• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT, DITELINDJA E AT GJERGJ FISHTES

October 23, 2017 by dgreca

1 fishta ok 

23  TETOR  1871  ASHT  LE  AT  GJERGJ  FISHTA/

Ferrat

 FERRAT TREGOJNË SE KËTU ASHT LE I MADHI  POET…/

 Nga Fritz RADOVANI/

HISTORINË  E VERTETË TË VERIUT KERKONJE NDER FERRA!..

Asht kenë një thanje e moçme: “Asht e vështirë me gjetë me mend shka bahet pa mend!”

Livadhet e kodrat e Zadrimës apo të Bregut të Bunës, aty – këtu të ndame nga lumej aq të rrembyeshëm e t’ egjer si gjarpij që, pa pikë dhimbje të marrin gjak në vetull, janë të pafund derisa në mbramje dielli u thotë me shumë dashni: “Ma bafshi atë natë të mirë!”Tokat e bukës të duket se prodhojnë bereqet e shka i lypë sofra rrumullake stajanicave që pa lindë dielli, kanë vue nder çarranikë sahanat e qumshtit të mjelun pa dalë drita. Aty kur dielli ka perfshi rruzullin të sheh syni ndonjë portare që hapet e çobajtë, kah ju prijnë bagtive aq të dashtuna me zagart ase rojet e natës t’ atyne krahinave…Vetem pemët me degët e varuna prej frutash ishin kufijt e tokave të tyne, ku dora e njomë e ndonjë fëmije ua lagte gojen e thame nga rrugët e largëta ndonjë udhtari, që me aq andje vrojtonte se me sa kujdes gjithshka dukej se asht vue nga dora e njeriut. Shpesh ngjante që Burrat e atyne krahinave të ulun nder hijet e atyne frutave, harronin shka kishin mbi kokat e veta tue ndrrue kutijat e duhanit e tue dredhë cigare. Mështetë per trungun e pemës që bante hijen ma të madhe ishte ma plaku me llullen e vet, që ia kishte lanë gjyshi kushedi sa vite perpara, kur bisedonin per ligjët e kanunit të Maleve. Shpesh ka ngja që shishja e rakisë së rrushit besa, ka zevendsue edhe ujin e prronit… Pranvera ua shpervjelte mangët e këmishave dhe kamcat e brakeshave. Shamija e kokës ua pritte rrezet djegëse të diellit, kur i grahnin pendës së qeve me livrue arat pjellore. Vetem kësulat e bardha kujdesëshin per trunin e atyne brezave që bulonin nder ata kodra e fusha të bukra, ku asnjëherë nuk mungonin lulet e freskëta si t’ ishte pranverë. Ishte fyelli dhe brisku i çobanit që zbuste edhe gjarpijtë e pabesë t’ atyne kaçubave, ku shpesh mëshefeshin trishtilat e bukur e mullizezat e dimnit, me të cilat argëtoheshin fëmijët e atyne krahinave, tue gjuejtë me lastika gushakuqat e shkretë… Dikund, pak ma larg, një fëmijë thërriste: “O Nanë, eja se më ka hy një ferrë tek kamba!..” E ajo, ulte buljeren e ujit e vraponte, me i hjekë ferren me gjylpanen që kishte në xhamadan…  Në mengjes, drekë e darkë mbasi camerdhokët e vegjel rreshtoheshin tek sofra e tyne e rrumullakët, ku i priste psheshatamli dhe luga e vogel e tyne, banin Kryq dhe fillonin me ngranë, “shka u kishte dhanë e falë i Madhi Zot !”… Papritmas shpesh kriste e qeshuna, mbasi ma i madhi nder ta, kishte mendue edhe gzimin që sjellë sofra e perditshme… Sa e bukur dukej ajo dhomë me atë sofer ku fëmijët shtoheshin perditë! Pak ma andej, ishte edhe vatra me zjarrin e ndezun ku ma plaku e rrëmonte me mashë prushin që nuk i mungonte kurr atyne dhomave të pritjes, që sa hynte një mik, mbi zjarr shtohej një cung, e karrshi t’ zot të shtëpisë shtohej një stol dhe një gotë, që mbushej plot me raki, tue ia vue Mikut perpara dhe tue i urue: “Mir’ se pruni Zoti e, mirëse erdhe…!”

***

1871 “Mir’ se të pruni Zoti, e mirë se erdhe o Zefi i vogel… E kjofsh me jetë!” – Ishin fjalët që Zefit foshnje, i uruene mërritjen në Prakun e shtëpisë, në Fishten e Zadrimës bash atë ditë me 23 Tetor 1871…tek Ndok Simon Ndoci dhe Prenda e Lazër Kaçit. Zefi i vogel tue u rritë, e kaçubat e ferrave tue u rritë edhe ma fort se Zefi. Besa, Zefi, as nuk ua pat friken ferrave, madje, edhe kambët gjithmonë i mbajti zdathë, veshi edhe zhgunin e Shën Françeskut, e ku ishin kaçubat ma të mëdha me ferrkuqe, aty shkonte e vente kambën… Ata there, Ky bjeri Lahutës, ata there, Ky bjeri Fyellit, ata there, ky ban vjerrsha… Ata there, ky ço peshë Male e fusha… Ata there, Ky shkeli me Sandalet e Fratit, ata there, Ky rrahi në Konop të belit, ata there, Ky hypi në “gomarin e Babatasit, e shetiti nder parlamente t’ Europës… Ata there e shembi shtëpijat jo vetem Gjergjit, po edhe Atij Luigjit Gurakuqve e Prekë Calit në maje të Vermoshit, e Ky shiko me habi ku ka vojtë Shqipnia nga shegertat e “Ballkanit Perëndimor” që i patne dhunue edhe Flamurin, me “yllin e kuq” të serbit gjakbasë, kur i pat hy pabesisht mbas shpine.

Ata there, e Ky Lut Zotin per Shqipni!

Ata there, e Ky rritu me Lisat e Alpeve Tona…

Ata there, e mbuloje edhe me Ferrat e Rrëmajit…

E Ky, i mështetun per Dy Çinarët… I drejtohet Gjergjit Kastriotve që i pat falë Emnin:

Bash atë ditë të bukur Qershori të së 13 vjet të Shekullit shkuem, kur mbi kompanjel të Kishës së Vet, së ciles, Ai i kushtoi gjithë jeten, në Gjuhadolin e Shkodres plakë i Këndoi…            “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me u mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

              Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

                                          Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnjyes’ a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

              Bini, Toskë!…

Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

              Bini, Toskë!… “Hymni i Flamurit” vazhdon…

Në 1946, Kuvendi u kthye në burg,  Në 1967 Kisha u shkatrrue e Kompanjeli u shem!

  Varri At Gjergjit u boshatis… Pritet tashti edhe shemja e shtëpisë së Tij …

             Melbourne, Tetor 2017.

Filed Under: Opinion Tagged With: 23 Tetor 1871, At Gjergj Fishtes, ditelindja, Fritz radovani

KALENDAR-KUR ALEATËT BOMBARDONIN TIRANËN

October 12, 2017 by dgreca

PSE  NUK  KA  KALENDAR  MARTIRËSH ?!/

2ok fritz

Nga Fritz RADOVANI/1 Tirana bombardohet1943,13 TETOR, ORA 13. 13’ BOMBARDOHET TIRANA !

■503 PERSONA HUMBIN JETEN… E VRASJET VAZHDOJNË…

■DERI KUR NË SHERBIM TË “HARRESËS”?!!

Po Atdhetarët që dhane jeten per Atdhe, sa data kanë që duhen kujtue?!

Në Shqipni…, a ka mbetë kush që i bjen nder mend per Ata ?!..

Lexoni këto data dhe Emna vetem per muejt Tetor, dhe mendoni a duhen kujtue ?!

1945

1 Tetor 1945 Dënohet Don Nikoll Kimza 10 vjet burg e punë të detyrueshme.

Tetor 1945, At Papa Pandi mbytet në tortura në Korçë. Ishte rreth 30 vjeç.

1946

10 Tetor 1946 Arrestohet Don Mark Bicaj, dënohet me 15 vjet burg, po vdes nga torturat… 11 Tetor 1946 Arrestohet në Dukagjin At Karlo Serreqi, 35 vjeç, dënohet me dënimin e burgimit të perjetëshem…Vdes në burgun e Burrelit me 4 Prill 1954.

25 Tetor 1946 Arrestohet Don Ndre Simoni…

26 Tetor 1946 Arrestohet Don Jakë Zekaj, 40 vjeç, dënohet dy vjet burg…

27 Tetor 1946 Arrestohet në Tiranë Don Shtjefen Kurti, dënohet 15 vjet burg. Mbasi u arrestue prap në 1969, se “kishte Pagzue një fëmijë”, pushkatohet me 29 Shtator 1971.

27 Tetor 1946 Arrestohet At Pjeter Mëshkalla në Tiranë, dënohet 15 vjet burg. Kur po zhvillohej “Revolucioni Kultural i 1967”, arrestohet prap dhe dënohet 10 vjet burg…

28 Tetor 1946 Arrestohet At Pashko Gjadri, dënohet me 8 vjet burg e punë të detyrueme.

28 Tetor 1946 Arrestohet At Mëhill Troshani, dënohet 8 vjet burg e punë të detyrueme.

31 Tetor 1946 Arrestohet në Korçë Papa Josif Mihali, dënohet me 5 vjet burg dhe me daten 26 Tetor 1948 kriminelët e mbysin, tue zhytë në balten e kënetës së Maliqit…

1947

22 Tetor 1947 Arrestohet At Buon Gjeçaj, dënohet me 5 vjet burg e punë të detyrueshme.

1958

20 Tetor 1958 vdes Don Matish Lisna i helmatisun.

1967

4 Tetor 1967 Arrestohet At Gegë Lumaj, dhe dënohet së dyti me 10 vjet burg…

1968

16 Tetor 1968 Kardinali polak Vojtila zgjidhet Papa i 284, me emnin Papa Gjon Pali II.

2003

11 Tetor 2003 E Lumja e Parë Shqiptare Nanë Tereza e Kalkutës (1910 – 1997)

■”HARRESA” ringjallë… Po, edhe ripersëritë historinë!

            Melbourne, Tetor 2017.

Filed Under: Histori Tagged With: Aleatet Bombarduan, Fritz radovani, TIRANËN...

130 VJETORI I PROF. SIMON RROTA… NA KUJTON

October 6, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
1 simon rrota PIKTORI SIMON RROTA(1887 – 1961)/

130 VJETORI I PROF. SIMON RROTA… NA KUJTON !/

■Artistin e madh të piktures në Shkoder, Qytetarin model të Kështjellës plakë Rozafat, Mësuesin e perkushtuem të rinisë Shkodrane, Etnografin e kultures sonë kombtare, Historianin e saktë të ngjarjeve të lavdishme, Prindin e kujdesëshem aty ku mungonte dhe, skalitësin e papersëritshem të edukatës dhe moralit Europjano – Përendimor.

2 rrota02

Shqipnia me Malet e fushat e Saja kreshnike ishin Shpirti dhe jeta e Veprave të Tij…

1 Dasma-Shkodrane_Kol-Idromeno-388x220

Penelat nder duertë e Tij vezullonin si fijet e mëndafshta të rizave të papersëritshme dhe tingllonin mbi shkrepa të Maleve si çakçirët e trashigimtarëve të pathyeshem të Viseve të Lekë Dukagjinit dhe Herojve të pavdekshem të Gjergj Kastriotit. Ata penela trokisnin nder dyertë me harqe guri të Shkodres, ku ruhej ajka e vjeter e kostumeve të lashta Ilire…1 simon Rr Te korrat

■Profesor Simoni asht lé në Shkoder me 23 Tetor 1887. Asht shkollue po në qytetin e lindjes nder Françeskanë, ku edhe asht zbulue talenti i Tij në artin e pikturës. Njohja me piktorin Kol Idromeno i jep shtysen me vazhdue Akademinë e Arteve të Bukra në Brera, Itali, deri në vitin 1920. Gjatë asaj kohë vizitoi Francën dhe Austrinë, pra të tri mbretnitë e njohuna të artit Perëndimor, ku u brumos me kulturën e artit moderne.

Mbasi perfundoi studimet per pikturë para se të kthehej në Shqipni, u martue atje, dhe krijoi një familje model, gja që e pasoi edhe nder të gjithë trashigimtarët e vet.

Ka banue në rrugen Badra, per të cilen shkruen në librin e Tij “Rrethimi i Shkodres” romancieri i parë Shqiptar Don Ndoc Nikaj, në vitin 1913 kur tregon se: “Rruga ma në shej nga malazezët kur gjuenin me gjyle… Ishte rruga Badra e Shkodres…” Ishte pra, ajo rrugë ku, jo ma larg se 100 ml., jam le dhe rritë e njohë me Profesorin tim…

■Me hapjen e Gjimnazit Shtetit në Shkoder në vitin 1922, nder të parët edukator të atij gjimnazi asht edhe Prof. Simon Rrota, dhe që vazhdon profesionin e mësuesit të vizatimit në Shkollen Pedagogjike deri në pak kohë para se të mbyllin edhe jeten e Tij prej edukatori të nderuem dhe të palodhun me 27 Janar 1961.

Profesori ka lanë vepra që me dinjitet perfaqsojnë me saktësi Rilindjen Shqiptare, tue i perjetsue karakteristikat e saj në veprat e Tija të historisë kombtare, etnografike dhe gjithmonë të shprehuna me një frymzim origjinal. Ka lanë shumë vepra në vaj, karbon, lapsë, akuarel dhe kryeveper e Tij mbetët boceti i vepres ma të madhe që ka zbatue në vaj “Vuemja e Gurit të Parë” në Kishen Katedrale të Shkodres, në 1958.

■Kjo asht nder të paktat vepra që ka shpetue pa u zhdukë nga “Revolucioni Kultural 1967”. Sejcili penel aty asht i lidhun me një nga episodet e Historisë së Shkodres.

E, pa u gabue aspak mund të them se Prof. Simoni per nga saktësia nder veprat e Tij nuk i lente asgja mangut vllaut të vet, shkenctarit gjuhësisë sonë At Justin Rrotës.

Prof. Simoni ishte një mjeshter i papersëritshem në punimet me lapsë dhe karbon. Kujtoj njëherë që me mori në shtëpinë e Tij dhe më tregoi një dosje me disa vizatime. Edhe sot ruej në kujtesën time një punim me karbon “Borë në Rrmaji”, ndersa nder punimet me vaj pikturat e prindve të Tij me kostumet e vjetra shkodrane, mbesin një thesar i etnografisë Shqiptare, tue mos harrue asnjëherë veshjet malësore dhe ato zadrimore, që të duket se në gjokset e tyne nuk janë pikturue por janë montue vargjet e monedhave të arit me motivet e mbrekullueshme kombtare të qindisuna nder ta.

■Veprat e Profesor Simon Rrotës janë gurtë e themelit të veshjeve tona kombtare, dhe asnjëherë nder ta nuk ndeshet njeriu para dyshimit, mbasi saktësia ishte gjithshka e paraqitun me aq mjeshtri dhe dashni nga Piktori i madh i Shkodres nder ato piktura.

Atëherë kur shkolla Pedagogjike e Shkodres ishte ba streha e studentave “Mëkatnorë të deklasuar”, asht një mësues që mendon per me shpetue jeten e sa të rinjëve nga rrugët e vështira e plot rreziqe nder skajet ma të largëta dhe të humbuna të Shqipnisë komuniste, e Ky asht Prof. Simon Rrota. Atje ku rinia shkodrane shkonte me perhapë “driten e partisë”, nuk ishin vendasit që mendonin me ua ba keq, sa ishte “motivacioni i dosjes së degës së mbrendshme” të  Shkodres që i ndiqte mbrapa deri në vdekje.

Kam pasë fatin në vitin 1953 me kenë nxanës në shkollen pedagogjike dhe me pasë një Mësues dhe Prind shumë të Nderuem dhe fisnik, që më dha i pari në jeten time, “mjaltin e ambel” të artit të bukur të pikturës, kryesisht në gjininë e grafikës me bojë kine “bardh’e zi”, e Ky ishte pikrisht Ai Burrë që kalonte perditë para shtëpisë sime, e që porsa fillova me marrë mend, unë ishe krenar kur Ai më pershëndette me aq perzemersi… Ishte Prof. Simon Rrota…që banonte në atë shtëpinë karakteristike, me një pullaz thik, që të dukej ma shumë se ishte ndertue me perballue boren e madhe, sesa nga vetë shija e veçantë artistike e arkitektit që jetonte nen kulmin e saj.

Sa fillonte pranvera, Prof. Simoni ishte gjithnjë në një copë të vogel toke ku me capin e tij ringjallte gjelbrimin e shermashekut e të shemshirëve rrethues të shtëpisë.

■Ishte një mbasdreke kur na thirri në sallen e vizatimit të shkollës mue dhe Dorotea Serreqin, kishim të dy kaligrafinë e bukur e biografinë… (nuk po shkoj ma gjatë).

U ulëm në një tavolinë ku ishin disa copa kallami me pambuk të lidhun ndër maje. Në mungesë të brushave kishte përgatitë ato copa kallamash për me shkrue me to. Kujtoj si tashti fjalët e Tij: “Për shka po ju tham mos i tregoni asnjë njeriu, ju kam thirrë me ju mësue me shkrue bukur mbasi të dy keni kaligrafinë e bukur, por due me ju mësue me shkrue “parulla”, mbasi tue dijtë me shkrue parulla kanë me pasë nevojë për ju, e keni me kenë të kërkuem, mbasi komunizmi nuk asht gja tjetër veç propagandë!” … Profesori, nuk ishte i pakujdesëshëm në të folun, njihëj mirë me familjët tona. Kjo ndihmë bujare e Tij shoqnue me një dashni prindore të pakufi mue më ka shpëtue jetën, prandej edhe i jam mirënjohës… Kur nxanësit e Tij i kanë shkrue këta rreshta kanë dashtë me shprehë një moment fantazije fëminore, por kanë thanë një të vërtetë:

Deri sa të sillet bota,

                                                Edhe hyjt’ rreth rruzullimit,

                                                Do të rrnojë Simon Rrota,

                                                Profesor’i vizatimit!

***

Muzeu i Shtetit në Shkoder asht kenë një shtëpi e dytë e Prof. Simonit, ku gjithnjë mendonte e punonte si me mujtë me nxjerrë nga podrumet e errta “materialet” e At Shtjefen Gjeçovit dhe dijetarëve të tjerë, që mykeshin e po kalbeshin vetem se ishin kenë pronë e muzeumeve të gjimnazeve të Françeskanëve apo Jezuitëve në Shkoder.

■Në ballin e një shkalle më pat dhanë me shkrue një citat të Gjergj Kastriotit. E kishte të ruejtun që nga punimet e para të Buzukut, botue në “Hylli i Dritës”… Kujtoj në Muzeun e Shkodres një punim me vaj, ku një malsor po i jepte me pi ujë kalit tek Ura e Mesit. Nder të gjitha veprat e Tij shihet kujdesi per të tregue landen e veshjes, tue fillue nga rizat e mëndafshta, sumllat metalike të xhamadanave, brandavekët e grave shkodrane, çakçirët e malësorëve, ksulat e leshta të fshatarëve e gurët e pathyeshem të Rrozafës.

Do të shkonte njëditë në Kala Rozafat me drejtorin e muzeut, Vasil Llazarin dhe disa puntorë, një natë perpara erdhi e më ftoi me shkue me ata. Ishte vizita e parë me një dijetar të vertetë në Kështjellen Rozafat. Kur arrijtem atje nalt më çoi tek një beden guri nga Veriu ku shihej Shkodra, Kiri, Drini e deri larg malet rrethuese… Aty më shpjegoi: ■“A sheh një dishka që nuk e ka rreth vetes asnjë Kështjellë në Botë, nga Veriu dhe Lindja të dy Xhamijat dikur ishin kenë Kisha, si kjo e Selvisë dhe ajo e Plumbit…turqit i shkatrruen… ndersa, atje poshtë perballë Urës së Bunës, pak meter mbas thertores së vjeter, asht një hark që dimnit mbytet n’ujë, asht dera e një Kishës nga Perëndimi që lidhej me një tunel që vinte deri tek kjo shpellë, që na e kemi këtu krejt pranë, e në rasë rreziku kur rojet e Kështjellës rrethoheshin nga ushtria turke, Shqiptarët uleshin neper tunel, hynin në Kishë dhe prej aty, me lundra e barka iknin naten neper liqenin e Shkodres, në drejtim të Veriut nder Male e bashkoheshin me malësorë. Ndersa, nga Jugu asht Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, Kisha shekullore, që kujtohet Mbrekullia e Figures së Zojës në 1467…Edhe Ajo në vitin 1913 u gjuejt me top nga malazezët dhe kishte nalt kompanjelin e këputun…Ndersa Kisha, perballë nesh këtu në Kala asht e pesta në qender të kater të tjerave poshtë, që ruejnë të paprekuna tash sa shekuj Kështjellen dhe Qytetin tonë të bukur e heroik po, edhe të martirizuem të Shkodres…”

Në vitin 1969 në Shtëpinë e Kulturës së Shkodres, drejtori i saj agjent i sigurimit Angjelin Kumrija, më pat zhdukë disa vepra në dhomen e piktorit Ferdinand Paci. Më vjen keq shumë per dy nga portretet e punuem me një pasion të madh prej meje, që i pata punue per ekspoziten personale të vitit 1966, Portretin i Prof. Simonit dhe Ai i piktorit Zef Kolombi, një tjeter kolos i artit pikturës në kujtimet e mija per vlerat e Shkodres!

Në këte 130 vjetor nuk dij a do të kujtohet Bashkia e Shkodres per Prof. Simon Rroten!

■Fjalët e Atyne dijetarëve që patëm fatin me njohë në vitet e rinisë, na nguleshin nder tru e ndoshta, “Ata ishin shinat që Mësuesit tanë na dhanë drejtimin e gjithë jetës!”

E pra, unë nuk jam i vetem që u rrita e mësova nga Profesori i Madh Simon Rrota, e prej Tij ndoshta… jam ky që jam, po, piktor jam vetem nga i paharrueshmi i rrugës Badra: Piktori Simon Rrota, që nuk i vjen kurrma Shkodres…

            Melbourne, Tetor 2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: 130 vjetori i Prof. Simon Rrota, Fritz radovani

AT MATI PRENNUSHI O.F.M.-SOT NUK KA AS VARR !

September 30, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 ate-mati-prenushi-ofm-1

AT MATI PRENNUSHI O.F.M. (2 TETOR 1882 – 11 MARS 1948)/

Përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruen edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” 

1911: Kur At Mati PRENNUSHI asht Famullitar në Gerçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet dokument i randsishëm: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912. Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga atdhetari Luigj Gurakuqi. Memorandumi u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.8 JANAR 1948: At Mati PRENNUSHI, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, mbas 16 muejsh hetuesi, pa pranue asnjë akuzë dënohet me vdekje. Në fjalen e fundit në gjyqin e mbyllun në mencen e Kuvendit Fretenve në Shkoder tha:

“Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë katolikë Shqiptarë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet.

Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” *Marrë nga Fjala, simbas z. Eugjen Merlikës. Zgjodhi z. Nikë Palkola, Kllezën, Ulqin, tash në New-York, Amerikë.

Botue në Revistën “Buzuku”, nr. 18, faqe 19, me 22 tetor 2005, Ulqin.

11 MARS 1948: Në orën 05.00, në Zallin e Kirit Shkoder, me një grup Atdhetarësh

PADËR MATI PRENNUSHI, para pushkatimit tha:“Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)

            Melbourne, 1 Tetor 2017.

Filed Under: Histori Tagged With: 135 vjetori, At Mati Prenushi, Fritz radovani

KUJTESE PER INGJ. LUDOVIK ZOJZI (1910 – 1943)

September 24, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1Ludovik Zojzi

 NE FOTO:Vorrezat ne RRMAJI  SHKODER/

“Kultura asht shpirti i qytetnimit”/

Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin e Zef Zorbës, brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë: “Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rëmaji?”
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.

Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve të reja që janë edhe sot.

Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rrmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhet edhe sot në familjën Zojzi.

Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjën e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit.

Keli ka përfundue shkollën tregëtare dhe ishte një kangëtar i njohtun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali.

Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit deri më 1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..” Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në moshën 33- vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore. Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve, që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue. PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupeve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”.

Kjo dokumentohët nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruan: “…Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: “…Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerë organizatorë…”.

Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?

Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë, që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve Atentati kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës Shqiptare që ishte formue në shkollat Përëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!

Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”…

Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmelëve të qytetit!”.
50 VJET PERPARA…1967

E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret… e dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa Shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve… me mauzerrët ruse… e dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek koka, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!

E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën vizaret e kulturës kombëtare!

E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit Shqiptar!

E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!…
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!…  

E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika…. E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!

E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe nën dhé… e do të lajmëronte ringjalljen! E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por harruen fjalët e Meshkallës, se “ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!”
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!

E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!

Melbourne, 2017.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Ludovika Zojzi, Vorrat Romaji

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT