• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARË

September 29, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Çdo vit, udhëheqsit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera  shqiptare në Ballkan vijnë në metropolin  amerikan të New Jorkut për të marrë pjesë  në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara  dhe si të ftuar për të marrë pjesë në organizime të tjera siç është mbledhja vjetore e organizuar nga Fondacioni Klinton i ish-presidentit Bill Klinton. Përveç takimeve zyrtare, udhëheqsit shqiptarë marrin pjesë edhe në darka e takime të shumëta të organizuara nga  shoqata dhe organizata të ndryshme, por edhe nga qendrat fetare të komunitetit shqiptaro-amerikan. Gjatë qendrimit të tyre në Nju Jork javën që kaloi, ata u pritën, ndër të tjera, nga organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, Vatra. U takuan me pёrfaqёsues tё Rrjetit tё Profesionistёve dhe Sipёrmarrёsve Shqiptarё (APEN) dhe gazeta Illyria organizoi një pritje për Presidentin Nishani.  Të gjitha këto pritje e takime arrijtën kulmin me darkën vjetore gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku zakonisht ftohen  udhëheqsit shqiptarë nga të gjitha trojet dhe përfaqsues të gjithë partive politike, në pushtet dhe në opozitë.Kjo është tradita e kështu ndodhi edhe sivjet.Në Nju Jork kishin ardhur, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, udhëheqës politikë shqiptarë nga Maqedonia dhe përfaqsues nga të gjitha trojet tona në Ballkan.  Gjatë këtyre takimeve dhe darkave, përveç se atyre u jepet rasti të takohen me përfaqësues të komunitetit dhe me njëri tjetrin — vizitat e tyre në Amerikë paraqesin gjithashtu një mundësi të mirë që ata të shkëmbejnë mendime me shumë  politikanë e diplomatë amerikanë, miqë e dashamirës të shqiptarëve, të cilët gjatë dekadave të fundit kanë punuar në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së shqiptarëve kudo.

Udhëheqsit shqiptarë gjatë kësaj jave përfaqësuan Shqipërinë dhe Kosovën para botës dhe para Amerikës.  Ata u prononcuan për median si në intervista dhe në fjalimet e tyre, se kishin siguruar përkrahje nga udhëheqsit botërorë dhe amerikanë me të cilët u takuan.  Ata theksuan “mbështetjen”, nga udhëheqës ndërkombëtarë me të cilët patën takime dhe bënë bisedime për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit.

Por ishin takimet dhe shmallimet me komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston, Detroit dhe në Nju Jork, në lokalet dhe në qëndrat fetare ku ata u pritën si vëllezër e motëra, ato që dallojnë në mënyrë të mallëngjyeshme këto takime, e pse jo edhe festime, që organizohen njëherë në vit në Nju Jork.  Si çdo vit, edhe sivjet, në fund të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, në këto darka e takime me shqiptaro-amerikanët, duket sikur midis politikanëve shqiptarë nga të gjitha trevat — të pakën për një moment dhe larg problemeve në vend — thyhet edhe akulli politik midis tyre. Kështu, siç duket ndodhi të premtën mbrëma në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku të gjithë ishin ulur së bashku rreth një tavoline të gjatë. Nuk është e qartë nëse kishte ndonjë shkëmbim bisedash midis protagonistëve të ndryshëm, por  megjithëkëtë është shënjë e mirë se të pakën nuk refuzuan të uleshin ball për ball në të njëjtën tavolinë, gjë që mund të mos ndodhë në vendlindje.

Për këtë dhe për faktin se rreth asaj tavoline ishin shqiptarë nga të gjitha trevat dhe shumë miq amerikanë, këto darka e takime kanë një rëndësi të lartë simbolike, sepse duket sikurë përtrijnë dhe nënvijojnë faktin e vëllazërimit dhe bashkimit mbarë shqiptar, megjithë ndryshimet politike, krahinore e fetare, që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve, sidomos konfliktet politike. Ndoshta simbolizmin përbashkues të këtyre takimeve e shprehu më së miri, Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Nju Jork, i cili në darkën e Vatrës,  shtruar për nder të Presidentit Nishani dhe delegacionit të tij, u shpreh duke thënë se “Si shqiptarë,  jemi të përbërë prej dy besimeve, të Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm.  Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të përbashkët. Kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur.  Kemi dy shtete, por një Komb.  Kemi një hero Kombëtar Kastriotin dhe një të Lumturën Nëna Terezën.  Ne, në diasporë, gjithmonë kemi treguar solidaritet ndaj vendit tonë duke qëndruar pranë njëri tjetrit.  Si fetarë të besimeve të ndryshme qëndrojmë një me Zotin dhe një me popullin.

Theksojmë gjërat që na bashkojnë dhe jo gjërat që na ndajnë”.

Ne këtu në Amerikë, jemi nga të gjitha trojet tona, nga të gjitha krahinat dhe i përkasim feve të ndryshme.  Natyrisht se si në çdo komunitet tjetër, ekzistojnë mosmarrveshje dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i ka problemet e veta.  Madje këto mosmarrveshje shpesh pasqyrojnë konfliktet dhe grindjet politike në Atdhe.  Por megjithë ndryshimet politike e të tjera, në raste, kur është nevojitur bashkimi i komunitetit për t’i ardhur në ndihmë çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanët kanë theksuar të përbashkëtat dhe jo ato që i ndajnë.

Kjo përkrahje dhe “mbështetje” që  zyrtarët shqiptarë thonë se siguruan, sidomos gjatë takimeve me autoritetet amerikane në vizitat e tyre në këtë vend, ndodhë për faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan ka vazhduar të jetë i bashkuar për çështjet madhore dhe interesat e kombit, duke ua paraqitur atyre hallet tona me një zë dhe pa kurrfarë interesi personal, por vetëm e vetëm në mbështetje të interesave kombëtare të popullit shqiptar kudo qoftë.  Ky aktivitet i komunitetit shqiptaro-amerikan e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar me Fan Nolin e Faik Konicën dhe me përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahjen amerikane për pavarësinë e Shqipërisë dhe ka vazhduar deri në ditët e sotëme për të fituar mbështetjen e qeverisë, Kongresit dhe të popullit amerikan, fillimisht për çlirimin dhe më në fund për sigurimin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.  Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama folën për sukseset dhe arritjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme, por nuk ka fushë më të sukseshme dhe as më të rëndësishme, të pakën deri tani, se sa bashkimi i komunitetit shqiptaro-amerikan në çastet kur e ka thirrur fati i Kombit.

Pa marrveshje dhe bashkpunim serioz midis shqiptarëve dhe sidomos të faktorit politik shqiptar për fatin e kombit dhe për zgjidhjen e problemeve serioze me të cilat përballen shqiptarët kudo, “mbeshtetja” nga jashtë, me të cilën mburren aq shumë politikanët shqiptarë, shpeshëherë edhe pa e pasur atë, nuk vlen pesë pare.  Edhe regjimi i Enver Hoxhës kishte përkrahjen nga jashtë, fillimisht të komunistëve jugosllavë, sovjetikë e pastaj të kinezve, por ishte në luftë të përhershme me vetveten dhe me popullin e vet.  “Mbështetja” nga jashtë vlenë vetëm atëherë kur të asgjësohen konfliktet politike të mbrendshme, kur të zhduket gardhi shpirtëror dhe të krijohet një frymëmarrje e lirë për të gjithë Shqiptarët, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, në mbështetje të vërtetë të lirive dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë dhe të interesave kombëtare, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe të Lidhjes së Prizrenit.

Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për mbështetjen e miqëve, por Shqipërinë do ta bëjnë vetëm Shqiptarët, mbi të gjitha, në bashkpunim dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, duke vlerësuar lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, respektin për njëri tjetrin dhe për mendimet e njëri tjetrit.  Është në dorë të vet shqiptarëve kudo që janë sot – në diasporë dhe në trojet tona në Ballkan — që të largohen nga ajo që disa thonë se është “nama” që mund të na ketë ndjekur gjatë gjithë historisë.  Për ndryshe, nëqoftse nuk vlerësojmë dhe keq përdorim dhuratën e lirisë që sot gëzon kombi shqiptar mund të na dënojë i Madhi Zot, sipas vjershës tronditëse të Fan Nolit, “Moisiu në mal”.  Edhe Perëndia mund të na përgjigjet ashtu si iu përgjigj Moisiut, i cili i kërkonte atij tokën e premtuar për veten dhe izraelitët, për të evituar mërgimin e përjetshëm dhe jetën në skllavëri, i Plotfuqishmi i përgjigjet atij me zemërim në përshkrimin plot trishtim të  vjershës së Fan Nolit:

“Ti dhe të tjerët, pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s’e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!”

Me gjithë të metat e tyre, takimet vjetore të udhëheqsve shqiptarë me komunitetin shqiptaro-amerikan mbartin vulën e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve pa dallime politike, krahinore apo fetare, duke e gëzuar lirinë së bashku për herë të parë, pas rrethanave fatmjera që na kanë ndarë për aq kohë të gjatë.  Kështu ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në Nju Jork dhe në qytete të tjera amerikane. Shpresojmë që këjo traditë plotë bujari të vazhdohet këtu në Amerikë dhe të përsëritet edhe në trojet tona dhe kudo në botë ku ka shqiptarë, si një frymëzim për qëllime të larta kombëtare dhe për lartësimin e emërit shqiptar kudo, por mbi të gjitha në trojet tona.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe politikanet shqiptare, Frank shkreli, Shqiptaret e Amerikes

DASVIDANJA MARRËDHËNJEVE RUSO-AMERIKANE?

September 25, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Luftën e filloi i pari presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me botimin e një artikulli në gazetën amerikane Nju Jork Tajms për të argumentuar qendrimin e tij  kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri dhe duke kritikuar Presidentin  e Shteteve të Bashkuara Barak Obama, i cili ka përkrahur një ndërhyrje të tillë pas përdorimit të armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, ku kanë mbetur të vrarë qindra gra e fëmijë.

Në mendë të tij këjo ishte një përpjekje e diplomacisë publike për të bindur lexuesin për pikëpamjet e tija se pse bota nuk duhej të ndërhynte në Siri, por në të vërtetë  shkrimi i Putinit është një hipokrizi  dhe i turpshëm në ekstrem.  Dikatori sirian Assad e di mirë se aleati i tij i ngushtë,  Putini do ta përkrahë atë me çdo kusht nga ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare, dhe për më tepër, se Rusia e Putinit  –megjithë vrasjet që kanë arritur mbi 100.000-veta – do ta furnizojë atë me armë të rënda dhe të lehta, të cilat ai nuk hesiton t’i përdori kundër popullësisë së vet civile.

Përveç kritikave që bëri kundër politikës amerikane në Siri dhe në përgjithësi kundër politikës së jashtëme dhe ushtarake të Uashingtonit, në artikullin e tij udhëheqsi rus kritikoi deklaratën e Presidentit Obama se Amerika është e “veçantë’’ dhe si e tillë, sipas tij, duhet  t’u vijë në ndihmë dhe të mbrojë viktimat e pafajshme në Siri.  Këjo kritikë u bë ndërkohë që Rusia ka bllokuar tri herë, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezolutat që kishin për qëllim të detyronin  presidentin sirian Assad t’i jepte fund dhunës dhe të dorëzonte armët kimike.

S’do mendë se artikulli i Vladimir Putinit në Nju Jork Tajms shkaktoi reagime të ashpëra në Amerikë, sidomos në Kongresin amerikan.  Reagimi më i ashpër erdhi nga njëri prej ligjvensve më kritikë të Kremlinit, Senatori republikan dhe ish-kandidati për president i kësaj partie, Xhon Mëkejnë.  Në një artikull  që u botua në Rusi, në përgjigje të shkrimit të Putinit, Senatori Mëkejnë e quan udhëheqsin rus, “një tiran në vendin e tij dhe mik i tiranëve jashtë vendit…si dhe armik i të shtypurve dhe i pabesueshëm nga vendet të cilat përpiqen të ndërtojnë një botë më të sigurtë, më në paqë dhe me begati.”

Në artikullin  e tij të ashpër, Senatori  veteran amerikan u drejtohet rusëve duke u thënë se sundimtari i tyre është, “i korruptuar, shtypës dhe përdhunues”.  Senatori Mekëjnë, i cili historikisht ka qenë shumë kritik ndaj politikës së mbrendëshme dhe të jashtëme të Rusisë, e ngarkoi Putinin me akuza të rënda, ndër të tjera, për shkelje të të drejtave të njeriut, për vjedhjen e votave  në zgjedhjet  dhe për përkrahjen e miqëve të tij politikë dhe njëkohsisht dënoi ashpër politikën e jashtëme të Rusisë së Vladimir Putinit.   Në shkrimin e tij, Senatori Mekëjnë kritikoi bllokimin rus të rezolutave mbi Sirinë në Këshillinin e Sigurimit  të OKB-së  duke  e cilësuar Putinin si një udhëheqës që, “përkrah  një regjim që është duke vrarë me dhjetëra mijëra veta nga radhët e popullit të vet, vetëm e vetëm, për objektivin për të qëndruar në pushtet.”  Ai kritikoi ashpër  Rusinë se jo vetëm që nuk po merr asnjë masë për të mbrojtur  të pafajshmit, por edhe për faktin se Moska refuzon madje edhe të dënojë me fjalë maskarat  që po ndodhin në Siri.   Senatori amerikan, vazhdoi artikullin e tij në përgjigje  të  shkrimit  të udhëheqsit rus, duke u thënë rusëve se Putini dhe bashkpuntorët e tij, “Dënojnë dhe hakmerren ndaj kundërshtarëve politikë duke i burgosur ata.  Ata vjedhin votuan tuaj. Ata kontrollojnë mediat tuaja. Ata kërcënojnë dhe mbyllin organizatat të cilat përpiqen të mbrojnë të drejtat tuaja për vet-qeverisje.”

Senatori Mekejnë u drejtohet rusëve duke thënë gjithashtu se, udhëheqsit  e tyre me në krye Putinin, “Po përjetësojnë pushtetin e vet duke mbështetur përhapjen e korrupsionit të pafrenuar në sistemin tuaj gjyqësor dhe në ekonominë tuaj, ndërkohë që ata terrorizojnë,  e madje edhe vrasin gazetarët të cilët përpiqen të demaskojnë korrupsionin e regjimit.”    Udhëheqsit  e Kremlinit, u tha rusëve Senatori Xhon Mekejnë, “nuk respektojnë dinjitetin tuaj as nuk pranojnë autoritetin tuaj si sovrani mbi ta.”  Duke iu përgjigjur akuzave se ai është anti-rus, Senatori Mekëjnë tha se ai nuk është anti-rus, përkundrazi shtoi ai, “Unë jamë më pro-rus se regjimi që u keq qeverisë ju.”

Përveç Senatorit Mekejnë dhe ligjvensve të tjerë amerikanë nga të dy partitë kryesore,  artikulli i udhëheqsit rus, Vladimir Putin u kritikua, ndër të tjerë edhe nga organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch, për hipokrizinë që përmban, si dhe për ato që nuk i thotë Putini në artikullin e tij.    Anna Neistat, bashkputore e kësaj organizate thekson  se udhëheqsi rus në artikullin e tij  nuk përmendë krimet dhe masakrat e tmershme që kanë ndodhur në Siri, të dokumentuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si edhe nga një mori gazetarësh nga mbarë bota.  Ajo thotë se Putini nuk flet as për dërgimin e vazhdueshëm të armëve ruse regjimit të Asadit gjatë dy tre vjetëve të fundit.  Ana Neistat shkruan se thirrja e Putinit për të përdorur Këshillin e Sigurimit të OKB-së si mjet për zgjidhjen e krizës, në sipërfaqe mund të duket si jë kërkesë e arsyeshme, por jo për ata që e dinë se Rusia tanimë  ka përdorur tre herë veton në këtë organ ndërkombëtar, duke bllokuar rezolutat që mund t’i sillnin sadopak ndihmë  popullësisë civile të Sirisë ose të mbanin përgjegjës të gjithë  aktorët e krimeve kundër civilëve të pafajshëm. Ndërsa,  thotë ajo, Putini fajëson  opozitën pa paraqitur asnjë provë, për sulmin kimik të 21 gushtit,  Rusia kundërshton ashpër që Siria t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare, gjë që është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar me qëllim  për të hetuar krimet e të gjitha palëve në konfliktin në atë vend.

Marrëdhënjet ruso-amerikane  kanë rënë në pikën më të ulët të zhvillimit të tyre ç’rej luftës së ftohët.  S’do mendë se këjo gjëndje nuk është e favorshme as për marrëdhënjet amerikano-ruse, dhe as për marrëdhënjet ndërkombëtare.  Pa marrë parasyshë se çfarë shkruan udhëheqsi rus në Nju Jork Tajms  — në përpjekje për të bindur amerikanët dhe botën se politika e tij është paqësore — është e qartë se Vladimir Putin  vazhdon të jetë pengesa kryesore në përpjekjet ndërkombëtare, amerikane dhe europiane, për të sjellur sadopak ndihmë për viktimat e pafajshme civile në Siri.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dasvidanja, Frank shkreli, marrdheniet ruso-turko

SHQIPËRINË NË EUROPË E ÇOJNË VEPRAT E JO FJALËT

September 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto:Monumenti i Lirisë në Uashington, kushtuar, “lartë nga 100-milionë viktimave të komunizmit dhe të gjithë atyre që duan lirinë”./

Të hënën, Kryeminsitri i ri i Shqipërisë, Z. Edi Rama fillon një vizitë dy ditëshe në Bruksel, për takime me udhëhqsit e komunitetit europian.  Ndërsa, javën që kaloi, u mblodh kuvendi i ri i Shqipërisë  në seancën e tij të parë.  Ndër deklaratat e para pozicionuese nga të dy palët kryesore në kuvend — Partisë Socialiste që do udhëheqë vendin për katër vitet e ardhëshëm dhe Partisë Demokratike në opozitë — u theksua  dëshira nga të dy forcat kryesore politike të vendit, për të shpejtuar procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.  Kryeministri i ardhëshëm i Shqipërisë, Z. Edi Rama u citua të ketë thënë se inaugurimi i qeverisë së tij të re, “Është një moment jashtzakonisht i rëndësishëm — është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë…” u prononcua, Z. Rama, madje duke bërë integrimin europian të vendit, pikën e parë të programit të qeverisë së re, si një objektiv që, sipas tij, i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptare, bazuar në “vlerat europiane”.

Edhe udhëheqsi i ri i Partisë Demokratike,  Z. Lulzim Basha u shpreh se, “në opozitë do të japim të gjithë mbështetjen për proceset e integrimit europian, dhe jo duke e bllokuar atë siç bëri e majta”, tha kryetari i ri i demokratëve.  Në mesazhin e parë si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta gjithashtu u shpreh se, “Synimi ynë është që të arrijmë integrimin e vendit në Bashkimin Europian”.

Kësaj fryme entuziazmi të pro-integrimit europian të Shqipërisë, nga zyrtarët më të lartë të vendit, ndonëse i kanë dëgjuar këto premtime edhe më parë nga politikanët shqiptarë, iu bashkuan edhe përfaqsuesit më të rëndësishëm perëndimorë në Tiranë, ambasadori amerikan, Z. Aleksandër Arvizu dhe përfaqsuesi i Bashkimit Europian, Z. Ettore Sequi.   Të dy këta i bënë thirrje –për të njëqintën herë — klasës politike shqiptare që të përqendrohet seriozisht tek integrimi i Shqipërisë në Europë.  Madje, përfaqsuesi i lartë europian Sequi, me të drejtë e cilësoi integrimin europian të Shqipërisë, “një përparësi kombëtare”.

Të gjithë flasin me ngulm që sa më parë të hipin në ”trenin” e Evropës, në të vërtetë flitet kështu për 20-vjetë tani, nga të gjitha palët dhe nga të gjitha qeveritë e dy dekadave të fundit.  E duam Shqipërinë si Evropa, thuhej dikurë.  Por për të hipur në trenin e Europës, duhet paguar bileta.   Pjesë e kësaj “bilete”, ndër të tjera, është ndarja e vlerave të përbashkëta  dhe rregullave të lojës me Europën.  Një prej këtyre vlerave të Europës është edhe ballafaqimi me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, duke kujtuar viktimat e regjimit komunist.  Ndryshe nga Shqipëria, shumica e vendeve ish-komuniste europiane, tani anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, kanë treguar gatishmërinë e tyre duke marrë masa konkrete për t’u përballur me trashëgiminë tragjike të historisë së vet komuniste të shekullit të kaluar, dhe njëkohsisht kanë dënuar masakrat e regjimit komunist dhe në emër të shtetit u kanë kërkuar falje viktimave dhe familjeve të tyre.  Shqipëria, fatkeqsisht, megjithëse kishte regjimin më të egër komunist në Europë, falë interpretimeve të kundërta të kësaj historie, nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet për t’u përballur seriozisht me këtë histori.   Shqipëria mund të jetë i vetmi vend europian,  ku shteti dhe qeveritë e ndryshme shqiptare të të dy palëve, nuk kanë kërkuar asnjëherë falje për krimet monstruoze të komunizmit.  Për më tepër, klasa e përndjekur nga komunizmi, disa nga anëtarët e së cilës janë ende gjallë, por duke u shuar dita ditës falë moshës dhe vuajtjeve, nuk janë trajtuar aspak mirë nga qeveritë dhe parlamentet e mëparshme shqiptare.  Madje ata janë denigruar dhe janë cilësuar, si “plehra” dhe si “mbeturina”, nga disa politikanë shqiptarë. Megjithëse Europa e konsideron dhe e kërkon si një detyrim moral përballimin e saj me të kaluarën komuniste dhe fashiste, qeveritë e një pas njëshme shqiptare kurrë nuk dënuan krimet, dhunën dhe torturat e regjimit komunist ndaj shqiptarëve.  Duket sikurë politika shqiptare ka rënë në një kllapi morale, megjithëse temperaturat e kësaj kllapie vazhdojnë të jenë në një nivel të lartë, me pasoja të dëmshme për zhvillimin dhe përparimin e demokratizimit të shoqërisë, bazuar në standardet dhe vlerat europiane.

Bota Përendimore, të cilës klasa politike shqiptare pretendon se dëshiron t’i bashkohet, kurrë nuk pushon së kërkuari të vërtetën historike duke vazhduar të hedhë dritë mbi  vërtetën,  duke kujtuar publikisht viktimat e krimeve të nacizmit dhe të komunizmit.  Zbulimi i së vërtetës është një proces të cilit kurrë nuk i skadon afati.  Dy raste të kohëve të fundit më tërhoqën vëmendjen.  Gjatë vizitës para disa ditësh në Rusi, Presidenti amerikan Barak Obama, në takimet e tija me zyrtarët rusë, u interesua për fatin e diplomatit suedez, Raoul Wallenberg, fati i të cilit nuk dihet ende, ndonëse në vitin 1944, ai ishte arrestuar nga forcat sovjetike në Hungari, pasi shpëtoi dhjetëra mijëra hebrejë nga nazistët duke u dhënë atyre pasaporta për tu larguar nga vendi.  Rusët kurrë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme ndaj arrestimit dhe zhdukjes së këtij heroi, por këjo nuk i pengon udhëheqsit amerikanë, që edhe pas 70-vjetësh të përpiqen të zbulojnë të vërtetën duke kërkuar gjithnjë shpjegime nga Moska.  Zbulimi  i së vërtetës mbi fatin e këtij heroi, sipas Presidentit Obama, është e nevojshme jo vetëm për të kujtuar një dëshmi humbje jete të një heroi, por edhe si një angazhim, që raste të tilla të mos përsëriten më.  Rasti tjetër i kohëve të fundit, ishte ai në Gjermani, ku prokurorët gjermanë, 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore njoftuan javën e kaluar se ata do të ndjekin penalisht një numër ish rojesh që janë ende gjallë në Gjermani dhe gjetkë, e të cilët dyshohen se kanë shërbyer në kampet e vdekjes në Auschwitz.  Gjermania, në të vërtetë, është shembëll për të gjithë botën, si vendi që është përballur dhe vazhdon të përballet me historinë e saj naziste dhe komuniste, si një proces i vazhdueshëm pajtimi me veten dhe me të tjerët.

Në të vërtetë, Gjermania dhe e gjithë Europa kanë caktuar 23 Gushtin si ditën zyrtare për të përkujtuar anë e mbanë kontinentit europian, viktimat e deportimeve, masakrave dhe burgjeve, si dhe të kampeve të përqendrimit të komunizmit dhe të nazismit.  Parlamenti europian i ka cilësuar krimet e komunizmit dhe të nazismit si “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Për më tepër, Parlamenti europian me një rezolutë tjetër mbi “Ndërgjegjën Europiane dhe Totalitarizmin” të  vitit 2009, ka dënuar krimet e regjimeve totalitare komuniste dhe naziste të Europës Lindore duke u bërë thirrje vendeve të kontinentit europain që të njohin  dhe të pranojnë, “trashëgiminë e përbashkët historike të komunizmit dhe nazismit” dhe njëherazi parlamentarët europianë kërkojnë që në çdo vend të zhvillohet “një debat i ndershëm dhe i gjithanshëm, mbi të gjitha krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar.”  Njëkohësisht, rezoluta u bën thirrje vendeve anëtare që të marrin masa për të informuar vazhdimisht publikun dhe për ta bërë atë të vetdijshëm mbi krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar në Europë.  Një gjë e tillë,  sipas rezolutës së Parlamentit Europian, është e nevojshme për të treguar respekt për të gjitha viktimat e regjimeve komuniste në Europë,  duke theksuar, “rëndësinë për të ruajtur të gjallë kujtimet e së kaluarës pasi, sipas rezolutës europiane, “nuk mund të ketë pajtim shoqëror pa zbulimin e së vërtetës dhe pa kujtuar viktimat”, e komunizmit.   Rezoluta e Parlamentit Europian gjithashtu rithekson qëndrimin e përbashkët kundër çdo regjimi totalitar dhe njëkohësisht u “shpreh viktimave të këtyre krimeve dhe familjeve të tyre, simpatinë, mirëkuptimin dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.”

Europa e ka deklaruar disa herë seriozitetin e saj ndaj nevojës për dënimin e krimeve të komunizmit përfshirë edhe Deklaratën e Vilnius-it, të vendeve anëtare të OSBE-së të vitit 2009, e cila ndër të tjera dënon gjithashtu, edhe “glorifikimin e regjimeve totalitare”.

Europa pra, të cilës Shqipëria – si objektiv kombëtar — dëshiron t’i bashkohet, si kontinent por edhe vendet e anëtare të saj, individualisht, e kanë thënë me kohë fjalën e tyre duke dënuar dhe duke kërkuar falje për krimet e komunizmit dhe nazismit, si një shprehje e vullnetit  të fortë që ato krime kundër njerëzimit të mos përsëriten më.  Po Shqipëria?

Për të mirë të Shqipërisë, kryeministrit të ri dhe qeverisë së tij, i duhet uruar sukses në punën që e pret. Kryeministri Rama ka thënë, me të drejtë, se Shqipëria  meriton më shumë, pasi sipas tij, ajo ka vuajtur, “kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë e jo natyrë, radhë e jo zakon, vend e jo model.”

Këtë nuk e meriton Shqipëria!  Madje si asnjë vend tjetër, kur të merren parasyshë vuajtjet e shqiptarëve.  Por nuk mund të fshehi  skepticizmin që kam unë, por edhe shumë të tjerë që ia duan të mirën Shqipërisë dhe kombit shqiptar, se si Zoti Rama do të ndërtojë, “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” me gjeneratën e vjetër.

Unë bashkohem me Profesor Sami Repishtin, i cili në një letër të botuar  kohët e fundit, drejtuar Kryeministrit të ri Z. Rama,  shkruan se që Shqipëria me të vërtetë të rilindë, Profesori i nderuar dhe i ish-burgosuri i regjimit komunist hoxhist, me të drejtë thotë se në Shqipëri,  “Duhet ndërtue nji shoqëni shqiptare bashkëjetese harmonike dhe vlerash e parimesh të gjithëpranueme!  Nji lumë gjaku, nji moçal çnjerëzimi, nji mal vuejtjesh të pameritueme, e nji frymë e thellë hakmarrjeje akoma ndanë Atdheun tonë dhe gozhdon në vend përparimin e frymën e qytetnueme të shoqënisë shqiptare.  Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit për fajin dhe falja e fajit, duhet përqafue bashkëpunimi për të mirën e përbashkët.  E kundërta do të sjellë mallkimin e nji popullsie të pafajshme për ju…dhe për të gjithë ata që sot heshtin!”, përfundon ish i burgosuri Profesor Sami Repishti letrën e tij drejtuar Kryeministrit të ri të Shqipërisë, Z. Edi Rama.

Mos heshtni, pushtetarë të ri dhe të vjetër, pozitë dhe opozitë.  Por mbani gjallë kujtesën, çoni zërin lartë në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit njerëzor për viktimat e komunizmit.  Këjo është vlerë europiane!  Por mbi të gjitha duhet të jetë edhe vlerë kombëtare.  Nëqoftse integrimi i shqiptarëve në Europë, është çështje numër një në programin e qeverisë së re, atëherë le të trajtohet si e tillë.  Drejtë Europës shkohet me vepra dhe jo me fjalë, se fjalëve u doli boja tash 20-e sa vjetë.  Nuk ka rrugë tjetër drejtë Europës!  Shqipëria e ndarë dhe e përçarë politikisht nuk do të pranohet kurrë si e tillë në Europën e bashkuar.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Shqiperia ne europe, veprat jo fjalet

LIBËR KUSHTUAR DOM PREKË NDREVASHAJT — GJIGANTIT TĖ DUKAGJINIT

September 12, 2013 by dgreca

Disa mendime të hedhura me rastin e promovimit të librit, “Kristale Dukagjini”, të autorit Zef  Përgega,  kushtuar priftit katolik Dom  Prekë  Ndrevashaj,  Detroit, USA, Shtator, 2013/
  Nga Frank Shkreli /

        Dom Preke Ndervashaj per DIELLIN: 75 vjetori i Diellit është një ngjarje fort e shënuar në jetën e mërgimit të vështirë, por fjala shqipe e saj na zgjon heret me agime të bardha si rrëzja e diellit. Shqiptarët kanë patur si hyjni diellin dhe ne kemi këtu një shpresë të gjallë të gjuhës dhe kulturës kombëtare një nga gazetat më me jetëgjatësi në Amerikë.Ne duhet të jemi krenarë se ajo në shkrimet e saj e lartëson emrin shqiptar.Mjafton të themi se ajo si organ i Vatrës bashkë me këtë organizatë të zjarrtë e mundi Venizellosin e Greqisë në tavolinën e Atit të Shënjtë në Vatikan dhe në Konferencen e Paqës.Lufta me penë sjellë fitore.

    ****

Të nderuar  klerikë, i nderuar Zef Përgega, autor i librit kushtuar jetës dhe veprimtarisë së meshtarit dhe atdhetarit të përmendur dhe të mirë njohur,  Dom Prekë Ndrevashaj.  Të nderuar pjesëmarrës, miqë e dashamirë të veprës së këtij burri të madh të Kishës e të kombit.  Unë kam patur fatin ta kem njohur Dom Prekën, për herë të parë, në mbarim të vitit 1969, gjatë një periudhe shumë të vështirë për mijëra refugjatë shqiptarë si unë, të dëbuar e të detyruar të largoheshim nga trojet tona të vendlindjes, qoftë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe qoftë nga sllavo-komunistët jugosllavë. 

Për një vit e gjysëm, gjatë qëndrimit tim në Romë, në pritje për të emigruar në Amerikë, Dom Preka më mori nën krahun e tij, duke më mundësuar punë në zyrën e emigracionit ku punonte ai vet dhe duke më dhënë përkrahjen e pa kursyeshme, gjë që nuk do t’ia harroj kurrë, megjithëse ai është ndarë nga këjo jetë vite më parë.   

Unë dua të falenderoj sidomos autorin Zef Përgega, për ftesën që të marrë pjesë në këte promovim, me disa mendime të hedhura për librin dhe për Dom Prekën.Por është Dom Preka, ai që meriton falënderimet e të gjithëve, ndonëse ai ka luajtur një rol të drejtë për drejtë mbi fatin e mijëra shqiptarëve dhe familjeve tona nga të gjitha troje shqiptare, pa dallim feje as krahine.   Ne ishim, gegë e toskë, muslimanë, bektashinjë, katolikë e ortodoksë, të gjithë shqiptarë.  Rrugëve të botës, por të gjithë të bashkuar dhe të lumtur për shoqërinë dhe miqësinë që kishim me njëri tjetrin si shqiptarë pa dallim, rreth një prifti katolik, i cili përpiqej të ndihmonte të njohurin e të panjohurin, vetëm a ishte shqiptar.  I këtij fakti, unë kam qenë dëshmitar për periudhën që kam punuar me të, por edhe më përpara dhe më vonë.   Unë, si mik krenar dhe dashamirës i Dom Prekës, si njëri, pra, që respekton shumë personin dhe veprën e Dom Prekë Ndrevashaj– falenderoj Zotin që më përpoqi me të, në një kohë kur kisha më së shumti nevojë për mbështetje e për udhëzim, pasi jam i bindur se po mos të kisha pasur ndihmën e tij, si edhe shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë që tani jemi vendosur në Amerikë, nuk e di se ku më kishte hedhur fati i jetës mua dhe shumë bashkatdhetarë, të cilët sot përbëjnë diasporën shqiptare më të fortë kudo në botë.

Për rolin  e pa zëvëndsueshëm që Dom Preka luajti në atë periudhë tepër kritike për imigrantët e përhapur nepër Evropë,  falenderoj autorin Zef Përgega, që me librin e tij, i paraqet lexuesit jo vetëm jetën e veprën e një shërbëtori të Zotit, të mergimtarëve dhe të Kombit, por edhe një histori të komunitetit shqiptaro-amerikan në Amerikë.  Por mbi të gjitha, duhet të falenderojmë të Madhin Zot, që ekzaktërisht në atë periudhë të historisë sonë, dërgoi në mesin tonë Dom Prekë Ndrevashajn — që përveç thirrjes së tij si meshtar për tu kujdesur për nevojat shpirtërore të popullit të vet — ai pranoi të merrte përsipër gjithashtu edhe rolin për të vendosur fatin emijëra refugjatëve shqiptarë të shpërndarë nepër kampet e Italisë.  Ai nuk kishte nevojë të pranonte një detyrë të tillë plot kokëçarje, pasi mund të shërbente si famullitar në ndonjë kishë të Romës dhe të kalonte një jetë në paqë dhe pa turbullira.Këjo detyrë e re e bëri atë që të luante gjithashtu edhe rolin e diplomatit, pasi i duhej të mirrej me diplomacinë e vjetër të Vatikanit dhe me diplomatë ndërkombëtarë të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë e Romë, për të siguruar sa maë shusmë mbështetje për refugjatët shqiptarë të mbetur rrugëve të Evropës pa ndihmën e askujt.

Por, jo!  Dom Preka, mbi të gjitha, dëshironte të ishte pranë popullit të vet, pranë bashkatdhetarve të tij, të cilët si ai vet, kishin vuajtur dhe po vuanin fatin dhe barrën e rëndë të jetës në emigrim, si refugjatë.   Siç citohet edhe pasardhësi i Dom Prekës, Dom Ndue Gjergji,  në librin që po promovohet sot, “Feja, si themel i shikon njerëzit të barabartë, si vëllezër e motra të mira.  Tri dashuri të mëdha kishte Dom Preka: Popullin, Fenë dhe Atdheun!”

Dom Preka, pra, si njeri i fesë, i dashur i popullit dhe patriot, nuk mund të vepronte ndryshe! Libri në të vërtetë mund të titullohej, “Të tjerët për Dom Prekën”, pasi libri iZef Përgegës pasqyron deklaratat admiruese të bashkohasve të tij, për punën më se 30-vjeçare të Dom Prekë Ndrevashajt, në shërbim të shqiptarëve jashtë Atdheut.Misjonin e vet, ai e kreu duke mos përbuzur njeri.  Ai nuk ushqehej me mburrje dhe as nuk priste lëvdata për ato që bënte për të tjerët.  Por lëvdatat vinin se vinin, pasi njerëzit e thjeshtë dhe udhëheqës të komunitetit, siç ishte ish-udhëheqsi i Bektashinjve, Baba Rexhepi, e njihnin mirë Dom Prekën dhe ishin të vetdijshëm ndaj punës së tij.Baba Rexhepi citohet nga autori i librit, “Kristale Dukagjini”, kur ishte pyetur se ç’mendonte ai për Dom Prekë Ndrevashajn.  Babai i nderëshëm i bektashinjve u përgjigj me sinqeritetin më të madh në vlerësimin e mikut të tij, Dom Prekën:”Ç’më pyesni more bij! Të flasësh për një fisnik e kreshnik si Dom Preka është sikur të flasësh për heroizmin dhe bujarinë e një mali.Që ta dini ju, unë e dua fort Dom Prekën.Ai edhe kur është i mërzitur qesh dhe me qeshje largon çdo të ligë.Eshtë shumë i ditur, atdhetar i shkëlqyer dhe ç’farë është më kryesorja ai është shumë modest”.

Baba Rexhepi kishte plot të drejtë.Dom Preka ishte tepër modest.  Por ai megjithë modestinë e tij, radhitet me ata individë të cilët kanë pasur dhe kanë  efekt të vazhdueshëm dhe influencë pozitive mbi jetën dhe fatin e mijëra vetave.  Në rastin e Dom Prekës, ai ndihmoi në përmirësimin e jetës së mijëra bashkatdhetarve të tij, të cilëve ai u kushtoi gjithë jetën e tij fetare, humanitare dhe patriotike, duke u sjellë  mijëra imigrantëve shqiptarë rreze drite dhe shpresë për një jetë më të mirë, megjithse në mërgim, larg Atdheut dhe larg të dashurve të tyre.  Njeriu i mirë, thonë se dallohet për ato që bën për të afërmin e vet, sidomos kur ai është ngusht e në gjëndje të vështirë.Por edhe nga vlerësimet e të tjerëve.Atij i flet vet puna.

Në këtë pikë, Dom Preka, ishte shembull — ishte shembull lartësues i zemërgjërsisë dhe moralit të lartë humanitar dhe patriotik. Për patriotizmin e Dom Prekë Ndrevashajt si shembull iklerikëve  të gjeneratës së Dom Prekës, është prononcuar edhe i përndershmi Imam Vehbi Ismaili, i cili si bashkohas dhe mik i ngushtë i tij, ka thënë për librin “Kristale Dukagjini” se,  “Si klerikë shqiptarë, pavarësisht nga besimet e ndryshme që kishim, me të ndjerin Dom Prekë Ndrevashaj na lidhi një miqësi e sinqertë dhe aspak formale.  E them dhe e nënvizoj këtë fakt që të dy, duke qënë përkatësisht të të njëjtit brez, kemi qenë edukuar nga mësuesit tanë me ndjenjën e bukur të dashurisë për fenë e gjithashtu për Atdheun tonë të dashur, Shqipërinë. Të rinjëve sot mund t’u duket disi i çuditshëm pohimi im, por e them me plot gojën dhe jam krenar për këtë që pohoj se mësuesit tanë klerikë pavarësisht nga besimi ynë fetar, na kanë mësuar në mënyrë të barazpeshuar për fenë dhe Atdheun”, citohet Imam Vehbi Ismaili në librin për Dom Prekën.

Ishin këta burra të një gjenerate klerikësh shqiptarë të cilët i luteshin Zotit në faltoret e tyre, por siç ka thënë edhe Imam Vehbi Ismaili, ata ishingjithmonë të “barazpeshuar” në dashurinë e tyre për fenë dhe për Atdheun e tyre, por edhe në respektin për njëri tjetrin dhe për besimin e njëri tjetrit.

Njëri ndër këta viganë fetarë e atdhetarë në mërgim, ishte edhe Mons. Dr. Zef Oroshi, bashkohas i Dom Prekës dhe kapelan i parë i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, udhëheqës shpirtëror për 30 vjet dhe themelues i kishës “Zoja eShkodrës” në New-York, me 25qershor 1977, me rastin e bekimit të kishës së themeluar nga Dom Preka“Zoja Pajtore”në Detroit, është shprehur:

“…Po kam sot një kënaqësi që më jepet rasti me bekue gurin e themelit të dytë të shtëpisë së Zotit në Amerikë.Këtë gur që e skaliti fort bukur në zemrën e Krishtit vëllau im meshtar Dom Prek Ndrevshaj. Kjo shtëpi e Zotit ka më u pasurue me shpirtin e besimit dhe të bashkimit të shqiptarëve që mërguan dhe me prijësin e tyre që e patën gjithmonë pranë….Kam pas fatin e mirë në jetë të kem një vëlla meshtar si Dom Preka, me nda me të gëzimet e më përjetue frymën e shenjtë, me nda me të sakrificat e panumërta, për më e shëndrit me dhurata, gurin e këndit të kishes tonë. Kam parë me vëmendje tek ky njeri përvujtërinë, dëshirën e madhe me i ndihmue njerëzit në nëvojë, me ngrit foltoren e sofrën e begatë të besimit, kam parë tek ai oratorin dhe muzën e thellë në fe, atdhetari e traditë…. Dom Preka dëshmoi me vepra se ai është një bari i zëllshëm, i papërkulur dhe që nuk i trembët pengesave, madje në ato kundërshti ai kalit durimin dhe me dritën e Krishtit gjën shtegun e duhur, për t’ia arritur qëllimit.  Njeri organizator, i buzëqeshur, që me një fjalë e largon frymën e urrejtjës dhe të ndarjës.Ai fal shpejt dhe shëroi shumë zemra të plagosura.Mbi të gjitha, Dom Preka manifeston tiparet e kullës së Dukagjinit dhe pastërtinë e ligjeve të maleve tona. Qendroni me te dhe rreth tij, se fara jonë ka me jetue gjatë edhe në Amerikë!”qe shprehur Mons. Oroshi për Dom Prekë Ndrevashajn.
Megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë dhe brezat ndryshojnë, por sa veta mund të jenë sot në këtë sallë, që ata vet, ose dikush prej familjes së tyre, farefisit, shokë, dashamirë ose shqiptarë që ata kanë njohur rastësisht — e të cilët nuk e kanë sprovuar vetë ose të mos kenë përfituar nga ndihma, mbështetja dhe kujdesii Dom Prekës për strehimin e tyre në Amerikë dhe tëçdo emigranti shqiptar që trokiste dikurë në zyrën e tij në Romë.

Duke lexuar librin e autorit Përgega, më ra në sy fjalimi i Dom Prekës me rastin e 75-vjetorit të gazetës Dielli, një fjalim ky që pasqyron besimin e tij të thellë në lirinë e shtypit dhe në rolin eorganizatës pan-shqiptare Vatra dhe organit të saj Dielli, atëherë e vetmja gazetë shqiptare në Amerikë, në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar.Me atë rast, Dom Preka u shpreh kështu:

 “Bijë e bija mërgimtarë!Besimtarë në mësimet e të Madhit Zot dhe patriotë të çeshtjes tonë kombëtare.75 vjetori i Diellit është një ngjarje fort e shënuar në jetën e mërgimit të vështirë, por fjala shqipe e saj na zgjon heret me agime të bardha si rrëzja e diellit. Shqiptarët kanë patur si hyjni diellin dhe ne kemi këtu një shpresë të gjallë të gjuhës dhe kulturës kombëtare një nga gazetat më me jetëgjatësi në Amerikë.Ne duhet të jemi krenarë se ajo në shkrimet e saj e lartëson emrin shqiptar.Mjafton të themi se ajo si organ i Vatrës bashkë me këtë organizatë të zjarrtë e mundi Venizellosin e Greqisë në tavolinën e Atit të Shënjtë në Vatikan dhe në Konferencen e Paqës.Lufta me penë sjellë fitore.Ndaj dhe stafi i kësaj gazete do të jetë përherë i nderuar në pjedestalin e fjalës së lirë dhe brezat do të krenohen për veprimtarinë e saj. Kudo që të shkojnë ata e kanë të ligjshëm mburrjen, sepse bota e lirë ua çeli sytë dhe kjo dritë e mbrujtur me patriotizmin ka për ta udhëhequr popullin shqiptar për t’u shkëputur nga vargonjtë e komunizmit.Lirinë e njerëzve dhe të fesë nuk ka zinxhirë që ta mbajë të mbyllur.Ajo po agon.Të punojmë për to, të bashkuar si një trup i vetëm me zemër e shpirt për Shqipërinë.Krishti na porosit të mos kemi frikë për të vërtetën!”

 Në mbrojtje të së vërtetës, Dom Preka nuk ia kishte frikën kujt, megjithëse kishte edhe armiq, që e ndjeknin dhe donin të sabotonin punën e tij humanitare, patriotike dhe fetare. Ata ishin kryesisht agjentë të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe agjentë të regjimit sllavo komunist të Beogradit.E vërteta, për realizimin e së cilës Dom Preka luftoi me të gjitha fuqitë e veta mendore, intelektuale e fizike, më në fund ngadhnjeu edhe mbi këto mbeturina të historisë.

 Trashëgimia e Dom Prekës, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi Zotit dhe mërgimtarëve shqiptarë,vazhdon të jetë e gjallë edhe sot në komunitetin shqiptaro-amerikan.  Si i tillë, ai na këshillon– me këtë rast të promovimit të librit, “Kristale Dukagjini” të Zef  Përgegës, kushtuar këtij gjiganti të Dukagjinit — duke na thënë secilit prej nesh: “Jeto në Zotin e jeto në Kombin!”  

Ju falemnderit!

 ******************************************************************************

 Dom Prekë Ndrevashaj për Zërin e Amerikës, marrë nga libri, Kristale Dukagjini, të autorit Zef Përgega —

“Ditën e Pashkëve në prill të vitit 1975 meshën e shënjtë kushtuar të ngjallurit të Shëlbuesit, Dom Prek Ndrevashaj e mbyll me këto fjalë:

        “…A e keni dëgjuar se Zëri i Amerikës flet edhe në gjuhën shqipe. Programet përgatiten nga gjashtë gazetarë shqiptarë të përgatitur dhe shumë të zotët.  Është një gjë pozitive se numëri i gazetarëve po rritet e zani i Zërit të Amerikës po na vjen çdo ditë e më i ëmbël në vatrat tona të mërguara.   Një nga këta gazetarë që po dallohet është bashkëpunëtori i revistës së famullisë tone, Rreze Shelbuese,  Z. Fran Shkreli.  Ai nuk na ka harruar, por na kujton në emisionet që drejton e prandaj po e bekoj zanin dhe punën e tij të shkëlqyer në shërbim të shqiptarizmit dhe të bashkimit tonë.  

Kështu them se është një dobi e madhe që të informoheni me informacionet dhe lajmet e Amerikës dhe krejt botës në gjuhën shqipe.Dëgjojeni  praZërin e Amerikës,  zërin e Fran Shkrelit se është zëri juaj, zëri i së vërtetës, çdo ditë nga ora 2:30 pm dhe 4-4.30 pm, duke përfshirë të shtundën dhe të dielën mbas meshës tonë.   Ne i urojmë Zërit të Amerikës plot suksese e shëndet, e të gjithë atyre që përpiqen dhe bëjnë një punë aq të bukur në gjuhën shqipe”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dom Preke Ndervashaj, Frank shkreli, liber, Zef Pergegaj

LIRIA E MEDIAS NË EUROPËN JUG-LINDORE

September 9, 2013 by dgreca

MEDIA  E LIRË SI TMERI I TIRANËVE DHE DASHAMIRËSE E POPULLIT/

Nga Frank Shkreli/
Javën që vjen, Zyra e Përfaqsuesit Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Europë (OSBE-së), që merret me lirinë e medias, në bashkpunim me zyrën e kësaj organizate në Shqipëri, organizon konferencën e tretë të saj të radhës në Tiranë.
OSBE-ja njofton se Konferenca mbi gjendjen e medias në Europën Jug-Lindore është e treta e radhës e këtij lloji ç’prej vitit 2011, që mbahet për të diskutuar gjendjen e medias në përgjithësi dhe  të lirisë së medias në veçanti në vendet e Europës Jug-lindore, përfshirë  Shqipërinë dhe Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.  Në njoftimin e konferencës së radhës që do të mbahet me 18 deri më 20 Shtator në kryeqytetin shqiptar, thuhet se gjatë dy viteve të fundit, gjëndja e lirisë së medias në vendet e Europës Jug-Lindore, “jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përparim, por në të vërtetë është keqësuar dukshëm.”
Në paralajmërimin e konferencës  së Tiranës mbi lirinë e shtypit në vendet e Europës Jug-Lindore javën që vjen, thuhet se, “raportet nga këjo zonë flasin për përpjekje për të shuar zërat kritikë” në media, dhe vazhdon duke thënë se në këtë rajon, “flitet për raste ku autoritetet përzihen duke futur hundët në punën e gazetarëve, si dhe  nënvijohen rrethana ku miratohet legjislacioni ose raste ku ligjet ndryshohen mbrenda 24 orësh, për të bërë më të vështirë lirinë e të shprehurit dhe lirinë e medias”, duke penguar kështu përparimin që duhet bërë tanimë në këtë fushë.  Zyra e Përfaqsuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, deklaron botërisht se ka ardhur koha se ”diçka duhet bërë” në lidhje me këtë situatë të lirisë së medias, ose mungesës së saj.

Konferenca për Lirinë e Medias në Europën Jug-Lindore, që mbahet çdo vit në një vend të ndryshëm të këtij rajoni, sipas njoftimit, sjellë ekspertë të njohur në këtë fushë, nga rajoni dhe më gjërë, duke krijuar kështu një platformë për dialog mbi sfidat e tanishme, me të cilat përballet liria e medias, si dhe për të biseduar mbi hapat që duhen marrë për përmirësimin e kësaj gjëndjeje.

Sipas njoftimit të OSBE-së, konferenca e Tiranës do të diskutojë  zhvillimet më të rëndësishme me të cilat përballet sot media  si dhe sfidat  e mëdha në fushën e lirisë së medias në vendet e Europës Jug-Lindore, duke përfshirë ndër të tjera, rregulloret, çështjet didgjitale, lirinë e internetit, vet-censurimin nga gazetarët, zbatimin e legjislacionit  mediatik  dhe transparencën në vet radhët e medias.

Në konferencën e parë të OSBE-së mbi Lirinë e Medias në Europën Jug-Lindore, që u mbajt në Sarajevë në tetor, 2011 u miratua Deklarata e titulluar,  “Në Rrugën Drejt Lirisë së Medias”.  Deklarata, ndër të tjera, theksoi se “liria e të shprehurit është një e drejtë themelore e njeriut dhe njëra ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së mire dhe e funksionimit të shtetit ligjor”.   Deklarata, “ripohon rëndësinë themelore të lirisë së të shprehurit dhe lirisë së medias – përfshirë  parimet e pavarësisë, pluralizmit dhe shumëllojshmërisë, si mjete jetike në mbrojtje të të gjitha të drejtave të tjera, që janë gurthemeli i demorkacisë dhe zhvillimit shoqëror”.   Deklarata e Sarajevës, e miratuar nga përfaqsues të vendeve të Europës Jug-Lindore tre vjetë më parë, thekson gjithashtu se “vetëm media që është me të vërtetë e pavarur nga pikëpamja politike, redaksionale dhe ekonomike,  mund të luaj rolin kyç që i takon në një shoqëri demokratike.’’   Në deklaratën e miratuar nga të gjithë, thuhet gjithashtu se roli i medias është  që të funksionojë si të thuash  si një kujdestare dhe mbikqyrëse e punëve të qeveritarëve dhe të biznesit dhe të informojë publikun mbi aspektet e rëndësishme të jetës, në mënyrë të drejtë dhe pa marrë anën e asnjerës palë.  Duke pasqyruar gjithashtu pikëpamje të ndryshme, me qëllim që të mundësojë  individët  dhe shoqëritë që të marrin vendimet e tyre, bazuar në informacione të sakëta dhe të paanëshme, kur zgjedhin dhe vlerësojnë punën e qeverive të tyre.

Zbatimi i plotë i këtyre parimeve për lirinë e gjithanëshme të medias në zonën e Evropës Jug-Lindore, nuk ësht askund më i nevojshëm se sa në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në Ballkan, ku media është aq e influencuar nga partitë politike dhe interesa të ndryshme ekonomike e të tjera.  Zbatimi i këtyre parimeve për zhvillimin e një medias vërtetë të lire, nuk do të ndodhë për derisa, jo vetëm interesat e ndryshme politike dhe ekonomike – por edhe vetë gazetarët – nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë se pa liri të plotë të fjalës dhe të medias, nuk ka as demokraci të vërtetë as zhvillim normal të shoqërisë.

Le të shpresojmë që konferenca e Tiranës të jetë një hap përpara në “Rrugën Drejtë Lirisë së Medias” në trojet shqiptare, dhe të mos jetë vetëm një konferencë e sponsorizuar nga ndërkombëtarët (kësaj radhe nga Holanda) për të biseduar mbi teoritë e lirisë së medias dhe jo mbi zbatimin serioz të standardeve dhe praktikave ndërkombëtare të lirisë së medias,  larg influencave politike e partiake.  Këjo është një sfidë me të cilën përballen  Shqipëria, Kosova , si dhe vendet e tjera të Europës Jug-Lindore, në përpjekjet e tyre për integrim europian, pasi këto janë sfida dhe rregulla të “klubit’’ të përcaktuara, jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe nga Bashkimi Europian, për të garantuar pra, pluralizmin dhe lirinë e plotë dhe të pa penguar të medias, si dhe zhvillimin  normal të demokracisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Liria e medias, ne Europen Juglindore

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI
  • NJË GABIM I QËLLIMSHËM NGA KRYEMINISTRI EDI RAMA
  • Bostoni shqiptar përballë historisë: Ambasadori Walker sjell të vërtetën e Raçakut
  • Instituti i Historisë “Ali Hadri” sjell botimin e ri për dokumentet diplomatike të Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT