• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMERIKA DHE BOTA MBAJNË ZI PËR HUMBJEN E NJË PRESIDENTI

December 2, 2018 by dgreca

bush2zi

“Çdo përcaktim i një jete të suksesshëme,  duhet të përfshij shërbimin ndaj të tjerëve”- George H. W. Bush, 1914-2018/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1-1

Nga Frank Shkreli/

Të premtën Presidenti Xhorxh W. Bush i riu, në emër të familjes njoftoi Amerikën dhe botën se i pari i familjes Bush, ish-Presidenti Xhorxh H.W. Bush i vjetër ka ndërruar jetë.  “Jeb, Neil, Marvin, Doro dhe unë jemi të pikëlluar të njoftojmë se pas 94-vjetësh të mbrekulluara, babai ynë i dashur ka ndërruar jetë.  Xhorxh H. W. Bush ishte një burrë me karakter të lartë dhe babai më i mirë që mund të shpresonim të kishim.  Mbarë familja Bush është thellësisht mirënjohëse për jetën dhe dashurinë e Presidentit të 41-të, si dhe për mëshirën dhe dhembëshurinë që kanë treguar ndaj tij të gjithë ata që janë lutur dhe kujdesur për Babain tonë.  Jemi gjithashtu tepër mirënjohës edhe për ngushëllimet e dërguara nga miqët dhe qytetarët tanë”, thuhet në dekaratën e familjes së të ndjerit ish-Presidentit Xhorxh Bush i vjetër.

Ngushëllimet drejtuar familjes Bush ishin të shumëta nga përfaqsues të politikës amerikane dhe botërore, si edhe nga shumë qytetarë amerikanë për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara, i cili ndërroi jetë të premtën në qytetin Hjuston të shtetit Teksas, në moshën 94-vjeçare. Janë ngushëllime për njeriun i cili do të mbahet mend, si një njeri i dedikuar ndaj familjes së tij, si pilot i famëshëm i Luftës së Dytë Botërore, si president që kontriboi për dhënjen fund të Luftës së Ftohtë dhe për shembjen e perandorisë komuniste sovjetike.  Për shqiptarët, ai mbahet mend si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në traditën e mbështetjes së udhëheqësve të këtij vendi ndaj të drejtave të shqiptarëve dhe ndaj fatit të Kombit shqiptar – me atë që historia tani e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”– i deklaroi botës dhe drejt për drejt kasapit të Serbisë Millosheviçit vendosmërinë politike dhe ushtarake të Washingtonit për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Kosovë në rast provokimesh nga Serbia.  ”Në rast të konfliktit në Kosovë të provokuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë gati për të përdorur forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”, kishte deklaruar i ndjeri Xhorxh Bush i vjetër në letrën dërguar diktatorit serb më 25 dhjetor, 1992, duke e lidhur kështu përjetësisht familjen amerikane Bush me historinë e Kombit Shqiptar,  kur të merret parasyshë gjithashtu edhe deklarata e Presidentit Xhorxh Bush të ri, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë në vitin 2007, me ç’rast, ai u tha mjaft zvarritjeve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke deklaruar nga kryeqyteti i shqiptarëve se, “Mjaft është mjaft — Më mirë heret se vonë  — Kosova të jetë e pavarur”.

Jo vetëm shqiptarët, por Amerika dhe bota në përgjithësi kanë arsye të ndihen të pikëlluar me humbjen e këtij burrshteti amerikan, pasi trashëgimia e tij në fushën politike dhe ushtarake botërore, si edhe roli i tij shembullor si kryefamiljar është një shembull për të gjithë.  Jo se ai nuk i kishte edhe të metat e veta, të cilat ndër tët tjera i kushtuan fitoren për një mandat të dytë presidencial, por megjithë këte, influenca e tij si udhëheqës do të ndihet për shumë kohë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe në mbarë botën. Pothuaj të gjithë vlerësojnë dedikimin e tij ndaj familjes dhe kushtimin e tij për shërbimin ndaj publikut, por edhe rolin e ish-Presidentit Bush në fushën ndërkombëtare, si vetitë kryesore që e kanë dalluar atë si njeri dhe si udhëheqës.  Këto ndjesi i kanë shprehur këto ditë, në ngushëllimet e tyre, udhëheqsit kryesorë politikë amerikanë dhe botërorë, duke përfshirë edhe Presidentin Donald Trump, i cili tha se “Presidenti Bush ka frymëzuar disa breza amerikanësh për t’iu përkushtuar shërbimit publik, për të qenë siç është shprehur edhe ai ‘objekt i njëmijë dritave’, për të ndriçuar madhështinë, shpresën dhe mundësitë që ofron Amerika, për botën… Me një gjykim të drejtë dhe udhëheqje të vendosur, Presidenti Bush udhëhoqi Kombin tonë dhe botën drejtë një fitoreje dhe përfundimi paqësor të Luftës së Ftohtë.  Si President, ai përgatiti skenën për një begati prej disa dekadash që pasoi mandatin e tij…Ai do të mbahet mend për devotshmërinë e tij ndaj familjes, sidomos për dashurinë e tij për bashkshorten Barbara…”, tha ndër të tjera, Presidenti Trump.

Ndërsa ish-Presidenti demokrat Barak Obam u shpreh me rastin e vdekjes së Presidentit Xhorxh Bush i vjetër se, “Jeta e tij ishte një testament se shërbimi publik është një thirrje e ndershme dhe fisnike”, ndërkohë që lavdëroi masat që kishte ndërmarrë i ndjeri Bush i vjetër në mandatin e tij si president, “Në favor të përmirësimit të jetës për emigrantët dhe për personat me aftësi të kufizuara fizike”. Ai ishte një shembull prej burrë-shteti, tha ish-Presidenti Obama, “I vendosur për të lënë mbrapa diçka më mirë se ç’e kishte gjetur në këtë botë.”  Duke iu referuar rolit të Presidentit Bush në arenën ndërkombëtare, Z. Obama nënvijoi se, “Kur, anë e mbanë Evropësë Lindore, lulëzuan revolucionet demokratike, ishte dora e tij fortë diplomatike që bëri të mundur një arritje që dikur as nuk mund të merrej me mend – fundin e Luftës së Ftohtë, pa pasur nevojë të shkrep as një fishek.”

Ndoshta njeriu që e ka njohur më së miri dhe për një kohë të gjatë ish-Presidentin Bush të vjetër, është James Baker, ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, të cilin e ka konsideruar si mik të ngushtë për më shumë se 50-vjetë.  Z. Baker lavdëroi shërbimin e Presidentit Bush në detyra të ndryshme prej disa dekadash, si president i Shteve të Bashkuara, por edhe si zëvendës president, Drejtor i CIA-s, si ambasadori i parë amerikan në Kinë, ambasador pranë OKB-së, e të tjera. “Në secilën prej këtyre detyrave”, theksoi Z. Baker, “Ai udhëhoqi me vendosmëri, integritet dhe modesti – karakteristika këto të cilat me të vërtetë përcaktojnë një njeri të madh dhe një udhëheqës efikas…ai gjithmonë i demonstroi këto cilësi, qoftë në skenën ndërkombëtare, qoftë në jetën e përditshme.

Ngushëllimet erdhën, jo vetëm nga politikanë republikanë dhe ish-bashkpuntorë të Presidentit Bush, por edhe nga politikanë të krahut tjetër politikë, nga demokratët — si ish-Zëvendës Presidenti Al Gore, i cili në mesazhin e tij theksoi “integritetin dhe mirësinë e jashtëzakonshme” të tij, duke thënë se i ndjeri Bush, “kishte siguruar respektin e të dy partive kryesore të vendit, me qëndrimet e tija dhe me masat që ka marrë në favor të kauzave në të cilat besonte fuqimisht, madje edhe nëqoftse duke bërë një gjë të tillë, nuk ishte shumë popullore për momentin.”

Edhe nga Kongresi Amerikan, ku Z. Bush gëzonte një respekt të madh në radhët e ligjëvensëve të dy partive politike kryesore amerikane, erdhën reagimet e para për vdekjen e ish-presidentit, përfshirë Senatorin Republikan të shtetit Florida, Marco Rubio, i cili u shpreh se, Presidenti H. R. W Bush ishte një hero amerikan dhe patriot, një burrë i mençur dhe bujar.”  Ndërsa Senatori demokrat i shtetit Virginia, Mark Warner nënvijoi në mesazhin e tij se, “Nuk ka asnjë dyshim se angazhimet më të larta të Presidentit Bush ishin gjithmonë në mbështetje të Atdheut dhe vlerave tona – drejtësisë, lirisë dhe të drejtave të njerëzve kudo në botë.”

Një mesazh i gjatë drejtuar familjes Bush erdhi nga Presdienti Clinton dhe bashkshortja Hillary, në të cilin çifti presidencial thotë se ata “Po mbajnë zi për kalimin në amshim të Presidentit H.W. Bush dhe falenderojnë Perendinë për jetën e tij të gjatë, kushtuar shërbimit, dashurisë dhe miqësisë ndaj të tjerëve.  Unë do të jem për gjithmonë mirënjohës për miqësinë që kemi pasur me njeri tjetrin”, shprehet Presidenti Klinton duke shtuar se shërbimi i Presidentit Bush, duke filluar nga shërbimi ushtarak në Luftën e Dytë Botërore dhe deri tek detyrat e larta federale në Kongres, pranë Kombeve të Bashkuara, si ambasador në Kinë, drejtor i CIA-s e deri tek kulmi i shërbimit të  tij në detyrën e Zëvëndës Presidentit dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku ai punoi drejt një bashkpunimi më të madh në nivel ndërkombëtar, për një paqë dhe liri më të madhe në botën e pas Luftës së Ftohtë”,  shkruajnë Presidenti Klinton dhe bashkshortja e tij Hillary.

Ndërsa nga Rusia erdhi mesazhi i ngushëllimit nga ish-udhëheqsi sovjetik, Z. Mikhail Gorbachev, me të cilin presidenti Bush kishte bashkpunuar ngusht për t’i dhënë fund luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit. “Unë i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes së George Bush dhe të gjithë Amerikanëve për vdekjen e Presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara”, i ka thënë ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax, duke shtuar se, “Kam shumë kujtime në lidhje me këtë person.  Ne na u dha mundësia të punomin së bashku gjatë viteve të ndryshimeve të mëdha.  Ishte një periudhë dramatike që kërkonte përgjegjësi të mëdha nga të gjithë…Unë vlerësoj jashtzakkonisht shumë kontributin e Presidentit George H.W Bush, në realizimin e kësaj arritjeje historike. Ai ishte me të vërtetë një partner i vërtetë”, është shprehur ish-ushëheqsi sovjetik, Michael Gorbachov për ish-Presidentin Bush.

Një numër ngushëllimesh i kanë arrijtur familjes Bush dhe popullit amerikan për vdekjen e Presidentit Bush, nga vendet aleate perëndimore dhe nga kryeqytete të tjera, përfshirë edhe udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Siç thashë edhe më lartë, për Shqiptarët, Presidenti George Bush i vjetër do të mbahet mend për Deklaratën e tij të Krishtlindjes, pikërisht 26 vjetë më parë, me 25 Dhjetor të vitit 1992, me të cilën paralajmëroi Serbinë dhe diktatorin e saj Millosheviç që të mos provokonte konflikt në Kosovë, me qëllim të pastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.  Dihet se është kjo politikë e përcaktuar nga Presidenti George H.W. Bush i vjetër që u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë 1990-ave dhe më vonë, deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës disa vite më vonë gjatë mandatit të Presidentit Goerge Bush i riu.  Jemi dëshmitarë se kjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, 26-vjetë më parë këtë muaj, është përsëritur herë pas here gjatë 90-ave nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe nga zyrtarët e lartë të administratës së tij, si një qendrim bazë amerikan karshi Kosovës, që nuk kishte ndryshuar gjatë asaj kohe, por që në të vërtetë çoi në sulmet ajrore të NATO-s, të urdhëruara nga Presidenti Klinton, e që përfunuan në çlirimin e Kosovës dhe përfundimisht në shpalljen e Pavarsisë së Kosovës në vitin 2008.  Falë asaj deklarate, është ky një përkushtim i Amerikës ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës që vazhdon të pasqyrohet deri në ditët e sotëme. Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi gjatë një takimi me ish-presidentin George Bush të ri javën që kaloi në Teksas dekoroi Z. George Bush të ri me Urdhërin e Pavarësisë, për kontributin që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndërsa është shprehur se, “Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti Thaçi.

Me rastin e kalimit në amshim të Presidentit George H. W. Bush i vjetër dhe në përvjetorin e 26 të paralajmërimit të tij me shkrim dërguar Serbisë më 25 dhjetor 1992, që të mos shkelte vijën e kuqe në Kosovë — me mirënjohje të thellë ngushëllojmë me zemër të pikëlluar familjen e nderuar të ish-Presidentit si dhe popullin amerikan për kalimin në amshim të të dashurit të tyre dhe mikut të madh të Shqiptarëve!  Përdhimtimet më të sinqerta duke marrë pjesë në zi të tyre me ndjesi të thella miqësie vëllazërore midis Kombit Amerikan dhe Kombit Shqiptar!

Filed Under: Featured Tagged With: AMERIKA DHE BOTA MBAJNË ZI PËR HUMBJEN, E NJË PRESIDENTI, Frank shkreli

ROZOLIN PETROTA: SHTYLLA KRYESORE E SHQIPTARIZMIT ARBËRESH

November 29, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli/

Javën e parë të Nëntorit, në krye të një delegacioni zyrtar,  Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta ndërmori një vizitë historike në   në Kalabri të Italisë, në kuadër të Vitit të shpallur Mbarë-Kombëtar të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit -Skënderbeut.  Gjatë kësaj vizite zyrtare, Presidenti Meta, është takuar edhe me homologun e tij, Presidentin e Italisë, Z. Sergio Mattarella.  Në fillim të vizitës së tij në komunitete arbëreshe të Italisë, Presidenti Meta vuri në dukje raportin e ngushtë mes Shqipërisë e Kalabrisë, ndërsa shtoi se, “Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë, të cilëve u jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin, që nga koha e Skënderbeut.  Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur”, është shprehur Presidenti Meta, me atë rast.  Ndërsa, Presidenti italian Sergio Mattarella, në mesazhin e tij dërguar para dy ditësh Presidentit Meta me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë shprehet se: “Përkujtimi i përbashkët së fundmi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, forcoi më tej jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe por edhe ndjenjën e ndarjes bashkërisht të faqeve të rëndësishme të historisë – siç u dëshmua konkretisht nga pakica arbëreshe mjaft aktive – si dhe të horizonteve të përbashkëta në gjirin e familjes evropiane dhe të komunitetit euro-atlantik”.

5-Perrota

-Ne Foto: 25.IV.1968: Prof. Koliqi i paraqet Shëjtnisë së Tij Palit VI Kryetarin e «Vatrës», z. Anthony Athanas. Në mes shifen: Arbëreshët: Shkelqësia Emzot Perniciaro dhe Dr. Rozolin Petrotta.  Foto e marrë nga revista Shëjzat.)/

Fatkeqësisht, janë pak njerëz që mund ta dinë se një meritë të madhe, për të mos thënë ndoshta meritat kryesore për ruajtjen e gjuhës, identitetit, traditave, kulturës arbëreshe si dhe forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane — për të cilat folën dy presidentët — i takon arbëreshit Dr. Rozolin Petrota: Sipas dy miqëve dhe bashkëpuntorëve të tij të ngushtë, Prof. Ernest Koliqit dhe Prof. Karl Gurakuqit, Dr. Petrotta e dinte mirë se ruajtja e traditave e shpëtoi nga cenimi dhe nga izolimi komunitetin arbëresh, nepër rrëmujat historike prej pesë shekujsh.  Në kuadër të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, vlen të përmendet edhe vlersimi i këtyre dy burrave të cilët kanë shkruar se Dr. Petrota – një trashëgues dhe ruajtës i traditës arbëreshe,  ishte gjithashtu edhe një pjesëtar i spikatur i asaj breznie që përgatiti 28 Nëntorin fatlum, më 1912, një ngjarje kjo të cilën arbëreshi Petrota e ndoqi dhe e përkrahi nga Italia, ashtu si çdo nismë tjetër në dobi të vendlindjes së të parëve të tij.  Prof Koliqi ka shkruar për mikun e tij të ngushtë arbëresh, Dr. Petrotën se ai ishte trashëgues dhe ndjekës i traditës arbëreshe, ndërkohë që, “Ushqente bindjen se zvetnimi i rrjedhun nga mospërfillja e traditave, dobësonte vetitë ma të zgjedhuna të gjakut të trashiguem”.  Ai admirohej nga ata që e kanë njohur, si një njeri i cili për qëllim kryesor kishte lartësimin e vlerave arbërore.  Atdhedashuria e tij”, ka shkruar Ernest Koliqi, iu shmangte “Shafqjeve të bujshne që mbulojnë shterpësi ndjesishë të vërteta ndërsa tregohej në vepra të mbara e të frytshme”.

Njëra prej këtyre “veprave të mbara”, rezultat i punës së tij të vendosur për promovimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës arbëreshe në Itali, ishte themelimi i Qendrës Shqiptare për Studime Ndërkombëtare, pranë Universitetit të Palermos, në vitin 1948, me dekret të Presidentit të Republikës Italiane, që u pasua më vonë me hapjen e Institutit për Studime Shqiptare në Romë, në vitin 1959, nën drejtimin e Prof Ernest Koliqi, gjithashtu me dekret të Presidentit të Italisë.  Me bashkpunimin e Gaetan Petrotës (të vëllait), Karl Gurakuqit, Namik Resulit, At Zef Valentinit dhe Ernest Koliqit, ishte arbëreshi Dr. Rozolin Petrota ai i cil,i në të vërtetë, luajti rolin kryesor në themelimin e këtyre dy instituteve tepër me rëndësi, në Palermo dhe Romë — të cilat jo vetëm kanë promovuar por kanë mbajtur gjallë identitetin, gjuhën dhe kulturën arbëreshe në Itali, për të cilën folën Presidenti Ilir Meta dhe Presidenti Italian Sergio Mattarella gjatë vizitës së tyre në fillim të këtij muaji, në komunitetet arbëreshe të Italisë së Jugut.Karl Gurakuqi ka vlerësuar lartë punën e kolegut të tij të ngushtë arbëresh dhe rolin që ai ka luajtur në ruajtjen e identitetit të shqiptarizmit arbëresh duke thënë se, “Nuk besoj se më idhnohen Arbëreshët e Sicilisë nëqoftse pohoj se po të hiqet Rozolin Petrota nga lista e atyne që i mbajtën gjallë ndjenjat atdhetare shqiptare në popullsinë arbëreshe siciliane, nuk mund të bahet më një histori e saktë e tyre.  Rozolini është i mbrami i radhës së ndritëshme të Arbëreshve që ia ndritë faqet shqiptarizmit në Itali”, ka shkruar Prof. Karl Gurakuqi me rastin e vdekjes së arbëreshit të madh, Dr. Rozolin Petrotës në shtator të vitit 1969.

E përkujtojmë sot Dr. Rozolin Petrotën edhe për një arsye tjetër në këtë vit kushtuar Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skendërbeu, pasi një vit para se të ndërronte jetë, Dr. Petrota organizoi, kuvendin e fundit të jetës së tij në Nëntor të vitit 1968 — takimin e madh përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të kalimit në amëshim të Prijësit të Shqiptarëve.  Nën drejtimin e tij, në kujtim të Skendërbeut – në Qëndren Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo – u mblodhën arbëreshë, vatranë, shqiptarë nga Kosova, trojet e tjera shqiptare dhe nga diaspora, studiues dhe albanologë të huaj dhe shqiptarë të arratisur nga vendlindja.  Ata që kanë qenë të pranishëm — shumë prej të cilëve nuk jetojnë më — më kishin thënë se ai takim historik kishte mbetur përgjithmonë në kujtimet e tyre.  Jam i bindur se si i tillë do të mbetet edhe në analet historike të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Si kryeorganizatori i takimit në Palermo me rastin e 500-vjetorit të kujtimit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në vitin 1968, Dr. Petrota iu drejtua, arbëreshve dhe shqiptarëve të mbledhur atje nga mbarë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, me disa fjalë vëllazërore, siç janë botuar në revistën “Shëjzat:

”…Kemi këtu studiuesë dhe miqë shqiptarë, arbëreshë e albanologë, nga Siqilia, nga Kalabrija, nga Italia, nga Kosova, nga Austria, nga Gjermania dhe nga Shtetet e Bashkuara t’Amerikës.  Shqiptarë dhe Arbëreshë: Jemi gjithë këtu bashkë pa dallim feje, dialekti e rryme politike.

Na Arbëreshët, stërnipëra të atyre mërgimtarëve të ikur nga Arbërija qintra vjet më parë, të cilët të parët e të gjithëve kanë bërë të valvitet në Itali Flamuri i Skenderbeut – e kanë bërë të kumbojnë lartë e me nderë gjuhën tonë. Shqiptaro-Amerikanët, mërgimtarët më të rinjë, të cilët të përbashkuar në Vatrën e Fan Nolit e të Faik Konicës, nga Amerika i kanë dhënë kumbim të ri e depërtim kërkesave të Kombit Shqiptar.Shqipëtarët profugë më të vonshëm, të cilët, sikurse ata më të vjetërit, kanë marrë udhën e mërgimit për të mbajtur besën në vlerat ideale.

Si njëherë Skenderbeu kje Kryetrimi i të tërë ushtrisë mprojtëse të qytetërimit dhe Flamuri i tij kje shënji i bashkimit të të gjithë Shqiptarëve, po kështu edhe sot të gjithë na ka mbledhur emëri dhe kujtimi i tij.Na po vërejmë me zemër vëllazërore të thellë, të gjithë profugët e sotëm, të cilët në vehten e tyre dhe ndër familjet e tyre, mbajtën zi dhe ruajtën plagët e vuajtjevet të tyre, por mburren duke dijtur se përfaqësojnë akoma Shqipërinë e Skënderbeut.Dhe vërej me admirim ata që ndër vuajtjet dhe varfërinë e mërgimit, akoma e gjejnë shtegun për të ndritësuar me vepra ndërtonjëse, veçanërsisht kulturore, emërin e Atdheut.Na vërejmë me mirënjohje të veçantë të gjithë studjuesit e miqët e huaj, të cilët me studimet e tyre dëftojnë se sa shumë i çmojnë vlerat e vërteta të Shqipërisë.

 Por neve, përfaqësues të gjithë institucioneve kulturore arbëreshe dhe veçanësisht neve të Qëndrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare të Palermos, trashëgimtarë të së moçmës dhe lëvdimplote, “Lidhje Italo-Arbëreshe” të na lejohet të ndihemi vëllëzër në mënyrë të veçantë me miqët dhe bashkatdhetarët t’anë shumë të dashur të Federatës “Vatra”, ka përfunduar përshëndetjen e tij arbëreshi Dr Rozolin Petrota, me rastin e 500-vjetorit të kujtimit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe më 28 Nëntor, 1968 në Palermo.

Atë organizim në Palermo 50-vjetë më parë, frymëzuesi dhe inciatori i të cilit ishte vet Dr. Petrota, bashk-kohësit dhe bashkpuntorët e tij të ngushtë, e kishin cilësuar si vepra e tij e fundit e shkëlqyeshme dhe e mrekullueshme, që kurorëzoi një veprimtari patriotike 50-vjeçare, si shtylla kryesore e patriotizmit të Arbëreshëve të Italisë.   Një patriotizëm ky, të cilin Petrota – ndër të tjera — e shfaqte në shumë artikuj të çmueshëm, ndërsa në vitin 1919 së bashku me të vëllain Gaetanin, kishin filluar botimin e revistës “Rassegna italo-albanese”, ku sipas një vlerësimi të Prof Karl Gurakuqit, shiheshin shkrime me vlerë mbarë kombëtare shqiptare.  “Me anën e këtyre artikujve”, shkruan Gurakuqi, “Rozolini mpronte me energji çështjet shqiptare, kufijtë etnikë të Shqipënisë, vetqeverimin e plotë të Atdheut shqiptar, ndërsa luftonte lakmitë e kufitarvet anmiq të Shqipënisë, të cilët me dredhi të ndyta përpiqeshin të shembin themelet e shtetit të posa lindun”.

Kjo, pra është arsyeja që këtë javë të Pavarësisë së Shqipërisë dhe në mbylljen e vitit kushtuar 550-vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, meriton të kujtohet jeta dhe veprimtaria atdhedashëse e arbëreshit Rozolin Petrotës – ndoshta një emër pak i dëgjuar por me shumë merita për kauzën kombëtare — i cilësuar nga bashkohësit e tij si shtylla kryesore e shqiptarizmit të arbëreshëve të Italisë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: E SHQIPTARIZMIT ARBËRESH, Frank shkreli, ROZOLIN PETROTA: SHTYLLA KRYESORE

DO TA LAJ GOJËN ME SAPUN!

November 27, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Kështu na kërcënonte nëna kur dëgjonte të kishim përdorur ndonjë fjalë të pa vend kur ishim fëmijë, në komunikim me shokët tanë të shkollës ose me këdo tjetër.

Duke dëgjuar sot diskurset në radhët e politikanëve shqiptarë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, por jo vetëm midis politikanëve, shpesh më kujtohen fjalët e nanës, megjithse si të mitur që ishim as nuk mund të mbaheshin përgjegjës për fjalët dhe veprimet tona.  Por prindërit tanë kishin përgjegjësi që të na korigjonin, por edhe të na ndëshkonin kur përdornim fjalë të fëlliqta në publik ose në rrethin familjar, me qëllim për të turpëruar dike ose për të cenuar emrin e mirë të dikujt.  Në botën ku jam rritur unë dikur, fjalë të tilla që dëgjojmë sot të dalin nga gojët e politikanëve dhe të shumë figurave të tjera publike shqiptare – fjalë të ulëta, të pa ndershme dhe të turpshme – ishin të pa pranueshme.  Turpëroheshim se duke përdorur fjalë të tilla të ndyra kundër dikujt me qëllim për të dëmtuar personin e tyre, do të na dilte emri i keq në fshat dhe në shoqërinë ku jetonim.

Sidomos kohët e fundit, duket se gjuha e përdorur në publik, nga ata që duhet të dinë më mirë se kaq, është ashpërsuar keqas.  Vulgariteti i shprehur me fjalë e qëndrime, nga njerëzit publikë e sidomos përfaqsuesit e politikës të medies shqiptare, më bën të pyes veten se çfarë përgjegjësie mbajnë këta njerëz, pikëspari ndaj vetvetes, si përfaqsues të popullit, por edhe ndaj të miturve, rinisë shqiptare, brezit të ardhëshëm dhe shoqërisë në përgjithësi — me shprehje dhe sjellje të tilla në ekranet e televizioneve dhe në media të tjera.  Si përballen këta njerëz me fëmijtë dhe familjet e tyre kur këthehen në mbrëmje në shtëpi dhe dëgjojnë lajmet e ditës para ekranit.  Vulgariteti i fjalëve që përdorin udhëheqsit e sotëm shqiptarë në komunikim me njëri tjetrin dhe me të tjerët, në të vërtetë, ka kaluar kufijtë njerzor dhe të sjelljes së mire, ndërkohë që e gjithë situate është këthyer në një politikë urrejtjeje me të gjithë ata të cilët prej tyre konsiderohen, jo si kundërshtarë politikë, por si armiq të përbetuar.

Fjalët janë plumba, zotërinjë të ndershëm!  Duhet kujdes në shqiptimin e tyre, sidomos nga udhëheqsit dhe përfaqsuesit më të lartë të kombit, nga një platformë e caktuar publike, fjalë që dëgjohen nga qindra mijëra ndoshta miliona veta. Gjuha e urrejtjes, sipas ekspertëve, jo vetëm i paraprin shpesh dhunës, por edhe e frymëzon dhe e legjitimon atë.  Atëherë lind pyetja se pse politikanët përdorin një gjuhë të tillë urrejtjeje.  Prapë, sipas eskpertëve, sepse politikanët kudo, besojnë se me gjuhën që përdorin, qoftë edhe gjuhën e urrjejtjes, e përdorin me qëllim për të influencuar vendimet që marrin, për të kontrolluar burimet natyrore dhe buxhetore, madje edhe për të influencuar dhe kontrolluar edhe sjelljet dhe vlerat e njerëzve.

Është e tepërt të them, se urrejtja në radhët e politikanëve, minon edhe zhvillimet demokratike dhe përçanë shoqërinë, në “ne” dhe në “ata” — cilëtdo qofshin ata, të brendshëm ose të jashtëm, politikanë ose gazetarë, njerëz të thjeshtë që vetëm duan të qajnë hallet e veta, e madje edhe ndërkombëtarët, tashti janë bërë subjekt i kësaj gjuhe të ndyrë.  Gojëndyrët dhe urrejtësit e botës shqiptare, sidomos ata në detyra udhëheqjeje, por edhe disa të tjerë në fushën e gazetarisë dhe publicistikës, i kanë kaluar kufijtë e një diskursi politik normal, që për botën dhe kulturën shqiptare duhej të konsiderohej si diçka e papranueshme në shekullin 21.

Urrejtësit dhe gojëndyrët, me fjalët e tyre të flliqta, me idetë dhe me veprimtaritë e tyre që pasojnë fjalët e përdorura poshtëruese, e konsiderojnë veten tani si pjesë normale e jetës politike dhe shoqërore, madje sjellja e tyre është këthyer në një prirje dominuese tashti të opinionit dhe komunikimit publik brenda shoqërisë shqiptare, në përgjithësi. Anything goes, është një thënjë në anglisht.  Çdo gjë është e pranueshme.  Nuk ka asnjë rregullë, as kufij për gjuhën që përdoret ndaj kundërshtarëve.  Politikani kundër politikanit, gazetari dhe publicisti kundër kolegëve, historiani kundër historianit, e ashtu me rradhë.  Duket sikurë shoqëria shqiptare është në një gjëndje permamente grindjesh dhe urrejtjesh, pjellë e regjimit komunist pothuaj 50-vjeçar.  Për mbarë botën Lufta e dytë Botërore ka marrë fund 70-e ca vjet më parë, por jo për shqiptarët.  Lufta dhe interpretimet e saja, e sidomos debatet mbi regjimin komunist që pasoi luftën – ndryshe nga çdo vend tjetër në Evropë — vazhdon edhe sot në Shqipëri e deri diku edhe në Kosovë, midis nostalgjikëve të komunizmit, të përndjekurve të regjimit dhe atyre që ata gjithnjë konsiderojnë si “kolaboracionistë” të fashizmit dhe nacizmit, ndërkohë që shqiptarët sot konsiderojnë Gjermaninë dhe Italinë si ndër vendet më mike të shqiptarëve.  Do ishte mirë që me këto çështje të merreshin historianët e mirëfilltë dhe jo mbarë shoqëria.

A nuk e shohin, sidomos udhëheqsit shqiptarë, se kur urrejtja ndaj njëri tjetrit – e shqiptarit kundër shqiptarit pra — konsiderohet tani si diçka normale dhe e zakonshme në diskurset politike.  Si rrjedhim, çdo gjë e mirë dhe pozitive e arritur deri më tani, kërcënohet në shoqërinë e sotëme shqiptare. Në rend të parë demokracia, zbatimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe pluralizmi, ndër të tjera — por mbi të gjitha kërcënohet dinjiteti i individit, të çdo shqiptari, pa marrë parasyshë bindjet e tija politike, 75 vjetë më parë a po sot.   Kjo është një politikë që po bëhet për të dëmtuar të tjerët, ata që mund të mendojnë ndryshe, me qëllim për të përçarë Kombin. Në interes të kujt shkon kjo gjë?  Ne, si shqiptarë, me të drejtë mburremi para botës me tolerancën dhe bashkjetesën fetare, por të jemi të sinqertë, shqiptarët kanë dështuar plotësisht duke mos mundur të gjejnë një bashkjetesë politike midis tyre.  Është ky një dështim me pasoja tragjike për të sotmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar.  Sa poshtë ka rënë diskursi politik në trojet shqiptare, pothuaj 30-vjetë pas shembjes së komunizmit!

A jeni të vetdijshëm se bashkimi bën fuqinë, se bashkimi bën beslidhjen e madhe, sidomos në këtë vit kushtuar Kryebashkuesit të Arbërit, Gjergj Kastriotit -Skenderbeut.  Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për më shumë udhëheqës, që me fjalë e me vepra, promovojnë bashkimin dhe jo përçarjet ndërmjet shqiptarëve. Kemi nevojë për udhëheqës që mbështesin dhe promovojnë ato që shqiptarët kanë të përbashkëat dhe jo të theksojnë ato që i ndajnë.  Përhapja e urrejtjes, frikës dhe paragjykimet – me fjalë dhe me vepra — ndaj disa grupeve të popullësisë, sidomos nga udhëheqsit e vendit, nuk kanë të bëjnë aspak me udhëheqje të mirë qeverisëse dhe aq më pak me një debat të përgjegjëshëm dhe të ndershëm për zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave serioze me të cilat përballen sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta.  Mbi të gjithë të tjerët, përfaqsuesit qeveritarë duhet të marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre në këtë fushë.

Disave duhet t’u lahet goja me sapun!

Filed Under: Opinion Tagged With: DO TA LAJ GOJËN ME SAPUN!, Frank shkreli

DHUNA KUNDËR FEMËRAVE – NJË PROBLEM I MADH BOTËROR

November 25, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

“Për derisa gjysma e popullësisë botërore, e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat, nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë.”  (Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres)

Në dhjetor të vitit 1999, Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar 25 Nëntorin si “Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave”.  Në deklaratën e OKB-së, dhuna kundër grave dhe vajzave përcaktohet si një, “Akt dhune drejtuar kundër femërave, që përfundon, ose ka të ngjarë të përfundojë në dëmtime fizike, seksuale ose psikologjike ndaj femërave, përfshirë kërcënime për akte të tilla, si detyrim me forcë, mohim lirie, që ndodhin në publik ose në jetën private.”

Tema e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave për fushatën Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së për këtë vit, është, “UNiTE to End Violence against Women – Orange the World: #HearMeToo” — Të bashkohemi për t’i dhënë fund dhunës kundër femërave.  Dita Përkujtimore kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave shënon fillimin e një periudhe aktivizmi kundër dhunës bazuar në gjini, me qëllim për të filluar një fushatë globale për të shtuar numërin e personave dhe të enteve qeveritare dhe jo-qeveritare që punojnë për të parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave kudo në botë.

Dhuna kundër grave dhe vajzave është një manifestim i një mungese themelore respekti ndaj tyre, është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, António Manuel de Oliveira Guterres.  Ai e cilësoi dhunën kundër femërave si një problem të madh global, “Një fyerje morale ndaj të gjitha grave dhe vajzave, një turp për të gjitha shoqëritë dhe një pengesë të madhe ndaj zhvillimit gjithë përfshirës dhe të barabartë për të gjithë.”  Dhuna ndaj grave, shtoi udhëheqsi i OKB-së, përbën gjithashtu edhe një, “Dështim nga ana e burrave për të njohur dhe pranuar barazinë dhe dinjitetin e grave dhe të vajzave.  Është një çështje e të drejtave të njeriut”, theksoi ai, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për zhdukjen e dhunës kundër grave dhe vajzave.  Dhuna kundër femërave, nënvijoi Z. Guterres, jo vetëm që “Dëmton individin e prekur nga kjo dhunë, por ka pasoja të rënda edhe për familjet dhe për shoqërinë, në përgjithësi.”  Dhuna ndaj grave, u shpreh udhëheqsi botëror, është në thelb edhe një çështje politike.   “Dhuna kundër grave është e lidhur me çështje më të përgjithëshme të ushtrimit të fuqisë dhe dominimit politik në shoqëritë tona.  Ne jetojmë në shoqëri të dominuara nga meshkujt”, tha ai në mesazhin e tij me këtë rast.  Mesazhi për të gjithë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës kundër grave dhe vajzave, porositi Z. Guterres, është se, “Për derisa gjysma e popullësisë botërore — e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat — nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë, për të gjithë.”

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Michael Pompeo, duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, theksoi gjithashtu në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Femërave, se edhe nga pikëpamja amerikane, dhuna kundër grave dhe vajzave është një problem botëror që prekë miliona gra e vajza, anë e mbanë botës.  Kryediplomati amerikan tha se çdo grua dhe vajzë duhet të ketë një jetë të lirë nga dhuna.  Shtetet e Bashkuara, vazhdoi ai, janë të angazhuara që të promovojnë barazinë midis gjinive dhe të parandalojnë dhunën, ndërkohë që do t’u përgjigjen të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, kudo në botë.  “Zhdukja e dhunës kundër femërave është detyrë e të gjithë neve”, nënvijoi Z. Pompeo, një përgjegjësi “E qeverive, e sektorit privat, e shoqërisë civile dhe organizatave fetare”.  Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara janë krenare të shënojnë këtë ditë ndërkombëtare kushtuar zhdukjes së dhunës kundër grave kudo në botë, tha ai në deklaratën e botuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj femërave. Për më tepër, “Shoqëritë që u bëjnë të mundur grave dhe vajzave pjesëmarrjen e plotë në jetën politike dhe ekonomike të vendit ku jetojnë, ato janë vende më të begata dhe më paqësore”, ka përfunduar mesazhin e tij Kryediplomati amerikan, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të zhdukur dhunën kundër Grave dhe Vajzave.

Siç venë në dukje jo vetëm deklaratat e Kombeve të Bashkuara dhe e Sekretarit Amerikan të Shtetit, por edhe prononcimet e qeverive dhe enteve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Zhdukur Dhunën kundër Grave dhe Vajzave — dhuna kundër grave dhe vajzave është një fenomen serioz dhe tepër i dukëshëm dhe mjaft i pranishëm edhe në shoqërinë shqiptare – qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë dhe mbarë trojeve shqiptare.  Radio Evropa e Lirë në shqip, me ketë rast transmetoi një kronikë me titull, “Dhuna detyron gratë t’i shtojnë kërkesat për strehim në “Shtëpinë e sigurt”. Në raport  citohet Sakibe Doli, konsulente e strehimores “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, të ketë thënë se numri i grave që kërkojnë strehim nëpër shtëpi të sigurta në gjithë Kosovën, është 10 për qind më i madh, krahasuar me vitin e kaluar.  Sipas saj, arsyeja pse po ndodh kjo, mund të ndërlidhet me frikën që kanë për jetën e tyre gratë që përjetojnë dhunë.  Radio Evropa e Lirë citon gjithashtu zyrtarë institucionalë që merren me të drejtat e grave në Kosovë, se dhuna në familje po e mposhtë drejtësinë.   Sipas tyre, ndonëse në vazhdimësi janë raportuar rastet e dhunës nga ana e grave, drejtësia nuk e ka kryer punën e vet, theksohet në raportin e Radios Evropa e Lirë.   Ndërsa Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe e shënoi Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër grave dhe vajzave me një raport nga Tirana mbi përpjekjet për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare ndaj fenomenit të dhunës ndaj femrëave, duke filluar nga të rinjtë në shkolla.  Si një shembull, VOA shqip pasqyroi përpjekjet që po bëhen — për ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare — në shkollën “Sami Frashëri”, në Tiranë e cila ka ndërmarrë një seri veprimtarishë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.  Në këto takime po marrin pjesë edhe prindërit, të cilët po japin ndihmesën e tyre në këtë proces, theksohet në raportin e VOA-s shqip.

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave edhe sivjet po shënohet si një përpjekje për t’i kujtuar botës se dhuna, e cilës do natyrë qoftë kundër grave dhe vajzave, është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre njerëzore, me pasoja të tmershme fizike, seksuale dhe mendore për vet femërat e prekura nga ky krim, por me pasoja negative edhe për familjet, shoqërinë dhe për vendin në përgjithësi, ku ndodhë dhuna kundër femërave.  Sensibilizimi i shoqërisë ndaj këtij fenomeni të rëndë shoqëror është shumë i rëndësishëm për parandalimin dhe për zhdukjen eventuale të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke filluar madje edhe nga bankat e shkollës, siç është rasti i Shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë. Por sfida e madhe në luftën kundër dhunës ndaj femërave në shoqërinë shqiptare kudo, mbetet gjithnjë mungesa e zbatimit të ligjeve në fuqi, siç raporton Radio Evropa e Lirë nga Kosova.  E vërteta është se ashtu siç ndodhë në mbarë botën, as në Shqipëri dhe as në Kosovë — megjithë ligjet në fuqi — nuk po bëhet mjaft nga organet kompetente qeveritare për të parandaluar dhe për të zhdukur këtë pikë të zezë të shoqërisë shqiptare — dhunën kundër grave dhe vajzave anë e mbanë trojeve shqiptare.

Por, përpjekjet e organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve, përfshirë aktivizimin, në këtë fushë, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, fatbardhësisht, kanë dalur deri diku me sukses që parandalimi dhe zhdukja e dhunës kundër grave dhe vajzave, të pakën, të tërheq vëmendjen e autoriteteve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare kushtuar veprimtarive kundër dhunës ndaj Femërave dhe Grave, më 25 Nëntor.

Filed Under: Politike Tagged With: Dhuna kunder grave, Frank shkreli

Autoriteti i Dosjeve-Marrëveshje me “Zërin e Amerikës“ dhe Federatën “Vatra”

November 24, 2018 by dgreca

Marrëveshje midis Autoritetit të Dosjeve me “Zërin e Amerikës“ dhe Federatën PanShqiptare “Vatra”/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

NGA FRANK SHKRELI/

Të premten, më 23 Nëntor 2018, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), 1944-1991 postoi në faqen e tij facebook, një deklaratë me të cilën njoftohet publiku i gjerë shqiptar, brenda dhe jashtë Shqipërisë, mbi atë që cilësohet si “Institucionalizim i marrëveshjeve së AIDSSH me “Zërin e Amerikës” dhe Federatën Pan-shqiptare “Vatra”. Është kjo një nismë, nga ana e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve, sa e mirëpritur aq edhe historike, nga një ent zyrtar i shtetit shqiptar me një organizatë aq e njohur, siç është Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, e cila ka luajtur role të rëndësishme në periudha të ndryshme por vendimtare në historinë e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve dhe si organizata më e vjetër e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe marrëveshja e (AIDSSH) për bashkëpunim me “Zërin e Amerikës” në gjuhën shqipe është gjithashtu historike. Si “Vatra” ashtu edhe “Zëri i Amerikës” kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm dhe historik në jetën e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe si gjithmonë edhe sot vazhdojnë të luajnë një rol kritik në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë e Kosovës dhe midis dy kombeve tona në përgjithësi. Një delegacion i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), 1944-1991, i kryesuar nga Zonja Gentiana Sula, do të vizitojë javën që vjen, Nju Jorkun dhe Washingtonin, për të nënshkrimin e marrëveshjeve në fjalë, me drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe Zërit të Amerikës. Prania e delegacionit të (AIDSSH) në Nju Jork dhe Washington do të kulmojë me nënshkrimin e marrëveshjeve, por do ndihmojë gjithashtu pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilët mund të jenë të interesuar për procedurat e aplikimit, për zbardhjen e dosjeve të tyre. Më poshtë pason deklarata e plotë me hollësi të mëtejshme në lidhje me vizitën e delegacionit të Autoritetit në Shtetet e Bashkuara dhe nënshkrimit të marrëveshjeve për bashkëpunim midis tij dhe Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe “Zërit të Amerikës”.

Zonja Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991

“Tiranë, 28 nëntor 2018 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në datat 28 nëntor-3 dhjetor, i ftuar nga Federata Pan=shqiptare “Vatra”, në vijim të bashkëpunimeve me komunitetet brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaritë janë të hapura për publikun. Autoriteti ka zhvilluar aktivitete me në fokus kujtesën që në krijim të tij, duke u përqendruar në specifikat e bashkësisë ku është organizuar veprimtaria. Ekipi që do të kryejë vizitën në Amerikë po bashkëpunon me komunitetin tonë atje për organizimin e takimeve mbi kujtesën kolektive, nisur nga hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit; për vënien në jetë të projekteve të përbashkëta që do të diskutohen me shqiptarët atje; për projektin e dëshmive gojore, (që sapo finalizoi botimin e parë) duke e zgjeruar ndjeshëm hartën e tij me dëshmi të të mbijetuarve të diktaturës që sot jetojnë në SHBA. Vizita e AIDSSH në Nju Jork dhe Uashington, – veç komunikimit të drejtpërdrejtë me bashkësinë shqiptare në Amerikë dhe ofrimit të shërbimeve në bashkëpunim me Federatën Vatra, që lehtëson procedurat e aplikimit duke i asistuar të interesuarit, – kulmon me firmosjen e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë organizohet dhe funksionon në zbatim të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Socialiste Popullore të Shqipërisë”. Si organ i lartë shtetëror i pavarur, në bazë dhe në zbatim të dispozitave të veçanta të ligjit 45/2015, AIDSSH e vë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, duke inkurajuar dialog shoqëror pa komplekse për diktaturën, në emër të së vërtetës, pajtimit, lirisë dhe demokracisë.

Në këtë kuadër, AIDSSH synon të firmosë marrëveshje bashkëpunimi me Zërin e Amerikës, për zgjerimin e projektit të dëshmive gojore, duke e pasuruar ndjeshëm arkivin digjital të institucionit. Intervistat gojore të dëshmitarëve që u japin zë viktimave ruhen sipas parametrave në Autoritet, krahas dosjeve të Sigurimit, instrumente të pushtetit komunist. Në simpoziumin që organizohet nga Federata Vatra, veç prezantimit të projektit të dëshmive gojore dhe punës për muzealizimin e kampit të Tepelenës, të konkretizuar në botimin e parë të librit të dëshmive dhe në mbjelljen e pemëve të Memorialit të fëmijëve që humbën jetën atje, do të shfaqet filmi që e dokumenton këtë rrugëtim dhe do të shpërndahen publikimet përkatëse. Autoriteti dhe Vatra synojnë ta institucionalizojnë bashkëpunimin mes tyre me firmosjen e një marrëveshjeje të zgjeruar bashkëpunimi. Në vijim prezantohet puna e AIDSSH për hedhjen dritë në të shkuarën, duke hapur dosjet e përfaqësuesve të emigracionit shqiptar, si dhe duke paraqitur shërbimet e institucionit, fizike dhe online. Në mbyllje, të pranishmit mund të plotësojnë formularët e aplikimit dhe të marrin përgjigje për rastet individuale. Ndërkohë, bashkëpunimet e AIDSSH me komunitetin shqiptar në SHBA dhe arkivat në këtë vend do të vijojnë, me fokus krijimin e kuadrit të plotë historik, social e politik të periudhës së komunizmit të Shqipëri, duke thelluar kërkimin shkencor dhe zgjeruar mundësitë e studimit në arkivat përkatëse të kësaj periudhe, brenda dhe jashtë vendit.

Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë. Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.”

Vizita e përfaqësuesve të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Nju Jork dhe në Washington, javën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – është edhe një dëshmi tjetër se Autoriteti, përfshirë Kryetaren Gentiana Sula, është serioz në zbulimin e së vërtetës në lidhje me atë periudhë të tmerrshme të historisë shqiptare. Autoriteti është për tu rekomanduar edhe për këtë nismë, me vizitën në Amerikë, për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me “Vatrën” dhe me VOA-n – duke bërë kështu edhe komunitetin shqiptaro-amerikan, pjesë të përpjekjeve dhe bashkëpunëtor, që kanë për synim, siç thuhet edhe në njoftimin më lartë, “Kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve”, duke ndërmarrë projekte ambicioze dhe komplekse, “që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.”

Filed Under: Politike Tagged With: Autoriteti i Dosjeve, Frank shkreli, marreveshje, Vatra & Zeri i Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT