• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Auron Tare: Provat për Martin Camajn si agjent i UDB-së, do i marr kur të hapen dosjet e Beogradit-Pjesa 2

July 10, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë/

Një ditë më parë kisha bërë një shkrim modest, si një reagim personal ndaj akuzave në të ashtuquajturin “studim”,  “Dritëhije në histori”, me autor Auron Tare dhe botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, pronë e një grupi nga New Yorku.  Në atë shkrim dje, unë thashë se nuk kishte asgjë të re sa u përket akuzave të autorit, ku i paraqet Ernest Koliqin dhe Martin Camajn si poliagjentë dhe koloaboracionistë me perëndimorët dhe jo vetëm, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.  Në reagimin tim dje, nënvizova se megjithëse materiali na u paraqit si i “rrallë” dhe “origjinal” nga botuesi, nuk kishte asgjë të re në dokumentacionin e Tares, pasi këto informacione diheshin dhe nuk janë mohuar kurrë nga asnjëri prej këtyre burrave të Kombit. Po çfarë hulumtimi dhe çfarë provash të “rralla” dhe “origjinale”, na sillte në atë shkrim Tare? Mbrëmë në një intervistë në programin televiziv, “Provokacija” të Mustafa Nano-s, Auron Tarja e pranoi vetë se, në të vërtetë, ai nuk ka dokumente definitive që provojnë se Martin Camaj ishte agjent i UDB-s, por ai arrin në një përfundim të tillë, bazuar në hamendje dhe në mençurinë e tij për këto gjëra.  “Ti nuk ke ndonjë dokument  të qartë ku thuhet se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së…”, e pyet Nano.  Tare: “Po, kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi”. Në të vërtetë, edhe vetë  intervista në programin “Provokacija” m’u duk sikur ishte skenuar më parë, me qëllim që të hidhej më shumë baltë edhe në ekranet e televizionit shqiptar ndaj këtyre dy shkrimtarëve të dalluar të Kombit, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.  Tare ç’prej fillimit e rrëmbeu programin dhe “kidnapoi” pyetjet dhe përgjigjet, për të bindur shikuesin, se ai kishte të drejtë për ato që pretendon.  Ata që mund ta kenë parë intervistën duhet të kenë venë re se Tare bënte vetë pyetjet dhe përgjigjej, pastaj pyeste Nanon dhe përgjigjen e jepte vetë Tare.  Por më të bukurat ishin ndërhyrjet e Tares çdo 2-3 minuta me Nano-n, “Jemi dakort?”, duke  u siguruar për miratimin e Mustafa Nanos për ato që thoshte.  Tare as nuk e lejonte Nanon të bënte ndonjë pyetje të arsyeshme, megjithëse Nano u përpoq disa herë që të balanconte pak intervistën  ndaj deklaratave  absurde, por Tare nuk i jepte atij rast, as mundësi të fliste.  Një propagandë  aq e fëlliqët, sa edhe neveritëse, e padenjë për një program të tillë dhe për shikuesit shqiptarë. Është e qartë se me këto pretendime, Auron Tare, ka dalë nga shinat e ushtrimit të fjalës së lirë dhe është futur në fushën e shpifjeve të pakontrolluara  dhe të përhapjes së urrejtjeve midis shqiptarëve, sikur nuk kemi pasur mjaft urrejtje e shpifje  midis nesh për 50-vjet komunizëm  dhe  30-vjet të ashtuquajtur  post-komunizëm, megjithëse kjo intervistë si dhe shkrimi, nuk kanë të sharë po ta krahasosh me periudhën e Enver Hoxhës.  Shpresoj që pasardhësit e familjeve Koliqi dhe Camaj të jenë në dijeni të këtyre shpifjeve dhe denigrimeve që u bëhen të dashurve të tyre të vdekur dhe të marrin masat e nevojshme, duke i treguar Tares dhe portalit  “Peisazhet e Fjalës”, derën e gjykatës. Diçka nuk është në rregull me botën shqiptare sot.  Kohë më parë ishte rasti i dyshimeve për identitetin e familjes së  Gjergj Kastriotit Skënderbeut,  pastaj pikëpyetjet mbi identitetin  e Nënë Terezës, tani shpifjet dhe denigrimi i shkrimtarëve të mëdhej Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.  Pas tyre kush e ka radhën?  Fishta?  Konica?  Klerikë të dalluar katolikë, si individë dhe si grup?  A mund të më thotë dikush se pse po ndodhin këto raste dhe kush mund të fshihet pas tyre?  Pse u turren njerëzve më të dalluar të këtij Kombi, me shpifje e mundohen për t’i paraqesin  në dritën më të keqe që është e mundur?  Cila dorë e huaj  ka gisht këtu dhe pse tani në këtë kohë?  Në interes të kujt është që të përhapen shpifje dhe urrejtje midis shqiptarëve dhe pse vetë shqiptarët bëjnë punën e të huajve në këtë mes?  Nuk është e rastit që sot konfliktet politike midis shqiptarëve anë e mbanë trojeve, janë në kulmin e së keqes. Quo Vadis Albania? Pse nuk del dikush t’i thotë mjaft kësaj situate? Ku është qeveria dhe organet shtetërore, ku është Akademia e Shkencave, ku është Ministria e Kulturës, ku janë të mençurit e Kombit? Ku janë shkrimtarët e dalluar dhe historianët e vërtetë të Kombit? Mos vallë ka mbetur historia e Kombit shqiptar  të shkruhet dhe të interpretohet nga aparatçikët dhe nostalgjikët e një sistemi të kaluar, shpifës dhe urrejtës, madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit.  Nuk del njeri që të shtrijë dorën e pajtimit, mirëkuptimit e vëllazërimit midis shqiptarëve?  Kush i mbron interesat dhe identitetin kombëtar, por edhe njerëzit e dalluar që gjithë jetën e tyre ia kushtuan, pikërisht, ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare. Ndryshe nga akuzat shpifëse të Auron Tares me shokë ndaj Koliqit dhe Camajt, Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për shembullin që kanë dhënë shqiptarë si Maritin Camaj një njeri i letrave, i cili, në veprat e tij “Lëshon nji kushtrim jo luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”. Martin Camaj i bën thirrje sot Auron Tares, (i cili në të vërtetë nuk e meriton gjithë këtë vëmendje, por pasi ka dalë në ballë të shpifjeve dhe urrejtjeve edhe kundër vetë poetit e meritot këtë vëmendje negative), që “të dalë nga palci i urrejtjes” dhe të mos përhapë shqipfje dhe urrejte midis shqiptarëve:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

Është kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj, që duhej të rezononte midis shqiptarëve edhe sot, sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh politike, personale dhe partiake, që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën Camaj nuk do të ishte aspak i kënaqur.Është një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili ndonëse, siç dihet, regjimi komunist ia  “kishte mbyllur portën” – ashtu siç shprehet Ismail Kadare për ‘të – Camaj prapë se prapë nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhe  urrejtjeje dhe shpifjesh si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai në mërgim, të priste qelia e burgut ose dënime të tjera të rënda. Megjithëkëtë trajtim të keq, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.  Përkundrazi, është shprehur Kadare, Martin Camaj, “Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, -ka thënë Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn. “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, -ka shkruar Kadare. Nafakzezët e realizmit socialist dhe nostalgjikët e komunizmit  të Enver Hoxhës, që shpifen sot ndaj Koliqit dhe Camajt, do të bënin mirë që të merrnin shembull nga “Shkrimtari i Lartësive”, siç e ka cilësuar Camajn, Ismail Kadareja, një person,  “që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, -ka thënë Kadare. Katrahura, të cilës i referohet Kadareja, po e ndjekë të shkretin Camaj edhe në atë jetë.Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare” , siç pohon edhe  “studimi” i Auron Tares –megjithëse Tare nuk është i vetëm në këtë fushatë aktuale — është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër ç’prej komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet sot bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrë më parë, pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetësuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”,dhe si i tillë, “Njohu mërgimin, fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”, e tjera.Me gjithë këto përvoja të këqija personale, Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin komunist dhe as ndaj atyre të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të origjinës të parëve të tij. Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi, Martin Camaj, prapë se prapë nuk ruante urrejtje as inat ndaj atij sistemi dhe as ndaj njerëzve që e mbështetën atë regjim, për pothuaj gjysmë shekulli. Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, ai kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë , ku edhe u anëtarësua në radhët e kësaj organizate që u krijua në vitin 1991.  Duke komentuar pranimin e tij në atë organizatë, ai është shprehur se vlerësimi që i bëri atij Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë me atë rast, “na afron”.Në një letër dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve të Pavarur Shqiptarë në vitin 1992, Camaj u ishte drejtuar atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, me fjalët, “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, -ka shënuar Ardian Klosi në një shkrim për të, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin 1992. Në këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nëpërmjet veprave të tija, Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve, por edhe ty Auron Tare me shokët  tu,  për afrim, për pajtim e bashkim midis nesh, pa marrë parasysh dallimet politike ose origjina nga vijmë, nga malet e nga fushat.  “Thirrja e Martin Camajt, “Afrohuni Shqiptarë”, sipas Koliqit, rrjedh nga “Fisnikërija e lashtë e malësorve, kalorësija e natyrshme që u pajisë atyre shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di mirë harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la malet tona.”  Si pinjoll i atyre maleve, ka shkruar Koliqi, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”.  Ne malësorët, kudo që jemi, të gjallë e të vdekur, fatkeqsisht, e kemi ndjerë me shekuj harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la Malësinë tonë dhe banorët e  saj, por ama, mbi të gjitha, si individë ose si grup, të pësojmë sot në Shqipërinë e vetquajtur demokratike,  shpifje dhe urrejtje nga bashkvëllëzërit tanë, të një gjuhe e të një gjaku, kjo është pafalshme dhe anti-kombëtare. Megjithëkëtë, si një bashkkombas me origjinë nga ato male të Shqipërisë nga e ka origjinën edhe Martin Camaj, bashkohem me të në fisnikërinë e lashtë të malësorëve, duke bërë thrirje, para se të jetë tepër vonë: “AVITU NJERI! AFROHUNI SHQIPTARË”! Ka ardhur koha të dilni nga palci i urrejtjes!”

Filed Under: Politike Tagged With: Auron Tare, Camaj & Koliqi, Frank shkreli, UDB

FLETËRRUFEJA KUNDËR ERNEST KOLIQIT DHE MARTIN CAMAJT

July 8, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Miqtë e mij mos u shqetësoni shumë me shkrimin e ditëve të fundit të Auron Tares për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn. Pikëspari, aty nuk ka asgjë të re që nuk e kemi ditur më parë mbi veprimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë në mërgim por edhe të tjerëve më pak të rëndësishëm, të akuzuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si tradhtarë dhe kolaboracionistë — gjatë Luftës së dytë Botërore dhe menjëherë pas Luftës II si dhe gjatë luftës së ftoftë 1945-90. As rruga drejtë zyrave ku Tare thotë se i ka “zbuluar” dokumentet, nuk është aq e pa njohur për të tjerë individë të interesuar për atë periudhë, ashtu siç nuk janë të panjohur edhe dokumentet nga të cilat ai pretendon se ka nxjerrë informacionin. Gjithashtu, në këtë shkrim nuk ka asgjë të re mbi veprimtarinë e tyre në periudhën për të cilën bëhet fjalë e që vet Koliqi dhe Camaj nuk e kanë bërë të njohur kur ata ishin gjallë — të dhëna këto disa prej të cilave janë edhe pjesë e biografisë së tyre.

Unë kam qenë me fat se kam njohur dhe jam takuar dhe biseduar me Ernest Koliqin disa herë gjatë qëndrimit tim si refugjat politik në Romë në vitet 1969-1970 dhe me Martin Camajn kam qenë në komunikim. Asnjëri as tjetri, kurrë nuk kanë mohuar asgjë nga veprimtaria e tyre publike ose zyrtare, përfshirë bashkpunimin me agjencitë perçendimore për të rrëxuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Kështuqë, shkrimi “Dritëhije në histori” megjithë pretendimet e autorit Tare dhe të botuesit, “studimi” në fjalë, nuk është as i rrallë as origjinal. Janë shkruar libra dhe artikuj sa të duash në lidhje me këto ngjarje dhe me atë periudhë si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare, në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ata që nuk kanë hequr gjë nga ai regjim –siç mund të jetë Auron Tare dhe ndonjë tjetër përkrahës i ideve të tija — mendojeni veten duke jetuar në Itali, në Evropë ose në Amerikë në periudhën për të cilën bëhet fjalë, duke ditur se si pasojë e arratisjes tënde për të shpëtuar jetën nga vdekja e sigurt në dorë të regjimi komunist, Enver Hoxha kishte burgosur, dënuar madje edhe me vdekje ose dërguar në kampe përqendrimi të afëtmit tuaj, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim. Nuk do punonit ju me perendimorët për të rrëxuar atë regjim, duke i ditur krimet e tija kundër popullit të vet dhe familjeve tuaja – për të bashkpunuar,pikërisht, me këta perëndimorë të cilët sot i konsiderojmë si aleatët më të ngushtë të Kombit shqiptar?

Këto punë duhen shikuar pak edhe në kontekstin historik të kohës. E vërteta është se ajo ishte një periudhë e luftës së ftohtë kur agjencitë perëndimore ishin të angazhuara, jo vetëm me diasporën shqiptare por me të gjitha diasporat, sidomos në Shtetet e Bashkuara, nga vendet komuniste lindore, në përpjekje për të rrëzuar regjimet komuniste në Evropën Lindore, të instaluara dhe të kontrolluara nga komunizmi ndërkombëtar. Duke lexuar shkrimin në fjalë, m’u kujtuan programet e Radio Tiranës, në atë kohë, kur fliste për “tradhëtinë” dhe për “kolaboracionizmin” e tradhëtarëve të kombit: Koliqit, Fishtës, klerit katolik e shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë të larguar nga Atdheu, për të cilët Auron Tare “zbulon” të “fshehtat” në shkrimin e tij të ditëve të fundit. Ky artikull i gjatë – i cili pasi është prej disa faqesh, nuk mund të konsiderohet ndoshta si fletërrufe tradicionale e kohës së komunizmit – por për nga mesazhi definitisht është si dikur, në frymën e “një goditje të shfaqjeve të huaja”, kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt – por, fatkeqësisht, ndodhë jo në kulmin e luftës së ftohtë, por në kohën e sotëme nën rrethana krejt ndryshe nga koha e komunizmit – në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj organizate “imperialiste” ushtarake e botës perëndimore që strehoi kundërshtarët e komunizmit, si Koliqat edhe Camajt e botës shqiptare, për t’i shpëtuar nga komunizmi, ndërkohë që pretendohet se Shqipëria është një demokraci me synime për antarësim në Bashkimin Evropian. Intelektualët shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, si Aron Tare me shokë, ose janë të konfuzuar moralisht dhe intelektualisht, ose janë të djallëzuar në pikëpamjet e tyre.

Botimi i shkrimeve të tilla – siç duket në vijim –pasi botuesi premton pjesën e dytë së shpejti, duket gati si një masë deshpëruese për të justifikuar të kaluarën enveriste dhe krimet e saja duke krahasuar xhelatin me viktimën, regjimin enverist vrarës e kriminal, me kundërshtarët politikë të atij regjimi që bredhnin rrugëve të botës, pa shpresë dhe pa përspektivë. Më thoni zotërinjë të ndershëm, nëqoftse ju ka mbetur sadopak ndershmëri intelektuale, kush kishte të drejtë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar: Enver Hoxha me regjimin dhe mbështetësit e tij apo intelektualët me prirje dhe edukatë perëndimore, siç ishin kundërshtarët e atij regjimi, Profesorët Ernest Koliqi dhe Marin Camaj?

Mua nuk më shqetëson aspak “studimi” i Auron Tares, sepse ky shkrim fletërrufe nuk mund të dëmtojë hiç asnjërin prej këtyre personaliteteve të letrave shqipe. Po të mund të bëhej një gjë e tillë do e kishte bërë Enver Hoxha për 50-vjet, por as ai nuk ia doli dhe nuk do ia dalin as Auron Tare me shokë. Veprat e Koliqit, Camajt e Fishtës janë të përjetëshme, madje sa më shumë baltë të mundoheni të hidhni kundër tyre aq më e fortë bëhet mbështetja për ta dhe për veprat e tyre.

Por gjëja që duhet të shqetësojë çdo shqiptarë anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë është ajo që vihet re si një përpjekje e hapur aktuale në Shqipëri — madje edhe në qarqet intelektuale, akademike dhe mediatike për të krahasuar xhelatin me viktimën – me qëllim për të justifikuar krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të tij, me pretendimin se të gjithë kundërshtarët e atij regjimi ishin tradhëtarë, siç ishin anti-komunistët Koliqi e Camaj – kolaboracionistë me pushtuesit dhe si të tillë meritojnë që të fshihen nga historia dhe të denigrohen, ose të pakën kontributi i tyre të minimizohet.
Ernest Koliqin, ashtu siç e njoha megjithse për një kohë të shkurtër, nuk do të shqtesëohej për hiç për shkrimin e Tares. Përkundrazi do kënaqej prej gazit duke qeshur me zë, i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashkatdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit me 3 dhjetor, 1960, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, I shpreh këto ndjenja:“Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes, ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, 60-vjetë më parë, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Në bashkpunim me aleatët më të mirë të Kombit shqiptar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëllimi i Koliqit dhe Camajt ishte, “me hy në valle me popuj të tjerë jo si evropianë të mbrapambetur e të denjë për muze, por si nji Komb që ndien thellësisht nevojën e naltësimit moral e shoqnuer dhe që ka në mendje e në zemër të vet mundësitë me u ngjitë në shkallë e me u vu në radhë qytetënore baras me shokë”, pa kërkuar asgjë për veten. Ndryshe nga auron taret e botës shqiptare, ky është Ernest Koliqi që dua të kujtoj unë sot dhe gjithmonë, por edhe Martin Camajn, bashkpuntorin e tij të ngusht në zhvillimin shpirtëror të popullit shqiptar, gjatë atyre ditëve dhe viteve të gjata në mergim.

Filed Under: Politike Tagged With: Fleterrufeja, Frank shkreli, Koliqi &Camaj

DORËHEQJA SI NJË AKT PATRIOTIK DHE NJERËZOR!

July 7, 2020 by dgreca

Shkruan:FRANK SHKRELI/ Para nja 10-ditësh botova artikullin me titull “Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë”, në kujtim të një miku të madh të shqiptarëve, ish-diplomatit, ish anëtarit të Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Greqi dhe në Mal të Zi, më shumë se një shekull më parë, njëkohsisht edhe mik i Presidentit Woodrow Wilson — Xhorxh Fred Uilliams. 

Gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 1914, Ambasadori Williams u bë dëshmitar i disa tmereve se çfarë po bënin të huajt përball Kombit shqiptar në atë kohë, një fat tragjik për të cilin ai, në rolin e ambasadorit amerikan, kishte njoftuar Washingtonin.  Ndoshta ishte periudha më tragjike për shqiptarët, sipas disa historianëve.  Si dëshmitar i situatës së mjeruar, ku fqinjtë e Shqipërisë, të përkrahur nga fuqitë e mëdha evropiane të saj kohe, donin veç të kafshonin pjesë të tokës shqiptare nga veriu në jug, nga lindja e deri në perëndim të territorit të Kombit shqiptar.  Si përfundim, në protestë për krimet që kishte parë gjatë një vizite në Shqipëri, ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra e ambasadorit amerikan në Greqi dhe në Malin e Zi, me qëllim për të ngritur zërin ndaj asaj “çnjerëzie të vërtetë”, siç e ka quajtur ai gjëndjen tepër të rëndë, me të cilën përballej në atë kohë Kombi shqiptar, sepse ishte i bindur, moralisht dhe politikisht, se “kështu duhej të veproja”, i ka komunikuar ai Washingtonit pas dorëheqjes së tij për shkak të tmereve që po bëheshin kundër shqiptarëve, sidomos nga ana e Greqisë e cila kish shpërgulur dhjetëra mijëra shqiptarë me dhunë dhe kishte bërë masakra të tmershme kundër shqiptarëve — e për të cilat kishte qenë vet dëshmitar.  

Duket se historia po përsëritet, megjithëse në një nivel tjetër dhe me aktorë të tjerë, natyrisht.  Një-qind vjet më vonë, ende në Ballkan flitet për “shkëmbime territoresh”, “korigjim kufijsh” e ku ta di unë, midis Serbisë dhe Kosovës, gjithmonë në kurriz të interesave shqiptare, por kësaj radhe –jo nga të huajt, historikisht, mbështetës të interesave anti-shqiptare të fqinjëve, por nga të vetët, nga udhëheqsit e votuar nga votuesit shqiptarë. 

Le të kujtojmë se para nja një viti ose më shumë, ideatorët e idesë së “shkëmbimit” ose “ndarkes” të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës – siç i quan ata John Bolton, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë — donin t’ia “shisnin” botës idenë se nuk ishin ata baballarët e këtij projekti, por ishte Amerika që donte një gjë të tillë, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. 

Gjatë një konferencë shtypi në Ukrainë pothuaj një vit më parë, John Bolton ishte shprehur në lidhje me këtë temë duke thenë se, “Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial.”  Kjo nuk është një deklaratë që mund të quhet “ideatore” e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, për të justifikuar planet e tyre absurde, ideatorët e vërtetë të kësaj ideje donin t’ia veshnin Boltonit dhe Shteteve të Bashkuara se shkëmbimi ose korigjimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ishte një ide që, jo vetëm mbështetej por vinte nga Washingtoni.  Për një kohë, kjo gënjeshtër, në të vërtetë, edhe besohej nga disa.

Ky debat u ri-ndez ditët e fundit nga deklarata e ish-Këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, i cili u shpreh se ideatorët e vërtetë për “shkëmbimin e territoreve” ishin Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.  “Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi i tokave, janë udhëheqsit e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar”, një gjë të tillë.  Ndërkaq, John Bolton nuk e përmendi me emër Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama si njërin prej ideatorëve të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por kjo ide ka filluar moti, të pakën katër vjet më parë në takimin e parë në Nish midis Vuçiqit dhe Ramës, pa pjesëmarrjen e Kosovës, dhe ka vazhduar të diskutohet edhe në takimin në Nish midis këtyre dy udhëhëqsve, dy vjet më parë, siç shkruan edhe aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko. 

Kryeministri Rama mund të mohojë se bënte pjesë në këtë projekt – megjithëse nuk jam i sigurt nëse mund të bindë njeri me mohimin e tij.  Nuk besoj se ai mund të mohojë se — në minimum — Kryeministri shqiptar i kishte dhenë bekimin e tij këtij projekti për shkëmbimin e territoreve shqiptare midis Kosovës dhe Serbisë.  Për më tepër, nuk është e qartë se çfarë roli ka luajtur në këto bisedime edhe këshilltari i Z. Rama, ish-Kryeministri britanik Tony Blair.

Pika e parë e 14 pikave të Woodrow Wilsonit kërkon që, “Pasi të jenë arrijtur marrveshjet publike për paqë, në mënyrë trasparente, nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje private ose ndërkombëtare, por vetëm duhet të vazhdojë gjithmonë diplomacia e sinqertë dhe në syrin e publikut”.  Ideatorët e shekullit XXI për shkëmbim të territoreve shqiptare midis Serbisë dhe Kosovës, janë gjithashtu në kundërshtim edhe me pikën 11 të 14 pikave të Wilsonit për pavarësinë e kombeve, ku thuhet se, “…marrëveshjet midis vendeve të Ballkanit dhe me njëra tjetrën, duhet të vendosen në bazë të marrëdhënieve miqësore dhe në përputhje me kufijtë e caktuar historikisht, sipas kombësisë dhe identifikimit si dhe në bazë të garancive ndërkombëtare për pavarësi politiko-ekonomike dhe integritet territorial të disa shteteve ballkanike”. 

Siç dihet, bisedimet midis aktorëve të lartë-përmendur, për shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, nuk janë mbajtur as në publik, as nuk ishin transparente.  Në të vërtetë, ishin një shkelje flagrante e garancive ndërkombëtare për të drejtat “ekonomiko-politike dhe për sovranitetin territorial” të Republikës së Kosovës.  Prandaj, ato bisedime të fshehta anti-shqiptare përfunduan kështu si përfunduan – në dështim të plotë dhe në dem afatgjatë të Republikës së Kosovës në veçanti dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, pasojat e të cilave është tepër heret të llogariten. 

Kur e pa situatën tragjike që po pësonte Kombi shqiptare një shekull më parë, ambasadori amerikan George Fred Williams, i shtyrë nga ndjenjat morale dhe njerëzore, vendosë të jepte dorëheqjen nga posti i tij lartë diplomatik, vetëm e vetëm, për të ngritur zërin e tij dhe për të njoftuar Amerikën dhe botën për tmerret dhe për tragjeditë që fqinjtë po u shkaktonin shqiptarëve.  Por, jo vetëm kaq.  Ai ka dhenë dorëheqjen duke e justifikuar ketë akt personal, si jo vetëm “një detyrë njerëzore”, por edhe “për t’i nxjerr maskën diplomacisë evropiane dhe të zbuloj faqen e saj me gjak të kësaj race heroike, shqiptarëve”. 

Prej ideatorëve të vërtetë të shekullit XXI dhe mbështetësve të tyre në Prishtinë dhe Tiranë — për shkëmbim ose ndarje territoresh midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë — nuk pritet asgjë më pak se dorëheqja e tyre – si një akt patriotik dhe njerëzor.  Mjaft me “punët e liga” ndaj këtij Kombi, ta nxjerrim njëherë e mirë, “Shqipërinë dhe shqiptarët nga vuajtjet dhe të mbytur në gjak”, do të ngulte këmbë ambasadori i dikurshëm amerikan George Scott Williams, i cili me dorëheqjen e tij, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, më shumë se një shekull më parë, na jep një mësim të vyer edhe sot se si duhet të mbrohen të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve. “Kështu duhet të veproni”, do u porosiste ambasadori George Scott Williams, ëngjëlli mbrojtës i interesave të shqiptarëve nga grabitësit e huaj, në fillim të shekullit të kaluar. Sot, shqiptarët kanë nevojë për një ëngjëll mbrojtës, jo nga të huajt, por, fatkeqësisht, nga të vetët. 

Frank Shkreli 

                                               Amb.George Fred Williams

Filed Under: Opinion Tagged With: doreheqja si akt patriotik, Frank shkreli, njerezor

Frank Shkreli: Unë, “Armiku i Popullit”

July 3, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ish Drejtor i VOA-s për Euro Azinë/

Në shtator të vitit 2018, isha në Shqipëri për të marrë pjesë në promovimin e tre vëllimeve të librit tim, “Demokracia Nuk Pret”, por kisha vendosur që të mos largohesha nga Tirana pa vizituar Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 (AIDSSH). Autoriteti, i themeluar në bazë të një ligji të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2015, është i hartuar kryesisht, në bazë të modelit të ligjit gjerman mbi regjistrat e Stas-it, ish-policisë sekrete të Gjermanisë Lindore komuniste, “Me përgjegjësinë për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to…”. Vizita ime në zyrën e AIDSSH-së, dy vjet më parë, ishte një përvojë e veçantë, ku pata nderin dhe kënaqësinë të takohesha me Kryetaren e AIDSSH-së, Zonjën Gentiana Sula, me anëtarin e Autoritetit, Zotin Simon Mirakaj dhe me zyrtarë të tjerë të atij enti. Kryetarja Sula dhe ndihmësit e saj më ofruan mua dhe bashkëshortes një pritje tepër miqësore dhe plot respekt. I falënderoj të gjithë ata, veçanërisht, për gatishmërinë dhe ndihmesën që më ofruan, me atë rast, në procesin e aplikimit për nxjerrjen e dosjes që kishte përgatitur për mua ish-Sigurimi i Shtetit gjatë sundimit të regjimit komunist.

Vizita në Zyrën e AIDSSH, Tiranë, Shtator, 2018

Vizita tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 përfundoi pas aplikimit, falë ndihmës së stafit të Autoritetit, për hapjen e dosjes time, brenda një periudhe të shkurtër, dosje të cilën, natyrisht, e lexova me vëmendje, por që pothuaj asgjë nuk më habiti nga ato që kishte brenda. Dokumentimi, identifikimi dhe hapja e dosjeve për individë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është një objektiv me rëndësi i punës së përditshme të Autoritetit. Më vonë, gjatë një vizite që stafi i AIDSSH-së bëri në Nju Jork, më sollën në disk kopjen e dosjes time personale të përgatitur nga Sigurimi i regjimit komunist të Enver Hoxhës.Sipas renditjes në listën e emërtimit të dokumenteve që përmban dosja ime prej 60 faqesh, duket se interesimi i Sigurimit të Shtetit rreth meje kishte filluar aty nga viti 1984-85 kur unë kam qenë Shef i Shërbimit shqip, të “Zërit të Amerikës” dhe ka zgjatur deri në datën 20 Mars, 1991, kur është mbyllur, që është pikërisht dita që unë dhe tre anëtarë të Delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit, kemi zbritur në Tiranë, për hapjen e ambasadës dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e para pluraliste, nja një javë pas nënshkrimit në Washington të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dihet se gjatë gjithë historisë së tij, “Zëri i Amerikës” ishte ferrë në sy për regjimin e Enver Hoxhës dhe për Sigurimin e Shtetit, sidomos gjatë viteve të 1980-ave, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe i lëvizjeve pro-demokratike në Europën Lindore, sidomos në Poloni, që filluan me lëvizjen e punëtorëve polakë, “Solidarnost” dhe që u përhap më vonë anë e mbanë Europës Lindore, përfshirë Shqipërinë, në vitin 1990. Dosja e Sigurimit më përshkruan sikur të isha dy metra i gjatë, i rrezikshëm për regjimin komunist po se po, pasi konstatohet, gabimisht, se unë, “Si zevendës drejtor në Drejtorinë për Europën Lindore në Departamentin e Shtetit, Frani ka në mbikqyrje edhe “Zërin e Amerikës” në terësi”, duke shtuar se, “Nga të dhënat del se Frani është mjaft i aftë dhe i specializuar në drejtim të vendit e njeri mjaft i besuar i amerikanëve”, duke lenë të nënkuptohet se si i tillë, mund të jetë edhe i rrezikshëm. Prandaj në dokumentin sekret të datës 4 -6-87, bëhet thirrje që, “Bazuar në sa sipër dhe me qëllim për të zbuluar e mësuar veprimtaritë dhe detyrat që i janë ngarkuar e kryen në drejtim të vendit tonë në fushën politike, propagandistike, studimore e subversive, sipas orientimeve të Departamentit të Shtetit e zbulimit amerikan”, vendoset që, “Fran Shkreli të merret në përpunim aktiv”, ndërkohë që vendimit për të “zbuluar veprimtarinë armiqësore të Fran Shkrelit”, i bashkangjitet edhe “plani përkatës i masave agjenturoro-operative” prej nja 14-pikash kundër meje.

Në një dokument i përfshirë në dosje, kërkohet që “për zbulimin e veprimtarisë së objektit në vendin ku jeton kundër vendit tonë… të mendoni dhe na propozoni për masa presioni e demaskimi ndaj objektit që do të ishin më me efekt për ta larguar atë nga veprimtaria armiqësore kundër vendit tonë, e për ta demaskuar në radhët e emigracionit “shqiponjas”, arbëreshe e shqiptare, si spiun i të gjitha vendeve ku kaluar etj.”. Unë, poli-agjent, mos ma çoni gazin bre! Duket se Sigurimi ishte i konfuzuar me të dhënat, pasi nga qëllimi për të më shpallur poli agjent për veprimtarinë kundër regjimit, në një dokument tjetër thuhet se sipas një burimi, “Fran Shkreli është me qendrim të mirë” ndaj Shqipërisë dhe “nuk lejon që ndokush të flas keq për të”. Madje në të njëjtin dokument thuhet se ai “dëshiron të vizitojë Shqipërinë, por mendon se nuk do ti lejohet kjo gjë, ndoshta nga qeveria jonë, por mendon që edhe amerikanët mund të mos e lejojnë”. Në të njëjtin dokument të datës 19.12.1989, ndërkohë që duket se në Tiranë po diskutohej mundësia për marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, oficeri raporton se sipas një burimi, “Frani ngul këmbë në bindjen e tij se vendi ynë do të afrohet e lidhë marrëdhënie me Amerikën, gjë që po ndodhë, ai e vlerëson si hap shumë të zgjuar diplomatik të qeverisë tonë”, thuhet në dokumentin në fjalë.Në një letër drejtuar operativit resident të Sigurimit në Nju Jork i kërkohet që për të ndjekur gjithë veprimtarinë time “armiqësore” në punë dhe në familje, të angazhohen të pakën gjashtë veta, të cilët identifikohen vetëm me numra, njerëz që sipas të dhënave në dosje, “më njohin mirë” mua, sepse sipas një dokumenti tjetër në dosje, “Nga analiza e të dhënave rezulton se Fran Shkreli… është mjaft aktiv kundër vendit tonë”, e që “ndiqet nga ana juaj në përpunim 2A”, (grupi i të akuzuarve për agjitacion e propagandë) — i shkruan nga “pozita” një agjent i Sigurimit një agjenti tjetër, jo më heret se me 25 tetor, 1989, d.m.th. më pak se dy javë para shembjes së Murit të Berlinit. Është interesant se ndërkohë që komunizmi në Europën Lindore po jepte shpirt, Sigurimi i Shtetit Shqiptar ishte i angazhuar në ndjekjen e personave si unë. A nuk e shihnin a po nuk donin ta shihnin furtunën anti-komuniste që po vinte – fillimin e mbarimit të komunizmit! Bazuar në dosjen që kam në dorë, megjithëse jetoja dhe punoja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm që ndiqesha nga Sigurimi i Shtetit komunist të Enver Hoxhës për veprimtari armiqësore, por sipas një “Ekstrakti” sekret në dosjen time të Sigurimit të Shtetit thuhet se, “Frani ndiqet edhe nga organet e shërbimit të sigurimit të shtetëror jugosllav për veprimtari kundërshtare dhe për këtë ushtrohet masa e kontrollit dhe e vëzhgimit…”. A mos vallë punonin së bashku këto dy shërbime të Sigurimit sekret ballkanas? Në një dokument tjetër secret, që përmban dosja, dokument i lëshuar në Tiranë me datën 3/8/90, vetëm një vit para rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, udhëzohet “Rezidentura e Nju Jorkut” që, “Problemi i Fran Shkrelit të ndiqet me përparësi dhe me shumë kujdes”. Fatbardhësisht, ky urdhër i Sigurimit që unë të ndiqem “Me përparësi dhe kujdes” nuk u zbatua, ose më mirë të themi nga rrethanat botërore u hodh në koshin e plehrave të historisë, atje ku përfundoi edhe komunizmi shqiptar dhe ai ndërkombëtar me shembjen e Murit të Berlinit.

Dosja prej 60-faqesh, – pjesa më e madhe me të dhëna të gabuara ose pa kurrfarë vlere për një shërbim sekret inteligjence, mbyllet me një dokument sekret i datës 20 Mars, 1991, i titulluar “Autorizim”, me nënshkrimin e Zëvendës-Ministrit të Punëve të Brendshme, Veip Proda, sipas të cilit: “Autorizohet p.op. Islam Seferi, efektiv i degës dytë të Drejtorisë Parë, të tërheqë nga Drejtoria e Tretë, dosjen 2A, të objektit Frank (Frano) Gjeto Shkreli, i cili vjen në vendin tonë si përfaqësues i ambasadës Amerikane në Tiranë.” Fatbardhësisht, dhe falë nderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe punëdhnësit tim – qeverisë federale të Amerikës për 30-vjet – unë nuk kisha asnjë problem gjatë asaj kohe me askend, por nga dosja e Sigurimi të regjimit komunist të Shqipërisë del se Sigurimi i Shtetit debatonte se si të merrej me “problemin” që paraqiste për ta Frank Shkreli. Nuk di se ku e paskan pasur hallin pasi jeta, veprimtaria dhe puna ime ishte, siç thonë amerikanët një “open book”, një jetë aq publike dhe transparente sa nuk ishte nevoja që regjimi enverist komunist i Tiranës dhe as ai sllavo-komunist i Beogradit – të harxhonin buxhetin e shtetit dhe të keqpërdornin fondet nga mundi dhe djersa e popujve të tyre të varfër, për të punësuar agjentë spiunë për të ndjekur mua ose edhe shumë të tjerë si unë, në punë të vet, jashtë vendit, duke punuar për familjen. Për veten time, ndryshe nga shumë informacione falso të Sigurimit të përfshira në këtë dosje – për 30-vjetë në Washington, vërtetë se unë kam punuar në detyra të ndryshme, por gjithmonë për të njëjtën organizatë – “Zërin e Amerikës” dhe në të njëjtën ndërtesë, në kryeqendrën e këtij enti në Washington. Po të kishte ardhur ndonjë agjent ose spiun i Sigurimit para derës së ndërtesës ku punoja në Washington, do ishte bindur se unë nuk përbëja asnjë rrezik për askënd. Do më kishte parë çdo mëngjes duke hyrë aty dhe çdo mbrëmje duke dalë prej aty, për të shkuar në shtëpi pranë familjes. As nuk iu fsheha kujt, as nuk kisha frikë askend, as Sigurimin e Shtetit komunist të Enver Hoxhës dhe as Sigurimin Shtetëror Jugosllav UDB-ën, sepse nuk kisha asnjë arsye që t’i kisha frikë, isha në punën time. Jam matur për një kohë të gjatë nëse të përmend publikisht këtë dosje të Sigurimit ose jo dhe kisha vendosur të pres pak. Nuk e di se pse. Me thënë të drejtën mora guxim dhe frymëzim të flas për këtë dosje, pa hyrë shumë në hollësi rreth përmbajtjes së saj, nga vizita që bënë të martën në Shkodër zyrtarët e lartë të AIDSSH, përfshirë Kryetaren Genta Sula, ku kishin shkuar për t’i dorëzuar personalisht Dom Gjergj Simonit dosjen e tij të Sigurimit.

https:/www.facebook.com/starplustelevision/videos/2999185286845880/UzpfSTEzNTg2MTMzOTQxOTEyODA6MzI2NDc3Njk1MzU3NDkëNQ/

Mora guxim, por mora edhe frymëzim prej Dom Simonit, për mënyrën se si e pranoi dosjen e tij të Sigurimit me një mesazh publik, si i dënuar dhe i burgosur nga regjimi komunist, për poezitë që kishte shkruar dikur. Thashë me vete hapja dhe pranimi i dosjes, është në të vërtetë një dëshmi, që për mirë a për keq, duhet të ndahet me të tjerët, të shërbejë si një subjekt për krijimin e një atmosfere për dialog mbi të shkuarën komuniste të Shqipërisë. Për mirë, se me hapjen e dosjeve na jepet mundësia që me njohjen me këto dosje, ose me vet ekzistencën e tyre, ndoshta ndërgjegjësohemi si individë, por më shumë edhe si shoqëri, për të kaluarën e një regjimi diktatorial kriminal, nën të cilin Kombi shqiptar ka pasur fatin e keq të jetonte për pothuaj një gjysëm shekulli. Hapja e dosjeve të Sigurimit mund të konsiderohet nga disa edhe si një dëshmi e keqe ose të pakën si diçka që nuk na bën të ndihemi mirë, ndoshta për arsyen se shumica e atyre që kanë dosje ose familjarët e atyre që mund të kenë shkuar në atë jetë tanimë, presin ende – përtej hapjes së këtyre dosjeve – zbardhjen e së vërtetës dhe duan drejtësi për ata vet dhe për viktimat e komunizmit, në përgjithësi. I dashur lexues, kjo është edhe arsyeja që unë po i ndaj këto rreshta me ju për ekzistencën dhe për hapjen e dosjes time të Sigurimit të Shtetit komunist shqiptar, si një përpjekje, ashtu siç shpresojmë të gjithë, madje edhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, për një fillim të ri për Kombin shqiptar, duke reflektuar për të kaluarën dhe duke shpresuar për një të ardhme të re më të mire, ku shpresojmë që e kaluara komuniste të mos jetë më objekt ndarjesh e përçarjesh midis shqiptarëve, as sot dhe as në të ardhmen! Unë jam i bindur se konfliktet politike dhe gjendja e përgjithshme aktuale në Shqipëri në 30-vjet post-komunizëm, përfshirë problemet me sistemin juridik, janë pasojë e drejtëpërdrejtë e mospajtimit dhe e mostrajtimit të krimeve të komunizmit, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste në Europë. Duam ose nuk duam ta pranojmë, mospërballja serioze e klasës politike shqiptare me të kaluarën komuniste, vazhdon të jetë një barrë e rëndë për të ardhmen e lirisë dhe të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Une armiku i popullit

AMBASADORI AMERIKAN QË DHA DORËHEQJEN PËR TË SHPËTUAR SHQIPËRINË

June 26, 2020 by dgreca

 

         “Dashuroj Shqipërinë, dashuroj Kombin shqiptar, siç dashuroj Amerikën”-George Fred Williams/

 Nga Frank Shkreli/

Edhe ky një mik amerikan që nga ditët e para të ekzistencës së Shqipërisë si shtet, ndoshta jo aq i njohur nga shqiptarët. Emri i tij ishte George Fred Williams, ish-diplomat, ish anëtar i Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Greqi dhe në Mal të Zi, i emëruar nga Presidenti Woodrow Wilson.

Ishte viti 1914, koha e Princ Wiedit në Shqipëri. Vendi ishte rrëmujë!  Nga Greqia, ambasadori Williams viziton Shqipërinë.  Si përfundim i vizitës së tij atje, duke qenë dëshmitarë i tmereve që pau në terren – i zemëruar nga situata e krijuar atje – aty për aty ai jep dorëheqjen nga detyra e ambasadorit, për të qenë më i lirë — nga kufizimet diplomatike — për të mbrojtur kauzën e popullit të vuajtur shqiptar.  Ja si e përshkruan gazeta britanike, The Independent e datës 6 Korrik, 1914, vizitën e ambasadorit amerikan të akredituar në Greqi dhe në Mal të Zi, si dhe dorëheqjen e tij nga kjo detyrë pas vizitës së tij në Shqipëri, me qëllim për të folur më lirisht kundër qeverisë së atjeshme të Princ Wiedit dhe të fuqive të mëdha që ia kishin imponuar atë shqiptarëve:

Gaeta Independent shkruante se, “Shqiptarët kanë një aleat të ri. Ai është George Fred Williams, Ministri i Shteteve të Bashkuara në Greqi dhe në Mal të Zi, i cili pasi vizitojë Shqipërinë për të parë situatën nga afër në Principatën e re, është shqetësuar aq shumë nga ato që pa atje, nga punët e këqia të regjimit aktual, sa që dha menjëherë dorëheqjen, madje edhe pa pritur përgjigjen nga Washingtoni, ai e bëri publike deklaratën e tij protestë, për të mbrojtur kauzën e popullit shqiptar kundër Princit William Wied, i cili iu imponua shqiptarëve nga fuqitë e mëdha.  Kur ai arrijti në Durrës”, shkruante gazeta The Independent, “Diplomati amerikan, ishte deklaruar kështu për ato që kishte parë atje: “Pesë të ashtuquajtura qeveri ishin të pranishme atje.  S’pari, 6 fuqitë e mëdha me të gjitha fuqitë e tyre.  S’dyti, Komisioni që kontrollon administratën civile dhe financat.  S’treti, xhandarmëria e Hollandës, që kontrollon ushtrinë. S’katërti, Princi me aq pushtet që i ka mbetur.  Dhe s’pesti, Ministria që nuk ushtron asnjë pushtet.  Secila prej këtyre qeverive luftonte tjetrën, me përjashtim të të parës,(fuqitë e mëdha) të cilat siç duket, nuk mund të merren vesh mes vedi, sa që kanë hequr dorë plotësisht nga fati i katër enteve të tjera” të pranishme atje, citohet të ketë thenë ambasadori amerikan George Fred Williams, sipas gazetës britanike,The Indipendent e 6 Korrikut, 1914.  “Të gjithë mallkojnë fuqitë e mëdha për mos-marrëveshjet midis tyre ndërkohë që pritet që të gjithë të dëbohen nga Durrësi dhe që sovraniteti i Shqipërisë të mbetet aty ku duhet të jetë – në dorë të popullit të atij vendi”, citohet në gazetën britanike Independent të 6 Korrikut, 1914, diplomati amerikan George Fred Williams.  Ambasadori amerikan Williams ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Ministrit amerikan në Greqi dhe në Mal të Zi, duke hequr dorë kështu nga një karjerë premtuese në diplomaci, vetëm e vetëm, për të shprehur indinjatën e tij të thellë mbi gjëndjen e tmershme në të cilën gjëndej në atë kohë Shqipëria. 

Ambasadori amerikan George Fred Williams veproi në atë kohë i shtyr nga ndërgjegjësimi i thellë njerëzor kur sheh padrejtësi kudo qofshin ato si dhe nga qëndrimi moral diplomatik për të venë në dukje ato që ai i ka quajtur punë të këqia të autoriteteve vendore dhe të fuqive të mëdha të asaj kohe — duke hequr dorë, në protestë, nga një karjerë premtuese diplomatike.

                                    . Amb.George Fred Williams

Po e kujtoj ish diplomatin amerikan të fillim shekullit të kaluar, për dy arsye. Një, për hir të datave të lindjes dhe të vdekjes së tij, pasi po i afrohemi Korrikut: (10-Korrik, 1852- 11 Korrik, 1932) dhe arsyeja e dytë është se situata aktuale sot në trojet shqiptare, por sidomos në Shqipëri dhe Kosovë, pothuaj i përngjanë situatës – domosdoshmërit më ekstreme në atë kohë — të vitit 1914, ku fuqitë e mëdha, madje edhe sot tre dekada në shekullin 21, “fuqitë e mëdha”, vazhdojnë të bëjnë çorbë punët e Shqipërisë e të shqiptarëve, fatkeqësisht, me ndihmën e vet shqiptarëve.  Ndryshimi i gjëndjes aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, me ngjarjet e vitit 1914, (për të cilat ambasadori amerikan dha dorëheqjen me qëllim për të njoftuar botën për mjerimet e popullit shqiptar), është se në atë kohë mallkimi i popullit i drejtohej, me të drejtë, fuqive të mëdha dhe përfaqsuesve të tyre në Shqipëri.  Ndërsa sot, për gjëndjen e krijuar në Shqipëri dhe në Kosovë – kryesisht, si rrjedhim i konflikteve politike mids përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe partive të tyre që ata përfaqësojnë – shqiptarët e sotëm mallkojnë këtë klasë politike aktuale e cila për 30-vjet post-komunizëm, nuk di a po nuk do të rregullojë punët e shtëpisë, duke shkaktuar largimin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga trojet e veta .

Pres me pa durim, dorëheqjen e ndonjë politikani të lartë shqiptar ose edhe të ndonjë ambasadori të fuqive të mëdha që sot merren me punët e shqiptaëve, që të japin dorëheqjen –si çeshtje parimore — për të protestuar gjendjen aktuale të krijuar në trojet shqiptare, nga “ndërkombëtarët” në bashkpunim me klasën politike aktuale shqiptare – ashtu siç ka bërë ambasadori amerikan George Fred Williams në vitin 1914.  Kemi nevojë për njerëz me moral dhe ndërgjegje të thellë, por edhe të guximshëm, për ti parë dhe për ti deklaruar botës punët shqiptare ashtu siç vërtetë janë.  Kemi nevojë për disa George Fred Williamsa modernë – shqiptarë dhe të huaj, të cilët besojnë në lirinë dhe në demokracinë e vërtetë për shqiptarët dhe për Shqipërinë “E vuajtur dhe të mbytur në gjak nga faji i Evropës…”, siç është shprehur më 1914 Ambasadori amerikan i akredituar në Greqi dhe në Mal të Zi, George Fred Williams. I përgjithëmonshëm qoftë kujtimi i tij!

See the source image
See the source image
See the source image

“Nuk është çudi nëse njerëzit që kanë studiuar gjuhën shqipe të thonë se kjo është gjuha origjinale e Homerit dhe që grekët morën nga poetët Pellazgë të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera dëshmojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshërve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njihej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, ishte pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja ishte gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake. Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedisë, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.” George Fred Williams 

See the source image

Filed Under: Politike Tagged With: ambasadori, Frank shkreli, George Fred Williams

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT