• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU SI UDHËRRËFYES I SHQIPTARËVE DHE SHËMBULL I SHKËLQYER I DIASPORËS

October 18, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank SHKRELI/

Në kuadër të aktiviteteve të Vitit Mbarëkombëtar 2018, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, në Prishtinë po mbahet një konferencë me pjesëmarrje nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Konferenca është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup.

Disa medie të Kosovës kanë njoftuar se, ndonëse Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Z. Ramush Haradinaj, kishin premtuar se do të merrnin pjesë në këtë konferencë kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, asnjëri prej tyre siç duket nuk ishte i pranishëm në këtë tubim, megjithëse ishin pjesë e programit të konferencës, të njoftuar më herët. Përfaqësuesi më i lartë i shtetit dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës që mori pjesë në këtë konferencë akademike, ishte Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra prej figurave më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi. Ministri Bytyqi theksoi se Skënderbeu, për vite të tëra shërbeu si figurë pikë nisëse e shumë proceseve të mëdha të popullit tonë dhe si i tillë, për shqiptarët e Kosovës, ai ishte shembulli me i mirë për vetëdijesimin e ndërgjegjes kombëtare. “Ai, ishte udhërrëfyesi i jonë në momentet më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë, që nga vlimet e mëdha politike në fillim vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, më pas gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në ditët tona”, tha në fund të fjalës së tij, Ministri Bytyqi. Një prej të folësve në këtë tubim akademik në Prishtinë ishte edhe Përfaqësues i Kishës Katolike të Kosovës, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Don Lush Gjergji i cili iu drejtua pjesëmarrësve me këto fjalë: “Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe i afroi Arbërit, ashtu edhe sot na afron dhe na bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë”. Në fjalën e tij, Don Lush Gjergji bëri pyetjen se çfarë na mëson sot figura, jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, për kohën dhe hapësirat tona ndërsa theksoi strategjinë largpamëse dhe vendimtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke nënvizuar se, “Takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën. Njeri që diti, deshi dhe mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë, afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesit të përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.”

Don Lush Gjergji tha se nga Heroi Kombëtar i tyre, shqiptarët në këtë vit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, mund të mësojnë shumë edhe sot, sidomos për bashkim, për bashkëpunim dhe për bashkëjetesë me njëri tjetrin. Për një bashkim, theksoi ai, “Si shprehje fuqie të bashkimit në dallime, për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështetet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin, për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në të vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale” dhe në bashkëpunim nënvizoi ai, “Si domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend, shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë, si një lloj dobësie pothuaj karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë”. Nga Prijësi i Madh, sipas Don Lush Gjergjit, duhet të mësojmë edhe bashkëjetesën, “Si shprehje atdhedashurie dhe flijimi, kërkimi të vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore, që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës”, ka thënë ai. Këtë temë siç duket trajton edhe libri më i ri i autorit Z. Jakup Krasniqi, “Skënderbeu dhe Porositë për Shekullin XXI”, që u përurua të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Duke folur për Gjergj Kastriotin – Skënderbe, të cilin ai e cilësoi si ndër figurat historike më të larta jo vetëm evropiane por edhe botërore, historiani Jakup Krasniqi ka veçuar faktin duke theksuar se ne e kemi njohur Heroin Kombëtar Skënderbeun si komandant dhe ushtar i fuqishëm, por duhet ta shohim edhe në këndin e mendimtarit të fortë, të një qeveritari që di çka do dhe jo vetëm për kohën e tij, duke i shërbyer edhe kohëve të tjera. Gjatë promovimit të librit, Z. Krasniqi ka porositur qeveritaret shqiptarë ta shfrytëzojnë pasurinë e begatë që vjen nga Skënderbeu në të tashmen dhe për të ardhmen tonë, njoftojnë disa burime mediatike të Kosovës.

Ministri Shyqiri Bytyqi e cilësoi Skënderbeun si udhërrëfyesin e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit për çlirimin e vendit, ndërsa Don Lush Gjergji u tha pjesëmarrësve në konferencë se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, “Nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415”, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sipas Don Lush Gjergjit, “Është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Terezë, e “Jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore”. Skënderbeu shtoi ai — “Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona komb-formuese dhe shtet-formuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet — mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona — nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë”, përfundoi Don Lush Gjergji, fjalën e tij përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, mbajtur në Prishtinë më 16 Tetor, 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, diaspora, Frank shkreli

ËSHTË KOHA PËR VEPRIM KUNDËR KORRUPSIONIT!

October 17, 2018 by dgreca

2frank-shkreliKonferenca Ndërkombëtare kundër Anti-Korrupcion/

2 frankNga Frank Shkreli/

Javën që vjen, më 22 deri më 24 Tetor në Kopenhagen të Danimarkës do të mbahet Konferenca e 18-të Ndërkombëtare Kundër Korrupcionit me temën, “Tani është koha për të vepruar”. Kjo konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo dy vjet — e që cilësohet si forumi më i madh ndërkombëtar në luftën kundër korrupcionit — organizohet sivjet nga qeveria e Danimarkës e përfaqësuar nga Ministria e Jashtëme e atij vendi dhe nga organizata ndërkombëtare anti-korrupcion, Transparency International, me ndihmën e degës së saj në Danimarkë.

Sipas të dhënave nga organizata Transparency International, ky forum është mbajtur dy vjet më parë në kryeqytetin e Panamasë ku kanë marrë pjesë më shumë se 1600 përfaqësues nga mbarë bota.  Edhe këtë vit, pritet që kjo konferencë ndërkombëtare kundër korrupcionit të mbledhë në Danimarkë, udhëheqës shtetesh, përfaqësues të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe më gjërë, për t’u marrë me sfidat gjithnjë e më të sofistikuara që paraqet korrupcioni kudo në botë.  Konferenca Ndërkombëtare anti-korrupcion mbahet çdo dy vjet, në një rajon të ndryshëm të botës, me qindra pjesëmarrës nga më shumë se 135-vende.  Punimet e   konferencës tre-ditore javën që vjen në Kopenhagen, do të hapen me një fjalim nga Kryeministri i Danimarkës, Z. Lark Lokke Rasmussen.  Parashikohet që të mbahen mbi 50-seanca dhe takime plenare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë, ekspertë të njohur, inovues, aktivistë, akademikë dhe përfaqsues qeverishë dhe të shoqërisë civile nga mbarë bota, të cilët do të diskutojnë mbi mënyrat për të luftuar korrupcionin, i cili po dobëson demokracitë në shumë vende të botës, thuhet në njoftimin e Transparency International.

Siç dihet, organizata Transparency International është një ent ndërkombëtar jo qeveritar me qëndër në Berlin të Gjermanisë, themeluar në vitin 1993 me objektivin për të luftuar korrupcionin anë e mbanë botës, me masa anti-korrupcion të shoqërisë cibile si dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale që rrjedhin si pasojë e praktikave të korrupcionit.

Korrupcioni në botë, sipas Transparency International, po merr forma gjithnjë e më të ndërlikuara dhe si rrjedhim po dobëson gjithnjë e më shumë proceset e qeverisjes demokratike anë e mbanë botës.  Sipas saj, përdorimi i dhunës është në rritje kundër aktivistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të cilët ngrejnë zërin e tyre kundër padrejtësive dhe korrupcionit.

Ndërsa po bëhen përgatitjet përfundimtare për forumin ndërkombëtar të këtij viti kundër korrupcionit, javën që vjen në Danimarkë, Transparency International, nga ana e saj u bën thirrje – siç shprehet ajo — të gjithëve, nga veriu në jug, për të punuar edhe më me bindje dhe me vullnet më të fortë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më të bararabart ekonomik dhe shoqëror si dhe drejt një sigurie dhe paqeje të përgjithëshme – si objektiva për një qeverisje më të mirë, që ka për qëllim edhe luftën kundër korrupcionit.

Kjo është koha për të vepruar, thekson Transparaency International, që është edhe tema e konferencës e javës që vjen, në Danimarkë.  Sipas këtij enti ndërkombëtar anti-korrupcion, ka ardhur koha tanimë për të këthyer në vepra premtimet dhe angazhimet e konferencave dhe forumeve të mëparshme ndërkombëtare për të luftuar korrupcionin dhe për të promovuar transparencën nga të gjithë.

Transparency International vepron në më shumë se 100-vende anë e mbanë botës, si pjesë e një veprimi mbarë global anti-korrupcioni, duke sfiduar këtë plagë të rëndë ekonomiko-shoqërore dhe të gjithë ata që e praktikojnë atë kudo në botë.

Në këtë frymë, kjo organizatë u bën thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave kudo në botë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje anti-korrupcion dhe që, njëkohësisht, të bëhet një forcë frymëzimi në luftën kundër korrupcionit.  Koha për të vepruar kundër korrupcionit është tani!  Si pjesë e festimeve me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Transparency International — në Ditën e Ndërkombëtare të Anti-Korrupcionit më 9 Dhjetor, 2018 — njoftohet se në bashkpunim me Ministrinë e Gjermanisë Federale të Bashkpunim dhe Zhvillim Ekonomik, do të nderohen disa të rinjë e të reja nga mbarë bota, të cilët sfidojnë korrupcionin me mjetet më frymëzuese dhe inovative që është e mundur.

Natyrisht, se përpjekjet serioze të rinisë kudo qoftë kundër korrupcionit dhe për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë në vendet ku jetojnë, do të kontribojnë dukshëm në luftën kundër këtij fenomeni global, por siç sugjeron edhe tema e Konferencës Ndërkombëtare Anti-Korrupcion e javës që vjen në Kopenhagen të Danimarkës – nuk ka kohë për të humbur, pasi koha për veprim kundër korrupcionit, jo vetëm nga të rinjët e të rejat, por nga të gjithë, është tani!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ËSHTË KOHA PËR VEPRIM, Frank shkreli, kundër korrupsionit

ÇDO DITË NË MBROJTJE TË LIRISË SË FJALËS

October 12, 2018 by dgreca

JEP NDIHMËN TËNDE ÇDO DITË NË MBROJTJE TË LIRISË SË FJALËS/1 frank-shkreli-1

“Demokracia nuk mund të mbijetojë pa një debat të informuar, të hapët, dinamik dhe publik.”/

Nga Frank Shkreli/

“Jep ndihmën tënde çdo ditë në mbrojtje të fjalës së lirë”, është motoja e Reporterve Pa Kufij ose Reporters Sans Frontières(RSF), një organizatë kjo jo-qeveritare, ndërkombëtare dhe jo fitimprurëse, me qëndër në Paris të Francës, e cila si mision të saj ka mbrojtjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit. Siç është venë re, sidomos vitet e fundit, udhëheqës autokratë anë e mbanë botës e kanë venë në shënjestër lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit.  Si përfundim, organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë paralajmëruar për keqësimin e lirisë së shtypit dhe për kufizimin e fjalës së lirë në shumë vende të botës, pikërisht nga këta lloj autokratësh dhe despotësh, të cilët e shikojnë shtypin dhe fjalën e lirë, si pengesën kryesore për ta dhe si një ferrë në sy.  Por, fatbardhësisht, janë shtuar gjithashtu edhe kritikat — nga individë dhe nga organizata siç është edhe Reporterët Pa Kufij, mbrojtës të të njohur të lirisë së fjalës — ndaj qëndrimeve të këtyre autokratëve dhe despotëve anë e mbanë botës, për mënyrën se si ata trajtojnë gazetarët dhe medien në përgjithësi, në vendet ku ata ushtrojnë pushtetin e tyre me dorë prej hekuri.

Me një nismë, në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të lirisë së medies në përgjithësi, muajin që kaloi, organizata Reporters Sans Frontiers, (emri i saj në frëngjisht), njoftoi themelimin e entit global të quajtur, Komisioni për Informacion dhe Demokraci, 70-vjet pas miratimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara.  Në një njoftim për medien, me këtë rast, organizata Reporterët Pa Kufij, tha se Komisioni për Informacion dhe Demokraci, përbëhet nga 25 figura të njohura botërore, përfshirë gazetarë të dalluar, nga 18-vende të ndryshme, të cilët kanë marrë përsipër përpilimin e një Deklarate mbi Lirinë e Informacionit dhe Demokracinë.

Komisioni në fjalë do të bashk-kryesohet nga fituesja e çmimit Nobel për Paqë, Dr. Shirin Ebadi, një avokate me origjinë iraniane dhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe nga Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës Reporterët Pa Kufij, francezi, Christopher Deloire.  Në këtë Komision, ndër të tjera figura të njohura botërore, përfshirë gazetarë dhe ekspertë të fushave të tjera, bëjnë pjesë gjithashtu nobelisti për ekonomi, Joseph Stiglitz dhe novelistja peruviane, Amartya Sen, si dhe nobelisti për letërsi Mario Vargas Llosa dhe avokati nigerian i të drejtave të njeriut dhe fitues i Çmimit të Parlamentit Evropian, “Sakharov”, Hauwa Ibrahim.Në njoftim thuhet se ky Komision ndërkombëtar po themelohet në një kohë kur, “Kriza e besimit në demokraci dhe influenca në rritje e sipër e regjimeve despotike përbëjnë një kërcënim të madh ndaj lirisë, harmonisë civile dhe paqës”, janë shprehur dy bashk-kryetarët e Komisionit të Informacionit dhe Demokracisë, duke bërë të njohur këtë nismë për publikun e gjërë.  Arsyet kryesore për këtë situatë të krijuar, theksojnë ata, në përcaktimin e misionit të këtij enti të ri ndërkombëtar, janë, “Kontrolli politik i informacionit në hapësirën publike globale, influenca e interesave private, influenca në rritje e sipër e aktorëve të korporatave të cilët anashkalojnë kontrollet demokratike, si dhe minimi i gazetarisë së mirëfilltë dhe cilësore”, na të gjithë këta faktorë.

Information

Në dokumentin ku përcaktohen parametrat e misionit të veprimtarisë së  Komisionit, theksohet se në Deklaratën — që do të përpilohet nga ky grup figurash publike të njohura botërisht – “Do të vendoset për një sërë parimesh, do të përcaktohen objektivat për t’u realizuar nga vendim-marrësit, ndërkohë që dokumenti do të shërbejë si një pikë referencë, për të mobilizuar të gjithë ata të cilët janë të zotuar se do të mbrojnë hapësirën pluraliste publike, e cila është e doemosdoshme për funksionim e një demokracie të vërtetë.” 2 Frank

Nismëtarët e këtij projekti thonë se qëllimi përfundimtar i gjithë kësaj pune është që të sigurohet një angazhim ndërkombëtar në mbështetje të lirisë së informacionit dhe demokracisë nga qeveritë e ndryshme, nga përfaqësues të kompanive të sektorit privat dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.  Drejtë këtij objektivi, organizata Reporterët Pa Kufij, thotë se pret që procesi politik, në këtë drejtim, të ndërmerret nga vet udhëheqsit e vendeve demokratike në bazë të Deklaratës që do të përpilohet nga ky Komision, e që më në fund, sipas tyre, do të çojë në një, “Zotim Ndërkombëtar për Informim (të lirë) dhe Demokraci.

Organizatorët u shprehën se udhëheqsit e botërorë në të gjitha kontinentet janë njoftuar me letër për sa i përket kësaj nisme dhe se organizata Reporterët Pa Kufij shpreson se ata do të ndërmarrin angazhimin që u kërkohet në mbështetje të lirisë së medies dhe demokracisë. Propozuesit e kësaj nisme presin që udhëheqsit botërorë të zotohen për zbatimin e këtyre parimeve, aty nga fillimi i muajit që vjen, kur në Paris do të mblidhen dyzina kryetarë shtetesh dhe qeverishë për të shënuar 100-vjetorin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore me 11 Nëntor dhe Konferencës së Paqës më 11-13 Nëntor dhe Forumi mbi Internetin më 12-14 Nëntor, që do të mbahen në kryeqytetin francez.

Njoftohet se Komisioni në fjalë është takuar për herë të parë më 11 dhe më 12 Shtator në Paris dhe pritet t’i jap fund punës mbrenda dy muajsh, për të pasur gati Deklaratën për takimet e lartë përmendura, në fillim të Nëntorit, në Francë.  Në këtë ndërkohë, njoftojnë organizuesit, kanë filluar tanimë edhe konsultimet ndërkombëtare me një numër personash dhe organizatash të interesuara për lirinë e fjalës dhe për fatin e demokracisë anë e mbanë botës, para se të bëhet tepër vonë, sepse sipas deklaratës që përcakton misionin e saj, “Demokracia nuk mund të mbijetojë pa një debat të mirë-informuar, të hapët, dinamik dhe publik.”  Demokracia nuk Pret!

ANTARËT E KOMISIONIT

1 anetaret e Komisioniy

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ÇDO DITË NË MBROJTJE, Frank shkreli, SË FJALËS, të lirisë

Çka po ndodh me Valdanosin e Ulqinit?

October 10, 2018 by dgreca

frank-shkreli-c1200x600_1483019744-6022796-1frank8-768x428

Nga Frank SHKRELI/

Gjiri i Valdanosit shtrihet në një largësi prej 4 miljesh nautike në veri-perëndim të qytetit të Ulqinit midis Mavrianit dhe Mendrës, në formën e një patkoi të ngushtë. Është me të vërtetë një bukuri e natyrës. Ullishta e Ulqinit që gjendet në afërsi të Valdanosit, thuhet se ka rreth 80.000 ullinj duke e bërë këtë ullishte – pas asaj të Tivarit – të dytën në bregdetin e Adriatikut për nga numri i rrënjëve të ullirit. Sipas burimeve vendase, vjetërsia e disa prej ullinjve në atë zonë duhet të jetë mbi 800 vjet, por disa prej tyre mund të jenë edhe më të vjetër, duke filluar nga periudha antike e shekullit V, para Krishtit. Vaji i ullirit shumë i njohur i Ulqinit, me aromën karakteristike të tij, konsiderohej dikur si një mall me shumë vlerë, baras me floririn dhe tregtohej me qendrat tregtare të botës së vjetër historike, si Trieste, Venediku, Roma dhe Kajro, por edhe me qytetet arbërore, si Shkodra, Shkupi, Prizreni e tjera.

Toponimia historike e tërësisë së emrave të Valdanosit tregon qartë se kjo zonë ka qenë gjithmonë e banuar nga shqiptarët dhe se shqiptarët kanë qenë dhe janë pronarë të parcelave të kësaj zone. Si shembuj të toponimisë, në shpatin e kodrës së Mendrës gjendet shpella – gryka shkëmbore e gërryer nga deti – e ashtuquajtur Mjekra e Vezirit. Para hyrjes në grykën e Valdanosit, rrëzë kodrës gëlqerore të Mavrianit, valët e detit kanë hapur Shpellën e Ujkut, mbi të cilën ngrihet, Shkëmbi i Zanës, kurse buzë majës së gjirit janë dy burime: Kroi i pishave dhe Kroi i zanave. Në afërsi të drejtpërdrejtë të shpellës Mjekra e Vezirit, afër fanarit të Mendrës, është edhe Shpella e Pëllumbave. Midis Valdanosit dhe Gjirit të Ranës fshihet një varg gjiresh të vogla me plazhe ranore e lugje shkëmbore.Në veriperëndim të Valdanosit, në drejtim të Tivarit, shtrihen gjiret e Krythes, Ulqinit të Vjetër dhe Kruçit. Por ekziston edhe interpretimi i linguistit vendas, Ruzhdi Ushakut, i cili ka thënë se Valdanosi është toponim nga fjalët shqipe, vallja e nuses, duke theksuar që edhe në hartat më të vjetra, Valdanosi është shënuar si ‘vale di nusi’. Ndërsa kur flasin për Valdanosin, ulqinakët këtë e bëjnë me dashuri të veçantë, sikur i drejtohen gruas më të bukur, “shtojzovalles” apo floçkës (sirenës), duke qenë të bindur se ky është gjiri i tyre, vendstrehimi i shtojzovalleve.

Sipas disa burimeve, shumë prej familjeve ulqinake kanë edhe dokumentacionin (që prej kohës së okupimit turk) për pronësinë e tyre të parcelave të ndryshme në Valdanos, derisa ato u shtetëzuan pa drejtësisht nga ish-regjimi komunist jugosllav për qëllime të veta. Si rrjedhim, Jugosllavia komuniste përvetësoi ilegalisht mallin e familjeve shqiptare në Valdanos duke e kthyer këtë perlë të Adriatikut në një pushimore ushtarake, por që që prej shembjes së ish-Jugosllavisë, pushimorja nuk ka funksionuar më si e tillë. Kaq sa për një histori të shkurtër për Valdanosin, për të cilin shumë lexues mund të mos kenë dëgjuar kurrë. Ç’po ndodh sot me Valdanosin dhe me tokat – gjithsejt 670.000m2, sipas disa burimeve – që dikur ishin të shqiptarëve vendas të zonës së Ulqinit por që u janë marrë atyre ilegalisht, gjysmë shekullin e kaluar, nga regjimi komunist ish-jugosllav, për t’i kthyer ato në pushimore ushtarake? Ajo që po ndodh sot në Valdanos, sipas disa burimeve në portalin Ulqinionline, “Ministria e Financave e Malit të Zi është duke shqyrtuar kërkesën e kompanisë “MN Invest” nga Nikshiqi, e cila do që të shkëmbejë 670 000 m2 në Bogetiq të Nikshqit, me të njëjtën sipërfaqe në Valdanos të Ulqinit.

Ministria e Financave, sipas gazetës malazeze “Vijesti”, për këtë shkëmbim toke i ka kërkuar gjoja mendimin Komunës së Ulqinit, por kjo duket si një kërkesë sa për sy e faqe, pasi Podgorica nuk është e detyruar ta marrë në shqyrtim mendimin ose qëndrimin e autoriteteve të Komunës së Ulqinit për të vendosur mbi shkëmbimin e pronave të shqiptarëve në Valdanos me tokat shkëmbore afër Nikshiqit, shkruan portali Ulqinionline. Siç mësohet nga informacionet e deri tanishme mbi këtë çështje, në Ulqin duket se ekziston një befasi dhe konfuzion i tërë në lidhje me vendimin që është marrë në Podgoricë, pa u këshilluar fare me autoritetet vendore të Komunës së Ulqinit, e me ish-pronarët e parcelave në Valdanos, jo se jo – tokën e të cilëve në Valdanos, e shikoni foto më poshtë – zyrtarët malazezë duan ta shkëmbejnë me disa prona shkëmbore në Bogetiq të Nikshiqit. Siç duket askush nuk i ka pyetur familjet pronare ulqinake – mbi 204 prej tyre – sipas disa burimeve, nëse duan që të shkëmbejnë parcelat e tyre në bregdetin ulqinak me toka shkëmbore afër Nikshiqit, pasi atje nuk besoj të ketë toka të tjera, veç shkëmbinjve.

Në një kumtesë për opinionin e gjerë – subjekti politik shqiptar në Ulqin, “FORCA” shpreh habinë e tij në lidhje me njoftimin nga Podgorica duke thënë se, “Tani është paraqitur një ndërmarrje “MN Invest” nga Nikshiqi, e cila për çudi të madhe dëshiron të merret me prodhimin e ullinjve në pronat tona, të marra nga shteti në mënyrë të padrejtë. Jo zotërinj, nuk është e nevojshme që dikush nga Nikshiqi, apo nga cilido vend tjetër i botës të merret me kultivimin e ullinjve në tokat tona. Ne, ullinjtë i mbjellim dhe i kultivojmë vetë.” Ndërkaq, duket se kjo çështje është subjekt i një seance të radhës gjyqësore malazeze, që do të mbahet në Podgoricë nga fundi i këtij muaji – mbi kërkesën e pronarëve legjitimë, që pronat në Valdanos t’u kthehen atyre, pronarëve legjitimë. Përveç kësaj, disa burime bëjnë të ditur se kjo çështje, si rrjedhim i ankesave, do të shqyrtohet gjithashtu edhe nga institucione ndërkombëtare, të cilat pritet që të japin edhe ato gjykimin e tyre përfundimtar mbi kthimin e mallit dhe tokave në Valdanos, pronarëve legjitimë të rrethit të Ulqinit. Por, sipas një njoftimi, gjithashtu në portalin Ulqinionline, nga Lëvizja qytetare “Ura”, e cila shprehet rreptësisht kundër shkëmbimit të tokës së Valdanosit, thuhet se çështja e pronave në Valdanos është një “çështje politike” dhe se pa vullnet politik, toka nuk do t’u kthehet pronarëve të mëparshëm.” Lëvizja “Ura” fajëson Presidentin aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për mungesë të vullnetit politik për të zgjidhur këtë çështje dhe kërkon nga autoritetet vendore të Ulqinit që të “Kundërshtojnë fuqishëm këtë kërkesë (të Ministrisë Malazeze të Financave), dhe në qoftë se duhet të diskutojmë dhe në Kuvendin komunal në mënyrë që të japim përgjigje të fortë dhe të qartë për këtë devastim, i cili nuk është aspak në interes të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes “Ura”.

Fatkeqësisht, për pronarët legjitimë shqiptarë të tokave të tyre në Valdanos, siç duket ashtu si po shkojnë punët deri tani, megjithëse mund të ketë ende kohë, para se të jetë tepër vonë, duhet që të mobilizohet faktori ndërkombëtar, Tirana dhe Prishtina zyrtare, por mbi të gjitha, opinioni publik i banorëve të Ulqinit dhe sidomos i faktorit politik shqiptar në ato troje, për t’i dalë përpara këtij vendimi, mundësisht për të ndaluar këtë masakër shpronësimi ilegal të pronarëve shqiptarë. Ky vendim nga ana e autoriteteve zyrtare të Podgoricës – në qoftë se ia dalin ta çojnë në vend, pas apeleve gjyqësore kombëtare dhe ndërkombëtare – nuk është vetëm një vendim ekonomik, por është thjeshtë një ndërmarrje – e menduar mirë dhe gjatë – politike dhe uzurpuese e tokave shqiptare në atë ato troje – e menduar mirë dhe gjatë– me qëllim për të shtuar popullsinë sllave dhe për të pakësuar numrin e shqiptarëve në zonën e Ulqinit, duke shkaktuar, me një vendim të tillë shpronësimi ilegal, që shqiptarët të braktisin në një numër sa më madh tokat e tyre stërgjyshore.

Filed Under: Featured Tagged With: Çka po ndodh, e Ulqinit?, Frank shkreli, me Valdanosin

SHKELJET E LIRISË SË SHTYPIT, OKB-ja… “ANTISHPIFJA” E KRYEMINISTRIT RAMA

October 9, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli/

Siç dihet, Asamblea e Përgjithëshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB-së) para disa ditësh ka përfunduar punimet e sesjonit të 73-të të saj në Nju Jork. Ky takim vjetor konsiderohet si mbledhja më e rëndësishme botërore, ku marrin pjesë udhëheqsit më të lartë të shteteve anëtare të OKB-ës.  Çdo vit, Asamblea e Përgjithshme përcakton, paraprakisht, temat me të cilat do të merret OKB-ja për vitin që pason dhe njëkohësisht përcakton edhe rendin e çështjeve prioritare të cilat shqetësojnë OKB-ën dhe vendet anëtare të saj.

Përveç përfaqusesve të lartë të shteteve anëtare të organizatës botërore në Nju Jork, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-ës marrin pjesë edhe individë dhe organizata të ndryshme jo-qeveritare nga mbarë bota, të cilat e përdorin këtë rast për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj shqetësimeve të tyre — mbi çështjet me të cilat ata merren, si individë dhe si profesionistë — para OKB-ës si organizatë dhe udhëheqsve më të lartë të botës dhe përfaqsuesve të tyre.

Një ndër këto organizata jo-qeveritare e cila mori pjesë në një grup diskutimi,  – në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-ës – ishte edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.  (Instituti Mbretëror i Londrës për Punët Ndërkombëtare sa po ka njoftuar se fituesi i çmimit prestigjoz “Catham House” për vitin 2018 është pikërisht, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.  Ky çmim u jepet çdo vit, një personi, personave ose organizatave që sipas antarëve të Catham House kanë dhënë kontributin më të madh drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve sipas një njoftimi për shtypin, e fitoi këtë çmim prestigjoz për përpjekjet e tij në mbrojtje të drejtës së gazetarëve për të raportuar lajmet pa frikë nga ndëshkimet, në një kohë jur liria e shtypit është nën trysni në shumë pjesë të botës.  Duke reaguar ndaj këtij njoftimi, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Joel Simon u shpreh se, “Ky nderim është një afirmim i rolit të gazetarëve – sidomos i atyre vendas – për të informuar botën. E vërteta nuk është një koncept që vendoset nga udhëheqsit politikë, por është një koncept që formohet nga kuptimi dhe nga vrojtimi i ngjarjeve që vetëm mund t’i japë gazetaria”, tha Z. Simon duke komentua dhënjen e çmimit prestigjoz, Catham House” organizatës që ai kryeson

Komiteti për Mbrojtjen e gazetarëve është një organizatë ndërkombëtare me prestigj me qendër në Nju Jork, i cili promovon lirinë e shtypit anë e mbanë botës dhe mbron të drejtën e gazetarëve që të shkruajnë dhe të raportojnë lajmet lirisht dhe pa frikë se do të ndëshkohen nga autoritetet qeveritare, në cilindo vend të botës qoftë.  Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Gazetarëve, Joel Simon mbajti një fjalim në Nju Jork, para një grupi ndërkombëtar të interesuar për gjëndjen e lirisë së shtypit në botë  dhe mbrojtësish të gazetarëve.  Kjo mbledhje kishte për qëllim që, në kuadër të sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, të viheshin në dukje shkeljet flagrante të lirisë së shtypit në botë, si dhe për të të tërhequr vëmendjen e të fuqishëmve ndaj praktikave të papranueshme të disa qeverive, që burgosin gazetarët anë e mbanë botës, vetëm e vetëm sepse bëjnë punën e tyre.  “Për vite me radhë”, tha Z. Simon, “Kemi diskutuar me OKB-ën si dhe me institucionet dhe me entet e saja përkatëse, për çështje që kanë të bëjnë me lirinë e shtypit dhe me të drejtat e gazetarëve…Ne kemi shprehur shqetësimet tona për vrasjet e gazetarëve anë e mbanë botës, dhe për  çështjen e mosndëshkimit të atyre në autoritet që abuzojnë me lirinë dhe me të drejtën e gazetarëve.  Kemi biseduar gjithashtu edhe mbi mbrojtjen e gazetarëve të cilët punojnë në zona konflikti” ka thënë ai. Ai është shprehur se kemi venë re një gatishmëri në rritje nga ana e disa zyrtarëve të OKB-ës për të biseduar për këto çështje, por shtoi Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve se, njëkohsisht, “Ne jemi të detyruar të pranojmë se kushtet e këqia në punën e përditshme nuk kanë ndryshuar pothuaj aspak për gazetarët, anë e mbanë botës.”

1 Simon

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Joel Simon duke folur në Nju Jork më 28 Shtator. (CPJ/Gulnoza Said)

Simon theksoi vështirsitë me të cilat ndesh organizata e tij për mbrojtjen e gazetarve dhe të lirisë së fjalës, sidomos kur është fjala për   burgosjen e pa drejtë të gazetarëve, anë e mbanë botës. Kjo situatë, nënvijoi ai, ekziston sepse për këto abuzime të rënda — siç është burgosja e pa drejtë e gazetarëve — janë përgjegjëse, drejtë për drejtë, qeveritë e ndryshme dhe se Organizata e Kombeve të Bashkuara mishëron një kulturë, në bazë të cilës rradhë ndodhë që ajo të kritikojë vendet anëtare për abuzime të tilla, ka theksuar Drejtori i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve në mbledhjen mbi lirinë e shtypit dhe mbi të drejtat e gazetarëve, që u mbajtë në fillim të punimeve të sesionit të 73-të Asamblesë së OKB-ës, muajin që kaloi në Nju Jork.  Z. Joel Simon u tha të pranishëmve se numri i gazetarëve të burgosur në botë ka arritur nivele të një ngjarjeje të pa precedent. “Në mbarim të vitit që kaloi, anë e mbanë botës ishin të arrestuar 262 gazetarë, numri më i madh që është shënuar ndonjë herë nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve” informoi ai të pranishmit. “Burgosja e gazetarëve është një formë brutale e cenzurës dhe po afekton shumë negativisht në përhapjen e lirë të informacionit në mbarë botën. Ka ardhur koha që (Organizata e Kombeve të Bashkuara) të ngrejmë zërin për këtë brutalitet dhe t’i thërrasim me emër abuzuesit, cilët do qofshin ata”, ka përfunduar fjalën e tij Z. Joel Simon, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe të lirisë së fjalës.  Ai tha se Turqia është në vend të parë për burgosjen e gazetarëve, e cila, sipas tij, në fund të vitit të kaloi kishte 73 gazetarë të burgosur.

Simon u kujtoi të pranishëmve, Nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut – që është dokumenti themelor i Organnizatës së Kombeve të Bashkuara – në bazë të cilit tha ai, “Secili prej nesh ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë informacion nepërmjet cilido burim ose medium qoftë dhe përtej kufijve ndërkombëtarë. Por, si mund të ushtrojmë këtë të drejtë kur gazetarët të cilët na informojnë nga dita në ditë, futen në burg për përpjekjet e tyre për të na informuar”?, ka pyetur ai.

frank2

Ndërkohë që ka bërë thirrje që kjo çështje të diskutohej urgjentisht nga udhëheqësit botërorë në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.  “Është kjo një çështje shumë me rëndësi e cila nuk mund të injorohet më gjatë, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ai.

Ndërkohë që në kuadër të sesjonit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara po diskutohej, si më lartë, për lirinë e fjalës dhe për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve kudo në botë, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama njoftoi në Tiranë paketën ligjore të quajtur “Antishpifje”, me qëllim të kufizimit të fjalës së lirë.  Nuk e di nëse Z. Rama e ka menduar seriozisht këtë paketë ligjore, pasi mund të bie ndesh me ligjet kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe të lirisë së të shprehurit, siç është, ndër të tjera, edhe Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, që citoi Z. Simon. A po është kjo nismë një përpjekje solo e Kryeministrit shqiptar që me këtë paketë ligjore —  pa u konsultuar me askënd – ka vendosur të kufizojë kritikat ndaj qeverisë dhe punës së enteve shtetërore.  Ashtu siç ka thekësuar edhe Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtje të Gazetarëve, në diskutimin për lirinë e shtypit në botë (në kuadër të punimeve të OKB-ës në Nju Jork), është detyrë e qeverive që këto të drejta, përfshirë lirinë e shtypit, të fjalës së lirë dhe shpërndarjes së lirë të informacionit – të drejta këto të sanksionuara edhe në Kushtetutën e Shqipërisë dhe nga dokumente të shumta kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare – të mos kufizohen me paketa ligjesh, por të mbrohen dhe të kultivohen.  Pa marrë parasysh se cili mund të jetë qëllimi përfundimtar i Z. Rama me një propozim të tillë, fatkeqësisht, janë nisma si ajo e Kryeministrit të Shqipërisë për një projekt-ligj, siç e ka quajtur ai, “Antishpifje” — dhe deklarata të udhëheqsve të tjerë si ai anë e mbanë botës, për të vendosur me ligj kufij ndaj shprehjes së lirë  — që e bëjnë punën e gazetarëve gjithnjë e më të vështirë dhe më të rrezikshme, kudo në botë, pa përjashtuar edhe Shqipërinë.  Thonë se liria e shtypit është e para që e pëson në radhën e humbjes së lirive të tjera.  “Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet, pa e humbur fare”.

1 Jefferson.JPG

(Thomas Xheferson, autori kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe Presidenti i tretë i këtij vendi, mbrojtës i flakët i demokracisë dhe i të drejtave të individit).

 

Filed Under: Featured Tagged With: Antishpifja, Frank shkreli, OKB, Rama, Shkeljet e Lirise se shtypit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT