• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RASTI HARADINAJ: URGJENCË KOMBËTARE

January 7, 2017 by dgreca


1-frank-300x212-1
Nga Frank Shkreli/

Ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet e Francës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, është një urgjencë kombëtare.  Ndërsa Zoti Haradinaj mbahet në paraburgim në pritje të shqyrtimit të urdhër arrestit nga Franca, autoritetet shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë po bëjnë deklarata duke kritikuar/dënuar këtë akt të shëmtuar të autoriteteve franceze në bazë të një urdhër-arresti të kohës së kriminelit Millosheviç, nga autoritetet serbe.  Në rregull, dënimet kritikat dhe denoncimet e këtij akti nga udhëheqsit shqiptarë dhe nga media janë të nevojshme, jo vetëm për rastin e Ramush Haradinajt, por për cilindo shqiptar kudo qoftë, kur trajtohet në këtë mënyrë të pa drejtë.  Ramush Haradinaj kishte vizituar Francën edhe më parë dhe nuk i kishte ndodhur asgjë. Atëherë autoritetet franceze nuk e kishin parë të nevojshme arrestimin e tij.  Ramush Haradinaj është përballur, si burrat, dy herë me tribunalin ndërkombëtar dhe është gjetur i pafajshëm.   Po pse tashti arrestimi i tij? Mund të jetë një koklavitje e tmershme nga qarqe armiqësore, me pasoja të rënda për shqiptarët. 

Prandaj, duhet bërë diçka më tepër dhe përtej deklaratave zyrtare denoncuese nga faktori zyrtar shqiptar sidomos në nivelin ndërkombëtar, ndaj këtij rasti të shëmtuar.  Kjo situatë e papritur mund të këthehet me të vërtetë në një urgjencë kombëtare.   Duke marrë parasysh se nëqoftse nga ky urdhër arrest, Ramush Haradinaj — Zot ruajna — përfundon në Beograd, kjo situatë do të përbënte një urgjencë serioze kombëtare,  përfundimet e të cilës nuk mund të parashikohen dhe për të cilën autoritetet shqiptare duhet të bëjnë përgatitje paraprake.  Nëse arrihet në një urgjencë të tillë mbetet për tu parë, por është e sigurt se, nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, pasojat nuk do të jenë të mira, as për Kosovën as për Shqipërinë dhe as për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.  Deklaratat publike dhe shprehjet nepërmjet rrjetëve sociale të zyrtarëve shqiptarë, në të dy anët e kufirit, nuk mjaftojnë në këtë rast, as në raste të tjera serioze si kjo.  Sepse nëqoftse, Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi, reagimet ndaj kësaj padrejtësie kombëtare dhe mundësitë për trazira politike dhe publike janë shumë reale, sidomos në Kosovë, por edhe më gjërë.  Trazirat nuk i shërbejnë sot interesave shqiptare në Kosovë në këtë moment të historisë dhe as interesave kombëtare afat gjata dhe afat shkurtëra të shqiptarëve në përgjithësi.  Si rrjedhim, shqiptarët, pa marrë parasyshë interesat e përkohshme politike duhet të veprojnë së bashku me një mendim dhe me një qëllim, duke bashkrenduar qëndrimet dhe veprimte diplomatike midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me faktorët miqë ndërkombëtarë.

Paraburgimi i Ramush Haradinajt në Francë duhet të shqetësojë jo vetëm Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, por edhe shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo, pasi rrjedha e ngjarjeve mund të jetë e paparashikueshme dhe me pasoja të rënda.  Këtu mund të kemi të bëjmë me manipulime djallëzore të serbëve dhe miqve të tyre rusë e të tjerë, të cilat historikisht nuk duhet të jenë të panjohura për shqiptarët, megjithë pretendimet e udhëheqësve të sotëm shqiptarë, në të dy anët e kufirit, se rusët nuk na qenkan armiq të shqiptarëve dhe të Kosovës.   Deklaratave miqësore të përfaqësuesve shqiptarë, Beogradi iu përgjigj me arrestimin e Ramush Haradinajt.  Shqiptarët gjithmonë kanë kërkuar dhe kërkojnë bashkjetesë dhe paqë me fqinjtë e tyre. Ata asnjëherë nuk kanë pushtuar tokat e të tjerëve dhe as nuk ka kryer krime kundër njerzimit ndaj fqinjve të tyre.  Por, sado e dëshirueshme dhe e nevojshme që është paqa dhe harmonia ndërkombëtare midis popujve, unë nuk di se si mund të kërkosh miqësi, bashkjetesë dhe harmoni me shtete siç janë Serbia dhe Rusia, ndërkohë që ato nuk të njohin si shtet dhe as nuk kanë njohur historikisht të drejtat e shqiptarëve për të ekzistuar në trojet e vtea, ndërkohë që  gjatë krejt historisë janë përpjekur — shpesh me sukses — që të shtrijnë influencën e tyre dhe të zaptojnë tokat arbërore, ku siç thotë populli,  në ato troje ku të parët e tyre as nuk mbollën as nuk korrën.  

Prandaj duken pak të çudtishme flirtimet e fundit, të udhëheqësve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës në adresë të Beogradit dhe Moskës, si dhe shprehja e gatishmërisë së tyre për të vizituar kryeqendrat e ekspansionizmit sllav në Ballkan. Ata e kanë arsyetuar si të nevojshëm afrimin me ta sepse, ndër të tjera, shqiptarët “ishin fitues” të luftës.  Më vjen keq tu them udhëheqësve të nderuar shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, se shqiptarët nuk janë fitues, për derisa përfaqsues të shqiptarëve si Ramush Haradinaj arrestohen në mes të Europës së “qytetëruar”, me urdhër-arrest nga Serbia millosheviçiane dhe ndoshta me miratimin e heshtur të interesave ruse në Ballkan.  Dje u arrestua Ramush Haradinaj, nesër do të jetë dikush tjetër.  Fatkeqsisht, me arrestimin e Ramush Haradinajt kanë humbur të gjithë shqiptarët.  Të gjithë ne kudo, jemi të mundur e të humbur, prandaj për derisa shqiptarët, si Ramush Haradinaj arrestohen nën akuza fals, në aeroportet e Evropës, të urdhëruara nga Beogradi,  mos kini ëndërra fitoresh. Në një shkrim me titull “Arrestimi i Ramush Haradinajt: Për Kë Bien Këmbanat?”,  Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraljamëron se “Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhëtuar prej tyre!”  Natyrisht se ndërkombëtarët kanë rolin e tyre për të luajtur në Kosovë.  Por, këmbënat po bien edhe për shqiptarët se, në të vërtetë, janë shqiptarët ata që duhet të zgjohen nga kllapia, mbas sundimeve të mbrapshta prej pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe 25 vjetë post komunizëm.  Shqiptari vazhdon të kërkoj të drejtat e veta, identitetin e tij kombëtar dhe hisen që i takon në trojet stërgjyshore. Natyrrisht se shqiptarve u nevojitet miqësia e të huajve, sidomos e miqëve tradicionalë dhe historikë të kombit shqiptar, jo vetëm në përpjekjet për lirimin e Ramush Haradinajt, por gjithmonë.  Por askush, as miqtë as armiqtë, nuk do t’i marrë seriozisht shqiptarët dhe kërkesat e tyre për nëqoftse ata vazhdojnë të veprojnë si deri tani — të ndarë e të përçarë politikisht — duke mbrojtur interesat e përkohëshme personale dhe partiake, në kurriz të interesave kombëtare afat gjata të shqiptarëve.  Nga ana tjetër, si gjithmonë, serbi e rusi vazhdojnë të punojnë së bashku për interesat e veta në dëm të interesave të shqiptarëve.  I njëjti bashkim vëllazëror nevojitet midis faktorëve të ndryshëm politikë shqiptarë për të kundërshtuar planet e tyre djallëzore kundër interesave të shqiptarëve. Ky është alarmi. Kjo është këmbana që bie për shqiptarët.  Arrestimi, me urdhër të Serbisë në Francë i ish-Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt mund të jetë një shënjë ogurzezë e planeve të tyre të errëta për të ardhmen e shqiptarëve dhe të Ballkanit dhe si e tillë duhet të trajtohet si një urgjencë me përmasa kombëtare.  Nëqoftse pabesia historike e Serbisë dhe e Rusisë ndaj kombit shqiptar nuk na e ka zhvilluar deri tani sado pak ndërgjegjen tonë historiko-kombëtare, atëherë ne vazhdojmë të jetojmë në një realitet romantik mashtrues, se është e mundur që qëngji të jetojë me ujkun.  Zgjohuni shqiptarë, sepse këmbana bie edhe për ju!   Ngjarjet e papritura që mund të ndodhin, nevojitin bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe angazhimin e plotë diplomatik dhe politik të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e çdo shqiptari kudo, përfshirë edhe të drejtën dhe lirinë e ish-Kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, RASTI HARADINAJ:, URGJENCË KOMBËTARE

NË SHËRBIM TË ATDHEUT NË LUFTË DHE NË PAQË

January 5, 2017 by dgreca

   Nga Frank Shkreli/

Provë e gjallë se as sistemi politik amerikan, as zgjedhësit amerikanë dhe madje as partitë politike në Amerikë nuk paragjykojnë ndaj personave me meta fizike, të cilët mund ta shikojnë të ardhmen e tyre në shërbim të Atdheut, duke marrë pjesë në politikë.  Protagonisti i këtij shkrimi të shkurtër është Brian Mast, i cili gjatë shërbimit në Afganistan, si pjestar i ushtrisë amerikane në luftën e atjeshme, kishte humbur të dy këmbët nga një eksplodim i një bombe në anë të një rruge, shtatorin e vitit 2010.

3-brian

Në shërbim të atdheut, në kohë lufte dhe në kohë paqeje.  Mediat amerikane njoftojnë se pas një qëndrimi të gjatë në spitalin ushtarak amerikan Walter Reed në Washington, 6 vjet pas plagosjes së rëndë dhe humbjes së dy këmbëve në frontin e luftës, Brian Mast vendosi të bënte fushatë për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e nëntorit të kaluar. Pas zgjedhjeve paraprake dhe të përgjtihshme, ai u zgjodh në listën republikane si anëtar i Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, si përfaqsues i zonës elektorale numër 18 të kongresit në   shtetin Florida.  Ai mundi pesë kandidatë të Partisë Republikane në zgjedhjet paraprake dhe fitoi kundër kandidatit demokrat në zgjedjet e përgjithshme. I gatëshëm për t’i shërbyer përsëri atdheut të vet, kësaj radhe jo në frontin e luftës, por në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, si përfaqësues i popullit nga shteti Florida.

2-brian-mast2

Brian Mast u betua me 3 Janar, 2017 si anëtar i Kongresit të ri amerikan që sapo filloi nga detyra.  Kongresisti i ri amerikan i ka thënë gazetës Huffington Post se për t’u zgjedhur në Kongresin amerikan ishte një objektiv që ai kishte përcaktuar për veten e tij gjatë qëndrimit dhe shërimit në spitalin ushtarak Walter Reed në Washington, pas këshillimeve me bashkshorten dhe me babain e tij, të cilët e inkurajuan që të tejkalonte vështirsitë përballë të cilave gjëndej dhe të gjente mënyrën për të shkuar përpara me jetën e tij.  Por nuk ishte vetëm sistemi politik ose shoqëria dhe partia republikane që bëri të mundur që ai të merrte veten pas një plagosjeje kaq të rëndë dhe të fillonte një karierë krejtë ndryshe nga shërbimi ushtarak prej 12 vjetësh.  Nga të dhënat në media, është e qartë se ishte gjithashtu mbështetja nga familja e tij, nga bashkshortja dhe nga babai që ndihmuan në rekuperimin e tij dhe në vendimim e mëvonshëm për t’ju future politikës. Por mbi të gjitha ishte vullneti i tij i fortë, si dhe premtimi që u kishte dhënë familjes se do të bënte ç’mos, çdo ditë, që të përmirsonte gjëndjen e tij shëndetsore në të cilën e kishte hedhur fati dhe se nuk do të lejonte që realiteti i ri me të meta fizike t’a pengonte në realizimin e ëndërrave të tija.

Kongresisti Brian Mast thotë në faqen e tij të FB, se “Kur isha në ushtri, objektivi im në jetë ishte t’i shërbej dhe të mbroj Atdheun tonë.  Sot po fillojmë një kapitull të ri shërbimi ndaj Atdheut.  Le t’ia fillojmë punës.”  Ai është shprehur gjithashtu se pasi gjithmonë e kishte pasion mbrojtjen e Atdheut, ia mori mendja se tani pas plagosjes dhe pas shërimit, megjith pengesat fizike të mundshme, mbrojta më e mirë që mund t’i ofronte tani Atdheut do të ishte si anëtar i Kongresit, ka thënë kongresisti i ri, duke shtuar se, “Mbrojtjen e Atdheut e kam shumë, shumë për zemër. Kështu e kam kaluar jetën time dhe kështu gati e kam dhënë jetën dhe nuk dëshiroj që askush tjetër të jetë dëshmitar i dhunës që unë kam përjetuar.”

Në një video mesazh nga zyra e tij në Washington drejtuar zgjedhësve të zonës së tij elektorale në Florida, ai i falenderoi të gjithë ata që kishin votuar për të duke thënë se “Jam i nderuar për mundësinë që më kini dhënë për t’u shërbyer ju…Unë do të përpiqem që me punën time të përditshme në Kongres, t’u bindë të gjithë ju se unë isha zgjedhja më e mirë, për të shërbyer si përfaqsues i juaji në Kongres.”  Kongresisti i ri Brian Mast, përfundoi mesazhin e tij drejtuar votuesve të zonës së tij elektorale nga zyra e tij e re në ndërtesën e Kongresit, në ditën e parë të tij si përfaqsues i popullit duke thënë se, “Zyra në të cilën gjëndem tani nuk është zyra ime.  Kjo në të vërtetë, është zyra juaj. Kurdoherë që dëshironi të vini e të vizitoni zyrën tuaj, jeni të mirëseardhur.”

Poetesha amerikane Maya Angelou ka thënë se, “Guximi është më i rëndësishmi i të gjitha virtyteve sepse pa guxim nuk mund të praktikohet asnjë prej virtyteve të tjera, në mënyrë të besueshme dhe të vazhdueshme.”  

1-brian

Ne Foto: Brian Mast gjate fushatës për Kongres në zonën elektorale në Florida/

 Guximi i Kongresistit të ri amerikan Brian Mast — i cili megjithë të metat e tija fizike dhe pengesat e tjera, vendosi të përballej me një fushatë politike munduese, për të mos thënë torturuese, duke fituar më në fund garën elektorale për në Kongresin amerikan — është një virtyt që frymëzon jo vetëm amerikanët, por edhe njerzit kudo dhe u flet të gjithëve se, cilat do qofshin vështirsitë, e nesërmja do të jetë më e mirë.  Shembull guximi dhe atdhedashurie. Një frymëzim për të gjithë!

1-ok-betimi

Kongresisti Brian Mast bën betimin para Kryetarit të Dhomës së Përfaqsuesve, Paul Ryan. Foto nga portali i Brian Mast

 

                     Kongresisti Mast dorë për dorë me djalin e tij në bodrumin e Kongresit

                      

Filed Under: Featured Tagged With: DHE NË PAQË, Frank shkreli, NË LUFTË, ne Sherbim, te Atdheut

PASOJAT E TËRHEQJES AMERIKANE NGA ROLI NDËRKOMBËTAR

January 3, 2017 by dgreca

1-frank-shkreli-2-300x183  Nga Frank Shkreli/Në më pak se dy javë e gjysëm, pas dy mandateve, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama i dorëzon çelsat e Shtëpisë së Bardhë Presidentit të zgjedhur, Donald Trump.  Politika e jashtëme amerikane dhe roli i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare në përgjithësi dhe politika e jashtme e administratës së Presidentit Obama gjatë 8-viteve të fundit, në veçanti — ishte subjekt i debateve të ashpëra gjatë fushatës elektorale për president të SHBA-ave, gjatë vitit të kaluar.  Kandidati republikan, Trump ka kritikuar politikën e jashtme të administratës Obama duke thënë se roli i Amerikës në botë ka rënë dukshëm gjatë qeverisjes së Presidentit Obama, por pa dhënë hollësi se çfarë roli ndryshe do të luaj Amerika, në arenën ndërkombëtare, gjatë mandatit të tij si prresident i Shteteve të Bashkuara.  Politika e ardhëshme dhe cili do të jetë roli amerikan në botë, nën udhëheqjen e Presidentit Trump, mbetet për tu parë, megjithse ekspertë të ndryshëm të politikës së jashtëme si dhe disa antarë të Kongresit amerikan, përfshirë edhe disa senatorë të njohur republikanë, kanë kritikuar ashpër tanimë deklaratat e Donald Trump-it në lidhje me politikën e jashtme që ai mund të ndjekë, me të filluar nga detyra me 20 Janar.  Ndonëse nuk dihet se ç’drejtim do të marrë politika e jashtme amerikane dhe cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë në të ardhmen, nën drejtimin e administratës Trump – politika e jashtme e 8-viteve të kaluara të administratës Obama ka filluar të analizohet dhe rënja e rolit të Amerikës në botë — gjatë kësaj periudhe — të kritikohet nga ekspertë të politikës së jashtme dhe nga akademikë.

Njëri prej këtyre akademikëve është Profesori Robert J. Lieber i çështjeve qeveritare dhe i politikës ndërkombëtare pranë Universitetit të njohur jezuit Georgetown në Washington, autor i 16 librave mbi marrëddhëniet ndërkombëtare dhe mbi politikën e jashtme amerikane dhe këshilltar në këtë fushë pranë disa dikastereve të qeverisë amerikane.   Në librin e tij të fundit, “Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit Botëror”, botuar disa muaj më parë, Profesori Lieber konsideron se roli ndërkombëtar i Amerikës është zvogëluar dukshëm në botë gjatë 8-viteve të fundit dhe njëkohsisht mbron tezën për një rol më të fortë amerikan në botë.   Ai beson se megjith këtë rënie të rolit amerikan në botë gjatë viteve të fundit, sipas tij, heret ose vonë, Amerika do të detyrohet t’i këthehet rolit udhëheqës në botë, sepse tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga roli i saj tradicional i pothuaj 100-viteve të kaluara, do të ketë pasoja, jo vetëm për botën, por edhe për vet Amerikën dhe sigurimin kombëtar të saj.  Ai pohon se vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara, “Janë tërhequr nga roli udhëheqës historik në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërkohë që Administrata e Presidentit Obama është përpjekur të pajtojë kundërshtarët e Amerikës, ndërsa ka treguar një indiferencë ndaj aleatëve të saj.  Presidenti Obama kishte paralajmëruar mos shkeljen e ‘vijave të kuqe’ dhe pastaj s’bëri asgjë për të mos lejuar shkeljen e tyre, siç ishte rasti i përdorimit të armëve kimike nga Presidenti i Sirisë Bashar Al Assad.”   Ishte ky një rast, që sipas Profesorit Lieber, tregoi qartë të vërtetën e pakëndshme në lidhje me angazhimet e Amerikës ndaj aleatëve dhe vuri në pikëpyetje përdorimin e forcës ndaj kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara.   Administrata e Presidentit Obama, shkruan Profesori amerikan, preferonte që Shtetet e Bashkuara të luanin rolin e ‘udhëheqsit nga mbrapa’, përballë luftës katastrofale civile në Siri, përballë barbarizmave të ISIS-it në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, përballë politikave grabitqare të Rusisë në Europën Lindore dhe sjelljeve të Kinës në Azinë lindore”.

 Profesori Robert Lieber shprehet në librin e tij, “Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit Botëror”, se “Pasojat e këtij eksperimenti ‘realist’ të administraës Obama, “Kanë qenë tepër të dëmshme, kanë shkaktuar vuajtje dhe njëkohsisht kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të humbnin kredibilitetin e tyre, jo vetëm me miqtë por edhe me armiqtë e tyre.”  Megjithëkëtë, ai shkruan se “Amerika e ka mundësinë për të udhëhequr, por nëqoftse në të ardhmen ajo nuk merr përsipër luajtjen e një roli më të madh dhe më të fortë në botë, ka të ngjarë që gjëndja ndërkombëtare të bëhet edhe më e rrezikshme se ç’është tani, me kërcënime në shtim e sipër, jo vetëm ndaj stabilitetit rajonal dhe rendit ndërkombëtar por edhe me pasoja serioze për vetë interesat kombëtare të Amerikës”, thekson Profesori i Universitetit Georgetown.

Roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara në botë është unik, sipas Profesorit Robert Lieber.  Për këtë — nënvijon ai — historikisht, kanë qenë dakort si elementët liberalë ashtu edhe ata konservatorë të dy partive kryesore politike të Amerikës.  Ata, shkruan ai, mund të kenë patur ndryshime midis tyre në lidhje me mënyrën e zbatimit të këtij roli, se ku dhe si duhej të angazhoheshin Shtetet e Bashkuara ndërkombëtarisht, por ama ata gjithmonë kanë rënë dakort, ashtu siç është shprehur edhe ish-Presidenti Bill Clinton, “Amerika mbetet një vend i pazëvëndsueshëm për botën”, thekson Profesori Lieber.  Ai shkruan se në të kaluarën, Amerika “Ka shërbyer efektivisht, jo vetëm në rolin udhëheqës në botë dhe si mbështetëse dhe promovuese e demokracive liberale dhe e ekonomive të tregut, por edhe si ruajtëse dhe mbrojtëse e rregullave dhe normave të rendit ndërkombëtar.”

Profesori Lieber thekson në librin e tij të fundit, se pa një ri-angazhim të tillë ndaj rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në botë, dera mbetet e hapët për kundërshtarët e Amerikës dhe të aleatëve të sajë, që të ushtrojnë influencën e tyre, pasojat e të cilave kanë qenë tragjike, si ishte rasti i krizës në Siri dhe në Libi, pasoja këto që janë shtrirë dhe kanë prekur stabilitetin politik dhe ekonomik të Europës.   “Një Evropë stabile, e begatë dhe demokratike, historikisht, ka qenë dhe është në interesin kombëtar të Amerikës”, pohon Profesori Lieber.   “Por vështirsitë me të cilat përballet sot Evropa janë përkeqësuar nga mos vullneti i Amerikës për të ndërhyrë fillimisht në krizën e Sirisë.”    Për më tepër, në lidhje me shtetet baltike dhe me Ukrainën, shkruan Profesori Lieber, përgjigja e ngadaltë dhe jo efektive e Amerikës ndaj ndërhyrjes dhe ndaj agresionit rus, përbëjnë një   kërcënim  ndaj rendit botëror, pikërisht si përfundim i mungesës së një angazhimi të Shteteve të Bashkuara ndaj organizatave siç është aleanca NATO.

Profesori Robert Lieber bën thirrje për një politikë të jashtme më aktive nga ana e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që paralajmëron presidentin e ardhëshëm të Shteteteve të Bashkuara që t’i kushtojë një vëmendje të posaçme rëndësisë që ka kredibiliteti i udhëheqjes amerikane në botë, ndërkohë që administrata e re fillon përpilimin e politikës së ardhëshme të Shteteve të Bashkuara në fushën ndërkombëtare.  Profesori i Universitetit Georgetown, Robert Lieber përfundon duke thënë se vitet e fundit, “janë shtuar kërcënimet ndaj Amerikës dhe ndaj rendit ndërkombëtar, rend të cilin ne kemi bërë aq shumë për ta ndërtuar”, gjatë dekadave.  “Si përfundim”, shkruan ai, “Presidenti që fillon nga detyra më 20 Janar do të përballet me një detyrë të rëndë për të rivendosur aftësitë dhe kredibilitetin amerikan nga të cilat varet, jo vetëm sigurimi dhe vlerat e Amerikës, por edhe sigurimi i miqëve dhe i aleatëve tanë”.

Nga deklaratat e deri tanishme të presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe të këshilltarëve të tij të politikës së jashtme, nuk është e qartë se cila do të jetë politika e jashtme e administratës së ardhëshme dhe cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në botë gjatë mandatit të tij.  Pikëpamjet e tija mbi politikën e jashtme nuk janë të qarta dhe kjo vihet në dukje edhe nga një sondazh i kohëve të fundit nga rrjeti televiziv amerikan CBS, ku, sipas të cilit, vetëm 46 për qind e amerikanëve shprehen se besojnë që Z.Trump i ka aftësitë të menazhojë një krizë ndërkombëtare, ndërkohë që 47 thonë se besojnë në aftësitë e tija për të përdorur forcën ushtarake ku dhe kur të jetë e nevojshme.   Historikisht, sipas këtij rrjeti televiziv, sondazhi tregon se Z. Trump fillon nga një pozitë e dobët në këtë fushë.  Por është tepër heret të bëhet një vlerësim dhe mbetet për tu parë se cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare gjatë katër viteve të ardhëshme të administratës Trump.

Prandaj, në këtë periudhë pasigurie të rolit amerikan në botë, mbetet shpresa tek Kongresi i Shteteve të Bashkuara për të ruajtur sado pak një balancë në këtë fushë, për të siguruar aleatët dhe për të paralajmëruar kundërshtarët, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë ndër mendë të tërhiqen nga roli i tyre historik në botë.   Ky, në të vërtetë, ishte edhe mesazhi i tre senatorëve republikanë, John McCain, Lindsey Graham dhe Amy Klobuchar, të cilët bënë një turne në Evropë ditët e fundit, ndërsa vizituan shtetet baltike, Ukrainën dhe Gjorgjinë, me qëllim për të siguruar vendet aleate dhe partnerët se Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin ato, pa marrë parasyshë deklaratat e Donald Trump-it për Putinin dhe dyshimet që ai mund të ketë shprehur në lidhje me organizatën NATO.   Senatori veteran John McCain theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të kundërshtojnë Vladimir Putinin dhe politikat e tija agresive ndaj vendeve fqinje, ndërsa senatori Lindsey Graham u shpreh gjatë asaj vizite në Evropë se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin më shumë sanksione ekonomike kundër Rusisë putiniste.   Nepërmjet një deklarate të senatorit Graham, tre senatorët republikanë të Amerikës, u përpoqën të sigurojnë aleatët në Evropë për një rol më të fortë amerikan në politikën e jashtme duke theksuar se, “Mesazhi ynë për mbarë rajonin është se shpresojmë që në 2017-ën Amerika të bëjë më shumë.  Do të bëjë më shumë në frontin ekonomik dhe ushtarak…Ne do të bëjmë më shumë kundër Rusisë. Ata u përpoqën të ndërhyjnë në zgjedhjet tona, ata po minojnë demokracitë në mbarë rajonin.  Më shumë sanksione në sektorët energjetik dhe financiarë për t’u lënë të kuptojnë se ka arritur kulmi.”

Në librin e tij, “Tërheqja dhe Pasojat: Politika e Jashtme Amerikane dhe Problemi i Rendit Botëror” shkruan se, “Diplomacia është shumë më efektive kur mbështetet nga forca dhe nga vullneti për të përdorur forcën.”   Gjuha e forcës është e vetmja gjuhë që kuptojnë tipat e Vladimir Putinit.  Shpresojmë që Kongresi amerikan të insistojë në këtë të vërtetë dhe të rivendosë rolin amerikan në botë, ndërkohë që administrata e Presidentit Trump përpilon politikën e saj të jashtme dhe rolin që do të luajnë Shtetet e Bashkuara në arenën ndërkombëtare në muajt dhe vitet e ardhëshme.  Është provuar herë pas here, gjatë shekullit të kaluar, se roli i Shteteve të Bashkuara në botë nuk mund të zëvendësohet nga askush tjetër.  Shëmbulli më i mirë për këtë të vërtetë është rasti i Kosovës!

 

                                                   

Filed Under: Opinion Tagged With: amerikane, Frank shkreli, NGA ROLI NDËRKOMBËTAR, PASOJAT E TËRHEQJES

NJË URIM PËR NJË FILLIM TË RI, NË VITIN E RI

December 28, 2016 by dgreca

1-frank-300x212Nga Frank Shkreli/Ja po afrohet Viti i Ri.  Një Vit i Ri, një Fillim i Ri. Një Vit i Ri prej të cilit të gjithë ne shpresojmë dhe presim realizimin e objektivave dhe ëndërrave të pa realizuara deri tashti, një Vit i Ri i mundësive të reja, i ndryshimeve pozitive për ne, si individë dhe si shoqëri, si institucione qeveritare dhe shtetërore, por edhe për botën në përgjithësi.  Një vit i shpresave, se në mos të gjitha gjërat, atëherë të pakën disa prej tyre do të ndryshojnë për më mirë, si në jetën tonë private dhe familjare ashtu edhe në mjedisin shoqëror e politik ku jetojmë.

Është thënë se Viti i Ri nuk është vetëm një ndryshim datash e vitesh, por është një rast për ndryshim drejtimesh, qellimesh e objektivash të reja me një angazhim serioz për realizimin e tyre.  Në 25-vitet e fundit pas shëmbjes së komunizmit dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës, që më në fund çoi në pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur, shpresohej se antagonizmat, përçarjet, grindjet dhe ndasitë politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të tyre shekullore, kryesisht si rrjedhim i regjimit komunist nën të cilin — megjithse në shtete të ndryshme – shqiptarët jetuan për një gjysëm shekulli, do të merrnin fund. Ishte një fillim që shpresohej të ishte i një rendi të ri shoqëror e politik për Europën dhe për shqiptarët në veçanti.  Madje, fillimi i shekullit 21 u shikua me aq optimizëm sa që u konsiderua se ky, më në fund, do të ishte “shekulli i shqiptarëve”.

Shqiptarët, ndonse të shpërndarë në në pesë shtete, janë një komb, kanë një gjuhë dhe një histori, janë vëllëzër e motra të një gjaku.  Megjithkëtë, fatkeqsisht, historia dhe shpresat e fillim shekullit 21 kanë ndeshë përsëri në një numër trysnishë, kryesisht politike si rrjedhim i antagonizmave dhe përçarjeve midis partive të ndryshme, sa që edhe për optimistin më të madh, vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtij çerek shekulli për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar me njëri tjetrin.  Ishin këto 25-vjetë post-komunizëm që fatkeqsisht u dalluan nga mungesa e tolerancës politike dhe shoqërore ndaj njëri tjetri, pothuaj në të gjitha nivelet e shoqërisë, e sidomos në radhët e partive politike dhe të qeverive të drejtuara prej tyre.

Rezultatet e kësaj politike shkatërruese kombëtare, besoj se sot shihen nga të gjithë.  Prandaj, si rrjedhim, 25 vjetë pas rënjes së Murit të Berlinit dhe me Kosovën e pavarur, ka ardhur koha që vullnet mirët dhe atdhetarët e vërtetë të konsiderojnë një fillim të ri politik dhe shoqëror, të vendosin për një angazhim serioz, për një harmoni me të vërtetë vëllazërore atdhetarizmi me njëri tjetrin, me gjithë ndryshimet  dhe pikpamjet politike që mund të ekzistojnë midis tyre.

Urojmë pra që Viti i Ri në prak të cilit gjëndemi, të shërbejë si një rast për një fillim të ri, si një rast që në Vitin e Ri, shqiptari të mos përjashtojë shqiptarin, vetëm e vetëm se tjetri ka pikëpamje të ndryshme politike.  Por të punojnë së bashku për dashurinë ndajë Shqipërisë dhe për hir të përparimit ekonomik dhe politik të mbarë kombit shqiptar.  Për më tepër, siç ka shkruar At Anton Harapi, nëqoftse e duam Shqipërinë dhe fatin e mirë të shqiptarëve, atëherë të zotohen se për të mirën e përbashkët do,  “Të punojmë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllëzërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar…Paçim të vëretën udhëheqse, dashuria të na mbajë ngahera.”

Ky pra është urimi im për Vitin e Ri — por besoj se edhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve kudo – që shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare në veçanti të dëgjojë zërin e arsyes dhe tu tregojnë “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” (At Anton Harapi).  

Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, në trojet e veta. Fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Mos të humbet rasti që shqiptarëve tu jepet arsye që të qëndrojnë në trojet e veta dhe që të kenë besim në një Shqipëri e Kosovë demokratike ku të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe të mos  marrin rrugët e botës, vetëm e vetëm sepse klasa politike me ndasitë dhe me përçarjet midis veti, po bjerrë aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë në shtëpitë e tyre.

Është ky një urim për një Fillim të Ri, në Vitin e Ri!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NË VITIN E RI, NJË URIM PËR NJË FILLIM TË RI

MIKU I SHQIPTAREVE, ISH KONGRESISTI BEN GILMAN NDËRROI JETË

December 18, 2016 by dgreca

1-gilman_benjamin1

Ne Foto:Ne Foto:Benjamin Gilman, lindi nePoughkeepsie, NY me 6 Dhjetor 1922- nderroi jete me 17 Dhjetor 2016 ne Catle Point Veteran’s Hospital/

Nga Frank Shkreli/Ish Kongresisti amerikan i Partisë Republikane nga shteti i New Yorku-ut, Ben Gilman ndërroi jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare në spitalin e veteranëve Castle Point në Wappingers Falls të New Yorkut, nja 70 kilometra në veri të qytetit New York. Bashkshortja e tij i tha medias se ai vdiq ashtu siç kishte jetuar: në paqë.

Kongresisti Gilman nuk ishte vetëm  një institucion politik i zonës Hudson Valley dhe i shtetit të New Yorkut por edhe një zë i fuqishëm në Kongresin amerikan në Washington, ku shërbeu për 30-vjetë.  Si legjislator, Ben Gilman njihej si ekspert i punëve të jashtme dhe gjatë gjithë karierës së tij u shqua me veprimtarinë e gjithanshme dhe të palodhshme si mbrojtës i vendosur i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.   Si anëtar i Kongresit dhe si kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënje Ndërkombëtare nga viti 1995-2000, Ben Gilman, përveç shërbimeve të zakonshme dhe tradicionale për zgjedhësit e tij në lagjën elektorale të Hudson Valley-t në New York që ai përfaqsonte, ish-kongresisti republikan i dedikoi një pjesë të madhe të veprimtarisë dhe të jetës së tij politike, çështjeve ndërkombëtare, sidomos mbrojtjes së të drejtave të njeriut kudo.  

Dikush mund të thotë po ç’na duhet të dimë se paska ndërruar jetë një ish-kongresist amerikan, tepër larg në hapësirë dhe jashtë interesimit për ne, kemi hallet tona.  Por, si një individ, si një shqiptaro-amerikan, por edhe si dëshmitarë i veprimatrisë së shumë kongresistve amerikanë në mbrojtje të shqiptarëve e sidomos në mbështetje të Kosovës, në kohën më të vështirë të saj, përfshirë Ben Gilmanin, unë e ndjejë për detyrë, që të pakën shkurtimisht me dy tre fjalë në shënjë respekti nderimi, mirnjohjeje dhe falendrimi ta shënoj vdekjen e këtij kongresisti amerikan të madh për shqiptarët.  Ben Gilman i përkiste një gjenerate politikanësh amerikanë të 4-5 dekadave të kaluara, që për arsye moshe fatkeqsisht po zhduken një nga një, por të cilët mbrojtën të drejtat e njeriut dhe liritë bazë, edhe për shqiptarët e të cilët sidomos treguan gjatë pothuaj 45 viteve të fundit, një mbështetje të fortë për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve të Kosovës, pa ndihmën e të cilëve — në nivel kombëtar të politikës amerikane dhe në nivelin e politikës ndërkombëtare —  aktualiteti i shqiptarëve sot në Ballkan nuk do të ishte ai që është sot, përfshirë edhe pavarësinë e shtetit të kosovës. Kjo është arsyeja që e ndjejë si obligim të pakën të kujtojmë në raste të tilla miqtë e shqiptarëve si Ben Gilman kur largohen nga kjo botë, për faktin se falë veprimtarisë dhe interesimit të tyre për fatin e popujve që as nuk i njihshin, ata e lanë botën tonë pak më të mirë se ç’ishte më përpara, përfshirë këtu, sidomos botën shqiptare.

Ai kishte shumë kauza që mbronte, duke filluar nga disidentët sovjetikë gjatë luftës së ftohtë, tibetasit e shtypur nga regjimi komunist kinez, promovonte zgjedhjet e lira anë e mbanë botës e tjera kauza në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë së popujve. Por një kauzë me rëndësi të cilën e kishte tepër për zemër dhe të cilën ai e mbrojti vendosmërisht me fjalë dhe vepra, ishte çështja e Kosovës.  Kongresisti Ben Gilman, së bashku me një numër kolegësh të tij në Kongresin amerikan, nga të dy partitë kryesore politike -demokratë e republikanë — ishte sponsorizues i rezolutave të shumta në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, në mbrojtje të lirisë dhe të pavarsisë së Kosovës, madje edhe duke bërë thrirje për njohjen diploamtike të Republikës së Kosovës, duke filluar nga viti 1992 dhe më heret.

Ai doli në pension në vitin 2003.  Pas një kariere të gjatë të përqëndruar në politikën e jashtme dhe ndërkombëtare, Departamenti Amerikan i Shtetit e dekoroi ish-Kongresistin Gilman me dekoratën më të lartë të këtij enti qeveritar, me “Medaljen e Artë për Shërbim të Dalluar”, për përpjekjet e tija të vazhdueshme në mbrojtje të lirive bazë të njeriut anë e mbanë botës, puna e të cilit e bëri jetën e shumë njerëzve, në një numër vendesh të botës, më të mirë e më të kollajt se ç’ishte më përpara.

Kongresisti Ben Gilman, së bashku me shumë kolegë të tij senatorë e kongresistë mori pjesë në demonstratën ndoshta më të madhe të shqiptarëve në Washington në verën e vitit 1991, në mbështetje të lirisë për Kosovën. Demonstrata pat filluar para Shtëpisë së bardhë dhe përfundoi me një miting të madhe para Kongresit amerikan, ku përveç kongresistit Ben Gilman folën edhe anëtarë të tjerë të Kongresit dhe miqë të shqiptarëve, si Senatorët Bob Dole, Clairborne Pell, Larry Pressler, Al D’Amato, kongresistët Lantos, Porter, Broomfiled e të tjerë.

Me rastin e 10-vjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në SHBA, Kongresisti Ben Gilman i kishte dërguar kësaj organizate një letër e dates 27 Janar, 2000, në të cilën ai tregon interesimin e tij si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë. Në lidhje me Kosovën Ben Gilman shprehë kënaqsinë e tij se më në fund Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Europën Perëndimore iu përgjigjen shtypjeve  të shqiptarëve nga regjimi serb duke miratuar sulmin e parë ajror kundër një vendi që kishte abuzuar me të drejtat e njeriut. “Në Kosovë” shprehet ai, “kemi fituar luftën por nuk kemi fituar ende paqën…Ju duhet ta dini gjithmonë se gëzoni mbështetjen dhe vullnetin e mire të popullit të Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve anë e mbanë botës. Së bashku, duhet të  punojmë që të sigurojmë se e ardhmja e Kosovës të jetë paqësore dhe e begatshme”, shkruante Ben Gilman.

Në lidhje me Shqiqpërinë, ai shprehur mirënjohjen se një vendi që sipas tij, megjith kufizimet ekonomike dhe politike, iu përgjegj krizës humanitare me vendosmëri dhe bujari. Nuk mund ta harrojmë Shqipërinë dhe nevojën e saj, ka thënë Gilman, për të qenë e angazhuar me ne dhe me popullin tonë.   Më në fund, ai ka thënë se përgjëgjësia për një të ardhëme më të mirë për Kosovën është në dorë të popullit të atij vendi, por njëkohsisht ai premton se ai dhe kolegët e tij në Kongres nuk do ta harrojnë Kosovën, por do të vazhdojnë të shqyrtojnë ecurinë e punëve në atë vend gjatë viteve në vijim. Kongresmeni Ben Gilman e përfundon letrën me urimin: “Rrofshin Shqiptarët!”

Miku i Shqiptarëve, ish Kongresisti Ben Gilman, Kryetar i Komisionit të Kongresit për Marrëdhënje të Jashtme gjatë 1990-ave dhe i cili shërbeu gjatë administratave të 7 presidentëve amerikanë gjatë një mandati 30-vjeçar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë të shtunën në moshën 94-vjeçare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ben Gilman, Frank shkreli, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT