• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TÁLLJE ME …TALLAVÁ

May 3, 2023 by s p

Frano Kulli/

Kolona muzikore, me motive orientale e me spërdredhje çengijash e shfaqur si gjetja e fushatës së sivjetme të Partisë së pushtetit, që në zhargonin e vulgut njihet me emrin tallava u pasua me kundërrreagimin e përkuljes së gishtit të mesit e të ngritur përpjetë prej palës tjetër respektive kundërshtuese.Të dyja qasjet u drejtohen zgjedhësve, si shije të parapëlqyera prej tyre, thonë. Të dy palët përbetohen se kështu e duan zgjedhësit, pra kështu e do njerzia shqiptare. Edhe pse, si kategori estetike, njëra formë e mostruar si edhe tjetra, emërtohen e shëmtuara e për këtë janë mjaftueshmërisht të vetëdijshëm të dy prijësit. Sidomos i gjithpushtetëshmi i udhëheqësve që, siç është e ditur vjen nga bota e artit. Por…populli, njerëzia pra që i zgjedh ata, kështu e dashka, na thonë. E ndaj janë improvizuar e kuruar me kujdes prej njërës edhe prej tjetrës palë. Si formë e shije e parapëlqyer e popullit !!

Thua të jetë me të vërtetë kështu ?!

Njëri prej të dy kuptimeve të foljes tall, prej së cilës e merr kuptimin edhe emri tallje, sipas fjalorit të gjuhës shqipe, është: e gënjej dikë me fjalë, e mbaj me shpresa e me premtime, e vë në gjumë… Dhe sa më e hollë tallja, pra sa më e gjetur dhe inteligjente fraza tallëse dhe sa më e lëmuar ajo të jetë, aq më ndikuese dhe e efektëshme ajo është; aq më shumë ndikim ajo ka në “përgjumjen” e të tallurit. Sepse, duke qenë e tillë ajo përcillet tek i talluri si një e vërtetë dhe jo ashtu siç ajo është. Zakonisht tallësit janë njerëz të mençur e veçanërisht të artikuluar. (Edhe zevzekë, sigurisht, që s’e kanë për gjë t’i bien në qafë tjetrit).Udhëheqësit suprem të këtyre dhjetë viteve të fundit në Shqipëri, zotit Edi Rama, kjo formë, pra tallja i ka funksionuar me sukses. Falë edhe aftësisë së tij të dallueshme artikuluese, të cilën, sipas meje, shpesh herë ia nënçmojnë me të padrejtë, tallja i është çmuar si zotësi e për këtë është shpërblyer. Dhe jo pak, po me pushtet gati…monarkik. Do vite më parë kur ai doli në mejdanin e votëmbledhësit me tepsi e timon, pa përmendur se çka bërë nga ato gjëra që kishte premtuar në kohëpushtetërimin e mëparshëm katërvjeçar pa bërë premtime të reja, votëdhënësit e besuan, ia mbushën torbën me vota e ia rrasën edhe më thellë në kokë kurorën e mbretërimit sundimtar. Tallja me zgjedhësit , sidomos në dy a tri fushatat e fundit elektorale, tek ne është bërë rutinë; një e dhënë prioritare për të qenë politikan i suksesshëm në Shqipëri. Atje ku ta pranojnë me kënaqësi talljen, s’është më e nevojëshme ta mprehësh mendjen…. Ndoshta edhe për arsyen se herën e mëparëshme tallja nuk ka qenë kaq ashiqare, se e ke ka pasë një thelb të kërkesës: ma jepni mua timonin, ta drejtoj i vetëm makinën e pushtetit e jo me të tjerë nëpër këmbë dhe do të provononi …një udhëtim të sigurtë drejt vetë lumturisë. Dhe ia besuan timonin, në mos për tjetër, me ia dhënë edhe mundësinë e një sprove të re. Ani pse sprova doli e “shpuar” në të gjitha anët. Në vend të premtimit të gjelbrimit të rrafshtë qytetës u rritën përpjetë qiellgërryeset, në vend të drejtësisë së reformuar u shpartallua edhe ajo e pakta sa ç’ishte; u burgosën katundarë për një kësollë pa leje, teksa “djegësat me leje” të mbetjeve urbane kapërdijnë miliona edhe mbuluar me heshtjen e drejtësisë së reformuar. Në vend të demokracisë më të përparuar u rrënua opozicioni e u bë si teneqe e shpuar me njëqind vrima. Sigurisht për mëkatet e veta e të prijësave të saj, por edhe me bekimin e tij e me të shtymen (shtytjen) e tij me sa i “hangri krahu”, me kombëtarë e me ndërkombëtarë, me miq e jo miq, me dreqin e me të birin. Deri tek ajo pamja e posterit sa…i gjithë opozicioni përfaqësohet me të zezën e përposhtëme të prijësve të tij. Ani pse ,në të vërtetë, kundërshtia opozitare vlon; asaj i shton zjarr përditë qeverisja skandaloze, që rrokullis teposhtë prosperitetin e të ardhmen tonë.

Kurse kjo tallavája lodron si një tallje që s’ndalet . Një tallje aspak e zgjuar dhe si e tillë edhe më poshtnuese për ne njerëzinë mbarë. Thua me të vërtetë këtë meritojmë ?! Përsëri ?…

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

At’ Kola, “Frati i Hotit”, si At’ Benardini i “Visareve të Kombit”…

April 24, 2023 by s p

Frano Kulli/

At Kolë Berisha vjen pa mëdyshje e hyn në aradhen e “Françeskanëve të M’dhaj”, jo për hatër, por sepse ka vendin e vet aty; atë vend, ai e ka “zanë ” me veprën e vet. Një aso vepre që se ka peshën e veprës së Fishtës a Prendushit, Harapit a Pal Dodajt, Justin Rrotës a Martin Gjokës , me të vërtetë. Por që ai është përvijues i denjë i At’ Benardin Palajt e Donat Kurtit po. I atyre dijetarëve e zelltarëve të mëdhenj, që i sollën albanologjisë shqiptare e folklorit në veçanti “Visaret e Kombit”, të pavdekshme dhe “Përrallat kombëtare”
Të parët studiues, që i kodifikojnë ato vlera të trashëgimisë sonë dhe i kthejnë nga gjendja orale (gojore) e tyre në një kolanë botimesh të mirëfillta studimore e shkencore, duke ruajtuar gjendjen e tyre burimore, pra autenticitetin e tyre, është libri “Visaret e kombit”. Mbledhë e kodifikue prej At Benardin Palaj e At Donat Kurtit. Dy françeskanë, të cilët në misionin e tyre kulturor atdhetar, kishin eksploruar në imtësi dhe më pas i kishin përmbledhur hulumtimet e tyre në librin e sipërpërmendur, “Visaret e Kombit”. Me nëntitullin: Kangë kreshnikësh dhe legenda, libri përmban këngë kreshnikësh dhe legjenda, të mbledhura dhe të redaktuara nga dy autorët e sipërpërmendur. Çka do të shënonte edhe të parën punë të mirëfilltë studimore moderne në këtë fushë. Do ta vijojnë këtë punë-mision edhe Prof. Karl Gurakuqi e Filip Fishta. Edhe ata, referuar teksteve të botuara tashma, i përgatisin për botim dhe ia paraqesin lexuesit të interesuar të zgjedhura e të komentuara. Kurse i gjithë korpusi, përgjatë atij viti jubilar, pra 1937, përmbush 15 vëllime (gjithnjë nën titullin “Visare të kombit”) me krijimtari folklorike, tashmë jo vetëm nga eposi , por nga të gjitha zhandrret e kësaj fushe të krijimtarisë së popullit, me një shtrirje nga e gjithë bota shqiptare, nga veriu në jug si dhe nga shqiptarër e Greqisë dhe Arbëreshët e Italisë.
“At Bernardini ishte frati i kangvet ”, do të thoshte për tê Ernest Koliqi.-Nuk e dij se kush pat thanë qi gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Balkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis’ asht populli i ynë. Kjo e vërtetë, më shëndriti para syve të mendes në Palç,[fshat në krahinën e Nikaj-Merturit] në qelën e Fratit të Kangve. Ai, në vetmin e gjatë të malit, i ka vu veshin kangës së pashtershme qi buron shi nga zemra ma e thellë e kombit arbnuer edhe ia ka rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhunuene të qelës së Palçit, flen fara e prendvernave të përtardhuna të poezisë re shqiptare.
Porse kjo ka qenë “zeja” e krejt “Françeskanve të mdhaj” të Shqipërisë. E atyre meshtarëve, famullitarë të malësive kryesisht, që sot e kurdoherë përbëjnë një copë ashti të kombit …At’ Kolë Berisha, njëri prej tyre, fort i shenjuar në këtë “zeje”.
Edhe sikur të mos keshë pasë rastin me i pá krejt “turrat e letrave të zverdhuna” të At Kolës, por vetëm disa prej tyre e le ma pastaj të kesh shfletuar disa prej shumë daktiloshkrimeve, që ai i ka lanë fort bukur të sistemuara aty në një odë në Kuvendin françeskan të Tuzit, përqasja me përshkrimin e Koliqit për “Fratin e kangëve”, At Benardin Palajn të vjen vetvetishëm. Ngjasimin e përshkon i njejti fill: hulumtimi, përmbledhja e kodifikimi i thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare. Dikush këngët e vallet , extratin shpirtnor të popullit, e dikush tjetër pa interferue te pararendësi, të tjera dhunti të kulturës doksore e zakonore shqiptare. Po edhe të kulturës materiale, jo shpirtnore të saj. Pader Kola, na vjen si vijimtari i shenjuar i kësaj tradite. Librat e botuar por, po aq lënda që ka lënë të daktiloshkruar, edhe pa iu nënshtruar një rendi të mirëfilltë studimor, por vetëm një vozitje përkitazi, ta ngulisin të përplotë mendimin se ato janë punë të mirëfillta ditunore, ardhur prej hulumtimeve të gjata, sidomos nëpër male, ku jeta gëlonte “shtirë” (si thonë malsorët) si lulja në gur. E prap të ndërmendet Koliqi, teksa përshkruan impresionet e veta prej vizitës që i bënte mikut të vet, At Benardinit: “… Ato çasa të shkurtë trishtimi midis malesh më bajnë të mendoj vetmín e kishtarve, të mësuesve, të nëpunsave t’anë qi jetojnë nder vise ma të humbuna t’atdheut. Sidomos merzija e gjatë dimnore, kur bora për gjashtë muej pret çdo marrëdhanje me qytete, tham do të jetë e tmerrshme. Por ndoshta e shumta mësohen. Ata qi nuk mund të mësohen në shkretí, vuejnë, por sigurisht ua lehtëson vuejtjen vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.”
Njëjtë, për nga thelbi i përshkrimit dhe ndjesive që përftohen prej tyre janë edhe përshkrimet e At Kolës, rrugës për në Toplanë të Dukagjinit… Pak vite ma vonë, 5 a 6, saktësisht në vitin 1943, kur prej Kuvendit françeskan të Shkodrës, Provinçiali e cakton me shkue famullitar në Toplanë. At Anton Harapi, ai që e kishte bashkëshoqërue në Meshën e parë, bash në Priften, në katundin e vet, me 15 gusht 1942. Meshën e parë në ditën me shêj për atje; diten e Zojës së Grudës. Ditë feste e shéndi, feste që lutej me miq… Në Toplanë duhej me mrritë natën e Shënkollit, me 5 dhjetor. Dimër, borë e akull, cerm si nalt ndër male. I lodhun fort prej udhëtimit të mundimshëm. Mbramja përreth zjarmit shtrue në sofër me të mirat e Zotit, me mish e me raki deri në mesnatë. E, mikpritësi ku kishte me bûjtë, të gatshëm me e zbardhë këso dore… Por me padijen gati pagane të tyre, se për fratin, që nesër ka me thanë meshën e ditës së festës së urdhnueme , mesnata duhet me e gjetë të çuem pres sofret. Kaq shumë mundime sa fratin e bajnë me ndie si nji trandje prej peshës së kryqit përmbi shpinë… I ndamë me malet, larguar prej andej qysh në fëmininë e herëshme, vaditë [mësuar, përshtatur] me jetën qytetëse në Shkoder e në Siena e Romë, sigurisht nuk ishte e kollajtë për té. Vetmia e atjeshme ku e ku me jeten rregulltare, plot larmí në Kuvendet françeskane. Por siç qëmton mjeshtri, Koliqi, “vuejtjen ua lehtëson vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.”…Njëjtë si me krejt bashkëvllaznit e vet françeskanë, destini kryesor i të cilëve qe shërbesa meshtarake në male.
16 muaj shërbeu në Toplanë, Pader Kola. Mandej, për 30 vjet meshtarí në Traboinë të Hotit. Përposë punëve të meshtarisë, mbledh si bleta ditë për ditë e stinë për stinë nektarin e shûjten [ushqimin] e jetës atje. Mbledh doke e zakone, pa ja dá, njeh e shënon virtyte po edhe vese të gjindjes së atyshme. Me njet e me devocion, me shumë dashni e pa aspak zéher [helm]… “Mos mendo, o nieri, se k’to gjana i shkrova per me naltue vedin…” vijon një kumti i tij përmbyllës i veprës që ka lënë. E begatë sa s’bëhet dhe e përzgjedhun. Sofrat në Malësinë e Madhe, Ndér e burrni ndër malet tona, Rrjedha e disa shprehjeve popullore, Kajde e dyzene, Visare të Malësisë, Kangë e vaje, të përgatitura e botuara e shumta mbasi ai është nisë për në amshim, nën përkujdesjen sqimatare të Dr. Gjovalin Gjeloshit.
E të tjerat : Mullijtë e Cemit, Kisha të vjetra në Shas e Malsi, Varia: Etnografi e histori (në tre volume) Kangë heroike, Dyzenet e çudnarëve… Një “turrë e madhe e letrave të zverdhuna”, që presin dorën e përkujdestarit, Gjovalinit. Sigurisht me bekimin e përkrahjen e Pader Pashkut (Gojçaj), të Provincialit të sotçëm të Provincës françeskane shqiptare. E përposë tyre, një album me foto, kohëshkrepja e të cilave shtrihet në rreth 4 dekada. Relike të çmueshme e një pasuri e begatë e trashëgimisë kombëtare, ardhur e shenjuar si punë të papërsëritëshme në thesarin kombëtar, të njërit prej “Françeskanëve të Mdhaj” që shkëlqejnë me veprat që lanë, At’ Kolë Berishës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frano Kulli

SHKODRA NË “RRETHIMI”- n E ENKEL DEMIT

January 13, 2023 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\FRANOJA personale\Frano.jpg

Unë nisa me e lexue “Rrethimi”- n e Tom Kukës (Enkel Demi) , me kërshërinë e shfaqur se çka do të gjeja interesante në vizatimin artistik të një copë kohe e të një peisazhi të  Shkodrës, atij qyteti, skena më e rëndësishme e teatrit të ngjarjeve historike, sidomos atyre të fillimshekullit të njëzetë dhe për më saktë, tetor 1912-prill 1913. Lufta e parë ballkanike, sulmi dhe pushtimi i Shkodrës nga Mali i Zi dhe ballas, qëndresa mbijetike e qytetit në rrethanat e pushtimit. Ky, është në të vërtetë sfondi historik që tejkqyret  matanë ngjarjeve të romanit të Enkel Demit, kurse ngjarjet e romanit, diku të vërteta e diku fiction, sikurse edhe personazhet mbartës e livrues (lëvizës) të këtyre ngjarjeve, gjithashtu të dyzuar, zënë fill prej historisë së një fotografie.

Këtu nis romani, kjo është pika prej nga autori i kundron ngjarjet e luftës, por aspak si një kronikan i saj. Është jeta qytetëse por e shtjellur (zhvilluar, shpërfaqur) në pelikulen  imagjinare të autorit. Se Kolë Laca, përreth të cilit nis e shtjellohet linja parake e romanit nuk është Kolë Maca, fotografi i njohur i Shkodrës, të cilin na e ka njoftuar më së miri studiuesi i historisë së fotografisë në Shqipëri, Qerim Vrioni, sikurse është e vërtetë historia e Gjon Palit, i cili, i varruem (plagosur) jep shpirt në duart e së bijës dhe fotografi Maca gjindet aty me atë kutinë e madhe të zezë, mbështetur mbi trikëmbësh për të bërë punën e pasionit së tij, atë të fotografit, një punë e zeje që asokohe, e sapo ardhur në qytet si shpikje e Europës , një djalosh që merrej me të e bënte me flatra. Kurse në kundrimin e autorit Tom Kuka, mbi shpalimin e zgaqjen e së mbrendshmes së djaloshit artist ndërtohet linja vezulluese e dashurisë ndërmjet të rinjëve të gjëndur rastësisht kundruall; njëra e pikëlluar  përtej kufinjëve të dhimbjes për babain që po i fikej me kokën në duart e saj e tjetri, duke vjelë e disenjuar dhimbje që ta çan gjoksin për ta nderë mbi pelikulen e ftohtë…

Qyteti, i gjëndur  i rrethuar pabesisht ka dy palë të përkundruallta; ushtria që gjuan me top pa ja dá dhe qytetasit që mbrohen, struken, lëvizin kaleças (ngadalë, pa u ndjerë) më tepër në terr se në dritë, më tepër natën se ditën. Të unshëm të etshëm deri në zi…”Zorrët u kërsisnin më shumë se pushkët”. E në mes Tom Kuka (emër kaq fort i dashur për Enkel Demin, saqë e do përveçse emrin e vet autorial në krejt shkrimësinë e tij romanore edhe emër të personazhit të vet më simpatik këtu) majë dyrrotakut të tij, që bredh mahallë në mahallë tue përcjellë parandjenjën e tij se në cilin kopësht ka rá gjylja e në cilin oborr ka me rá tjetra, simbas alibisë së tij të ndërtuar edhe simbas përndjekjes që ai i bënte kronikës së veprimit në front. – Po bjen n’udhakryq – thërriste njëherë; – po e then qafen në Xhabije, tjetrën herë. E kështu herë mbas here i kishte ra kryq e tërthuer krejt qytetit të rrethuem…

Paralel me Tomën mbajë dyrrotakut shkon e vjen “I premtuemi” , që gati si një somnabul lëshon spikamën e tij rrugicë në rrugicë, anës mureve të avllive me gurë të rrumbullaktë të Kirit e pranë kopshtijeve: “Unë jam i premtuemi…kërkoj…”. 

“I premtuemi”, në të vërtetë kërkonte të zezën e vet. Atij ia kishin thënë se qe i premtuar për Trinën, qysh kur ata ishin në djep,motakë, prej Gjon Palit, të atit. Gjoni kishte vdekë, po fjala kishte mbetë se fjala nuk varroset. E fjala e dhënë peshon rëndë. Me këtë barrë në shpirt, të rëndë sa vetë nderi i malsorit “I premtuemi…” kish zbrit prej malesh  e endej nëpër qytet në kërkim të tij, të nderit. Me e mbrojt atë (nderin pra) me çdo kusht sublim. Krejt përkundruall tij i bjen me qenë Kolë Laca, lidhja e të cilit me Trinën që pati lind si lidhje zemrash, lidhje e përjetëshme.Të përkundërtat kanë zgjidhje të ndryshme. Mirëpo, koha dhe vendi i njëjtë i ngatërron ato… I premtuemi e “don gjanë e vet” edhe pa e dijtë mirëfilli se çka asht gjëja e vet, porse kështu është fjala e fjala është kthyer në sendin që të takon, e sendi që të takon, robi i premtuem pra, është gjë e çmuar që  mbrohet edhe me pushkë. Kurse për Kolë Lacen, gjëja e vet është…Dritëshkronja, së cilës për ta mbrojtë…i ven drynin dhe kaq. E as i shkon mendja mendja me e mbrojtë me pushkë. Ai nuk din si nxirret ajo prej millit. Për të njéri nuk është mall. E mos o Zot Trina; ajo për të është shpirt, frymë, është hyjní. Por…qe se vendi, koha i pshtjellojnë gjendjet e veprimet e cilitdo. E ja që…

-Duhet me e mbrojtë gruen tande, familjen tande. Duhet me ia mbyllë gojën këtij cubit – i thotë Marta e Dodë Bibës e fjalët e saj e bënë të brofte në këmbë. Vajza e princit të Mirditës po i kërkonte të mbronte familjen… Ajo që deri tash i kishte bërë strehë dashurisë së tyre dhe embrionit të familjes së tyre njëherëshi, gjithashtu, në atë “minaren” e saj e e kishte mbrojtë atë, më të shtrenjtën e tij, tani po i kërkonte mbrojtjen me të njëjtat mjete si ato “të premtuemit”…

Hasan Riza Pasha, aludimi për vrasjen e tij prej  Esat Pashës, që njëri pas tjetrit i bie të kollonisin qytetin e rrethuem në qëndresën e mbijtesën e tij e deri te Çerçiz Topulli , që janë personazhe të dorës së parë në histori, janë të dorës së dytë në roman, çka ta bën të plotbesueshëm kumtin e Tomës (Enkel Demit), se ai nuk merr përsipër të rishkruajë historinë e tyre që është vetëm një cak në rrethim i historisë së Shkodrës. Mjaft më në plan të parë të “vizatimit” të rrethimit janë Osoja i falltores , Qazim Quku a Gjiacinto Simini, Seit Saiti e Harapi i Beledijes, Hoxhë Kadria i Xhamisë së plumbit a dom Luigji a Imzot Jak Serreqi. Sikurse edhe gjuha bisedore e tyre është gjuha qytetëse shkodrane a e rrethinave: njitesh-tani; a je i marrë a shtihesh  (frazeologji e përveçme e atij qyteti); motet kishin shkuar dhe mbeten vetëm këngët – frazeologji; haliçët – gurët e vegjël që futen ndërmjet gurëve të gdhendur të murit prej guri; Malësori i ri shkon me një vandak ferrash e i hedh në tymtar…; mica (macja) kur i shkel bishtin; kaçamak (qull i thonë malësorët); dhjakut Simon (djakoni – xhakù, i thonë në Shkoder), çmimi qe kacafiu (i lartë përtej të iamgjinueshmes) etj etj…

E duke kundruar kështu, skenë mbas skene e përshkrim mbas përshkrimi kalon deri në fund, me një frymë, nëpër ferrin e “Rrethimi”-t të Enkel Demit, duke u përmbushur kështu me të tjera dije që të vijnë nga ajo kohë, prej rrëfimeve e ndodhive të treguara që kanë kapërcyer së paku katër breza për t’u shënuar si gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tënde. Fundja a s’është edhe kjo një shërbesë për ty që, diç do më shumë të dish e të ushqehesh me pak më shumë dije e përjetim nga e shkuara e antropologjisë tënde kulturore?

C:\Users\User\Desktop\botashqiptare.Enkel_Demi_Rrethiminsp-134.jpg

Filed Under: Kulture Tagged With: Frano Kulli

SI PËRKUJTOHEJ FISHTA NË VITIN 1971…TEK ARBËRESHËT

December 29, 2022 by s p

Frano Kulli/

Na e përshkruan Ernes Koliqi një përkujtim syresh, në “Shejzat” e tij. – Shqiptarët e diasporës – shkruan ai – të cilëve nuk ua ka helmatisë shqisen nji propagandë dinake e zhgatrrimtare e me burim të huej qi denon si shprehje antishqiptare mun undyrën mâ gjeniune shpirtnore të kombit t’onë, kanë përkujtue gjithkund në botën e lirë auktorin e Lahutës së malcís.

Është viti 1971, rasti për të cilin na bën me dije Koliqi, njëri prej atyre shkrimtarëve të shënuar në historinë e letërsisë shqipe. Qendra ndërkombëtare e Studimeve Shqiptare të Palermos, e cila “përsjell tash sa vjet me nisma të parreshtuna lartushtuese [që ushtojnë së larti], çdo rasë në shênj të historís ase të kulturës sonë” e kishte programuar qysh në prill të atij viti, atë që do të bëhej e rreth së cilës do të përbashkoheshin më të dallueshmit puntorë të kulturës kombëtare në diasporë. Atë Zef Valentini ishte në krye të kësaj qendre e, për rrjedhojë edhe në krye të këtij kremtimi. Italiani jezuit, ndër albanologët më të shquar në botë, i ndodhur aty, qysh prej 15 dhjetorit të 1955-ës, atëherë kur u vendos në drejtimin e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, e cila u bë një nga qendrat e spikatura të kulturës së vërtetë shqiptare jashtë Shqipërisë. At Valentini me ardhjen e trupave gjermane më 1943, u largua nga Shqipëria drejt Romës e vijoi punët në Institutin Oriental Papnor. Rikthehej në Italinë e tij, mbas dy dekadave që kishte zatetë për herë të parë në Shkodër (me 1922) në Urdhnin e Jezuitve aty, tashma i realizuar në shkallë të epërme, me një vepër monumentale në fushë të Albanologjisë. Edhe më heret, para mbarimit të luftës së dytë botërore, më 5 dhjetor 1940 kur ende ishte në Shqipëri, qe emëruar anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Me 1941 u vendos në Tiranë, ku u caktua edhe sekretar i këshillit të Institutit e vijoi aty derisa i riatdhesua. Pa iu ndarë asnjëherë, derisa mbylli sytë, albanologjisë e kulturës shqiptare.

E në këtë hulli, me 27 nëntor të atij viti (1971) në Aula Magna të Universitetit të Palermos (vërté e madhnueshme – e përshkruan Koliqi) u mblodh Kongresi i VII i Qendrës “Rozolin Petrota”, kushtuar i gjithi Fishtës, në përvjetorin e 100-të të lindjes. Me një varg referatash tue u mbajt fryma e naltë shkencore qi duhet të dallojë të tilla nisma, përfundim ky i Koliqit, që mishërohej në vetë ligjëruesit dhe kapacitetin e tyre shkencor, kulturor e shqiptarídashës.

At Valentini, drejtuesi i Qendrës trajtoi argumentin zgjedhë prej tij: “At Fishta misjonar”. Në këtë pikëpamje At Gjergji njihet pak, arsyetonte ai edhe pse me zell të madh ka ushtrue detyrat e tij si famullitar e predikatar; si mësues në kurse fetare e si bashkëpuntor në të përkohëshme e fletore të përshpirtëshme. Mbas At Valentinit, i erdhi radha prof. Koliqit, tema e të cilit “Fishta në shërbim të politikës kombëtare”, parashtroi idenë se veprimtarisë aq e dobishme dhe e frytëshme e Poetit Kombëtar në dobi të atdheut, qe frut i përkushtimit të tij, tue qëndrue sipër rrymave politike siç e veçonte me theks të posaçëm kumtuesi.

Kurse prof. Namik Resulli i Universitetit të Napolit, historian i letërsisë, akademik shqiptar shtjelloi temën “Struktura të poezisë së Fishtës, një anë shumë interesante e prodhimit letrar fishtjan, tue vu në dukje ndikimin që pati në té fryma e ligjeve doksore, d.m.th. ajo e Kanunit. Prof. Resuli, bashkëkohës e bashkëpunëtor i Koliqit, pasi kishte doktoruar “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”në fillim të viteve ’30, gjatë viteve 1940 – 44 ai qe dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957). Në vitin 1955 Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”) në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua kreu i Studimeve Shqiptare në Institutin Universitar Oriental të Napolit (1958-1968) dhe vazhdoi aty si profesor deri më 1975. U mor me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.U emërua kreu i Institutit të Studimeve Shqiptare në Romë më 1975, pasi ndërroi jetë Koliqi.

Martin Camaj i Universitetit të Mÿnchenit, gjuhëtar akademik, me hollësinë e pregatitjes së tij gjuhësore, kishte zgjedhur të fliste mbi “Gjuhen e Gjergj Fishtës në Lahuten e Malcis’ “. Me nji përimtim depertues ditunuer parashtroi lidhjet e ngushta të ligjrimit fishtjan me të folmen popullore dhe procesin krijues të shprehjeve typike fishtiane tue ndjekë për s’afërmi kallepin e trajtave të popullit.Në këtë shndërrim shpesh nuk mund të përcaktohet, përsa i përket njaj thanjeje a lokucjoni, a e mori Fishta prej popullit apo populli prej Fishtës.-kështu e përcakton Koliqi në “Shejzat”, thelbin e ligjëratës së Camajt, në atë takim përkujtimor.

I fundit që e mori fjalën për të kumtuar ishte Prof. Papas Ignac Parrino, docent i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, i cili “e ka begatë albanologjín me nji perkthim literal shumë të censhëm të Lahutës, përsjellë me shënime të gjithnuerta historike, gjuhësore, letrare, etnografike, juridike (të së drejtës kanunore), estetike etj”. Docenti i ri foli mbi temën “Fishta në prespektivën e kulturës shqiptare” dhe, tue prekë anët e ndryshme të veprës fishtjane u perqëndrue në caktimin e vlerës kryesore të saj, d.m.th. në zbulim të botkuptimit të shqiptarit, botkuptim i themeluem në vlera të nalta njerëzore si nderi, burrnija, mikpritja, kulti i Perendis e i trashigimit stergjyshuer”, shënon Koliqi.

Kurse nga preludi i Kongresit, në bisedat përgatitore, mbase duhet veçuar ky kumt i Koliqit: “Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njëmendtë e kemi për detyrë përkujtimin e auktorit të Lahutës së malcis’. Mirë qofshin të ardhuna kremtimet të çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e dêjë për të nderue Poetin qi bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk asht tjetër veçse leximi i veprave të tija…ku tregohet rruga qi duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbri kombeve të përparueme”.

…Palermo, 1971. Asokohe, këtu në Shqipëri nuk pipëtinte asnjë tingull prej andej; përmendja e emrit të Fishtës ishte “blafemí ”.

“GJERGJ FISHTA”, Portret, Pashk Pervathi, 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

Një popull ” i çmendur ” që prijësat i çmend…

December 9, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\PORTRETI 1.jpg

Dje e dëgjova se, për agresorin që me 6 dhjetor, në mesditë, goditi zotin Sali Berisha, duhen jo më pak se 40 ditë të vertetohej nëse ai është një i çmendur ose jo. Dhe i gjithë debati përreth atij akti të shëmtuar e të rëndë  fort,  të asaj dite, përsillet aty në atë qerthull fjalësh. Është a nuk është i çmendur agresori ! Mirëpo, duke e ditë se çudija më e madhe në këtë vend zgjat  vetëm tri ditë, në mos ndodhtë kështu, siç ka ndodhë gjitherë ndër ne, synimi ka qenë i qartë: ngjarja, sa më shpejt të bëhet e paqenë. E të vijojnë masandej pa u ndalë tam-tamet e festës së mikpritjes, që prijësi e ka kuruar me duar e veta…

Në të vërtetë dy pamjet e mesditës së 6 dhjetorit  në Tiranë, janë dy pamje në një. Edhe pse krejt të përkundërta; njëra pamje festive mikpritjeje e mirëpritjeje të prijësve të Europës dhe tjetra e një dhune ektreme mbi udhëheqësin e opozitës, themeluesit të saj qyshse opozita politike ka rilindë mbas një gjysë shekulli diktaturë, në fillim vitet ’90.

Janë dy pjesë të së njëjtës, jo vetëm pse ndodhën në të të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në kryeqytetin e Shqipërisë, jo vetëm se ndodhën, në fakt në dy perimetra të skicuar e të rrethuar në mënyra të ndyshme, po në të njëjtën sipërfaqe të qendrës së Tiranës. Por përmbi këto, janë dy ngjarje, që hamendësimi edhe më i largët mundet me i bashkëngjitë. Dhe aspak “deus ex machina”, po në njëfarë mënyre, vetvetishëm. 

Vetvetishëm,  sepse, klima e gjithherëshme politike, por sidomos  kjo e kohëve të fundit, gjithçka lëviz në atmosferën e saj, me shumë ré e me pak kthjellësi, këtë mundet me sjellë. “Moti i mirë duket në mëngjes”. Shqipëria politike është në pikën e saj të një demokracie të shpartalluar. Qeveria dhe opozita janë vite drite larg në galaktikën e bashkëekzistencës, domethanë e pranimit të njera-tjetrës, e pranimit të të ndryshmëve, të mendësive dhe të koncepteve të ndryshme. Sepse në këtë mes është prishur e gati asgjësuar forca rregullatore përbashkuese – vota e lirë. Votuesit shqiptarë, pra populli ka në dorë “çelsat e kashtës” të ngrehinës së demokracisë. Prijësi i pushtetit është prijësi i Shqipërisë; ai që prin gjithçka në këtë vend, atë që i takon të prijë e atë që s’i takon të prijë. Vret e pret përditë, sa i ha krahu. Me fjalë, më së pari; se ka do kohë që atij fjala i rrjedh si përrua (…). Po, thonë se ” gjuha [fjala pra] kocka s’ka po kocka thyen”. E kështu, përroi i psikikës rrjedh fjalë e fjala bëhet dinamit. Dinamit që shemb hotelin e të pasurit, fermanin për të cilin vetë e ka pasë dhënë, njësoj si jerevinë [kthinën] e të vorfnit pa hak e hile, shemb teatrin gati shekullor të kryeqytetit dhe ngre përreth kulla plot mister të lavdisë së shtatlartësisë së vet…

E rinia turitet e rinia ikë. Për më mirë i merr rrugët e botës, pa u zorit se len këtu vjetërsi. Prindër të vjetër e mendësi të vjetra, ende të paçliruar prej reminishencave të diktaturës. Dhe prijësat e çmendur në lumninë e vet, në ekstazën e ethëshme të sundimit prej trashëgimisë së etërve të vet. E prej saj, tash kërkohet një i çmendur që të godasë me grusht kundërshtinë e mizorisë. Opozitën, që prijësi e don të paqenë. Se kështu populli i sunduar sundohet ma lehtë. Sidomos në një ditë që sytë e Europës janë këtu, ndër ne e midis nesh. Edhe pse Europa, siç po duket, ma së pari pëlqeka shfaqjet tona të zbukuruara që udhëheqësíja luan sesa thelbin e funksionimit të shoqërisë sonë, sesa u zoritka për qeverisjen që qelbet në korrupsion e nivelin e demokracisë së saj që është ulëritës. Prijësi  e ka kuptuar heret se ç’duan ata dhe, me zotësi e bukuri që vret e shpërfaq atë. Hipur mbi supet e një populli, i cili përkujdesjen për vehte e për të drejtat e tij në rrugën e demokracisë, ia ka dorzue dëshpërimit. Dhe ky ritëm i ecjes sonë po i ka dehur e po i çmend prijësit tanë, sundimtarët tanë, që vetë i gradojmë si të tillë. Tashma ata nuk njohin zgjedhës e as popull që ka tagrin përmbi ta. Që, gjasme i zgjedh si shërbyes dhe më shpejt se të zgjidhen bëhen sundimtarë. Sundimtarët tanë, që ne na bëjnë të marrë…E ne nuk zemrohemi. Kemi harruar se duhet të zemrohemi fort derisa t’i rrëzojmë ata. Ata e ata, derisa të kemi gjetë shërbyesit e administrimit të jetës sonë e të prosperitetit tonë. E jo të ikim, nga sytë këmbët e t’i lëmë fatet tona në dorë të prijësve që çmenden. E çmenduria e tyre të na rraskapisë jetën tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT