• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËRKATËSIA PËRENDIMORE E SHQIPTARËVE

December 3, 2012 by dgreca

Jusuf BUXHOVI — KOSOVA — Perandoria Osmane/ Me rastin e promovimit të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës,

Nga Frank Shkreli*/

I nderuar Profesor Buxhovi, të nderuar pjesëmarrës. Fillimisht dëshiroj të përshëndes Vatrën për organizimin e promovimit të këtyre veprave të historisë së Shqiptarëve, mu në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë kombëtare.  Unë jam i kënaqur të marr pjesë në këtë promovim, jo vetëm për rëndësinë që ka vepra e historianit Jusuf  Buxhovi për historiografinë shqiptare, por edhe për faktin se me autorin jam njohur shumë vite më parë, kur Zoti Buxhovi vinte në Uashington si pjesë e delegacioneve të  Kosovës, të kryesuara nga Dr. Ibrahim Rugova.    Ishte ajo periudhë, kur Zoti Buxhovi dhe intelektualët e tjerë shqiptarë të Kosovës,   erdhën në Washington t’u flisnin drejtë për drejtë zyrtarëve amerikanë mbi gjenocidin që po ndodhte në Kosovë kundër shqiptarëve të Dardanisë.

Ishte këjo një përsëritje e historisë sonë kombëtare, e asaj historie 100-vjetë më parë, dhe për të cilën shkruan Z. Buxhovi, kur një grup tjetër atdhetarësh dhe patriotësh nga të gjitha trevat shqiptare, delegacione të kryesuara nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini e të tjerë, endeshin anë e mbanë Evropës nga Vjena, në Romë, e në Londër, për të siguruar përkrahjen e botës së atëhershme për çlirimin e shqiptarëve nga zgjedha otomane, si dhe për të siguruar mbështetje për çështjen e pa-zgjidhur të kombit shqiptar,  përpjekje këto që kishin për objektiv korigjimin e vendimeve të pa  drejta dhe tragjike të konferencave të ndryshme ndërkombëtare në kurriz të   kombit shqiptar.

Pas përpjekjeve dhe lufërave të shumëta, Kosova u çlirua dhe u bë shtet i pavarur. Si i tillë, shteti i Kosovës kishte nevojë për një histori të shkruar, pasi historia e saj, si pjesë përbërse e historisë së kombit shqiptar, duhet patjetër të rivlerësohet, jo sepse një gjë të tillë e kërkon turku, sllavi ose greku, por për arsye se ajo  është deformuar dhe keq trajtuar, jo vetëm, nga këta armiq të  kombit, për qëllimet e tyre ekspansioniste, por edhe nga komunizmi  shqiptar në bashkpunim me komunizmin ndërkombëtar, për arsyet e tyre ideologjike.

Është domethënës dhe me rëndësi kombëtare fakti që historiani Jusuf Buxhovi, ka botuar këto tre vëllime ekzaktërisht këtë vit, me rastin e 100-vjetorit të Shqipërisë, pasi bota fatkeqsisht di shumë pak për historinë e shqiptarëve dhe ato që i di, janë të influencuara nga propaganda turke, serbe, greke dhe ruse të cilët gjatë shekujve, falsifikuan historinë e vërtetë të Arbërit, pa asnjë përgjegjësi morale, historike ose politike.

Në këtë 100-vjetor të festës së madhe shqiptare, vepra e Zotit Buxhovi i paraqet lexuesit një përmbledhje faktesh dhe dokumentacioni të nevojshme për çdo njërin që kërkon të mësojë dhe të kuptojë historinë e shqiptarëve, jo vetëm në kontekstin kombëtar por edhe në atë ndërkombëtar.

 

Mua më ra shorti t’i them dy fjalë në lidhje me vëllimin e dytë   të Z. Buxhovi, dmth., mbi Perandorinë Osmane, si një prej perandorive që ka zgjatur më shumë se çdo tjetër, ç’prej kohës së antikitetit.   Zoti Buxhovi në këtë vëllim nënvijon proceset dhe qasjet historiketë perandorisë osmane në relacion me shqiptarët, si pjesë e historisë së Evropës dhe të botës.  Ai përshkruan jetën dhe lëvizjet politike, ushtarake, diplomatikedhe intelektuale të shoqërisë otomane në relacion me shqiptarët dhe anasjelltas, duke u bazuar në dokumentacion arkivash vendesh të ndryshme, e sidomos siç thotë edhe vet autori, në arkivat e pasura gjermane.

 

Është këjo një histori e trashëgimisë së një perandorie, që la gjurmë dhe një trashëgimi të rëndë ku i shkeli këmba, sidomos ndër ne shqiptarët.

 

Profesor Buxhovi shkruan për çmimin e lartë që kombi shqiptar ka paguar nën sundimin ottoman, si dhe për luftën e tij të për të dalur nga terri i natës së gjatë të pushtuesve otomanë.  Turqit otomanë shkaktuan shkatërrime të papërshkrueshme në jetë njerzish dhe dëme të mëdha materiale, përfshirë edhe përpjekjet për të eliminuar kulturën, gjuhën dhe traditat shekullore të shqiptarëve.

 

Në të vërtetë, Prof. Buxhovi i paraqet osmanlijtë si pushtues të Arbrit e jo si administratorë, në kundërshtim me disa të tjerë që pretendojnë se osmanët ishin vetëm administratorë të trojeve shqiptare.    Në përputhje me historiografinë botërore, Profesor Buxhovi dokumenton se Perandoria osmane në Ballkan kishte ardhur dhe sillej si një fuqi pushtuese.  Po të kishin qenë osmanlijtë vetëm administrues në trevat shqiptare, pse atëherë pavarësia e Shqipërisë ishte ndër të fundit dhe më e vështira në Evropë?

Tema kryesore e këtij libri është se lufta e Arbërit kundër pushtuesve osmanë pasqyron mbijetesën dhe vazhdueshmërinë e “ndjenjave dhe të vetdijes perëndimore’’,  në rezistencën shekullore të Shqiptarëve ndaj barbarëve turq e sllavë.

 

Zoti Buxhovi thekson se qëndresa dhe lufta e shqiptarëve gjatë pesë shekuj okupimi osman, tregon se shqiptarët ishin të gatëshëm që me çdo kusht e mjet, mbi të gjitha, të ruanin identitetin e tyre kombëtar, gjuhën, kulturën dhe mënyrën e tyre të jetesës.  Lufta dhe rezistenca epike e Gjergj Kastriotit  – Skënderbe, prej një çerek shekulli kundër otomanëve, thotë autori, do të shërbente si një frymëzim për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, breza, të cilët edhe pas vdekjes së heroit kombëtar, rezistuan duke iu kundërvenë okupimit osman me aq sa kishin mundësi e fuqi.

 

Zoti Buxhovi në librin, ‘’Kosova në Periudhën e Osmanlijve’’, shkruan se megjithse ‘’Perandoria Osmane kërkonte një emancipim shoqëror dhe politik të Shqiptarëve, i cili të ishte në përputhje me islamin dhe frymën e tij’’, rilindasit shqiptarë si dhe në përgjithësi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare….jo vetëm që nuk do të kërkojnë Orientin, por duke iu këthyer antikitetit, ku ata si pasardhës të Pellazgve… do të mbështeten te qytetërimi perëndimor.’’

 

Ai vazhdon duke thënë se ‘’Lidhja Shqiptare e Prizrenit  dhe kërkesat e saj si edhe formimi i Qeverisë së Përkohëshme,  paraqet këthimin e Shtetit të Arbërit për herë të parë pas 500-vjetësh — ndonëse në përmasat e vilajetit të Kosovës — nuk ishte  gjë tjetër  pos shprehje e vullnetit  politik dhe shpirtëror (të shqiptarëve) për t’u këthyer në Perëndim, pikërisht aty ku kishte mbetur Gjergj Kastrioti – Skendërbeu para pesë shekujsh, i vetmi që kishte kundërshtuar dhe luftuar pushtimet osmane.
Për më tepër, si rrjedhim ose si pasojë e shtypjeve osmane,  Zoti Buxhovi thotë se gjatë periudhës së Osmanizmit,   rezistenca ndaj pushtimit turk, jo vetëm “nxjerrë në pah të vërtetën për sjelljen e Arbërve, në përputhje me vetëdijen përendimore’’ të tyre, por në të njëjtën kohë,  ajo rezistencë kundër pushtuesve osmanë, shkakton lindjen e një shqiptarizmi ose nacionalizmi të fuqishëm shqiptar, i cili u kultivua gjatë dekadave duke nxitur dhe duke u dhënë shqiptarëve guximin dhe besimin në vetveten, një ndjenjë këjo, që më në fund, çoi deri në lëvizjet e shekullit të kaluar drejtë — jo vetëm pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në pavarësinë dhe shtet formimin e sotëm të Kosovës’’, thotë autori.

Nacionalizmi dhe ndjenjat e shqiptarizmit kanë lindur dhe janë formuar — duke përdorur mjetet dhe duke shfrytëzuar rrethanat dhe metodat që shqiptarët kishin në dispozicion.   Nacionalizmi shqiptar, në të vërtetë, sipas Zotit Buxhovi ka ndikuar  pozitivisht edhe në  zhvillimet brenda perandorisë osmane, sidomos pas sundimit të Sulltan Hamitit, duke thënë se nacionalizmi shqiptar nxiti madje edhe forcat e shëndosha nacionaliste turke, të cilat do të kishin më vonë ndikime historike në krijimin e një Turqie evropiane ose përendimore.

 

Zoti Buxhovi nënvijon edhe faktin se revolucioni xhonturk është krijuar, influencuar dhe organizuar nga shqiptarët me 1908 në Ferizaj.  Këto zhvillime dhe influenca e shqiptarëve në  këtë revolucion të xhonturqve, sipas  prof. Buxhovit, e kishin bërë Kosovën qëndër me rëndësi të lëvizjeve kombëtare shqiptare, e të cilat më në fund ndihmuan, që 100-vjetë më parë më 1912, të shpallej pavarësia së Shqipërisë.

 

Nacionalizmi shqiptar i asaj kohe, sipas Z. Buxhovi, ishte dhe mbetet një trashëgimi lënë brezave të shqiptarëve të Kosovës dhe të përpjekjeve politike të tyre shekullore për shtet-formim — për të siguruar përfundimisht, të drejtat natyrale të kombit shqiptar.   Zoti Buxhovi  thotë gjithashtu se Kosova ishte qendra, e atij që ai e cilëson si  ‘’graviteti kombëtar’’, politik e kulturor i shqiptarëve, dhe përmendë, natyrisht, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit,  revolucionin e xhonturqve, si edhe 14 pikat e Hasan Prishtinës — si ide këto dhe një program që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë.
Titulli i tre vëllimeve është ”Kosova”, por këtu në të vërtetë  flitet dhe përshkruhet historia e të gjithë shqiptarëve. Është historia e kombit shqiptar, sepse Kosova nuk mund të shikohet si një koncept gjeografik, ndryshe nga Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, por Shqipëria natyrale dhe Kosova si pjesë e kësaj Shqipërie natyrale paraqitet nga Z. Buxhovi në këtë vëllim si qendra e vlerave kombëtare, kulturore dhe shpirtërore, por në të njëjtën kohë e paraqet Kosovën  madje edhe nën pushtuesin ottoman,   si pikënisja e lëvizjeve për pavarësi dhe shtetformim e të  gjithë shqiptarëve.

Unë nuk jam historian dhe si i tillë nuk jam në gjëndje të vlerësoj sa duhet e si duhet rëndësinë e kësaj vepre, por besoj se duhet të bindemi për vlerën historike të veprës së prof Buxhovit, po të marrim parasyshë reagimet e Akademisë së Shkencave të Serbisë, e cila i konsideron këto tre vëllime prej më shumë se dy mijë faqesh, ”si një ”pamflet”.  Siç duket, ata as nuk i kanë parë këto tre vëllime, e lere më t’i kenë lexuar.

Në të vërtetë, kritikat e ashpëra të akademisë serbe ndaj veprës së Buxhovit duhet të konsiderohen si një vlerësim, pasi është pikërisht këjo akademi, ajo që ç’prej mesit të 1880-ave ka përgatitur terrenin ideologjik nacionalist serb si edhe atmosferën politike dhe ushtarake për të pastruar Kosovën etnikisht njëherë e mirë, duke rekomanduar vrasjen, shpërnguljen dhe dëbimin me dhunë të qindra mijërave shqiptarëve gjatë  gjithë historisë dardane.

Ishin tezat dhe rekomandimet e kësaj të ashtuquajtur akademi, të cilat janë zbatuar gjithmonë me përpikëmëri nga politika shoviniste serbomadhe duke përfunduar në disa gjenocide dhe shpërngulje në masë të shqiptarëve.

Profesor Buxhovi kundërshton pretendimet shpifëse serbe se shqiptarët janë të ardhur në Ballkan dhe si ‘’vasalë të perandorisë osmane’’, nuk kanë histori të veten dhe, si të tillë, duhet të zhduken nga harta e Ballkanit.  Për t’ia arritur këtij qëllimi — bashkrendonin veprimtaritë kundër Shqiptarëve –osmanët, rusët, serbët, dhe grekët të cilët gjatë gjithë historisë,  kërkesat e shqiptarëve i cilësuan dhe ia paraqitën botës si ‘’kërkesa të ekstremistëve shqiptarë’’.

Por siç ka pas thënë dikur senatori amerikan Barry Goldwater, ekstremizmi në mbrojtje të lirisë nuk është mëkat.  Shqiptari kurrë nuk ka dashur atë që nuk është e tija, shqiptari kurrë nuk e ka ngritur flamurin e tij në luftëra për të pushtuar tokat e të tjerëve, por vetëm e vetëm në mbrojtje të lirisë së vet.

 

Të përshendes i nderuar Profesor Buxhovi për këtë vepër historiografike mbi Kosovën, me të cilën i ke dalë zot historisë dhe ruajtjes së identitetit unik, pro-perëndimor të Kombit Shqiptar.   Vet autori ka thenë se këto tre vëllime nuk janë fillimi as mbarimi, mbi këtë subjekt.  Por, Jusuf Buxhovi me botimin e ‘’Historisë së Kosovës’’ — në këtë 100-vjetor të Pavarësisë kombëtare ka dhënë kontributin e tij të çmueshëm, “ndaj plotësimit të pasqyrimit të kuadrit historik të Shqipërisë së natyrshme, si një realitet shoqëror, kulturor dhe politik i tërësisë së qytetërimit perëndimor, ku i ka rrënjtë’’ kombi shqiptar dhe ku historia dhe i Madhi Zot e kishte vendosur.

Këtë e ritheksoi edhe Presidenti i   Shqipërisë, Bujar Nishani, në një fjalim me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, duke u shprehur se ne

“Kemi qenë, jemi dhe do jemi, vigjëlues të rreptë të qytetërimit perëndimor, të cilit, pavarësisht trilleve historike që hera-herës na kanë ndarë,  —  vetvetiu i përkasim’’.

Vepra e Profesor Jusuf Buxhovit është për tu vlerësuar në këtë moment të historisë shqiptare, një vepër këjo që nderon historinë kombëtare, por ndaj historisë të gjithë kanë obligime, sidomos ata që kanë privilegjin të udhëheqin sot kombin shqiptar.    Një mesazh serioz i kësaj vepre është, siç tha edhe autori në një intervistë: kujdes që të mos bëhemi “çorbë ballkanike’’ e pa shije, duke ia dorëzuar interpretimin e historisë sonë dikujt tjetër.  Unë do të shtoj të mos biem pre e kërkesave të shëmtuara për ndryshimin e historisë të kombit shqiptar nga pasardhësit e ish-perandorive okupuese. Sepse një popull i cili nuk mbron historinë e vet, një popull që nuk ruan identitetin e vet kombëtar në trojet e tija antike, si dhe vlerat dhe traditat e veta kulturore shumë shekullore, të trashëguara nga të parët, ai popull është i destinuar të asimilohet ose të zhduket si komb nga faqja e dheut.

*Kumtese e mbajtur ne promovimin qe organizoi Federata Vatra te shtunen me 1 dhjetor ne Royal Regency Hotel nw Yonkers, NY

Filed Under: Kulture Tagged With: Frank shkreli, Jusuf Buxhovi, Vatra

TRASHËGIMIA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBE/ DEL EDHE NJËHERË E MBLIDHE KUVENDIN

November 24, 2012 by dgreca

Me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë/

Nga Frank Shkreli/

Të  Mërkurën më 28 Nëntor i mbarë kombi shqiptar feston me krenari 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me atdhetarë të tjerë ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — Fatosit të Kombit — duke bërë kështu realitet  ëndrrën e të parëvet, megjitëse fati i zi dhe armiqtë e kombit bënë që liria dhe pavarësia e shpallur në Vlorë të mos përfshinte të gjithë kombin.
Është pra, Flamuri i Gjergj Kastriotit, Flamuri i lirisë, i nderit, i burrënisë, dhe i besës, i asaj Besëlidhjeje që shënon historia në Lezhën e Gjergj Kastriotit dhe në Lidhjen e Prizrenit.   Me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë me 25 Prill 1968, duke u folur shqiptarëve që ishin mbledhur atje për të festuar këtë përvjetor në Vatikan, por drejtuar gjithashtu edhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre, Papa Pali i VI tha:  ”Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i Gjithëmonshmi i fisit tuaj,  i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit, e të burrënisë.   Fatosi Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive.   Ai ua ka lënë trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët këjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, pasi e konsideron veten ndër ata që kurr s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI.

Gjergj Kastrioti  ishte i madh sepse për një çerek shekulli udhëhoqi luftën duke korrur fitore pas fitoreje kundër osmanlijve turq, fuqisë më të madhe ushtarake që njihte atëherë bota.  Me të drejtë, armët e Skendërbeut po ekspozohen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit, për t’u kujtuar vizitorëve aktet heroike dhe luftën e tij për liri e pavarësi të fisit ilir.   Por ai ishte dhe mbetet  më i madh për nga aftësitë e tij udhëheqëse si dhe për nga karakteri dhe morali i tij, cilësi këto që i njiheshin nga më të mëdhejtë e asaj kohe.   Kur botës shqiptare i mungojnë herojtë e vërtetë, Skenderbeu është heroi i të gjitha stinëve dhe i të gjitha kohërave.    Kombi shqiptar në këtë 100-vjetor ka nevojë për heroj kombëtar si Gjergj Kastrioti, por në mungesë të tij, atëherë ajo që mund të bëhet është, që kombi në përgjithësi, duke përfshirë klasën politike në veçanti, por dhe çdo shqiptar kudo qoftë, secili sipas mundësisë, përgjegjësisë dhe vendit që zë në shoqëri — të gjithë si pasardhës të Illyrisë së vjetër — të betohen në këtë 100-vjetor se mbi të gjitha do të punojnë për një Arbëri të lirë, për një bashkim etnik dhe për një angazhim historik për të zgjuar njëherë e mirë  cilësitë dhe virtytet e lashta mijëvjeçare të racës ilire.   Ky përvjetor është gjithashtu një rast për të forcuar konceptin e idesë  të interesave kombëtare – dhe jo atyre personale — duke marrë si shembull  trashëgiminë e Gjergj Kastriotit –Skenderbe, i cili si asnjë udhëheqës tjetër në historinë e kombit shqiptar, mundi të bashkonte të gjithë princat e asaj kohe nën një udhëheqje të vetme, duke forcuar kështu unitetin kombëtar moral e shpirtëror, por edhe atë gjeografik, duke i bërë ashtu të gjithë krenarë dhe të denjë të jenë pjesë e një trungu të përbashkët.   Ai adhurohej nga shqiptarët e çdo krahine, të çdo klase shoqërore dhe çdo besimi.  Skendërbeu i mblodhi të gjithë nën hijen e Flamurit Kombëtar.  Ishte këjo fuqi morale dhe kombëtare që i dha Gjergj Kastriotit dhe shqiptarëve të tij pothuaj fuqi mbi-natyrore për të përballuar dhe për të fituar kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës së tij.

Ngritja e Flamurit në Vlorë 100-vjetë më parë dhe energjia ringjallëse që po tregohet anë e mbanë trojeve shqiptare në festimet e këtij 100 vjetori sot, më bindin se gjaku shqiptar ka ende fuqi përtritëse në shpirtin e vet dhe se edhe i Madhi  Zot nuk e ka harruar kombin shqiptar.  Lufta dhe fitoret e Skënderbeut kundër osmanlijve kan lënë, ndër shqiptarë, një trashëgimi lirie dhe shprese për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, ashtu siç do ta dëshironte vet Gjergj Kastrioti.   Në krahasim me sfidat me të cilat përballej  kombi në kohën e Skenderbeut, a janë më të mëdha sfidat dhe problemet me të cilat përballet sot kombi shqiptar?

Shpresoj që këjo brezni e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare të mos jetë një brezni e nemur, e papërcaktuar për qëllimet dhe interesat madhore të kombit shqiptar, por të jetë një brezni burim shpresash për liri dhe bashkim kombëtar,  bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit — Skendërbe.  Gjithmonë sipas Skënderbeu,  ”Pra, ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithënjë.  Perëndia, si gjithnjë edhe pasketaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”

Në këtë 100-vjetor të pavarësisë kombëtare, të falemi  dhe të falenderojmë për trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare përfshirë edhe  karakteristikat më të çmueshme të trungut tonë arbëror: nder, besë e burrëni — Ty Gjergj Kastrioti –Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanlijve, Mbret i Epirit.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: del dhe nje here, Frank shkreli, Gjergj Kastrioti, Skenderbe

DITA E FALENDERIMEVE NË AMERIKË- 2012

November 22, 2012 by dgreca

Në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i  atëhershëm i Amerikës Xhorxh Uashington, Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit…/

Nga Frank Shkreli/

Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festohet Dita e Falenderimeve.   Dita e Falenderimeve në Amerikë është një ditë e dalluar në kalendarin vjetor të këtij vendi.   Është me të vërtetë një festë kombëtare, në të cilën përfshihen dhe marrin pjesë të gjithë qytetarët, për një qëllim të përbashkët, dhe pa dallim feje, pikpamjesh politike ose origjinë etnike, vetëm e vetëm për të falenderuar Perendinë për bekimet që u ka dhenë familjeve dhe vendit të tyre, ku ata jetojnë.

Çdo vit, Dita e Falënderimeve shënohet të ënjten e katërtë të muajit Nëntor.   Këjo festë e ka origjinën në fillim të historisë së këtij vendi kur  kolonët e parë pelegrinë nga Anglia u vendosën në këtë hapësirë në shekullin e 16-të dhe të cilët ,pas të korrurave të bollëkshme,  vendosën që të pushonin nga puna e mundshme për të falenderuar Perëndinë për të gjitha bekimet që u kishte dhënë atyre gjatë një periudhe shumë të vështirë për ta.   Thuhet se pelegrinët mësuan nga indianët vendas për të mbjellur misër,  fasulje dhe kunguj, ashtuqë në Vjeshtën e vitit 1621,  nja 90 prej tyre, se bashku me indianet vendas, përgatitën një darkë të madhe për të shënuar ditën e parë të falenderimeve.

Në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i  atëhershëm i Amerikës Xhorxh Uashington, Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit, në bazë të kushtetutës së re, të caktuar si “një ditë falënderimesh publike, kushtuar të Madhit Zot, Autorit të të gjithë të mirave që kanë qenë, që janë dhe që do të jenë”.   Presidenti Xhorxh Uashington, duke caktuar ditën e Falenderimeve si festë kombëtare, u përpoq që të perdorte një ton gjithëpërfshirës dhe pa preferuar ndonjë fe ose besim, por në të njëjtën kohë, ai theksoi bekimet politike, morale dhe politike  — për demokracinë e re – të cilat sipas tij bëjnë të mundur funksionimin e një qeverisjeje të mirë, duke perfshirë edhe pendimin personal dhe kombëtar, kur është e nevojshme për të pranuar gabimet, madje edhee në nivel kombëtar.   Në Tetor të vitit 1777, të gjitha 13 kolonitë e para amerikane të asaj kohe u bashkuan për të festuar ditën e Falënderimeve, që në të njëjtën kohë shënoi edhe fitoren e kolonive të reja amerikane në luftën e tyre kundër Perandorisë britanike.  Gjatë viteve që pasuan, festimi i kësaj dite pësoi ndryshime, por më në fund, presidenti Abraham Linkolni më 1863 shpalli zyrtarisht të Ënjtën e katërt të Nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve.

Disa prej presidentëve më të dalluar të Shteteve tëBashkuara, siç janë  Xhorxh Washingtoni, Abraham Linkolni dhe Franklin D, Rusvelti — kanë luajtur rol me rëndësi për të bërë  që Dita e Falënderimeve të jetë për të gjithë amerikanët, pa dallim,  një ditë për të festuar me familjet e tyre traditat dhe idealet amerikane.

Në të vërtetë, historikisht, këjo ditë është jo vetëm Ditë Falënderimesh, por gjithashtu shënon dhe  nënvijon rëndësinë e traditës së kuptimit të vetqeverisjes së mirë, të punës së rëndë dhe etikës në punë, të komuniteteve qe varen nga vetvetja  si edhe besimin në Zotin.   Urata e Xhorxh Uashingtonit për Ditën e Falënderimeve ishte kuptimplotë nga pikpamja përsonale si dhe në nivel kombëtar, pasi i lutej  Perëndisë me uratën:

“Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë me të madhe të Madhit Zot dhe udhëheqsit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtç dhe të zbatojë ligjet konstitucionale me besnikëri.  Që Perëndia të ruaj dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidmos ato që janë mike me ne dhe bekojë të gjithë  ata o Zot me një qeveri të mirë, falu o Përendi paqë dhe mirëkuptim…..”

Duke   i ndejtur besnike kësaj tradite, gjatë gjithë historisë amerikane,  presidentët amerikanë i kanë ofruar lutje   Perëndisë — por pa preferuar një besim fetar ose një tjetër — në raste   fitoresh ushtarake ose në  raste fatkeqsishë   dhe katastrofash kombëtare.

Edhe   sivjet, në deklaratën e tij me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën   amerikane, Presidenti Barak Obama tha se  ”kur presidenti Xhorxh Washington shënoi ditën   e parë të Falenderimeve të demokracisë tonë, ai iu lutë Krijuesit tonë për   paqë e bashkim dhe kur Kombi përjetoi ndasitë më të thella në historinë e tij   gjatë luftës civile, Presidenti Abraham Linkoln na kujtoi se thellë në zemër   dhe në shpirtin tonë ne jemi një Komb,  që mund të përkulet por nuk mund të   thyhet.”   Presidenti Obama tha se   këto shprehje të bashkimit kombëtar janë edhe sot aktuale.   Duke iu drejtuar bashkkombasve të tij në   këtë ditë të Falenderimeve, Presidenti Obama inkurajoi  ”qytetarët e Shteteve të Bashkuara që të   bashkohen — qoftë në shtëpitë e tyre, qoftë në faltoret, qendrat e   komuniteteve të ndryshme,  ose në   shtëpitë e miqëve e të shokëve të tyre – që të falenderojnë Perendinë për të   gjitha bekimet që Ai na ka dhënë  gjatë   vitit ë kaluar… dhe të ndajmë bekimet tona me të tjerët….”

Amerikanët,   nga natyra janë popull optimist madje edhe në kohë të vështira.   Megjithë problemet ekonomike që vitet e   fundit kanë goditur këtë vend dhe pjesën më të madhe të botës,  megjithë fatkeqsitë natyrore të kohëve të   fundit, si dhe përballë një të ardhme të pasigurtë, amerikanët sot kujtojnë   ditët e para të demokracisë së tyre si dhe vështirsitë dhe fatkeqsitë e   brendshme dhe të jashtme gjatë historisë së tyre, përfshirë edhe luftën civile   — amerikanët janë të vetdijshëm se jetojnë në një vend me shumë bekime,  dhurata të Përendisë, ku çdo person ka të   drejtë të jetojë, të punojë dhe t’i lutet Perednisë në liri.

Filed Under: Histori Tagged With: 2012, dita e Falenderimeve, Frank shkreli

ILIA DILO SHEPERI -NJE FJALIM HISTORIK PËR 28 NËNTORIN

November 18, 2012 by dgreca

           Nga Frank Shkreli/ 100-vjetori i pavarsisë  kombëtare është një ditë krenarie, dhe si e me të drejtë duhet të jetë një festë për  të gjithë, për arritjet e shqiptarëve sot, për luftërat kundër të huajve, në mbrojtje të të drejtave kombëtare.  Duhet të jetë një kujtim edhe i luftës kundër diktaturave të mbrendshme dhe të jashtëme, por mbi të gjitha, në këtë ditë të bardhë, duhet të kujtohen edhe ata që me jetën dhe veprat e tyre pasuruan historinë e kombit shqiptar, të cilët me vuajtjet, sakrificat dhe jetën e tyre bënë të mundur këtë festim.   Një ndër këta është edhe Ilia Dilo Sheperi.   Është për t’u përshëndetur fakti se këtë vit, këtij burri nga një familje e nderuar dhe patriotike, por edhe shumë e vuajtur dhe e persekutuar nga diktatura komuniste, iu dha titulli i lartë  ‘’Nderi i Kombit’’.   Ilia Dilo ishte njëri nga dishepujtë e Shqiptarizmës, një lavërues i dalluar i gjuhës shqipe,  puntor i zellshëm I arsimit shqip, por fatkeqsisht i panjohur për brezin e sotëm të shqiptarëve, pasi vepra e tij lihet pas dore dhe injorohet nga media dhe institucionet e tjera të shoqërisë.    Ilia Dilo ishte një shembull bartës i vlerave të vërteta demokratike  dhe të atdhetarizmit dhe qe cilësuar nga dijetarë të ndryshëm si  ‘’Babai i gjuhësisë Shqiptare.’’   Pasi ishte i njohur për patriotizmin e tij, Ilia Dilo ishte caktuar të bënte pjesë në delegacionin së bashku me At Gjergj Fishtën për të mborjtur të drejtat e shqiptarëve në kryeqytetet e Evropës, por fatkeqsisht për arsye shëndetsore, thuhet se nuk kishte  mundur të shoqëronte Fishtën në atë udhëtim.    Ai luftoi fashizmin e nacizmin, por edhe komunizmin, ideologjitë më ç’njerzore që ka njohur historia.

 Si i tillë, Ilia Dilo dhe patriotë të tjerë si ai, nuk duhet të harrohen, por të kujtohen me nderim, ashtuqë të mos tradhtohet gjaku dhe vuajtjet e tyre, pasi këta si individë dhe si familje, kanë konribuar për të drejtën , mirëqenjën dhe për të mbarën e gjithë kombit. 

 Familja e tij pësoi shumë nga akuzat me të pavënd dhe më të pabesueshme që  mund të trillonte vetëm propaganda e kuqe komuniste.

‘’Edhe po të më vrisni, edhe po të më therni, në fytin tim do lexoni alfabetin shqip’’, ishte përgjigjëja e Ilia Dilo Sheperit ndaj kërcënimeve të shovinistëve greke, pasi ishte ‘’mallkuar’’ nga Patrikana e Stambollit për veprimtarinë e tij patriotike.   Me këtë burr, i cili i shërbeu  Atdheut me besnikëri dhe dinjitet, duhet të jetë krenare jo vetëm familja e tij e gjërë, dhe Zagoria nga rrjedhë ai,  por në këtë 100-vjetor, me kujtimin e tij të mburret edhe e gjithë Shqipëria dhe i mbarë kombi shqiptar.

28 Nëntori këtë vit është një rast historik për të kujtuar dhe festuar pavarësinë kombëtare nga Perandoria osmane.  Por është gjtihashtu edhe një moment në histori për të kujtuar para-ardhësit e shumtë që, secili në mënyrën e vet — kanë kontribuar për realizimin dhe kurorëzimin e kësaj dite me fuqinë e tyre të shpirtit, me kurajon dhe guximin e tyre të pa-përkulshëm si edhe me angazhimin dhe besimin  e  patundur në vizionin e  tyre për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike.   Është gjithashtu edhe një ditë për t’u zotuar për një të ardhme më të mirë, për një komb më dinamik dhe më të bashkuar, plotë shpresë, dashamirësi, dhe integritet kombëtar.

Gjatë këtij viti, janë mbajtur dhe po mbahen fjalime të ndryshme me rastin e 28-nentorit që shënon edhe 100-vjetorin historik të Pavarësisë.  Por nuk besoj se asnjë deri tani as nuk i afrohet frymës atdhetare dhe patriotizmit të shprehur në fjalimin që mendoj mbetet ndër fjalimet klasike, që Ilia Dilo Sheperi mbajti  më 28 Nëntor 192o në Gjirokastër, në një kohë kur kërcënimet ndaj  Shqiprisë ishin të shumëta.

 

Në kujtim të këtij rilindasi të madh, sjellim  fjalimin e plotë  të mbajtur në Gjirokastër, më 28 Nëntor, 1920 nga Ilia Dilo Sheperi:

 ‘’Shqipëria  dIvine, Dheu klasik i trimërisë, kremton sot një nga më të shënjtat ditë të historisë së saj kombëtare:  Ditën e Rilindjes së pagëzimit në jetën e re të Lirisë!   Ditën e venies mbi krye të kurorës së Independencës!

Pas pesëqind vjet jetë t’ashpërt  të robërisë dhe në një kohë tragjike, kur arushet e Ballkanit u vërsulën t’a shuajnë pa mëshirë  gjallërinë e kombit shqiptar, në orizontin e Shqipërisë ndriti Ylli i Mengjezit, mbi Kathedralin e Vlorës shkrepëtiti  Diell’i i Lirisë!    U ngreh Flamuri madhështor i Skënderbeut dhe Perëndia e Lirisë së Kombeve dekretoi shpëtimin e Shqipërisë! 

Ajo e drejtë e shënjtë  q’u ka falur natyra kombeve të botës  ju njojt edhe kombit  t’onë që ruan karakterin  dhe traditat e Ilirëve,  u dha edhe popullit tonë heroik që ka vaditur  me gjak gjithë Sinisinë ballkanike dhe, së fundi, për t’u shpëtuar dyndjeve të valeve të barbarëve, gjatë shekujve, ka qenë shtrënguar të lerë Alltarin e Atdheut të vet dhe të kapërcejë male e dete dhe të përhapet nepër gremina të huaja.    Në këtë vend legjendar, që është shkretuar dëndur nga kataklizmat e luftrave të parreshtura dhe mbi gërmadhat e 70 qyteteve të bukura bërë pajë e zjarrit të legjioneve  romane, vajtojnë zogjtë sot e kësaj dite!

Të tëra këto ngjarje, të gjitha këto tradita e kanë vleftën e kujtimit të naltë, të heroizmës  shqiptare. Dëshmojnë therorësitë e pashembullta të fisit arbnor.   Pasqyrojnë jetën morale të shtërgjyshërve dhe udhëheqin shpirtin e energjisë e të therorisë së brezit t’onë të ri.

Ja!  Këjo është dita simbolike në të cilin kombi shqiptar hyn në radhët ee popujve të lirë dhe zë vendin që i përket  historisë së tij.

Traditat e mbetura nga Pellasgët e Mitollogjisë, trimëri e trashëguar nga stërgjyshërit t’anë, përmënden sot në kronollogjinë e qytetërimit.

Himni i Indipendencës t’onë këndohet nepër oborret e kombeve të rinjë e të lirë.   Te Deum-i i paradisit të fesë s’onë meshohet sot nëpër Kishërat e botës ideale!    Na përshëndesin, na përgëzojnë, na urojnë kombet e lirë!  Na kanë zili e na falen popujt që përpiqen të harrijnë një ditë të bardhë!

Ideali që kanë  ëndërruar stërgjyshërit,  ay ideal i shënjtë që kanë profetizuar heronjtë, protagonistët e luftrave të lirisë s’onë, u realizua sot.  Qëllimi i naltë për të cilin kanë luftuar ata burrërisht nepër malet e ashpërt dhe kanë derdhur gjakun e vlefshëm të tyre: u harrit, u krye!

Intrigat e huaja dhe komeditë e mbrendshme që u lojtën një kohë mbi kurizin e Atdheut nuk e lanë popullin shqiptar të jetonte i lumtur në këto tetë vjetët e para të jetës së re.  Krijuan një situatë të rëndë dhe rrezikuan njëment  tërësinë dhe Independencën e Atdheut.

Gjatë këtyre kohërave të vështira duallën në shesh apostoj të rremë duke predikuar ungjillin magjik të një bese fatale.   Një maqavelizmë që synonte t’i mësonte popullit shiqptar disiplinën e skllavërisë dhe të ç’këputte nga trup’i Atdheut vendin më të shëjntë: VLORËN bujare që e ka falur natyra për të qenë vend i pelegrinazhit të Shqiptarëvet.

Forca ideale, energjia  virgjine dhe patriotizmi i naltë i popullit shqiptar i kapërcyen, gjithë rreziqet që kërcënonin Atdheun.

Dita e 28 Nëndorit  1920 ësht e para që kremton sot plot enthusiazmë Shqipëria  redente, sbukuruar nga Stili gjer në Shkodër me trendafile dafine!

Mblidhuni bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari  të madh t’Atdheut.  Faluni!  Përunjuni përpara këtij Senotafi të shënjtë!   Adhuroni shpirtrat e Deshmorëvet!   Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!

Gëzohuni o Shqiptarë t’arratisur në çdo anë të botës.   Këndoni ju zogjt’e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë!   Lulëzoni ju fusha!   Gjëmoni ju male!  Buçitni ju, lumnejë dhe dete të Shqipërisë!   Bekonani ju o Dëshmorët e shënjtë t’Atdheut!   Kurajo, durim dhe shpresë, Ti  o Shqipëria  iredente!’’

                                      

                                  ———————————————————–

 Është ky një fjalim që u mbajtë në një periudhë të vështirë për  shtetin e ri shqiptar, por që edhe sot u jep jetë  dhe shpresë zemërave;  është një fjalim që përcakton karakterin burrëror të Ilia Dilos por edhe të rilindasve të tjerë bashk-kohorë të tijë;  është një fjalim që frymëzon dhe u jep kurajo të lodhurve dhe nderon heronjtë e të gjitha kohërave.

Filed Under: Histori Tagged With: fjalim historik, Frank shkreli, Ilia Dilo

MALËSI E MADHE, O NDERI I KOMBIT

November 14, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani ka vendosur të dekorojë Malësinë e Madhe me titullin ”Nderi i Kombit”. Pritet që Presidenti Nishani të zhvillojë cermoninë e dorëzimit të titullit, “Nderi i Kombit” Malësisë së Madhe më 25 Nëntor, pak ditë para Festës së Madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën trevat e Malësisë së Madhe , kësaj kalaje të patundur të Arbërit ndër shekuj — kanë dhënë një kontribut të çmueshëm dhe historik.   Është e drejtë historike dhe morale që Presidenti Nishani njeh meritën dhe kontributin e malësorëve, të cilët me ndihmën e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, dhe patriotëve të tjerë, përpiluan memorandumin me 12 pika, të ashtuquajturin ”Libër i Kuq”, e i cili përfshinte kërkesat e të gjithë shqiptarëve, ndër të tjera, për vet administrim, me gjuhë, buxhet dhe guvernator të vetin.   Memorandumi, që në atë kohë bëri jehonë të madhe anë e mbanë Evropës, përfaqësonte kërkesat e të gjithë shqiptarëve.   Në një gazetë  të kohës Kolnische Zeitung, cituar në librin Kosova të Jusuf  Buzhovit në artikullin, ‘’Shqiptarët dhe Evropa’’  thuhet se ‘’Malësorët e fiseve shqiptare të Grudës, Hotit, Kastratit, Kucit dhe të Shkrelit nuk i lëshojnë armët prej dore dhe më me dëshirë vdesin për çështjen e tyre të shëjntë se sa të jetojnë në robëri.’’

Sipas revistës Leka të vitit 1937, nënshkruesit malësorë të këtij memorandumi ishin: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.

Këta ishin prijësit heroikë të malësorëve trima, këtyre rojtarëve të fateve të kombit shqiptar ndër shekuj, që sipas Ismail Qemalit ”ishin pushkë të ngrehura të Shqipërisë”, të cilëve gjatë asaj periudhe kritike për shpëtimin e kombit shqiptar nga copëtimi, iu bashkangjitën në Podgoricë edhe mendjendriturit e atëhershëm të kombit shqiptar, Ismail Qemali, Ekrem Vlora, Luigj Gurakuqi, Fadil Pashë Toptani, Pandeli Cale, Qazim Kokoshi, Hamit Bej Toptani, Risto Siliqi, Xhemal Kondi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi e të tjerë.   Ishte ndoshta hera e parë, ç’prej Lidhjes së Prizrenit, që kryengritja e malësorve kishte përkrahjen e të gjithëve, gjë që i jepte asaj edhe një frymë pjekurie kombëtare që do ta çonte Shqipërinë në pavarësinë e saj.   Më 24 Mars 1911, malësorët trima, me kryengritjen e tyre hodhën hapin vendimtar drejtë lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, megjithëse e copëtuar, e pasuar nga kryengritja e Kosovës më 1912, e prirë nga Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini, duke kurorëzuar kështu një mori kryengritjesh të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tij  kundër robërisë shekullore otomane.

Si një mërgimtar me origjinë nga ato treva, falenderoj Presidentin e Republikës  për akordimin e titullit ”Nderi i Kombit”, Malësisë së Madhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë ditë të shënjtë të kombit shqiptar.   Ky përvjetor, le të festohet në trekëndshin shqiptar: Tiranë-Prishtinë-Shkup, si një festë mbarë-kombëtare në të gjitha trevat, përfshirë edhe Malësinë e Madhe, duke shënuar një moment historik të kombit, kur shqiptarët janë më të lirë se asnjëherë tjetër në historinë e tyre, kurë me fatin e tyre nuk luan më as sllavi as greku e as edhe Evropa shtrigë — dhe kur kombi shqiptar është duke luajtur rolin që i përket atij për ruajtjen e paqës dhe të stabilitetit në Balkan, ndërkohë qe ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar, që Shqipëria e natyrshme të jetë pjesë e pandarë e botës përendimore ështe në prag të realizimit.

Le të shpresojmë qe brezat e sotëm shqiptarë të jenë bartës të denjë të vuajtjeve, sakrificave dhe luftërave të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve gjatë historisë, duke jetuar sipas trinomit në bazë të cilit jetonin dhe vepronin malësorët tanë, e që janë besa, nderi e burrënia, të bindur se këto vlera bazë të përmblidhej udhëzimi i drejtë për një jetesë të ndershme e të kënaqshme për të gjithë kombin.   Me gjith lirinë që gëzojnë sot shqiptarët   pas aq shumë vjetë mohim lirie dhe nepërkëmbje të të drejtave bazë të tyre — së bashku të gjithë festojmë këte ditë shënjte — të mirëfilltë se liria dhe shpëtimi i vërtetë i kombit vjen nga njohja e vlerave të këtij trinomi dhe të traditës frytdhënse të historisë tonë kombëtare, të pastruara nga ideologjitë dhe influencat e huaja.

Duke uruar Malësinë e Madhe për nderimin që i bën Kombi në këtë përvjetor, dhe të gjithë shqiptarët për këtë jubile historik, shpresoj dhe lutem  që liria që gëzojnë sot shqiptarët, të çojë në një përmirësim të gjithanëshëm të jetës politike dhe ekonomike si dhe në një diskurs më të denjë politik dhe në një jetë më të lumtur dhe më të begatshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Frank shkreli, malesia e Madhe, nder I Kombit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT