qëllim që të luftohet varfëria dhe të promovohet zhvillimi shoqëror në vendet në zhvillim e sipër, në veçanti, në pjesët më të varfëra të shteteve të botës.  Sipas OKB-së, agjenda e organizatës botërore për realizimin e Objektivave në Mbështetje të Zhvillimit, duhet të përqëndrohet tek njerëzit, duke nënvijuar zbatimin e të drejtave të njeriut, duke përkrahur   një partneritet dhe vendosmëri globale me objektiv zhdukjen e varfërisë, urisë dhe sëmundjeve.  20 Dhjetori është pra Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit — një ditë sipas OKB-së — që kujton dhe celebron unitetin midis njerzëve pa dallim, një ditë që u kujton qeverive të respektojnë angazhimet bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe një ditë veprimesh për të inkurajuar nisma të reja për barazi midis njerëzve dhe për zhdukjen e varfërisë.

Solidariteti ose solidarësia është identifikuar në Deklaratën e Milleniumit, si një cilësi humanitare, si një prej vlerave themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit 21, ku njerëzit që vuajnë ose që përfitojnë më së paku në një shoqëri të caktuar, meritojnë ndihmën e atyre që përfitojnë më së shumti në atë shoqëri.  Si rrjedhim, sipas OKB-së, përballë globalizimit dhe sfidave që vinë si pasojë e pa barazisë në rritje e sipër — në vende të ndryshme dhe në botë në përgjithësi – forcimi i solidarësisë ndërkombëtare, por edhe nivelin ndër-njerëzor, është i pazëvendësueshëm, nqëoftse bota është serioze për zhdukjen e varfërisë dhe pabarazisë në botë.

Në shumë shoqëri, fatkeqsisht, ndoshta mund të themi edhe për shoqërinë shqiptare, ka shumë raste dhe situata ku pabarazia, varfëria dhe padrejtësitë e lloj-llojshme, janë shënja jo vetëm të një mungese, thellësisht jo vëllazërore, por ato tregojnë edhe një mungesë të kulturës së solidarsisë me njëri tjetrin, e sidomos me ata, të cilët Nënë Tereza i ka cilësuar si më të varfërit e të varfërve të shoqërisë.

Gjatë historisë së njerëzimit, jo se nuk ka patur raste ku individë të caktuar nga kombe të ndryshme nuk kanë dhënë kontribut dhe shembëlla solidarsie ndaj të tjerërve, madje edhe nën rrethana shumë të vështira.  Por. besoj se në krye të kësaj liste, të njerëzve pra, që kanë dhënë kontributin më të madh dhe shembullin më të mirë të solidarisisë ndaj të tjerëve, sidomos atyre më në nevojë – mund të vendosim Nënën dhe Motrën tonë shqiptare, Shënjtëreshën Nënë Terezën, e njohur dhe e pranuar botërisht, si një shembull heroik i dashurisë për të tjerët dhe i solidarësisë, me të tjerët dhe ndajë më të harruarve të kësaj bote, pa dallim feje, krahine, kulture as enticiteti.  “Dashuria nuk ka asnjë kuptim, nëqoftse nuk ndahet me të tjerët”, ka thënë Nënë Tereza dhe ka shtuar se, “Dashuria duhet të vihet në veprim” — dashuria për njerëzimin, për njëri tjetrin dhe për më të varfërit e shoqërisë”, është shprehur ajo.

Në një deklaratë të fortë, lëshuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta kujtoi në këtë ditë, fjalët e Nënë Terezës, ndërsa thekësoi se, “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, ne kujtojmë porositë e Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar e botëror të humanizmit e solidaritetit, për të qenë pranë njëri-tjetrit, në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe në gëzime, pranë kujtdo që ka nevojë për ndihmë e përkujdesje, veçanërisht në krah të fëmijëve e të rinjve, të vetmuarve, njerëzve në nevojë dhe të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim”, është shprehur Presidenti Meta, në mesaszhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidarsisë.

Më heret këtë muaj, një grup ekspertësh ndërkombëtarë të drejtave të njeriut në Gjenevë, i bënë një thirrje urgjente Kombeve të Bashkuara dhe shteteve anëtare të saj, që të shtojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër pabarazisë ekonomike dhe diskriminimit.  Ekspertët e OKB-së theksuan nevojën kritike për të promovuar zhvillimin e shoqërive anë e mbanë botës, me qëllim për të pakësuar faktorët që kontribojnë në fushën e pabarazisë dhe njëkohsisht për të shtuar dhe për të përmirësuar mundësitë për zhvillim ekonomik mbrenda vet vendeve, por edhe midis shteteve të ndryshme.  “Pabarazia dhe diskriminimet janë disa prej sfidave kryesore me të cilat përballet sot bota.   Ato, jo vetëm përbëjnë pengesa për të siguruar të drejtën individuale për zhvillim, por këto pa drejtësi, përbëjnë njëkohsisht edhe kërcënime të mëdha ndaj paqës, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.  Këta dy faktorë janë shkaktarët kryesorë të imigracionit.”, kanë theksuar ekspertët ndërkombëtarë.

Ata citojnë gjithashtu Deklaratën e Drejtës për Zvillim të OKB-së, sipas të cilës pabarazia, domosdoshmërisht, minon të drejtat e njeriut. Deklarata në fjalë bën thirrje për një zhvillim më të barabart në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, për të siguruar kështu edhe shpërndarjen e ndihmave shoqërore dhe përfitimeve që vijnë nga zhvillimi, duke pasur parasyshë që të gjithëve, pa dallim, t’u jepet mundësia e barabart në fusha të të ndryshme të zhvillimit, si në arsim, në shërbimet mjekësore dhe për ushqim dhe strehim.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor na kujton se përgjegjësitë — për një solidaritet më të madh midis njerëzve dhe për një zhvillim dhe për të drejta të barabarta për të gjithë — janë në nivel ndërkombëtar dhe u përkasin organizatave si OKB-ja dhe në nivel kombëtar jsnë përgjegjësi e qeverive të shteteve dhe qeverive të ndryshme.  Koncepti i solidaritetit është i lidhur ngusht, pra me promovimin e paqës — jo vetëm në botën e gjërë por edhe në mjedisin dhe shoqërinë ku jetojmë — në mbështetje të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në unitet, bashkim dhe dashuri vëllazërore me njeri tjetrin, sidomos në radhët e një populli të të njëjtit gjak, gjuhë e kulturë.   Nënë Tereza do të na këshillonte se, “Nëqoftse nuk kemi paqë, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit.”

Pabarazia sistemike dhe sistematike, plus diskriminimet e ndryshme shoqërore, sidomos nga pikëpamja e pabarazisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror — edhe në radhët e shqiptarëve – jo vetëm që fyen dinjitetin njerëzor, por njëkohësisht merr nepër këmbë shtetin ligjor dhe pengon realizimin e të gjitha të drejtave civile, politike, ekonomike dhe shoqërore për një pjesë dërmuese të shoqërisë shqiptare, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Zhdukja e pabarazive dhe e diskriminimeve në të gjitha fushat dhe shtresat e shoqërisë pa dallim – jo vetëm që janë të nevojshme dhe të domosdoshme por për qeveritë janë përgjegjësi të detyrueshme, moralisht dhe ligjërisht.  Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit, por edhe porosia e Nënë Terezës, e cila, si bijë e Kombit Shqiptar dhe si Nëna e botës, përfaqëson aspektet më të mira të njerëzimit dhe solidaritetit njerëzor.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkrela, Frank shkreli

PANDËSHKUESHMËRIA DHE HIPOKRIZIA POLITIKE NDAJ KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

April 29, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Radio Vatikani njoftoi dje se Papa Françesku ka autorizuar botimin e dekretit përmes të cilit shpalli të “Lum  Shërbëtorin i Hyjit, Vinçenc Prenushin, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë martirë, të vrarë ndërmjet viteve 1945-1974, gjatë regjimit komunist”.  Radio Vatikani e cilëson 27 prillin, 2016 si një, “Ditë e shënuar për Kishën dhe për mbarë popullin. 38 martirët e parë shqiptarë, vrarë gjatë komunizmit, ndërmjet viteve 1945-1974, për të cilët prej vitesh ishte hapur çështja e kanonizimit kishtar, tani njihen nga Papa dhe Selia e Shenjtë të Lum”.  

Listës së martirëve shqiptarë të vrarë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe tani të shpallur të Lum nga Papa Françesku, i prinë emri i Imzot Vinçenc Prenushit, dinjiteti kishtar i të cilit, “I kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës Shqiptare i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqsuesve të Kombit”, shkruante Profesor Dr. Arshi Pipa, një bashkvuajtës i Imzot Prenushit në burgun e Durrësit. 

Të shpejta ishin edhe reagimet e udhëheqsve të lartë të politikës shqiptare ndaj njoftimit të Vatikanit, ndërkohë që në përgjithësi e vlerësuan vendimin e Papës për të dekretuar martirizimin e klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare të vrarë nga komunizmi, si  “një krenari kombëtare për shqiptarët”.  Një tjetër e cilësoi këtë ditë si “një ditë historike për mbarë kombin shqiptar” dhe dekreti i Papa Françeskut u karaketerizua nga një tjetër si një, “vendosje e një drejtësie të shumëpritur për vuajtjet e klerikëve dhe për torturat që ata kaluan në ferrin komunist”.  

Krenari kombëtare për shqiptarët, ditë historike për mbarë kombin shqiptar dhe vendosje më në fund e një drejtësie të shumë pritur për klerikët e vuajtur e të vrarë të komunizmit!  Kjo është përmbledhja e reagimeve të klasës politike shqiptare që kam parë deri tani në lidhje me njoftimin e djeshëm nga Vatikani.  Shumë bukur.  Këto reagime ndaj vendimit të Vatikanit do të ishin krejt normale, të mirëpritura dhe të natyrshme për përfaqsuesit politikë të një shteti siç është Shqipëria, nëqoftse gjatë 25-viteve të fundit do të kishin bërë atë që kanë bërë të gjitha ish-shtetet komuniste të Europës Lindore, duke njohur dhe duke denoncuar zyrtarisht krimet e diktaturës komuniste. Por jo, Shqipçëria nuk e ka bërë një gjë të tillë,

Duke i shpallë të Lum klerikët e Kishës Katolike Shqiptare, Vatikani shpalosi edhe njëherë para botës vuajtjet dhe vrasjet e këtyre 38-viktimave nga regjimi komunist enverist.  Por është vet Shqipëria ajo që në mënyrëne vet duhet të kujtojë zyrtartarisht mijëra viktima të tjera të komunizmit, nga të gjitha profesionet dhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.  Kjo nuk është detyrë e Vatikanit, por  ashtu siç kanë bërë  edhe vende të tjera europiane, mund dhe duhet t’a bëj vetëm qeveria dhe shteti shqiptar, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Europës dhe të Bashkimit Europian, të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet, rezoluta të cilat bëjnë thirrje për dënimin e ish-regjimeve komuniste dhe për rivlersimin e historisë së komunizmit.   Për më tepër, anë e mbanë Europës, vendet ish-komuniste kanë caktuar data të veçanta vjetore për të kujtuar viktimat e komunizmit dhe jo vetëm në Europë por edhe në Amerikë dhe Kanada janë ndërtuar monumente në kujtim të tyre.   Ndërsa Shqipëria jonë si asnjë vend tjetër, 25-vjet pas shembjes së komunizmit, jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për të ndëshkuar krimet e komunizmit, por ka propozuar nene kushtetuese për ndalimin përgjithmonë të hetimeve të këtyre të krimeve të komunizmit.

Si rrjedhim, reagimet e politikanëve shqiptarë ndaj vendimit të Papës për të shpallur të Lum klerikët shqiptarë, nëqoftse asgjë tjetër, atëherë venë në dukje përsëri, siç ka ndodhur shpesh gjatë këtij çerek shekulli post-komunizëm në Shqipëri se dallimet — midis qëndrimeve të klasës politike shqiptare të pas 1990-ës me botën tjetër të qytetëruar, përsa i përket krimeve të komunizmit – janë ndryshime të një rendi të lartë moral, politik dhe juridik, që duket se janë të papajtueshme.

Në njërën prej reagimeve nga Tirana thuhet se me njohjen nga Vatikani të këtyre viktimave të komunizmit në Shqipëri, më në fund, drejtësia e shumë pritur ndaj tyre u rivendos.  Po nga kush u rievndos, nga Vatikani?!  Vatikani nuk ka mundësi as jurisdikcion politik as juridik që të “rivendosë” drejtësinë ndaj viktimave të komunizmit në Shqipëri.  Vatikani bëri atë që i takon për klerikët katolikë, por Papa Françesku nuk mund të merret me pandëshkueshmërinë dhe me vendosjen e drejtësisë për krimet e regjimit të Enver Hoxhës.

Këto viktima kanë qenë shqiptarë, përfaqsues të tre besimeve në Shqipëri, nga të gjitha udhët e jetës, viktima të një regjimi barbar shqiptar.   Është detyra e juaj të nderuar politikanë shqiptarë që jo vetëm për hir të historisë, por edhe të përgjegjësisë morale personale tuajen dhe të moralit njerëzor në përgjithësi, të rivendosni drejtësinë ndaj këtyre viktimave dhe të denonconi dhe të ndëshkoni njëherë e mirë krimet e komunizmit.  Të njihni dhe të kujtoni vuajtjet dhe viktimat e shumëta të atij regjimi, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste anë e mbanë Europës.  Krimet shtetërore nevojitin një ndëshkim dhe drejtësi shtetërore!

Por jo, arroganca dhe hipokrizia politike dhe morale e kësaj klase politike që udhëheq Shqipërinë nuk pushon kurrë të habisë, ndërkohë që arrijti kulmin kohët e fundit.  Në vend që të denoncojë zyrtarisht krimet e komunizmit ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste në Europë – qeveria shqiptare si pjesë e reformës në drejtësi, propozoi pak kohë më parë, miratimin e një neni kushtetues i cili do të ndalonte përgjithmonë hetimin e krimeve të   regjimit komunist diktatorial të Enver Hoxhës.  Një përçudnim i vërtetë i fjalës “reformë” në drejtësi!  Unë nuk e kam të qartë se për çfarë krenarie kombëtare, ose për cilën ditë historike u shprehën pardje udhëheqës dhe ish-udhëheqës shqiptarë.

Kjo tregon se historia e pandëshkueshmërisë juridike dhe politike ndaj krimeve të komunizmit dhe jo vetëm, vazhdon në Shqipëri ashtu siç vazhdon edhe hipokrizia politike, kur vjen fjala për këtë periudhë të errët të kombit shqiptar.  Të gjithë viktimat e komunizmit – të gjallë e të vdekur në Shqipëri – për 25 vjetë tani presin gjithnjë që ndaj tyre të rivendoset drejtësia — jo nga Vatikani, megjithëse Papa Françesku e bëri atë që i takon me rastin e 38-viktimave të komunizmit — por presin që një gjë të tillë ta bëjë qeveria dhe shteti shqiptar.  Udhëheqsit shqiptarë të këtij çerek shekulli nuk ishin në të njëjtën faqe të historisë me pjesën tjetër të Europës dhe nuk e kutpuan ose nuk deshën ta kuptonin kurrë se, “Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar qoftë, ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, siç është shprehur Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding.

Ndëshkimi i krimeve të komunizmit në Shqipëri është pra përgjegjësi politike dhe detyrim moral i pozitës dhe opozitës së sotëme dhe të djeshme politike shqiptare ndaj të gjitha viktimave të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës.  Vetëm atëherë udhëheqsit  aktual të politikës shqiptare, me të drejtë,  do të mund të shpreheshin për një “krenari kombëtare për shqiptarët”, për një “ditë historike për mbarë kombin shqiptar” dhe për “një  vendosje më në fund të një drejtësie të shumëpritur”, për të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri.  Mijëra viktima të komunizmit shqiptar – të gjallë e të vdekur – e presin këtë ditë kur ju, zyrtarisht, do të keni kurajon morale dhe përgjegjësinë politike të ndëshkoni krimet e komunizmit dhe të kujtoni viktmat e  komunizmit. Ajo do të jetë   me të vërtetë një ditë krenarie kombëtare për shqiptarët dhe ditë historike për mbarë kombin shqiptar dhe ditë drejtësie e shumë pritur për të gjitha viktimat e regjimit enverist.  Me njoftimin e vet, Vatikani e bëri 27 prillin 2016 një ditë të shënuar në historinë e Kishës dhe të popullit shqiptar.  Presim që edhe ju të shpallni ditën historike të krenarisë kombëtare, kur Shqipëria zyrtarisht do të ndëshkojë, të denoncojë dhe të rivlersojë një ndër kapitujt më të errët të historisë së saj.  Ky do të ishte nderimi më i madh që ju mund t’i bëni vetes suaj dhe njëkohsisht edhe viktimave të sshumëta të komunizmit në Shqipëri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkrela, KRIMEVE TË KOMUNIZMIT, ndaj, PANDËSHKUESHMËRIA DHE HIPOKRIZIA, politike

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT