• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THEMELOHET FONDI”JIM XHEMA’ NE NDER TE SENATORIT DOLE

October 15, 2020 by dgreca

THEMELOHET FONDI XHIM XHEMA PRANË UNIVERSITETIT KANSAS NË NDER TË ISH-SENATORIT ROBERT DOLE/

  Nga Frank Shkreli/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgNë një njoftim të përhapur të ënjtën nga (Kansas University Endowment”), për mediat amerikane dhe shqiptare, thuhet se biznesmeni dhe mbrojtsi i çeshtjeve kombëtare, Z. Jim (Xhim) Xhema me origjinë shqiptare nga Greenwich i shtetit Konetikët në Shtetet e Bashkuara i dhuroi $500,000 (gjysëm million) dollarë Institutit Dole pranë Universitetit të shtetit Kansas.  Në njoftim thuhet se ky gjest i Z. Xhema është një vlerësim i punës së Senatorit Robert Dole due jepet në shenjë falënderimi për diplomacinë dhe mbështetjen ndaj çeshtjes së Kosovës gjatë dekadave dhe për miqësinë e tij të gjatë me Senatorin republikan Bob Dole.

Një lidhje politike që bashkoi akktivistin shqiptaro-amerikanin Jim Xhema dhe Senatorin e shtetit Kansas, Z. Bob Dole është kthyer në një miqësi midis këtyre dy burrave që ka zgjatur për më shumë se 30 vjet, theksohet në njoftimin e shpërndar për median.   Kjo miqësi, e lindur nga një fëmijëri me shumë gjëra të përbashkëta dhe bazuar në respektin e ndërsjelltë midis këtyre dy burrave, frymëzoi dhënjen e kësaj dhurate prej 500,000 dollarësh Institutit Dole, pranë Universitetit Kansas, thuhet në njoftimin e Universitetit Kansas.  Njoftohet se dhënja e kësaj dhurate ishte planifikuar të jepej njëkohësisht me ceremoninë e zbulimit të statujës së Senatorit Dole në Prishtinë, gushtin që kaloi, në kryeqytetin e Kosovës, në kujtim dhe në nderim të 30-vjetorit të vizitës së parë të Senatorit Dole, me gjashtë kolegët e tij senatorë të njohur amerikanë,  në Prishtinë.

Ishte kjo vizita e parë e Senatorit Robert Dole në Kosovë, vizitë e cila konsiderohet edhe sot si pikëkëthesa për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova. Senatori Dole dhe kolegët e tij, dëshmuan para botës dhe komunitetit ndërkombëtar abuzimet serbe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, por edhe për qendresën e tyre të fortë përball këtyre abuzimeve.  Sipas shumë vërejtësve, me vizitën e senatorëve amerikanë në Kosovë në vitin 1990 filloi edhe “ndërkombtarizimi i çeshtjes së Kosovës”, për të cilën fliste aq shpesh ish-Presidenti historik i Kosovës, i  ndjeri Dr. Ibrahim Rugova,  njëkohësisht edhe mik i ngusht i Z. Xhema dhe i Senatorit Robert Dole, si dhe krye-protagonisti i miqësisë së përhershme midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve — në një kohë — kur pak kush dinte gjë për Kosovën dhe për shqiptarët.

Në njoftimin për themelimin e Fondit Xhema thuhet se Jim Xhema është takuar për herë të parë me Senatorin Dole në vitin 1987, kur Z. Dole ishte udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan.  Z. Dole ishte ndër liderët e parë politikë Amerikanë që solli vëmendjen ndaj gjëndjes në Kosovë dhe popullsinë e saj, kryesisht, etnike shqiptare si dhe përpjekjeve të saj për liri nga sundimi serb gjatë viteve 1980 dhe ’90 – kur qeveria serbe kishte vendosur ligjin e shtet-rrethimit dhe sundimin diktatorial mbi popullsinë shqiptare.

Gjatë ceremonisë që u mbajt në Prishtinë gushtin që kaloi, për të nderuar Senatorin Dole, Z. Xhema tregoi se megjithse ata u rritën në dy botë të ndryshme, të dy u rritën në ferma bujqësore.  “Të dy e kuptuam se, në fëmini, ishim rritur në një mënyrë shumë të ngjashme me njëri tjetrin dhe se kemi shumë parime të njëjta,” është shprehur Z. Xhema, siç raporton gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria në Nju Jork.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se Senatori Dole falënderoi Z. Xhim Xhema, mikun e tij prej një kohe të gjatë, për dhuratën dhe për vizionin e tij për paqe dhe liri.  “Xhim Xhema ka qenë miku im i ngushtë për shumë dekada.  Ai është një njeri i shquar dhe i veçantë”, tha Robert Dole, njëri prej politikanëve më të njohur të Amerikës të shekullit të kaluar dhe më vonë.  “Besnikëria dhe miqësia e Xhimi-t gjatë viteve, kanë qenë gjithmonë shumë domethënëse për mua, në nivelin personal, ndërsa dhurata e tij e fundit për Institutin Politik Dole, është një dëshmi e vërtetë e bujarisë së tij të pakufishme dhe e angazhimit të tij të vendosur për ta bërë këtë botë më të mirë për brezat e ardhëshëm”, është shprehur ish-Senatori Dole.

Fondi i Mundësisë Jim Xhema (“Jim Xhema Opportunity Fund”) do të sigurojë mbështetje për Institutin e Politikës Robert J. Dole për programet dhe ekspozitat publike të Universitetit Kansas.  Për të respektuar dëshirën e Z. Xhema, ky fond do të përdoret për të sponsorizuar programe dhe ekspozita me tema dhe subjekte mbi Shqipërinë, Kosovën, Shqiptaro-Amerikanët ose rajonin e Ballkanit, në Evropën Juglindore. Ky fond mund të sigurojë gjithashtu mbështetje për studiues që do të merren me kërkime shkencore në kuadër Koleksioneve të posaçme dhe Arkivit Robert dhe Elizabeth Dole, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa Z. Bill Lacy, Drejtori i Institutit Politik Dole pranë Universitetit Kansas, i shprehu mirënjohjen e tij të thellë Z. Xhim Xhema për dhuratën duke thenë se Instituti Dole do të përfitojë shumë nga kjo dhuratë bujare.  “Ne të Institutit Dole jemi vërtetë të nderuar dhe mirënjohës ndaj Z. Xhema për këtë dhuratë bujare”, tha Lacy.  “Kontributi i tij do të ndihmojë që të sigurojmë — që ne të vazhdojmë të nderojmë trashëgiminë e Senatorëve Bob dhe Elizabeth Dole dhe të hapim mundësi të reja për të zgjëruar programimin dhe kërkimet shkencore në fusha të reja dhe për audienca të reja”, përfundon njoftimi për themelimin e Fondit Xhim Xhema pranë Universitetit Kansas, në nder të ish-Senatorit të Shteteve të Bashkuara, Z. Robert Dole.

Vizita e Senatorit Robert Dole në Prishtinë në vitin 1990, ishte si të thuash katalizatori që vuri në lëvizje ndërkombtarizimin e “Çeshtjes së Kosovës”.  Ishte paralajmërimi i parë për Washingtonin zyrtar dhe botën se në Kosovë punët ishin shumë keq për shqiptarët, madje pat parashikuar edhe fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ.  

Pas “shtypjeve shokuese” që kishte parë në Kosovë ndaj shqiptarëve të asaj krahine nga ana e forcave policore serbe, ish-Senatori Dole ia nisi punës për të sensibilizuar Kongresin, por edhe popullin amerikan dhe botën për krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë kundër shqiptarëve autoktonë, nga forcat kriminale të Millosheviqit, duke e cilësuar atëherë situatën në Kosovë si të rrezikshme dhe të pa parashikueshme.  Kjo ishte, pikërisht, edhe periudha që njëherazi vuri në lëvizje edhe lobimin në Kongres dhe pranë qeverisë federale të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili megjithëse i vogël në numër, arrijti të siguronte një mbështetje të pa parë deri atëherë — në qarqet e politikës amerikane – në favor të të drejtave dhe kauzave të shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në ish-Jugosllavi dhe në rajonin e Ballkanit Perendimor, në përgjithësi.

Aftësia që e dalloi Z. Xhim Xhema dhe veprimtarinë e tij gjatë dekadave në Amerikë ishte se ai dijti të zgjidhte dhe të bënte miqë për shqiptarët në Washington, nga të dy partitë politike kryesore të këtij vendi – republikanë dhe demokratë — dhe ndër politikanët më të dalluar due më me influencë të këtij vendi demokratik, njerëz me vlera morale dhe politike, por edhe human si Robert Dole, që besonin në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë popujt, pa dallim.  Ishte fati ynë që komuniteti shqiptaro-amerikan kishte njerëz si Xhim Xhema i cili me veprimtarinë dhe me miqësinë e tij me politikanët më të njohur të këtij vendi – bëri që “çeshtja e Kosovës” dhe të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në përgjithësi, — gjatë një periudhe shumë kritike të historisë së shqiptarëve – interesat e tyre të ishin në krye të listës së politikës së jashtme amerikane, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimim shekullin XXI.  Njëri prej këtyre ishte edhe ish-Senatori Robert Dole, “Një mbështetës i pazevëndsueshëm i Kosovës, duke qëndruar pranë dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet e tija për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, siç e ka cilësuar Senatorin Dole, ambasadori aktual amerikan në Prishtinë, Z. Filip Kosnett.  Ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në vitin 2003 e kishte vlerësuar kontributin e Z. Xhema, gjatë viteve, me  medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirsimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Ndihma prej dekadash e Senatorit Bob Dole dhe e politikanëve të tjerë amerikanë, është vlerësuar dhe nuk besoj se do të harrohen kurrë nga Kosova dhe as nga Kombi shqiptar.  Dhurata bujare — e veprimtarit të njohur prej dekadash në komunitetin shqiptaro-amerikan, Z. Xhim Xhema — për Institutin Dole të Universitetit Kansas – është një vlerësim tjetër i lartë që do të përjetësojë kujtimin e punës së palodhëshme të këtij burri të madh amerikan në mbështetje të drejtave bazë të njeriut, lirisë së shqiptarëve, në përgjithësi dhe pavarësisë së Kosovës dhe të lidhjeve të përhershme midis dy popujve tanë, në veçanti.

             Ish-Senatori Bob Dole me veprimtarin shqiptaro-amerikan të çeshtjes kombëtare, Z. Xhim Xhema
 

Ish senatori Dole (majtas) me prof. Sami Repishtin (në mes) dhe Xhemail (Jim) Xhemën.

Ish senatori Dole (majtas) me Prof. Sami Repishtin (në mes) dhe Xhemail (Jim) Xhemën.

Xhemail (Jim) Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor 2003.

Xhemail (Jim) Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor 2003.

  Respekt për ish-Presidentin Ibrahim Rugova …

   Gjithmonë midis veprimtarëve shqiptaro-amerikanë

Dhjetor 2016 në pritjen vjetore me rastin e festave të fund vitit, organizuar nga Xhim Xhema, për miqtë shqiptarë dhe amerikanë, në një prej lokaleve të njohura të New Yorkut.

Filed Under: Featured Tagged With: Bob Dole, Fondi, Frank shkreli, Xhim Xhema

FISHTA: “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”

October 13, 2020 by dgreca

FJALA E AT GJERGJ FISHTËS NË VARRIMIN E AVNI RUSTEMIT-

                        “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”-

                                                Nga Frank Shkreli-

Unë nuk dëshiroj t’i bashkohem debatit të ditëve të fundit se kush është hero e kush është tradhëtar dhe as vlerësimeve se kush meriton të dekorohet e kush jo, pasi për këtë vendosin entet e caktuara shtetërore, sipas ligjit, kushtetutës dhe precedenteve të mëparshëme. 

Por debati i fundit në media dhe midis personaliteteve të larta politike dhe shtetërore të Shqipërisë mbi dekoratat e fundit të njoftuara nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta  — përfshir dekorimin, nga ana e tij, dhënë Avni Rrustemit – m’u kujtua fjalimi që At Gjergj Fishta kishte mbajtur në varrimin e Avni Rrustemit, (1 Maj 1924) pas vrasjes së tij – që konsiderohet si një prej vrajseve më të bujshme në historinë e Shqipërisë.  Ndërsa fjalimi i përmortshëm i At Gjergj Fishtës, në varrimin e Avni Rrustemit, konsiderohet si njëri prej fjalimeve më historike të oratorisë shqiptare, ndonëse ndoshta jo më i famshmi i Fishtës. Është një fjalim që ndoshta mund të kontribojë në këtë debat.

Shkrimtari dhe novelisti shqiptar Sterjo Spasse, në një shkrim të botuar në “Librin Përkujtimuer”, kushtuar At Gjergj Fishtës dhe botuar në vitin 1941 pas vdekjes së Poetit Kombëtar, nën përkujdesjen e At Benedikt Dema, Spasse ka vlerësuar zotësinë që ka pasur Fishta, që sipas tij, “të trondisi zemrën e të thithi me magjinë e fjalës.”  Dhe jep si “shembëll të gjallë” fjalimin e Gjergj Fishtës, “Fjala mbi varrin e Avni Rrustemit”, nga i cili, sipas tij, “Burojnë lotë e vrerë, ndërsa jeta e të vdekurit përjetësohet në dritë të idealit kombëtar.”

Është ky një fjalim ku shprehet zi për momentin e rastit por edhe për historinë e Shqipërisë së pushtuar ndër shekuj, por njëkohësisht pasqyron edhe qëndresën e shqiptarëve ndër shekuj si dhe luftërat dhe përpjekjet e tyre për liri, demokraci, përparim e zhvillim, si e gjithë Evropa, deri në ditët e sotme.  Dhe u ben thirrje shqiptarëve që, “Shoq me shoq, kurr mos me u xanë”.

Ja edhe fjalimi i plotë klasik i At Gjergj Fishtës mbajtur në varrimin e Avni Rrustemit në vitin 1924, e që ka mundësi të ndihmojë në debatet e tanishme, që po zhvillohen në Shqipëri mbi meritat, dekoratat, heronjtë dhe tradhtarët, por edhe për gjëndjen aktuale në të cilën ndodhet sot Shqipëria:

—————————————————————————————————

“E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymës s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, nepër të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se tepër pa mëshirë e turp shemtuem të ká nieri.  Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa bukë e shujtë dhe e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emën tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit.  Nepër ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Nepër ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tu; mbi ty, randoi pesha e pushtetsisë rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e nepër ty u përshkue, mbasandej edhè ajo dhuna e përmnershme e Azisë, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të» historis s’tyne, kanë muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kanë mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té.  Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazën shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnisë. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipninë edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se për Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte për tjetër, veç për me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel për qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të vdiste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret dhe e len shakull mbi dhè.


Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të mirën lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. 

Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i , zojë vashe shqiptare… I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës diku i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!


Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e deri në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshterm të tyne.

Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipninë e desht me gjith fuqinë e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej vdiq, shkoj, mbaroj.

Mbaroj thashë?  Më paska pasë rrshitë goja pahiri; pse Avni Rustemi s’ ka mbarue.  Edhè aj jeton nder né edhè ka për të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare.  Burri i mirë s’des kurr. Fjalë drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrola arit, shkrola të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët nepër hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari që thau të rijtë e tij, për në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avniu do të mbarote. Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frang do t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipnia mbarë?


Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.


Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lendojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.


O ju male të Shqipnisë, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tue ju lanë: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.   O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lanë: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.

O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lanë: që po kjé se âsht kush nder ju, që ndër dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîsë, ta mbushë strajcën pikë e për maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotëvet të gjakut.

O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë
Shoq me shoq kurr mos me u xanë
Mos me u xanë as mos me u ngaë
Kurr ujët turbull mos me i raë
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës së frytë me i lanun dalë.


O zemërplasun prindët e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kenë çilimi, ka kjenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lanë, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër per kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes për Avniun e vet.

Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhë m’e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja të ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t’ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy.

Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa për punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, nepër kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u përshku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me ndikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnînë, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”


(Rev. “Afrimi”, vjeti II, maj 1924.Vlorë)
Át Gjergj Fishta: “PROZA” vëllimi i dytë 1923-1940, Botime Françeskane, 

Shkodër, 2006, f.135-139.

Megjithë zhgënjimet e njëpasnjëshme të këtyre 30-viteve të fundit “post-komunizëm”, unë dua t’u besoj gjithnjë fjalëve të At Gjergj Fishtës të pothuaj 100-viteve më parë se, “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!” Por me një kusht: Nëqoftse më në fund, fillojmë të dëgjojmë fjalët e Gjergj Fishtës së Madh!

Frank Shkreli

Image result for varrimi i avni rustemit

                                    Ceremonia e varrimit të Avni Rustemit..

Filed Under: ESSE Tagged With: Fjalimi i At Fishtes, Frank shkreli, varri

Turpi në radhët e të paturpshëmve

October 6, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

 – “Për 30-vjet , se në Shqipëri nuk ka pasur, nuk ka dhe siç duket as vitin që vjen nuk do të ketë, zgjedhje të lira,  me standarde ndërkombëtare,  e si rrjedhim nuk ka, as nuk do të ketë, as demokraci të mirëfilltë në atë vend…”

– “Në qoftë se ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjendjen, atëherë do i këshilloja që të paktën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysmë deklarata, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjendjes në Shqipëri! Më mirë heshtni fare!…”

 

(kortezi-Panorama)

Ja dhe turpi i radhës në Shqipëri.  Ndodhi prapë “Turpi në radhët e të paturpshëmve”. (Në të vërtetë ky është titulli i një libri anglisht (Shame among the shameless) që jam duke lexuar tani e që mund të jetë subjekt i një shkrimi tjetër më vonë, libër që ka të bëjë me krimet e komunizmit në Shqipëri), por titulli është aq i përshtatshëm edhe për situatën aktuale politike në lidhje me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në parlamentin shqiptar. Se, ai turpi i qershorit të vitit të kaluar nuk mjaftonte, as për politikanët shqiptarë as për ndërkombëtarët, siç duket.  Ka të ngjarë që qershorin e vitit të kaluar, nuk e kishte marrë vesh e gjithë bota se si,  në të vërtetë, organizohen dhe si mbahen zgjedhjet në Shqipëri. Por, ja do shikoni tani se si, me ligjin e ri, do të mbahen zgjedhjet e vitit që vjen në atë vend.  Sot, Kuvendi i Shqipërisë me shumicë socialiste miratoi, njëanshëm, ndryshimet e Kodit Zgjedhor për listat dhe koalicionet zgjedhore, ndërsa opozita jashtë parlamentit e quajti këtë një akt antikushtetues, që shkatërroi marrëveshjen e 5 qershorit, ndërkohë që “opozita” brenda parlamentit i dha shumicën e votave mocionit të shumicës socialiste. Nëqoftëse jeni të konfuzuar, prisni se nuk kini parë gjë ende.

“Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar! Se, ai turpi i qershorit të vitit të kaluar nuk mjaftonte, as për politikanët shqiptarë as për ndërkombëtarët, siç duket.  Ka të ngjarë që qershorin e vitit të kaluar, nuk e kishte marrë vesh e gjithë bota se si,  në të vërtetë, organizohen dhe si mbahen zgjedhjet në Shqipëri…”

Shoh se po bëhen komente dhe po shfaqen reagime mbi miratimin e këtij ligji në parlamentin shqiptar, nga burime të brendshme dhe të jashtme.  Unë nuk kam ndonjë reagim të ri, pasi nuk ka asgjë të re për të thënë, për diçka që jemi mësuar tanimë për 30-vjet , se në Shqipëri nuk ka pasur, nuk ka dhe siç duket as vitin që vjen nuk do të ketë, zgjedhje të lira,  me standarde ndërkombëtare,  e si rrjedhim nuk ka, as nuk do të ketë, as demokraci të mirëfilltë në atë vend.

Por, po i ofroj lexuesëve, atyre që nuk i kanë lexuar fillimisht, reagimet e mia pas zgjedhjeve vendore të qershorit të vitit 2019  në shkrimin  i cili, kryesisht, përmbledh pak a shumë ndjenjat e mia edhe në lidhje me zhvillimet e sotme në parlamentin shqiptar.  Titulli i shkrimit ishte:  Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!

Natyrisht, se disa të dhëna pasqyrojnë zhvillimet me rastin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe janë jashtë afatit, por parimet dhe përfundimi janë të njëjtë: Shqipëria nuk ka marrëveshje të gjitha forcave politike për “rregullat e lojës”, për të mbajtur zgjedhje të lira të drejta dhe gjithpërfshirëse dhe as të ndershme. Është vështirë të flitet për nder dhe ndershmëri, kur kemi të bëjmë me turpin që gjithnjë pasqyron e gjithmonë shoqëron organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri.  Duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit që vjen, as shqiptarët, as ndërkombëtarët të mos presin një proces të ndershëm, as zgjedhje me  standarde ndërkombëtare !

Filed Under: Politike Tagged With: e të paturpshëmve, Frank shkreli, në radhët, turpi

KUMTESË E DR. GËZIM ALPION PËR NENË TEREZËN-SPONSORIZUAR NGA SHOQATA ANGLO-SHQIPTARE NË LONDËR

September 30, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-Me kënaqësi e pranova ftesën e Kryetarit të Shoqatës Anglo-Shqiptare me qëndër në Londër, Z. Stepehen Nash, ish-i ngarkuari me punë në ambasadën britanike në Tiranë (1993-1995) dhe Ambasador në Shqipëri 1998-99 për të marrë pjesë (via Zoom) në mbledhjen vjetore të shoqatës, në të cilën folësi kryesor ishte Prof. Dr. Gëzim Alpion, i ftuar i posaçëm, për të folur mbi librin e tij më të ri në anglisht, kushtuar Nenë Terezës.  Biseda e Prof. Alpion titullohej, “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nenë Terezës drejtë Shenjtërisë”, (“From Skopje to Calcutta: Mother Teresa’s path to sainthood”). Dr. Gëzim Alpion është i punësuar në Departmentin e Politikës Shoqërore, Sociologjisë dhe Kriminalistikës të Universitetit Birmingham të Anglisë.  Libri më i ri i Dr. Alpion – që ishte subjekt i debatit via Zoom, nën kushte të kufizuara për shkak të epidemisë, organizuar nga Shoqata Anglo-Shqiptare – është: “Nenë Tereza: Shenjtëresha dhe Kombi i saj”, (Mother Teresa – The Saint and her Nation)https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-shenjteresha-dhe-kombi-i-saj-e-autorit-dr-gezim-alpion/.

Në të vërtetë, ia vlen, që me këtë rast, të njoftohemi me Shoqatën Anglo-Shqiptare, me seli në Londër, e cila sponsorizoi fjalën e mbajtur nga Prof. Dr. Gëzim Alpion për Nenë Terezën – autor i librit më të ri në anglisht mbi jetën dhe veprimtarinë e saj.  Kjo shoqatë ka një të kaluar të kahmotëshme dhe të pasur me një histori të vlefshme për marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërkohë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e kulturës dhe të historisë së Kombit shqiptar gjatë dekadave në Britaninë e Madhe dhe më gjërë. 

Në portalin e Shoqatës Anglo-Shqiptare thuhet se ajo mban takime të rregullta gjatë vitit duke u përqëndruar në historinë, kulturën dhe muzikën shqiptare, por edhe shfaqë filma dhe sponsorizon promovime librash me subjekte nga historia e Shqipërisë ose libra mbi personalitete me origjinë shqiptare, si Nenë Tereza. Nepërmjet një gazete elektronike që botohet tre herë në vit, Shoqata Anglo-Shqiptare njofton lajme dhe zhvillime të ndryshme programore të shoqatës, ndërkohë që boton artikuj mbi fusha dhe aspekte të ndryshme të jetës, historisë dhe kulturës shqiptare, në përgjithësi. 

Nga viti 2011 janë bërë përpjekje për të rigjallëruar Shoqatën Anglo-Shqiptare në Londër. Në historikun e saj, thuhet se kjo shoqatë e ka zanafillën në një komitet i themeluar në vitin 1912 nga Aubrey Herbert. Ish-Koloneli i nderuar Aubrey Herbert, ishte një ushtar britanik, diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës i lidhur ngusht me pavarësinë e Shqipërisë.  Thuhet se atij iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë. Nga 1911 deri në vdekjen e tij, ai ka shërbyer si anëtar konservator i parlamentit britanik.   Qëllimi i këtij ish-diplomati anglez ishte të mbronte të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, thuhet në jetëshkrimin e tij. 

Edhe enjohura prej shumë shqiptarëve, Edith Durham, e njohur si mike e madhe e shqiptarëve, ishte një artiste britanike, antropologe, e cila me shkrimet e saja vuri në dukje miqësinë e saj me shqiptarët dhe mbështetjen e saj për Shqipërinë due për shqiptarët.  Ajo edhe si shkrimtare u bë e famshme për tregimet e saja antropologjike të jetës në Shqipëri në fillim të shekullit të 20-të. Edith Durham thuhet se ishte gjithashtu një anëtare e hershme aktive dhe Sekretare e Shoqatës Anglo-Shqiptare. Ajo është vlerësuar si korrespodente, shkrimtare, udhëtare dhe antropologe e interesuar për Ballkanin në fillim të shekullit të kaluar, sidomos për shqiptarët.  

Pas Luftës së Parë Botërore, Shoqata ka monitoruar ngjarjet në Ballkan dhe ishte një kanal i rëndësishëm përmes të cilit lajmet nga Shqipëria i përcilleshin Qeverisë Britanike dhe publikun të gjerë.  Pas Luftës së Dytë Botërore shqetësimi kryesor i saj ishte fati i shqiptarëve anti-komunistë të arratisur nga Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Që nga shembja e regjimit komunist në vitin 1991 dhe ardhja e demokracisë, Shoqata ka rivendosur lidhjet e saj me Shqipërinë, në një mënyrë më normale.

Shoqata Anglo-Shqiptare ka festuar më 2012, 100-vjetorin e thememlimit të saj  me një seri ngjarjesh me atë rast dhe ka vazhduar me një program të pasur, përfshirë dy ceremoni të mëdha në kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, një në Kolegjin Pembroke në Kembrixh në vitin 2016 dhe një tjetër me 16 Nëntor 2018, në Akademinë Britanike në Londër.

Ishte pra në këtë frymë e traditë veprimtarie që Shoqata Anglo-Shqiptare e Londrës sponsorizoi të martën një bisedë për Nenë Terezen me autorin, tani të njohur botërisht, si autor i librave në anglisht për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës, Prof. Dr. Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham në Angli.  Në kumtesën e tij prej 45 minutash “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nenë Terezës drejtë Shenjtërisë”, duke u mbështetur në librin e tij të fundit “Nenë Tereza – Shenjëtorja edhe Kombi i saj” (Bloomsbury Academic 2020), Dr. Alpion theksoi se jeta dhe trashëgimia e Nenë Terezës duhet shikuar nga tri këndveshtrime, sipas tij: kombëtare, stërgjyshore dhe personale.

Në pjesën e parë të bisedës prej 15-minutash, Z. Alpion eksploroi me të pranishmit virtualë sistemin e besimit të shqiptarëve para ardhjes së besimeve monoteiste, përpara se të përqëndrohej në traditën e tyre të krishterë apostolike.  Profesori Alpion nënvijoi pohimin e tij kryesor se në këtë aspekt bazat e qytetërimit evropian janë triadike, d.m.th. ilire, greke dhe romake, theksoi ai.

Në pjesën e dytë të bisedës së tij, Dr. Alpion identifikoi disa nga arsyet që qëndrojnë pas migrimit të brendshëm të shqiptarëve, të gjurmueshme që nga pushtimi romak i Ilirisë.  Z. Alpion argumentoi se migrimi i paraardhësve të Nënë Terezës nëpër tokat e banuara shqiptare është një shembull modern i këtij fenomeni të përjetshëm që është parë më së fundmi më 1999 me dëbimin e rreth një milion shqiptarëve nga Kosova.

Në pjesën e fundit të kumtesës, Dr. Gezim Alpion foli për ndikimin e fatkeqësisë – vdekja e babait të saj nga helmimi dhe humbja e 8 të afërmve nga gripi spanjoll (1918-1920) – në thirrjen e Nënë Terezës, zgjedhjen e Indisë si destinacion dhe misionin e saj jetësor. Profesori Alpion arrin në përfundimin se, gjatë shtatë dekadave të jetës së saj misionare, besimi i Nënë Terezës – si për sa i përket të ashtuquajturës, “natës së errët të shpirtit” ashtu dhe raportit të saj me njerëz të besimeve të ndryshme në Indi dhe më gjerë – shfaq anët shpirtërore të kombit të saj, pohoi autori i librit të tij, më të ri në anglisht: “Nenë Tereza – Shenjëtorja dhe Kombi i saj” (Bloomsbury Academic 2020).

Kumtesa e Profesorit Gezim Alpion u pasua me pyetje-përgjigje nga autori dhe me komente nga disa prej pjesëmarrësve virtualë.  Krenaria e Prof. Alpion për Nenë Terezën dhe për Kombin shqiptar ishte e dukshme gjatë gjithë prezantimit ku morën pjesë, virtualisht, një numër i madh të ftuarish të zgjedhur, të huaj dhe shqiptarë, nga mbarë bota. Madje, Profesori Alpion deklaroi se ishte krenar që është shqiptar. Duke e dëgjuar me vëmendje edhe unë e ndjeva veten krenar që kemi profesorë, akademikë e shkrimtarë si Dr. Gëzim Alpion, të cilët me punën e tyre na nderojnë siu shqiptarë, ndërsa me paraqitjen e tyre i shtojnë namin Kombit tonë, kudo në botë, ashtu siç ka bërë edhe Nenë Tereza — bijë e Kombit tonë — gjatë gjithë jetës së saj, në atë mënyrën e vet, si Nenë e tashti edhe si Shenjëtore e mbarë botës.

Sa bukur, thashë me vete duke dëgjuar kumtesën e Profesorit tonë të nderuar nga Dibra, që një akademik shqiptar  ndonëse jeton jashtë Atdheut, ngrihet mbi të gjithë — që nepërmjet Nenë Terezës — t’i paraqesë botës një frymë të njomë, më fisnike dhe më frytdhënse, se ato për të cilat fatkeqsisht na njeh bota, për arsye të historisë sonë të shekullit të kaluar due më mbrapa në histori.  Në një mënyrë, Prof. Gëzim Alpion — duke u folur të huajve dhe duke shkruar për Nenë Terezën në gjuhën e tyre — ai po ben aq sa mundet për t’i kujtuar botës duke ri-përtërir, para syve dhe veshëve  të atyre që ndoshta nuk i njohin sa duhet traditat dhe zakonet tona shekullore, e të cilat mund të jenë ndryshkur gjatë shekujve, duke zbuluar kështu, sidomos për të huajt por edhe për shqiptarët, bukurinë që fshihet në thellësitë shpirtërore dhe stërgjyshore të Kombit shqiptar. Gjithmonë qofshë faqebardhë, Profesor Alpion. Nderon veten, Dibrën dhe Kombin. Të lumtë!

Frank Shkreli

Mother Teresa

          Prof. Dr. Gëzim Alpion                           Kopertina e librit më të ri në anglisht

Kryetari i Shoqatës Anglo-Shqiptare, Z. Stephen Nash, CMG dhe ish-i ngarkuari me punë në ambasadën britanike në Tiranë (1993-1995) dhe Ambasador në Shqipëri 1998-99, drejtoi takimin virtual në platformën video-zoom nga Londra, kushtuar Nenë Terezës

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr.Gezim Alpion, Frank shkreli, Kumtesa-Nene tereza

I LUMI DOM SHTJEFËN KURTI-DËSHMITAR I KISHËS MARTIRE SHQIPTARE

September 28, 2020 by dgreca

                   

 -Vrasja e porositur e një rilindasi-

Nga Frank Shkreli-

Të shtunën që kaloi në sallën “Rrok Mirdita” të Katedralës Shën Pali në Tiranë, seli e Arqipeshkëvisë Metropolite Tiranë-Durrës, u promovua vëllimi i II i trilogjisë, “I lumi Dom Shtjefën Kurti, dëshmitar i Kishës Martire”, me autorë Nikollë Loka, Av. Alfred Duka dhe Ing. Nikolin Kurti.  Merrnin pjesë personalitete të jetës shoqërore, fetare dhe akademike në Tiranë.  Promovimin e hapi nipi i Dom Shtjefnit, Nikolin Kurti, pas të cilit përshëndetën Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë, Imzot Charles Braun, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara dhe Arqipeshkvi Metropolit i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo. Një parashtresë e shkurtër historike u bë nga Nikollë Loka, ndërsa diskutimin kryesor e mbajti Av. Alfred Duka. Pati dhe diskutime nga të pranishmit.

Vëllimi I i librit kushtuar Dom Shtjefën Kurtit është botuar dy vjet më parë dhe është promovuar – ndër të tjera – edhe në Qendrën “Bogdanipolis”, të Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, Prillin e vitit të kaluar.  Siç dihet tani, Dom Shtjefën Kurti ishte njëri prej 38-martirëve shqiptarë, viktima të pafajshme të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës, të shpallur si të tillë nga Papa Françesku.  Don Shtjefën Kurti, prift katolik nga Ferizaji i Kosovës, pësoi martirizimin për shkak se kishte pagëzuar një foshnje, në kohën kur një vepër e tillë kishtare ishte e ndaluar nga regjimi komunist në Shqipëri. 

Në promovimin e vëllimit të II të shtunën në Tiranë, në lidhje me trajtimin juridik të dënimeve të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist,  ka diskutuar Av. Alfred Duka, i cili evidentoi shkeljet nga ana e gjykatës të vet ligjeve të kohës, duke kërkuar ta përzienin klerikun me jetesë të kristaltë, në çeshtje ordinere, në lidhje me disa vjedhje që kishin ndodhur në Gurzë.  Dom Shtjefni është dënuar me porosi nga lartë, ndërkohë që për dënimin e tij interesohej vetë Enver Hoxha.  Diktatori Hoxha, sipas tij, kishte dërguar gjoja “me punë fizike” në Gurzë, afër Krujës, njërin nga sekretarët e tij, i quajtur Vahid Lama, i cili e ndoqi procesin gjyqësor të Dom Kurtit, në çdo seancë.  Shkeljet e gjykatës së Krujës u përsëritën edhe në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, firmosi dënimin me vdekje për Dom Shtjefën Kurtin, u tha në promovimin e vëllimit të II të librit kushtuar martirit shqiptar. Për më tepër, në seancën e mbajtur fund javën që kaloi, u thekësua se as sot pas rreth 50 vjetësh nuk ka të dhëna se ku gjenden eshtrat e këtij kleriku martir.   

   ..

Ja disa të dhëna bazë biografike mbi të Lumin Dom Shtjefën Kurti, misionar i lirisë së shqiptarëve:  I Lumi Dom Shtjefën Kurti përfaqëson brezin shqiptar të idealeve të mëdha të ribashkimit kombëtar dhe të aspiratave për jetë të lirë. Ai ishte meshtar, mësues, veprimtar shoqëror, i flijuar me vetëdije për kombin e vet. I lumi Shtjefën kishte lindur në Prizren, kishte kaluar fëmijërinë në Ferizaj, pastaj rininë e parë në Shkodër dhe rininë e dytë në Insbruk dhe në Romë, për t’u kthyer fillimisht si krahu i djathtë i klerikut të shquar, Imzot Lazër Mjedës në Shkup, ku i ra fati të jetë rrëfyesi i parë i Nënë Terezës. 

Pastaj Dom Shtjefni kaloi me shërbim në Ferizaj; ishte themeluesi i famullisë së Shën Rrokut në Novosellë; mësues i gjuhës shqipe në shkollën katolike shqipe në Ferizaj dhe mësimdhënës i lëndës së besimit në shqip, në shkollën serbe të Novosellës ku, meqenëse i zhvillonte mësimet në gjuhën amtare, mori kërcënime nga serbët. Bashkë me Dom Gjon Bisakun dhe Dom Luigj Gashin e ngritën zërin në mbrojtje të bashkombasve të vet me memorandumet e tyre dërguar deri në Lidhjen e Kombeve, ku dhanë alarmin mbi çfarë po ngjiste në Jugosllavinë e atëhershme kundër shqiptarëve autoktonë. Këta tre klerikë shqiptarë nga Kosova, i treguan botës se çështja shqiptare nuk ishte një çështje fetare, por kombëtare, pasi qeveria serbe po përdorte metodat më brutale të vrasjeve dhe terrorit për të ndryshuar balancat etnike në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë. 

Dom Shtjefën Kurti në Shqipëri punoi s famullitar në Kurbin, Skuraj dhe Gurzë, ku meremetoi kishat ekzistuese dhe ndërtoi kisha të reja. Më vonë ai u vendos në Tiranë, duke qenë dhe Dekan i Dekanatit të Tiranës. Nga ky pozicion, aki iu përkushtua fesë dhe komunitetit katolik, duke dhënë kontribute të rëndësishme në fushën fetare, arsimore dhe kulturore. Këtë veprimtari e vazhdoi dhe në vitet e pushtimit fashist. 

Dom Shtjefni është njëri ndër ata klerikë që iu përmbajtën me rigorozitet misionit të tyre si klerikë dhe nuk u angazhuan në politikë. Nga pozicioni i tij si klerik ndihmoi në shpëtimin e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dom Shtjefën Kurti ishte përfaqësues tipik i aspiratave shqiptare për lidhje me Perëndimin dhe u ndëshkua si i tillë, në kushtet kur qeveria komuniste kishte hyrë në aleancën e shteteve komuniste sllave.  Ai, në zbatim të ligjeve të kohës, kur në letër, formalisht, “lejohej liria e besimit dhe e organizimit shoqëror”, punoi për ruajtjen e Kishës nga ndikimi due ndërhyrjet e shtetit dhe ishte ndër nismëtarët për krijimin e një partie demokristiane. Ai kishte menduar se ishte në të mirë të vendit krijimi i një partie të tillë. Megjithëse në kuadrin e sistemit shumëpartiak, ndonëse një veprim i tillë nuk u ndalua me ligj deri në vitin 1946, kjo nismë e tija u konsiderua si tradhëti e lartë ndaj Atdheut. 

Sipas Nikolin Shkurtit, njërit prej autorëve të librit, Dom Shtjefni vazhdoi të mbante lidhje me misionet perëndimore dhe iu nënshtrua dënimit të parë prej njëzet vjetësh, pasi: Nuk e pranoi shkëputjen e klerit katolik shqiptar nga Kisha Katolike Universale; dhe se luftoi për krijimin e një opozite politike ndaj regjimit dhe për këtë qëllim kishte patur takime dhe me përfaqësues të shteteve perëndimore. Duhet theksuar se pavarësisht terrorizmit shtetëror ndaj klerit katolik, i lumi Dom Shtjefën Kurti refuzoi kategorikisht dhunën, duke i qëndruar besnik misionit kristian të sakrificës deri në vetëflijim. Besnik i bindjeve të veta, ai do të shkonte përsëri në një gjyq farsë, prej nga do të dënohej me vdekje. 

Jeta, veprimtaria dhe vdekja e Dom Shtjefën Kurtit shërben edhe sot si shembull dëshmitar i gjallë i dashurisë dhe besnikërisë ndaj fesë dhe Atdheut, në Kosovë dhe në Shqipëri si dhe anë e mbanë trojeve shqiptare dhe kudo që ka shqiptarë. I pavdekëshëm qoftë kujtimi i tij sot dhe gjithmonë!

                        …       

———————————————————————————————-

Kujtime nga protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973

Ish-Udhëheqësi shpirtëror i Komunitetit Mysliman në Nju Jork, i Përndershmi Imam Isa Hoxha, duke folur në demostratën para OKB-së, 1973, e komunitetit shqiptaro-amerikan për të protestuar mbi vrasjen makabër të At Shtjefën Kurtit.


Demostrues me plakarta:“Njoftojmë botën se At Shtjefën Kurti nuk është i vetmi  që është pushkatuar nga regjimi komunist” ; “Ne shqiptaro-amerikanët u bëjmë thirje të gjithë njerëzve liridashës, Papës, Presidentit Richard Nixon…”  

Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork, 1973

Duke argumentuar me një police të Nju Jorkut gjatë demonstratës kundër vrasjes së At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – para selisë së Misionit të Shqipërisë Komuniste pranë OKB-s.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, I Lumi Dom Shtjefen Kurti, Libri promovim II

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT