Sukseset e fundit të populistëve në zgjedhje në Perëndim, kanë rritur frikën për destabilitet në Evropën postkomuniste dhe Euroazi, ka paralajmëruar në një raport të tij, monitoruesi i demokracisë Freedom House.
Në raportin e Freedom House thuhet se vetëm gjatë vitit të kaluar, vota e britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, kundërshtimi i votuesve holandezë për marrëveshjen e Asociimit ndërmjet BE-së dhe Ukrainës dhe zgjedhja e Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara, “kanë rritur dyshimet së fundi për rendin e brishtë të pas Luftës së Ftohtë”.
Gjetjet u bënë publike në raportin vjetor të grupit me seli në New York për Popujt në Tranzicion me nëntitullin “Premtimet e rreme të populizmit”.
“Brexit dhe administrata e re në Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar populistët anti demokratë në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan” i tha Radio Evropa e Lirë, drejtori i projektit Popujt në Tranzicion të Freedom House, Nate Schenkkan.
“Tani një masë kritike e liderëve në rajon hapur po e kundërshtojnë idenë e demokracisë liberale dhe ky populizëm po kombinohet gjithnjë e më shumë me nacionalizmin e vrazhdë etnik që në një mënyrë kërcënon paqen ne Evropë”, thotë Schenkkan.
Raporti shënon se një “ripërtëritje” e populizmit në Evropë ka ndodhur që prej rikthimit në pushtet të kryeministrit hungarez Viktor Orban më 2010 duke ‘hequr’ kontrollet dhe balancët në këtë shtet të BE-së dhe ka vazhduar me sulmet mbi shoqërinë civile dhe shtypin në Ballkan.
Në raport thuhet se në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan “vitet e populizmit dhe të korrupsionit kanë gërryer institucionet premtuese demokratike”.
Raporti shënon edhe lëvizjet në vendet në tranzicion duke përmendur edhe Kosovën. Sipas Freedom House Kosova këtë vit ka lëvizur nga një regjim gjysmë autoritar i konsoliduar në një regjim tranzitor/hibrid.
“Kosova ka filluar nga pika më e ulët nga vendet e Ballkanit në anketën tonë dhe gjatë dekadës së kaluar ka bërë përparim drejt konsolidimit të shtetësisë dhe ndërtimit të institucioneve të veta”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i projektit për Vendet në Tranzicion, i Freedom House, Nate Schenkkan.
“Por tash e tutje bëhet ende më vështirë”, paralajmëroi ai, duke shtuar se “qeveria e vendit dhe partitë politike duhet të rrisin llogaridhënien në çështjen e korrupsionit dhe ata duhet të marrin vendime të vështira politike, në çështjet siç janë përfaqësimi i pakicave dhe integrimi evropian”.
Në studimin e Freedom House mbi demokracinë në 29 vende ish komuniste nga Evropa qendrore deri në Azinë Qendrore, thuhet se Shqipëria ka notën 4.14, njësoj sikurse edhe vitin e kaluar. Kosova ka notën 4.96, ndryshe nga 5.07 që e kishte një vit më parë.
Në raport ndërkohë, Serbia është vlerësuar se ka arritur në pikën më të ulët të demokracisë që prej vitit 2003, pavarësisht se ka bërë përparim në negociatat për pranimin në BE. (REL)