• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SENATORI XHON KERRI, NJË MIK I SHQIPTARËVE, KANDIDATI NUMËR NJË PËR TË ZËVËNDËSUAR HILLARI KLINTON

December 16, 2012 by dgreca

      Nga Frank Shkreli/

Ditët e fundit, media amerikane është mbushur me njoftime të cilat duke cituar burime të besuehsme thonë se Presidenti Obama ka në mend të njoftojë në ditët e ardhëshme emërimin e Senatorit Xhon Kerri nga shteti Masaçusets për të zëvëndësuar Hillari Klinton në detyrën e Sekretarit të Shtetit. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, që konsiderohet të jetë më popullorja nga anëtarët e kabinetit të administratës Obama, ka njoftuar tanimë planet e saj për tu larguar nga posti më i lartë diplomatik amerikan brenda disa javëve.   Specifikisht, rrjeti i televizionit amerikan ABC citon burime të besueshme dhe të afërta me procesin e emërimit, e të cilat thonë se Presidenti Obama ka vendosur tanimë të emëroj Kryetarin e Komisionit të Senatit për Punë  të Jashtëme dhe ish-kandidatin demokrat për president, Xhon Kerri në postin më të rëndësishëm qeveritar, atë të Sekretarit të Shtetit.

      Senatori Kerri njihet si një përkrahës i vendosur i Presidentit Obama, dhe emëri i tij është përmendur si kandidat i mundëshëm, pas tërheqjes nga konsiderimi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara pranë Kombeve të Bashkuara,  Suzanë Rajs — që fillimisht preferohej nga Presdienti Obama — por e cila u kritikua ashpër nga republikanët për deklaratat që bëri pas sulmit kundër misjonit amerikan në Bengazi të Libisë, ku mbetën të vrarë katër amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Kris Stivens.

Raporte të ndryshme në mediat amerikane lënë të kuptohet se ka mundësi që Presidenti Obama të bëjë njoftimin zyrtar për emërimin e Senatorit Kerri nga mesi i kësaj jave, si pjesë e një pakoje emërimesh të larta, përfshirë edhe emërimin e ish-senatorit republikan Çuk Hejgël në krye të Pentagonit.

Senatori Kerri është i njohur mirë nga publiku amerikan falë fushatës për president të cilën e humbi kundër republikanit  Xhorxh Bush më 2004.  Në Senatin amerikan ku ka shërbyer për një kohë të gjatë, ai njihet si ekspert në punët e jashtëme, një detyrë këjo që e ka ekspozuar atë edhe ndaj ngjarjeve në arenën ndërkombëtare.   Si i tillë, dhe duke u bazuar në lidhjet e tij të ngushta me Presidentin Obama, nëqoftse emërohet, ai nuk pritet të ketë ndonjë problem në procesin e miratimit të emërimit të tij në detyrën e Sekretarit të Shtetit, madje as nga senatorët republikanë.

Për fat të mirë tonin, Senatori Xhon Kerri njihet shumë mirë edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe ai e njeh mirë jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikan, por është njohës i mirë edhe i çështjeve shqiptare në Ballkan.   Senatori Kerri, si kandidat i Partisë Demokrate për president në vitin 2004, në një njoftim për media të titulluar ‘Xhon Kerri duke punuar së bashku me Shqiptaro-Amerikanët’’, pat deklaruar se, “përkrahte Pavarësinë e Kosovës; përkrahte përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet  Euro-Atlantike; përkrahte përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi, që të kenë të drejta të barabarta si qytetarë të shoqërive demokratike’’.
Senatori Kerri me atë rast vlerësoi komunitetin shqiptaro-amerikan  duke thënë se brez pas brezi, ju “Si Amerikanë  keni ndërtuar komunitetet tona, duke krijuar mundësi ekonomike dhe begati.  Ju vlerësoni familjen, komunitetin, përgjegjësitë dhe oportunitetin.’’

Në deklaratën e tij drejtuar  shqiptaro-amerikanëve gjatë fushatës presidenciale me 2004, Senatori Kerri gjithashtu vlerëson lidhjet e ngushta të komunitetit shqiptaro-amerikan me vendlindjen dhe  thotë se “marrëdhënje të tilla e bëjnë vendin tonë të fortë  e njëherazi edhe një komb të madhërueshëm’’.  Ai shton duke thënë se lidhje të tilla  i ndihmojnë Amerikës të vendosë dhe të ndërtojë miqësi dhe të lidhë aleanca të forta.  Prandaj tha ai, “nuk është e rastit që populli shqiptar është një ndër popujt më  pro-amerikan në botë.’’

Në deklaratën e 23 Korrikut 2004, që siç duket  ishte një dokument  përmbledhës i mendimeve të tija ndaj shqiptarëve këtu në Amerikë dhe në trojet e tyre në Ballkan, thotë gjtihashtu se beson që  “stabiliteti, demokrcaia dhe begatia në Ballkan janë në interesin e Amerikës’’.  Në lidhje me Kosovën qe shprehur se “propozimet për të ndryshuar ose për t’a ndarë  atë duke u bazuar në vija etnike nuk ndihmon ndërtimin e një shoqërie multi-etnike as nuk përgatit rajonin për një të ardhme në Evropë.’’

Në fund të deklaratës, Senatori Kerri u tha shqiptaro-amerikanëve se “Jam krenar që duke punuar së bashku me ju do të realizojmë ëndrrën e Shqiptarëve, të aleatëve tanë dhe të gjithë atyre të cilët janë të interesuar  për një Evropë në paqë, demokratike, të lirë nga frika dhe shtypjet – një Evropë të tërë dhe të lirë nga Baltiku deri tek Deti i Zi ….e deri në Adriatik.’’

Megjithëse Senatori Kerri nuk ia doli të bëhej president më 2004, shpresojmë që  tetë vjetë pas kësaj deklarate shumë miqësore për Shqiptarët dhe ndërkohë që konsiderohet të emërohet si Sekretar i ardhëshëm i Shtetit nga Presidenti Obama, Senatori Kerri të ketë ruajtur këto ndjenja miqësore ndaj Shqiptarëve.  Gjithashtu shpresojmë që Senatori Xhon Kerri, nëqoftse emërohet dhe miratohet si numër një i diplomacisë amerikane, të rivendosë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

Filed Under: Opinion, Politike Tagged With: Frank shkreli, kandidat nr 1, per sekretar Shteti, Xhon Kerri

NË PRAG TË 100-VJETORIT TË DYTË

December 13, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan dhe gjithku  jetojnë shqiptarët anë e mban  botës, muajin që kaloi u festua denjësisht 100-vjetori i Pavarësisë Kombëtare, duke kujtuar me solemnitet dhe duke nderuar burrat dhe gratë të cilët kanë sakrifikuar jetën dhe kanë kontribuar me talentet e tyre për të siguruar këtë pavarësi dhe liri që gëzon dhe që festoi  kombi shqiptar.  Shekulli i parë ishte një shekull sakrificash dhe heroizmash, pushtimesh e diktaturë komuniste, me të gjitha të mirat e të këqiat, me gjithë sukseset dhe dështimet — këtë vit që po merr fund — u shënua dhe u celebrua me krenari, 100-vjetë i të qenët shqiptar.  Shekulli i kaluar dhe luftërat heroike të shqiptarëve gjatë shekujve të më parëshëm, për të realizuar më në fund këtë pavarësi 100-vjeçare, ishin tepër domethënse për kombin. Imponimet e historisë dhe të rrethanave të kohërave kombin shqiptar e kanë bërë ai që është sot, i ndarë dhe i përçarë në pesë shtete, pothuaj si asnjë popull tjetër në botë, megjithëse me shekuj jeton në një hapësirë homogjene etnike.

Por megjithë këtë histori të dhimbëshme, 100-vjetët e ardhëshëm janë ekskluzivisht në dorë të shqiptarëve për të krijuar dhe ndërtuar një të ardhëme ashtu siç e dëshirojnë vet shqiptarët, duke marrë përsipër përgjegjësitë dhe obligimet si indidvidë dhe si shoqëri, por mbi të gjitha si komb. Dhe si të tillë, duke pyetur vetveten, nëse gjëndja e sotëme në të cilën gjëndet kombi shqiptar është e pranueshme dhe nëqoftse jo, çfarë duhet bërë? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, secili ka rolin e vet për të luajtur por edhe përgjegjësitë, si anëtar i denjë i kombit të vet.

Gjergj Kastrioti — Skendërbe, Lidhja e Prizrenit, si dhe patriotët, në krye me Ismail Qemalin, të cilët 100-vjetë më parë shpallën Pavarësinë Kombëtare, kishin një vizion të qartë dhe të vendosur për të ardhmen e kombit shqiptar. Ata ishin burra të mençur, të flakët në patriotizëm dhe të përkushtuar, jo ndaj interesave personale, por ndaj parimeve të tyre kombëtare dhe dashurisë për Atdheun, që më në fund pas 500-vjetë pushtimi osman, bënë që ”Shqipëria me sot të bëhet më vete, e lirë e mosvarme”.

Ndërsa po mbyllen festimet e 100-vjetorit të parë të Pavarësisë Kombëtare dhe ndërkohë që fillon shekulli i dytë i shqiptarëve, cili është vizioni për të ardhmen e kombit që e dëshiron brezi i sotëm i shqiptarëve — ky brez i privilegjuar i cili udhëhoqi dhe me krenari mori pjesë në festimet e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë — për ta bërë Shqipërinë  dhe për ta radhitur kombin shqiptar me kombet e tjera evropiane, aty ku historia ia caktoi vendin?

Them brez i privilegjuar sepse në çerek shekullin e kaluar ky brez ishte dëshmitar dhe në shumë raste edhe pjesëmarrës në sigurimin e lirisë dhe në rivendosjen dhe zgjërimin e të drejtave dhe lirive individuale dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët kudo që janë, kurrë më parë nuk kanë gëzuar më shumë të drejta dhe liri se sot. Historia ka filluar të ndreqë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi ynë gjatë shekujsh, ashtuqë ëndërra e rilindasve të shkojë në vend. Karl Sandburg, shkrimtari dhe poeti amerikan ka thënë se asgjë nuk ndodhë, nëqoftse më së pari nuk fillon si ëndërrë. Dhe sipas Eleanor Rusvelt e ardhmja është e atyre që besojnë në bukurinë e ëndërrave të veta.  Ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar është në realizim e sipër, por është tani në dorë të këtij brezi të shqiptarëve — e sidomos të klasës politike në të gjitha trojet — që liria që gëzojnë sot shqiptarët të forcohet, të konsolidohet dhe të përjetësohet, ashtuqë ëndërra e tyre të bëhet realitet dhe të shkojë në vend amaneti i rilindasve patriotë.

Ku janë sot patriotët dhe heronjtë e kohës moderne? Fatbardhësisht, rrethanat historike sot janë të tilla, se për të qenë hero nuk është e nevojshme dhe as e detyrueshme që doemosdo duhet të japësh jetën për kauzën e lirisë ose të pavarësisë së kombit tend.   Por ama, për të konsoliduar dhe për të gëzuar lirinë e sotëme për çdo shqiptar, ashtu siç dëshironin patriotët e Shpalljes së Pavarësisë, nevojitet ndihma e Zotit dhe bashkimi me mend e me zemër me njëri tjetrin — pa dallim — për qëllime dhe ide të përbashkëta, ashtuqë të realizohet vizioni i para-ardhësve për një komb të lirë e të bashkuar.  Sepse, për ndryshe, siç kemi mësuar gjatë historisë së kombit shqiptar, armiqtë e lirisë dhe të pavarësisë së shqiptarëve, në mungesë të këtij bashkimi ideshë e qëllimi nga vet elita shqiptare, do të vazhdojnë të përdorin si gjithëherë metoda të ndryshme në interes të tyre dhe në dëm të shqiptarëve, për të manipuluar dhe shtrëmbëruar historinë e kombit shqiptar.

Nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare me ndihmën e Zotit dhe të bashkuar rreth një ideje dhe qëllimi të përbashkët, kërkuan jo vetëm lirinë dhe pavarësinë për popullin e vet por në të njëjtën kohë edhe rivendosjen e të drejtave të kombit të tyre që i ishin grabitur gjatë shekujve, pa pëlqimin dhe kundër vullnetit të tij. Ideja e tyre ishte liria personale, vet-qeverisja dhe bashkimi kombëtar. Megjithëse, ata fatkeqsisht nuk e gëzuan pavarësinë, idealet e tyre mbijetuan, por që ato të lulëzojnë, kërkohet angazhim dhe dedikim i plotë dhe serioz ndaj këtyre parimeve.

Kështuqë ndërsa fillon 100-vjetori i dytë i pavarësisë kombëtare të shqiptarëve, le të ndalemi dhe të falenderojmë të Madhin Zot dhe rilindasit largpamës për vizionin e tyre, për një komb dinamik të bashkuar në liri dhe pavarësi.

Këtu në Amerikë thuhet se lufta për sigurimin e lirisë në të vërtetë nuk fitohet kurrë, dhe se ruajtja e lirisë është një proces që nuk mbaron asnjëherë. Mbrojtja e lirisë individuale dhe kombëtare është një obligim dhe përpjekje e vazhdueshme e çdo gjenerate.

Në prag të 100-vjetorit të dytë mbetet aq shumë për t’u bërë. Me sigurimin e pavarësisë kombëtare, duhet tani të punohet për pavarësinë e individit dhe për të drejta të barabarta për të gjithë, por edhe për sigurimin e mundësive që çdo shqiptar e shqiptare të zhvillojë potencialin e tij ose të saj për të qenë të aftë të kontribojnë për veten dhe shoqërinë.   Për të krijuar një shoqëri që nuk bazohet në frikë, as nga shteti as nga krimi, por një shoqëri e cila vepron si individ dhe si komunitet për të përmirësuar jetën e çdo njërit, ashtuqë secilit t’i jepet mundësia që të zhvillojë kapacitetet e veta mendore, intelektuale dhe fizike për mirëqenjen e vet, të shoqërisë në të cilën jeton dhe në interest të kombit.

Le të jetë shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare një shekull shprese, bashkimi, arsyeje, mirëkuptimi me njëri tjetrin dhe ndryshimesh pozitive, por të jetë gjithashtu edhe një shekull lirie dhe integriteti personal dhe kombëtar.  Të jetë gjithashtu edhe një shekull kur udhëheqsit e sotëm shqiptarë të të gjitha trevave dhe të gjitha bindjeve politike — të mos kenë frikë nga e ardhmja — por të punojnë me seriozitetin më të madh për një imazh të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, i cili rrjedhë nga bindja dhe krenaria e realizimit të ëndërrës së rilindasve të kombit shqiptar.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, ne prag, te 100 vjetorit, te dyte

MBLEDHJA VJETORE E OSBE-SË NË DUBLIN DHE PARALLAJMERIMI I HILLARI KLINTON

December 9, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ministrat e Jashtëm nga më shumë se 50 vende morën pjesë në mbledhjen vjetore prej dy ditësh të Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) që u mbajtë në Dublin të Irlandës, të ënjtën dhe të premtën e javës që kaloi.   Në mbledhjen ministrore prej dy ditësh,

Kryetari i radhës i Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm irlandez, Eamon Gilmore njoftoi se ministrat e punëve të jashtme të 57 vendeve pjesëmarrëse  kanë rënë dakord për projekt planet e ardhëshme të OSBE-s, duke thënë se ”kemi arritur një marrveshje për një proces për të forcuar dhe për të ri-ngjallur organizatën e OSBE-së tani e deri në vitin 2015, viti që shënon 40-vjetorin e Marrveshjes përfundimtare të Helsinkit.”   Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier e mirëpriti marrveshjen duke e cilësuar atë si një bazë të mirë për të përcaktuar vizionin e kësaj organizate për fazën e ardhëshme të veprimtarisë së saj, duke e aftësuar OSBE-në të përballohet në mënyrë më efektive me sfidat e reja ndaj sigurimit rajonal.

Siç dihet, Marrveshja e Helsinkit e vitit 1975 ishte dokumenti  bazë që themeloi OSBE-në dhe njëra prej marrveshjeve kryesore që konsiderohet  të ketë  ndihmuar në dhënjen fund të luftës së ftohët.   Por roli i saj pas rënjes së Murit të Berlinit ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që roli i organizatave si Bashkimi Evropian dhe NATO është shtuar gjatë dy dekadave të fundit.

Megjithse Ministri i jashtëm irlandez, Z. Gilmore, si kryetar i OSBE-së mirëpriti marrëveshjen e arritur për projekt-planet e organizatës për tre vitet e ardhëshëm, ai në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij në lidhje me ”mungesën e një marrëveshjeje mbi vendimet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.”   Por ai u tha delegatëve se ajo që është  ”shumë shqetsuese është realiteti trishtues se respekti për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore është tani më  i kërcënuar se përpara në shumë vende të rajonit të OSBE-së’’.

Ironia e këtij komenti është se ai iu drejtua ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të një organizate, misjoni i së cilës është për të promovuar dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-së.   Ndërkaq, nuk është aspak e rastit atëherë, kur Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në njërën që mund të jetë prej mbledhjeve të fundit ndërkombëtare që ajo merr pjesë para se të largohet nga detyra muajin që vjen, shprehu shqetsimet e saj mbi të ardhmen e OSBE-së, duke thënë se 20-vjetë pas luftës së ftohët, ”mbetet pa u kryer puna për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë”,  dhe njëkohësisht  theksoi ”shqetësimin e saj në rritje e sipër për të ardhmen e kësaj organizate dhe  të vlerave që ajo ka promovuar”, për pothuaj 40-vjetë.

Para se të fliste para ministrave të jashtëm të OSBE-së, Hillari Klinton u takua me përfaqsues të shoqërive civile nga disa vende anëtare të kësaj organizate, të cilët e informuan Zonjën Klinton mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në vendet  e tyre.   Sekretarja  amerikane e shtetit ishte dakord me përfaqsuesit e shoqërive civile se ”hapësira për veprimtarinë e tyre po ngushtohej dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë ka rënë gjithashtu dhe se qeveritë janë duke u treguar më agresive ndaj kundërshtarëve.”   Zonja Klinton foli posaçërisht kundër vendosjes  së kufizimeve të reja ndaj të drejtave të njeriut në disa ish-shtete sovjetike, duke kritikuar në veçanti qeverinë ruse për kriminalizimin e ndihmave të huaja për organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile në Rusi.

Por akuzat më të forta, zyrtarja e lartë e Shteteve të Bashkuara i rezervoi për Rusinë pak para takimit të saj me Ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov.   Duke përdorur gjuhën më të ashpër që ka përdorur administrata e presidentit Obama gjatë katër viteve të fundit ndaj Moskës, Sekretarja e amerikane e shtetit paralajmëroi delegatët duke kritikuar  ashpër ato që ajo quajti, ”përpjekje për të sovjetizuar rishtas rajonin”, një referencë këjo ndaj planeve të Moskës për të krijuar një bashkim të ri tregtar midis Rusisë dhe ish- shteteve satelitë sovjetikë, ose një të ashtuquajtur Bashkim euro-aziatik.   Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë duke marrë masa për të ngadalësuar ose për të penguar këtë proces’’.   Madje, ajo tërhoqi vëmendjen edhe ndaj disa zhvillimeve, sipas saj, “shqetësuese’’ në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO, dhe shtoi se ”ia vlenë t’ia kujtojmë vet-vetes se secili vend anëtar (i OSBE-së) –përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara — kanë hapësirë për përmirësim”, në këtë fushë.

Megjithë kritikat e ashpëra ndaj disa vendeve anëtare të OSBE-së dhe mungesës së përparimit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në radhët e shteteve anëtare të kësaj organizate, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton në emër të vendit të saj, tha se ”Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj objektivit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe, si edhe ndaj parimeve të OSBE-së”, dhe  njëherazi u bëri thirrje ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, që të ”zbatojmë dhe jo të minojmë angazhimet dhe zotimet që i kemi bërë njeri tjetrit dhe qytetarëve tanë”, për të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe zhvillimet demokratike anë e mbanë eurozonës.

Kështuqë, përfundoi Zonja Klinton, ”ndërsa po i afrohemi 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrveshjes së Helsinkit, ka ardhur koha që OSBE-ja të veshë edhe njëherë mantelin e udhëheqjes për të zgjëruar kufijtë e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor dhe për të ripohuar prapë vlerat dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë ç’prej themelimit të saj”.

Caption:Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-s në takimin e tyre në Dublin, javën që kaloi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dublin, Frank shkreli, Grim, Hillari Klinton

KONGRESMENI ELIOT ENGEL, EMËROHET NËN-KRYETAR I KOMISIONIT TË PUNËVE TË JASHTËME TË DHOMËS SË PËRFAQSUESVE

December 6, 2012 by dgreca

     Nga Frank Shkreli/

Zyra e shtypit e Kongresmenit  Eliot Engel, mikut të vjetër të shqiptarëve në Kongresin Amerikan lëshoi të Merkurën një deklaratë për median duke njoftuar emërimin e tij në detyrën e rëndësishme si nën-Kryetar i Komisionit  të fuqishëm të Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteve  të  Bashkuara.  Sipas rregulloreve,  detyrën e kryetarit e mban partia që ka shumicën në Kongres, që tani është Partia Republikane.   Kongresmeni demokrat Engel në njoftimin për media falënderon kolegët e partisë së tij të cilët votuan njëzëri për ta emërua nën-kryetar të Komisionit me rëndësi të Punëve të Jashtëme  të Dhomës së Perfaqsuesve në sesionin e 113- të Kongresit amerikan. Ç’prej vitit 2007, perveç detyrave të tjera, ai ishte demokrati kryesor  në nën-komisionin për Hemisferën Perëndimore  të Kongresit.

“Unë e ndjejë veten të nderuar dhe të privilegjuar nga mbështetja e kolegëve të mi dhe  jam shumë i kënaqur dhe me mëzi pres të përballem me kete sfidë të re.  Pres të punoj me të gjithë anëtarët e Komisionit  të Punëve të Jashtëme –qofshin ata republikanë apo demokratë — ndërkohë që duhet  të merremi me shumë çështje ndërkombëtare me të cilat përballet sot vendi ynë.  Kongresmeni  Engel tha gjithashtu në njoftimin e tij se ka “në plan që të jetë një udheheqës me konsensus, duke dëgjuar të gjithë zërat e parties  tonë dhe do përpiqem të punoj  edhe me palën republikane kurdoherë që të jetë e mundur”,  shtoi Zoti Engel.
Në njoftimin për media, ligjvensi Engel thotë se Komisioni i Punëve të Jashtëme të Dhomës së Deputetëve “ka nevojë të përqendrohet në promovimin e vlerave dhe të interesave amerikane anë e mbanë botës, dhe jam gati që gjatë vitit që vjen të punoj me kryetarin (republikan) Ed Royce, me qellim që të realizojmë këto objektiva”, duke shtuar se është i bindur se deputetët  republikanë dhe demokratë  mund të gjejnë mënyra për  të punuar së bashku.

 

Kongresmeni  Engel njihet mirë nga të gjithë shqiptarët kudo, pasi ai për pothuaj  një cerek shekulli tani ka vazhduar të jetë njëri prej përkrahësve më të vendosur të të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, e sidomos të shqiptarëve të Kosovës.  Zoti Engel ka qeneë dhe vazhdon të jetë anëtar i Komisioneve të ndryshme të Kongresit, përfshireë nen-Komisionin per Evropë dhe Euroazi, dhe në të njëjtën kohë ai kryeson Grupin e përbashksët të kongresmeneve demokratë e republikanë që mirren me  cështjet shqiptare në Kongresin amerikan dhe njëherazi shërben në Komisionin që merret me zbatimin e të Drejtave të Njeriut.   Zoti Engel, është zëri kryesor në Dhomen e Deputetëve mbi politikën e jashtëme amerikane ndaj Amerikës Latine dhe Karaibeve.   Por bota shqiptare e njeh Zotin Engel për ligjet dhe rezolutat që ai ka përpiluar dhe paraqitur ose ka sponsorizuar me  ligjvenës të tjerë të Kongresit amerikan, në mbështetje të Shqipërisë  dhe Kosovës,  si edhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Preshevë.

Emërimi I Kongresmenit Engel  si numrë dy në Komisionin e Jashtëm të Dhomës së Përfaqsuesve është një lajm i mirë për vet Zotin Engel dhe për karjerën e tij pasi  tregon respekt  ndaj shërbimit të tij të gjatë si ligjvenës, dhe  është një mirënjohje dhe besim nga kolegët e tij në aftësitë e tija për atë detyrë te rëndësishme si nënkryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme të Kongresit Amerikan.  Por është gjithashtu edhe një lajm i mirë për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin ai ka vazhduar të punojë shumë ngushtë në përkrahje të drejtave dhe interesave të shqiptarëve kudo.  Pasi kam patur rastin të merrja pjese në shumë sesjone komisionesh të Kongresit mbi çështjet shqiptare, sidomos gjatë luftës në Kosovë, mund të them me bindjen më të thellë se Kongresmeni  Eliot Engel — ndoshta si asnjë tjetër ligjvenës që është marrë me çështjet shqiptare në Kongresin amerikan —  e ka çështjen shqiptare për zemër, është i sinqertë në shprehjet e tija të mbështetjes  për  shqiptarët  dhe është njohës i mirë i historisë dhe halleve  tona.  Këjo është arsyeja që komuniteti shqiptaro-amerikan e ka përkrahur në të kaluarën dhe emërimi i tij si kryedemokrati në Komisionin e Punëve të Jashtëme, e bën këtë mbështetje  për  mikun tonë edhe më të nevojshme dhe më rëndësishme se kurrë më parë.

Filed Under: Histori, Politike Tagged With: Eliot Engel, Frank shkreli, Kongresisti, nenkryetar i Komisionit te Puneve, te jashtme

IBRAHIM RUGOVA

December 5, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit, politikanë, akademikë dhe disa nga ata që konsiderohen si ”mendjet më të ndritura”  të kombit shqiptar debatojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare mbi ”meritat” e Enver Hoxhës dhe të Ahmet Zogut, si dhe mbi rolin e tyre në historinë kombëtare, duke ngulur  këmbë se nëqoftse flitet për meritat e njërit duhet të flasim edhe meritat e të tjetrit. Vazhdim ndasishë e përçarjesh!  Seriozisht, nëqoftse  me ketë diskurs politik e shoqëror fillohet shekulli i ri  ishqiptarëve, , atëherë  Zot na ruaj prej së keqës, si individ dhe si komb!

Unë si njeri i thjeshtë — preferoj që në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, të kujtoj dhe të flas për një njeri që me të vërtetë ka merita,   Presidentin e parë historik të Dardanisë antike, Dr. Ibrahim Rugovën, prijësin e madh të kombit shqiptar — për kontributet e tija dhe rolin që ai ka luajtur në historinë moderne kombëtare.   Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës, dhe themeluesi i diplomacisë së Kosovës, filloi veprimtarinë e tij diplomatike në Shtetet e Bashkuara  të  Amerikës që në vitin 1989, me qëllim që të siguronte përkrahje nga ky vend për shqiptarët e shumëvuajtur të Kosovës dardane.   Ai nuk mburrej me retorikë boshe, siç thotë më poshtë edhe  ish-kryeministri britanik Toni Blerpor, por kishte vizione të qarta për një të ardhëme më të mirë për kombin e vet.  Që në fillim, ai u vu në krye të lëvizjes për pavarësi duke thënë se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë nën një administrim civil ndërkombëtar, si fazë kalimtare”.  Ashtu edhe ndodhi.  Ai gjithashtu ç’prej fillimit, kishte deklaruar ”miqësinë e përhershme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan’’, pasi ishte i betuar që të bënte aq sa kishte mundësi  për  rrugën që duhej të ndjekin shqiptarët e Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi, për të zënë vendin ku i takon dhe ku e ka caktuar vet i Madhi Zot, dmth, në radhën e kombeve të përparuara përendimore.

Ai besonte në miqësinë e fortë me Shtetet e Bashkuara, si një mjet që do të çonte kombin shqiptar drejtë integrimit me botën perëndimore.  Sa ishte gjallë, ai udhëhoqi popullin e vet gjatë një periudhe jashtzakonisht të vështirë, gjë që e bëri atë simbol krenarie në radhët e bashkatdhetarëve të tij — mbrenda dhe jashtë trojeve  shqiptare — për veprimtarinë patriotike si edhe të njohur anë e mbanë botës për diplomacinë e tij shumë vjeçare, vajtje-ardhje, ndërkohë që vizitonte Washingtonin dhe kryeqytetet evropiane për të takuar udhëheqsit më të lartë të botës përendimore.   Këjo në përpjekje për të çliruar popullin e vet nga zgjedha serbe dhe për të realizuar ëndrrën e përbashkët  të  të gjithë shqiptarëve: Pavarësinë e Kosovës.   Këjo ndërmarrje ose aktivitet diplomatik nga ana e tij, nuk ishte aspak më i vogël se sa përpjekjet e rilindasve të cilët shpallën Pavarësinë Kombëtare me 28 Nëntor, 1912 në Vlorë.
Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare me të drejtë u theksua nga udhëheqsit shqiptarë dhe të tjerë, se gjatë gjithë historisë së tij, kombi shqiptar i ka dhënë botës figura të mëdha me të cilat krenohet  i mbarë kombi.   Në këtë 100-vjetor dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij, shqiptarët kudo duhet të jenë krenarë për meritat e Presidentit Rugova dhe veprimtarinë e tij drejtë çlirimit dhe pavarësisë, pasi pa Pavarësinë e Kosovës,  për realizimin e së cilës ai dha një kontribut historik, pavarësia e Shqipërisë do të ishte gjysmake.  Si  figura kyçe e pavarësisë së Kosovës dhe si njëri ndër figurat më të shquara dhe më të njohura botërisht të kombit shqiptar, ai kishte fituar besimin dhe admirimin e botës,  përfshirë edhe  figurat më të dalluara të politikës amerikane.

Kur ndërroi jetë Presidenti Ibrahim Rugova, presidenti amerikan në detyrë, republikani Xhorxh Bush e kujtoi udhëheqsin shqiptar duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova, humbën një mik me të vërtetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qëndrimet e tija kundër dhunës.”   Presidenti  tjetër amerikan, demokrati Bill Klinton, statuja e të cilit hijeshon sot e përgjithmonë Prishtinën, dhe  i cili kishte takuar shpesh  ish-udhëheqsin e Kosovës,  ka thënë  se ”nuk kishte avokat më të mirë që të shpjegonte më mirë hallet e kombit shqiptar dhe të drejtat e tija”, se sa Presidenti  Ibrahim Rugova.

Ndërsa ish-kryeminsitri britanik, Toni Bler, duke kujtuar  takimin e tij me Presidentin Rugova në fund të vititit 1998, i tha parlamentit të Kosovës në Korrik të 2010-ës se Presidenti Rugova “ishte i qetë, një njeri shumë modest….Ai më tha të vërtetën për Kosovën.  Për vuajtjet e popullit të vet, për nevojën që bota të dëgjonte (për fatin e shqiptarëve të Kosovës) si  dhe për obligimin e botës për të ndërhyrë.  Ai nuk bërtiste dhe nuk u përpoq të më bindë  me sllogane ose me gjeste ekstravagante.  Ai foli me një zë të ulët por me sinqeritetin më të madh… duke më kërkuar ndihmë për popullin e vet….Unë i thashë Britania e Madhe do  të ndihmojë. Unë ia dhashë atij ‘’Besën’’, dhe besën ia mbajta’’ tha Zoti Bler.

Ibrahim Rugova ishte një përfaqsues ndryshe, i cili i bindur dhe i vendosur për rrugën që duhej ndjekur dhe për objektivin që duhej të realizonin shqiptarët e Kosovës, si pjesë e pa ndarë e kombit shqiptar, me personalitetin e tij të urtë dhe plot durim, i shpjegoi një bote skeptike përdhunimet dhe padrejtësitë historike ndaj kombit shqiptar.   Ai e tregoi veten si një avokat i palodhëshëm i forcimit të lidhjeve natyrale të kombit shqiptar me Perëndimin, e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë festimeve me rastin e 100-vjetorit, me të drejtë u fol për rolin që Amerika ka luajtur në konsolidimin e pavarësisë  si edhe për miqësinë  që ekziston midis popullit amerikan dhe shqiptarëve.  Udhëheqsit shqiptarë  shprehën mirënjohjen ndaj përkrahjes amerikane për Pavarësinë e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe për çlirimin e Kosovës, që  më në fund çoi në  pavarësinë  që gëzon sot Kosova, por edhe për  rolin në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë, këto 20 vitet e fundit.   Ibrahim Rugova ishte njëri ndër arkitektët, e pse të mos themi krye-arkitekti modern i këtyre marrëdhënjeve.  Atëherë,  nëqoftse në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, marrëdhënjet amerikano-shqiptare janë të rëndësishme, ashtu siç mendojnë shumë vërejtës të mbrendshëm dhe të jashtëm, një pjesë e kredisë për zhvillimin e mirë të këtyre marrëdhënjeve gjatë njëzet e sa vjetëve të fundit, duhet t’i shkojë Presidentit Rugova. Kur Ibrahim Rugova bënte thirrje për ”Miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe kur ai përfundonte çdo fjalim me thënjen ”God Bless America”, ”Zoti e Bekoftë Amerikën”,  shumë nga kritikët e tij atëherë dhe sot nuk e kishin kuptuar rëndësinë afat  gjatë të mesazhit të Ibrahim Rugovës, për marrëdhënjet e ngushta amerikano-shqiptare.

Merita tjetër që  i duhet njohur Ibrahim Rugovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare është se ai besonte se kombi shqiptar duhet të ndërtojë bazën e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të cilët 100-vjetë më parë, shpallën pavarësinë kombëtare,  dhe jo mbi një trashëgimi  regjimesh e përfaqsuesish të idelogjive të huaja, sllavo-aziatike.   Ai ishte udhëheqsi i parë shqiptar ç’prej rilindasve, që më në fund i këtheu sytë e mendjen nga Perendimi – dhe jo drejtë Moskës, Beogradit, Athinës ose Pekinit – nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre perëndimorë.

Me një kulturë dhe qytetërim njerëzor plotë urtësi, të bazuar në traditat dhe vlerat më të mira të fisit të Arbërit, si dhe në vlerat humane të njerëzimit,  Ibrahim Rugova ishte i palëkundur në qëndrimin e tij, siç ishte dhe shumica e rilindasve, se e ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë në integrimin e tyre në radhët e kombeve të përparuara të Perëndimit.   Për këto dhe shumë merita të tjera pra, duhet që me krenari të përkujtojmë Presidentin e parë të Kosovës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë Kombëtare dhe në 68-vjetorin e lindjes së tij.

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Frank shkreli, Ibrahim Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT