• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË MOS TURBULLOHET POLITIKA AMERIKANE NDAJ KOMBIT SHQIPTAR

November 12, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

  Për ne shqiptarët që jetojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si shtetas amerikanë me të drejtë vote, siç e kam theksuar edhe më parë, është jetike dhe  e doemosdoshme që të jemi të angazhohemi me të gjitha fuqitë tona në procesin politik amerikan duke përkrahur kandidatët dhe partitë e ndryshme në nivele zgjedhjesh vendore, shtetërore dhe federale.Ka shënja të mira dhe inkurajuese se brezi i tanishëm ka filluar të bëjë një gjë të tillë.Të gjithë jemi krenar për fitoren e Z. Mark Gjonajt si anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut.Presim që vitin ardhëshëm edhe Ken Biberaj, me ndihmën e pa kursyer të komunitetit shqiptaro-amerikan, të fitojë edhe ai në zgjedhjet për anëtar të Këshillit të qytetit të Nju Jorkut.Këtu në Amerikë, ne shqiptarët shtetas amerikanë  me të drejtë vote — cilës do parti që t’i përkasim — duhet të përkrahim kandidatët shqiptaro-amerikanë, pa marrë parasyshë nëse ata janë demokratë apo republikanë. Besoj se këjo ndodhi në rastin e kandidimit dhe të fitores historike të asamblistit Mark Gjonajt.Bashkimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në fushatën e tij është për t’u admiruar. Shpresoj që ky angazhim dhe entuziazëm të tregohet edhe për fushatën e Ken Biberaj për anëtar të Këshillit të qytetit të Nju Jorkut, vitin që vjen.

     Është e natyrshme dhe detyrë civileqë neshqiptaro-amerikanët, qofshim republikanë ose demokratë të përkrahim, të kontribojmë dhe të bëjmë fushatë për kandidatin e partisë që i përkasim.  Por besoj se si komunitet, në nivel kombëtar të politikës amerikane, nuk duhet të tregohemi të njëanshëm, pasi në atë nivel përpilohet politika e jashtëme dhe si rrjedhim edhe politika amerikane karshi kombit shqiptar.  Dhe këjo politikë, megjithë debatet diskutimet shpesh të ashpëra dhe kritikat, më në fund, në interes të sigurimit kombëtar amerikan përkrahet nga të dy partitë.

          Para dhe pas zgjedhjeve amerikane  për president javën që kaloi, një numër komentuesish dhe analistësh sidmos në Kosovë, por edhe në Shqipëri, edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshirë edhe diasporën, madje edhe këtu në Amerikë,  ”hodhën votën” e tyre dhe bënë thirrje në mënyrë të njëanëshme që — komuniteti shqiptaro-amerikan — në garën për president të përkrahte Presidentin Obama dhe kandidatët demokratë në përgjithësi, me arsyetimin se kinse presidenti Obama dhe Partia e tij Demokrate na qenkan të vetmit përkrahës të Kosovës dhe të interesave të kombit shqiptar në përgjithësi.

           Është e vërtetë se nën-presidenti Xho Bajden dhe Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton (që për vizitën historike të sajë në Tiranë dhe Prishtinë shkrova një artikull pak më parë), janë njohës të mirë të çështjeve shqiptare dhe përkrahës të të drejtave të shqiptarëve dhe dy shteteve shqiptare në Ballkan. Por Presidenti Barak Obama nuk i mori këta në kabinetin e tij katër vjetë më parë vetëm e vetëm se ishin njohës të çeshtjeve shqiptare.Dyshoj shumë nëse kandidati Barak Obama, katër vjetë më parë, dinte gjë në lidhje me Shqipërinë e shqiptarët ose për problemet e Kosovës.Edhe po të dinte gjë në atë kohë, jam i sigurt se njohuritë e tija duhet të kenë qenë të influencuara nga komuniteti nacionalistserb në Çikago të shtetit Illinois me në krye ish-governatorin Blagojeviç, tani në burg i akuzuar për përpjekjet e tija për të ”shitur” karrigën e ish-senatorit Barak Obama, kur ky u zgjodh president.

Sidoqoftë, administrata e Presidentit Obama ka vazhduar politikën e favorshme amerikane, të përkrahur historikisht nga të dy partitë kryesore të këtij vendi, karshi Kosovës dhe Shqipërisë. Këjo nuk mund të ndodhte ndryshe dhe nuk është aspak në dyshim.Por ajo që më habiti ishte euforia e papërmbajtur dhe e njëanshme me ketë rast nga analistë e komentues në lidhje me zgjedhjet e fundit në Amerikë.

Edhe kandidati republikan për president Mit Romni, siç vuri në dukje edhe Ruben Avxhiu në një artikull të gazetës Illyria në Nju Jork, ka një histori personale me shqiptarët në Amerikë dhe gjatë fushatës zhvilloi kontakte të shumëta me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Ruben Avxhiu pasqyroi si asnjë komentues ose analist tjetër rolin dhe pjesmarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në zgjedhjet e fundit, në mënyrë të balancuar, duke pasqyruar përkrahjen e komunitetit  si për presidentin Obama ashtu edhe për kandidatin republikan guvernatorin Romni, pasi të dy kishin përkrahje në komunitet dhe këjo është tradicionale por për më tepër e doemosdoshme, një fakt ky që komunuteti e di shumë mirë.

Ajo që më habiti ishte euforia e papërmbajtur dhe e njëanshme me ketë rast nga disa analistë e komentues në trojet shqiptare në Ballkan në lidhje me zgjedhjet e fundit në Amerikë, duke e cilësuar fitoren e presidentit Obama si të preferueshme për interesat shqiptare. Madje kishte raste ku fitorja e presidentit Obama në Amerikë u interpretua si një shënjë e fitoreve të ardhëshme nga forcat e majta në Shqipëri. Çfarë absurditeti!  Politika e majtë e presidentit Obama, nëqoftse mund të quhet e tillë nuk ka aspak të bëjë me lëvizjet e majta kudo, e aq më pak në Shqipëri e Kosovë, pasi Obama i “majtë’’ sot, mund të bëhet Obama i qendrës nesër, siç pat bërë ish-presidenti Bill Klinton në mandatin e tij të dytë.

Veteranët  e komunitetit shqiptaro-amerikanë dhe mirë të informuarit e dinë se përkrahja për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe në të gjitha trojet  shqiptare gjatë viteve, nuk ishte dhe nuk është karakteristikë  e politikës së një partie ose e një kandidati amerikan, por gëzonte dhe gëzon mbështetje nga të dy partitë kryesore politike dhe përfaqesuesit e tyre  në Kongres, në Senat dhe në degën ekzekutive të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Këjo është arritur me punë, djersë dhe harxhime të mëdha nga komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë dekadave dhe është një thesar që duhet të ruhet dhe të kultivohet.

Duke filluar nga vitet ’70 dhe ’80, por edhe më heret, komuniteti shqiptaro-amerikan ka punuar në mbështetje të çështjet kombëtare me përfaqsues republikanë e demokratë, duke e ditur se ishte e nevojshme ndihma e të dy partive politike.   Ndër përkrahësit e të drejtave të shqiptarëve gjatë dekadave janë dalluar një numër kongresistësh, senatorësh, guvernatorësh dhe politikanë të tjerë federalë të të dy partive.  Mjafton të përmendim vetëm disa prej tyre, sa për ilustrim.  Senatori Robert Dole, republikan; senatori Claiborne Pell demokrat; kongresisti Elliot Engel, demokrat; kongresisti Ben Gilman, republikan; Tom Lantosh, demokrat, William Brumfield, republikan, kongresisti me origjinë arbëreshe, Joe Dioguardi, republikan, e shumë e shumë të tjerë.Zëri i tyre, pa dallim partie, trumbetonte në sallat e Kongresit amerikan gjatë sesjoneve të komisioneve të ndryshme në mbështetje të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre.Lista do të ishte tepër e gjatë për t’i përmendur të gjithë, porfirmat e këtyre ligjvenësve dhe shumë kolegëve të tyre demokratë e republikanë gjënden në rezolutat e shumëta në përkrahje të shqiptarëve, të miratuara nga Kongresi amerikan, në letra e apele drejtuar presidentëve të Amerikës dhe udhëheqësve botërorë, Stejt Departmentit,  Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të drejtave të njeriut dhe njerëzve të interesuar anë e mbanë botës.

Ishte presidenti amerikan Woodrow Wilson, demokrat që përkrahu pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar.Ishte presidenti Ronald Reagan, republikan i cili vuri në lëvizje forcat që çuan në rrëzimin e Murit të Berlinit.Ishte Presidenti  George Bush i vjetër, republikan i cili i tregoi Millosheviçit vijën e kuqe të zjarrit në Kosovë. Ishte presidenti Bill Clinton, demokrat i cili kur Millosheviqi shkeli vijën e kuqe urdhëroi bombardimin e Serbisë për të shpëtuar racën shqiptare.   Dhe më në fund ishte presidenti Gerge W. Bush, i ri, republikan i cili njoftoi nga kryeqyteti shqiptar në Tiranë, njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës.  Komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetdijshëm për këtë realitet dhe si të tillë e ruan këtë realitet si sytë e ballit.

Kështuqë, të nderuar komentues dhe analistë shqiptarë kudo, mosi turbulloni ujërat e politikës  historikisht pro-shqiptare amerikane, nga të dy partitë e këtij vendi, duke u munduar të paraqisni njërin kandidat ose njërën parti më të favorshme karshi interesave shqiptare, sepse nuk është e vërtetë.  Një gjë e tillë rrezikon interesat afatgjatë të kombit shqiptar, miqësinë shqiptaro-amerikane dhe kënaqë armiqët e tij në rajon dhe gjetiu.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kombi Shqiptar, politika amerikane

TURQIA: VEND I RREZIKSHËM PËR GAZETARËT

November 5, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komisioni Për Mbrojtjen e Gazetarëve  me qendër në Nju Jork, botoi kohët e fundit një raport prej 53 faqesh në të cilin vë në dukje ”persekutimet e gjithanshme kriminale si dhe burgosjet e gazetarëve, përfshirë edhe perdorimin nga ana e qeverisë, të lloj lloj forma presionesh, për të detyruar krijimin e një atmosfere të vetcensurimit nga ana e gazetarëve.”   Shkurt, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve,  thotë se kufizimi i ”Lirisë së shtypit në Turqi ka arritur një nivel krize.”   Raporti akuzon qeverinë e Kryeminstrit turk Rexhep Taip Erdogan se ”ka ndërmarrë masat më të egëra në botë kundër lirisë së shtypit, që mbahen mend në kohët e fundit”.

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve akuzon autoritete turke se kanë ”burgosur gazetarë në masë me akuza terrorizmi ose për veprimtari anti-shtetërore dhe se kanë filluar me mijëra procedime ligjore me akuza të ndryshme kundër gazetarëve.    Rapoti vazhdon duke thënë se vet kryeministri Erdogan ka kritikuar publikisht gazetarët dhe u ka bërë thirrje pronarëve të mediave të ndryshme që të disiplinojnë, ose madje edhe të pushojnë nga puna gazetarët që kritikojnë qeverinë.

Duke reagur ndaj raportit, autoritetet turke kanë thënë se vlerësimet e pavarura – siç është raporti në fjalë — të problemeve të lirisë së shtypit në vend, janë të ekzagjeruara.    Autoritetet qeveritare kundërshtojnë numërin e arrestuar të gazetarëve duke thënë se shumica e atyre që janë të burgosur mbahen për krime serioze dhe se nuk kanë të bëjnë aspak me gazetarinë.    Ministri turk i Drejtësisë, Z. Sadullah Ergin, në përgjigje ndaj raportit tha se ”Turqia po përpiqet të krijojë një balancë midis nevojës për të ndaluar lavdërimin e dhunës dhe propagandën e terrorizmit, me nevojën për zgjërimin e lirisë e fjalës. ”

 

Mirëpo, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia është vendi numër një në botë për arrestimin e gazetarëve duke nënvijuar se në përgjithësi Ankaraja  ka arrestuar më shumë gazetarë se Kina, Irani dhe Eritrea së bashku, vende këto që cilësohen si shtetet më shtypse në botë ndaj gazetarëve dhe lirisë së medias.   Raporti mbi lirinë e medias në Turqi  identifikon 76 gazetarë të arrestuar deri në muajin Gusht të këtij viti —    që sipas raportit është numëri më i madh i gazetarëve të arrestuar në dhjetë vitet e fundit — dhe thotë se pas një shqyrtimi të secilit rast, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, ka ardhur në përfundimin se 61 prej këtyre gazetarëve janë arrestuar për arsye të botimeve të tyre ose si rrjedhim i punës së tyre gazetareske.   Sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 30 për qind e gazetarëve të arressstuar në Turqi, janë të akuzuar për komplot me qëllim për të rrëzuar qeverinë.   Ndërsa të tjerët janë kryesisht gazetarë e korrespondentë të minoritetit kurd, të cilët janë arrestuar nën akuzat se kanë mbështetur terrorizmin.

 

Qeveria turke e Kryeministrit Erdogan ka filluar bisedimet për antarësim në Bashkimin Evropian ç’prej vitit 2005 dhe krenohet me zgjërimin e demokracisë në vend, por raporti nënvijon shqetsimet serioze të orgnanizatës  në lidhje me mos tolerancën e qeverisë turke ndaj kritikave në shtyp.

Në një letër bashkangjitur raportit,  Drejtori Ekzekutiv i Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve,  Z. Xhoel Sajmën i bëri thirrje kryeministrit Erdogan që “të ndalojë sulmet e tij kundër shtypit  dhe të sigurojë drejtësi për gazetarët, ndërsa në të njëjtën kohë, të ndërmarrë reforma dhe të garantojë lirinë e të shprehurit.’’  Në një raport të botuar në fillim të Tetorit, edhe Komisioni Evropian ka shprehur  “shqetsime serioze’’, në lidhje me numërin e të arrestuarëve  për mungesë të lirisë së të shprehurit në Turqi. Edhe nga mbrenda Turqisë ndëgjohen zëra kritike ndaj politikës së qeverisë së Erdoganit ndaj kufizimit të fjalës  së lirë dhe arrestimit të gazetarëve që ushtrojnë këtë të drejtë universale.   Nën-kryetari i Partisë Republikane Popullore turke në opozitë, Z. Erdogan Toprak, sipas gazetës Milliyet, e cilësoi raportin mbi lirinë e  shtypit në atë vend si një provë se qeveria është duke u bërë më autokratike, dhe shton se qeveria, “ka ndërmarrë një operacion të madh presionesh dhe frikësimesh kundër gazetave, televizioneve, medias në përgjithësi, intelektualëve, artistëve dhe demokratëve.’’

Reagimet në lidhje me këtë raport të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve në lidhje me mungesën e lirisë së medias në Turqi kanë qenë të shumta në Shtetet e Bashkuara si edhe në Evropë.  Në një raport nga Ankaraja, gazeta Nju Jork Tajms shkruan se “Nëqoftse qeveria (turke) do të mirrte një qendrim më të arsyeshëm ndaj sigurimit kombëtar dhe të tregonte më kujdes në lidhje me kriminalizimin e kërkesave të kurdëve për më shumë të drejta, atëherë edhe gazetarët do të trajtoheshin më mirë.’’  Ankaraja, sipas gazetës Nju Jork Tajms,  “duhet të ndryshojë  kodin penal, duke e  bërë të qartë se protestat paqësore nuk përbëjnë krim.’’

Sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, si rrjedhojë e kufizimit të lirisë së fjalës, edhe marrëdhënjet e ngushta midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara – të cilat të pakën pjesërisht janë ndërtuar e zhvilluar në imazhin e Turqisë si një  vend model rajonal i demokracisë – mund të jenë në rrezik.

Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve përfundon duke i bërë thirrje Kryeministrit turk, Z.  Erdogan dhe qeverisë së tij, “që të ushtrojnë vullnetin politik duke hequr dorë nga shtypja sistemike dhe sistematike e pikëpamjeve të kundërta dhe të shpartallojnë sistemin e gjithanëshëm të vendit që është ngritur për të shtypur fjalën e lirë dhe median.’’

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, per gazetaret, Turqia, vend i rrezikshem

ROLI I AMERIKËS NË BOTË

November 1, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara javën që vjen mbahen më në fund zgjedhjet për president, duke i dhënë fund kështu një fushate të gjatë dhe të lodhëshme por edhe shumë të shtrenjtë — një fushate gjatë së cilës janë debatuar dhe diskutuar çështje dhe probleme të ndryshme me të cilat përballet vendi, kryesisht ato ekonomike, buxhetore dhe financiare.  Ndonëse punësimi, ekonomia dhe deficiti i buxhetit  federal janë çështjet që preokupojnë më së shumëti zgjedhsit amerikanë.    Por megjithse interesimi i elektoratit amerikan për politikën e jashtme është tepër i ulët, në krahasim me problemet e mbrendshme dhe ato të jetës së përditshme, debati i tretë dhe i fundit midis dy kandidatëve për president, Barak Obama dhe Mit Romni, u përqendrua kryesisht mbi vizionin e këtyre dy burrave mbi marrëdhënjet ndërkombëtare si dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë në botë.

Ndër çështjet që u diskutuan dhe të cilat tani janë të një përparësie të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane,  ishin luftërat në Irak dhe Afganistan, programi i Iranit për prodhimin e armëve bërthamore, kërcënimet terroriste  nga Lindja e Mesme, politika amerikane ndaj Kinës dhe Rusisë, si dhe roli i Shteteve të Bashkuara si supërfuqia e vetme në botë.

Gjatë debatit, siç ka bërë gjatë gjithë fushatës, kandidati republikan Mit Romni e cilësoi Presidentin Obama si të dobët dhe reagues ndaj situatave botërore dhe jo si udhëheqës i një superfuqie botërore.   Ndërsa Presidenti Obama e karakterizoi  Guvernatorin Romni si të papërgjegjshëm dhe oportunist në kritikat e tija, duke paralajmëruar se qëndrimi më agresiv i Z. Romni ndaj gjendjes në Siri dhe në Iran, mund të rrezikojë një luftë të re, ndërsa vendi po bën përpjekje për t’u  tërhiqur  nga Iraku dhe Afganistani.  Z. Romni iu përgjigj akuzave të Presidentit Obama duke i thënë atij se ”sulmet kundër meje nuk janë një agjendë” e politikës së jashtëme,  ndërkohë që Z. Obama tha se Amerika është më e sigurt se katër vjetë më parë.   Ndërsa Z. Romni e uroi presidentin Obama për vrasjen e Osama bin Ladenit, ai iu përgjigj duke thënë se ”influenca e Amerikës nuk është në asnjë vend të botës më e madhe se ç’ishte katër vjetë më parë”.

Debati u ashpërsua midis dy kandidatëve kur Z. Romni kritikoi Z. Obama për atë që ai cilësoi si ”një turne botëror për të kërkuar falje” për ato që ka bërë Amerika, duke akuzuar presidentin Obama se ai e keqkupton rolin e Amerikës në historinë botërore kur thotë se Shtetet e Bashkuara u kanë “diktuar’’ vendeve të tjera.   ”Amerika”, shtoi Zoti Romni  ”nuk ka u ka diktuar vendeve të tjera, Amerika ka çliruar vendet e tjera nga diktatorë të ndryshëm.”

Debati mbi politikën e jashtme dhe rolin që duhet të luajnë Shtetet e Bashkuara në botë për katër vjetët e ardhëshëm do të marrë fund më 6 Nëntor.   Por ama një gjë është tepër e qartë, se cilido prej këtyre dy kandidatëve që do të fitoj në zgjedhjet e javës që vjen — do e s’do — do të përballet me një mori problemesh ndërkombëtare, të cilat do të prekin jetën e përditshme të amerikanëve dhe të cilat do kërkojnë angazhimin e plotë të presidentit të ardhëshëm  amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara.   Në arenën ndërkombëtare gjithëmonë dalin në shesh probleme të pa-parashikueshme dhe krijohen situata të papritshme, të cilat kërkojnë  dhe nevojitin vëmendjen dhe ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara.   Por ndër çështjet në krye të listës që do të kërkojnë, që në ditën e parë, vëmendjen e presidentit  amerikan, cilido qoftë ai, Obama ose Romni, do të jetë natyrisht gjëndja në Afganistan dhe pyetja se ç’do të ndodhë në atë vend kur të tërhiqen forcat amerikane më 2014.   Një çështje tjetër  shqetsuese për Amerikën dhe për botën është  programi bërthamor i Iranit dhe mundësia e një sulmi izraelit për të ndaluar Iranin që të prodhojë armë bëthamore.  Çka ndodhi me të ashtuquajturën ‘pranverë arabe”  dhe quo vadis Lindja e Mesme?   Çështjet e tjera kanë të bëjnë me rivalitetet e reja dhe të vjetëra të Shteteve të Bashkuara me Kinën dhe Rusinë.   Pyetja që po bëhet tani është nëse Rusia, me politikat e Putinit, është mike apo armike e Amerikës?   Si duhet trajtuar Kina komuniste dhe roli i saj gjithnjë e më i madh në fushën ekonomike, politike dhe ushtarake, sidomos kur të merren  parasyshë kërcënimet e fundit ndaj fqinjëve të saj në rajonin Aziatik dhe të Paqësorit, përfshirë Japoninë?   Megjithë mbarimit e luftës së ftohët, si Rusia ashtu edhe Kina siç duket e kanë ndër mendë të vazhdojnë të kundërshtojnë  influencën amerikane anë e mbanë botës, ndërkohë që regjimet në Moskë dhe Pekin, keqtrajtojnë dhe arrestojnë përkrahësit e të drejtave të njeriut dhe burgosin kundështarët politikë, ndërsa në të njëjtën kohë kanë shënuar rritje të  dukshme të forcave të armatosura dhe atyre policore për të shtypur kundërshtarët politikë.

Por megjithë qëndrimet, që kandidatët për president Romni dhe Obama, pasqyruan dhe theksuan gjatë fushatës në lidhje me politikën e jashtme dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, qendrimet midis tyre, duke u bazuar sidomos në debatin e fundit që ata zhvilluan mbi politikën e jashtme, nuk dallojnë shumë nga njëri tjetri.   Mund të dallojnë nga mënyra se si i paraqitën  ata këto qendrime, por në substance mendimet e tyre janë pothuaj  identike.   Të dy kandidatët për president besojnë, siç tha edhe gazeta  Washington Post  se ”Vlerat politike dhe ekonomike të Amerikës duhet të triumfojnë në botë.”

Përputhja e qendrimeve ndodhë pjesërisht nga fakti se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara, sidomos në kohë krize, gëzon pothuaj gjithmonë përkrahjen e të dy partive kryesore politike në Amerikë, dhe në përpilimin e saj, mbi të gjitha, konsiderohet interesi kombëtar i vendit.  Si e tillë, ajo është një politikë institucionale dhe jo partiake.   Edhe këtë vit, dy kandidatët, përfaqsues të dy partive kryesore, mbi çështje të rëndësishme siç është Irani,  janë në pajtim se Teherani nuk duhet lejuar të prodhojë armë bërthamore.   Në lidhje me Afganistanin, të dy kandidatët janë dakord për tu tërhequr nga ai vend, megjithse Romni ka thënë se do të jetë më i ashpër se sa administrate e presdientit Obama në marrëdhënjet e Washingtonit me Rusinë dhe Kinën.   Romni dhe Obama gjithashtu  janë dakord për të mos ndërhyrë ushtarakisht në Siri dhe të dy thonë se ndërhyrja ushtarake në Iran do të ishte alternativa e fundit.

Në një artikull të nënshkruar  nga katër ish-sekretarë shteti (Kondolisa Rajs, Xhejms Bejker, Xhorxh Shultz dhe Henri Kisinger) ,në përkrahje të Mit Romnit, shkruajnë se “Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia më e madhe e botës, por mbi të gjitha Amerika vazhdon të jetë vendi më i pa-zëvëndsueshëm në botë – nga pikëpamja diplomatike, ushtarake dhe ekonomike.’’   Ata thonë se “Amerika  është më e mirë kur ajo merr përsipër rolin  udhëheqës në botë….. një Amerikë e cila mbetet shpresa e botës – e një bote në paqë, drejtësi dhe demokraci.’’

Shpresojmë që qoftë Barak Obama, qoftë Mit Romni, cilit do që populli amerikan t’i dorëzoj frenat e qeverisë më 6 Nëntor,  të  punojë për një Amerikë të fortë në fushën ekonomike, diplomatike dhe ushtarake, pasi një ‘’Amerikë e fortë do të thotë një botë në paqë.’’

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne Botes, Roli i Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 173
  • 174
  • 175

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT