Nga Frank Shkreli/
Disa ditë më parë, gazeta e Tiranës Telegraf njoftonte për gjëndjen e mjeruar të shtëpisë ku ka jetuar poeti kombëtar At Gjergj Fishta, duke thënë se vetëm disa ditë para 144 vjetorit të ditlëlindjes së Fishtës më 23 tetor, janë disa foto të hedhura në facebook që na kujtojnë gjëndjen e mjerueshme të shtëpisë ku ka banuar poeti dhe rilindasi shqiptar. Gazeta vazhdon duke theksuar se ndonëse busti i Fishtës ndodhet përpara shtëpisë, mbrenda saj është një gjëndje me të vërtetë e mjerueshme dhe për të ardhur keq, ndërkohë që dhomat e shtëpisë janë këthyer në magazinë për kallamishtët e misrit, shkruante gazeta Telegraf.
Nuk është hera e parë që shtëpia, në rrënim e sipër, ku ka banuar At Gjergj Fishta bie në sytë e medias dhe të publikut. Tetorin e vitit të kaluar biznismeni nga Kosova Sabri Maxhuni u kishte propozuar autoriteteve qëndrore në Tiranë dhe administratës vendore në Shkodër restaurimin e shtëpisë, duke ofruar që shpenzimet për restaurimin e banesës së atit të letrave shqipe t’i merrte ai vet përsipër, ndërsa kishte deklaruar se projektin për një nismë të tillë e kishte gati, duke u shprehur se do i kushtohej vëmendja më e madhe rujatjes së orgjinalitetit të shtëpisë. Në atë kohë Z. Maxhuni kishte deklaruar për median se nuk duhej të përballej me ndonjë pengesë për miratimin e këtij projekti, por duket se e kundërta ka ndodhur, pasi ka kaluar më shumë se një vit dhe asgjë nuk ka ndodhur, madje as ndonjë prononcim nga autoritetet, në favor ose kundër. Sipas lajmeve të asaj kohe, Sabri Maxhuninuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe asnga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër. Në të vërtetë, ai kishte paralajmëruar se autoritetet shqiptare mund t’i qisnin probleme, ndërsa pat deklaruar se, “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë”, së At Gjergj Fishtës.Por Sabri Maxhuni megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mundi të përballonte burokracinë anti-fishtjane të Shqipërisë post-komuniste.
Për arsye të mungesës së transparencës nga autoritetet, është e pamundur të thuhet se çfarë komunikimesh mund të ketë pasur midis Sabri Maxhunit dhe autoriteteve përkatëse shqiptare në lidhje me këtë projekt dhe se ku mund të qëndrojë problem. Por ajo që duket e qartë sot, sipas lajmeve në median shqiptare, del se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar. Përkundrazi, ajo që është e qartë, është se përveç mungesës së vullnetit të mirë zyrtar për ta restauruar shtëpinë e Gjergj Fishtes, ajo banesë në të vërtetë po denigrohet, duke u këthyer në një magazinë për kallamishtët e misrit. Vendi ka përvojë 50-vjeçare nën komunizëm për të këthyer monumentet dhe qëndrat e kulturës shqiptare në magazina dhe salla sporti e për kallamishte misri!Mos prononcimi i deritanishëm zyrtar në lidhje me banesën e At Gjergj Fishtës, në të vërtetë, tregon mos interesim dhe heshtjearrogante të autoriteteve për këtë projekt. Si e tillë, nuk mund të cilësohet më thjeshtësi një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje. Kjo tregon një mos respekt të theksuar dhe të kalkuluar mirë nga autoritetet shtetërore, ndaj Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij me vlera kombëtare, në një kohë kur në midis të Tiranës ndërtohet një bunker, gjoja për t’i kujtuar brezave të ardhëshëm kohën e komunizmit, ndërkohë që anë e mbanë Shqipërisë ka ende me mijëra bunkere të asaj kohe.Bunkerat, këto simbole të izolimit të Shqipërisë dhe të një politike absurde të udhëheqjes së saj komuniste, gjoja për t’u mbrojtur nga armiqë që nuk ekzistonin!
Megjithë absurditetin e shpenzimeve për ndërtimin e një bunkeri mu në qëndër të Tiranës, është e vërtetë se shteti nuk mund dhe nuk duhet të financojë lloj projektesh, por ama janë disa projekte dhe figura të historisë kombëtare që duhet të kujtohen dhe vlera e vepravedhe kontributi historik i tyre të përjetësohen për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve por edhe si pasurim i historisë dhe kulturës shqiptare edhe për të tjerët. Një i tillë është dhe duhet të jetë At Gjergj Fishta,në mirënjohje ndaj tij dhe në kujtim të kontributit historik kombëtar në përgjithësi, të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave të shumëta letrare e sidomos të epopesë kombëtare, Lahutës së Malësisë: të kësaj kënge, që sipas At Daniel Gjeçajt, “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel alpet e mjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit”.
Për më tepër, At Daniel Gjecaj ka shkruar në parathanjën e Lahutës së Malësisë të cilë ai e kishte botuar në Romë më 1958 se kjo vepër e At Gjergj Fishtës,është një thesar i vlerave stërgjyshore të kombitshqiptar, është terësia e tipareve morale të shqiptarit, të cilat janë çmuar dhe çmohen nga bota.“Ashtë shkolla e votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës u ruajt, deri më sot nderi, burrënia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese e racës , bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqetsi shembull heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës, fëtyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo’ Lulit, fisnikëria e virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At Daniel Gjeçaj në paraqitjen e botimit të Lahutës më 1958 në Romë.
Fatkeqësia — që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë edhe sot At Gjergj Fishta është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm shekulli. Nga vet kombi i vet të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbit të gjitha, t’i ruante ato dhe në veprat e tija të pavdekshmetë përjetësonte vlerat kombëtare të fisit të shqiptarit.
Megjithëkëtë, kundër At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij vazhdon “përdhunimi historik”, harresa dhe denigrimi, nga një grup siç duket gjithnjë me influence në vendimarrje të tilla, nga një grup historianësh politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese si si “fashist” e “tradhëtar’’. Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian – dhe nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave kombëtare – të një familjeje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.
Fishta i kishte thënë Konferencës së Parisit se nga kjo familje rrjedhë kombi i sotëm shqiptar, “aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë”. Ndonëse, At Gjergj Fishta, gjithë jetën mbrojti të drejtat dhe vlerat e shqiptarit që historikisht gjykohej aq zi në Europë dhe nga armiqët e tij për rreth, lind pyetja se kush do të dalë sot zot e të mbrojë Gjergj Fishtën dhe trashëgiminë e tij nga harresa, denigrimi dhe “përdhunimi historik” nga vet populli tij, zakonet, tiparet dhe vlerat e të cilit ai i përjetësoi, i bëri të pavdekshme!!!!!!????????
Kujtimi, vepra dhe kontributi i At Gjergj Fishtës në historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe duhet të ruhen dhe të kultivohen, sepse kështu do të ruhen vetë vlerat shekullore të shqiptarëve. Vlerat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar – simbol i të cilave ishte Fishta — duhet të shpëtohen nepërmjet kujtesës së trashëgimisë së At Gjergj Fishtës,vlera të cilat ai i përjetësoi në vargjet e pavdekshme të Lahutës së Malëcisë dhe veprave të tjera. Restaurimi i banesës ku ka jetuar At Gjergj Fishta do të ishte një hap i nevojshëm në këtë drejtim. Fatkeqsia është se ushtarët e lodhur dhe mbështetsit në këtë përpjekje — janë të pakët në numër — për të mos thënë në zhdukje e sipër, e me ta edhe kujtesa ndaj poetit kombëtar, At Gjergj Fishta.
DËSHPËRIM DHE VETËM DËSHËPRIM!
Nga Frank Shkreli/
Për shqiptarët në mërgim, por dhe për të gjithë shqiptarët kudo, gjëndja e mjerueshme e shqiptarëve gjatë historisë fatkeqe, sidomos të gjysëm shekullit të kaluar nën komunizmin ndërkombëtar- për të mos shkuar më larg në histori- na i kishte zhdukur shpresat se fati i pamëshirshëm i kombit shqiptar do të shihte ditë më të mira dhe më të gëzueshme.Gjatë shekullit të kaluar,mijëra shqiptarë humbën jetën duke u flijuar nepër kampe e burgje të Enver Hoxhës dhe të Serbisë, anë e mbanë trojeve shqiptare. Dukej sikurë mjerimi për shqiptarët e ngratë nuk do të kishte fund. Me të drejtë, ata ndiheshin të nepërkëmbur dhe të keqpërdorur nga “udhëheqsit” e vetë dhe të harruar nga bota e jashtëme. Kishte humbur shpresa për ndonjë ndryshim për më mirë, ndërsa mjerimet kishin arritur kulmin, kudo që jetonte shqiptari në trojet e veta në Ballkan. Ishte koha kur një pakicë, që “vet fliste e vet vulonte”, sundonte në bazë të një ideologjie të huaj dhe e mbronte atë ideologji duke përdhunuar, gjatë atij sundimi, historinë e kombit, në emër të shqiptarëve.
Ndërkaq, ndryshimet që pasuan shëmbjen e Murit të Berlinit anë e mbanë Europës ish-komuniste, më në fund, patën efektin e vet edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Kanë kaluar 25 vjetë nga shëmbja e komunizmit në Shqipëri, ndërsa në këtë ndërkohë Kosova u çlirua nga fashizmi serb dhe më në fund siguroi pavarësinë, falë luftës dhe sakrificave të mijëra shqiptarëve që flijuan veten për një Kosovë të lirë, me një mbështetje të paparë të aleatëve perëndimorë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dukej sikurë në këtë periudhë, mjerimi, vuajtjet, vrasjet, shkelja e të drejtave të njeriut dhe viktimizimi i shqiptarëve po merrnin fund dhe se fati dhe historia, ndonëse e vonuar, do ti trajtonte shqiptarët më mirë se kurdoherë tjetër gjatë historisë së tyre. Thuhej se, më në fund, edhe Perëndia e këtheu fëtyren e Tij ndaj nesh. Shpresohej se — me përmbysjen e ideologjive të huaja sllavo-komuniste –kjo ishte periudha e artë e shqiptarëve — kur pa ndërhyrje nga jashtë, gjaku ilir më në fund do të qarkullonte përsëri në trupin arbënuer si një ushqim dhe si oksigjen i jetës, duke shënuar fillimin e ditëve më të bardha për mbarë kombin shqiptar.
Fatkeqsisht, po ti hidhet një sy gjëndjes së sotëme politike dhe ekonomike, sidomos në Shqipëri dhe në Kosovë – por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, çdo vërejtës i pa-anshëm do të vinte në përfundimin se këto shpresa janë venitur dhe se mjerimi dhe dëshpërimet, ndonëse të ngjyre tjetër dhe i shkaktuar nga një brez i ri, vazhdon për shqiptarët dhe se kjo klasë politike shqiptare, e katandisur kombin shqiptar në një rrugë të pa qëllim, humbje shpresash dhe lodhjesh fizike dhe shpirtërore. Mjafton të ndjekësh punimet e dy kuvendeve, të përfaqsuesve të popullit në Tiranë dhe në Prishtinë, për të kuptuar dëshpërimin që ndjejnë sot shqiptarët dhe që po i detyron ata të largohen nga trojet e tyre. Në vend që të debatojnë për përmirsimin e jetës së qytetarëve dhe të paraqesin alternativa të ndryshme zhvillimi e investimi, punimet e dy kuvendeve shqiptare mbizotërohen me sharje e sulme ndaj njëri tjetrit — me sjelljet e tyre, përfaqsuesit e popullit shqiptar — me shpifjet dhe akuzat ndaj njëri tjetrit — duhet të jenë të ndërgjegjëshëm se po dhunojnë kultin e vërtetë të shqiptarit, nderin, burrëninë dhe vlerat stërgjyshore, që historikisht kanë nderuar kombin shqiptar. Nëqoftse këto vlera kanë ndonjë rëndësi për ta!? Fatkeqsisht, siç më tha kohët e fundit një mik imi i posa këthyer nga trojet tona, duke iu referuar zhvillimeve politike të fundit ndër shqiptarët, njerzisë në ato anë, shtoi ai, nuk i ndihet as era.
Pas 25 vitesh ç’prej shëmbjes së komunizmit dhe ç’prej çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, që me të drejtë u pritë me euforinë më të madhe nga shqiptarët mbrenda dhe jashtë atdheut — dhe kur mendohej se mjerimi dhe dëshpërimi po merrnin fund — shqiptarët sot ndihen të ligështuar materialisht dhe të lodhur shpirtërisht, duke zgjedhur rrugën e mërgimit, si asnjëherë më parë, si të vetmen alternativë për të dalur nga kjo situatë. Të shtyrë nga dëshpërimi dhe nga mungesa e përspektivës për një jetë më të mirë në vendin e tyre, shqiptarët janë në vendin e dytë — pas sirianëve ku mbretëron një luftë e ashpër civile që ka detyruar largimin e qindra mijërave nga vendi i tyre — ndër ata që kërkojnë strehim në vendet e Europës Përendimore.
Dëshpërim nën komunizëm, dëshpërim nën sundimin sllav, e dëshpërim edhe sot në të ashtuquajturën demokraci Kur do marrë frymë lirisht shqiptari? Kjo kritikë, ndonëse pak e ashpër, ka qëllim ndërtues. Shkruesi i këtyre rreshtave, normalisht optimist nga natyra, ka filluar të lëkundet në optimizmin e tij ndaj mungesës së zhvillimeve një qytetërie më njerëzore ndër shqiptarët, sidomos në radhët e partive politike shqiptare dhe të klasës politike shqiptare në përgjithësi, anë e mbanë trojeve. Thonë se shpresa vdes e fundit. Shpresa ime është se demokracia, megjithë vështirsitë e deritanishme, do të mbretërojë edhe ndër shqiptarët. Një demokraci e cila do të bashkrendojë mendimet dhe qëllimet e përbashkëta për krijimin e një jetese të përditshme më të mirë për të gjithë shqiptarët dhe në mbështetje të interesave afatgjata të kombit shqiptar. Por, kjo nuk mund të arrihet pa një respekt për njëri tjetrin dhe ndaj mendimeve dhe të qëndrimeve të kundërshtarit politik. Duhet që të ketë kaluar koha kur shqiptari e konsideronte shqiptarin armik, i cili në minimum duhej asgjësuar politikisht, për të mos thënë edhe eliminim fizik. Pak atdhedashuri, ju lutem, për nder të Atdheut, por edhe për nder ndaj njëri tjetrit, pasi Atdheu pa shqiptar nuk duhet gjë. T’i tregohet botës se shqiptarët e duan Atdheun e tyre dhe njëri tjetrin, ashtuqë në këtë mënyrë duke dashur Atdheun dhe njëri tjetrin, t’i qesin nam e nder kombit të vet.
Ndoshta, atë që nuk arrijtën dot partitë politike dhe klasa politike në përgjithësi gjatë këtyre 25 të post-komunizmit, e realizoi kohët e fundit skuadra kombëtare e futbollit me kualifikimin e saj, me arritjen historike të Europianit, si njëra prej skuadrave më të mira të Euro 2016. Ata u dhanë arsye shqiptarëve kudo, për të qenë rishtas krenarë para botës. Kjo është një ndër arsyet se megjith dëshpërimet dhe antagonizmat politike të momentit, unë jam optimist se vlerat e njëmendta të shqiptarit, heret ose vonë, do të mbizotërojnë në radhët e brezave të ardhëshëm të shqiptarëve por edhe në sytë e të gjithë botës për t’i parë dhe për t’i dalluar ata nga kombet e tjera. Më në fund, shpresa do të mund dëshpërimin!
ROLI I DIASPORËS NË POLITIKËN E JASHTËME AMERIKANE
Nga Frank Shkreli/
Të premtën që kaloi, në Departmentin Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington u mbajt konferenca një-ditore mbi rolin e diasporës në politikën e jashtëme dhe në diplomaci, tubim që shënoi njëkohësisht edhe fillimin e aktiviteteve kushtuar Javës së Diasporës Botërore dhe ndikimit të diapsorës në zhvillimet botërore. Në konferencën e javës së kaluar morën pjesë një numër zyrtarësh të lartë amerikanë si dhe udhëheqës nga sektorët publikë e privatë, si dhe përfaqsues të shoqërive civile, me qëllim për të dëgjuar mendimet e udhëheqsve të diasporës, për të përforcuar kapacitetet organizuese të pjesëmarrësve dhe për të krahasuar përvojën e tyre midis organizatave të ndryshme. Java e Diasporës Botërore, me një numër aktivitesh në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të botës, u kushtohet komuniteteve të diasporës si dhe kontributit të tyre ndaj zhvillimit global.
Ndër folësit kryesorë që iu drejtuan pjesëmarrësve të konferencës mbi diasporën, ishte edhe kryediplomati amerikan, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, i cili tha se ishte tepër krenarë për këto përpjekje dhe për rolin që luan diaspora në këtë vend, duke venë në dukje partneritetin publik dhe privat, në rritje e sipër, në fushën e diplomacisë dhe të politikës së jashtëme amerikane. Zoti Kerry tha se, si ish përfaqsues i shtetit Masaçusets për dekada, që është shteti më një shumicë dërmuese irlandeze, vlerësoi lartë kontributin që irlandezo-amerikanët kanë dhënë për të dy vendet tona. Ai vlerësoi ish-Senatorin Ted Kennedy për kontributet e tija në këtë fushë dhe si njërin prej përkrahësve më të vendosur, në mbështetje të drejtësisë shoqërore dhe të gjithë atyre të cilët erdhën në këtë vend për të kërkuar mundësitë për një jetë më të mirë, për një jetë në liri dhe në shpresë, tha John Kerry.
Duke kritikuar tërthorazi ata që mund të thonë se e ardhmja e Amerikës është disi në rrezik, sepse sipas tyre, Amerika është një pasqyrë e aq shumë grupeve të ndryshme etnike dhe fetare dhe se një shoqëri me aq grupe të ndryshme kulturore dhe etnike nuk mund të jetë aq prodhuese dhe efikase, pretendojnë ata, sa do të ishte një shoqëri ku shumica e njerëzve i përkasin një feje të vetme ose një race të njëjtë. Ata janë gabim, shtoi Kerry! “Amerika funksionon më së miri — jo kur grupe të ndryshme veprojnë vetëm për interesa të veta – por atëherë kur individët e lirë bëjnë ç’mosin për të përmirësuar vetveten dhe jetën e tyre, ndërsa gjatë këtij procesi të gjithë së bashku e bëjnë Amerikën, atë që është.” Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, “Grupet e ndryshme etnike, kulturore dhe fetare, që përbëjnë diversitetin e njohur të këtij vendi, përbëjnë një forcë dhe jo dobësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” Për më tepër, shtoi kryediplomati amerikan, në botën e sotëme të ndërlidhur në të cilën jetojmë, diversiteti është gjithashtu një doemosdoshmëri strategjike. “Periudha në të cilën jetojmë”, nënvijoi ai, “nevojitë institucione elastike dhe një politikë të jashtëme që reagon shpejt dhe në mënyrë të shkathët. Pjesë e kësaj politike të jashtëme është edhe angazhimi i komuniteteve të diasporës dhe roli i tyre në përpilimin e kësaj politike”, theksoi ai.
John Kerry u shpreh gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë numërin më të madh se çdo vend tjetër të grupeve etnike në diasporë, duke thënë se mbi 60-milionë amerikanë i përkasin brezit të parë ose brezit të dytë imigrantësh. Në fjalën e tij, ai i tha konferencës në Washington se, “Komunitetet e diasporës janë shpeshëherë ndër aktorët e parë që u përgjigjen ngjarjeve me rëndësi, qoftë në rast fatkeqsishë natyrore ose sulmesh terroriste, krizash financiare dhe politike, ose madje edhe në rast mundësishë të reja biznesi.” Ai u dha kredinë grupeve të diasporës duke thënë se ato janë të parat që mësojnë për krizat politike në ish-vendet e tyre dhe nënvijoi rolin e tyre duke thënë se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtëme më përfshirse dhe komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi dhe përfaqsues të diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”, mbi krizat në ish-vendet e tyre. Grupe të diasporës, vazhdoi ai, janë shpesh të parat që debatojnë mbi një çështje që interesojnë ato dhe të parat që paraqesin opcione të ndryshme për zgjidhjen e tyre. Përveç kontakteve me zyrtarët më të lartë amerikanë, grupe të ndryshme të diasporës në Amerikë, kanë gjithashtu lidhje të ngushta dhe direkte me vendet e origjinës, ka thënë kryediplomati amerikan. Në lidhje me rolin e diasporës në në këtë fushë, ai theksoi rëndësinë e parneriteteve në botën e sotëme, duke thënë se, “Asnjë vend, madje as Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë vetëm. Kështuqë, ne varemi në bashkpunimin me aleatët tanë ndërkombëtarë, ndërkohë që komunitetet tona të diasporës mund të ndihmojnë në funksionimin më të mirë të këtyre partneriteteve me aleatët tanë ndërkombëtarë.” Si përfundim, tha John Kerry, “Udhëheqsit e këtyre komuniteteve janë ndër ambasadorët më të mirë kulturorë që mund të kemi.” Ai vuri në dukje një numër sfidash të politikës së jashtëme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara në marrëdhënjet e tyre me vendet e tjera dhe tha se, “Një gjë është abslutisht e qartë: Komunitetet e ndryshme të diasporës në Amerikë po ndihmojnë në përballimin e të gjitha këtyre sfidave.”
Në përmbyllje, Sekretari Amerikan i Shtetit i tha konferencës mbi rolin e diasporës në Amerikë në diplomacinë e këtij vendi, se “Imigrantët kanë ndërtuar Amerikën. Dhe imigrantët vazhdojnë të japin kontributin e tyre duke e bërë Amerikën atë që është sot”. Kjo është historia jonë, tha ai. E drejta, pra, për të qenë ndryshe në bazë të kulturës, racës dhe gjuhës – këto janë gjërat që bashkojnë popullin amerikan dhe që na bëjnë një. Kryediplomati amerikan përfundoi fjalimin e tij duke thënë se “Është e drejta për të qenë ndryshe, ajo që përcakton se çfarë vendi është Amerika dhe kjo konferencë, ky celebrim i rolit që luajnë komunitetet tona të diasporës si edhe diversiteti etnik dhe kulturor i këtij vendi”, theksoi ai, “janë një pasqyrim shumë i bukur dhe domethënës i kësaj së vërtete.”
Megjithëse kryediplomati amerikan nuk përmendi komunitete të ndryshme me emër, dihet mirë se historikisht, komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë dhe është pjesë e denjë e kësaj diaspore amerikane. Dihet mirë roli që ky komunitet ka luajtur në përpilimin e politikës së jashtëme të Shteteve të Bashkuara, sidomos të diplomacisë amerikane karshi Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe ndaj të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi. Është ky një rol i shqiptzaro-amerikanëve që në të vërtetë pasqyron më së miri ato që përmendi Jon Kerry në fjalimin e tij. Duke filluar nga fillimi i shekullit të kaluar, kur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Vatrën dhe udhëheqsit e saj, Fan Noli e Faik Konica shpëtuan Shqipërinë duke bindur Presidentin e atëhershëm amerikan Woodrow Wilson për të mbështetur pavarësinë e Shqipërisë, cili sipas Nolit, pat deklaruar se “Një zë do të kemë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do e përdor në favor të Shqipërisë.” E deri tek kohët moderne, në mbarim të shekullit të kaluar, kur Kosova u përball me gjenocidin serb për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Prap, ishte komuniteti shqiptaro-amerikan ai i cili loboi dhe më në fund siguroi përkrahjen e zyrtarëve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit amerikan për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, që çoi në jo vetëm këthimin e shqiptarëve të çvendosur në shtëpitë e tyre, por edhe në një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Komuniteti shqiptaro-amerikan, në të dy këto raste dhe të tjera, ishte pjesë përbërse e përpilimit të politikës së jashtëme, të diplomacisë dhe politikës ushtarake të Shteteve të Bashkuara kur e kërkonte interesi i shpëtimit të kombit shqiptar. Në të vërtetë, angazhimi i këtij komuniteti mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një diaspore në Amerikë, për të cilën foli Sekretari Amerikan i Shtetit. Ky rol i komunitetit shqiptaro-amerikan, fatbardhësisht është njohur dhe njihet nga udhëheqsit më të lartë amerikanë. E njëjta gjë nuk besoj se mund të thuhet për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare. Përkundrazi, gjatë 25 viteve të fundit, është venë re një hesitim nga ana e dy shteteve shqiptare për të përfituar, nga jo vetëm diaspora shqiptaro-amerikane, por edhe nga diasporat shiptare në vende të ndryshme të botës, — sidomos kur është fjala për forcimin e marrëdhënjeve me diasporën si urë me vende të rëndësishme për fatin e shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vend të angazhimit të kësaj diaspore në favor të marrëdhënjeve më të mira me vendet ku jeton, shpeshëherë janë venë re përpjekje për ta përdorur diasporën shqiptare për qëllime të ngushta individuale dhe partiake nga udhëheqës e parti të vendlindjes, aq sa fatkeqsisht tani vihen re përçarje edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përçarje që shpesh pasqyrojnë — për fat të keq — ndasitë dhe përçarjet politike dhe mosmarveshjet partiake në atdhe, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Kryeminsitri shqiptar, Edi Rama ka njoftuar kohët e fundit mbajtjen e një konference për diasporën në Tiranë, fillim vitin e ardhëshëm. Nismë e mirë kjo, por mbetet për tu parë nëse kjo konferencë, nëqoftse mbahet, do të shërbejë si një mjet fatkeq për të përçarë edhe mëtej diasporën, a por do të jetë një përpjekje me të vërtetë gjithpërfshirëse për bashkimin e komuniteteve të diasporës shqiptare, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis brezave të ndryshëm. Qëllimi i kësaj konference duhej të ishte angazhimi i diasporës në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve me vendet mike të shqiptarëve, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Shqipërisë e të Kosovës dhe për mirëvajtjen afatgjatë të mbarë kombit shqiptar. Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry të premtën që kaloi, ishte se diaspora është një pasuri e madhe për Amerikën dhe si e tillë të mos injorohen komunitetet e diasporës, sepse siç tha edhe ai, përfaqsuesit e këtyre komuniteteve në këtë vend, “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi.”
MARRËDHËNJET AMERIKANO-GJERMANE DHE MURI I BERLINIT
Nga Frank Shkreli/
Në fillim të gushtit, Departmenti Amerikan i Shtetit kishte njoftuar se me mbështetjen e Qëndrës Atlantic Council të Studimeve Ndërkombëtare dhe nepërmjet një marrveshjeje me firmën gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft, një pjesë e veçantë e Murit të Berlinit do të vendosej në Qëndrën e Diplomacisë së re të Shteteve të Bashkuara, në Kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) në Washington.Në fakt, të mërkurën u zhvillua një ceremoni në DASH, në praninë e Presidentit të Gjermanisë, Z. Joachim Gauck, Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry dhe të një numëri zyrtarësh dhe diplomatësh të lartë gjermanë dhe amerikanë, për inuagurimin zyrtar të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Qëndrën e Diplomacisë Amerikane në Washington. Zyrtarët e lartë amerikanë dhe gjermanë e kanë cilësuar Murin e Berlinit, jo vetëm si një kujtesë të përhershme të historisë së përbashkët dhe të marrëdhënjeve midis dy vendeve, por kanë vlerësuar njëkohsisht edhe rolin që ky mur ka luajtur historikisht dhe që luan edhe tani në forcimin e pazevëndsueshëm të mëtejshëm të lidhjeve transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, tani dhe në të ardhmen.
Në fjalën e tij përshëndetse gjatë ceremonisë së inaugurimit , Sekretari Amerikan i Shtetit, Kerry tha se, në emër të Departmentit që ai kryeson dhe në emër të popllit ameirkan, “E pranojmë këtë simbol unik të Murit të Berlinit, ndërkohë që kujtojmë me respektin më të madh partneritetin e pazëvendsueshëm midis dy vendeve tona të mëdha”. Kryediploamti amerikan u shpreh se, “Tani jemi më të vetdijshëm se ç’ ishim në vitin 1961, se ndërtimi i Murit të Berlinit ishte jo vetëm një vepër armiqësore, por edhe një pranim i një humbjeje ose dështimi të turpshëm.” Ai shtoi, se historia na mëson se duke filluar nga Roma e vjetër dhe nga Kina mesjetare, qytetërime të ndryshme kanë ndërtuar mure dhe pengesa të tjera për të mbajtur larg armiqët, por asnjë herë më parë nuk kishte ndodhur që një qeveri ta shihte të nevojshme që të ndërtonte një mur për të rrethuar shtetasit e vet që të mos largoheshin nga vendi. John Kerry u tha të pranishëmve se shumë veta humbën jetën në përpjekje për tu arratisur nga parasja komuniste dhe se shumë familje gjermano-lindore, përfshirë edhe familjen e Presidentit të tanishëm të Gjermanisë së bashkuar, Joachim Gauck nuk jetonin në liri. Kryediplomati amerikan u kujtoi të pranishëmve se në fakt, babai i presidentit të ardhëshëm (Joachim Gauck) ka qenë i burgosur në një gulag sovjetik. “Kjo përvojë”, shtoi Zoti Kerry, “ndihmoi që djali i tij të bëhej një kampion i vërtetë i demokracisë, një aktivist i guximshëm dhe një udhëheqës të cilit policia sekrete e Gjermanisë Lindore i referohej si ‘një antikomunist i pa-korrigjueshëm’. Në të vërtetë, ky ishte lavdërimi më i madh që mund t’i bëhej presidentit të ardhëshëm të Gjermanisë së bashkuar, Z. Gauck, theksoi John Kerry.
Në fjalimin e tij, John Kerry falënderoi Presidentin e Gjermanisë për praninë e tij në këtë ceremoni, duke shtuar se pjesëmarrja e tij në inaugurimin e një pjese të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit tregon se ndërtimi i atij muri në vitin 1961 nuk ishte vetëm një lojë gjeopolitike, por ishte, theksoi ai, “një tragjedi e tmershme në një kohë kur shumë veta që donin lirinë dhe paqën u detyruan të jetonin në heshtje, ndërkohë që miliona liridashës u persekutuan dhe u burgosën për një pjesë të madhe të jetës së tyre. Kurrë nuk do të dihet se sa njerëz të vullnetit të mirë e të guximshëm humbën jetën në përpjekje për të kapërcyer Murin e Berlinit”, nënvijoi kryediplomati amerikan. Duke paraqitur Presidentin e “Aleatës tonë të madhe”, Gjermanisë, John Kerry tha se pas pothuaj një çerek shekulli ç’prej ribashkimit të Gjermanisë ne jemi tepër krenarë për marrëdhënjet e zhvilluara gjatë dekadave midis dy vendeve tona, duke e cilësuar Gjermaninë si një aleate, partnere dhe mike të besueshëme të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkaq, Presidenti gjerman Joachim Gauck iu drejtuar të pranishëmve se ishte i nderuar që emëri i tij ishte në atë pjesë unike të Murit të Berlinit së bashku me emëra të shumët të personaliteteve të larta politike të kohës, duke thënë se ndonëse kur u shemb Muri i Berlinit ai nuk kishte ndonjë detyrë të lartë, por ishte vetëm “njëri prej aktivistëve i cili ndihmoi njerëzit që të luftonin për lirinë e tyre.” Në fjalën e tij, udhëheqsi gjerman tha se gjatë kësaj vizite, “zemëra ime është plot falënderime dhe mirënjohje ndaj popullit amerikan, i cili për një kohë aq të gjatë ka mbështetur dhe ka luftuar për bashkimin e Gjermanisë.”
Presidenti gjerman iu referua edhe lëvizjeve për demokraci anë e mbanë Europës Lindore gjatë sundimit komunist, duke thënë se ata që donin të mbanin nën thundrën e tyre popullsi të tëra, më në fund nuk dolën fitues, pasi ata u mundën nga demonstratat dhe masat paqësore të popujve që donin mbi të gjitha paqë dhe liri. Ai theksoi në radhë të parë vendet e Europës Lindore që tani janë të lira dhe të cilat kanë përvetësuar vlerat e vendeve të lira siç janë Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës së lirë. “Aty ku mbretëron liria”, tha presidenti gjerman, “muret do të shëmben.” Ai shprehi dëshirën e tij se njerzit, që do vizitojnë pjesën unike të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit, “Do të kujtojnë kufizimet e atyre sukseseve që mund të realizojmë, të dështimeve që nganjëherë duhet të pësojmë dhe t’i pranojmë, por edhe të fitoreve të lirisë dhe të njerëzve të cilët luftojnë për liri dhe të mos harrojnë përfitimet që ka sjellur liria.” Në fund të fundit, shtoi udhëheqsi gjerman, “Njerëzit nuk mund të jenë të kënaqur nëqoftse nuk zbatojmë vlerat dhe nëqoftse nuk jetojmë bazuar në vlerat që të gjithë ne i konsiderojmë universale — siç janë respekti për ligjin dhe për dinjitetin njerëzor.” Presidenti Gauck tha në fund të fjalës së tij në Departmentin Amerikan të Shtetit të mërkurën, se shpreson që kur diplomatët e ri të shikojnë këtë segment të Murit të Berlinit, këtij relikti të Luftës ës Ftohtë, “Të besojnë në atë që mund të realizohet kur njerëzit marrin guximin dhe kurajon për të konsideruar veten qytetarë të përgjegjshëm dhe është në këtë frymë që unë shprehi mirënjohjen time ndaj Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan”, përfundoi presidenti gjerman, Joachim Gauck fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të një segmenti unik të Murit të Berlinit në Departmentin Amerikan të Shtetit.
Muri i Berlinit ishte për pothuaj 30-vjetë simboli më i dukshëm i Luftës së Ftohtë dhe një i betejës mes totalitarizmit të komunizmit ndërkombëtar dhe demokracisë, gjatë 50-vjetëve të fundit të shekullit të njëzetë. Shëmbja e Murit të Berlinit, siç tha edhe presidenti gjerman të mërkurën në Washington, ishte një ndër ato ngjarje kur njerëzit e lodhur nga shtypjet dhe diktatura morën guximin dhe vendosën që më në fund të realizonin dëshirën e tyre për liri dhe demokraci, ashtu siç bënë gjermano-lindorët një çerek shekulli më parë. Guximi i gjermano-lindorëve u bë shëmbull për të gjithë ka thënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama i cili në deklaratën e tij me rastin e 20-vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit ka theksuar se, “Gjatë gjithë kësaj historie, fati i këtij qyteti u reduktua në pyetjen e thjeshtë: A do të jetojmë të lirë apo në pranga? Nën qeveritë që mbështesin të drejtat tona universale, apo nën regjime që i shtypin ato? Në shoqëritë e hapura që respektojnë shenjtërinë e individit dhe vullnetin tonë të lirë, apo në shoqëritë e mbyllura që e mbysin shpirtin?”
Muri i Berlinit, ose “Muri i Turpit”, siç e ka cilësuar edhe ish-Kancelari gjerman Willy Brandt ishte me të vërtetë simbol i shtypjes së komunizmit, i ndarjes së Berlinit, të Gjermanisë dhe Europës — një simbol që “mbyste shpirtin” e njeriut, pjesë e të cilit tani është instaluar në në Qëndrën e re të Diplomacisë Amerikane në kryeqëndrën e Departmentit Amerikan të Shtetit në Washington, si një simbol i kujtesës së përjetësuar i shtypjeve të lirive dhe të drejtave universale të njeriut nga regjimet komuniste të shekullit të kaluar në Europë.
SHPIRTI HUMAN I NJË FRATI GJERMAN NË SHQIPËRI DHE DËSHTIMI I SHTETIT
Nga Frank Shkreli/
Media të ndryshme vizive dhe e shkruara në Shqipëri raportuan gjatë fund javës që kaloi një lajm, që për nga natyra dhe besueshmëria, ishte vështirë për të mos thënë e pamundur që të mos tërhiqte vëmendjen e lexuesit. Ishte një lajm disi i jashtzakonshëm, sepse njoftohej për një prift gjerman, në të vërtetë për një frat të urdhërit të Shën Françeskut, i cili i shërben grigjës së tij në rrethin e Pukës duke u kujdesur për nevojat shpirtërore të popullësisë së atyre anëve të varfëra e të izoluara të veriut, një zone kjo e shtypur për pothuaj 50-vjetë nga regjimi komunist dhe një krahinë e lënë pas dore dhe e harruar nga qeveritë e njëpasnjëshme post komuniste të 25 viteve të kaluara.
Fjala është për Fratin gjerman Andreas Walterman i cili siç duket, për të qenë sa më afër popullit që i shërben, ka mësuar dhe e flet shqipen rrjedhëshëm. Nuk besoj se frati gjerman kur erdhi në Shqipëri të kishte pasur në plan ndërtim rrugësh dhe urash. Por i dëshpëruar nga varfëria e skajshme dhe nga mos kokëçarja e shtetit për nevojat bazë dhe për sigurinë e qytetarëve të vet, sipas lajmeve, At Andreas bëri atë që nuk e kishte bërë shteti: ndërton rrugën dhe ngre urën në fshtatin Kavlina të Bashkisë së Pukës.
Banorët e zonës shprehën zemërimin e tyre mbi gjëndjen e përgjithshme në të cilën gjënden duke u shprehur për News 24 dhe duke u ankuar se “jetojnë si në mesjetë”, të izoluar dhe të harruar. Siç duket, ura e vjetër e fshatit mbi lumin Fan ishte aq e rrezikshme për fshatarët, sa që detyroi At Andrean të bënte diçka në lidhje me atë situatë. At Andreas veproi, sipas News 24, pasi kërkesat dhe lutjet e vendasve ndaj organeve të shtetit shqiptar për ndërtimin e një ure të re kishin rënë vazhdimisht në veshë të shurdhët. Megjithëse të mospërfillur dhe të zhgënjyer nga shteti, News 24 raportoi se — falë ndërhyrjes së at Andreas — ata tani kanë urën e re dhe nuk do të detyrohen më të kalojnë lumin mbi urën e vjetër në këmbë me të sëmurët apo të vdekurit mbi shpinë. News 24 raporton se tashti banorët e zones nuk do të detyrohen të rrezikojnë më jetën, pasi “falë kontributeve të At Andreas Walterman fshati ka tashti rrugën automobilistike dhe urën e re.” Media shqiptare ka përmendur edhe në të kaluarën kontributet dhe ndihmat e këtij frati gjerman për zonat më të izoluara të Shqipërisë së veriut të cilat në atë anë, janë të njohura tanimë. “Ura e Kavlinës është gati”, u shpreh shqip ditën e inaugurimit të saj, frati gjerman. “Gjithashtu rruga në fshat është e hapur. Qoftë rruga, qoftë ura të jenë si një damar i jetës për ju dhe për zhvilimin e fshatit Kavlinës dhe për dobinë e të gjithëve”, u tha të pranishëmve të zones, At Andrea. Fshatarët nuk mund të përmbanin kënaqësinë dhe entuziazmin e tyre duke falenderuar At Andrean për këtë vepër të madhe për ta, ndërsa u shprehën se “më në fund edhe për ne tashti po shëndritë dielli”. Ky në të vërtetë ndërtimi i rrugës dhe i urës duhej të ishte një projekt i shtetit dhe jo i një frati nga Gjermania!
News 24 raportoi se falë përkujdesjes dhe kontributit të At Andreas, fshati Kavlinas nuk do të jetë më i braktisur siç ishte deri tashti, megjithë realitetin e hidhur historik të kësaj zone të shtypur dhe nepërkëmbur. Banorët e këtij fshati nuk do tu u trembën më ujrave të rrëmbyeshëm të lumit Fan. Kjo, jo, falë përkujdesjes dhe investimeve të shtetit, por siç raporton edhe korrespondenti i News 24, Armir Mehaj, falë “kontributit dhe shpirtit human të atij (At Andreas) që të varfërit e këtyre anëve i do më shumë se ata për të cilët fatkeqët e Veriut votojnë prej 20 vitesh.”
Ata për të cilët “Fatkeqët e Veriut votojnë prej 20-vtesh, janë bërë pjesë e një politike që nuk shikon as nuk e intereson gjë tjetër veç karriga, mbajta e karrigës me çdo kusht. Politika, si industri kryesore në vend, është në dorë të një grupi, që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, para nja dy viteve në Munich të Gjermanisë, i ka cilësuar si oligarkë, interesat e të cilëve i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik dhe të cilët kanë helmuar dhe kanë korruptuar klasën politike dhe njëkohsisht edhe median për interes të tyre ekonomik dhe politik. Fatkeqsisht, siç ka thënë At Zef Pllumi, “Shqiptari ende se ka kuptue se politika ashtë shërbim dhe jo fitim”.
Dishepujt e urdhërit të Shën Françeskut, ose siç u referohen në Malësi si “Fretnit e maleve tona” — shqiptarë dhe të huaj — ata kanë një histori të gjatë në ato anë, në të vërtetë prej shekujsh — përkujdesjeje shpirtërore, materiale dhe kulturore ndaj zonave të Malësisë së Veriut, të cilat janë më të varfërat në Shqipëri. Akti human i fratit gjerman që flet shqip, është një pasqyrim i mirë i veprimtarisë fetare dhe i traditës atdhetare i françeskanëve shqiptarë — por edhe të huaj siç është At Andreas — në ato vise të harruara. Për të mira dhe për të këqia, françeskanët nuk u ndanë kurrë nga ai popull, madje as në periudhat më të vështira të historisë shqiptare. Ata vuajtën me ta, festuan me ta, vajtuan me ta, madje edhe luftuan krah për krah në mbrojtje të trojeve të veta me malësorët e varfër por krenarë — që duket se janë përgjithmonë të lënë pas dore, pa marrë parasyshë regjimet dhe autoritetet qëndrore dhe vendore, përfshirë edhe periudhën post komuniste të 25 viteve fundit.
Ndërtimi i rrugës dhe i urës në Kavlinë të Pukës është me të vërtetë një akt human,për faktin se është realizuar me kontributin e një prifti gjerman të urdhërit françeskan, të cilin fati e ka sjellur në ato krahina të varfëra. Por ama njëkohësisht, ndërtimi i urës në Kavlinë të Pukës me ndihmën e një frati gjerman, duhet të shikohet edhe si një dështim i shtetit, i autoriteteve politike të vendit, i përfaqsuesve të atyre krahinave — detyra parimore e të cilëve është kujdesi, siguria dhe mirëqenja e shtetasve që ata përfaqësojnë. As mos të flasim për vlerat bazë universale dhe të drejtat e njeriut për popullin e këtyre krahinave të harruara — për dinjitetin njerëzor, për lirinë dhe demokracinë — të cilat të pakën në sipërfaqe duhet të sjellin njëfarë barazie në zbatimin e ligjit. Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të kenë të njëjtat të drejta para ligjit! Por fhstarët e Kavlinës së Pukës, janë të kënaqur me pak: me një urë të re që as ëndërr nuk e kishin parë, siç u shpreh njëri prej tyre, pasi tashti nuk do të detyrohen të mbartin në shpinë të sëmurët dhe të vdekurit mbi urën e vjetër që rrezikonte jetën e tyre. Më në fund edhe për ta “po shëndrit dielli”, falë kontributit dhe punës së një dishepulli të Shën Françeskut!
- « Previous Page
- 1
- …
- 123
- 124
- 125
- 126
- 127
- …
- 175
- Next Page »